Një pasqyrë dhe shqyrtim (Gjyqëtarët 1:1-3:6)

A. Shikimi prapa (1:1-2:10)

1:1-3 Pas vdekjes së Jozueut (kr. 2:8) fisi i Judës mori udhëheqësinë për të luftuar kundër kanaanenjve në jug. Në vend të premtimit të Perëndisë për fitore, Juda kërkoi ndihmën e fisit të Simeonit, duke treguar se besimit të tyre i mungonte varësia e plotë në Fjalën e Perëndisë. 1:4-7 Fitorja e tyre e parë qe mbi banorët e Bezekut. Pasi vranë dhjetë mijë burra, prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve të mbretit, ashtu siç ua kishte bërë ai armiqve të vet. Ai duhej të vritej, ashtu siç kishte thënë Zoti (LiP. 7:24), por në vend të kësaj atë vetëm sa e gjymtuan. Më pas e çuan në Jeruzalem, ku më vonë vdiq. Kjo qe shenjë paralajmëruese e mosbindjes së Izraelit në lidhje me paganët në tokën e tyre. Në vend që t’i shfarosnin plotësisht, izraelitët vetëm sa i lëndonin. Një bindje e tillë e pjesshme ishte mosbindje dhe do t’u kushtonte shumë judenjve në ditët që do të vinin. 1:8Juda pati një farë suksesi kundër Jeruzalemit, duke i vënë flakën qytetit. Por as Juda, as Beniamini nuk mundën të dëbonin jebusenjtë jashtë kështjellës së tyre (shikoni komentin te Joz. 15:21-63). Kjo nuk u bë deri në kohën e Davidit (2 i Samuelit 5:6,7). 1:9-15 Pushtimi i Hebronit i cilësohet këtu Judës; Jozueu 14 e 15 na tregojnë se Kalebi ishte përgjegjësi për pushtimin e këtij qyteti. Nuk ka asnjë mospërputhje këtu, meqë Kalebi i përkiste fisit të Judës. Këto vargje (9,10) mbase i referohen pushtimit të qytetit nga ana e Kalebit (kr. v. 20) dhe jo një ekspedite të mëvonshme pas vdekjes së Jozueut, edhe pse pushtimi i Kirjath-Seferit nga Othnieli përsëritet në vargjet 11-15, dhe ndodhi më parë (Joz. 15:16-19). 1:16 Keneitët vazhduan të banonin me bijtë e Judës, edhe pse nuk qenë kurrë të kthyer. 1:17-21 Pushtime të tjera të Judës përfshijnë Hormahun, Gazën, Askalonin dhe Ekronin, por fitoret nuk qenë të plota. Banorët e krahinës malore kishin qerre të hekurta dhe Juda nuk kishte besimin për të ndërmarrë një sulm kundër tyre. Ata nuk deshën të qëndronin në rrethana të vështira. Vargu 21 tregon se libri i Gjyqtarëve u shkrua para se Davidi të pushtonte Jeruzalemin. 1:22-26 Vetëm dy fiseve të Jozefit iu cilësuan fitoret (këto vargje mbase i referohen pushtimit të Bethelit ndërsa Jozueu ishte akoma gjallë [Joz. 12:16], ashtu si vargu i parë që fliste për Hebronin dhe Kirjath-Seferin kujtojnë ditët e atij gjenerali të madh). Ata sulmuan qytetin e Bethelit, që më parë quhej Luc, dhe e shkatërruan. Por gabimi i tyre ishte që i dhanë siguri një bashkëpunëtori. Ai menjëherë filloi të ndërtonte një qytet tjetër me emrinLucnë vendin e hitenjve. Mëkati i pagjykuar mbijeton dhe do të haset më vonë. 1:27-36 Në pjesën tjetër të kapitullit përmenden disa fise qendrore dhe veriore që dështuan në dëbimin e kanaanenjve nga territori i tyre: Beniamini (v. 21), Manasi (v. 27,28), Efraimi (v. 29), Zabuloni (v. 30), Asheri (v. 31,32), Neftali (v. 33) dhe Dani (v. 34-36). 2:1-5Engjëlli i Zotit (Zoti Jezus) e qortoi popullin në Bokim (vajtues) për mosbindjen e tyre. Vargu 1 thotë se Ai u ngjit nga Gilgali (vendi i bekimit) në Bokim (vendi i vajtimit). Izraeli kishte shkuar nga vendi i fitores në vendin e zisë. Ata kishin dështuar në dëbimin e kanaanenjve dhe në shkatërrimin e altareve të tyre idhujtare. Prandaj Zoti nuk pranoi të dëbonte banorët e vendit, por në vend të kësaj do t’u lejonte atyre që t’u bënin keq izraelitëve. Vargjet 1-5 japin arsyen mbështetëse për shtypjen që pasoi. Nuk është për t’u çuditur që populli filloi të qajë dhe e quajtën atë vend Bokim! 2:6-10 Vargjet 6-10 përmbledhin fundin e jetës së Jozueut dhe të brezit që jetoi pas tij. Te LiP. 6 Zoti i dha disa urdhërime të veçanta popullit të Tij. Dështimi ndaj bindjes së tyre solli gjendjen e trishtueshme të përshkruar në vargun 10, ku duket një mungesë e udhëheqësisë frymërore në popullin e Perëndisë. Brezi i mëparshëm nuk i kishte mësuar bijtë e tyre të kishin frikë nga Zoti dhe të zbatonin urdhërimet e Tij. Moskokëçarja e etërve çoi në mohimin e besimit nga bijtë e tyre.

