Mjetet e ruajtjes së përbashkësisë (1 Gjonit 1:5-2:2)

1:5 Përbashkësia përshkruan një situatë ku dy apo tre persona ndajnë gjëra të përbashkëta. Është një bashkësi apo një bashkëpunim. Tani Gjoni ua jep lexuesve të tij kushtet për përbashkësinë me Perëndinë. Duke bërë një gjë të tillë, ai përdor mësimet e Zotit Jezus kur ishte në tokë. Edhe pse nuk përmendet se këto fjalë janë thënë saktësisht nga Zoti, tërësia dhe thelbi i mësimeve të Tij ishte se Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire. Me këtë Ai nënkuptonte se Perëndia është plotësisht i shenjtë, i drejtë dhe i pastër. Perëndia nuk mund të pëlqejë asnjë lloj mëkati. Asgjë nuk fshihet para Tij, “por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari.”

1:6 Tani shpjegohet se që një njeri të jetë në përbashkësi me Perëndinë nuk duhet të fshehë asnjë mëkat. Drita dhe errësira nuk mund të shkojnë bashkë në jetën e një njeriu në të njëjtën kohë, ashtu siç nuk mund të ekzistojnë në një dhomë. Nëse një njeri ecën në errësirë, ai nuk është në përbashkësi me Perëndinë. Një njeri që thotë se ka përbashkësi me Të dhe zakonisht ecën në errësirë nuk është shpëtuar fare.

1:7 Nga ana tjetër, nëse dikush ecën në dritë atëherë ai mund të ketë përbashkësi me Zotin Jezus dhe me të krishterët e tjerë. Me aq sa na shpjegon Gjoni në këtë pjesë, një njeri ose është në dritë ose në errësirë. Nëse është në dritë, ai është një pjesëtar i familjes së Perëndisë. Nëse është në errësirë, ai nuk ka asgjë të përbashkët me Perëndinë, sepse në Perëndinë nuk ka kurrfarë errësire. Ata që ecin në dritë, pra, ata që janë të krishterë, kanë përbashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezu Krishtit vazhdimisht i pastron ata nga çdo mëkat. E tërë falja e Perëndisë mbështetet në gjakun e Birit të Tij që u derdh në Kalvar. Ai gjak i dha Perëndisë një bazë të drejtë mbi të cilën mund të falë mëkatet dhe është ashtu siç këndojmë “gjaku nuk do ta humbasë kurrë fuqinë e tij.” Ai ka vlerë të përhershme për të na pastruar. Sigurisht, besimtarët duhet të rrëfehen para se të marrin faljen, por Gjoni e shtjellon këtë në vargun 9.

1:8 Përsëri, përbashkësi me Perëndinë kërkon që të pranojmë të vërtetën që ka të bëjë me veten tonë. Për shembull, të mohojmë se kemi një natyrë mëkatare do të thotë vetëmashtrim dhe pavërtetësi. Vini re se Gjoni bën një dallim midis mëkatit (v. 8) dhe mëkateve (v. 9). Mëkati i referohet prishjes sonë, natyrës së ligë. Mëkatet i referohen të ligave që kemi bërë. Në fakt, ajo që jemi është shumë më e keqe nga ajo që kemi bërë. Por, lavdi Zotit, Krishti vdiq për mëkatin tonë dhe mëkatet tona.

Kthim [shpëtim] nuk do të thotë çrrënjosje e natyrës së mëkatit. Për më tepër do të thotë mbjellje të natyrës së re dhe hyjnore, me fuqinë për të jetuar duke pasur fitoren kundër mëkatit që mund të jetë në ne.

1:9 Që ne të ecim ditë pas dite në përbashkësi me Perëndinë dhe me besimtarët e tjerë, ne duhet të rrëfejmë mëkatet tona: mëkatet e detyrave, mëkatet e mangësive, mëkatet e mendimeve, mëkatet e veprimit, mëkatet e fshehta dhe mëkatet që dihen nga të gjithë. Ne duhet t’i nxjerrim ato para Perëndisë, t’i përmendim me emër, të vihemi nga ana e Perëndisë për të luftuar kundër tyre dhe t’i braktisim. Po, rrëfimi i vërtetë përfshin braktisjen e mëkateve: “Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën” (Fja. 28:13).

