Mbretëria e Salomonit (2 Kronikave 1-9)

A. Adhurimi, dituria dhe pasuria e Salomonit (kapitulli 1)

1:1-3 Libri i Parë i Mbretërve 1-3 tregon atë që ndodhi në kohën midis vdekjes së Davidit (1 i Kronikave 29) dhe kohës kur Salomoni u vendos si mbret. Adonijahu dhe Joabi u vranë në një betejë të fuqishme, ndërsa Salomoni siguroi fronin e të atit në përputhje me fjalën e Zotit (1 i Kronikave 22:9,10). Duke siguruar mbretërinë e tij, Salomoni thirri tërë vartësit e tij dhe i drejtoi në një marshim solemn në Gabaon, atje ku ndodhej tabernakulli. 1:4-6 Davidi e kishte çuar arkënJerusalem (1 i Kronikave 13-15), por pjesa tjetër e pajisjeve të tabernakullit ndodhej në Gabaon, duke përfshirë edhe altarin prej bronzi. Mbi këtë altar Salomoni ofroi një mijë olokauste, duke shfaqur përkushtimin dhe besnikërinë e tij ndaj Jehovahut, Perëndisë së atit të tij. 1:7-12 Perëndia iu shfaq atij atë natë në një ëndërr dhe i kërkoi se çfarë dëshironte më tepër (v. 7; 1 i Mbreterve 3:5). Kërkesa e Salomonit për dituri dhe zgjuarsi për të drejtuar popullin i pëlqeu aq shumë Zotit, saqë Ai i premtoi gjithashtu pasuri, mall dhe lavdi. Në një farë kuptimi, Perëndia i shfaqet çdo besimtari dhe e pyet atë se çfarë kërkon. Ajo që duam në jetë përcakton shumë atë që marrim. 1:13-17 Salomoni u kthye në Jerusalem te një mbretëri me begati të madhe. Këto vargje flasin për qerret, kalorësit, qytetet e qerreve, argjendin, arin, kedrin dhe kuajt. Por begatia e tij përmbante farën e dështimit të tij të mëvonshëm, ashtu siç ndodh zakonisht.

B. Përgatitja, ndërtimi dhe përkushtimi i tempullit nga Salomoni (kapitujt 2-7)

2:1,2 Në përgatitje për ndërtimin e tempullit, Salomoni rekrutoi shtatëdhjetë mijë burra për të mbajtur materialet, dhe tetëdhjetë mijë burra për të nxjerrë gurë, dhe tre mijë e gjashtëqind mbikëqyrës. 2:3-10 Pastaj ai i çoi fjalë për ndihmë Hiramit, mbretit të Tiros, që kishte sjellë kedra për pallatin mbretëror të Davidit. Pasi përshkroi domethënien frymërore të projektit, Salomoni kërkoi në mënyrë të veçantë një gdhendës të aftë për të punuar me artizanin që Davidi kishte marrë në punë dhe gjithashtu për drurin e nevojshëm. Salomoni premtoi të paguante më së miri për çdo ndihmë të dhënë. Duket sikur ka një mospërputhje përsa i përket shumës së pagesës [1]. Shtjellime mbi mospërputhje të tilla në dukje Në komentimin e Librit të Dytë të Kronikave duhet të vëmë re se ka disa mospërputhje të tilla në dukje midis këtij libri dhe rrëfimeve paralele te 1 dhe 2 e Mbretërve. Nëse do t’i anashkalonim këto hollësi e këto ndryshime, nuk do t’u vinim plotësisht në ndihmë lexuesve tanë. Nga ana tjetër, nëse do t’i theksonin së tepërmi këto ndryshime, rrezikojmë të thyenim besimin në Fjalën dhe ne me siguri nuk duam ta bëjmë një gjë të tillë. Zgjedhja jonë është kjo: vendosëm të paraqesim ndryshimet kryesore, edhe pse nuk mund t’u japim përgjigje të gjithave. Në të njëjtën kohë duam ta bëjmë të qartë se këto në asnjë mënyrë nuk ndikojnë në frymëzimin