3:1 Nga tema e mësuesve të rremë në kapitullin 2, Pjetri kthehet te dalja e sigurt e përqeshësve në ditët e fundit. Në këtë Letër ashtu si në atë të mëparshmen, ai së pari nxit lexuesit e tij të kapen pas Biblës.
3:2 Ata duhet të kujtonin parathëniet e profetëve të shenjtë – që gjenden në DhV; dhe duhet të kujtojnë mësimin e Zotit dhënë nëpërmjet apostujve – kjo ruhet në DhR. Bibla është siguria e vërtetë në ditët e fundit.
3:3 Dëshmia e marrë së bashku e profetëve dhe apostujve ishte që në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta. Të krishterët duhet të kujtojnë këtë. Ata nuk duhet të rrëshkasin nga mohimet arrogante dhe blasfemuese të këtyre njerëzve. Për më tepër ata duhet të shohin në ta një tregues të qartë se fundi i botës është afër.
Këta tallës ndjekin pasionet e veta. Pasi kanë hedhur poshtë njohjen e Perëndia së, ata pa ndrojtje nxisin orekset e tyre. Ata përkrahin shfrenimin me një mosmirënjohje të plotë ndaj çdo gjykimi pengues.
3:4 Tallja e tyre e parë ka të bëjë me ardhjen e Krishtit. Qëndrimi i tyre është: “Ku është premtimi i ardhjes së tij?”, që do të thotë: “Ku është përmbushja e premtimit?” Por çfarë nënkuptonin ata me ardhjen e Tij?
A nënkuptonin ardhjen e Krishtit për shenjtorët e Tij (1 Thes. 4:13-18)? Ka dyshim që këta përqeshës dinë gjithçka për fazën e parë të kthimit të Zotit [rrëmbimin].
A nënkuptonin ardhjen e Krishtit me shenjtorët e Tij për të vendosur mbretërinë e Tij universale (1 Thes. 3:13)? Është e mundur që kjo mund të përfshihej në mendimet e tyre.
Por duket qartë nga pjesa tjetër se po mendojnë për gjykimin përfundimtar të Perëndisë në tokë, apo ajo që zakonisht quhet fundi i botës. Ata po mendojnë për shkatërrimin e egër të qiejve dhe tokës në fund të Mijëvjeçarit.
Ajo që me të vërtetë thonë është kjo: “Ju të krishterët na keni kërcënuar me paralajmërime për gjykimin e tmerrshëm të botës. Ju na thoni se Perëndia do të ndërhyjë në histori, do të ndëshkojë të ligjtë dhe do të shkatërrojë tokën. Kjo nuk ka kuptim fare. Ne nuk kemi frikë fare. Ne mund të jetojmë si na pëlqen. Nuk duket se Perëndia ka ndërhyrë në histori; pse duhet të besojmë se do të bëjë një gjë të tillë?”.
Përfundimi i tyre mbështetej në hipotezën e shkujdesur, “sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.” Ata thonë se natyra në mënyrë të pandryshueshme ndjek ligje uniforme, se nuk ka ndërhyrje të mbinatyrshme, se ka një shpjegim natyral të çdo gjëje.
Ata besojnë në ligjet e uniformitarizmit. Këto ligje pohojnë se procesi ekzistues në natyrë ka vepruar gjithnjë në të njëjtën mënyrë dhe në thelb me të njëjtën shpeshtësi si në të tashmen, dhe se këto procese janë të nevojshme për t’u llogaritur për të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur.
Ka një lidhje jetësore midis ligjit të uniformitarizmit dhe teorive të zakonshme të evolucionit. Teoria e zhvillimit rritës i organizmave të gjalla nga llojet preekzistuese varen në hamendësimin se kushtet kanë qenë shumë uniforme. Nëse kjo tokë është shkatërruar nga kataklizmat dhe katastrofat, atëherë preken disa nga hamendësitë e evolucionit të Darvinit.
3:5 Përqeshësit injorojnë hapur një fakt – përmbytjen. Perëndia ndërhyri një herë në punët e njerëzve, dhe qëllimi veçantë për ndërhyrjen e Tij ishte të dënonte ligësinë. Nëse ka ndodhur një herë, mund të ndodhë përsëri.
