Paralajmërime dhe nxitje (Hebrenjve 10:19-13:17)

A. Paralajmërime për të mos përçmuar Krishtin (10:19-39)

10:19 Në kohët e DhV njerëzit mbaheshin në një farë largësie; tani në Krishtin ne jemi afruar me anë të gjakut të kryqit të Tij. Prandaj, ne nxitemi të afrohemi.

Kjo nxitje hamendëson se të gjithë besimtarët janë tashmë priftërinj, sepse na thuhet se kemi liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit. Njerëzit e thjeshtë gjatë kohës së lashtë judaike pengoheshin nga Vendi i Shenjtë dhe Shumë i Shenjtë; vetëm priftërinjtë mund të hynin në dhomën e parë, dhe vetëm kryeprifti mund të hynte tek e dyta. Tashmë kjo ka ndryshuar. Perëndia nuk ka një vend të veçantë ku mund t’i afrohen Atij vetëm një klasë e zgjedhur njerëzish. Në të vërtetë, çdo besimtar mund të shkojnë në praninë e Tij me anë të besimit në çdo kohë dhe nga çdo vend i tokës.

Përmes velit Perëndia më ofron të hyj

me anë të udhës së re dhe të gjallë;

Nuk endem më në shpresë të kotë –

kësaj thirrjeje me guxim i bindem;

Atje, me Krishtin, Perëndinë tim, do të takohem

me Perëndinë te pajtuesi!

Gjithë denjësinë që kam para Tij

është vlera e gjakut:

unë paraqes, kur e adhuroj

Krishtin, Frytin e Parë, te Perëndia.

Atë me gëzim Perëndia e shikon;

Prandaj është thënë pranimi im!

Autor i panjohur

10:20 Afrimi ynë ndodh me anë të një udhe të re dhe të gjallë. Të re këtu mund të ketë kuptimin “e sapotherur” ose “e sapobërë”. Të gjallë duket se është një referencë e Jezusit në ringjallje, prandaj, nënkupton një Shpëtimtar të gjallë. Kjo udhë u hap me anë të velit, domethënë të mishit të tij. Kjo mëson qartë se veli midis dy ndarjeve të tabernakullit ishte një figurë e trupit të Zotit tonë. Që të kemi hyrje në praninë e Perëndisë, veli duhet të hapet, që do të thotë, trupi i Tij duhej të prishej në vdekje. Kjo na kujton se ne nuk mund t’i afrohemi me anë të jetës së pamëkatë të Krishtit, por vetëm me anë të vdekjes së Tij shlyese. Vetëm përmes plagëve vdekjeprurëse të Qengjit ne mund të futemi. Sa herë që hyjmë në praninë e Perëndisë në lutje apo adhurim, le të kujtojmë se privilegji u bë i mundur për ne me një çmim të jashtëzakonshëm.

10:21 Ne jo vetëm kemi besim të madh kur hyjmë në praninë e Perëndisë; ne gjithashtu kemi një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë. Madje edhe ne jemi priftërinj (1 Pjetrit 2:9; Zbulesa 1:6), megjithatë, akoma kemi nevojë për një Prift. Krishti është Kryeprifti ynë i madh dhe shërbesa e Tij e tashme për ne siguron mikpritjen tonë të vazhdueshme para Perëndisë.

10:22 Le t’i afrohemi. Ky është privilegji i besimtarit përmes gjakut. Sa e mrekullueshme është të dimë se jemi ftuar të qëndrojmë në prani, jo të njerëzve të rëndësishëm të kësaj bote, por të Sovranit të gjithësisë! Shtrirja e vlerës së kësaj ftese tregohet nga mënyra se si i përgjigjemi.

Kemi një përshkrim të katërfishtë se si duhet të përgatitemi frymërisht për të hyrë në vendin e fronit.

1. Me zemër të vërtetë. Njerëzit e Izraelit i afroheshin Perëndisë me gojën e tyre dhe e nderonin me buzët e tyre, por zemrat e tyre ishin zakonisht larg Tij (Mt. 15:8). Afrimi ynë duhet të bëhet me sinqeritet të plotë.

2. Me siguri të plotë besimi. Ne afrohemi me besim të plotë në premtimet e Perëndisë dhe me bindje të plotë se pranohemi me hir në praninë e Tij.

3. Duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes lindjes së re. Kur ne besojmë në Krishtin, ne bëjmë tonën vlerën e gjakut të Tij. Nga ana figurative, ne spërkatim zemrat tona me të, ashtu si izraelitët spërkatnin dyert e tyre me gjakun e qengjit të Pashkës. Ky na çliron nga ndërgjegjja e ligë. Dëshmia jonë është:

Tashmë ndërgjegjja nuk na dënon,

sepse gjaku i Tij i çmuar

një herë e përgjithmonë na ka larë dhe pastruar,

na ka pastruar në sytë e Perëndisë.

Frances Bevan

4. Dhe trupin të larë me ujë të kulluar. Përsëri kemi të bëjmë me një gjuhë simbolike. Trupat tanë përfaqësojnë jetët tona. Uji i kulluar mund t’i referohet qoftë Fjalës (Efesianeve 5:25,26), qoftë Frymës së Shenjtë (Gjoni 7:37-39), qoftë Frymës së Shenjtë që përdor Fjalën për të pastruar jetët tona nga ndotjet e përditshme. Ne jemi pastruar një herë e përgjithmonë nga faji i mëkatit me anë të vdekjes së Krishtit, por pastrohemi përsëri nga ndotja e mëkatit me anë të Frymës përmes Fjalës (shikoni Gjoni 13:10).

