1:3 Kjo pjesë përmban një interes të madh për çdo të krishterë, sepse na flet se si mund të ruhemi nga rënia në këtë jetë dhe se si mund të jemi të sigurt për hyrjen triumfuese në atë që vjen.
Së pari, jemi të sigurt se Perëndia ka siguruar që ne të kemi një jetë në shenjtëri. Kjo siguri është një provë e fuqisë së Tij: fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë. Ashtu siç na shpëton fuqia e tij në radhë të parë, po kështu kjo fuqi na jep forcë për të jetuar jetë të shenjta që tani e tutje. Radha është kjo – së pari jeta, pastaj perëndishmëria. Ungjilli është fuqia e Perëndisë për të na shpëtuar nga dënimi i mëkatit dhe fuqia e tij, nga ndëshkimi dhe dështimi.
Të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë përfshijnë veprën e lartë priftërore të Krishtit, shërbesën e Frymës së Shenjtë, veprimtarinë e engjëjve për të mirën tonë, jetën e re që marrim kur kthehemi dhe mësimin e fjalës së Perëndisë.
Fuqia për të jetuar një jetë të re vjen me anë të njohjes së atij që na thirri. Ashtu si fuqia e tij hyjnore është burimi i shenjtërisë, kështu njohja e Tij është kanali. Të njohësh Atë do të thotë jetë e përjetshme (Gjoni 17:3) dhe rritje në njohjen ndaj Tij do të thotë rritje në shenjtëri. Sa më tepër njohim Atë, aq më tepër bëhemi si Ai.
Thirrja jonë është një nga temat më të pëlqyera të Pjetrit. Ai na kujton se:
1. Ne jemi thirrur nga errësira në dritën e Tij të mrekullueshme (1 Pjetrit 2:9).
2. Ne jemi thirrur të ndjekim Krishtin në shtegun e vuajtjes (1 Pjetrit 2:21).
3. Ne jemi thirrur që të kthejmë të keqen me bekim (1 Pjetrit 3:9).
4. Ne jemi thirrur për lavdinë e Tij të përjetshme (1 Pjetrit 5:10).
5. Ne jemi thirrur me lavdinë dhe virtytin e vet (2 Pje. 1:3).
Kjo referencë e fundit do të thotë se Ai na ka thirrur duke na zbuluar mrekullitë e Personit të Tij. Sauli nga Tarsi u thirr në rrugën për në Damask kur pa lavdinë e Perëndisë. Një dishepull tjetër më vonë dëshmoi: “Pashë fytyrën e tij dhe ishte plotësisht e Tij.” Ai u thirr për lavdinë dhe shkëlqimin e Tij.
1:4 Të përfshira midis “të gjitha gjërave” që fuqia e Perëndisë ka dhënë për të nxitur një jetë në shenjtëri janë premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha në fjalën e Tij. Është vlerësuar se janë 30,000 premtime në Bibël. John Bunyan ka thënë dikur: “Shtegu i jetës është aq i thepisur me premtimet e Perëndisë saqë është e pamundur të ndërmarrësh një hap pa shkelur në secilën prej tyre”.
Premtimet e Perëndisë janë ndër shtatë gjërat e fundit të çmueshme të përmendura nga Pjetri në këtë Letër.
1. Besimi ynë është më i çuar se ari (1 Pjetrit 1:7).
2. Gjaku i Krishtit është i çmuar (1 Pjetrit 1:19).
3. Krishti, Guri i Gjallë, është i çuar në sytë e Perëndisë (1 Pjetrit 2:4).
4. Ai është i çmuar edhe si Guri i qoshes (1 Pjetrit 2:6).
5. Për të gjithë ata që besojnë, Ai është i çmuar (1 Pjetrit 2:7).
6. Guri i çmuar i paprishshëm i frymës së qetë dhe të butë është shumë i çmuar në sytë e Perëndisë (1 Pjetrit 3:4).
7. Dhe së fundi, premtimet e Perëndisë janë të çmuara (2 Pje. 1:4).
Mendoni për disa nga premtimet që lidhen me jetën në shenjtëri.
