Ngritja e Davidit në pushtet (2 Samuelit 1-10)

A. Vajtimi për Saulin dhe Jonathanin (kapitulli 1)

1:1-16 Kapitulli 29 i Librit të Parë të Samuelit regjistron se si Zoti e ruajti Davidin larg betejës në të cilën Sauli dhe Jonathani humbën jetët e tyre. Në vend të kësaj Davidi po luftonte kundër amalekitëve, që kishin sulmuar Tsiklagun (1 Sam. 30). Pasi u ndalTsiklag, një lajmëtar arriti tek ai nga veriu me lajmin e vdekjes së Saulit. Lajmëtari kishte rroba të grisura dhe e kishte mbuluar kokën me dhe. Ai i tregoi se si e kishte gjetur Saulin, të mbështetur në shtizën e tij ndërsa forcat e armikut po afroheshin. Ai i tregoi se Sauli i kishte kërkuar atij, një amalekiti, të kryente vrasjen dhe ai kreu atë që i tha mbreti. Ky rrëfim, pa dyshim, është në konflikt me atë të 1 i Samuelit 31, ku thuhet se Sauli kreu vetëvrasje. Shpjegimi më i arsyeshëm është se rrëfimi i amalekitit është një trillim. Ai mendonte se Davidi do të gëzohej që po takonte vrasësin e Saulit dhe do t’i jepte një shpërblim të majmë. Në vend të kësaj, Davidi mbajti zi tërë ditën dhe në mbrëmje urdhëroi ekzekutimin e amalekitit, sepse ai kishte vrarë të vajosurin e Zotit. Amalekitët ishin armiqtë më të këqinj të Izraelit (Eksodi 17). Një arsye e humbjes së mbretërisë prej Saulit ishte ngaqë nuk kishte treguar plotësisht zemërimin e Zotit mbi ta (1 Sam. 15). Disa amalekitë sapo ishin vrarë nga Davidi dhe njerëzit e tij për plaçkitjen e Tsiklagut. Kështu që nuk kemi pse të çuditemi që amalekiti pësoi vdekjen dhe nuk mori një shpërblim ndërsa mbërriti në kamp dhe shpalli se kishte vrarë Saulin. 1:17,18 Me siguri ishte një shenjë madhështie nga ana e Davidit që në vend që të gëzohej për vdekjen e Saulit, ai qau me hidhërim. Von Gerlaku (O. von Gerlach) dallon një ngjashmëri midis Davidit dhe Krishti këtu: Vajtimi i vetëm i thellë për Saulin, me përjashtim të atij të jabeshitëve (1 Sam. 31:11), doli nga njeriu që Sauli e kishte urryer e përndjekur për aq shumë vite, dhe në kohën kur vdiq; ashtu si pasuesi i Davidit [Mesia] qau për rënien e Jerusalemit, edhe kur banorët e tij ishin gati ta shkatërronin Atë {{1}}. Davidi gjithashtu kompozoi një vajtim të përlotur të titulluar: “Kënga e harkut”. Libri i të Drejtit, apo “Libri i Jasherit”, duhet të ketë qenë një përmbledhje poemash rreth njerëzve të mëdhenj të kombit të Izraelit (shikoni gjithashtu Joz. 10:13). Me aq sa dimë, ky libër nuk ekziston më dhe me siguri nuk është pjesë e Shkrimit të frymëzuar. 1:19-27 Oda çjerrëse e Davidit vajton vdekjen e Saulit dhe Jonathanitmadhështinë e Izraelit. Me një poezi madhështore, kujdesi i tij qe që qytetet e filistenjve të mos mësonin për vdekjen e mbretit, që bijtë e tyre të mos gëzoheshin. Malet e Gilboas, ku vdiq Sauli, përmenden që të vuajnë nga thatësia dhe shterpësia. Atje u hodh mburoja e Saulit e pa vajosur me vaj (v. 21); pra, u la mënjanë dhe nuk u vajos kurrë për betejë. Një haraç u pagua për trimërinë e Saulit e atë të Jonathanit (v. 22) dhe virtytet e tyre vetjake. Ata ishin bashkë në vdekjen e tyre, ashtu siç kishin qenë në jetë (v. 23), por kjo nuk duhet të na çojë të mendojmë dhe të nënkuptojmë fatin e tyre të përjetshëm. Atyre që përfituan nga mbretërimi i Saulit u bëhet thirrje të vajtojnë (v. 24). Poema mbyllet me një elegji për Jonathanin, mikun e ngushtë të Davidit. Refreni: “Si ranë trimat” (v. 19, 25, 27) është bërë pjesë e gjuhës angleze [një shprehje popullore].

B. Kurorëzimi si mbret i Judës (2:1-7)

2:1-7 Me vdekjen e Saulit dhe pasi Izraeli mbeti pa mbret, Davidi kërkoi ndihmë nga Zoti dhe iu tha të shkonte në Hebron, një nga qytetet e Judës. Atje njerëzit e Judës… e vajosën atë mbret. Kur i bënë të ditur se si njerëzit e Jabeshit të Galaadit e kishin varrosur me të tëra nderet Saulin, Davidi menjëherë u dërgoi një mesazh falënderimi dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë i ftoi ata ta pranonin si mbret, ashtu siç kishin bërë njerëzit e Judës.