Prandaj mund të përmbledhin katër kërkesat për të hyrë në praninë e Perëndisë: sinqeriteti, siguria, shpëtimi dhe shenjtërimi.

10:23 Nxitja e dytë është të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë. Asgjë nuk duhet lejuar që të na kthejë nga rrëfimi i patundur se shpresa jonë është në Krishtin.

Për ata që u tunduan për të hequr dorë nga bekimet e ardhshme dhe të papara të krishterimit për gjërat e tashme dhe të dukshme të judaizmit, kemi një kujtesë se besnik është ai që premtoi. Premtimet e Tij nuk mund të dështojnë kurrë; asnjë që besoi në Të nuk do të zhgënjehet. Shpëtimtari do të vijë, ashtu siç premtoi dhe njerëzit e Tij do të jenë me Të dhe si Ai përgjithmonë.

10:24 Ne gjithashtu duhet të zbulojmë mënyra të reja nxitjeje për besimtarët e tjerë për të treguar dashuri dhe të përfshihemi në vepra të mira. Sipas kuptimit të DhR dashuria nuk është një emocion, por një vepër e vullnetshme. Ne urdhërohemi duam, prandaj është diçka që ne mund dhe duhet ta bëjmë. Dashuria është rrënja; veprat e mira janë fryti. Me anë të shembullit tonë dhe me anë të mësimit tonë, ne duhet të kujdesemi për besimtarët e tjerë për këtë lloj jete.

Zemrat me dashuri janë kopshte,

mendimet me dashuri janë rrënjë,

fjalët me dashuri janë lule,

dhe veprat e mira janë frytet e tyre.

Përshtatje

10:25 Pastaj duhet të vazhdojmë të takohemi bashkë dhe pa hequr dorë nga përbashkësia lokale, ashtu siç bëjnë disa. Kjo mund të quhet si një nxitje e përgjithshme për tërë besimtarët për të qenë besnikë ndaj takimeve të kishave të tyre. Pa dyshim që ne gjejmë fuqi, ngushëllim, ushqim dhe gëzim në adhurimin dhe shërbimin e përbashkët.

Kjo mund të shihet gjithashtu si një nxitje e veçantë për të krishterët që kalojnë kohë përndjekjesh. Ekziston gjithnjë tundimi për t’u veçuar për të shmangur arrestimin, qortimin dhe vuajtjen dhe kështu bëhemi dishepuj të fshehur.

Por në themel vargu është një paralajmërim kundër apostazisë. Të braktisësh asamblenë lokale këtu do të thotë t’i kthesh kurrizin krishterimit dhe të kthehesh në judaizëm. Disa po kalonin në këtë kur u shkrua kjo letër. Ishte nevoja e nxitjes së njëri-tjetrit, sidomos duke pasur parasysh Ardhjen e afërt të Krishtit. Kur Ai të vijë, besimtarët e përndjekur, të veçuar, të përçmuar do të shihen se do të jenë nga ana e fituesve. Deri atëherë, është e nevojshme qëndrueshmëria.

10:26 Tani shkrimtari ndërfut paralajmërimin e tij të katërt dhe të ashpër. Në rastet e mëparshme ka qenë një paralajmërim kundër apostazisë, ndërsa këtu përshkruhet si një mëkat i vullnetshëm.

Ashtu siç është treguar, ka një mospërputhje të konsiderueshme midis të krishterëve për sa i përket natyrës së vërtetë të këtij mëkati. Problemi, shkurtimisht, shtrohet në këtë këndvështrim: Kujt i referohet kjo pjesë? A u referohet kjo pjesë

1. Të krishterëve të vërtetë që largohen nga Krishti dhe që humbasin?

2. Apo të krishterëve të vërtetë që bien në sjellje të mëkatshme, por që janë të shpëtuar?

3. Apo atyre që rrëfejnë se janë të krishterë për pak kohë, njëjtësohen me një kishë lokale, por pastaj me dashje largohen nga Krishti? Ata nuk kanë qenë kurrë të lindur sërish dhe tani nuk mund të jenë kurrë.

Pavarësisht se cilën paraqitje të mëparshme pranojmë, secila ka disa vështirësi në lidhje me interpretimin. Megjithatë ne besojmë se paraqitja e tretë është e sakta, sepse është në përputhje me tërë mësimin e Letrës së Hebrenjve dhe me tërë DhR.

Këtu në vargun 26 apostazia përcaktohet si mëkat me dashje mbas marrjes në dijeni të së vërtetës. Ashtu si Juda, dikush ka dëgjuar ungjillin. Ai njeh udhën e shpëtimit; ai ka pretenduar se e ka marrë atë; por pastaj me dashje e hedh e mohon atë.

Për një njeri të tillë, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet. Ai ka refuzuar me vendosmëri dhe përfundimisht një herë e përgjithmonë flijimin e Krishtit. Prandaj Perëndia nuk ka udhë tjetër shpëtimi për t’i ofruar atij.

Ka një kuptim sipas të cilit çdo mëkat bëhet me dashje, por autori këtu flet për apostazinë si mëkatin e bërë me dashje, mëkat i një serioziteti të jashtëzakonshëm.

Fakti që autori përdor ne në këtë pjesë nuk do të thotë patjetër se ai përfshin vetveten. Në vargun 39 ai përfundimisht përjashton veten dhe besimtarët e tjerë nga ata që shkojnë në humbje.

10:27 Nuk mbetet gjë tjetër veç një pritje gjyqi e tmerrshme; nuk ka shpresë për të shmangur këtë. Është e pamundur të ripërtërish femohuesin në pendim (6:4). Ai ka përjashtuar me vetëdije dhe me dashje veten e tij nga hiri i Perëndisë në Krishtin. Fati i tij është një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët. Nuk ia vlen të merremi tani nëse po flitet për zjarrin fizik. Gjuha përdoret qartë për të treguar ndëshkimin që është tepër i ashpër.