1. Liri nga pushteti i mëkatet (Rom. 6:14).
2. Hir që është i mjaftueshëm (2 Kor. 12:9).
3. Fuqi për t’iu bindur urdhrave të Tij (Filip. 4:13).
4. Fitore mbi djallin (Jak. 4:7).
5. Largim nga tundimi (1 e Korintasve 10:13).
6. Falje kur rrëfejmë mëkatet (1 Gjonit 1:9) – dhe harresë e plotë e mëkateve (Jer. 31:34).
7. Përgjigjje kur kërkojmë (Ps. 50:15).
Sa e mrekullueshme është kur Pjetri thotë se premtimet e Perëndisë janë të çmueshme dhe shumë të mëdha! Këto premtime e pajisin besimtarin për t’u larguar nga prishja që është në botë për shkak të lakmisë. Perëndia ka premtuar gjithçka që kemi nevojë për t’i bërë ballë tundimit. Kur të vijnë epshet tona të apasionuara, ne mund të shpallim premtimet. Ato na bëjnë të aftë të largohemi nga prishja e botës – mëkatin seksual, dehjen, pisllëkun, mjerimin, tradhëtinë dhe luftimet.
Ana positive është se me anë të të njëjtave premtime ne bëheni pjestarë të natyrës hyjnore. Kjo ndodh së pari kur kthehemi. Pastaj ndërsa jetojmë në gëzimin praktik të asaj që Perëndia ka premtuar, bëhemi gjithnjë e më tepër sipas ngjashmërisë së Tij. Për shembull, Ai ka premtuar se sa më tepër mendojmë për Të, aq më tepër do të bëhemi si Ai (2 Kor. 3:18). Ne bëjmë këtë premtim një realitet duke lexuar fjalën, duke studiuar Krishtit ndërsa zbulohet në të dhe duke ndjekur Atë. Ndërsa bëjmë një gjë të tillë, Fryma e Shenjtë na ndryshon sipas ngjashmërisë së Tij nga një lavdi në një tjetër.
1:5 Vargjet 3 dhe 4 tregojnë se Perëndia na ka dhënë gjithçka që është e nevojshme për jetën hyjnore. Për shkak të kësaj, duhet të jemi të kujdesshëm për të patur një jetë të tillë. Perëndia nuk na bën të shenjtë pa dashur ne apo pa angazhimin tonë. Duhet të lindë dëshira, vendosshmëria dhe disiplina nga ana jonë.
Në zhvillimin e karakterit të krishterë Pjetri shton besimin. Mbi të gjitha, ai po u shkruan të krishterëve – atyre që tashmë kanë ushtruar besimin shpëtues në Zotin Jezus. Kështu që ai nuk po u thotë atyre të marrin besimin; ai hamendëson se ata tashmë e kanë marrë atë.
Ajo që është e domosdoshme është që ai besim të plotësohet nga shtatë elementë të shenjtërisë, jo shtimi i këtyre njëri pas tjetrit, por duke shfaqur çdo hir në çdo kohë.
Babai i Tom Olson zakonisht i lexonte këtë pjesë djemve të tij:
I shtoni besimit tuaj virtytin apo guximin e Davidit; dhe guximit të Davidit njohurinë e Salomonit; dhe njohurisë së Salomonit durimin e Jobit; dhe durimit të Jobit perëndishmërinë e Danielit; dhe perëndishmërisë së Danielit dashaurisë vëllazërore të Jonathanit; dhe dashurisë vëllazërore të Jonathanit dashurinë e Gjonit [2].
Lenski sugjeron:
Lista e shtatë fjalëve është rregulluar duke iu referuar pseudo-profetëve (2:1) dhe mënyrës me anë të së cilës ata jetonin sipas besimit të tyre pretendues. Për lëvdim ata kërkonin mosmirënjohje; për njohurinë, verbërim; për vetëkontrollin, lejueshmërin e shfrenuar; për këmbënguljen në mirësi, këmbëngulje në të ligë; për perëndishmërinë, në paperëndishmëri; për miqësinë vëllazërore, mospëlqimin e bijve të Perëndisë; për dashurinë e vërtetë, mungesën e saj të tmerrshme [3].
Karakteristika e parë është virtyti. Kjo mund të nënkuptojë mëshirë, mirësi për jetën, apo shkëlqim moral, edhe pse duket se mbulohet më vonë nga fjala “perëndishmëri.” Mund të jetë gjithashtu se virtyt këtu nënkupton guximin frymëror në një botë armiqësore, forcën për të mbrojtur atë që është e drejtë.
