Gjyqtarët

Në librin e Gjyqtarëve ka shumë ndodhi që mund të trishtojnë zemrën e lexuesit; mbase asnjë libër në Bibël nuk ia dëshmon kaq qartësisht brishtësisë sonë njerëzore. Por ka gjithashtu shenja të pagabueshme të dhembshurisë dhe dashamirësisë hyjnore… Përsa u përket jetëve të këtyre shpëtimtarëve të vegjël, mund të themi se lind nevoja e një Shpëtimtari më të madh në kohët moderne, me një jetë të panjollë, që është i zoti të kryejë një çlirim të përsosur, jo vetëm për një kohë, por për tërë përjetësinë.Arthur E. Cundall

I. Vendi unik në Kanun

Dhënia fuqi dobësisë njerëzore prej Perëndisë është renditur në mënyrë të përveçme në këtë libër mahnitës. Në fakt, në një farë kuptimi, libri i Gjyqtarëve është një koment mbi tri vargje: “Por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jofisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara Tij” (1 e Korintasve 1:27-29). Për shembull, Ehudi ishte një beniaminit mëngjarash (3:12-30), dora e majtë mendohet se është më e dobët se e djathta. Shamgari përdori një hosten qesh, një vegël e përçmuar, me të cilën vrau 600 armiq (3:31). Debora ishte pjesë e “seksit të dobët” (edhe pse vetë nuk ishte e dobët! 4:1-5:31). 10.000 ushtarët e këmbësorisë së Barakut ishin një krahasim i mjerë, nga ana njerëzore, me 900 qerret e hekurta të Siserës (4:10,13). Jaela, gjithashtu pjesë e seksit të dobët, vrau Siserën duke i ngulur një kunj çadre në tëmth (4:21). Ajo e përdori kunjin me të majtën (5:26, versioni Septuagint). Gedeoni marshoi kundër armikut me një ushtri që Zoti e zvogëloi nga 32.000 në 300 (7:1-8). Buka prej elbi, ushqimi i të varfërve, hedh idenë e varfërisë dhe të dobësisë (7:13). Armët e papërshtatshme të ushtrisë së Gedeonit ishin shtambat e baltës, pishtarët dhe boritë (7:16) dhe shtambat duheshin thyer (7:19). Abimeleku u vra nga dora e një gruaje që lëshoi mbi të gurin e mullirit (9:53). Emri “Tola” do të thotë krimb (10:1). Kur takojmë nënën e Sansonit, ai është pa emër, një grua me barrë (13:2). Dhe Sansoni vrau 1.000 filistenj me nofullën e një gomari (15:15).

II. Autorësia

Edhe pse Gjyqtarët është një libër anonim, Talmudi judaik dhe tradita e hershme e krishterë thonë se Gjyqtarët, Ruthi dhe Samueli u shkruan nga Samueli. Kjo mbështetet nga 1 i Samuelit 10:25, që tregon se profeti ishte shkrimtari. Gjithashtu, treguesit e brendshëm të datës së shkrimit përkojnë në fund të fundit me kohën e Samuelit.

III. Data

Data më e mirë për Gjyqtarët është në gjysmën e parë të shekullit të monarkisë (1050-1000 para K.) për arsyet e mëposhtme:

Para së gjithash, shprehja e përsëritur “në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael” (17:6; 18:1; 19:1; 21:25) hedh idenë se ka pasur një mbret në kohën e shkrimit të librit.

Së dyti, meqë 1:21 tregon se jebusenjtë ishin akoma në Jeruzalem, atëherë del nevoja e një date para pushtimit të qytetit nga Davidi. Së fundi, Gezeri, përmendur te 1:29, iu dha më vonë Salomonit nga faraoni si dhuratë martese, duke nënkuptuar një datë para asaj ngjarjeje. Prandaj mbretërimi i Saulit apo vitet e hershme të sundimit të Davidit duken shumë të ngjashme.

IV. Sfondi dhe tema

Libri i Gjyqtarëve shtjellon historinë e kombit të Izraelit pasi kishte vdekur brezi i Jozueut. Populli kishte dështuar në dëbimin e plotë të banorëve paganë të Kanaanit. Në fakt, ata ishin përzier me paganët dhe po praktikonin idhujtarinë. Si rrjedhojë, Perëndia në mënyrë të përsëritur e linte popullin e Tij në duart e shtypësve johebrenj. Kjo skllavëri i çonte judenjtë në pendim dhe thyerje zemre. Kur i thërrisnin Zotit për t’i çliruar, Ai nxirrte një gjyqtar. Nga këta udhëheqës merr emrin edhe vetë libri.

Ngjarjet në këtë libër zënë një hapësirë kohore prej rreth 325 vjetësh, nga Othnieli deri te Sansoni.

