Në vargjet 15-17 kemi një paralajmërim të fortë kundër botës dhe kundër të gjitha rrugëve të saj të rreme. Mbase kjo i drejtohet së pari të rinjve, për të cilët bota është një tërheqje e veçantë, por është një paralajmërim që ka të bëjë me të gjithë njerëzit e Zotit. Bota këtu nuk është planeti ku jetojmë, apo krijimi natyral që na rrethon, por për më tepër është sistemi që njeriu ka ndërtuar në përpjekje për ta bërë vetveten të lumtur pa Krishtin. Mund të përfshijë botën e kulturës, botën e operas, artit, edukimit – me pak fjalë, çdo fushë në të cilën Zoti Jezus nuk pëlqehet dhe nuk mirëpritet. Dikush e ka përcaktuar si “shoqërinë njerëzore që organizohet në parime të gabuara dhe karakterizohet nga dëshira të ulta, vlera të rreme dhe egoizëm.”.
2:15,16 Ne paralajmërohemi me plot gojë që të mos duam botën as gjërat që janë në botë, për arsyen e thjeshtë se dashuria për botën nuk shkon përshtat me dashurinë e Atit. Gjithçka që bota ofron mund të përshkruhet si lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës. Lakmia e mishit ka të bëjë me uritë ndijimore trupore që vijnë nga natyra jonë e ligë. Lakmia e syve ka të bëjë me dëshirat e liga që vijnë nga ajo që mund të shohim. Krenaria e jetës është një ambicje jo e shenjtë për vetëdukje apo vetëlëvdim. Këta tre elementë të botës ilustrohen në mëkatin e Evës. Pema ishte e mirë për t’u ngrënë: kjo është lakmia e mishit. Pema ishte e këndshme për sytë: kjo është krenaria e syve. Ajo ishte një pemë e dëshiruar për të bërë dikë të ditur: kjo përshkruan krenarinë e jetës.
Ashtu si djalli kundërshton Krishtin dhe mishi është armik i Frymës, po kështu bota është në kundërshtim me Atin. Uria, kopracia dhe ambicja nuk vjen nga Ati, por nga bota. Kjo do të thotë se ato nuk vijnë nga Ati, por i gjejnë burimet e tyre në botë. Bota është dashuria për gjërat që shkojnë [kalojnë]. Zemra njerëzore nuk mund të gjejë kurrë kënaqësi në gjësendet.
2:17 Dhe bota kalon me lakminë e saj. Kur një bankë po falimenton, njerëzit e zgjuar nuk depozitojnë para në të. Kur themelet tunden, ndërtuesit e mençur nuk vazhdojnë të ndërtojnë. Përqendrimi në këtë botë është njësoj si të rregullosh sërish karriket e kuvertës së Titanikut. Kështu, njerëzit e mençur nuk jetojnë për një botë që kalon. Por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë. Është vullneti i Perëndisë që na çliron nga tundimi i gjërave që kalojnë. Ky, rastësisht, ka qenë vargu i jetës së D. L. Moody, ungjilltarit të madh dhe që shkruhet në gurin e tij të varrit: “Ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.”.
2:18 Edhe një provë tjetër për ata që janë në përbashkësinë e krishterë është prova doktrinore. Tema ndërfutet nga një paralajmërim drejtuar atyre që janë foshnja në Krishtin kundër mësuesve të rremë. Ata që janë të rinj në besim janë zakonisht të ndjeshëm ndaj gënjeshtrave të Antikrishtit. Lexuesit e Gjonit ishin mësuar se një Antikrisht do të vinte para Krishtit dhe do të pretendonte se ishte Krishti. Ashtu si ngjarjet e ardhshme do të lëshonin hijen para tyre, po kështu para ardhjes së Antikrishtit, shumë antikrishtë do të shfaqen. Këta janë mësues të rremë që japin [ose mësojnë] një Krisht dhe një ungjill të rremë. Vihet re se dita në të cilën jetojmë karakterizohet nga ushtrimi i shumë kulteve Krisht-mohues dhe të gjithë këta dëshmojnë faktin se ardhja e Shpëtimtarit është afër.
