9 dhjetor
«Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht» (1 e Korintasve 15:57).Asnjë mendje e krijuar nuk mund të kuptojë ndonjëherë përmasat e fitores që Zoti Jezus fitoi në kryqin e Kalvarit. Ai e mundi botën (Gjoni 16:33). Ai i vuri vulën Satanit, princit të kësaj bote (Gjoni 16:11). Ai triumfoi mbi pushtetet dhe principatat (Kolosianeve 2:15). Ai e mposhti vdekjen aq sa tani ajo është përpirë në fitore (1 e Korintasve 15:54, 55, 57).
Dhe fitorja e Tij është e jona. Ashtu si fitorja e Davidit mbi Goliathin i solli çlirim tërë Izraelit, po kështu triumfi i lavdishëm i Krishtit pasohet te të gjithë ata që i përkasin Atij. Prandaj mund të këndojmë me Horatius Bonarin:
Fitorja është e jona!
Për ne me forcë doli i forti;
Për ne Ai luftoi luftën, u kthye me triumf:
Fitorja është e jona.
Ne jemi më tepër se fitimtarë përmes Atij që na deshi, sepse «as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë» (Rom. 8:37-39).
Gaj Kingu (Guy King) tregon për një djalosh që ishte në stacion kur arriti treni, që solli skuadrën vendase të futbollit mbas një loje të rëndësishme. Djali vrapoi tek i pari që zbriti nga treni dhe e pyeti duke marrë frymë: «Kush fitoi?» Më pas ai vrapoi nëpër platformën e stacionit, duke bërtitur tepër i gëzuar: «Ne fituam! Ne fituam!» Ndërsa z. King e pa këtë, mendoi me vete: «Tani, në fakt, sa kishte bërë ai për të patur fitoren? Çfarë iu desh të bënte me lojën në fushën e futbollit?» Përgjigjja, sigurisht, është «As edhe një gjë». Por duke qenë se i përkiste të njëjtit qytet, ai e identifikoi veten me skuadrën e qytetit dhe e deklaroi fitoren e tyre si të tijën.
Kam dëgjuar dikur për një francez që kaloi nga një pozitë humbjeje në një fitoreje duke e ndryshuar qytetarinë e tij. Kjo ndodhi kur Uellingtoni (Wellington), i ashtuquajturi Duka i Hekurt i Anglisë, pati fitoren e tij të famshme kundër Napoleonit në Uotërlu (Waterloo). Në fillim francezi kishte të bënte me disfatë, por kur u bë një qytetar britanik, ai mund ta deklaronte si të vetën fitoren e Uellingtonit.
Nga lindja ne jemi të gjithë subjekte të mbretërisë së Satanit dhe si pasojë jemi në anën humbëse. Por në çastin që e zgjedhim Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin, ne kalojmë nga disfata në fitore.