C. Konflikti me shtëpinë e Saulit (2:8-4:12)

2:8-11 Ndërkohë jo të gjitha fiset e Izraelit donin ta pranonin Davidin si mbretin e tyre. Abneri, komandanti i parë i Saulit dhe gjithashtu xhaxhai i tij, e mori birin e vetëm të Saulit që kishte mbetur gjallë, Ish-Boshethin dhe e shpalli atë mbret. Për shtatë vjet e gjashtë muajDavidi mbretëroi vetëm mbi fisin e Judës, me Hebronin si kryeqytet. Megjithatë, Ish-Boshethi mbretëroi vetëm për dy vjet mbi njëmbëdhjetë fiset e tjera. Ndoshta Abneri harxhoi pesë vjet duke dëbuar filistenjtë nga Izraeli dhe pastaj të vendoste Ish-Boshethin në fronin e të atit. Davidi nuk e kërkoi kurrë të drejtën e tij të fronit. As tani nuk po e bënte një gjë të tillë. Në vend të kësaj, ai vendosi ta lërë çështjen e tij në duart e Zotit. Nëse Jehovahu e kishte vajosur atë si mbret, Ai do t’i mposhte armiqtë e tij dhe do t’i jepte si zotërim mbretërinë e tij. Në mënyrë të ngjashme Zoti Jezus pret kohën e Atit për të mbretëruar mbi tërë botën. Sundimi i tij pranohet vetëm nga një pakicë e njerëzimit tani, por do të vijë një ditë e caktuar kur çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot (Fil. 2:10,11). 2:12-17 Ndërkohë Abneri, bir i Nerit, kreu i ushtrisë së Izraelit (11 fiseve) u takua me Joabin, birin e Tserujahut, udhëheqësin ushtarak të ushtarëve të Davidit, në Gabaon. Të ulur në anët e kundërta të hauzit, ata vendosën që disa nga të rinjtë të dyluftonin për të përcaktuar se cili ishte më i fortë ushtarakisht. Kur Abneri hodhi idenë se të rinjtë duhej të çoheshin dhe të loznin, atij nuk ia priti mendja se ata do të loznin. Ajo ishte një luftë ushtarake. Dymbëdhjetë beniaminitët luftuan me dymbëdhjetë njerëzit e Judës dhe shfarosën njëri-tjetrin. Meqë rezultati nuk solli një përfundim, midis pjesës tjetër të njerëzve shpërtheu një betejë shumë e ashpër me fund mundjen e Abnerit dhe të njerëzve të tij dhe duke u larguar ata pa lënë gjurmë. 2:18-23 Një nga vëllezërit e Joabit, Asahel këmbëshpejti, e ndoqi Abnerin për ta vrarë. Në fillim Abneri u përpoq ta bindte Asahelin që të kënaqej duke kapur një nga të rinjtë. Duket sikur Abneri e kuptoi se mund ta vriste me lehtësi Asahelin, por nuk donte ta bënte një gjë të tillë, sepse më vonë do të ballafaqohej me Joabin. Kur Asaheli nuk e dëgjoi lutjen e dytë të Abnerit për të reshtur së ndjekuri, Abneri iu kthye për t’u mbrojtur dhe e vrau me pjesën e pasme të shtizës së tij. 2:24-32 Joabi dhe vëllai tjetër i tij, Abishai, e vazhduan ndjekjen derisa mbërritën në qafën e Amahut. Atje Abneri iu lut Joabit ta ndalonin këtë luftë civile të panevojshme. Përgjigjja e Joabit mund të kuptohet në dy mënyra. Së pari, mund të nënkuptojë që nëse Abneri nuk do ta kishte filluar sfidën e parë (në vargun 14), atëherë të rinjtë do të ishin kthyer në shtëpi në paqe. Ose mund të nënkuptojë, ashtu si në versionin NIV, që nëse Abneri nuk do të kishte kërkuar një armëpushim, atëherë të rinjtë do të kishin vazhduar të ndiqnin vëllezërit e tyre deri në mëngjes. Sido që të jetë, Joabi pranoi ta ndalte ndjekjen. Abneri dhe njerëzit e tij kapërcyen Mahanaimin, në krahun lindor të lumit Jordan, atje ku Ish-Boshethi kishte kryeqytetin e tij. Ai kishte humbur treqind e gjashtëdhjetë veta. Joabi dhe ushtarët e tij u kthyen në Hebron, duke pasur nëntëmbëdhjetë veta më pak. 3:1-5 Gjatë periudhës shtatëvjeçare e gjysmë të Davidit në Hebron, mbretëria e tij bëhej gjithnjë e më e fortë, ndërsa shtëpia e Saulit, sunduar nga Ish-Boshethi, dobësohej gjithnjë e më shumë. Gjithashtu familja e Davidit u bë më e madhe. Kur mbërriti për herë të parë në Hebron, ai kishte dy gra, Ahinoamin dhe Abigailin. Në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë, ai u martua edhe me katër të tjera – Mikahun, Hagithin, Abitalin dhe Eglahin. Nga këto gjashtë gra ai pati gjashtë bij, tre prej të cilëve do të ishin një trishtim për të – Amnoni, Absalomi dhe Adonijahu (më vonë ai pati edhe djem të tjerë). 3:6-11 Ndërsa po i shërbente sa për sy e faqe Ish-Boshethit, Abneri po forconte pozitën e tij politike, sepse pa që fuqia po i kalonte Davidit. Ish-Boshethi e paditi Abnerin për lidhje marrëdhëniesh me Ritspahun, një konkubinë e Saulit dhe e interpretoi këtë si një tregues se Abneri donte të merrte kontrollin e njëmbëdhjetë fiseve. Ishte apo jo fajtor Abneri për këtë padi, ne nuk e dimë; ai e mohoi fort e me përçmim këtë padi dhe shpalli se do t’ia kalonte besnikërinë e tij edhe atë të fiseve të Izraelit Davidit. Ish-Boshethi ishte i pafuqishëm për t’i bërë ballë. “Mos vallë jam një kokë qeni e Judës?” (v. 8) do të thotë: “A jam një tradhtar i padenjë, i përçmuar që ka qenë besnik i Judës në të shkuarën?”