9 mars

[no_toc]

9 mars | çdo ditë me radhë

«Fryti i Frymës është […] butësia…» (Gal. 5:23).

Kur mendojmë për butësinë, ne priremi të mendojmë për Kaspar Milketostin (Caspar Milquetoast), karakterin komik që ishte mishërim i ndrojtjes dhe dobësisë. Por ky fryt i Frymës është diçka shumë ndryshe. Ai vjen nga një fuqi e mbinatyrshme, jo nga dobësia.

Ai i referohet së pari nënshtrimit të përzemërt të një besimtari ndaj çdo mënyre veprimi të Perëndisë në jetën e tij. Njeriu i butë i përkulet vullnetit të Perëndisë pa rebelim, diskutim apo ankim. Ai arsyeton se «Perëndia është shumë i urtë që të gabojë dhe shumë i dashur që të tregohet i pasjellshëm». Duke kuptuar se nuk ka rastësi apo aksident, ai beson se Perëndia është duke i bashkërenduar të gjitha gjërat për të mirë në jetën e tij.

Butësia përfshin edhe marrëdhënien e besimtarit me të tjerët. Në këtë drejtim ai është i druajtur, jo tepër i sigurt në vetvete dhe është i përulur, jo mendjemadh. Njeriu i butë është ai që praktikon qëndrimin e një zemre të thyer. Ai ai ka thënë a bërë diçka të gabuar, ai e mposht krenarinë duke thënë: «Më vjen keq. Të lutem, më fal!» Ai parapëlqen më tepër të turpërohet se të mendojë për respektin ndaj vetvetes. Kur ai vuan për kryerjen e asaj që është e drejtë, ai e duron këtë me këmbëngulje, pa asnjë mendim për t’ia kthyer me luftë. Kur ai akuzohet padrejtësisht, ai përmbahet nga mbrojtja e vetvetes. Siç thotë Trençi (Trench), njeriu i butë i pranon lëndimet dhe fyerjet nga të tjerët si mënyra që Perëndia i lejon për ndreqjen dhe pastrimin e tij.

Dikush e ka përkufizuar një njeri të butë si «një që e pranon vullnetin e Perëndisë pa u fyer, i cili mund të jetë i ëmbël dhe i butë për shkak të forcës së brendshme dhe që është nën kontrollin e përsosur të Perëndisë». Kur një anëtar i kishës i tha Dr. Aleksandër Uhajtit (Alexander Whyte) se një predikues tjetër i kishës po dënohej si një jobesimtar, Dr. Uhajti u ndez nga zemërimi. Kur anëtari i kishës shtoi se kritiku ka thënë se edhe vetë Dr. Uhajti nuk ishte një besimtar i vërtetë, ai tha: « Të lutem largohu nga zyra që të mund të jem vetëm dhe të analizoj zemrën time para Zotit». KJO është butësi.

Ne të gjithë jemi thirrur që të mbajmë barrën e Atij që është «i butë dhe i përulur nga zemra». Duke e bërë këtë, ne gjejmë prehje për shpirtrat tanë dhe do të trashëgojmë përfundimisht tokën.

[previous][next]