Vini re se Perëndia e quan femohuesin si kundërshtar. Kjo tregon kundërshtim të plotë ndaj Krishtit, jo një asnjanësi të butë.

10:28 Shkatërrimi i shkelësit të ligjit në DhV paraqitet tani për të formuar një sfond, i cili na mëson që shkatërrimi i femohuesit është shumë më i madh. Një njeri që shkelte ligjin e Moisiut duke u bërë një idhujtar vdiste pa mëshirë kur faji i tij vërtetohej nga deponimet e dy ose tre dëshmitarëve (Ligji i Perterire 17:2-6).

10:29 Femohuesi do të meritojë dënimin më të keq, sepse privilegji i tij ka qenë më i madh. Madhësia e mëkatit të tij shihet në tre ndryshime që vihen kundër tij:

1. Ai ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë. Pasi ka rrëfyer se është një ndjekës i Jezusit, ai tani pranon me forcë se nuk do që të ketë të bëjë me Të. Ai mohon çdo nevojë për Krishtin si Shpëtimtar dhe nuk e pranon më hapur Atë si Zot.

Në Japoni ekziston një kryq me Krishtin në të, që ishte përdorur nga qeveria në ditët e përndjekjes. Ai vendosej përtokë dhe secili duhej të shkelte të Kryqëzuarin. Të krishterët e rremë nuk ngurronin të shkelnin fytyrën e Tij; të krishterët e vërtetë nuk pranonin dhe vriteshin. Historia tregon se fytyra e Jezusit prishej dhe dëmtohej nga njerëzit që shkelnin mbi të.

2. Ai e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua. Ai e konsideron si të pavlerë dhe jo të shenjtë gjakun e Krishtit që miratoi Besëlidhjen e Re. Ai është veçuar me anë të këtij gjaku në një vend privilegji të madh. Përmes shoqërimit të tij me të krishterët ai është shenjtëruar, ashtu si një burrë jobesimtar që shenjtërohet nga gruaja e tij besimtare (1 e Korintasve 7:14). Por kjo nuk do të thotë se ai është shpëtuar.

3. Ai ka fyer Frymën e hirit. Fryma e Perëndisë e ka ndriçuar atë rreth lajmit të mirë, e ka bindur për mëkat dhe e ka drejtuar te Krishti si Strehën e vetme të shpirtit. Por ai ka fyer Frymën e hirit duke e përçmuar plotësisht Atë dhe shpëtimin që Ai ofron.

10:30 Mohimi me dashje i Birit të dashur të Perëndisë është një mëkat i një shkalle të lartë. Perëndia do të çojë në gjykim të gjithë ata që janë fajtorë. Ai ka thënë: “Hakmarrja më takon mua” (shikoni Ligji i Perterire 32:35). Hakmarrje në këtë kuptim do të thotë drejtësi e plotë. Kur përdoret për Perëndinë nuk mund të mendojmë për hakmarrje apo “larje hesapesh”. Por është thjesht t’i japësh dikujt atë që meriton. Duke njohur karakterin e Perëndisë, ne mund të jemi të sigurt se Ai do të veprojë ashtu si ka thënë, duke shpaguar femohuesin në masën e drejtë.

Dhe përsëri: “Perëndia do të gjykojë popullin e vet”. Perëndia do të marrë hak për ata që me të vërtetë besojnë në Të, por këtu në vargun 30, referenca e qartë është për gjykimin e njerëzve të ligj.

Nëse është e vështirë të mendojmë për femohuesit si populli i vet, ne duhet të kujtojmë se ata janë të Tijtë me anë të krijimit dhe gjithashtu për pak kohë me anë të rrëfimit. Ai është Krijuesi i tyre edhe pse nuk është Shpenguesi i tyre, dhe ata kanë rrëfyer se janë populli i vet, edhe pse nuk e njohin Atë në mënyrë vetjake.

10:31 Mësimi i përhershëm për të gjithë është ky: Mos ji midis atyre që bien në duart e Perëndisë për gjykim, sepse është gjë e tmerrshme!

Asgjë në këtë pjesë të Shkrimit nuk ka pasur si qëllim të shqetësojë apo tronditë mendjet e atyre që më të vërtetë i përkasin Krishtit. Pjesa me qëllim është shkruar në stilin e saj të mprehtë, kërkues dhe sfidues, në mënyrë që të gjithë ata që rrëfejnë emrin e Krishtit mund të paralajmërohen për pasojat e tmerrshme të largimit nga Ai.

10:32 Në vargjet që mbeten të kapitullit 10, shkrimtari jep tri arsye të forta se pse të krishterët e hershëm judenj duhej të vazhdonin me qëndrueshmëri në besnikërinë e tyre ndaj Krishtit.

1. Përvojat e tyre të mëparshme duhet t’i nxisin ata.

2. Afria e shpërblimit duhet t’i forcojë.

3. Frika e mospëlqimit të Perëndisë duhet t’i shtyjë që të mos kthehen mbrapsht.

Së pari, pra, përvojat e tyre të shkuara duhet t’i nxisin. Pasi rrëfyen besimin në Krishtin, ata u bënë shënjestra e përndjekjes së hidhur: familjet e tyre nuk i pranonin më, miqtë e tyre i braktisën dhe armiqtë e tyre i ndiqnin. Por në vend që të ushqenin tmerr dhe frikë, këto vuajtje i forconin ata në besimin e tyre. Pa dyshim se ndienin diçka nga gjallërimi i të qenurit të llogaritur të denjë për të vuajtur çnderimin për emrin e Tij (Veprat e Apostujve 5:41).