Gjyqtarët qenë më tepër udhëheqës ushtarakë sesa juristë të thjeshtë. Me anë të veprave heroike të besimit ata ushtronin gjykimin e Perëndisë, apo dëbonin shtypësit e tyre, duke vendosur një masë paqeje dhe lirie për popullin. Dolën dymbëdhjetë gjyqtarë për të çliruar Izraelin. Disave u kushtohet një hapësirë e madhe në libër, ndërsa të tjerët vetëm sa përmenden në një apo dy vargje. Ata dolën nga nëntë fise të ndryshme dhe çliruan popullin e tyre nga mesopotamitët, moabitët, filistenjtë, kanaanenjtë, madianitët dhe amorenjtë. Asnjë gjyqtar nuk sundoi mbi tërë Izraelin deri në ardhjen e Samuelit.

Libri i Gjyqtarëve nuk është domosdoshmërisht sipas një rendi kronologjik. Dy kapitujt e parë përmbajnë material hyrës, si historik ashtu edhe profetik. Vetë shkrimi i gjyqtarëve (kapitujt 3-16) nuk është domosdoshmërisht sipas një rendi kronologjik. Disa nga gjyqtarët mund t’i kenë pushtuar armiqtë e tyre në të njëjtën kohë, por në zona të ndryshme të vendit. Kjo është e rëndësishme për t’u kujtuar, meqë numri i viteve përmendur në libër, nëse do t’i shtonim në mënyrë të njëpasnjëshme, shkon mbi 400, që është më tepër nga sa lejon Bibla për këtë periudhë (Veprat e Apostujve 13:19,20 dhe 1 i Mbreterve 6:1).

Kapitujt mbyllës (17-21) paraqesin ngjarje që kanë ndodhur gjatë kohës së gjyqtarëve, por vihen në fund të librit për të dhënë një paraqitje të prishjes fetare, morale dhe qytetare në Izrael gjatë kësaj periudhe. Karakteri i kohëve përshkruhet mirë në këtë varg (17:6): “Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij”.

Nëse besojmë se çdo fjalë e Perëndisë është e pastër dhe se tërë Shkrimi është i dobishëm, atëherë rrjedh se libri i Gjyqtarëve përmban tema dhe mësime të rëndësishme nga ana frymërore për ne. Disa nga këto mësime fshihen pas emrave të pushtuesve johebrenj dhe gjyqtarëve që çliruan Izraelin. Pushtuesit paraqesin fuqitë e kësaj bote që përpiqen të fusin në skllavëri popullin e Perëndisë. Gjyqtarët simbolizojnë mjetet me anë të të cilave luftojmë luftën frymërore.

Në komentet tona kemi përfshirë zbatime praktike, shumë prej të cilave janë marrë nga veprat e vjetra klasike [1].

Ekziston gjithmonë rreziku i teprimit në studimin e simboleve. Jemi përpjekur të shmangim çdo interpretim që është i stërkërkuar apo imagjinar. Gjithashtu, duhet pranuar se domethëniet e disa prej emrave janë të paqarta. Ne kemi dhënë domethënie plotësuese atje ku ka qenë e mundur.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. NJË PASQYRË DHE SHQYRTIM (1:1-3:6)
A. Shikimi prapa (1:1-2:10)
B. Shikimi para (2:11-3:6)
II. KOHËT E GJYQTARËVE (3:7-16-31)
A. Othnieli (3:7-11)
B. Ehudi (3:12-30)
C. Shamgari (3:31)
D. Debora dhe Baraku (kapitujt 4,5)
1. Historia e tyre në prozë (kapitulli 4)
2. Historia e tyre në këngë (kapitulli 5)
E. Gedeoni (6:1-8:32)
1. Thirrja e Gedeonit për shërbim (kapitulli 6)
2. Treqindëshja e Gedeonit (kapitulli 7)
3. Fitorja e Gedeonit mbi filistenjtë (8:1-32)
F. Pushtimi i Abimelekut (8:33-9:57)
G. Tola dhe Jairi (10:1-5)
H. Jefteu (10:6-12:7)
1. Mjerimi i Izraelit (10:6-18)
2. Mbrojtja e Izraelit nga Jefteu (11:1-28)
3. Betimi i Jefteut (11:29-40)
4. Vrasja e efraimitëve nga Jefteu (12:1-7)
I. Ibtsani, Eloni dhe Abdoni (12:8-15)
J. Sansoni (kapitujt 13-16)
1. Trashëgimia e perëndishme e Sansonit (kapitulli 13)
2. Festa dhe gjëza e Sansonit (kapitulli 14)
3. Masakra shfarosëse e Sansonit (kapitulli 15)
4. Loja e dyfishtë e Delilës ndaj Sansonit (kapitulli 16)
III. KALBJA FETARE, MORALE DHE POLITIKE (kapitujt 17-21)
A. Themelimi fetar i Mikahut (kapitulli 17)
B. Mikahu dhe danitët (kapitulli 18)
C. Leviti dhe konkubina e tij (kapitulli 19)
D. Lufta me beniaminitët (kapitujt 20,21)




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (Hyrje) Këto janë përshtatur gjerësisht nga Grant-i, Jennings-i dhe Ridout-i (shikoni bibliografinë). ↵ Kthehu mbrapa