e Shkrimeve. Ne besojmë se Bibla, ashtu siç është dhënë në fillim, është e frymëzuar nga Perëndia, është e pagabueshme dhe e padështueshme. Ne i kemi shtjelluar problemet te shënimet në fund të librit. Në këtë mënyrë problemet teknike të hollësive kontradiktore në dukje nuk do ta ndërpresin rrjedhën e komentimit. Nga ana tjetër, kjo na jep mundësinë për t’i hetuar problemet shkurtimisht, por lirshëm. Shumë nga mospërputhjet janë gabime të kopjuesit të tekstit. Ne nuk duhet të habitemi për faktin që skribët bënin gabime të vogla në kopjimin dhe rikopjimin e Biblës me kalimin e shekujve. Edhe sot është gati e pamundur të botosh një libër pa gabime tipografike në të. Dikush mund të pyesë: “Nëse Perëndia ka drejtuar shkrimtarët e parë të Shkrimeve që të mos gabonin, pse ka lejuar skribët të bënin gabime gjatë kopjimit?”. Përgjigjja, sigurisht, është se Ai mund ta kishte bërë një gjë të tillë, por në diturinë e Tij nuk ka zgjedhur ta bëjë një gjë të tillë. Pika kyçe është se, pavarësisht nga gabimet e vogla të skribëve apo kopjuesve të tekstit (në pjesën më të madhe të rasteve në shqiptimin e emrave dhe në shkrimin e numrave), Bibla, ashtu siç e kemi sot, është Fjala e Perëndisë. Ndonjë problem që del ka të bëjë me hollësi të vogla, ndërsa doktrina e Biblës mbetet e paprekur. Është qetësuese të kujtojmë se, kur Zoti Jezus ishte në tokë, përdori një shkrim nga DhV (jo dorëshkrimin origjinal) dhe e citoi atë tekst si Fjalën e Perëndisë. Ne mund të përdorim versione shumë të njohura të Biblës sot me të njëjtin besim se janë Fjalë e Perëndisë. 2:11-16 Përgjigjja e Hiramit me një shkrim që i dërgoi Salomonit duket sikur tregon një njohje të vërtetë e frymërore se kjo ndërmarrje ishte historike. Ai tha se po dërgonte Huramin [jo Hiramin], një specialist me cilësi të pagabueshme [2]. Ai gjithashtu premtoi të dërgojë drurët nga Libani në këmbim të grurit, elbit, vajit dhe verës. Drurët do të lundronin në trap përgjatë detit Mesdhe deri në Jafo, më pas do të mbarteshin në Jerusalem. 2:17,18 153 000 të huajt ishin kanaanitë që izraelitët nuk i kishin mundur dot. Tani ata u përdorën si argatë [3]. 3:1-4 Pas shumë planesh e përgatitjesh, më në fund ndërtimi filloi në vitin e katërt të mbretërimit Salomonit. Me mbi 150 000 punëtorë dhe me burime gati të pafundme, u deshën shtatë vjet për t’u plotësuar kjo ndërmarrje e stërmadhe. Themelet u hodhën mbi malin Moriah. Tempulli do të ishte njëzet e katër metra i gjatë, tetë metra i gjerë dhe dymbëdhjetë metra i lartë (shikoni 1 i Mbreterve 6, ku jepen më tepër hollësi). Ai ishte gati dyfishi i madhësisë së tabernakullit dhe ishte i veshur nga brenda me ar të kulluar tetë metra i gjatë [4]. 3:5-9 Pjesa e brendshme e tempullit ishte e ndarë në dy dhoma në dyshemenë kryesore. Dy dhomat ishin salla e madhe (fjalë për fjalë “shtëpia”, versioni NKJ) dhe Vendi Shumë i Shenjtë. Ndërtesa ishte prej guri. Pjesa e jashtme ishte me dru qiparisi, që ishte i veshur me ar të kulluar, e stolisur me vizatime të ndryshme dhe e veshur me gurë të çmuar. Gjithçka që mund të shihej brenda tempullit ishte ar, simboli i hyjnisë, duke simbolizuar lavdinë e Zotit që do të mbushte vendin. 