Kthimi i robërve nën udhëheqjen e Esdrës (Esdra 7-10)

A. Autorizimi bujar i Artasersit (kapitulli 7)

7:1-5 Midis kapitujve 6 e 7 kanë kaluar rreth pesëdhjetë e tetë vjet (shikoni grafikun “KRONOLOGJIA E ESDRËS, NEHEMIAS DHE ESTERIT” te hyrja). Gjatë kësaj kohe Dari u pasua nga Asuero (Kserksi). Mbretërimi i tij përfshin ngjarjet e regjistruara në Librin e Esterit. Pas tij erdhi në fron Artasersi (Longimanus), përmendur në vargun 1. Një gjenealogji e shkurtër e Esdrës jepet në vargjet 1-5 për të treguar paraardhjen e tij priftërore. Kembëll Morgani (G. Campbell Morgan) komenton: Si lajmëtarë të vullnetit të Perëndisë, skribët zunë vendin e profetëve, me këtë ndryshim: në vend që të merrnin zbulime të reja, ata shpjegonin dhe zbatonin të vjetrat. Për këtë urdhër të ri Esdra ishte një herë themeluesi dhe shembulli… Ai ishte ekspert në paraqitjen dhe zbatimin e Ligjit. Cilësitë për një punë të tillë janë të qartësuara në fjalinë rreth tij në vargun e dhjetë të këtij kapitulli. Ai “i ishte kushtuar me gjithë zemër të studionte…, ta zbatonte dhe të mësonte… ligjin e Zotit” [10]. 7:6-10 Përveç gjenealogjisë së dalluar, Esdra ishte një shkrues kompetent në ligjin e Moisiut. Me siguri Esdra ishte një njeri i Librit dhe një ilustrim i gjallë i tri vargjeve të para të Psalmit 1 [11]. Ngaqë mendonte thellë mbi Ligjin e Zotit ditë e natë, ai përparoi në atë që u përpoq të bënte për Perëndinë. Jehovahu edhe një herë e drejtoi zemrën e një mbreti pagan për të zbatuar këshillat e Tij. Një dekret i nxjerrë më pas bëri të mundur një kthim të dytë në Jerusalem, këtë herë nën udhëheqjen e Esdrës. 7:11-26Mbreti Artasers i Persisë i dha fuqi të mëdha Esdrës në këtë letër të regjistruar këtu. Çdo izraelit që dëshironte mund ta shoqëronte për në Jerusalem, ku duhej të bënte hulumtime nëse çdo gjë po bëhej sipas ligjit të Moisiut. Dhurata bujare iu dhanë nga mbreti dhe këshilltarët e tij. Këto, bashkë me të gjitha enët e tempullit, që akoma ndodheshin Babiloni, iu dorëzuan atij. Dhuratat duhej të përdoreshin për të mirëmbajtur shërbimet në tempull dhe çdo gjë tjetër shtesë duhej të shpërndahej sipas maturisë së Esdrës. Nëse kjo nuk do të mjaftonte, argjendi, mielli, vera, vaji dhe kripa duhej të siguroheshin në sasi të pakufizuar nga thesari mbretëror. Katër elementet e fundit ishin përbërja thelbësore në sistemin judaik të flijimeve. Ata që shërbenin në tempull ishin të përjashtuar nga taksat. Së fundi, dekreti i dha Esdrës fuqinë politike që të caktonte zyrtarë dhe gjyqtarë për judenjtë që jetonin në perëndim të lumit Eufrat. Këta gjyqtarë duhej të mësonin dhe të forconin ligjet e Perëndisë. 7:27,28 Në lutjen e tij falënderuese, Esdra bekoi Perëndinë për drejtimin e zemrës së mbretit, që të zbukuronte tempullin dhe e falënderoi përulësisht për dhënien e forcës për të ndërmarrë një punë të tillë të rëndësishme. I trimëruar nga dora e Zotit mbi të, Esdra mblodhi krerët e Izraelit që të niseshin me të në Jerusalem [12].

