Esdra

Libri i Esdrës është një vepër e një karakteri aq të thjeshtë, sa është e panevojshme për t’i bërë një ‘hyrje’… Ky libër është një rrëfim i plotë e i drejtpërdrejtë i një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë judaike – kthimi i popullit të Perëndisë nga robëria babilonase… Shumë pak vend zë ajo që është drejtpërdrejt didaktike: shkrimtari e rrëfen historinë në mënyrën më të plotë që mundet dhe e lë historinë që të mësojë mësimin e vet.George Rawlinson

I. Vend unik në Kanun

Më parë në histori Esdra dhe Nehemia ishin një libër i vetëm në Biblën hebraike, por të veçuar (si në Biblën moderne) ishin, pa dyshim, edhe më të hershëm, sepse Esdra 2 dhe Nehemia 7 janë, nga ana pamore, të njëjtë. Një përsëritje e tillë nuk do të ndodhte kurrë në një libër.

Libri i Esdrës është një histori frymërore ose fetare. Ai na tregon se një libër që përfshin shumë dokumente nga burime të tjera mund të bëhet pjesë e rrëfimit të frymëzuar me anë të përzgjedhjes dhe rregullimit të Frymës së Shenjtë.

Nga 280 vargjet tek Esdra kemi renditjen e mëposhtme më të pazakontë për një libër biblik:

111 vargje: regjistra
109 vargje: rrëfyese
44 vargje: letra
3 vargje: shpallje
3 vargje: ekstrakt
= 280 vargje. [1]

II. Autorësia

Edhe pse libri është anonim, përpilimi i frymëzuar i kujtimeve të personit të parë (shikoni 7:25- 9:15), i gjenealogjive dhe i dokumenteve tregojnë se ka gjasa të jetë vepër e Esdrës. Dokumentet zyrtare, tepër logjike, janë në aramaisht, gjuha zyrtare e johebrenjve, përdorur si gjuha më e përhapur gjatë kohës së Esdrës dhe Nehemias. Rreth një e katërta e librit të Esdrës është në këtë gjuhë [2]. Forma e mrekullueshme e alfabetit që ne e quajmë “hebraik” është huazuar nga aramaishtja, një gjuhë simotër semitike.

III. Data

Një bashkësi judaike e shekullit të pestë para K., që jetonte në Elefanti, në lumin egjiptian, lanë pas papiruse në aramaisht, të ngjashme me atë të Esdrës dhe Nehemias. Kjo mbështet më fort datën tradicionale, shekullin e pestë për këto libra, sesa nocionin liberal të epokës së Aleksandrit të Madh (rreth 330 para K.).

Esdra besohet se e ka shkruar librin e tij midis ngjarjeve në fund të kapitullit 10 (456 para K.) dhe mbërritjes së Nehemias në Jerusalem (viti 444 para K.). Grafiku i mëposhtëm kronologjik do të na ndihmojë për të kuptuar librat e Esdrës, Nehemias dhe Esterit:

Kronologjia e Esdrës, Nehemisë dhe Esterit
(Datat janë të përafërta)

538 para K. Dekreti i Kirit për të rindërtuar tempullin.
538/537 p. K. Ekspedita e Zorobabelit në Jerusalem.
536 para K. Hedhja e themeleve të tempullit.
535 para K. Ndalimi i punës në tempull.
520 para K. Shërbesa e Hagait dhe e Zakarias.
520 para K. Dekreti i Darit për të rifilluar punën në tempull.
516 para K. Përfundimi i tempullit.
486 para K. Fillimi i mbretërimit të Asueros (Kserksit).
479/478 p.K. Kurorëzimi i Esterit si mbretëreshë.
464 para K. Fillimi i mbretërimit të Artasersit.
458 para K. Ekspedita e Esdrës në Jerusalem.
444 para K. Mbërritja e Nehemias në Jerusalem.
444 para K. Përfundimi i mureve të Jerusalemit.
420 para K. Udhëtimi i dytë i Nehemias në Jerusalem.

IV. Sfondi dhe tema

Ndërsa hapet libri i Esdrës, mbaron Perandoria Neobabilonase dhe profecia e Jeremias rreth ripërtëritjes së judenjve në vendin e tyre po përmbushet (Jer. 29:10-14).

Te kapitujt 1-6 ekspedita e parë për në Izrael bëhet nën udhëheqjen e Zorobabelit. Gjëja e parë që bëjnë të mërguarit e kthyer është ndërtimi i altarit të olokaustit, pasuar nga shtëpia e Zotit. Ndërtimi i kësaj të fundit shoqërohet me shumë kundërshtime nga armiqtë e popullit të Perëndisë, por gjithashtu me nxitjen e profetëve Hagai dhe Zakaria.

Midis kapitujve 6 e 7 ekziston një periudhë rreth 58-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe ndodh historia dramatike e mbretëreshës Ester, në historinë e shenjtë, dhe betejat e famshme të Maratonës, Termopileve dhe Salaminës në historinë botërore [3].

Kapitujt 7-10 rrëfejnë udhëtimin e Esdrës për në Jerusalem rreth vitit 458 para K., me një detyrë nga mbreti Artasers Longimanus. Përpjekjet vetjake të Esdrës për të reformuar popullin paraqiten me hollësi në këta kapitujt.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. KTHIMI I ROBËRVE NË JERUSALEM NËN UDHËHEQJEN E ZOROBABELIT (kapitujt 1-6)
A. Dekreti i Kirit (1:1-4)
B. Përgatitjet dhe furnizimet (1:5-11)
C. Regjistrimi i të kthyerve (kapitulli 2)
Ç. Ndërtimi i altarit dhe i themeleve të tempullit (kapitulli 3)
D. Kundërshtimet në rindërtimin e tempullit (kapitulli 4)
1. Në mbretërimin e Kirit (4:1-5,24)
2. Në mbretërimin e Asueros (4:6)
3. Në mbretërimin e Artasersit (4:7-23)
E. Nxitja e Hagait dhe e Zakarias për të rindërtuar (5:1,2)
Ë. Kundërshtimi gjatë mbretërimit të Darit (5:3-17)
F. Përfundimi i tempullit përmes një dekreti të favorshëm të Darit (kapitulli 6)
II. KTHIMI I ROBËRVE NËN UDHËHEQJEN E ESDRËS(kapitujt 7-10)
A. Autorizimi bujar i Artasersit (kapitulli 7)
B. Regjistrimi i të kthyerve (8:1-14)
C. Rrëfimi i udhëtimit në Jerusalem (8:15-36)
Ç. Martesat e përziera dhe lutja e rrëfimit të Esdrës (kapitulli 9)
D. Besëlidhja e judenjve për të larguar gratë dhe fëmijët e huaj (kapitulli 10)

[1] Kjo pasqyrë paraqitet nga W. Graham Scroggie, Know Your Bible, Vëll. I, Dhiata e Vjetër, f. 90 (sipas tij numri i përgjithshëm ishte 880, që, pa dyshim, është një gabim në shkrim).[[1]]

[2] 4:8 – 6:18 dhe 7:12-26 janë në gjuhën aramaike.[[2]]

[3] Scroggie, Know Your Bible, Vëll. I, f. 91.[[3]]




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. ↵ Kthehu mbrapa
  3. ↵ Kthehu mbrapa