B. Shikimi para (2:11-3:6)

2:11-19 Vargjet që mbeten, nga ana tjetër, japin një paraqitje të tërë periudhës së gjyqtarëve. Ato paraqesin ciklin e katërfishtë që karakterizonte atë kohë: Mëkati (v. 11-13) Skllavëria (v. 14,15) Përgjërimi (nuk përmendet në këtë pjesë, por shikoni 3:9; 3:15; 4:3 etj.) Shpëtimi (v. 16-18) Ky shembull sjelljeje është përshkruar gjithashtu si: Rebelimi Hakmarrja Pendimi Paqja Kjo përmbledhje e librit të Gjyqtarëve (v. 11-19), ashtu siç tregon edhe Jenseni, nxjerr në pah dy të vërteta të kundërvëna njëra me tjetrën, të dukshme gjatë tërë librit: 1. Ligësia e pashpresë e zemrës njerëzore, duke shfaqur mosmirënjohjen, kryeneçësinë, rebelimin dhe marrëzinë e saj; 2. Dashamirësia, durimi, dashuria dhe mëshira e Perëndisë. Asnjë libër tjetër në Bibël nuk i sjell këto dy të vërteta në një përqasje të mprehtë – dështimi i plotë i Izraelit dhe hiri i përhershëm i Jehovahut![2] 2:20-23 Ngaqë Izraeli vazhdoi me mosbindjen, Perëndia vendosi të lejojë kombet të mbeteshin në vend, si ndëshkim mbi popullin e Tij (v. 20-23). Ndëshkimi për mosbindjen nuk ishte arsyeja e vetme pse Zoti nuk i dëboi kanaanenjtë. Ai i la për të vënë në provë Izraelin (v. 22; 3:4) dhe për të përgatitur brezat e ardhshëm për luftë (3:1,2). Mund të nxjerrim mësime nga kjo, pse Zoti lejon që besimtarët të hasin probleme dhe prova. Ai dëshiron të dijë nëse “do t’i përmbahen rrugës së Zotit ose jo” (v. 22). 3:1-4Kombet që u lanë si provë për Izraelin renditen në vargun 3: pesë princat e filistenjve, tërë kanaanenjtë, sidonitët dhe hivenjtë që banonin në malin e Libanit. Tani fillon cikli i parë: mëkati (v. 5-7), skllavëria (v. 8), përgjërimi (v. 9a), shpëtimi (v. 9b-11). 3:5,6 Na jepen gjashtë nga shtatë kombet midis të cilëve jetonin izraelitët. Kombeve të renditura në vargun 3, këtu u shtohen edhe hitenjtë, amorenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë. Kombi i shtatë ishin girgasenjtë (Joz. 3:10; 24:11). Koheni (Dr. Cohen) tregon me saktësi fillimin e çdo cikli si më poshtë: Izraelitët nuk ia vunë veshin paralajmërimit të Moisiut (LiP. 7:3) dhe u martuan me vendasit, duke pasur si pasojë birësimin me kultet e tyre joshëse [3].
[previous][next]