3:10-13 Dy kerubinë u vunë në Vendin Shumë të Shenjtë (përveç dy kerubinëve që formonin pjesën e pajtuesit në majë të arkës). Krahët e tyre të hapura zinin tërë gjerësinë e Vendit Shumë të Shenjtë. Arka më vonë do të vihej poshtë tyre (5:7). Kerubinët janë qenie frymërore që shfaqen shpesh në Shkrim. Muret (v. 7) dhe veli (v. 14) u zbukuruan me ta, duke simbolizuar pritjen e tyre të vazhdueshme të Perëndisë. Tempulli dhe tabernakulli ishin simbole të vendbanimit të vërtetë të Perëndisë – pra qiellit, ku Ai adhurohet dhe lëvdohet ditë e natë nga ushtritë qiellore (Heb. 8:5). Ata gjithashtu ishin simbole të Krishtit (Gjoni 1:14, ku “banoi” do të thotë “të banosh në një tabernakull”; 2:19). 3:14-17 Një vel ndante dy dhomat, ashtu si te tabernakulli. Kishte gjithashtu dyer (v. 7) midis dhomave në tempull. Dy shtylla me kapitele dhe një mijë shegë zbukuruese u vendosën përpara tempullit [5]. Shtylla në të djathtë mori emrin Jakin (Ai do të vendosë) dhe ajo në të majtë u quajt Boaz (në Të është forca). 4:1-22 Dy metalet kryesore që u përdorën në tempull ishin bronzi dhe ari. Kapitulli 4 rendit shkurtimisht disa nga pajisjet që u bënë nga këto materiale. Bronzi u përdor për altarin e olokaustit, detin dhe qetë për mbartje (v. 2-5,10) [6], dhjetë enët apo legenët (v. 6), veshjet e dyerve të oborrit (v. 9), pajisjet e ndryshme (v. 11,14-18) dhe dy shtyllat e kapitelet (v. 12,13). Të gjitha këto u shkrinë në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tseredahut (v. 17). Salomoni përdori ar për dhjetë shandanët për vendin e shenjtë (v. 7,20), dhjetë tryezat për bukët e paraqitjes (v. 8,19), për altarin e artë (v. 19), pajisjet e ndryshme (v. 8,21,22) dhe veshjet për Vendin e Shenjtë dhe Vendin Shumë të Shenjtë (v. 22). Ari përdorej kryesisht për pajisjet brenda tempullit, ndërsa pajisjet prej bronzi përdoreshin kryesisht jashtë tij. Të gjitha orenditë për tempullin u bënë nga Salomoni, përveç arkës së besëlidhjes. Kjo u mor nga tabernakulli. 5:1-10 Tashmë tempulli u përfundua (v. 1; krahasoni 1 i Mbreterve 8). Vargjet 2-10 flasin për mbartjen e pajisjeve nga çadra e mbledhjes për në tempull. Arka u vendos në Vendin Shumë të Shenjtë. Mbase pajisjet e tjera, si altari i temjanit dhe tryeza e bukëve të paraqitjes, këtë herë u vunë në vendin e thesarit, meqë nuk u përdorën për tempullin e Salomonit. Levitët që mbanin arkën ishin priftërinj (v. 4,7). Ata e vunë arkënvendin e vet nën krahët e kerubinëve ruajtës (v. 7,8). Eksodi 25:15 kërkonte që shufrat të qëndronin me arkën (“mbulonin”, v. 9 sipas versionit KJ është e saktë). Sipas 1 i Mbreterve 8:8, skajet e tyre në arkë mund të shiheshin përballë Vendit të Shenjtë. Dy pllakat e ligjit ishin në arkë në këtë kohë. 5:11-14 Vargu 11b, që thotë: “tërë priftërinjtë pa respektuar rendin e klasave“, do të thotë se tërë priftërinjtë e pranishëm atë ditë morën pjesë, jo vetëm klasa që i ishte caktuar detyra. Kur levitët dhe priftërinjtë u mblodhën në lindje të altarit për të lëvduar dhe për të kremtuar Zotin për dashamirësinë dhe mirësinë e Tij, lavdia e Zotit mbushte tempullin dhe priftërinjtë nuk mundën të shërbenin brenda. 