Ne mendojmë për guximin e dëshmorëve. Kryepeshkopi Cranmer u urdhërua të firmoste dorëheqjen ose të digjej në turrën e druve. Në fillim ai refuzoi, por më pas nën shtypje të forta, dora e tij e djathtë firmose dorëheqjen. Më vonë ai kuptoi gabimin e tij dhe lajmëroi ekzekutuesit e tij të ndiznin zjarrin. Me kërkesën e tij, duart e tij qenë të bashkuara. Pastaj mbajti dorën e tij të djathtë në zjarr dhe tha: “Kjo është dora që e shkroi dhe për këtë arsye ajo do të vuajë e para ndëshkimin. Kjo dorë ka fyer! Lë të humbasë kjo dorë e djathtë e pavlerë!” [4].
Guximi duhet të plotësohet me njohurinë, sidomos me njohurinë e të vërtetës frymërore. Kjo thekson rëndësinë e studimit të fjalës së Perëndisë dhe bindjen nga parimeve të saj të shenjta.
Të mësuarit e mëtejshëm mbi Jezusin në Fjalën e Tij,
Do të ruajë përbashkësinë me Zotin tim.
Dëgjimi i zërit të Tij në çdo rresht,
Do të bëjë timen çdo thënie të Tij besnike.
– Eliza E. Hewitt
Me anë të një njohurie të jashtme të Biblës ne do të zhvillojnë atë që Erdman e quan “aftësitë praktike në hollësitë e Krishterimit”.
1:6 Perëndia e thërret çdo të krishterë në një jetë disipline. Dikush e ka përcaktuar si fuqinë kontrolluese të vullnetit nën veprimin e Frymës së Perëndisë. Duhet të ketë disiplinë në lutje, disiplinë në studimin e Biblës, disiplinë në përdorimin e kohës, disiplinë në frenimin e orekseve trupore, disiplinë në jetesën flijuese.
Pali përjetoi një vetëkontroll të tillë. “Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën; madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar” (1 e Korintasve 9:26,27).
Audubon, natyralisti i madh, ishte gati të vuante shumë për të mësuar më tepër për botën e zogjve. Për këtë Robert G. Lee i thotë:
Ai nuk i quajti për gjë rehatitë e tij fizike në krahasim me suksesin në punën e tij. Ai do të qëndronte krruspur i palëvizur për orë të tëra në errësirë dhe mjegull, duke u ndjerë i vetëshpërblyer, nëse, pas pritjes me javë të tëra ai siguronte një fakt më tepër për sa i përket një zogu të vetëm. Atij i duhej të qëndronte gati deri në grykë në ujë të ndenjur, pa marrë frymë, ndërsa gjarpërinj helmues notonin para fytyrës së tij, dhe aligatorë të mëdhenj kalonin dhe kalonin përsëri shikimin e tij të heshtur.
“Nuk ishte gjë e këndshme” – thoshte ai, ndërsa fytyra e tij skuqej nga entuziazmi – “por çfarë nxora nga kjo? Kam një fotografi të zogut.” Ai e bëri këtë për fotografinë e zogut [5].
Për shkak të shembullit të të tjerëve, nevoja urgjente e një bote që po humbet, rreziku vetjak i prishjes së dëshmisë sonë, duhet të disiplinojmë veten tonë në mënyrë që Krishti të marrë më të mirën nga jeta jonë.
Vetëkontrollit duhet t’i shtohet qëndresa, që është, qëndrueshmëria e durueshme ndaj përndjekjes dhe kundërshtimit. Ne duhet të kujtojmë gjithnjë se jeta e krishterë është një sfidë për të përballuar. Nuk është e mjaftueshme të nisemi në një zjarr lavdie; ne duhet të jemi të qëndrueshëm kur jemi në vështirësi. Ideja se Krishterimi është një garë e pafund e përvojave të pakapërcyeshme nuk është e vërtetë. Është rutina e përditshme, detyrat e zakonshme të mërzitshme, rrethanat e mërzitshme, trishtimi i hidhur, planet e prishura. Qëndresa është arti i mbartjes dhe shtypjes në fytyrë e gjithçkaje që duket se është kundër nesh.