10:33 Ndonjëherë vuajtjet e tyre ishin individuale; ata nxirreshin vetëm dhe viheshin publikisht përballë abuzimit dhe mundimit. Herë të tjera, ata vuanin me të krishterët e tjerë.

10:34 Ata nuk kishin frikë të vizitonin ata që ishin të burgosurit e Krishtit, edhe pse ekzistonte gjithmonë rreziku i fajit duke u shoqëruar me ta.

Kur pasuria e tyre konfiskohej nga pushtetet, ata e kishin pranuar me gëzim këtë. Ata vendosën të ishin më mirë besnikë ndaj Jezusit sesa të mbanin pasuritë e tyre materiale. Ata e dinin se kishin “një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur” (1 Pjetrit 1:4). Ishte me të vërtetë një mrekulli e hirit hyjnor që i pajisi ata për të vlerësuar pasurinë tokësore kaq përciptazi.

10:35 Vlerësimi tjetër i madh është ky: afria e shpërblimit duhet t’i forcojë ata. Duke duruar aq shumë në të shkuarën, ata nuk duhet të dorëzohen tani. Autori thotë në fakt: “Mos humbisni të korrat e lotëve tuaj.” (F. B. Meyer). Ata ishin tashmë afër përmbushjes së premtimit të Perëndisë më tepër se kurrë. Nuk kishte kohë për kthim mbrapa.

“Mos e hidhni tutje besimin tuaj tani – ai sjell me vete një shpërblim të madh në botën që po vjen” (JBP).

10:36 Ajo që kishin nevojë ishte ngulmi, vendosmëria për të qëndruar nën përndjekje më tepër sa të largoheshin nga to duke mohuar Krishtin. Pastaj pasi të kenë bërë vullnetin e Perëndisë, ata do të marrin shpërblimin e premtuar.

10:37 Shpërblimi që do të vijë përkon me Kthimin e Zotit Jezus; këtu citimi është marrë nga Habakuku 2:3: “Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë“. Te Habakuku vargu thotë: “Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; nëse vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë”.

Rreth këtij ndryshimi Vincent-i thotë:

Në hebraisht, emri i fjalisë [rasa emërore] është vegimi i shfarosjes së kaldeasve . . . Ashtu siç është përshtatur te përkthimi i të Shtatëdhjetëve (LXX, Septuagint) qoftë Jehovai apo Mesia duhet të jetë emri i fjalisë. Pjesa i referohet Mesias, e thënë më vonë nga teologët judenj, dhe kështu merret edhe nga shkrimtari ynë [20].

A. J. Pollock-u komenton:

Pjesa e Dhiatës së Vjetër dhe citimi i ndryshuar në Dhiatën e Re janë të dyja shkrime të frymëzuara dhe të njëjta. . . . [Vegimi] i referohet ardhjes së Krishtit për të mbretëruar. . . .Kurse në Letrën e Hebrenjve, ka të bëjë me Rrëmbimin.

Pastaj ai vazhdon me një hov të madh:

Kur një shkrimtar i frymëzuar citon nga Dhiata e Vjetër ai përdor atë pjesë nga citimi për t’ia përshtatur qëllimit të Mendjes Hyjnore, duke mos e kundërshtuar kurrë atë; të ndryshuarit shpesh të saj sjell tjetërsimin, jo të domethënies së saktë të pjesës së Dhiatës së Vjetër, por të domethënies më të plotë të nënkuptuar për t’u tjetërsuar nga Fryma e Shenjtë në Dhiatën e Re . . . Tani askush veç Perëndisë nuk mund t’i trajtojë kështu Shkrimet. Fakti që është bërë, dhe që është bërë tepër, është një pikë tjetër e frymëzimit. Perëndia është Autori i Biblës dhe Ai mund të citojë VETË fjalët e Tij, duke i ndryshuar dhe duke u shtuar atyre për të plotësuar qëllimin e Tij. Por nëse ndonjëri prej nesh i citon Shkrimet, duhet ta bëjmë me saktësi të kujdesshme. Ne nuk kemi të drejtë të ndryshojmë asnjë “jotë” apo “pikë”. Por Autori i Librit mund ta bëjë këtë. Nuk ka rëndësi shumë pena që përdor, qoftë e Moisiut apo e Isaias, Pjetrit apo Palit, Mateut apo Gjonit, i tërë është shkrimi i Tij [21].

10:38 Një nxitës përfundimtar për durimin e qëndrueshëm është frika për mospëlqimin e Perëndisë. Duke vazhduar citimin nga Habakuku, autori tregon se jeta që i pëlqen Perëndisë është jeta e besimit: Dhe i drejti [22] do të jetojë prej besimit. Kjo është jeta që vlerëson premtimet e Perëndisë, që shikon të padukshmen dhe që ngulmon deri në fund.

Nga ana tjetër, jeta që nuk i pëlqen Perëndisë është ajo e një njeriu që mohon Mesian dhe kthehet te flijimet e vjetëruara të tempullit: Por në qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të.

10:39 Shkrimtari menjëherë e veçon veten dhe besimtarët e tjerë nga ata që tërhiqen prapa për humbje. Kjo veçon femohuesit nga të krishterët e vërtetë. Femohuesit tërhiqen dhe janë të humbur. Besimtarët e vërtetë besojnë dhe në këtë mënyrë ruajnë shpirtrat e tyre nga shkatërrimi i mohuesve.