6:1-11 Para se t’i drejtohej Zotit në lutjen e tij të përkushtimit, Salomoni i kujtoi popullit se si Zoti, në historinë e mëparshme të Izraelit, nuk kishte zgjedhur një qytet si kryeqytetin fetar apo një njeri si princ (është e vërtetë se Samueli dhe të tjerët ishin udhëheqës, por ata nuk kishin fuqinë e një sovrani). Por erdhi koha kur Perëndia zgjodhi Jerusalemin si qytetin e Tij dhe Davidin si mbret mbi Izraelin. Davidi dëshiroi të ndërtonte një tempull, por qëllimi i tij i mirë duhej të kryhej nga njëri prej bijve të tij. Dhe tani del Salomoni, një dëshmi e besnikërisë së Perëndisë. 6:12,13 Pjesa qendrore e kapitullit 6 është lutja e përkushtimit të Salomonit (v. 12-42). Kjo është lutja më e gjatë në Bibël dhe është e mbushur me lavdërim dhe kërkesa. Duke u ngjitur në një tribunë në oborrin e tempullit, Salomoni zgjati duart dhe u lut. Ai kishte shumë arsye për të qenë mirënjohës. I pajisur me hir, ai kishte shumë arsye për të kërkuar. 6:14-17 Para së gjithash Salomoni u lut për fronin e Izraelit. Perëndia kishte qëndruar besnik ndaj Fjalës së Tij përsa u përket premtimeve të Tij rreth Davidit. Mbreti kërkoi që besnikëria e Tij të vazhdonte. 6:18-21 Këto katër fjali përmbajnë përmbledhjen dhe thelbin e tërë lutjes. Ajo që vjen pas është një shtrirje e mendimit të thjeshtë të shprehur nga foljet dëgjo dhe fal (v. 21). 6:22,23 Më pas Salomoni i kërkon Zotit të dëgjojë dhe gjykojë betimet e bëra përpara altarit të Tij. 6:24,25 Më pas ai kërkon falje për mëkatin i cili mund të shkaktonte që Izraelimundej nga armiqtë e tij. 6:26,27 Ai kërkon shiun pas thatësirës së shkaktuar nga mëkati. 6:28-31 Ai kërkon çlirim nga zia e bukës apo murtaja në mënyrë që populli të mësonte frikën e Zotit. 6:32,33 Ai kërkon që të huajt të mund të shikojnë veprën e Perëndisë kur ata do të thërrasin Emrin e Tij. 6:34,35 Ai kërkon fitore në luftë. 6:36-39 Ai kërkon çlirim nga internimi nëse populli do të pendohej dhe do të rrëfente paudhësinë e tij. 6:40-42 Salomoni e mbyll duke kërkuar këto gjëra. Ai kërkoi që lutja e tij të pranohej. Ai kërkoi hir dhe gëzim për priftërinjtë e tij, për ata që i shërbejnë Perëndisë në tempullin e Tij. Ai u lut për përkrahje për vete, mbështetur në dashurinë e madhe të Perëndisë për atin e tij David. Nëse mendojmë se kjo lutje ka të bëjë vetëm me kërkesa, le t’i kthehemi për ta parë edhe një herë. Këtu flitet shumë për cilësitë e Perëndisë. Salomoni përmendi: veçantinë e Perëndisë (v. 14), dashamirësinë e Perëndisë (v. 14), faktin që është kudo (v. 18), madhështinë (pafundësinë) e Perëndisë (v. 18), gjithëpraninë e Perëndisë (v. 18), drejtësinë e Perëndisë (v. 23), faljen e Perëndisë (v. 25,27 etj.), gjithëditurinë e Perëndisë (v. 30), hirin e Perëndisë (v. 33) dhe mirësinë e Perëndisë (v. 38,39). Përveç këtyre, në tërë lutjen nënkuptohen plotfuqia dhe shenjtëria e Zotit. 