2:19 Këta mësues të rremë ishin njerëz që vetëm rrëfenin se ishin të krishterë dhe që ishin shoqëruar me apostujt. Megjithatë, në zemër ata nuk ishin besimtarë të vërtetë dhe e tregonin këtë duke dalë prej përbashkësisë. Po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne. Këtu mësojmë se besimi i vërtetë gjithmonë ka cilësinë e qëndrueshmërisë. Nëse dikush do të ishte lindur me të vërtetë sërish, ai do të vazhdonte me Zotin. Kjo nuk do të thotë se shpëtohemi duke qëndruar deri në fund, por se ata që qëndrojnë deri në fund janë më të vërtetë të shpëtuar. Mësuesit e rremë u larguan dhe kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.
2:20 Por kjo ngre pyetjen: “Si mund të njohë një besimtar i ri atë që është e vërtetë dhe e rreme?”. Përgjigjja është që ne kemi vajosjen nga i Shenjti dhe… dimë çdo gjë dhe kjo vajosje i referohet Frymës së Shenjtë dhe vjen nga i Shenjti, Zoti Jezu Krisht. Kur një njeri shpëtohet, ai merr Frymën e Shenjtë që banon në të dhe Ai e bën të aftë besimtarin të dallojë midis asaj që është e vërtetë dhe e gabuar. Kur Gjoni u flet lexuesve të tij të rinj “dini çdo gjë”[3] nuk e nënkupton këtë në kuptimin absolut. Nuk do të thotë se ata kishin njohuri të përsosur, por, për më tepër, se kishin aftësinë për të njohur se çfarë ishte e vërtetë dhe çfarë jo. Prandaj besimtari më i ri dhe më i thjeshtë ka aftësinë e dallimit në gjërat hyjnore gjë të cilën një filozof i pashpëtuar nuk e ka. I krishteri mund të shikojë më tepër më gjunjë sesa një i botës në majë të gishtave. Në mbretërinë fizike, kur lind një foshnjë, ai është i pajisur me çdo aftësi të racës njerëzore. Ai ka sy, duar, këmbë dhe tru. Ai nuk i merr kurrë këto më vonë. Dhe pse ai rritet dhe zhvillohet, i tërë personi ndodhet në të që në fillim. Po kështu ndodh edhe me një njeri që lind sërish. Ai ka që në fillim çdo aftësi që do t’i ketë gjithmonë, edhe pse do të ketë mundësi të pafundme për t’i zhvilluar.
2:21 Gjoni nuk shkruan sepse lexuesit e tij ishin të paditur rreth të vërtetës, po për më tepër për t’i miratuar në të vërtetën që njihnin dhe t’u kujtonte se asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta. Gnostikët mësonin doktrina që ishin në kundërshtim me fjalën e Perëndisë dhe për këtë ishin gënjeshtra. Gënjeshtra e tyre kryesore, baza e gjithë mësimit të tyre, ishte mohimi i tyre se Jezusi është Krishti. Ashtu siç e thamë në hyrje, ata mësonin se Jezusi ishte një njeri i thjeshtë dhe se Krishti zbriti mbi Të kur u pagëzua. Kjo është gënjeshtra më e madhe e disa prej kulteve sot. Bibla pohon se Jezusi i DhR është ZOTI (Jehovai) i DhV. Nuk është e saktë të themi se Krishti zbriti mbi Jezusin, por se Jezusi është Krishti.
2:22 Gjoni me kujdes tregon se të mohosh hyjninë e Zotit Jezus do të thotë të mohosh gjithashtu Atin. Disa njerëz pëlqejnë të besojnë se adhurojnë Perëndinë, por nuk duan të kenë të bëjnë me Zotin Jezu Krisht. Apostulli thotë: “Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin.”.