Me këtë përmendje të besimit, themeli hidhet për një diskutim më të plotë të jetës që i pëlqen Perëndisë. Kapitulli i njëmbëdhjetë duke përdorur shumë ilustrime del shumë natyrshëm në këtë pikë.

B. Nxitje për besim me anë të shembujve të Dhiatës së Vjetër (kap. 11)

11:1 Ky kapitull merret me largpamësinë dhe durimin e besimit. Ai na paraqet burra dhe gra të DhV që patën largpamësi frymërore të përsosur dhe që duruan turpin dhe vuajtjet e mëdha në vend që të mohonin besimin.

Vargu 1 nuk është në të vërtetë një përcaktim formal i besimit; por është një përshkrim i asaj që besimi bën për ne. Ai i bën gjërat që shpresohen të vërteta ashtu sikur t’i kishim tashmë dhe siguron prova të palëkundshme se bekimet e krishtera të padukshme dhe frymërore janë absolutisht të sigurta dhe të vërteta. Me fjalë të tjera, sjell të ardhmen në të tashmen dhe e bën të padukshmen të dukshme.

Besimi është mbështetje në besueshmërinë e Perëndisë. Ai është bindja se çfarë Perëndia thotë është e vërtetë dhe çfarë Ai premton do të plotësohet.

Besimi duhet të ketë ndonjë zbulim nga Perëndia, ndonjë premtim nga Perëndia si themel të tij. Ai nuk është një hap i pasigurt. Ai kërkon provën më të sigurt në gjithësi dhe e gjen atë në fjalën e Perëndisë. Ai nuk është i kufizuar nga mundësitë, por pushton botën e të pamundurës. Dikush ka thënë: “Besimi fillon atje ku mbaron e mundshmja. Nëse është e mundur, atëherë nuk ka lavdi në të për Perëndinë”.

Besimi, besimi i madh premtimin shikon,

Dhe sheh vetëm Perëndinë;

Qesh me të pamundurën

Dhe thërret: “Do të kryhet”.

Autor anonim

Ka vështirësi dhe probleme në jetën e besimit. Perëndia provon besimin tonë në prova për të parë nëse është i vërtetë (1 Pjetrit 1:7). Por, ashtu si George Müller-i ka thënë: “Vështirësitë janë ushqimi i besimit”.

11:2 Meqë ata ecën me anë të besimit dhe jo me anë të shikimit, të lashtët e DhV morën miratimin hyjnor. Pjesa tjetër e këtij kapitulli është një ilustrim se si Perëndia ka sjellë dëshmi për ta.

11:3 Besimi na pajis me të vetmin rrëfim të vërtetë të krijimit. Perëndia ishte i vetmi që ndodhej atje. Ai na tregon se si ndodhi. Ne i besojmë fjalës së Tij dhe për këtë arsye e dimë. McCue pohon: “Koncepti i paraekzistencës së Perëndisë para materies dhe se me anë të urdhrit të Tij ka sjellë atë në ekzistencë është përtej fushës së arsyes apo tregimit. Kjo thjesht pranohet me besim.

Me anë të besimit ne kuptojmë. Bota thotë: “Të shohësh do të thotë të besosh”. Perëndia thotë: “Të besosh do të thotë të shohësh”. Jezusi i tha Martës: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh . . . ?” (Gjon. 11:40). Apostulli Gjon shkroi: “Jua shkrova këto gjëra juve që besoni . . . që të dini” (1 Gjon. 5:13). Në çështjet frymërore besimi qëndron para të kuptuarit.

Se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë. Perëndia foli dhe lënda erdhi në ekzistencë. Kjo përputhet në mënyrë të përsosur me zbulimin e njeriut se materia është në thelb energji. Kur Perëndia foli, pati një rrjedhje energjie në formën e valëve zanore. Këto u shndërruan në materie dhe bota erdhi në ekzistencë.

Sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen. Energjia është e padukshme; po kështu edhe atomet, molekulat dhe gazrat me sy të lirë nuk shihen, megjithatë në ndërveprim ato bëhen të dukshme.

Fakti i krijimit ashtu siç është paraqitur këtu te Hebrenjve 11:3 është i padiskutueshëm. Ai as nuk është përmirësuar as nuk do të përmirësohet.

11:4 Adami dhe Eva tejkalohen në rrotullën e nderit të besimit. Kur Evës iu desh të vendoste nëse Perëndia apo Satani po thoshte të vërtetën, ajo vendosi se Satani kishte të drejtë. Megjithatë, kjo nuk mohon faktin se ata nuk u shpëtuan me anë të besimit, ashtu siç paraqitet përmes veshjes prej lëkure.

Abeli duhet të ketë pasur ndonjë zbulim që njeriu mëkatar mund t’i afrohet Perëndisë vetëm me anën e derdhjes së gjakut. Mbase ai e kishte mësuar këtë mënyrë nga prindërit që ripërtërinë marrëdhënien e tyre me Perëndinë vetëm pasi Ai i veshi me lëkurët e kafshëve (Zanafilla 3:21). Por në fund të fundit, ai tregoi besim duke iu afruar Perëndisë me gjakun e flijimit. Flijimi i Kainit ishte prej gjërave vegjetale apo prej frutave, pra, nuk ishte me gjak. Abeli ilustron besimin e shpëtimit me anë të hirit përmes besimit. Kaini paraqet përpjekjen e kotë të njeriut për të shpëtuar vetveten me anë të veprave të mira.

George Cutting-u tregon se “nuk ishte shkëlqimi vetjak i Abelit që Perëndia e quajti atë të drejtë, por shkëlqimi i flijimit që solli ai dhe besimi i tij në të”. Dhe po kështu është edhe me ne: ne nuk shfajësohemi për shkak të karakterit apo veprave tona të mira, por vetëm për shkak të shkëlqimit të flijimit të Krishtit dhe të pranimit tonë të Tij.