. 3:12-16 Tashmë Abneri i dërgoi… lajmëtarë Davidit, duke i ofruar që t’i jepte tërë Izraelin atij. Para se Davidi të pranonte ofertën e Abnerit, ai kërkoi që Mikali, bija e Saulit, t’i kthehej atij, duke shpresuar që të forconte të drejtën e tij të mbretërisë. Ish-Boshethi pranoi përulësisht dhe Mikalin ia çuan Davidit – duke e lënë të trishtuar burrin e saj Paltiel. Jeta vetjake e Davidit u bë edhe më e ngatërruar dhe një kapitull tjetër i errët u shkrua në biografinë e tij. 3:17-21 Abneri shkoi te fisi i Beniaminit dhe te fiset e tjerë që kishin ndjekur Ish-Boshethin dhe u tha tyre se Davidi ishte mjeti i premtuar nga Perëndia për t’i shpëtuar nga shtypja e filistenjve. Meqë përgjigjja e tyre u duk e favorshme, ai e takoi Davidin dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe për të tërë Izraelin në një shprehje të madhe besnikërie. 3:22-30 Ndërsa Abneri po lejonte Davidin që të ndërmerrte planin e tij, Joabi u kthye në shtëpinë mbretërore dhe dëgjoi për ngjarjet e ditës. Pasi e qortoi mbretin që kishte futur marrëzisht një spiun, ai në fshehtësi dërgoi ushtarë për të sjellë Abnerin. Sapo Abneri u kthye në Hebron, Joabi u hoq sikur donte të kishte një bashkëbisedim privat afër portës, por qëllimi i tij i vërtetë ishte ta vriste Abnerin për hakmarrje, gjë të cilën e bëri duke e goditur në bark, duke u hakmarrë kështu për vdekjen e vëllait të tij Asahel dhe duke zhdukur një rival të fuqishëm për kryekomandant. Joabi u duk i pashqetësuar që Hebroni ishte një qytet strehimi, ku Abneri kishte të paktën të drejtën e një gjyqi (Num. 35:22-25). Shprehja “ata që mbështeten me shkop” (v. 29) mund të nënkuptojë një të çalë. Te versioni NASB është përkthyer: “ai që mban një furkë” (një burrë që është i zhburrëruar). Në versionin RS në mënyrë të ngjashme përkthehet: “ai që mban boshtin e furkës”, që do të thotë i paaftë për luftë apo punë të rënda. 3:31-39 Davidi shpalli një kohë të gjatë zie për Abnerin, por nuk ndërmori asnjë veprim kundër Joabit që kishte kryer vrasjen. Mbretin e trishtoi fakti që Abneri vdiq pa lavdi, meqë guximi dhe fuqia e tij meritonin një vdekje më të denjë. Ideja në vargun 33 mund të jetë: “A vdiq Abneri si një i marrë pa përvojë, që nuk dinte të mbronte veten?”. Dhe përgjigjja e pritur është: “Jo, ai ra viktimë e një komploti mashtrues dhe të lig” {{2}}. Njerëzit e kuptuan nga brenga e mbretit se Joabi kishte vepruar në mënyrë të pavarur. Në fakt, Davidi shprehu hapur pakënaqësinë e tij përballë mizorisë së bijve të Tserajahut (Joabi dhe Abishai) dhe i kërkoi Zotit që t’i ndëshkonte. Në kapitullin 3 kemi parë Perëndinë duke përdorur mëkatin dhe intrigën e njerëzve për t’i dhënë mbretërinë e bashkuar Davidit. Ai bën që edhe zemërimi i njerëzve ta lëvdojnë Atë (Psa. 76:10). 4:1-7 Vdekja e Abnerit dobësoi mbretërinë e Ish-Boshethit edhe më tej. Sapo ushtria humbi udhëheqësin e saj të fuqishëm, dolën në pah dy rebelë – Baanahu dhe Rekabi – dhe e vranë mbretin. Ata mundën ta bënin një gjë të tillë duke u futur në shtëpi ndërsa Ish-Boshethi ishte në kohën e çlodhjes. Ata gënjyen duke thënë se kishin ardhur të merrnin grurë. Versioni RSV i vargut 6, duke ndjekur versionin Septuagint, shkruan: “Dhe ja, portieri i shtëpisë [një femër] po pastronte grurin, por ajo u lodh dhe shkoi të flejë. Kështu Rekabi dhe Baanahu, vëllai i tij, ua mbathën këmbëve”. Kështu, tani kishte mbetur vetëm një trashëgimtar i fronit të Saulit, një djalosh sakat emri i të cilit ishte Mefibosheth. 4:8-12 Rekabi dhe Baanahu ia çuan kokën e Ish-Boshethit Davidit me shpresën për t’i pëlqyer atij. Këta kriminelë u përpoqën të thoshin se Zoti kishte nxitur veprimet e tyre! Por Davidit nuk ia hidhje aq lehtë! Perëndia nuk do t’i udhëhiqte njerëzit të shkelnin ligjet e Tij për të kurorëzuar mbretin e Tij. Perëndia ishte i aftë t’i përmbushte premtimet e Tij bëra Davidit pa ndihmën e vrasësve. Davidi u tha atyre se ata ishin më tepër fajtorë se ai që shpalli se kishte vrarë Saulin dhe urdhëroi që të vriteshin menjëherë. Trupat e tyre u shfaqën para popullit si turp, ndërsa kokën e Ish-Boshethit e varrosën në Hebron.