Virtyti tjetër është perëndishmëria. Jetët tona duhet të jenë si Perëndia, me gjithçka që përfshin në shenjtërinë praktike. Duhet të ekzistojë një cilësi e mbinatyrshme në sjelljen tonë që të tjerët do të dinë se jemi bij të Atit qiellor; ngjashmëria e familjes duhet të jetë e pagabueshme. Pali na kujton: “…perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë” (1 Tim. 4:8).
1:7 Dashuria vëllazërore do të na bëjë të dallueshëm nga botën ashtu si dishepujt e Krishtit: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjo. 13:35).
Dashuria e vëllezërve çon në dashurinë për gjithë njerëzimin. Kjo nuk është kryesisht një çështje emocionesh, por e vullnetit. Nuk është një gjallërim ndijimior për të përjetuar, por një urdhër për t’iu bindur. Në kuptimin e DhR, dashuria është e mbinatyrshme. Një jobesimtar nuk mund të dojë ashtu siç urdhëron Bibla, sepse ai nuk ka jetë hyjnore. Vetëm jeta hyjnore mund të dojë armikun dhe të lutet për përndjekësit. Dashuria shfaq vetën duke dhënë. Për shembull: “Perëndia e deshi aq botën, sa dha…” (Gjo. 3:16). “Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë…” (Efes. 5:25). Ne mund të shfaqim dashurinë tonë duke dhënë kohën, talentin, pasurinë dhe jetët tona për të tjerët.
T. E. McCully ishte ati i Ed McCully, një ndër pesë misionarët e vrarë nga indianët Auka në Ekuador. Një natë ndërsa ishin të gjithë në gjunjë, ai u lut: “O Zot, më lejo të jetoj derisa të shoh ata miq të shpëtuar që vranë djemtë tanë, që mund t’i përqafoj dhe t’u them se i dua sepse ata duan Krishtin tim.” Kjo është dashuria e krishterë – kur mund të lutesh në këtë mënyrë për vrasësit fajtorë të birit tënd.
Këto shtatë hire formojnë karakterin e krishterë.
1:8 Në shtegun e dishepullimit ka ose përparësi ose mangësi – nuk ka rrugë të mesme. Ka forcë dhe siguri në ecjen para; rrezik dhe dështim në tërheqje.
Dështimi për të ngurruar në zhvillimin e karakterit të krishterë çon në përtacia, pafrytshmërim verbëri, dritëshkurtësi dhe harresë.
Përtacia. Vetëm jeta e jetuar në përbashkësi me Perëndinë mund të jetë me të vërtetë e frytshme. Drejtimi i Frymës së Shenjtë eliminon veprimtarinë e përtacisë dhe kërkon frytshmëri të lartë. Përndryshe, ne jemi në hamulli.
Pafrytshmëria. Është e mundur të kemi njohjen e konsiderueshme të Zotit tonë Jezu Krisht dhe në të njëjtën kohë të jemi të pafryt në atë njohuri. Dështimi për të praktikuar atë që dimë na çon në mënyrë të pashmangshme në përtaci. Hyrja pa rrjedhje vrau Detin e Vdekur dhe vret gjithashtu prodhimtarinë e mbretërisë frymërore.
1:9 Dritëshkurtësia. Ka disa shkallë të ndryshme të dobësimit të shikimit që quhen verbëri. Dritëshkurtësia këtu specifikon formën e verbërisë në të cilën jeton njeriu për të tashmen se sa për të ardhmen. Ai është kaq i zënë me gjërat materiale saqë lë pas dore ato frymërore.
Verbëria. Atij që i mungojnë karakteristikat e renditura në vargjet 5-7 është i verbër. Ai nuk është në dijeni të asaj që është qendrore në jetë. Atij i mungon dallimi i vlerave të vërteta frymërore. Ai jeton në një botë të errët zymtësie.
Harresa. Së fundi, atij që i mungojnë shtatë virtytet harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetër. E vërteta e shpengimit të tij ka humbur vëmendjen e tij për të. Ai po kthehet përsëri në drejtimin që ka patur kur u shpëtua. Ai po luan me mëkatet që shkaktuan vdekjen e Birit të Perëndisë.
