6 qershor

[no_toc]

6 qershor | çdo ditë me radhë

«A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?, thotë Zoti» (Jer. 23:24b).

Kur flasim për gjithëpraninë e Perëndisë ne themi që Ai është i pranishëm në të gjitha vendet në të vetmen dhe të njëjtën kohë. Një puritan me emrin Xhon Arousmithi (John Arrowsmith) tregon për një filozof pagan, i cili bëri këtë pyetje dikur: «Ku është Perëndia?» I krishteri iu përgjigj: «Më lejoni t’ju pyes unë në fillim: «Ku nuk është Ai?»

Një ateist shkroi mbi një mur: «Perëndinë kurrkund e gjen» (ang. God is nowhere). Një fëmijë kaloi andej dhe e ndryshoi që të lexohej: «Perëndinë gjithkund e gjen» (ang. God is now here).

Ne i jemi borxhli Davidit për një pjesë klasike mbi gjithëpraninë e Perëndisë. Ai shkroi: «Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty. Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë» (Psa. 139:7-10).

Kur flasim për gjithëprani, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e ngatërrojmë atë me panteizmin. Ky i dyti thotë që gjithçka është Perëndi. Në disa nga format e saj, njerëzit adhurojnë pemë ose lumenj ose forcat e natyrës. Perëndia i vërtetë e kontrollon universin dhe e mbush universin, por Ai vetë është i ndarë nga universi dhe është më i madh se ai.

Çfarë ndikimi praktik duhet të ketë e vërteta e gjithëpranisë së Perëndisë në jetën e njerëzve të Tij?

Kemi, sigurisht, kujtimin solemn që ne nuk mund t’i fshihemi Perëndisë. Ai është i pashmangshëm.

Kemi ngushëllimin e pashprehshëm në njohjen që Perëndia është gjithnjë me njerëzit e Tij. Ai nuk na lë kurrë. Ne nuk jemi kurrë vetëm.

Kemi edhe një sfidë! Duke qenë se Ai është gjithnjë me ne, ne duhet të ecim në shenjtëri dhe të ndarë nga bota.

Ai ka premtuar praninë e Tij në një mënyrë të veçantë kur dy ose tre mblidhen bashkë në Emrin e Tij: Ai është në mes të tyre. Kjo duhet të frymëzojë një nderim dhe solemnitet të thellë në mbledhjet e shenjtorëve.

[previous][next]