6 mars | çdo ditë me radhë
«Fryti i Frymës është […] mirëdashja…» (Gal. 5:22, NASB).
Versioni i mbretit Xhejms ka fjalën «butësi» këtu, por pothuaj në të gjitha versionet bashkëkohore lexojmë «mirëdashje». «Fryti i Frymës është […] mirëdashja».
Mirëdashja përshkruan gatishmërinë e butë, shpirtmirë dhe bujare që rezulton në bërjen e favoreve, shfaqjen e mëshirës dhe kalimin e bekimeve te të tjerët. Njeriu mirëdashës është shpirtmirë, jo i ashpër; dashamirës, jo indiferent; dhe ndihmues, jo njeri që nuk përfshihet. Ai është i kujdesshëm, i dhembshur dhe mirëbërës.
Ekziston një mirëdashje e natyrshme që edhe njerëzit e botës i shfaqin njeri-tjetrit. Por mirëdashja që vjen nga Fryma është e mbinatyrshme. Ajo shkon mbi dhe përtej asaj që njeriu është në gjendje të bëjë nga vetvetja. Ajo e aftëson një besimtar që të jap, pa shpresuar që t’i kthehet. Ajo e aftëson atë që t’u tregojë mikpritje atyre që nuk mund t’ia shpërblejnë. Ajo e aftëson atë që të shpërblejë çdo fyerje me mirësjellje. Një student i krishterë shfaqi këtë lloj mirëdashjeje të mbinatyrshme ndaj një studenti tjetër që ishte një alkoolist. Ky i fundit ishte bërë aq i pakëndshëm, që ishte refuzuar nga shokët e klasës dhe përfundimisht ishte dëbuar edhe nga dhoma e konviktit. I krishteri kishte një krevat tepër në dhomën e tij dhe kështu e ftoi pijanecin që të jetonte me të. Shumë net besimtarit iu desh të pastronte të vjellat e shokut të dhomës, t’i hiqte rrobat, ta lante dhe ta vinte në krevat. Kjo ishte një shfaqje e shkëlqyeshme e mirëdashjes së krishterë.
Dhe – për ta përfunduar historinë – kjo solli fryt. Njëherë, kur ishte esëll, djaloshi i shthurur pyeti me acarim, «Hej, shiko pak këtu, përse po e bën gjithë këtë për mua? Kujt i je qepur?» I krishteri iu përgjigj: «I jam qepur shpirtit tënd» – dhe ai e fitoi atë.
Kur Dr. Ajrënsajdi (Ironside) po pastronte një ditë qilarin, ai thirri një grumbulluesi mbeturinash, një jude, për të blerë gazetat, revistat, leckat dhe copat e metalit. Dr. Ajrënsajdi pretendoi të bënte një pazar serioz për një çmim të mirë për mbeturinat, por grumbulluesi i mbeturinave fitoi, sigurisht. Kur ai ishte duke hedhur ngarkesën e fundit në karro, me mirëdashje H. A. I. (Ajrënsajdi) e thirri përsëri, duke thënë: «Oh, harrova diçka. Dua të t’i jap këto në Emrin e Zotit Jezus». Dhe ai i dha pesëdhjetë cent.
Grumbulluesi i mbeturinave u largua, duke thënë: «Askush nuk më ka dhënë ndonjëherë ndonjë gjë në Emrin e Jezusit më parë».
«Fryti i Frymës është […] mirëdashja».