D. Kurorëzimi si mbret mbi tërë Izraelin (kapitulli 5)

5:1-5 Njëmbëdhjetë fiset e Izraelit u bashkuan me Judën duke e pranuar Davidin si mbretin e drejtë, me fjalë besnikërie dhe bindjeje. Ata që erdhën përmenden te 1 Kronikave 12:23-40. Kështu filloi një mbretërim mbi kombin e bashkuar që do të zgjaste tridhjetë e tre vjet. Duke i marrë së bashku, mbretërimi i Davidit zgjati dyzet vjet. Vargu 3 përmend vajosjen e tretë të Davidit. Në fillim ai u vajos nga Samueli (1 Sam. 16:13). Pastaj u vajos si mbret mbi shtëpinë e Judës në Hebron (2:4). Tani vajoset përfundimisht mbret me të drejtë nga tërë kombi. 5:6-10 Një nga veprat e para ushtarake të Mbretit David ishte të pushtonte kështjellën në malin Sion zotëruar nga jebusenjtë. Këta luftëtarë paganë e mendonin qytetin e tyre të pathyeshëm aq sa do të mbrohej nga të verbrit dhe çalamanët. Davidi gjeti një pikë të dobët në sistemin e kanaleve të qytetit; ai i urdhëroi njerëzit e tij të kalonin përmes një kanali nëntokësor, të cilin jebusenjtë e përdornin për sjelljen e ujit në qytet nga një burim më poshtë. Strategjia qe e suksesshme dhe Jebusi u bë Jerusalemi, quajtur gjithashtu Qyteti i Davidit, kryeqyteti i kombit të Izraelit. Pjesa e fundit e vargut 8 përmend talljen e jebusenjve në vargun 6, që më vonë u bë një thënie e njohur: “I verbëri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi”. Milo ishte një pjesë e murit rrethues të qytetit të lashtë (rrëfimi paralel te 1 i Kronikave 11 zbulon se Joabi e udhëhoqi sulmin e suksesshëm ndaj qytetit dhe kjo i siguroi vendin si komandant të forcave të Davidit). 5:11-16 Hirami, mbreti pagan i Tiros, i dërgoi materiale dhe punëtorë Davidit në Jerusalem. Davidi mori konkubina dhe bashkëshorte në Jerusalem, duke shkelur LiP. 17:17, dhe i lindën bij dhe bija të tjera. Pasardhja mbretërore e Mesias rrjedh nga Salomoni. Ka edhe dy lista të tjera të bijve të lindur të Davidit në Jerusalem (1 i Kronikave 3:5-8; 14:3-7), me ndryshime të vogla (në pjesën më të madhe të rasteve ndryshime në shqiptim) midis tri listave. 5:17-21 Filistenjtë, të shqetësuar nga lajmi i bashkimit të Izraelit dhe qeverisjes së fortë qendrore, vendosën të sulmonin. Ata i mblodhën forcat e tyre në luginën e Refaimit, në jug të Jerusalemit. Davidi, i siguruar për fitoren nga Zoti, sulmoi armikun dhe e shpartalloi. Ai e quajti vendin Baal-Peratsim, që do të thotë Baali është mundur ose mjeshtri i depërtimit (versionet NASB e NKJ). Zoti kishte shkaktuar të çara në radhët e armikut. Idhujt që filistenjtë lanë u morën nga Davidi (v. 21) dhe iu vu flaka (1 i Kronikave 14:12) për të mos qenë pengesë për brezat e ardhshëm. 5:22-25 Pas një farë kohe, filistenjtë u kthyen përsëri në luginën e refaimëve dhe kërcënuan Izraelin. Këtë herë Zoti i tha Davidit të merrte krahët e forcave armike, përballë Balsamit. Kur ai të dëgjonte një zhurmë hapash në majat e Balsamit, ai do të ishte i sigurt se Zoti po marshonte kundër filistenjve. Si rrjedhojë Davidi e shkatërroi armikun nga Geba deri në Gezer. Geba mbase duhet lexuar Gabaon (versioni NKJV, LXX dhe 1 i Kronikave 14:16) {{3}}. Vini re se Davidi nuk hamendësoi se drejtimi i Perëndisë për një betejë (v. 19) do të ishte i njëjtë dhe për tjetrën (v. 23). Ne, në mënyrë të vazhdueshme, duhet të ndjekim vullnetin e Perëndisë në çdo gjë. Strategjia e Perëndisë në betejën e parë ishte sulmi i drejtpërdrejtë; në të dytën prita.