Është një padi e rëndë e këtyre njerëzve se janë me dashje të paditur. Ata mburrin veten se janë të ditur. Ata rrëfejnë se janë objektivë në arsyetimin e tyre. Ata mburren se pranojnë parimet e shqyrtimit shkencor. Por fakti është se ata hapur injorojnë një fakt të mirënjohur të historisë – përmbytjen. Ata duhet të bëjnë një kurs gjeologjie!
Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në ekzistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit,… humbi. Qiejt dhe toka u krijuan nëpërmjet fjalës së Perëndisë; Ai foli dhe ato u krijuan (Heb. 11:3). Toka u krijua, thotë Pjetri, nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit. Ne rrëfejmë se ka gjëra të thella në këtë fjali që ne nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. Ne dimë nga Zanafilla 1:2 se faqja e tokës ishte e mbuluar me ujë. Pastaj në vargun 6 lexojmë se Perëndia bëri një kupë qiellore për të ndarë ujin në tokë nga mjegulla apo retë mbi tokë. Ne nxjerrim nga kjo se toka ishte mbuluar nga një mjegull [avull] e trashë uji në të cilën jeta nuk mund të ekzistonte. Kupa qiellore siguronte një atmosferë të pastër në të cilën mund të marrim frymë. Te Zanafilla 1:9, kontinentet u ndanë nga oqeanet; kjo mund të jetë ajo që i referohet shprehja “toka doli nga uji” (shikoni gjithashtu Ps. 24:2).
Cilido qoftë nënkuptimi shkencor i shprehjes së Pjetrit, ne e dimë se toka është një botë ujore, e mbuluar me re; tre të katërtat e sipërfaqes e zënë oqeanet dhe një pjesë e mirë e mbuluar nga mjegullat. Me aq sa dimë, toka është planeti i vetëm ujor dhe për këtë në të vetmin që mund të mbajë jetë njerëzore.
3:6 Nga fillimi i saj, toka është rezervuar për shkatërrimit e saj. Kishte unë në thellësitë e saj nëntokësore, ujë në dete dhe ujë në retë sipër. Së fundi Perëndia hapi portat e ujërave poshtë dhe sipër (Zanafilla 7:11), toka u mbyt dhe e tërë jeta jashtë arkës u shkatërrua.
Kritikët me dashje e shohin me përbuzje këtë fakt të historisë. Është interesante se përmbytja është bërë kohët e fundit objekti i sulmeve të hidhura. Por të dhënat e saj janë shkruar në gur, në traditën e njerëzve të lashtë dhe modernë dhe, më e mira, në fjalën e Shenjtë te Perëndisë.
3:7 Kur Perëndia krijoi tokën, Ai e mbushi me ujin e mjaftueshëm për ta shkatërruar atë. Në të njëjtën mënyrë, Ai mbushi qiejt dhe dheun me zjarrin e mjaftueshëm për t’i shkatërruar.
Në këtë epokë bërthamore, ne kuptojmë se materja ka rezervuar energji. Ndarja e një bërthame atomike sjell lëshim të menjëhershëm sasie të madhe energjie. Kështu e tërë materja në botë përfaqëson një eksploziv mjaft të fuqishëm. Tani kjo mbahet nga Zoti (Kol. 1:17, “të gjitha gjërat qëndrojnë në të”). Nëse dora e Tij që mban gjërat do të lëvizte, elementët do të përzihen. Ndërkohë qiejt dhe dheu i sotshëm ruhen nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.
3:8 Atëherë pse vonon gjykimi i Perëndisë? Së pari duhet të kujtojmë se Perëndia nuk njeh kohë. Ai nuk jeton në sferën e kohës ashtu si ne. Mbi të gjitha, koha përcaktohet nga marrëdhënia e diellit me tokën dhe Perëndia nuk kufizohet nga kjo marrëdhënie.
Për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë. Ai mund ta zgjasë një ditë në një mijëvjeçar, apo ta zvogëlojë një mijëvjeçar në një ditë. Ai mund të përhapë apo ngushtojë veprimtaritë e Tij.
