Çfarë është vetë ungjilli, veçse drejtësi [ang. moderation] e mëshirshme, ku bindja e Krishtit na jepet neve dhe mëkatet tona janë vendosur mbi të, ku Perëndia, nga një gjykatës, bëhet Ati ynë, duke na i falur mëkatet tona dhe duke e pranuar bindjen tonë, edhe pse të mekur dhe të metë? Tani ne jemi çuar në qiell nën besëlidhjen e hirit përmes një rruge të dashurisë dhe mëshirës.
Do të jetë një ndihmë e veçantë të kuptojmë qartë dallimin midis besëlidhjes së veprave dhe besëlidhjes së hirit, midis Moisiut dhe Krishtit. Moisiu, pa mëshirë fare, i thyen të gjithë kallamat e thyer dhe shuan çdo kandil që bën tym. Sepse ligji kërkon bindje personale, të vazhdueshme dhe të përsosur nga zemra dhe kjo nën një mallkim tejet të tmerrshëm, por nuk të jep forcë fare. Ai është një mbikëqyrës i ashpër, si faraoni, që kërkonte të njëjtën sasi tullash dhe nuk u jepte kashtën e duhur. Krishti vjen me bekim pas bekimi, madje edhe për ata që Moisiu i pati mallkuar, dhe me balsam shërues për plagët e bëra nga Moisiu.
Të njëjtat detyra kërkohen për të dyja besëlidhjet, si ta duash Zotin me të gjithë zemrën tënde dhe me të gjithë shpirtin tënd (Ligji i Perterire 6:5). Në besëlidhjen e veprave, kjo duhet të përmbushet absolutisht, por nën besëlidhjen e hirit kjo duhet të ketë një lehtësim ungjillor. Një përpjekje e sinqertë në raport me hirin e marrë është e pranueshme (dhe kështu duhet parë për Josian dhe të tjerë, kur thuhet që ata bënë atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit).
Ligji është ëmbëlsuar nga ungjilli dhe bëhet kënaqësi për njeriun e brendshëm (Rom. 7:22). Nën këtë besëlidhje të hirshme, përsosmëria është sinqeriteti. Kjo është vdekja në kusi e fesë romake [katolike si edhe e shumë feve të ashtuquajtura të krishtera] që ata i ngatërrojnë të dyja besëlidhjet dhe kjo e humbet ngushëllimin e largimit të njërës që ata nuk mund t’i dallojnë. Dhe kështu ata vuajnë vetë duke qenë nën skllavëri kur Krishti i ka bërë ata të lirë dhe qëndrojnë në burg kur Krishti i ka hapur dyert para tyre.
–Richard Sibbes, «Kallami i thyer», fq. 36-37