E. Dërgimi i arkës në Jerusalem (kapitulli 6)

Ngjarjet në kapitullin 6 nuk kanë ndodhur menjëherë pas atyre të kapitullit 5. Libri i Dytë i Samuelit nuk ndjek gjithmonë një rend të fortë kronologjik. 6:1-7 Hera e fundit që lexojmë për arkën e Perëndisë ishte te 1 i Samuelit 7:1,2. Ajo ishte sjellë nga filistenjtë dhe ishte vendosur në shtëpinë e Abinadabit në Kiriath-Jeraim. Kishin kaluar shumë vite. Atëherë Davidi vendosi ta sillte atë në Jerusalem, në mënyrë që qyteti të ishte kryeqyteti politik si dhe fetar. Kështu ai mori tridhjetë mijë veta të Izraelit nga Baaleja e Judës (i njëjti vend si Kiriath-Jeraimi) për ta marrë atë. Perëndia kishte urdhëruar që arka të mbahej me shtiza, të vëna mbi shpatullat e kehathitëve (Num. 7:9). Në vend të kësaj, Davidi bëri një qerre të re dhe me festime të mëdha e çuan arkën në lëmin e Nakonit (quajtur Kidon te 1 Kronikave 13:9). Atje qetë u penguan dhe arka kishte rrezik të binte nga qerrja. Kështu Uzahu, një djalë i Abinadabit, e mbajti arkën me dorën e tij. Meqë ishte e ndaluar edhe për priftërinjtë të preknin arkën (Num. 4:15), Uzahu u godit për vdekje nga Zoti. Shumë herë është bërë pyetja se pse Perëndia e goditi Uzahun që preku arkën kur filistenjtë e preknin atë pa u shfarosur. Përgjigjja duhet të jetë se “sa më afër është një njeri ndaj Perëndisë, aq më solemnisht dhe në mënyrë të menjëhershme do të gjykohet për çdo të keqe”. Gjykimi duhet të fillojë në shtëpinë e Perëndisë. A ishte veprimi i Perëndisë shumë i ashpër? Ne me shumë lehtësi e gjykojmë Perëndinë, sepse na mungon një ndjenjë e shenjtërisë dhe e madhështisë së Tij të madhe. Arka ishte përfaqësia e dukshme e Vetë Perëndisë. Njerëzit nuk duhej ta shikonin atë deri me ardhjen e Jezusit. Uzahu nuk e përfilli këtë. Vdekja e tij ishte një mësim i përjetshëm për izraelitët që ta merrnin seriozisht lavdinë e Perëndisë së tyre. A e tregojnë gjuha dhe veprimet tona atë që themi kur lutemi: “U shenjtëroftë emri Yt”? (Shënime të përditshme të Scripture Union). 6:8-11 Davidi i ngriti zërin Zotit kundër këtij gjykimi solemn dhe përkohësisht e braktisi planin e tij për ta çuar arkën në qytet. Në vend të kësaj, ai e vendosi në shtëpinë e Obed-Edomit, mbase afër Jerusalemit. Zoti e bekoi madhërisht tërë shtëpinë e Obed-Edomit gjatë tre muajvearka qëndroi në shtëpinë e tij. 6:12-15 Duke dëgjuar për këtë bekim, mbreti David vendosi ta çonte arkën e Perëndisë në Jerusalem. Rrëfimi te 1 Kronikave 15:13-15 na tregon se gjatë këtyre tre muajve Davidi hetoi Shkrimet për të parë se si duhej të mbartej arka. Qerrja e re u la mënjanë dhe levitët e mbajtën arkën në shpatullat e tyre. Pasi mbartësit ecën përpara me kujdes për gjashtë hapa për t’u siguruar se Zoti nuk ishte më i mërzitur, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. Më pas, duke kërcyer në rrugë, arka u çua në një çadër të përkohshme në qytetin e Davidit (ka gjasa që Psalmi 68 të jetë shkruar në këtë kohë). Vetë mbreti ishte aq i përdëllyer, saqë ai hidhte valle me gjithë forcat e tij përpara Zotit. Ai kishte veshur një efod prej liri në vend të rrobave të tij të zakonshme mbretërore. 6:16-23 Gruaja e tij, Mikali, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin të veshur me një efod, duke vepruar në një mënyrë të atillë të cilën ajo e quante të padenjë për një mbret. Kur ai u kthye në shtëpi, ajo në mënyrë të rreme e paditi se kishte kërcyer plot turp në publik (“u zbulua” në vargun 20 duhet të kuptohet në dritën e vargut 14). Ai u përgjigj se kërcimi i tij ishte një shprehje e gëzimit të tij në Zotin dhe theksoi se nuk kishte pasur si qëllim të shtypte entuziazmin e tij për gjërat e Perëndisë. Ai më mirë lejonte të përçmohej nga njerëzit dhe të ishte i pavlerë në sytë e tij, por ai do të nderohej nga “shërbëtoret” për të cilat kishte folur Mikali. Për shkak të qëndrimit të saj kritikues, Mikali vuajti dënimin e moslindjes së fëmijëve deri ditën e vdekjes së saj. Kjo është një kujtesë e nevojshme se një frymë kritikuese nuk është frytdhënëse.

