A. Përpjekja e Adonijahut për të marrë fronin (1:1-38)
1:1-4 Tashmë Davidi ishte në moshën shtatëdhjetëvjeçare dhe jo mirë me shëndet. Ai edhe pak dhe do të dilte nga skena e historisë. Propozimi i shërbëtorëve të tij në vargun 2 duket në shikim të parë si hutues, po ashtu edhe tronditës. Megjithatë, kjo praktikë u pranua në atë kohë si me vlerë në rast sëmundjeje, si ajo e Davidit. Ky nuk ishte një veprim prej morali të dyshimtë dhe nuk përbënte një skandal publik. Një gjë për të cilën mund të jemi të sigurt është se Davidi nuk e “njohu” (duke nënkuptuar marrëdhënie seksuale) Abishagin (v. 4b). Dhe duket nga kapitulli 2 se ajo u konsiderua si një grua e ligjshme për Davidin, sepse Salomoni e interpretoi kërkesën e Adonijahut më vonë për të si një kërkesë për fronin e tij (2:21,22). 1:5-10 Adonijahu duket sikur ishte biri më i madh i Davidit që kishte mbetur gjallë (2:22) dhe kështu mbahej si pasuesi i fronit. Amnoni dhe Absalomi kishin vdekur që të dy. Edhe Kileabi kishte vdekur (2 i Samuelit 3:2-4). Para se të vdiste i ati, Adonijahu e shpalli veten mbret, përgatiti një shpurë dhe gjeti ndihmën e Joabit dhe të Abiatharit. Duke qenë një burrë shumë i bukur, ai bëri për vete një turmë të madhe. Vargu 6a tregon se Davidi ishte një atë i butë dhe Adonijahu një djalë i llastuar. Kur Adonijahu flijoi një sasi të madhe kafshësh afër Rogelit, ftoi në festë të gjithë, përveç atyre që i njihte se ishin besnikë ndaj të atit – profetin Nathan, Benajathin, trimat e Davidit dhe Salomonin. 1:11-38 Perëndia i kishte thënë Davidit para se të lindte Salomoni se ky i fundit do të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit (1 i Kronikave 22:9,10). Nathani kishte një dëshirë për ta parë të përmbushur fjalën e Zotit. Duke u shqetësuar për kërcënimin e Adonijahut, ia parashtroi me shkathtësi këtë çështje Davidit [nëpërmjet Bath-Shebës], duke i tërhequr vëmendjen. E mësuar nga Nathani, Bath-Sheba doli para mbretit të sëmurë dhe i bëri të ditur përbetimin. Gjithashtu ajo e kujtoi atë për premtimin që i kishte bërë më parë (edhe pse nuk ishte shkruar) se Salomoni, biri i saj, do të ishte mbreti i ardhshëm. Sapo mbaroi kërkesën që ai ta shpallte publikisht Salomonin si pasuesin e tij, mbërriti Nathani dhe Bath-Sheba doli jashtë. Nathani i përsëriti lajmin rreth përbetimit të Adonijahut për të marrë mbretërinë dhe kërkoi nëse kjo ishte dëshira e mbretit. Kur Davidi kërkoi Bath-Shebën, Nathani doli jashtë. Davidi e siguroi përsëri Bath-Shebën se Salomoni do të ishte me të vërtetë pasuesi i tij. Më pas udhëzoi priftin Tsadok, profetin Nathan dhe Benajahun për ta çuar… Salomonin… në Gihon, një rrëke që ndodhej jashtë qytetit, me mushkën e mbretit dhe ta vajosnin atë mbret.B. Vajosja e Salomonit në Gihon (1:39-53)
Meqë mendohet gjerësisht se Salomoni mbretëroi njëkohësisht me të atin për dy vjet me radhë, gjë për të cilën duhej të ishte vajosur, kjo ishte një vajosje tjetër që e njihte atë si mbretin e vetëm. Kjo vajosje publike e bërë nga prifti Tsadok solli gëzim të madh midis ndjekësve të Davidit, por frikë tek Adonijahu dhe tërë të ftuarit të tij. Kur ata dëgjuan se Salomoni ishte ulur tashmë në fronin mbretëror dhe se Davidi i ishte tepër mirënjohës Zotit për këtë, kuptuan se përbetimi i Adonijahut ishte një dështim. Adonijahu shkoi me vrap në tabernakull dhe u kap pas brirëve të altarit, një veprim që mendohej se do t’i jepte atij shpëtim nga ndëshkimi. Salomoni shpalli që Adonijahu nuk do të vritej nëse do të tregohej i drejtë, por do të ndëshkohej nëse do të kryente ndonjë ligësi të mëvonshme. Pastaj e dërgoi Adonijahun në shtëpi.C. Detyra përfundimtare e Davidit për Salomonin (2:1-11)
Nëse Davidi në mërgim simbolizon Krishtin me kundërshtimin ndaj Tij gjatë kësaj periudhe hiri, Salomoni simbolizon Atë si Mbret që mbretëron në lavdinë mijëvjeçare. Kur të kthehet Ai për të vendosur mbretërinë e Tij, veprimi i Tij i parë do të jetë shkatërrimi i armiqve të Tij dhe do të nxjerrë jashtë mbretërisë së Tij gjithçka që e fyen. E shohim këtë të simbolizuar në kapitullin 2. Para se të vdiste, Davidi i paraqiti një detyrë solemne Salomonit, duke e nxitur atë të ishte i bindur ndaj Zotit dhe duke e udhëzuar të ndërmerrte një veprim të duhur rreth disa njerëzve: Joabi duhej të vritej ngaqë kishte vrarë Abnerin… dhe Amasën; ndaj bijve të Barzilait duhej treguar mirësi për shkak të mirësisë së atit të tyre ndaj Davidit kur po arratisej nga Absalomi; Shimei duhej të vritej, sepse kishte mallkuar Davidin, por Salomoni mund të merrej me hollësitë e ekzekutimit. Shprehja: “… në kohë paqeje ka derdhur gjak lufte” (5b) përkthehet te versioni NIV: “duke derdhur gjakun e tyre në kohë paqeje sikur të ishte kohë lufte”. Pasi mbretëroi dyzet vjet, Davidi vdiq dhe u varros në Jerusalem.[previous][next]