Abeli u vra nga Kaini sepse ligji e urren hirin. Njeriu që vetëshpallet i drejtë e urren të vërtetën sepse nuk mund të shpëtojë vetveten dhe se duhet të hedhë vetveten para dashurisë dhe mëshirës së Perëndisë.

Por dëshmia e Abelit është e përhershme: Me anë të besimit të tij ai po flet ende. Ka një kuptim sipas të cilit besimi i bën tejzat e zërit të një njeriu të vazhdojnë të funksionojnë edhe pasi trupi i tij prehet në varr.

11:5 Ndonjëherë gjatë jetës së tij Enoku duhet të ketë marrë ndonjë premtim nga Perëndia se do të shkonte në qiell pa e parë vdekjen. Deri në atë kohë të gjithë do të kishin vdekur – herët apo vonë. Nuk kishte asnjë të dhënë që të tregonte për dikë që të zhvendosej pa vdekur. Por Perëndia premtoi dhe Enoku besoi. Ishte gjëja më e zgjuar, më e arsyeshme që Enoku mund të bënte; çfarë është më e arsyeshme nga fakti që krijesa duhet të besojë Krijuesin e saj?

Dhe kështu ndodhi! Enoku eci me Perëndinë e padukshëm për treqind vjet (Zanafilla 5:21-24) dhe pastaj eci në përjetësi. Sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë. Jeta e besimit gjithmonë i pëlqen Perëndisë; Ai pëlqen që të tjerët të besojnë tek Ai.

11:6 Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij. Asnjë sasi e veprave të mira nuk mund të kompensojë mungesën e besimit. Pas të gjitha gjërave që janë thënë dhe bërë, kur një njeri nuk pranon t’i besojë Perëndisë, ai po e bën Atë gënjeshtar. “Ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar”, (1 Gjon. 5:10) dhe si mund të pëlqejë Perëndia dikë që e quan Atë gënjeshtar?

Besimi është e vetmja gjë që i lë Perëndisë vendin e duhur dhe e vë njeriun në të njëjtin vend gjithashtu. “Kjo e përlëvdon tej mase Perëndinë” – shkruan C. H. Mackintosh-i – “sepse vërteton se ne kemi më tepër besim në sytë e Tij se në veten tonë”.

Besimi jo vetëm beson se Perëndia ekziston, por gjithashtu beson se Ai do të shpërblejë ata që e kërkojnë atë. Nuk ka asgjë për Perëndinë që është e pamundur për njerëzit që të besojnë. Vështirësia është te vullneti i njeriut.

11:7 Besimi i Noeut u mbështet në paralajmërimin e Perëndisë se Ai do të shkatërronte botën me anë të përmbytjes (Zanafilla 6:17). Nuk kishte ndodhur ndonjë përmbytje në përvojën e njerëzimit, në fakt, kishte pak arsye të besoje një gjë e tillë sepse nuk kishte rënë fare shi deri në atë kohë (Zanafilla 2:5,6). Noeu i besoi Perëndisë dhe ndërtoi një arkë, edhe pse ishte mbase shumë larg nga ujërat e lundrueshme. Pa dyshim që ai ishte qendra e talljeve të shumta. Por besimi i Noeut u shpërblye: shtëpia e tij u shpëtua, bota u dënua me anë të jetës dhe dëshmisë së tij dhe ai u bë trashëgimtar i drejtësisë që merret në bazë të besimit.

Mbase shumë nga të krishterët e hershëm judenj, të cilëve iu drejtua kjo letër, zakonisht habiteshin pse, nëse ishin të drejtë, ishin një pakicë aq e vogël. Noeu del në faqet e DhV për t’i kujtuar se në kohën e tij vetëm tetë vetë ishin të drejtë dhe pjesa tjetër e botës humbi!

11:8 Abrahami ishte mbase një idhujtar, që jetonte në Ur të kaldeasve, kur Perëndia iu shfaq dhe i tha të zhvendosej. Me bindjen e besimit, ai la shtëpinë dhe vendin e tij, pa ditur se ku do të mbërrinte. Pa dyshim, miqtë e tij e tallnin për një marrëzi të tillë, por qëndrimi i tij qe:

Unë vazhdoj para edhe pse nuk e di –

nuk do të vazhdoja po ta dija,

më mirë të eci në errësirë me Perëndinë

sesa të eci në dritë vetëm;

më mirë të eci me anë të besimit me Të

sesa të eci vetëm me anë të vegimit.

Helen Annis Casterline

Ecja e besimit zakonisht u jep përshtypjen të tjerëve e të qenurit i papjekur dhe i nxituar, por ai që njeh Perëndinë, është i kënaqur të drejtohet pa parë, pa ditur rrugën që ka para.

11:9 Perëndia i premtoi tokën e Kanaanit Abrahamit. Në një kuptim të vërtetë ajo i përkiste atij. Megjithatë, pjesa e vetme e tokës që bleu në të ishte varri i të vdekurve të tij. Ai ishte i kënaqur të jetonte në çadra, simboli i shtegtarit, në vend që të jetonte në një banesë të qëndrueshme. Për sa kohë qëndroi, ai e shihte Kanaanin ashtu si të ishte një dhe i huaj.

Shokët e shtegtimit të tij ishin i biri dhe nipi. Shembulli i tij i perëndishëm la gjurmë në ta gjithashtu; megjithatë ata ishin bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim, sepse toka do të ishte e tyre.