Kur bëjmë një gjë të tillë, mund të shpallim premtimin se Perëndia është besnik dhe i drejtë për të falur. Ai është besnik në atë kuptim që Ai ka premtuar të falë dhe do të mbështetet në premtimin e Tij. Ai është i drejtë për të falur sepse Ai ka gjetur një bazë të drejtë për falje në veprën zëvendësuese të Zotit Jezus në kryq. Dhe jo vetëm që siguron faljen, por gjithashtu edhe që të na pastrojë nga çdo paudhësi.

Falja për të cilën flet Gjoni është atërore [prindërore], jo juridike. Falje juridike do të thotë falje nga dënimi i mëkateve [ferr], që mëkatari e merr kur beson në Zotin Jezu Krisht. Ajo quhet juridike sepse sigurohet nga Perëndia që vepron si Gjykatës. Po për sa u përket mëkateve që një njeri kryen pas kthimit te Zoti? Për sa i përket dënimit çmimi është paguar tashmë nga Zoti Jezus në kryqin e Kalvarit. Por për sa i përket përbashkësisë në familjen e Perëndisë, shenjtori që mëkaton ka nevojë për falje atërore, që do të thotë falje nga Ati i Tij. Ai e merr atë duke rrëfyer mëkatin e tij. Ne kemi nevojë për falje juridike vetëm një herë; kjo ka të bëjë me dënimin e të gjithë mëkateve tona – në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Por gjithashtu kemi nevojë për falje atërore përgjatë jetës sonë të krishterë.

Kur rrëfejmë mëkatet tona ne duhet të besojmë, në pushtetin e fjalës së Perëndisë, që Ai na fal. Dhe nëse Ai na fal ne duhet të falim veten tonë.

1:10 Së fundi, që të jemi në përbashkësi me Perëndinë, nuk duhet të mohojmë se nuk kemi bërë mëkat. Perëndia ka shpallur në mënyrë të përsëritur në fjalën e Tij se të gjithë kemi mëkatuar. Të mohosh këtë do të thotë të bësh Perëndinë gënjeshtar. Kjo është një kontradiktë [mospërputhje] e fortë e fjalës së Tij dhe një mohim i plotë i arsyes së ardhjes së Zotit Jezus për të vuajtur, për të derdhur gjak dhe për të vdekur.

Prandaj shohim se përbashkësia me Perëndinë nuk kërkon që jetët tona të jenë pa mëkat, por për më tepër kërkon që të gjitha mëkatet tona të çohen në praninë e Tij, të rrëfehen dhe të braktisen. Kjo do të thotë se duhet të jemi plotësisht të ndershëm për sa i përket gjendjes sonë dhe se nuk duhet të ketë hipokrizi apo fshehje të asaj çfarë jemi në të vërtetë.

2:1 Gjoni na jep një standard të përsosur për njerëzit e Tij dhe parashikimin e Tij të hirshëm në raste dështimi. Djemtë e mi i referohet të gjithë pjesëtarëve të familjes së Perëndisë. Standardi i përsosur i Perëndisë përmblidhet në fjalët e këtyre gjërave që po ju shkruaj, që të mos mëkatoni. Ngaqë Perëndia është i përsosur, standardi i Tij për njerëzit e Tij është përsosmëri absolute. Ai nuk do të ishte Perëndi nëse do të thoshte: “Ju shkruaj këto gjëra që të mëkatoni sa më pak të mundeni.”. Perëndia nuk mund të anashkalojë mëkatin në shkallën më të ulët dhe kështu ai vendos përsosmërinë para nesh si qëllim. Zoti Jezus e bëri këtë me gruan që ishte kapur në flagrancë duke shkelur kurorën; Ai tha: “As unë nuk të dënoj, shko dhe mos mëkato më.”.

Në të njëjtën kohë, Zoti njeh mundësinë tonë. Ai kujton se ne jemi pluhur dhe kështu ka parashikuar në mënyrë të hirshme për ne në rast dështimi. Kjo shprehet në këto fjalë: “nëse dikush mëkaton….” Një avokat është dikush që vihet nga ana e dikujt në kohë nevoje për ta ndihmuar. Kjo është saktësisht ajo që bën Zoti Jezus kur ne mëkatojmë. Ai menjëherë vjen te ne në mënyrë që të kthejë te ne përbashkësinë me Vetveten. Vini re se nuk thotë: “Nëse dikush rrëfen mëkatet e tij….”. Si Avokati ynë, Zoti përpiqet që të na çojë në atë vend ku të rrëfejmë dhe të braktisim mëkatin tonë.

Kjo është diçka shumë e mrekullueshme në këtë varg që nuk duhet ta lëmë pa e parë. Ai thotë: “Dhe nëse dikush mëkaton….” Nuk thotë me Perëndinë, por me Atin. Ai është akoma Ati ynë dhe nëse mëkatojmë. Kjo na kujton të vërtetën e bekuar se edhe pse mëkati në jetën e besimtarit prish përbashkësinë, ai nuk prish marrëdhënien. Kur një njeri lindet sërish, ai bëhet një bir i Perëndisë. Perëndia është tashmë Ati i tij dhe asgjë nuk mund ta prekë atë marrëdhënie. Një lindje është diçka që nuk mund të ç’bëhet. Një fëmijë mund të çnderojë të atin, por ai mbetet akoma një djalë nga fakti i lindjes.

Vini re se Avokati ynë është Jezu Krishti i drejti. Është gjë e mirë të kesh një mbrojtës të drejtë. Kur Satani bën padi kundër një besimtari, Zoti Jezus mund t’i tregojë veprën e Tij të kryer në Kalvar dhe të thotë: “Kaloje këtë në llogarinë Time.”.

2:2 Dhe Zoti Jezus nuk është vetëm Avokati ynë, por Ai është gjithashtu shlyesi për mëkatet tona. Kjo do të thotë se duke vdekur për ne, Ai na çliroi nga mëkatet tona dhe na ripërtëriu te Perëndia duke siguruar plotësimin e duhur dhe duke hequr çdo pengesë ndaj përbashkësisë. Perëndia mund të na tregojë mëshirë sepse Krishti ka plotësuar kërkesën e drejtësisë. Nuk është e zakonshme që një avokat të paguajë për mëkatet e një klienti; megjithatë kjo është ajo që ka bërë Zoti ynë dhe më e madhja, Ai ka paguar për to duke u flijuar Vetë.

Gjoni shton se Ai është flijimi i duhur jo vetëmpër mëkatet tona, por edhe për ata të të gjithë botës. Kjo nuk do të thotë se e gjithë bota është e shpëtuar. Edhe pse vepra e Zotit Jezus është e mjaftueshme në vlerë për të shpëtuar të gjithë botën, flijimi është i frytshëm të shpëtojë vetëm ata që vendosin besimin e tyre në Të. Është për shkak të veprës së Tij që është e mjaftueshme për të gjithë njerëzit që ungjilli t’i ofrohet gjithë botës. Por nëse të gjithë njerëzit do të ishin automatikisht të shpëtuar, atëherë nuk do të ishte i nevojshëm predikimi i ungjillit për ta.

Është interesante se mbishkrimi përbri kryqit është shkruar në hebraisht, gjuha e popullit të zgjedhur të Perëndisë, dhe në greqisht e latinisht, gjuhët kryesore të njohura të asaj kohe. Kjo iu shpall të gjithë botës se Jezu Krishti është një Shpëtimtar i mjaftueshëm për çdo njeri ngado.


[previous][next]