1:10 Dhe kështu Pjetri nxit lexuesit e tij për të konfirmuar thirrjen dhe zgjedhjen e tyre. Ka dy faqe të planit të shpëtimit të Perëndisë. Zgjedhja i referohet sovranitetit të Tij, zgjedhjes së përjetshme të njerëzve për t’i takuar Atij. Thirrja i referohet veprimit të Tij në kohën kur zgjedhja është bërë e dukshme. Zgjedhja jonë u bë para se të krijohet bota; thirrja jonë ndodhi kur u kthyem. Kronologjikisht, është në fillim zgjedhja, pastaj thirrja. Por në përvojën njerëzore së pari vihemi në dijeni të thirrjes së Tij, pastaj kuptojmë se jemi zgjedhur në Krishtin nga përjetësia.
Ne nuk mund ta bëjmë thirrjen dhe zgjedhjen tonë më të përforcuar se sa janë në të vërtetë; qëllimet e përjetshme të Perëndisë nuk mund të prishen kurrë. Por ne mund të konfirmojmë ato duke u rritur në ngjashmëri me Zotin. Duke shfaqur frytin e Frymës, ne mund të sigurojmë prova të pagabueshme se me të vërtetë i përkasim Atij. Një jetë e shenjtë provon realitetin e shpëtimit tonë.
Të jetuarit të një jete të shenjtë do të na ruajë nga rënia. Nuk flitet për rënien në humbjen e përjetshme; vepra e Krishtit na ka çliruar nga kjo. Por për më tepër, ka të bëjë me rënien në mëkat, mosmirënjohje, apo keqpërdorim. Nëse dështojmë të rritemi në gjërat hyjnore, jemi në rrezik për të prishur jetët tona. Por nëse ecim në Frymë, do të ruhemi nga skualifikimi për shërbimin e Tij. Perëndia i ruan të krishterët që përpiqen në këto gjëra. Rreziku qëndron në vaktësinë dhe verbërinë frymërore.
1:11 Jo vetëm që ka siguri në rritjen e vazhdueshme frymërore, por është edhe premtimi i një hyrje të siguruar në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Pjetri nuk i referohet këtu faktit të hyrjes sonë, por të mënyrës së veprimit. Baza e vetme për hyrje në mbretërinë qiellore është besimi në Zotin Jezu Krisht. Por disa do të kenë një hyrje të bollshme më tepër se të tjerët. Do të ketë shkallë shpërblimi. Dhe këtu thuhet se shpërblimet varen në shkallën e ngjashmërisë me Shpëtimtarin.
1:12 Ndërsa paraqiti zbatimet e tashme dhe të përjetshme të kësaj teme, Pjetri është i vendosur të kujtojë besimtarët për rëndësinë e zhvillimit të karakterit të krishterë. Edhe pse tashmë e dinin një gjë të tillë, ata duhet të kujtoheshin në mënyrë të vazhdueshme. Dhe po kështu edhe ne. Edhe pse jemi të patundur në këtë të vërtetë, ekziston gjithmonë rreziku i një çasti shqetësues apo një ore harrese. Kështu që e vërteta duhet të përsëritet vazhdimisht.
1:13 Jo vetëm që ishte qëllimi i Pjetrit, por ishte gjithashtu edhe detyra e tij të mbante zgjuar shenjtorët me anë të kujtesave të vazhdueshme përderisa jetonin. Ai ndieu nevojën për t’i mbajtur ata nga përgjumja frymërore ndërsa po shkonte drejt fundit të jetës.
1:14 Zoti i kishte zbuluar Pjetrit faktin se do të vdiste dhe mënyrën se si do të vdiste (Gjo. 21:18,19). Shumë vite kishin kaluar që nga ajo kohë. Apostulli i moshuar e dinte se në rrjedhën normale të gjërave, vdekja e tij ishte afër. Kjo njohje u shtysa të mëtejshme vendosshmërisë së tij për t’u kujdesur për mirëqenien e njerëzve të Perëndisë për t’i kujtuar në çfarëdo lloj kohe.
Ai flet për vdekjen e tij si të linte mënjanë banesën e tij tokësore apo të largohej nga tenda. Ashtu si një tendë është një banesë e përkohëshme për udhëtarët, po kështu trupi është struktura në të cilën banojmë gjatë shtegtimit tonë në tokë. Me vdekjen tenda hiqet. Në Rrëmbim, trupi do të ngjallet dhe do të ndryshohet. Në formën e tij të përjetshme dhe të përlëvduar trupi përshkruhet si një ndërtesë dhe shtëpi (2 Kor. 5:1).
