Psalmi 104

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Vështrim mbi verat e krijimit dhe pasojat e përmbytjes mbi paraqitjen e tokës

104:1 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.

104:2 Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;

104:3 ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.

104:4 I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.

104:5 Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.

104:6 Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.

104:7 Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.

104:8 Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.

104:9 Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.

104:10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,

104:11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.

104:12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.

104:13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.

104:14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,

104:15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.

104:16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;

104:17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.

104:18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.

104:19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.

104:20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.

104:21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.

104:22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.

104:23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.

104:24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.

104:25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;

104:26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t`u tallur në të.

104:27 Të gjithë presin që ti t`u japësh ushqimin në kohën e duhur.

104:28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.

104:29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.

104:30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.

104:31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;

104:32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.

104:33 Unë do t`i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t`i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.

104:34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.

104:35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.