7 prill | çdo ditë me radhë
«Tani i kam të gjitha dhe më teprojnë; jam përplot, mbasi mora nga Epafroditi atë që më ishte dërguar nga ju, një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia» (Filipianeve 4:18).
Letra e Palit drejtuar Filipianëve ishte në të vërtetë një njohje e dhuratës që ai kishte marrë nga besimtarët në Filipi. Ne jemi pothuaj të sigurt që të supozojmë se kjo ishte një dhuratë parash. Pjesa e çuditshme është mënyra se si apostulli e lartëson dhuratën. Ai e quan atë «një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia». Në Efesianeve 5:2 Ai përdor një shprehje të ngjashme për të përshkruar dhuratën e madhe të Krishtit, pra, dhënien e Vetes së Tij, në Kalvar. Ai flet për të si një «ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë». Është befasuese të mendosh se një dhuratë që i jepet një shërbëtori të Zotit duhet të përkujtohet me një gjuhë të ngjashme me atë që përshkruan Dhuratën e Patregueshme.
J. H. Xhoueti komenton bukur për këtë pikë: «Sa e gjerë, atëherë, është gama e një mirësie në dukje lokale! Ne menduam se po i shërbenim një të gjori, kur, në fakt, po bisedonim me Mbretin. Ne përfytyruam se aroma do të mbaronte në një lagje të vogël, por, ja, aroma e këndshme pushton universin. Ne menduam se kishim të bënim vetëm me Palin, por kuptuam se po i shërbenim Shpëtimtarit dhe Zotit të Palit». Kur kuptojmë natyrën e vërtetë frymërore të dhënies së krishterë dhe gamën e gjerë të ndikimit të saj, ne çlirohemi nga të dhënët me keqardhje ose nga shtrëngimi. Ne jemi të imunizuar gjithnjë nga marifetet e mbledhësit profesional të fondeve që zhvat përmes miklimit, patosit ose komedisë. Ne kuptojmë se dhënia është një formë e shërbimit priftëror dhe jo një dekret ligjor. Ne japim, sepse duam dhe ne duam që të japim.
E vërteta se dhuratat e mia të vockla për Perëndinë e Madh mbushin dhomën e fronit të universit me aromë duhet të më frymëzojnë drejt adhurimit plot nderim dhe dhënies së gëzueshme. Kurrë më nuk do të jetë oferta të dielën në mëngjes një pjesë e mërzitshme e shërbesës, aq më pak nga shtrëngimi. Do të jetë po aq reale një mënyrë për t’i dhënë drejtpërdrejt Zotit Jezus, sikur Ai të ishte i pranishëm trupërisht.