B. Regjistrimi i të kthyerve (8:1-14)

8:1-14 Ky paragraf i parë rendit ata që shkuan në Jerusalem me Esdrën nga Babilonia. Disa nga po këto familje ishin kthyer nën drejtimin e Zorobabelit vite më parë (kapitulli 2). Gati 1 500 meshkuj bënë këtë ekspeditë të dytë.

C. Rrëfimi i udhëtimit në Jerusalem (8:15-36)

8:15-20 Ndërsa kishin ndaluar pranë lumit të Ahavës (vend i panjohur), Esdra vuri re se nuk kishte levitë në kompaninë e tij, kështu që caktoi njëmbëdhjetë vëllezër udhëheqës të shkonin në Kasifias, ku e dinte se kishte levitë, për t’u dhënë zemër levitëve dhe për t’u bashkuar me shërbëtorët në tempull. Kështu u përgjigjën tridhjetë e tetë levitë dhe dyqind e njëzet nethinenj (shërbëtorë). 8:21-23 Para se judenjtë të ndërmerrnin udhëtimin prej 1 350 kilometrash, fushuan pranë lumit Ahava dhe atje Esdra shpalli një agjërim. Ai më parë kishte dëshmuar mirësinë dhe fuqinë e Perëndisë ndaj mbretit. Nëse kërkonte një truprojë ushtarake tani, do të thoshte të mohonte fjalët e tij me anë të veprimeve. Në vend të kësaj e vuri besimin e tij në personin e duhur, duke besuar në Perëndinë që kënaqet në shpëtimin e atyre që e dëgjojnë. Ata nuk do të zhgënjehen. Ai e dëgjoi lutjen e tyre. 8:24-34 Paratë dhe pajisjet që i ishin dhënë Esdrës iu peshuan dymbëdhjetë krerëve të priftërinjve dhe levitëve. Meqë këto gjëra ishin të shenjta (të veçuara për përdorim të shenjtë), ato duhej të mbaheshin nga njerëz që ishin të shenjtë. Pas një udhëtimi prej një muaj e gjysmë, tërë grupi mbërriti në Jerusalem pa asnjë ndodhi të papëlqyeshme. Sapo mbërritën në Jerusalem, argjendi, ari dhe veglat u peshuan përsëri dhe iu dhanë atyre që kishin detyrat në tempull. 8:35,36 Urdhri i parë i punës për të mërguarit ishte të ofronin olokauste dhe flijim për mëkatin në altarin e Jehovahut për tërë Izraelin. Kur ishin kujdesur për detyrimet e tyre frymërore, ua dorëzuan dekretet e mbretit zyrtarëve të tij në provincat perëndimore, që, nga ana e tyre, ua shpërblyen.

Ç. Martesat e përziera dhe lutja e rrëfimit të Esdrës (kapitulli 9)