Fakti që Pjetri e dinte se do të vdiste nuk mohon të vërtetën e Kthimit të pashmangshëm të Krishtit për shenjtorët e Tij, ashtu siç mund të mendohet ndonjëherë. Kisha e vërtetë ka pritur gjithnjë që Krishti mund të vijë në çast. Vetëm me anë të një zbulese të veçantë Pjetri dinte se ai nuk do të ishte gjallë kur të kthehej Zoti.
1:15 Jo vetëm që apostulli ishte i vendosur të kujtonte personalisht shenjtorët për rëndësinë e rritjes frymërore, por ai gjithashtu bëri të mundur që t’u linte pas një kujtesë në formë të shkruar. Me anë të shkrimeve të tij, besimtarët do të ishin të aftë të kujtoheshin menjëherë. Si rezultat, Letrat e Pjetrit kanë hedhur dritë në shtegun e burrave dhe grave tani për nëntëmbëdhjetë shekuj dhe do të vazhdojnë një gjë të tillë deri në Ardhjen e Shpëtimtarit tonë. Gjithashtu, tradita e lashtë e besueshme thotë se Ungjilli i Markut është në thelb kujtesa e përjetuar e udhëheqësit të tij frymëror, Apostullit Pjetër.
Rëndësia shërbesës së shkruar këtu është e qartë. Është fjala e shkruar që mbetet. Me anë të fjalës së shkruar, shërbesa e dikujt vazhdon ndërsa trupi i tij prehet në varr.
Fjala largim që përdor Pjetri është fjala nga e cila marrim eksod. Është e njëjta fjalë e përdorur për të përshkruar vdekjen e Krishtit te Luka 9:31. Vdekja nuk është reshtja e të qenurit, por nisja nga një vend në një vend tjetër.
Këto vargje kanë një vlerë të veçantë për ne sepse tregojnë se çfarë është e rëndësishme për njeriun e Perëndisë që jeton në hijen e vdekjes. Këto gjëra përmenden katër herë – vargjet 8, 9, 12 e 15. Të vërtetat e mëdha dhe themelore të besimit të krishterë kanë vlerë të madhe kur shihen në kufijtë e botës së përjetshme.
1:16 Vargjet e fundit të kapitullit 1 trajtojnë sigurinë e ardhjes së Krishtit në lavdi. Pjetri trajton së pari sigurinë e dëshmisë së apostujve, pastaj sigurinë e fjalës profetike. Duket sikur Pjetri bashkon DhR me DhV dhe u thotë lexuesve të tij të kapen pas kësaj dëshmie të bashkuar.
Ai thekson se dëshmia e apostujve mbështetej në fakte, jo në mite. Ata nuk shkuan pas përrallave të sajuara enkas, apo miteve kur ua bënë të njohur lexuesve fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
Ndodhia e veçantë, së cilës i referohet, është Shpërfytyrimi i Krishtit në mal. U dëshmua nga të tre apostujt – Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit. Fuqinë dhe ardhjen është një mënyrë [6] e fjalëpërfjalshme për të thënë “ardhja në fuqi,” ose “ardhja e fuqishme.” Shpërfytyrimi ishte një paraqitje parakohe e ardhjes së Krishtit në fuqi për të mbretëruar në tokë. Kjo është bërë e qartë në rrëfimin e Mateut për këtë ngjarje. Te Mateu 16:28 Jezusi tha: “Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet.” Vargjet që vijojnë (17:1-8) përshkruajnë Shpërfytyrimin. Në mal, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni panë Zotin Jezus në të njëjtën lavdi që do të ketë kur të mbretërojë për një mijë vjet. Para se ata të vdisnin, ata tre apostuj panë Birin e Njeriut në lavdinë e mbretërisë së Tij të ardhshme. Prandaj fjalët e Zotit te Mateu 16:28 u përmbushën te 17:1-8.
