BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Siguria e atyre që kanë besim tek Zoti dhe pasiguria e njerëzve të këqij
37:1 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
37:2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
37:3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
37:4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
37:5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
37:6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
37:7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
37:8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
37:9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
37:10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.
37:11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.
37:12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.
37:13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.
37:14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.
37:15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.
37:16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.
37:17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.
37:18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.
37:19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.
37:20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.
37:21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.
37:22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.
37:23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.
37:24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.
37:25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.
37:26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.
37:27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
37:28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t`i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.
37:29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.
37:30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.
37:31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.
37:32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.
37:33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.
37:34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.
37:35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,
37:36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.
37:37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.
37:38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.
37:39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
37:40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.