2:23 Te Gjoni 8:19,42 Jezusi tha se ata që nuk pranonin hyjninë e Tij dhe nuk pranonin ta donin nuk e njihnin as Atin dhe as që e kishin Atë për Atë. Në mënyrë të ngjashme Gjoni thotë: “Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.”. Këtu kemi të vërtetën e mrekullueshme të unitetit midis Atit dhe Birit. Ju nuk mund të keni Atin nëse nuk keni Birin. Ky është një mesazh që duhet të pranohet nga të gjithë unitarianët, shkencëtarët e krishterë, myslimanët, modernistët, dëshmitarët e Jehovait dhe judenjtë.
2:24 Ruajtësi për besimtarët e rinj kundër mësuesve të rremë është ajo që dëgjuan nga fillimi le të qëndrojë në ju. Kjo ka të bëjë me mësimin e Zotit Jezus dhe të apostujve të Tij. Siguria jonë e madhe është të qëndrojmë afër fjalës së Perëndisë. Ne duhet të provojmë çdo gjë duke thënë “Çfarë thotë Shkrimi për këtë?”. Nëse një mësim nuk përkon me Biblën, atëherë edhe ne duhet të mos e pranojmë gjithashtu. Ashtu si thoshte zakonisht dr. Ironside: “Nëse është e re, nuk është e vërtetë dhe nëse është e vërtetë nuk është e re.”.
2:25 Kur qëndrojmë në doktrinën e krishterë provojmë vërtetësinë e besimit tonë. Dhe premtimi i atij besimi është jeta e përjetshme. Kur ne pranojmë Zotin Jezus ne pranojmë vetë jetën e Tij, me një fjalë, jetën e përjetshme dhe kjo jetë na bën të aftë të provojmë çdo doktrinë të re dhe të dyshimtë.
2:26,27 Gjoni ua shkroi këtë besimtarëve të rinj duke i dalluar mësuesit e rremë nga mënyra e paralajmërimit. Ai nuk kishte frikë nga ndonjë përfundim i rastit kur kujton se lexuesit e tij kishin marrë… vajosjen prej Zotit Jezus. Ashtu siç e përmendëm më parë, vajosja është Fryma e Shenjtë dhe këtu mësojmë se Fryma e Shenjtë qëndron në ju. Ky është një pohim pozitiv se kur merret Fryma e Shenjtë Ai nuk largohet kurrë. Ngaqë kemi marrë Frymën e Shenjtë, nuk kemi nevojë që ndokush të na mësojë. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi nevojë për mësues të krishterë në kishë. Perëndia ka bërë parashikime të veçanta për mësues të tillë te Efesianëve 4:11. Kjo do të thotë se i krishteri nuk ka nevojë për ndonjë mësim që nuk gjendet në Fjalën e Perëndisë, si fjala e vërtetë e Tij. Gnostikët rrëfenin se kishin njohuri shtesë, por Gjoni po thotë këtu se nuk është nevoja për njohuri shtesë. Me Fjalën e Perëndisë në duart tona dhe me Frymën e Perëndisë në zemër kemi çdo gjë që na duhet për mësimin në të vërtetën e Perëndisë.
2:28 Gjoni u drejtohet të gjithë djemve të dashur të familjes së Perëndisë dhe i nxit ata qëndroni në Të në mënyrë që kur të shfaqet Ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e Tij të mos turpërohemi para Tij. Fjala ne i referohet apostujve dhe mësimi është që nëse të krishterët të cilëve Gjoni u shkruan nuk mbeten besnikë ndaj Zotit, apostujt që i çuan ata te Krishti do të turpërohen kur të vijë Ai. Ky varg thekson rëndësinë e veprës pasuese në çdo përpjekje ungjillore. Ai na sugjeron gjithashtu mundësinë e turpit kur të vijë Krishti.