11:10 Pse Abrahami nuk e mbante fort këtë pasuri të patundshme? Sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia. Ai nuk e vendosi zemrën e tij në të tashmen, në gjërat materiale, por në ato të përjetshme. Në origjinal ka një nyjë shquese para fjalës qytet dhe themel –[në shqip është prapa] qytetin dhe themelet. Në miratimin e besimit është vetëm një qytet i denjë për emrin dhe vetëm një me themele të sigurta.

Perëndia është arkitekti i këtij qyteti qiellor dhe Ai është po ashtu ndërtuesi i tij. Ai është qyteti model, pa lagje të varfra, ajër të ndotur, ujë të ndotur apo ndonjë problem tjetër që rëndon qendrat tona metropolitane.

11:11 Me anë të besimit edhe vetë Sara mori fuqi në mënyrë të mrekullueshme të bëhet me barrë kur ishte nëntëdhjetë vjeç. Tregimi shpall qartë se e kishte kaluar kohën e jetës për të lindur fëmijë. Por ajo e dinte se Perëndia i kishte premtuar asaj një foshnje dhe ajo e dinte se Ai nuk mund ta linte fjalën pa e çuar në vend. Ajo tregoi besim të pathyeshëm se Ai mund të bënte atë që kishte premtuar.

11:12 Abrahami ishte rreth nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur lindi Isaku. Nga ana njerëzore, ishte e pamundur për të të bëhej prind, megjithatë Perëndia i kishte premtuar një pasardhje të panumërt dhe kështu duhej të ndodhte.

Përmes Isakut, Abrahami u bë ati i një familjeje tokësore që nuk numërohet dot, kombi i hebrenjve. Përmes Krishtit, ai u bë ati i një familjeje frymërore që nuk numërohet dot, që do të thotë, besimtarët e vërtetë të çdo kohe. Rëra që është në breg të detit mbase paraqet pasardhjen tokësore, ndërsa yjet e qiellit ilustrojnë popullin qiellor.

11:13 Të gjithë patriarkët vdiqën në besim. Ata nuk jetuan të shikonin përmbushjen e premtimeve hyjnore. Për shembull, Abrahami nuk e pa kurrë pasardhjen e tij që nuk numërohej. Kombi i hebrenjve nuk e pushtoi kurrë tokën që ishte premtuar. Shenjtorët e DhV nuk e panë kurrë përmbushjen e premtimit të Mesias. Por vizioni i tyre teleskopik ua solli atyre premtimet afër, aq afër saqë tregohet se i panë para kohe me gëzim.

Ata kuptuan se kjo botë nuk ishte shtëpia e tyre përfundimtare. Ata ishin të kënaqur që të ishin të huaj dhe shtegtarë, duke mos e pranuar nevojën e prehjes për t’u rehatuar. Dëshira e tyre ishte të kalonin nga kjo botë pa marrë karakterin e saj mbi vete. Zemrat e tyre i ishin kushtuar shtegtimit (Ps. 84:5, Knox).

11:14 Jetët e tyre treguan qartë se ata po kërkojnë atdhe. Besimi formoi një instinkt në ta për të gjetur shtëpi që kurrë nuk gjeti gëzim në Kanaan. Ekzistonte gjithmonë dëshira për një tokë më të mirë që ata mund ta quanin shtëpi.

11:15 Duke thënë se ata po kërkonin një atdhe, shkrimtari kërkon ta bëjë të qartë se ai nuk po i referohet vendlindjes së tyre. Nëse Abrahami do të dëshironte të kthehej në Mesopotami, mund ta kishte bërë një gjë të tillë, por nuk kishte më shtëpi për të.

11:16 Shpjegimi i vërtetë është se ata po kërkonin një atdhe qiellor. Kjo është pak e çuditshme kur kujtojmë se pjesa më e madhe e premtimeve të popullit të Izraelit kishin të bënin me bekime materiale në këtë tokë. Por kishin edhe një shpresë qiellore gjithashtu dhe kjo shpresë bënte që ata ta quanin këtë botë si një vend të huaj.

Kjo frymë shtegtimi i pëlqen në mënyrë të veçantë Perëndisë. Darby shkruan: “Atij nuk i vjen turp të quhet Perëndia i atyre, zemra dhe pjesa e të cilëve janë në qiell”. Ai u bëri gati atyre një qytet dhe atje ata gjejnë prehje, kënaqësi dhe paqe të përsosur.

11:17 Tani vijmë te prova e madhe e besimit të Abrahamit. Perëndia i tha atij të ofronte birin e tij të vetëm, Isakun, mbi altar. Me një bindje të pangurrueshme Abrahami shkoi të ofronte para Perëndisë thesarin më të çmuar të zemrës së tij. A ishte Abrahami harraq i dilemës së tmerrshme? Perëndia i kishte premtuar atij një pasardhje që nuk numërohet. Isaku ishte biri i tij i vetëm. Abrahami ishte tashmë 117 dhe Sara 108 vjeç!

11:18 Premtimi i një shumice të madhe pasardhësish duhej të përmbushej te Isaku. Dilema ishte kjo: nëse Abrahami do të vriste Isakun, si do të përmbushej premtimi? Isaku ishte tashmë rreth shtatëmbëdhjetë vjeç dhe i pamartuar.

11:19 Abrahami e dinte atë që i kishte premtuar Perëndia; kjo ishte gjithçka që kishte rëndësi. Ai doli në përfundimin se nëse Perëndia i kërkonte të vriste të birin, Perëndia do ta ringjallte edhe prej së vdekurish që të përmbushte premtimin.

