9 prill | çdo ditë me radhë
«…si një qengj që e çojnë në thertore» (Isa. 53:7b).
Një herë unë pashë një qengj duke ngordhur. Ishte një pamje shumë prekëse, shumë e tmerrshme.
Ndërsa e sollën në vendin e ekzekutimit, ai dukej kryesisht i dashur. Fëmijët do të kishin dashur ta përqafonin. Të rinjtë e çdo lloji janë të këndshëm – kotelet, konet, zogjtë e pulës, viçat dhe mëzat – por një qengj është veçanërisht tërheqës.
Ndërsa qëndroi atje, ai ishte një pikturë e pafajësisë. Leshi i tij i bardhë, pa të meta, jepte dukjen e pastërtisë. Ai ishte i butë, i qetë, i papërkrahje dhe i pambrojtur. Sytë e tij ishin veçanërisht shprehës; ata flisnin për frikë, patos dhe mprehtësi. Dukej se nuk kishte asnjë arsye përse diçka kaq e re, kaq e bukur duhej që të vdiste.
Dhe kështu ia lidhën këmbët dhe qengji patetik rrinte i shtrirë në anën e vet, duke marrë frymë rëndë, sikur ta dinte për vdekjen e afërt. Me një lëvizje të shkathët, kasapi e vërtiti thikën përmes fytit. Gjaku u derdh në tokë. Trupi i vogël u drodh nga grahmat e vdekjes, më pas qëndroi pa lëvizur. Qengji i butë kishte ngordhur.
Disa nga spektatorët e kishin larguar shikimin nga kjo [skenë]; ishte tepër e trishtueshme për t’u parë. Të tjerë ishin duke fshirë lotët. Askush nuk kishte dëshirë të fliste.
Nëpërmjet besimit unë shoh një Qengj tjetër duke vdekur – Qengjin e Perëndisë. Është një pamje shumë e bekuar, shumë e tmerrshme.
Ky Qengj është tërheqës në çdo pikëpamje, që dallon ndër dhjetë mijë veta, më i bukuri ndër më të bukurit. Ndërsa çohet në vendin e ekzekutimit, Ai është në pranverën e jetës.
Ai është jo vetëm i pafajshëm – Ai është i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët, i patëmetë dhe i panjollë. Duket se nuk ka asnjë arsye përse dikush kaq i pastër duhet që të vdesë.
Por ekzekutuesit e marrin Atë dhe e gozhdojnë në kryq, duar dhe këmbë. Ai pëson atje mundimet dhe tmerret e forcuara të ferrit si një Zëvendësues për mëkatarët. Gjatë gjithë kësaj sytë e Tij janë të mbushur me dashuri dhe falje.
Tani koha e vuajtjes së Tij ka mbaruar. Ai e dorëzon frymën e Tij dhe trupi i Tij qëndron i lëshuar mbi kryq. Një ushtar i shpon anën dhe prej andej del gjak dhe ujë. Qengji i Perëndisë ka vdekur.
Zemra ime është e mbushur. Lot përvëlues rrjedhin lirshëm. Unë bie në gjunjët e mi dhe e falënderoj dhe e lavdëroj Atë! Thjesht të mendosh – Ai vdiq për mua! Unë kurrë nuk do të pushoj së dashuri Atë.