9:1,2 Nuk kishte kaluar shumë kohë që Esdra ndodhej në Jerusalem kur disa nga krerët iu afruan me lajmin shqetësues se udhëheqësit dhe populli kishin bërë lidhje martesore me paganët. Ky ishte një ndër mëkatet për të cilin Izraeli ishte ndëshkuar në kohët e mëparshme. Ligji ishte i qartë (Eksodi 34:16; LiP. 7:3). Populli i Perëndisë duhej të ishte i shenjtë. Ai donte që ata të ndaheshin nga bota dhe nga çdo gjë tjetër e ligë. 9:3,4 Esdra ngeli i shtangur kur dëgjoi rreth këtyre martesave të përziera. Ai mbajti zi të thellë deri në blatimin e mbrëmjes. Me mantelin e grisur dhe tufat e flokëve që ishin shkulur nga koka dhe mjekrau ul në heshtje, ndërsa të tjerët që kishin frikë Zotin u mblodhën rreth tij. 9:5-15 Ndërsa gjaku i blatimit të mbrëmjes po derdhej para Jehovahut për paudhësitë e popullit, Esdra ra në gjunjë dhe ngriti zërin e tij në rrëfim. Duke e quajtur mëkatin e popullit si të vetin, ai u përul ngaqë ishin përgjigjur aq ligësisht ndaj hirit që i kishte ruajtur si një mbetje përmes gjykimeve të shkuara dhe u kishte dhënë një strehë në vendin e tij të shenjtë (v. 8). Kjo “strehë” flet për sigurinë e dikujt apo të diçkaje që varet nga Perëndia. Disa së fundi, si për shembull Ajronsaidi, besojnë se i referohet Vetë Krishtit: Referenca e “strehës” është pa dyshim një miratim i profecisë së Isaias, të “gozhdës në një vend të sigurt”, mbi të cilën duhej të varej lavdia e Jehovahut, që është, në kuptimin e plotë të fjalës, Vetë Krishti (Isa. 22:21-25) [13]. Profetët kishin folur qartë për martesat e përziera, kështu njerëzit nuk mund të shfajësoheshin, sidomos nën dritën e favoreve të fundit që Perëndia u kishte bërë. “Ja ku jemi para Teje me fajin tonë”. Nuk kishte mbetur asgjë tjetër për të thënë.