7:1-7 Sapo Salomoni mbaroi së luturi, nga qielli ra një zjarr që konsumoi olokaustin e flijimet dhe lavdia e Zotit mbushi tempullin. Njerëzit panë renë e lavdisëzbriste mbi tempullin dhe ranë përmbys mbi dysheme, duke adhuruar dhe lavdëruar Zotin. Salomoni më pas e drejtoi popullin në ofrimin e një mijë lopëve dhe deleve si flijim para Zotit. Priftërinjtë morën pjesën e tyre, levitët u ranë veglave muzikore të Zotit, që mbreti David kishte bërë për të lëvduar Zotin. Përveç levitëve, priftërinjtë u binin borive para tyre, ndërsa tërë izraelitët qëndronin më këmbë. Altari prej bronzi ishte shumë i vogël për numrin e pafundëm të flijimeve. 7:8-10 Festa e përkushtimit zgjati shtatë ditë, duke përfshirë Ditën e Shlyerjes. Kjo pasohej nga Festa e Kasolleve, pas së cilës Salomoni e la të lirë popullin. 7:11-16 Pasi Salomoni e përfundoi tempullin dhe pallatin e tij, Zoti iu shfaq natën me premtime dhe paralajmërime. Nëse Perëndia do t’i dërgonte thatësirën, karkalecat apo murtajën popullit, ai duhej të përulej, lutej, të kërkonte fytyrën e Tij dhe të kthehej prapa nga rrugët e këqija. Atëherë Ai do ta falte mëkatin e tyre dhe do t’i përtërinte. Vargu 14 mund të jetë shumë mirë teksti i artë i tërë librit. Edhe pse në fillim iu drejtua kombit të zgjedhur të Izraelit, me të drejtë ka gjetur vend për ato kombe që kanë një trashëgimi biblike. Kjo është rruga e sigurt e ripërtëritjes dhe rigjallërimit për çdo kohë. Nëse plotësohen kushtet, premtimet janë të sigurta se do të përmbushen. Barton Pejni (J. Barton Payne) komenton: Ky varg i madh, më i njohuri në Librin e Kronikave, shpreh si asnjë varg tjetër në Shkrim kërkesën e Perëndisë për bekimin e kombit, qoftë në vendin e Salomonit, në atë të Esdrës, apo në vendin tonë. Ata që besojnë duhet të braktisin mëkatet e tyre, të kthehen nga jeta që përqendrohet te vetvetja dhe të mbështeten te fjala dhe vullneti i Perëndisë. Atëherë, dhe vetëm atëherë, Zoti do të dërgojë rigjallërimin [7]. 7:17-22 Në qoftë se Salomoni do të jetonte në bindje para Perëndisë, ai do ta bënte të qëndrueshëm fronin e tij dhe do të lejonte pasardhësit e Salomonit të uleshin në të. Nga ana tjetër, në qoftë se Salomoni dhe populli i tij do ta braktisnin Zotin në këmbim të perëndive të tjera, ata do të çoheshin në robëri dhe Perëndia do të refuzonte tempullin, duke e bërë një objekt talljeje dhe dëshmi për kombet se Izraeli kishte braktisur Zotin. Vargu 16 duket sikur nënkupton se tempulli do të ekzistonte përgjithmonë; megjithatë ne e dimë se ai u shkatërrua në vitin 586 para K. Sigurisht, shpjegimi është se premtimi i Perëndisë ishte i kushtëzuar nga besnikëria dhe bindja e Izraelit. Vargjet 19 e 20 paralajmërojnë në mënyrë të veçantë se në qoftë se populli do të bëhej idhujtar, Perëndia do të refuzonte tempullin.