3:9 Perëndia ka premtuar të mbyllë historinë e njerëzve të paperëndishëm me gjykim. Nëse ky duket se vonon, nuk është se Perëndia është i pabesë ndaj premtimeve të Tij. Por ngaqë është i durueshëm. Ai nuk do që ndokush të humbasë. Dëshira e Tij është që të gjithë të vijnë në pendim. Ai me qëllim zgjat kohën e hirit në mënyrë që njerëzit të mund të kenë një mundësi për t’u shpëtuar.
Te Isaia 61:2 lexojmë për vitin e hirit të Zotit dhe për ditën e zemërimit të Tij. Kjo na sugjeron se Ai gëzohet të tregojë mëshirë dhe se gjykimi është vepra e Tij e pazakontë (Is. 28:21). Mund të tregojë gjithashtu se Ai mund të zgjasë durimin e Tij 1000 vjet dhe të shkurtojë gjykimin e tij në një ditë.
Ai priti 120 vjet para se të vinte përmbytja. Tani ka pritur disa qindra vjet para se të shkatërrojë botën nga zjarri.
3:10Dhe dita e Zotit do të vijë. Dita e Zotit i referohet çdo periudhe kohe kur Perëndia do të kryejë gjykimin e Tij. Kjo përdorej në DhV për të përshkruar çdo kohë kur Perëndia ndëshkonte keqbërësit dhe dilte fitimtar mbi armiqtë e Tij (Is. 2:12; 13:6,9; Ez. 13:5; 30:3; Joel 1:15; 2:1,11,31; 3:14; Amos 5:18,20; Abdia 15; Sof. 1:7,14; Zakaria 14:1; Mal. 4:5). Në DhR është një periudhë kohe me faza të ndryshme:
1. I referohet Mundimit të madh, periudhës shtatëvjeçare kur Perëndia do të gjykojë Izraelin që nuk beson (1 Thes. 5:2; 2 Thes. 2:2, Teksti NU).
2. Përfshin kthimin e Tij në tokë kur Ai do të derdhë zemërimin mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden ungjillit të Zotit Jezus (2 Thes. 1:7-10).
3. Përdoret për Mijëvjeçarin kur Krishti do të sundojë në tokë me një shufër hekuri (Veprat. 2:20).
4. I referohet shkatërrimin përfundimtar të qiejve dhe tokës me zjarr. Kjo është domethënia këtu e kapitullit 3.
Ajo do të vijë si një vjedhës – që do të thotë, papritur dhe shkatërrimtare. Qiejt do të shkojnë me krismë. Kjo nënkupton me siguri qiejt atmosferikë, por nuk nënkupton qiellin e tretë – vendbanimin e Perëndisë. Ndërsa ata do të shkojnë me krismë shurthuese, elementët do të shkrihen nga të nxehtit. Elementët këtu i referohen pjesëve përbërëse të materies. E tërë material do të shkatërrohet si një olokaust bërthamor universal.
Veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt [22]. Jo vetëm veprat e krijimi natyral, por i tërë civilizimi do të konsumohet. Kryeqytetet e mëdha të botës, ndërtesat madhështore, prodhimet fenomenale shkencore janë të gjithë të ruajtura për t’u shkatërruar përfundimisht.
3:11 Tani Pjetri kthehet nga përqeshësit te shenjtorët dhe mëshon mbi detyrimet që kanë ata. Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme. Çdo gjë materiale ka vulën e harresës mbi vete. Gjërat me të cilat mburren njerëzit, gjërat për të cilat jetojnë po kalojnë me të shpejtë. Të jetosh për gjërat materiale do të thotë të jetosh për gjërat e përkohshme. Gjërat e përgjithshme na thonë të kthehemi nga lodrat e kësaj bote dhe të jetojmë në shenjëri dhe perëndishmëri. Është thjesht çështja që të jetojmë për përjetësinë se sa për kohën e shkurtër, të priremi ndaj gjërave frymërore më tepër se sa ndaj gjërave materiale, të zgjedhim gjërat e përhershme se sa ato që kalojnë.
3:12 Besimtarët duhet gjithashtu të presin. Ata duhet të presin të dëshirojnë me zjarr ardhjen e ditës së Perëndisë. Disa përdorim fjalët “duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë” për të mësuar se ne mund të përshpejtojmë ardhjen e Zotit duke jetuar në shërbim të përkushtuar dhe të pashtershëm. Por ka dy vështirësi në këtë mësim. Së pari, Dita e Perëndisë nuk është ardhja e Zotit. Së dyti, edhe sikur të ishte, ka arsye të vërtetë të pyesim nëse koha e ardhjes së Krishtit mund të ndryshohet nga zelli i njerëzve të Tij.
Dita e Perëndisë i referohet gjendjes së përjetshme. Vijon fazën përfundimtare të Ditës së Zotit kur qiejt dhe toka do të shkatërrohen. Dita e Perëndisë është Dita e triumfit të Tij të plotë dhe përfundimtar. Për këtë arsye është një ditë që duhet ta presim dhe ta dëshirojmë me zjarr.
Duke folur për Ditën e Perëndisë, Pjetri nuk thotë “në të cilën,” por për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen. Dita e Perëndisë nuk është koha në të cilën do të ndodhë shkatërrimi përfundimtar. Por, gjykimi përfundimtar duhet të ndodhë para se të shpallet Dita e Perëndisë.
3:13 Në vargun 12, besimtarët u nxitn të presnin Ditën e Perëndisë. Këtu ata përshkruhen të presin qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia. Kjo mbështet paraqitjen se Dita e Perëndisë i referohet gjendjes së përjetshme kur do të ketë qiej të rinj dhe tokë të re.
Te Isaia 65:17; 66:22, qiejt e rinj dhe toka e re përdoren për të përshkruar Mijëvjeçarin po ashtu edhe gjendjen e përjetshme. Ne e dimë se këto pjesë përfshijnë Mijëvjeçarin ngaqë mëkati do të jetë i pranishëm (65:20) dhe do të lindin fëmijë (65:23). Pjetri përdor fjalët në mënyrë të veçantë për gjendjen e përjetshme; qiejt dhe toka ekzistues do të kenë kaluar me kohë.
Pjetri flet për drejtësinëqë banon në qiej të rinj dhe tokë të re. Tani hiri mbretëron me anë të drejtësisë (Rom. 5:21). Në Mijëvjeçar do të mbretërojë drejtësia (Is. 32:1); në përjetësi do të banojë drejtësia. Në mbretërinë tokësore, Krishti do të sundojë me një shkop hekuri dhe drejtësia do të vendoset nga Ai. Në këtë kuptim drejtësia do të mbretërojë. Por në përjetësi, nuk ka nevojë për një shkop hekuri. Drejtësia do të jetë si në shtëpinë e saj. Asnjë mëkat nuk do të futet për të prishur paqen apo bukurinë e skenës.
3:14 E vërteta që ka të bëjë me qiejt e rinj dhe tokën e re duhet të shtojë dëshirën tonë për të bërë një jetë të shenjtë “si Zoti.” Nuk është vetëm një e vërtetë që duhet ta mbajmë, por që edhe të na mbajë. Duke ditur se së shpejti do të qëndrojmë para Perëndisë duhet të krijojë në ne një dëshirë për të qenë të papërlyer dhe të paqortueshëm, që do të thotë, të jemi të pastër moralisht. Kjo duhet të na bëjë të zellshëm për të qenë në paqe, dhe jo në mosmarrëveshje.
3:15Dhe kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit. Vonesa e gjykimit të Tij ndodh për t’u dhënë njerëzve një mundësi të plotë për t’u shpëtuar. Ndërsa panë paudhësinë e madhe të njerëzve, ne habitemi se si mund të durojë Zoti kaq gjatë. Durimi i Tij është i mahnitshëm. Por ka një arsye për këtë. Ai nuk e dëshiron vdekjen e të ligut. Ai dëshiron me zjarr që të shohë njerëz që kthehen nga rrugët e tyre të liga dhe shpëtohen.
Sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha. Dalin disa pika interesante në këtë aluzion të Palit:
1. Së pari, Pjetri flet për Palin si vëllai ynë i dashur, dhe kjo pavarësisht se Pali e kishte qortuar hapur Pjetrin ngaqë kishte vepruar pa sinqeritet (Gal. 2:11-21). Me sa duket Pjetri e ka pranuar me përulje qortimin. Ne të gjithë duhet të pranojmë ndreqjen pa ushqyer armiqësi.
2. Pjetri pranon se Palit i ishte dhënë dituri hyjnore në shkrimin e Letrave të Tij. Kjo është me siguri një thënie e tërthortë se Pjetri i konsideronte shkrimet e Palit hyjnisht të frymëzuar.
3. Lexuesit e Pjetrit duket se kishin lexuar një apo më tepër nga Letrat e Palit. Kjo mund të nënkuptojë se Letrat u ishin drejtuar drejtpërdrejt atyre apo se qarkullonin në atë zonë.
Cila nga Letrat e Palit thotë se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit? Te Romakëve 2:4 lexojmë: “Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?”
3:16Në të gjitha letrat e tij Pali ka folur për të vërtetat e mëdha me të cilat është marrë Pjetri në këto dy Letra; të vërtetat si lindja e re, hyjnia e Krishtit, jeta e Tij e vuajtjeve pa mëkatuar, vdekja e Tij zëvendësuese, ringjallja e Tij, ngjitja e Tij në qiell, ardhja e Tij përsëri, Dita e Zotit dhe gjendja e përjetshme.
Ka disa të vërteta biblike të vështira për t’u kuptuar, si për shembull Trinia, zgjedhja e Perëndisë dhe vullneti i lirë i njeriut, misteri i vuajtjeve, etj. Nuk duhet të shqetësohemi nëse gjejmë në Bibël çështje që nuk arrijmë t’i kujtojmë. Fjala e Perëndisë është e pafund dhe e pashtershme. Duke e studiuar atë ne duhet t’i japim Perëndisë lavdi që i njeh gjërat, të cilat ne nuk t’i kapim kurrë plotësisht.
Pjetri nuk po kritikon shkrimet e Palit kur flet për gjëra të vështira për t’u kuptuar. Nuk është në stilin e shkrimeve të Palit që gjërat janë të vështira për t’i kutpuar, por temat që trajton. Barnes shkruan: “Pjetri nuk i referohet vështirësisë për të kuptuar atë që nënkuptonte Pali, por vështirësisë për të kuptuar të vërtetat e mëdha që ai mëson” [23].
Në vend që t’i pranojnë ato thjeshtë prej besimit, të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë disa nga të vërtetat e vështira për humbjen e tyre. Disa kulte të rreme, për shembull, shtrembërojnë ligjin duke thënë se është rruga e shpëtimit dhe jo të thonë se është zbulues i mëkatit. Të tjerë e bëjnë pagëzimin derën e qiellit. Ata bëjnë një gjë të tillë jo vetëm me shkrimet e Palit, por edhe me Shkrimet e tjera gjithashtu.
Vini re se Pjetri këtu i vë shkrimet e Palit në të njëjtin nivel me Shkrimet e tjera, që do të thotë, DhV dhe cilado pjesë e DhR të shkruar në atë kohë. Ai pranon se Letrat e Palit ishin pjesë e Shkrimeve hyjnisht të frymëzuara.
3:17 Besimtarët duhet të rrinë gjithmonë zgjuar kundër rrezikut të gabimit. Njohja se do të ketë gjithmonë mësues të rremë që prishin dhe imitojnë të vërtetën duhet të na mbajnë zgjuar. Është e lehtë që ata që nuk rrinë zgjuar të tërheqin nga gabimi i të pabesëve dhe të humbin baraspeshimin e tyre frymëror.
3:18 Përsëri Pjetri mëson se rritja e vazhdueshme në gjërat hyjnore është një mbrojtje e madhe kundër rrezikut të mësuesve të rremë. Duhet të ketë një rritje të dyfishtë – në hir dhe në njohje. Hiri është një shfaqje praktike e frytit të Frymës. Rritja në hir nuk është rritje në njohuri apo në punë të palodhshme; por është rritje në ngjashmërinë me Zotin Jezus. Njohje do të thotë njohuri për Zotin me anë të fjalës. Rritja në njohje do të thotë rritje në studim dhe nënshtrim ndaj fjalëve, veprave dhe mënyrave të Tij.
Por Pjetri nuk mund të mbyllë këtë Letër pa një nxitje për shenjtorët e tij. Pika më e lartë duhet të jetë lavdia e Shpëtimtarit. Dhe kështu gjejmë fjalët lavdëruese: Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë. Amen. Kjo, mbi të gjitha, është arsyeja përfundimtare e ekzistencës sonë – të përlëvdojmë Atë – dhe për këtë arsye çdo shënim i fundit i kësaj Letre do të ishte i tepërt.
SHËNIME
[1] (Hyrja) E. G. Homrighausen, “The Second Epistle of Peter,” Exposition, IB, XII, 1957, f. 166. [2] (1:5) Nga shërbesa e fjalës e Tom Olson, një mik i veçantë i autorit. [3] (1:5) R. C. H. Lenksi, The Interpretation of the Epistles of St. Peter, St. John and St. Jude, f. 266. [4] (1:5) Kjo histori e famshme tregohet gjërësisht. Shikoni, për shembull, S. M. Houghton, Sketches from Church History, f. 114-116. [5] (1:6) Robert G. Lee, Seven Swords and Other Messages, f. 46. [6] (1:16) Kur përdorim dy fjalë për të dhënë të njëjtin kuptim, si për shembull “mirë i zemëruar” që nënkupton shumë i zemëruar, quhen hendiadis (nga greqishtja “një përmes dy”). Bibla e përdor këtë figurë të foluri vazhdimisht, si këtu, pra, është mirë që të jemi të zotë ta njohim atë. [7] (1:16) John A. T. Robinson, Honest to God,f. 32,33. [8] (1:18) Tradita katolike romake e bën malin Tabor vendin e Shpërfytyrimit dhe në të vërtetë ka altare në të. Historikisht kjo traditë është e pamundur, sepse Tabor nuk është një mal i lartë dhe Ungjijtë thonë se ishte “tejet i lartë.” Gjithashtu, mund të ketë qenë mbase garnizoni romak në Tabor në kohën e Zotit Jezus, një sfond i mjerë për një zbulim privat! Mali Hermon, një masë e lartë mbuluar me borë në veri të Galilesë ka shumë ngjasa të ketë qenë vendi. [9] (1:20) Fjala greke epilusis mund të përkthehet “origjinë” (shënimi në cep të fletës të versionit NKJV) po ashtu edhe “interpretim”. [10] (1:20) Dinsdale T. Young, The Unveiled Evangel, f. 13,14. [11] (1:21) Në tekstin kritik (NU) lexojmë “por njerëzit folën nga Perëndia”. [12] (2:1) Wallie Amos Criswell, The Evangel, Largo, FL, Nëntor 1949, f. 1. [13] (2:1) Nels Ferré, The Sun and the Umbrella, f. 35, 112. [14] (2:1) Gerlad Kennedy, God’s Good News, f. 125. [15] (2:2) Robinson, Honest, f. 118. [16] (2:2) NCC, Called to Responsible Freedon, f. 11. [17] (2:6) A. J. Pollock, Why I Believe the Bible is the Word of God, f. 23. [18] (2:10) Pageant Magazine, Tetor, 1965. [19] (2:16) Lenski, Interpretation, f. 326, 327. [20] (2:17) Fjala “përgjithmonë” mungohet në NU këtu, por jo në një parallel të ngushtë me Judën 13. [21] (2:18) Në tekstin NU lexojmë “mezi po shpëtojnë”. [22] (3:10) Në vend “do të digjen” (katakaēsetai) në tekstin NU lexojmë “gjenden” (heurethēsetai), që mbase do të thotë “nxjerrë në shesh”. [23] (3:16) Albert Barnes, Notes on the New Testament, X: 268.BIBLIOGRAFI
Shikoni Bibliografinë në fund të 1 së Pjetrit.