D. Besëlidhja e judenjve për të larguar gratë dhe fëmijët e huaj (kapitulli 10)

10:1-5 Lutja e rrëfimit të Esdrës bëri që populli të qante me të madhe. Duke vepruar si një zëdhënës, Shekaniahu rrëfeu mëkatin e tyre, por i kujtoi Esdrës se kishte ngelur akoma shpresë nëse rrëfimi i tyre pasohej me braktisjen e zgjedhës së pabarabartë. Ai hodhi idenë se Esdra duhet t’i udhëhiqte për të bërë një besëlidhje…, t’i kthenin gratë dhe bijtë e huaj. Priftërinjtë, levitët dhe tërë Izraeli iu përgjigjën kësaj kërkese me një pendim kombëtar dhe u betuan. 10:6-8 Tërë të mërguarve iu bë thirrje të mblidheshin në Jerusalem për një kohë solemne rrëfimi publik. Ata që nuk pranonin të shkonin të trajtonin çështjen brenda tri ditëve u kërcënuan me humbjen e pasurisë dhe përjashtimin. 10:9-11 Brenda tri ditëve, për t’iu përgjigjur urdhrit, gjithë burrat e Judës dhe të Beniaminit nxituan për në Jerusalem nga qytetet përreth. Moti i keq nuk i pengoi, sepse çështja për t’u zgjidhur ishte shumë e rëndë dhe kishte shkaktuar më tepër frikë, sesa moti me shi. Esdra u foli të mbledhurve, duke u treguar shkeljet e tyre. 10:12-17Tërë asambleja duhej të dinte menjëherë se nuk i ishte bindur ligjit të Perëndisë. Po për shkak të shirave të mëdha dhe numrit të madh të rasteve, ata hodhën idenë që rastet individuale të shqyrtoheshin qytet më qytet. Katër burra u përpoqën ta kundërshtonin planin, por nuk ia dolën. U caktuan gjyqtarë dhe në më pak se dy javë filloi hetimi. Brenda tre muajsh hetimi mbaroi. 10:18-44 Ata që u gjendën të martuar me gra të huaja renditen në vargjet 18-43: në fillim priftërinjtë (v. 18-22), më pas levitët (v. 23,24) dhe së fundi izraelitët (v. 25-43). Vargu 44 thotë: Tërë këta ishin martuar me gra të huaja; dhe disa nga këta kishin pasur fëmijë nga këto gra. Edhe pse nuk thuhet, ka mundësi se u bë një mbështetje financare për këta gra e fëmijë. Zgjedha e pabarabartë është ende e ndaluar (2 Kor. 6:14-18). Nuk duhet të gjendet midis bijve të Perëndisë. Por 1 Korintasve 7:12,13 është rregulli i DhR për ata që tashmë janë të martuar me një jobesimtar kur kthehen në besim. Nën hir, besimtarit nuk i duhet të dëbojë jobesimtarin apo fëmijët. Këta të fundit janë veçuar në një pozitë privilegji të jashtëm nga besimtari. Libri i Esdrës është një studim për gjallërimin. Kur njerëzit lexojnë Fjalën e Perëndisë dhe i zbatojnë të vërtetat e saj në jetët e tyre, kur lutjet ndërmjetësuese vërshojnë për shenjtorët dhe kur ka një rrëfim dhe ndarje nga mëkati i gjetur, do të kenë fuqi në kishë për të bërë gjëra të mëdha për Perëndinë.
SHËNIME
[4] (2:59-63) Ne nuk e dimë me saktësi se çfarë ishin Urimi dhe Thumimi: “Mbase dy gurë të çmuar, të cilët ishin vënë brenda trastës. Ata mund të jenë përdorur si zare për të gjetur vullnetin e Perëndisë” (Ryrie Study Bible, versioni New King James, f. 135). Shikoni gjithashtu Eksodi 28:30, Lev. 8:8, Num. 27:21, LiP. 33:8, 1 Sam. 28:6, Neh. 7:65. [5] (3:1-7) Jozueu (apo “Yeshua”) është forma hebraike e emrit Jezus. [6] (4:6) Vargjet 6-23 gjenden më pas në kronologjinë e përgjithshme. Shikoni grafikun “Kronologjia e Esdrës, Nehemias dhe Esterit”. [7] (4:7-23) Librat e lashtë në anglisht zakonisht e quanin këtë gjuhë “kaldease”. [8] (6:16) Edward Denett, Exposition of the Book of Ezra: Restoration from Babylon, f. 55. [9] (6:17-22) Edward Denett, Exposition of the Book of Ezra: Restoration from Babylon, f. 55,56. [10] 7:1-5 G. Campbell Morgan, Searchlights from the Word, f. 131. [11] (7:6-10) Edhe pse Psalmit 1 nuk i njihet autori, shumë studiues biblikë besojnë se Esdra është autori njerëzor (ashtu si Psalmi 119, që flet rreth Fjalës së Perëndisë). [12] (7:27,28) Në Bibël, të shkosh në Jerusalem, do të thotë gjithnjë “të ngjitesh”, pavarësisht se nga ç’anë vije. Ky ishte njëri kuptim, sepse qyteti ndodhet në malet e Judesë. Mbase, gjithashtu, ka një zbatim frymëror: të shkosh në shtëpinë e Perëndisë do të thotë gjithmonë “të ngjitesh”. [13] (9:5-15) H. A. Ironside, “Notes on the Book of Ezra”, te Notes on Ezra, Nehemia and Esther, f. 90.
BIBLIOGRAFI
Dennett, Edward. Exposition of the Book of Ezra: Restoration from Babylon. Oak Park, IL: Bible Truth Publishers, 1956. Ironside, H. A. “Ezra”, te Notes on Ezra, Nehemia and Esther. Neptune, NJ: Loizeaux Brothers, 1972. Jensen, Irving L. Ezra/Nehemia/Esther. Chicago: Moody Press, 1970. Keil, C. F. “Ezra”, te Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 10. Grand Rapids: Wm. B.Eerdmans Publishing Co., 1971. Kidner, Derek, Ezra and Nehemia. The Tyndale Old Testament Commentaries. Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 1979. Rawlinson, George. “Ezra”, te The Pulpit Commentary. Vëll. 15. Bot. nga H. D. M. Spence. New York: Funk and Wagnalls, 1909.
[previous][next]