Tani Pjetri po thekson se rrëfimi apostullor i Shpërfytyrimit nuk mbështetej në përralla (në greqisht, mite). Kjo është fjala që disa teologë modernë po përdorin në sulmet e tyre ndaj Biblës. Ata sugjerojnë se ne duhet “të heqim mitet” nga Shkrimi. Bultmann ka folur për “elementin mitologjik” në DhR. John A. T. Robinson u bën thirrje të krishterëve për të pranuar se një pjesë e mirë nga Bibla përmban mite:
Në shekullin e fundit një hap i dëmshëm dhe i vendosur u ndërmor për të pranuar se Bibla përmban “mite” dhe se është një formë e rëndësishme e të vërtetës fetare. Është pranuar, nga të gjithë përjashto fondamentalistët e rreptë, se historitë e Zanafillës të Krijimit dhe Rënies ishin përfaqësime të vërtetave më të thella mbi njeriun dhe gjithësinë në formën e mitit se sa të historisë, dhe ishin megjithkëtë të vlefshme. Në të vërtetë, ishte thelbësore për mbrojtjen e të vërtetës së krishterë të pranohej dhe sigurohej se këto ndodhi nuk ishin histori, dhe për këtë arsye nuk ishin në konkurrim me rrëfimet alternative të antropologjisë apo kozmologjisë. Ata që nuk bëjnë këtë dallim, ne mund ta shohim tani, po bënin lojën në duart e Thomas Huxley dhe miqve të tij. [7]
Të refuzosh akuzën e miteve, Pjetri jep tri prova të Shpërfytyrimit: dëshmia e të parit; dëshmia e dëgjimit; dhe dëshmia e pranisë fizike.
Për sa i përket të parit, apostujt qenë dëshmitarë okularë e madhështisë së Zotit. Gjoni dëshmoi: “Ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit” (Gjo. 1:14).
1:17 Pastaj kemi dëshminë e dëgjimit. Apostujt dëgjuan zërin e Perëndisë që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.” Kjo shprehje e fortë e nderit të Zotit Jezus i erdhi… nga lavdia e madhërishme, që do të thotë, nga reja e lavdishme e shkëlqyer dhe e ndriçuar, e quajtur Shekinah, që simbolizon praninë e Perëndisë.
1:18 Duke folur për Jakobin, Gjonin dhe për veten e tij, Pjetri thekson se ata vetë dëgjuan zërin e Perëndisë kur qenë bashkë me Zotin në malin e shenjtë. Këtu kemi dëshminë e tre dëshmitarëve, e cila sipas Mateut 18:16 është autoritare dhe kompetente.
Së fundi, Pjetri shton dëshminë e dukjes fizike: Qemë bashkë me të në malin e shenjtë. Ishte një situatë e përjetuar me të vërtetë; kjo nuk mund të vihet në diskutim.
Ne nuk e dimë se si quhej mali në të cilin ndodhi Shpërfytyrimi. Nëse mund të gjendet, mund të lidhet me altarin [idhujtari] për tani [8]. Ai quhet mali i shenjtë jo ngaqë se ishte qenëisht i shenjtë, por ngaqë u veçua si vend për një ngjarje të shenjtë.
1:19 Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike. Profetët e DhV kishin parafolur për ardhjen në fuqi dhe me lavdi të madhe të Krishtit. Ngjarjet në malin e Shpërfytyrimit vërtetuan ata profetë. Ajo që apostujt panë në malin e Shpërfytyrimit nuk la mënjanë profecitë e DhV apo i bëri më të sigurta, por thjesht vërtetoi më tej parathënien. Apostujve iu dha një pamje parakohe e lavdisë së mbretërisë së ardhshme të Krishtit.
Përkthimi i F. W. Grant në pjesën që mbetet të vargut 19 është një ndihmë. “…të cilën bëni mirë t’i kushtoni kujdes (si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë) në zemrat tuaja.” Vini re përdorimin e kllapave të Grant. Sipas përkthimit të tij, ne duhet të lidhim t’i kushtoni kujdes me në zemrat tuaja. Me fjalë të tjera, duhet t’i kushtojmë vëmendje në zemrat tona. Në versionin NKJV dhe shumë të tjerë, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja dhe kjo paraqesin vështirësi praktike interpretimi.
Fjala profetike është drita e shndritshme. Vendi i zymtë apo i errët është bota. Zbardhja e ditës shënon fundin e Epokës së Kishës së tashme (Rom. 13:12). Ngritja e yllit të dritës paraqet ardhjen e Krishtit për shenjtorët e Tij. Prandaj kuptimi i pjesës është që ne të mbajnë fjalën profetike gjithmonë para nesh, duke e ruajtur atë në zemrat tona, sepse do të shërbejë si dritë në këtë botë të errët derisa koha të përfundojë dhe Krishti të shfaqet në re për të marrë njerëzit e Tij që e presin për në shtëpi në qiell.