F. Besëlidhja e Perëndisë me Davidin (kapitulli 7)

7:1-5 Davidi mendoi se nuk ishte e denjë për të të banonte në shtëpinë e tij të këndshme ndërsa arka e Perëndisë ndodhej poshtë një çadre. Kështu ai i bëri të ditur profetit Nathan qëllimin e tij për të ndërtuar një shtëpi për arkën. Nathani në fillim e miratoi, në pamje të parë ngaqë veproi pa u këshilluar me Zotin. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua atij, duke i bërë të ditur se Davidit nuk do t’i lejohej të ndërtonte një tempull për Jehovahun. 7:6-11 Zoti i kujtoi Nathanit se Ai kishte banuar nën një çadër nga dita e eksodit nga Egjipti. Çadra ishte e përshtatshme për popullin e Izraelit për aq kohë sa ata ishin duke bredhur. Kishte ardhur dita për ndërtimin e një tempulli. 7:12-15 Pastaj Zoti i zbuloi Nathanit një besëlidhje pa kushte që do të bënte me Davidin. Kjo besëlidhje premtonte se Davidi do të bëhej me një bir (Salomonin) që do të ndërtonte një tempull; që froni i këtij fëmije do të vendoset përgjithnjë; kur do të mëkatonte, Perëndia do ta ndreqte, por mëshira e Tij nuk do të reshtte kurrë. 7:16,17 Më tej premtoi se shtëpia e Davidit, mbretëria dhe froni i tij do të bëhen të qëndrueshme përgjithnjë dhe se pasardhësit e tij do të ulen mbi fron. Dinastia e Davidit është ndërprerë që me robërinë babilonase, por do të ripërtërihet kur Krishti, Fara e Davidit, do të kthehet të mbretërojë mbi tërë tokën. Jenseni komenton: Davidi donte të ndërtonte një tempull për Perëndinë, por Salomonit iu dha privilegji. Pa dyshim që karakteri i veprës së Davidit gjatë jetës së tij për Perëndinë ishte luftimi, jo ndërtimi. Por edhe me anë të këtij luftimi ai po pastronte rrugën që një tjetër të hidhte themelet e asaj shtëpie adhurimi, që zemra e tij kishte dëshiruar aq fort ta ndërtonte. Pasi përfunduan luftërat, Salomoni ngriti tempullin me materialet që Davidi kishte përgatitur. Davidi përfaqëson Krishtin në vuajtjen dhe fitoren e Tij mbi armikun e madh. Salomoni përfaqëson Krishtin në lavdinë e Tij, pasi mbaruan vuajtjet dhe konfliktet. Kisha, e cila është tempulli i vërtetë i Perëndisë, duke pasur Krishtin si gurin e qoshes, do të shfaqet në ditën e fundit. Tani në kohën e vuajtjes dhe të konfliktit të kishës materialet po përgatiten për këtë ndërtim për Perëndinë {{4}}. 7:18-29 I prekur thellë nga besëlidhja e hirit të Perëndisë, Davidi shkoi në çadrën e përkohshme dhe paraqiti lutjen e falënderimit të shkruar këtu. Në të, Blleiki (Blaikie) thotë: Ai shpreh çudinë e tij për të shkuarën, zgjedhjen e Perëndisë të një familjeje dhe njeriu të zymtë; ai çuditet për të tashmen: Si më bëre që të vij deri këtu? Dhe ai çuditet edhe për të ardhmen, parashikimin e bërë për qëndrueshmërinë e shtëpisë së tij në të ardhmen {{5}}. “Dhe ky është zakoni (‘ligji’ në tekstin tonë) i njeriut, o Zot, Perëndi” (v. 19b NASB) do të thotë se Perëndia ishte sjellë me Davidin me të njëjtën dashuri dhe mëshirë, që i kishte urdhëruar njerëzit të tregonin ndaj njëri-tjetrit.

G. Shpartallimi i armiqve të Izraelit (kapitulli 8)

8:1,2 Plani i Davidit si mbret ishte të dëbonte nga mbretëria banorët paganë që ngritën krye kundër sundimit të tij. Ky plan çoi në zgjerimin e territorit të Izraelit. Për shembull, ai mundi filistenjtë dhe kapi Metheg Amahun – që është Gathi (1 i Kronikave 18:1). Ai më parë u soll si i marrë në Gath (1 Sam. 21:10-15); tani po shërbente si mbret atje. Gjithashtu, ai pushtoi moabitët dhe përdori një litar matës për të zgjedhur dy të tretat që duhej të vriteshin. Moabi e kishte tradhtuar Izraelin. 8:3-8 Fitorja tjetër e Davidit u korr në zonën e Sirisë. Ai mundi Hadadezerin, mbret të një vendi të quajtur Tsobah, midis Hamathit dhe Damaskut, duke kapur një mijë qerre, një mijë e gjashtëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi u preu gjithashtu leqet e këmbëve tërë kuajve, por la mjaft prej tyre për njëqind qerre {{6}}. Kjo do të thotë se u preu tendinat e këmbëve, në mënyrë që kafshët të mos lëviznin. Kur sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadadezerin Davidi shpartalloi njëzet e dy mijë burra dhe i bëri sirët shërbëtorët e tij. Më pas Davidi u kthye në Jerusalem me një sasi bronzi dhe monedhash prej ari që i kishte marrë nga Hadadezeri. 8:9-12 Toi, mbreti fqinj i Hamathit e përgëzoi Davidin për triumfin e tij ushtarak mbi Hadadezerin dhe i dërgoi dhurata argjendi, ari dhe bronzi. Këto metale të çmuara, bashkë me tërë argjendin dhe arin që kishte fituar Davidi në luftërat e tij, ia shenjtëroi Zotit dhe më vonë u përdorën për tempullin. 8:13 Duket sikur ka një mospërputhje këtu. Thuhet se Davidi vrau tetëmbëdhjetë mijë sirianë në Luginën e Kripës. Por te 1 Kronikave 18:12 thuhet se Abishai vrau tetëmbëdhjetë mijë edomitë në Luginën e Kripës. Është e vërtetë se në disa dorëshkrime hebraike, po ashtu edhe në versionet e lashta LXX dhe siriane, “edomitët” gjenden edhe këtu te 2 Samuelit 8:13 {{7}}. Por fakti se Davidi i bëri emër vetes nga fitorja tek 2 Samuelit dhe fakti se Abishait i kushtohet lavdia te 1 Kronikave janë diçka e pazakontë. 1 Kronikave ka zakonisht shumë fjalë lavdëruese për Davidin. Mbase, ashtu siç ndodh zakonisht në luftë, “oficerit të lartë”, në këtë rast Davidit, i quhet fitorja si “kryekomandat” i betejës. Por drejtimi i drejtpërdrejtë i betejës ishte nën Abishain e madje edhe shkrimtari i Kronikave, që përpiqet të theksojë pasardhjen e Davidit, u udhëhoq nga Fryma e Shenjtë për të tërhequr vëmendjen mbi udhëheqësin në fushë. Për të ndërlikuar më tepër gjërat, mbishkrimi i Psalmit 60 pohon se “Joabi [vëllai i Abishait] vrau dymbëdhjetë mijë edomitë në Luginën e Kripës” {{8}}. Juxhin Merilli (Eugene Merrill) hedh këtë ide: Mbase ky ndryshim është i shpjegueshëm duke vënë re se këto fushata ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të Abishait dhe se Joabi ishte përgjegjës (me ushtarët në garnizonin e vet) për vrasjen e dy të tretave të edomitëve {{9}}. 8:14 Fakti se Davidi vendosi garnizone edhe në Idumea dhe që i bëri tërë edomitët shërbëtorët e tij, mbase është një mbështetje e mëtejshme e termit “edomitët” në vargun 13, dhe tërë dorëshkrimet e pjesës paralele te Kronikat. 8:15-18 Kështu mbretëria dhe fuqia e Davidit u zgjerua së tepërmi dhe ai sundoi me drejtësi dhe barazi. Disa nga zyrtarët e tij të lartë paraqiten në vargjet 16-18: Joabi – kryekomandanti i ushtrisë; Jozafati – arkivisti; Tsadoku dhe Ahimeleku (mbase një gabim i kopjuesit – Ahimeleku në vënd të Abietharit, shikoni më poshtë) – priftërinj; Serajahu – sekretari apo skribi; Benajahu – kishte detyrën e truprojës së Davidit; bijtë e Davidit – ministra. Ka një problem teksti në vargun 17. Këtu dhe te 1 Kronikave 18:16 e 24:6 Ahimeleku renditet si biri i Abietharit, por te 1 i Samuelit 22:20 për Abietharin thuhet se është “biri i Ahimelekut”. Zgjidhja e thjeshtë është se në vargjet që rendisin Ahimelekun si birin e Abietharit një kopjues mund të ketë ndërruar vendet. Megjithatë, ka një mundësi tjetër mbështetur në zakonin e DhV, sipas të cilit çdo brez tjetër kishte të njëjtin emër, pra, nipërit merrnin emrin e gjyshërve. Prandaj, në çdo kohë të mundshme kolegët priftërinj të Tsadokut ishin ose Abiethari ose Ahimeleku. Abiethari dhe Ahimeleku kryen detyrën e priftit si Ana dhe Kaifa në kohën e Zotit tonë (Lluka 3:2). Kur Sauli vrau Ahimelekun dhe bijtë e tij në Nob, Abiethari ishte i vetmi i mbijetuar. Kur Davidi u bë mbret, ai e caktoi Abietharin si kryeprift, por nuk e hoqi nga detyra Tsadokun.

H. Dashamirësia treguar ndaj Mefiboshethit (kapitulli 9)

Davidi kujtoi besëlidhjen e tij me Jonathanin (1 Sam. 20:14-17) për t’i kushtuar mirësi atij dhe po kërkonte ndonjë mënyrë se si ta çonte në vend këtë besëlidhje. Tsiba, një shërbëtor i mbretit të mëparshëm Saul, i bëri të ditur se një bir i paralizuar i Jonathanit jetonte në Lodebar, në krahun lindor të lumit Jordan. Davidi e çoi në Jerusalem, urdhëroi që pasuria familjare t’i kthehej dhe bëri që ai të hantetryezën mbretërore. Tsiba dhe bijtë e tij u caktuan që t’i shërbenin Mefiboshethit. Mefiboshethi është një figurë e njeriut të pakthyer që jeton në një vend djerrë (Lodebar do të thotë vend pa kullotë {{10}}) dhe i shitur mëkatit (Makir do të thotë i shitur – v. 4). Ai ishte një njeri i hedhur tutje nga shtëpia e Saulit. Ai nuk mund të shkonte te mbreti për t’i kërkuar mëshirë, meqë ishte sakat nga këmbët. Por mbreti plot hir e kërkoi që ta bekonte. Kur e gjeti, Mefiboshethit iu dha pasuri e madhe e një vend përbashkësie në tryezën e mbretit. Ngjashmëritë e shpëtimit janë të dukshme. Ashtu si Mefiboshethi, edhe ne jemi pa forcë (të paaftë për të shkuar te Perëndia); gjendja jonë ishte e pashpresë (duke qenë pjesë e racës së rënë). Por me anë të hirit ne bëhemi pjesë e favorit hyjnor. Ne jemi ngritur në një vend në familjen e Perëndisë dhe jemi bërë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin. Një dashuri kaq e mahnitshme, kaq hyjnore, kërkon zemrën, jetën, gjithçka që kam!
  • Isaac Watts

