Jakobi dhe Kohët e Fundit

Jakobi nuk citohet shpesh në diskutimet që kanë të bëjnë me Kohët e Fundit, pasi ai nuk paraqet vegime apo simbole apo atë llojin e informacionit që do t’ia atribuonim zakonisht librave si Danieli, Ezekieli dhe Zbulesa. Por kur bëhet fjalë për Kohët e Fundit, Jakobi fillon në një vend shumë interesant dhe të dukshëm në shkallën kohore të këtyre ngjarjeve. Ai përqendrohet mbi atë se çfarë supozohet që të BËJNË besimtarët gjatë këtyre kohërave.

«Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë! Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishrat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit. Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive. Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit. Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi» (Jakobit 5:1-6).

Gjenden katër sjellje bazë, të mëkatshme që Jakobi na thotë se do të jenë të pranishme gjatë ditëve që çojnë në kthimin e Krishtit. Në vargjet 1-3 na paraqitet një verbëri frymërore e shenjave të kohës e tillë që shumë do të grumbullojnë për vete të gjitha burimet e mundshme tokësore. Shqetësimi i tyre i vetëm do të jetë për rehati dhe kënaqësi personale.

Në vargun 4 kjo babëzi personale vazhdon të dalë nga shinat dhe kështu rezulton në vjedhjen e pagave, një mënyrë për të treguar mospërfilljen e plotë që do të kenë njerëzit për urdhërimin e Besëlidhjes së Re për «ta dashur njëri-tjetrin, sikurse unë ju kam dashur» (Gjoni 13:34). Keqtrajtimi i të tjerëve do të jetë i rrënjosur në ndjekjen e fitimit personal.

Në vargun 5 ata karakterizohen si të pakënaqur me zotërimin e nevojave të tyre bazë, por duke ndjekur jetesa ekstravagante. Duke përdorur burimet e tyre të grumbulluara dhe ato të futura në hambar përmes mashtrimit dhe vjedhjes, ata bëhet egocentrikë deri në përjashtim të cilitdo dhe çfarëdo gjëje tjetër.

Dhe e gjitha kjo e arrin kulmin në sjelljen e fundit të mëkatshme në vargun 6 që mund të etiketohet «padrejtësi». Dhe jo vetëm padrejtësi ndaj njerëzve në përgjithësi, por veçanërisht ndaj atyre që vazhdojnë të kapen fort pas Fjalës dhe rrugëve të Perëndisë.

Me fjalë të tjera, Ditët e Fundit karakterizohen nga njerëz të përqendruar mbi gjëra materiale, një grup i motivuar nga konsumatori që nuk e vret aspak mendjen se si sjellja e tyre në këtë jetë i jep formë rezultatit të botës tjetër. Dhe kjo nuk është thjesht një padi e përgjithshme për jobesimtarët në botë në tërësi, Jakobi është duke përfshirë në mënyrë specifike njerëz brenda kishës! Një kishë e verbër, materialiste që është më e interesuar me rehatinë dhe pasurinë tokësore sesa pothuaj çdo gjë tjetër. A tingëllon kjo sadopak familjare? Jezusi i identifikoi qartë këta njerëz si kishën e Laodicesë (Zbulesa 3:14-22). Në rastin më të mirë ata janë të krishterë me emër të groposur në mësime të rreme si absurditeti i [rrymës] Besimi-Prosperiteti (ang. Faith-Prosperity nonsense); në rastin më të keq ata janë krejtësisht të zhytur në ndjekjen e gjërave të kësaj bote.

(Isom, Ditët e Fundit: Jo një provë e njohurisë, por e besimit, Moriel Ministries, 23 janar, 2010).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *