A. Në lidhje me mbledhjen e ndihmave. (16:1-4)
16:1 Vargu i parë i kapitullit 16 ka të bëjë me një mbledhje ndihmash që do të bëhej nga Kisha në Korint dhe do të dërgohej tek të shenjtët që kishin nevojë në Jeruzalem. Shkaku i prerë i varfërisë së tyre nuk dihet. Disa sugjerojnë se ishte si rezultat i zisë së bukës (Veprat e Apostujve 11:28-30). Ndoshta një arsye tjetër është që ata Judenj që shpallnin besimin e tyre në Krisht persekutoheshin dhe izoloheshin nga të afërmit, miqtë dhe bashkëqytetarët e tyre. Pa dyshim ata humbnin punët e tyre dhe në mënyra të panumërta u nënshtroheshin presioneve ekonomike që bëheshin për t’i detyruar ata të hiqnin dorë nga shpallja e besimit të tyre në Krishtin. Pali tashmë i kishte urdhëruar Kishat e Galatisë në lidhje me këtë çështje dhe tani ai udhëzonte korintasit të përgjigjeshin në të njëjtën mënyrë në të cilën ishin nxitur të shenjtët e Galatisë.
16:2 Megjithëse udhëzimet e dhëna në vargun 2 ishin për një ndihmë të veçantë, përsëri principet e përfshira këtu janë të një vlere të përhershme. Para së gjithash lënia mënjanë e të hollave duhet të bëhej në ditën e parë të javës. Këtu ne kemi një shenjë të fuqishme që na tregon se të krishterët e hershëm nuk e shihnin më Shabatin ose ditën e shtatë si një rit të detyrueshëm. Zoti ishte ringjallur ditën e parë të javës, Dita e Rrëshajëve ishte në ditën e parë të javës, dhe dishepujt mblidheshin në ditën e parë të javës për të thyer bukën (Veprat e Apostujve 20:7). Tani ata duhet të linin diçka mënjanë për të shenjtët në ditën e parë të javës.
Principi i dytë i rëndësishëm është që udhëzimet në lidhje me mbledhjet e ndihmave ishin për secilin. Të pasur e të varfër, skllevër e të lirë, të gjithë duhet të merrnin pjesë në sakrificën e dhënies së zotërimeve të tyre.
Për më tepër kjo duhet të bëhej sistematikisht. Të parën ditë të çdo jave ata duhet të vinin mënjanë diçka. Nuk duhet të ishte e rastësishme, apo e ruajtur për raste të veçanta. Dhurata duhet të lihej mënjanë nga para të tjera dhe të ishte e devotshme për përdorim të veçantë, si ta kërkonte rasti. Dhënia e tyre duhet të ishte gjithashtu proporcionale. Kjo tregohet nga shprehja sipas të ardhurave të tij.
Që kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash. Apostulli Pal nuk donte që kjo të ishte një çështje e lënë për minutën e fundit. Ai kishte kuptuar mundësinë serioze të të dhënurit pa përgatitje të mëparshme të zemrës ose xhepit.
16:3 Vargjet 3 dhe 4 na japin ne një vështrim tepër të vlefshëm mbi kujdesin që duhet të tregohet me të ardhurat që mblidhen në një asamble të krishtere.
Së pari, bie në sy që të ardhurat nuk i besoheshin ndonjë personi. Madje edhe vetë Pali nuk duhet të ishte sipërmarrësi i vetëm.
Së dyti, ne vëmë re që organizimet se kush do t’i mbante paratë nuk bëheshin në mënyrë arbitrare nga apostulli Pal. Për më tepër, ky vendim i ishte lënë asamblesë lokale. Kur ata zgjidhnin dërguesit, Pali do t’i dërgonte ata në Jeruzalem.
16:4 Nëse vendosej që do të ishte mirë që edhe apostulli të shkonte në Jeruzalem, atëherë vëllezërit lokalë do ta shoqëronin atë atje. Vini re që ai thotë “ata do të shkojnë me mua” dhe jo “unë do të shkoj me ta.” Ndoshta kjo është një e thënë tërthorazi e autoritetit të Palit si një apostull. Disa komentues sugjerojnë që faktori që do të përcaktonte nëse Pali do të shkonte apo jo, do të ishte madhësia e dhuratës, por ne nuk besojmë që apostulli i madh do të udhëhiqej nga një princip i tillë.
B. Në lidhje me Planet e tij Personale. (16:5-9)
16:5 Pali diskuton planet e tij personale në vargjet 5-9. Nga Efesi, ku ai shkroi këtë letër, ai planifikoi të kalonte nëpër Maqedoni. Më pas ai shpresonte të lëvizte në jug për në Korint.
16:6-8 Ndoshta Pali do të kalonte dimrin me të shenjtët në Korint dhe më pas ata do ta nisnin atë në rrugën e tij, kudo që të shkonte prej andej. Për momentin, atëherë, ai nuk do t’i takonte ata në rrugën për në Maqedoni, por ai priste me padurim të qëndronte me ta më vonë, për pak kohë, nëse Zoti do ta lejonte. Përpara se ta linte Maqedoninë, Pali priste të rrinte në Efes deri për Rrëshajët. Në vargun 8 pra ne mësojmë që kjo letër u shkrua nga Efesi.
16:9 Pali kishte kuptuar që ishte një mundësi e artë për t’i shërbyer Krishtit në atë kohë në Efes. Në të njëjtën kohë ai kuptoi që aty kishte shumë kundërshtarë. Çfarë figure të përhershme të shërbimit të krishterë na jep ky varg: Nga njëra anë, janë fushat e bardha gati për t’u korrur; dhe nga ana tjetër, është një armik i pa gjumë që kërkon të shkatërrojë, ndajë dhe të kundërshtojë në çdo mënyrë të përfytyrueshme!
C. Nxitje dhe Përshëndetje Përfundimtare. (16:10-24)
16:10 Apostulli shton një fjalë në lidhje me Timoteun. Nëse ky shërbëtor i ri i devotshëm i Zotit vinte në Korint, ata duhet ta prisnin atë pa druajtje. Ndoshta kjo do të thotë që Timoteu nga natyra ishte i druajtur dhe që ata s’duhet të bënin asgjë për t’ia rritur këtë prirje. Ndoshta nga ana tjetër, do të thotë që ai duhet të kishte mundësinë të vinte tek ata pa druajtjen e mospranimit si një shërbëtor i Zotit. Kjo e fundit është ndoshta domethënia e duhur dhe tregohet nga fjalët e Palit: “Sepse ai punon për veprën e Zotit ashtu si unë.”
16:11 Asnjë nuk duhet ta përçmonte atë për shkak të shërbesës së tij besnike të Krishtit. Por përkundrazi, një përpjekje e sinqertë duhet të bëhej për ta përcjellë atë në paqe, që ai të mund të kthehej tek Pali në kohën e duhur. Apostulli mezi priste të bashkohej me Timoteun dhe me vëllezërit.
16:12 Tani, sa për vëlla Apolin, Pali e kishte lutur shumë që të vizitonte Korintin me vëllezërit. Apoli nuk e ndiente që kjo gjë ishte vullneti i Perëndisë për të në atë kohë, por tregoi që do të shkonte në Korint kur të kishte mundësi. Vargu 12 është i vlefshëm për ne për të na treguar frymën e dashurisë që mbizotëronte midis shërbëtorëve të Zotit. Dikush e ka quajtur atë një pikturë tepër të bukur të “dashurisë pa xhelozi dhe të respektit.” Ai gjithashtu tregon lirinë që mbizotëronte për çdo punëtor të Zotit për t’u drejtuar nga Zoti pa pasur diktat nga ndonjë burim tjetër. Madje dhe vetë apostulli Pal nuk ishte i autorizuar t’i tregonte Apolit se çfarë duhet të bënte. Në lidhje me këtë Ironside ka komentuar: “S’do të pëlqeja ta grisja këtë kapitull nga Bibla ime. Më ndihmoi të kuptoj mënyrën e Perëndisë në drejtimin e shërbëtorëve të Tij në shërbesën e tyre për Të.” {{58}}
16:13,14 Tani Pali u jep disa nxitje thelbësore shenjtorëve. Ata duhet të rrinë zgjuar vazhdimisht, të qëndrojnë të patundur në besim, të sillen si burrat dhe të jenë të fortë. Ndoshta Pali është duke menduar përsëri për rrezikun e mësuesve të rremë. Të shenjtët duhet të rrinë zgjuar gjithë kohës. Ata s’duhet të lëshojnë asnjë centimetër të territorit jetësor. Ata duhet të sillen me kurajo të vërtetë. Së fundi ata duhet të jenë të fortë në Zotin. Në çdo gjë që bëjnë, duhet të tregojnë dashuri. Kjo do të thotë një jetë të devotshme për Perëndinë dhe për të tjerët. Do të thotë dhënie e vetvetes.
16:15 Më pas jepet një nxitje në lidhje me familjen e Stefanës. Këta të krishterë të dashur ishin fryti i parë i Akaisë, pra të kthyerit e parë në Akai. Në dukje, që nga koha e kthimit të tyre në besim, ata ia kishin dhënë veten e tyre shërbesës së shenjtorëve. Ata kishin dhënë vetveten për t’iu shërbyer njerëzve të Perëndisë. Familja e Stefanës ishte përmendur më parë në 1:16. Aty Pali thotë që ai kishte pagëzuar atë familje. Shumë kanë ngulur këmbë në atë që familja e Stefanas përfshinte fëmijë dhe kanë kërkuar kështu të justifikojnë pagëzimin e fëmijëve të vegjël. Megjithatë, duket më e qartë nga ky varg që nuk kishte fëmijë në atë familje, përderisa është thënë qartë që ata i ishin kushtuar shërbesës së shenjtorëve.
16:16 Apostulli i nxit të krishterët t’i nënshtrohen atyre dhe kujtdo që ndihmon në vepër dhe në punë. Ne mësojmë nga mësimi i përgjithshëm i Dh.R. që ndaj atyre të cilët ia kushtojnë veten shërbesës së Krishtit duhet të tregohet respekt dashurie nga gjithë njerëzit e Perëndisë. Nëse kjo do ishte bërë, do të kishte ndaluar ndarjet dhe xhelozitë në atë kohë dhe tani.
16:17 Ardhja e Stefanas, Fortunatit dhe Akaikut kishte sjell gëzim në zemrën e Palit. Ata plotësuan mungesën e korintasve. Kjo mund të nënkuptojë që ata treguan mirësi ndaj apostullit të cilën korintasit nuk e kishin bërë. Ose më tepër ndoshta do të thotë që atë që korintasit s’kishin mundur ta bënin sepse ishin larg nga Pali, e kishin kryer këta burra.
16:18 Ata i kishin sjellë lajme nga Korinti Palit dhe po kështu kthyen lajme nga apostulli tek asambleja e tyre. Përsëri Pali i beson ata tek respekti me dashuri i kishës lokale.
16:19 Kishat e Azisë i referohet asambleve në provincën e Azisë (sot Azia e vogël), kryeqytet i së cilës ishte Efesi. Akuila dhe Prishila me sa duket jetonin në Efes në atë kohë. Një kohë ata kishin jetuar në Korint e kështu ishin të njohur nga shenjtorët aty. Akuila ishte një çadër bërës dhe kishte punuar me Palin në këtë punë. Shprehja Kisha që është në shtëpinë e tyre na jep ne një pikturë të thjeshtësisë së jetës së asamblesë në atë kohë. Të krishterët mblidheshin së bashku për adhurim, lutje dhe bashkësi. Më pas ata shkonin jashtë dhe shpallnin Ungjillin në punën e tyre, në treg, në burgun lokal dhe kudo ku u jepej rasti.
16:20 Të gjithë vëllezërit në asamble bashkohen në dërgimin e përshëndetjeve të tyre të dashura tek besimtarët shokë të tyre në Korint. Apostulli u kërkon lexuesve të tij ta përshëndesin njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë. Në atë kohë, puthja ishte një mënyrë e zakonshme përshëndetjeje edhe midis burrave. Një puthje e shenjtë do të thotë një përshëndetje pa shtirje apo papastërti. Në shoqërinë tonë amerikane të pushtuar nga seksi, ku ligësia është kaq e përhapur, përdorimi i puthjes si një mënyrë përshëndetjeje mund të paraqisë tundime serioze dhe të çojë në dështime të mëdha morale. Për këtë arsye, dhënia e duarve ka zënë vendin e puthjes midis të krishterëve në kulturat e vendeve anglisht-folëse. Zakonisht ne nuk duhet të lejojmë konsideratat kulturore për t’u shfajësuar nga bindja strikte e fjalëve të Shkrimit. Por në një rast si ky, ku bindja mund të çojë në mëkat ose edhe në shfaqjen e së keqes për shkak të kushteve kulturore lokale, ne ndoshta jemi të justifikuar në zëvendësimin e puthjes me dhënien e dorës.
16:21 Zakoni i Palit ishte t’ia diktonte letrat njërit prej bashkëpunëtorëve të tij. Megjithatë, në fund ai do të merrte penën në dorë e të shtonte disa fjalë në shkrimin e tij dhe të jepte përshëndetjen e tij karakteristike. Kjo është çfarë ai bën në këtë pikë.
16:22 Mallkuar është përkthimi i fjalës greke anathema. Ata që nuk duan Zotin Jezus tashmë janë të dënuar, por dënimi i tyre do të shfaqet në ardhjen e Zotit Jezu Krisht. Një i krishterë është ai që do Shpëtimtarin. Ai do Zotin Jezus më shumë se çdo gjë apo çdo njeri në botë. Dështim në dashurinë ndaj Birit të Perëndisë është një krim kundër vetë Perëndisë. Ryle komenton:
I shenjti Pal nuk i lejon asnjë shteg shpëtimi atij që nuk e do Krishtin. Ai nuk le shteg për shfajësim. Një njeri mund të mos ketë fare njohuri në kokë dhe përsëri të shpëtohet. Ai mund të dështojë në kurajo dhe të mposhtet nga frika e njerëzve si Pjetri. Ai mund të rrëzohet shumë si Davidi dhe përsëri të ngrihet. Por nëse një njeri nuk e do Krishtin ai nuk është në rrugën e jetës. Mallkimi është ende mbi të. Ai është në rrugën që të çon në shkatërrim. {{59}}
O Zot, eja! Përkthen fjalën Maranatha, një shprehje aramaike e përdorur nga të krishterët e hershëm. N.q.s. ndahet “maran atha” do të thotë “Zoti vjen” dhe nëse ndahet “marana tha” do të thotë Zoti ynë eja!
16:23 Hiri ishte tema e preferuar e Palit. Ai pëlqente t’i hapte dhe mbyllte letrat e tij me këtë shënim të lartë. Është një nga shenjat e vërteta të autorësisë së tij.
16:24 Nëpër gjithë letrën ne kemi dëgjuar rrahjen e zemrës së këtij apostulli të devotshëm të Krishtit. Ne kemi dëgjuar se si ai kërkonte të ndërtonte, ngushëllonte, nxiste dhe këshillonte fëmijët e tij në besim. Nuk kishte dyshim të dashurisë së tij për ta. Kur lexuan këto fjalë mbyllëse, ndoshta ata u ndienë të turpëruar që kishin lejuar mësuesit e rremë të futeshin, duke vënë në dyshim apostullimin e Palit dhe që ishin larguar nga dashuria fillestare për të.
[[58]] (16:12) Ironside, First Corinthians, fq 542.[[58]] [[59]] (16:22) J. C. Ryle, Holiness, fq 235.[[59]]BIBLIOGRAFI
Barnes, Albert, Notes on the New Testament. (Vol. V, 1 Corinthians). London: Blackie & Son.
Davies, J. M., The Epistle to the Corinthians. Bombay: Gospel Literature Service, 1975.
Erdman, Charles R., The First Epistle of Paul to the Corinthians. Philadelphia: Westminster Press, 1928.
Godet, F. L., The First Epistle to the Corinthians. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1971.
Grant, F. W., 1 Corinthians, The Numerical Bible. Vol. 6. New York: Loizeaux Bros, 1901.
Hodge, Charles, An Exposition on the First Epistle to the Corinthians. New York: George H. Doran Company, 1857.
Ironside, H. A., Addresses on the First Epistle to the Corinthians. New York: Loizeaux Brothers, 1955.
Johnson, S. Lewis, “First Corinthians” në The Wycliffe Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1962.
Kelly, William, Notes on the First Epistle to the Corinthians: London: G. Morish, 1878.
Luck, G. Coleman, First Corinthians. Chicago: Moody Press, 1958.
Morgan, G. Campbell, The Corinthians Letters of Paul: An Exposition of I and II Corinthians. New York: Fleming H. Revell Company, 1946.
Morris Leon, The First Epistle of Paul to the Corinthians. Grand Rapids, 1966.
Robertson, Archibald and Alfred Plumer, A Critical and Exegetical Commentary on the First Epistle of St. Paul to the Corinthians. Edinburg: T & T. Clark, 1911.
Vine, W. E., First Corinthians. London, Oliphants Ltd, 1951.