C. Salomoni në tërë shkëlqimin e tij (8:1-9:28)

8:1-6 Këtu lexojmë për arritjet dhe sukseset e Salomonit në fusha të ndryshme. Së pari, ai ndërmori një program të gjerë të zhvillimit qytetesh, duke rindërtuar apo pushtuar qytetet e furnizimit, qytetet e fortifikuara, qytetet e qerreve dhe vendbanimet. 8:7-10 Ai rekrutoi kanaanenjtë për punën e tij të detyrueshme, por izraelitët i përdori si njerëz të luftës, komandantë dhe krerët e udhëheqësve [8]. 8:11 Ai nuk e lejoi gruan e tij, vajzën e faraonit, të jetonte në pallatin mbretëror, duke thënë se ishte i shenjtë, sepse arka e Zotit kishte hyrë atje. Kjo nuk do të thotë se arka ishte marrë brenda pallatit, por se pallati ishte i shenjtë për shkak të afrimit të arkës në tempull. Fatkeqësisht, fakti që Salomoni e detyroi të qëndronte në një banesë të veçantë nuk e pengoi atë që të mos e shtynte në idhujtari (1 i Mbreterve 11:1-8). 8:12-16 Mbreti ishte i kujdesshëm në zbatimin e flijimeve dhe olokausteve sipas kalendarit fetar. Ai gjithashtu i vendosi priftërinjtë dhe levitët të shërbeninsipas rendit të përgatitur nga Davidi, ati i tij. Kështu, tërë puna e Salomonit ishte e menduar mirë nga fillimi deri në fund. 8:17,18 Së fundi, ne lexojmë aventurat detare të Salomonit së bashku me Hiramin. Anijet lundronin midis Etsion-Geberit dhe Elathit – që të dy në majën veriore të krahut lindor të Detit të Kuq (gjirit të Akabës) – dhe Ofirit [9]. Është hedhur shumë herë mendimi se Ofiri ndodhej në Arabinë Jugore, Afrikën Lindore apo Indi. 9:1-9 Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për famën e Salomonit, ajo udhëtoi me një karvan shumë të madh të ngarkuar me dhurata për ta parë vetë. Pasi pa shkëlqimin e mbretërisë së tij dhe pasi provoi diturinë e tij me pyetje të vështira, ajo ngeli me gojë hapur. Ajo rrëfeu se gjysma nuk i ishte thënë. Ajo kuptoi se begatia e Salomonit vinte nga përkrahja e Perëndisë. 9:10-12 Vargjet 10 e 11 e ndërpresin rrëfimin për të shpjeguar burimin e një pjese të pasurive të Salomonit dhe përdorimin prej tij të bukurive të rralla. Kur mbretëresha e Shebës u largua, Salomoni i dha asaj dhurata shumë më tepër në numër e vlerë nga ato që ajo i kishte sjellë atij. 9:13-28 Salomoni merrte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari çdo vit dhe e përdori një pjesë të tij për të bërë mburoja, për të veshur fronin e madh prej fildishi dhe për të bërë gota dhe takëme. Madhështia e tij i solli atij nder dhe pasuri nga tërë mbretërit e dheut. Tregtia e tij kalonte nga Tarshishi, që mund të ketë qenë Spanja e sotme [10]. Ai ishte tejet i pasur me kuaj [11], toka, argjend dhe kedra. Edhe pse mbretëroi në territorin nga lumi Eufrat drejt perëndimit, kjo pjesë nuk u përfshi si pjesë e Izraelit, por përbëhej nga shtete të mëdha që paguan haraçe për të.

D. Vdekja e Salomonit (9:29-31)

Salomoni vdiq pasi kishte mbretëruar për dyzet vjet dhe u pasua nga biri i tij Roboami. Librat e përmendur në vargun 29 (nuk ishin pjesë e Biblës) mbase janë përdorur si materiale nga shkrimtari i Kronikave, por ato kanë humbur.
[previous][next]