1:20 Në dy vargjet e fundit të kapitullit, Pjetri thekson se Shkrimet profetike vijnë nga Perëndia dhe jo nga njeriu; ato qenë hyjnisht të frymëzuara.
Asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve (apo orgjinave) të veçanta (apo private). Ky pohim ka ngritur një seri interpretimesh. Disa janë absurde, si ajo që paraqet interpretimin e Biblës vetëm si të drejtën e kishës dhe se njerëzit nuk duhet ta studiojnë atë!
Shpjegime të tjera mund të jenë pohime të vërteta, edhe pse nuk mund të shprehin domethënien e kësaj pjese. Për shembull, është e vërtetë se asnjë varg nuk duhet të interpretohet në veçuar nga të tjerët, por në dritën e kontekstit dhe të pjesës tjetër të Shkrimit.
Por Pjetri këtu po trajton origjinën e fjalës profetike dhe jo mënyrën se si e interpretojnë njerëzit pasi është dhënë. Çështja është se kur profetët u ulën për të shkruar, ata nuk paraqitën interpretimet e tyre të veçanta (private) të ngjarjeve apo përfundimeve të tyre. Me fjalë të tjera interpretimi [9]nuk i referohet shpjegimit të fjalës nga ne që e kemi Biblën në formë të shkruar; por për më tepër i referohet mënyrës me anë të së cilës erdhi Fjala në radhë të parë. D. T. Young ka shkruar:
Kështu teksti, i kuptuar drejt… siguron se Shkrimi nuk është njerëzor në origjinën e tij. Ai është interpretimi i Perëndisë dhe jo i njeriut. Ne zakonisht dëgjojmë disa pohime mbi Shkrimin sikur të përfaqësonin mendimin e Davidit, të Palit apo të Pjetrit. Megjithatë, në kuptimin e ngushtë të fjalës, ne nuk kemi mendimin e njeriut në Shkrimet e Shenjta. Është vetëm interpretimi i gjërave nga ana e Perëndisë. Asnjë profeci e Shkrimit nuk përfaqëson një interpretim të veçantë: njerëzit folën ashtu siç u drejtuan nga Fryma e Shenjtë. [10]
Përkthimi në cep të vargut të versionit NKJV, origjinave, është i përpiktë dhe, ne besojmë, më i mirë në kontekst.
1:21 Ky varg vërteton shpjegimin e dhënë në vargun 20. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut. Ashtu siç ka thënë dikush: “Ajo që shkruan nuk ishte shpikja e ideve të tyre dhe nuk ishte rezultati i imagjinatës, zbulesës apo spekullimit njerëzor”.
Fakti është se njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur [11], të shtyrë nga Fryma e Shenjtë. Në një mënyrë që nuk mund ta kuptojmë plotësisht, Perëndia udhëhoqi këta njerëz në çdo fjalë që shkruan dhe megjithatë nuk prishi individualitetin apo stilin e shkrimtarëve. Ky është një ndër vargjet kyç në Bibël për sa i përket frymëzimit hyjnor. Në një kohë kur shumë po mohojnë autoritetin e Shkrimit, është e rëndësishme që të qëndrojmë të fortë për frymëzimin e shkruar, të plotë të fjalës së pagabueshme.
Me frymëzim të shkruar kuptojmë se fjalët ashtu siç u shkruan nga dyzet apo më tepër shkrimtarë ishin të frymëzuar nga Perëndia (shikoni 1 e Korintasve 2:13). Perëndia nuk ka një skicë të përgjithshme apo ndonjë ide themelore, pastaj të lejonte që shkrimtarët t’i shkruanin fjalitë si të donin. Fjalët që shkruan u dhanë nga Fryma e Shenjtë.
Me frymëzim të plotë kuptojmë se e gjithë Bibla është në mënyrë të barabartë që nga Zanafilla deri te Zbulesa e dhënë nga Perëndia (shikoni 2 Tim. 3:16). Me e pagabueshme kuptojmë se fjala përfundimtare e Perëndisë është plotësisht pa gabime në origjinal, jo vetëm në doktrinë, por në histori, shkencë, kronologji dhe në tërë fushat e tjera.