I. Pushtimet e mëtejshme (kapitulli 10)

10:1-5 Në pamje të parë Nahashi, mbreti i amonitëve, i kishte bërë një nder më parë {Davidit}. Ky është i njëjti Nahosh që Sauli kishte mundur më parë gjatë mbretërimit të tij (1 Sam. 11). Nahashi mund ta ketë ndihmuar Davidin kur ky i fundit ishte një i arratisur, meqë Sauli ishte armiku i tyre i ndërsjelltë në atë kohë. Tani Davidi dëshiroi t’ia shpërblente atë besnikëri, kështu që dërgoi lajmëtarë te Hanuni, biri i Nahashit, që ishte kurorëzuar mbret kur kishte vdekur i ati. Krerët e bijve të Amonit dyshuan se mos njerëzit e Davidit ishin spiunë dhe kështu Hanuni urdhëroi që t’i fyenin dhe t’i turpëronin. Davidi u zemërua shumë kur pa lajmëtarët e tij të poshtëruar. 10:6-8 Sapo amonitët mësuan një gjë të tillë, u përgatitën për luftë kundër Izraelit duke ftuar sirët nga veriu (1 i Kronikave 19). Kështu njerëzit e Davidit, nën Joabin, u përballën me dy ushtri – sirët dhe amonitët. Xhon Heleji (John Haley) jep shpjegimin e mëposhtëm të mospërputhjeve të dukshme midis vargut 6 dhe 1 Kronikave 19:6,7. Beth-Rehobi ishte një ndër mbretëritë e vogla të Mesopotamisë, ashtu siç ishin Maakahu, Tsobasi dhe Tobi monarki të vogla të Sirisë. Prandaj emrat dhe numrat përputhen si vijon {{11}}: 2 Samuelit Sirët e Beth-Rehobit dhe Tsobasit 20.000 Sirët e Tobit 12.000 Sirët e Maakahut 1.000 Shuma 33.000 1 Kronikave Sirët nga Tsobasi etj. 32.000 Sirët e Maakahut (nuk jepet numri) [1.000] Shuma 33.000 10:9-14 Joabi i ndau njerëzit e tij në dy grupe. Ai vetë komandonte disa nga ushtarët më të mirë të Izraelit në një ndeshje kundër sirëve. Vëllai i tij Abishai udhëhoqi pjesën tjetër të izraelitëve kundër bijve të Amonit. Të dy gjeneralët pranuan t’i dërgonin ndihmë njëri-tjetrit nëse kërcënohej ndonjëri prej tyre. Atëherë amonitët e frikësuar u tërhoqën në qytetin e tyre (mbase në Rabah). 10:15-19 Pa kaluar shumë kohë sirët organizuan përsëri forcat e tyre dhe kërkuan ndihmë nga shtetet e tjerë sire. Ata marshuan deri afër Helamit, në lindje të Jordanit (nuk njihet vendi i saktë), ku u ndeshën me ushtrinë e Davidit dhe u mundën. Izraelitët shkatërruan shtatëqind qerre dhe dyzet mijë kalorës (sipas 1 i Kronikave 19:18 humbjet janë “shtatë mijë qerre dhe dyzet e dy mijë këmbësorë”. Uilliamsi hedh idenë se ka pasur një brigadë kalorësish prej 40.000 njerëzish me 700 qerre të lehta dhe një brigadë këmbësorie prej 40.000 njerëzish me 7.000 qerre të rënda) {{12}}. Kjo betejë i bindi sirët për fuqinë e Davidit, kështu që ata bënë paqe me Izraelin dhe nuk pranuan të ndihmonin përsëri bijtë e Amonit.
[previous][next]
[[1]] (1:17,18) Cituar nga Keil dhe Delitzsch, “The Books of Samuel” në “Biblical Commentary on the Old Testament”, VII: 286, 287.[[1]] [[2]] (3:31-39) William Hoste dhe William Rodgers, Bible Problems and Answers, f. 214.[[2]] [[3]] (5:22-25) Keil dhe Delitzsch mbështesin se Gabaoni “është pa dyshim fjala e duhur dhe Geba një gabim gjatë shkrimit”, sepse Geba është në vendin e gabuar për këtë rrëfim (“Samuel”, VII:326).[[3]] [[4]] (7:16,17) Irving L. Jensen, I and II Samuel, f. 92.[[4]] [[5]] (7:18-29) William Garden Blaikie, “The Second Book of Samuel” në Expositor’s Bible, f. 105.[[5]] [[6]] (8:3-8) Ka pak pështjellim kur krahasojmë v. 4 me 1 Kronikave 18. Vargu 4 thotë se një mijë qerre (fjala qerre është nënkuptuar nga përkthyesit), shtatëqind kalorës u kapën, ndërsa te 1 Kronikave 18:4 thuhet se u kapën shtatëmijë kalorës. Numri te 2 Samuelit mund të jetë i një beteje të vetme, ndërsa te 1 Kronikave mund të jetë shuma e kapur gjatë konfliktit. Ose kjo mund të ketë qenë thjesht një gabim i kopjuesit.[[6]] [[7]] (8:13) Nëse versioni “Sirian” (hebraisht Aram) është i saktë këtu, mund të nënkuptojë se edomitët (hebraisht Edom) kërkuan ndihmë prej tyre. Megjithatë, meqë Arami dhe Edomi shqiptohen gati njësoj në tekstin bashkëtingëllor hebraik (“r” dhe “d” zakonisht ngatërrohen gjatë kopjimit) mund të jetë një gabim i kopjuesit.[[7]] [[8]] (8:13) Jo të gjithë komentuesit konservativë besojnë se mbishkrimet e psalmeve janë origjinale, por autori dhe botuesi i BBS-së po.[[8]] [[9]] (8:13) Eugene H. Merrill, “2 Chronicles” në The Bible Knowledge Commentary, f. 608.[[9]] [[10]] (9:1-13) Megjithatë, ndërsa “Lo” do të thotë përfundimisht “jo”, zanoret standarde për “kullotë” janë d_ber, jo debar. Bashkëtingëlloret dbr mund të nënkuptojnë “fjalë” ose “gjë” në hebraisht. Një përkthim i mundshëm mund të jetë “asnjë gjë” ose “asgjë”.[[10]] [[11]] (10:6-8) John Haley, Alleged Discrepancies of the Bible, f. 321.[[11]] [[12]] (10:15-19) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 166.[[12]]