Deri në atë kohë nuk kishte pasur asnjë rast ringjalljeje prej së vdekurish. Përvoja njerëzore nuk ruan asnjë statistikë për të dhënë. Në një kuptim të vërtetë Abrahami shpiku idenë e ringjalljes. Besimi i tij në premtimin e Perëndisë e shtyu atë në përfundimin se Perëndia do ta ringjallte Isakun.

Si një lloj figure, ai e mori përsëri Isakun prej së vdekurish. Ai kishte bindur veten me faktin se Isaku do të vritej. Perëndia e llogariti si besim veprimin e tij. Por, ashtu si Grant-i e quan therëse, Zoti “i kurseu zemrës së Abrahamit një sëmbim që nuk do t’ia kishte kursyer Vetes së Tij”. Ai siguroi një dash për të zënë vendin e Isakut dhe biri i vetëm u kthye te zemra dhe shtëpia e Abrahamit.

Para se të lëmë këtë shembull të jashtëzakonshëm besimi, ka dy pika që duhen përmendur. Së pari, Perëndia nuk kishte kurrë ndërmend që Abrahami të vriste birin e tij. Flijimet njerëzore nuk ishin kurrë vullneti i Perëndisë për popullin e Tij. Ai provoi besimin e Abrahamit dhe e gjeti atë të vërtetë; pastaj e Ai hoqi urdhrin e Tij.

Së dyti, besimi i Abrahamit për sa i përket premtimit për një numër të madh pasardhjeje u provua për një periudhë njëqindvjeçare. Patriarku qe shtatëdhjetë e pesë vjeç kur iu dha premtimi për një djalë. Ai priti njëzet e pesë vjet para se të lindte Isaku. Isaku ishte shtatëmbëdhjetë vjeç kur Abrahami e çoi në malin Moriah për t’ia ofruar Perëndisë. Isaku ishte dyzet vjeç kur u martua dhe u martua njëzet vjet para se të lindnin binjakët. Abrahami vdiq kur ishte në moshën 175-vjeçare. Në atë kohë pasardhësit e tij ishin djali i tij (shtatëdhjetë e pesë vjeç) dhe dy nipërit (pesëmbëdhjetëvjeçarë). Megjithatë gjatë jetës së tij “nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai e kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte” (Rom. 4:20,21).

11:20 Është e vështirë për mendjet tona (ne që jetojmë në Sh.B.A., Kanada dhe Europë) të kuptojmë se çfarë ishte kaq e pazakontë te besimi i Isakut, Jakobit dhe Jozefit, ashtu siç thuhet në tre vargjet që vijojnë. Isaku, për shembull, siguroi një vend në sallonin e famës së besimit, sepse dha bekime të ardhshme mbi Jakobin dhe Esaun. Çfarë ka këtu për t’u çuditur?

Para se të lindnin fëmijët, Zoti i shpalli Rebekës se djemtë do të bëheshin burimi i dy kombeve dhe se më i madhi (Esau) do të ishte shërbëtori i më të voglit (Jakobit). Esau ishte djali më i pëlqyer i Isakut dhe, si djali më i madh, do të merrte pjesën më të mirë nga ati i tij. Por Rebeka dhe Jakobi mashtruan Isakun, shikimi i të cilit ishte i dobët tashmë, duke i dhënë bekimet më të mira Jakobit. Kur u zbulua komploti, Isaku u drodh shumë. Por ai e mbajti mend fjalën e Perëndisë se më i madhi do të ishte shërbëtori i më të voglit, dhe pavarësisht nga zgjedhja e tij e Esaut, ai kuptoi se duhet të qëndronte sundimi i Perëndisë mbi dobësitë e tij natyrore.

11:21 Pati shumë kapituj të palavdishëm në jetën e Jakobit, por, megjithatë, ai nderohet si heroi i besimit. Karakteri i tij u përmirësua me kalimin e moshës dhe vdiq i mbushur me lavdi. Kur bekoi Efraimin dhe Manasin, bijtë e Jozefit, kryqëzoi duart në mënyrë që bekimi i birit më të madh të binin mbi Efraimin, në më të voglin. Pavarësisht nga kundërshtimet e Jozefit, Jakobi nguli këmbë që bekimet duhet të jepeshin në këtë mënyrë, sepse ky ishte rendi të cilin e kishte caktuar Perëndia. Edhe pse shikimi i tij fizik ishte errësuar, shikimi i tij frymëror ishte i kthjellët. Skena mbyllëse e jetës së Jakobit e gjen atë duke adhuruar ndërsa ishte duke u mbështetur mbi majën e shkopit të tij. C. H. Mackintosh-i përmbledh në stilin e tij të dashur:

Përfundimi i karrierës së Jakobit qëndron në kontrastin më të pëlqyer në mes të tërë skenave të mëparshme të historisë së tij të bollshme. Ai kujton një nga mbrëmjet e qeta pas një dite të furishme: dielli, i cili gjatë ditës ishte fshehur pas reve, tymit dhe mjegullave, u shfaq në madhështi dhe shkëlqim, duke praruar me rrezet e tij qiellin perëndimor dhe duke ruajtur të ardhmen e gëzueshme të një të nesërmeje të ndritur. E tillë ishte gjendja e patriarkëve tanë të lashtë. Zëvendësimi i pozitës për të marrë bekimet, pazarllëqet, dinakëria, drejtimi, dredhia, fajësimi, frikërat egoiste mosbesuese – të gjitha ato re të zeza të natyrës dhe të tokës duken sikur kanë kaluar dhe ai del para, me tërë ngritjen e qetë të besimit, për të dhënë bekimet dhe të japë dinjitet, në atë aftësi të shenjtë që mund të sjellë vetëm përbashkësia me Perëndinë [23].

11:22 Besimi i Jozefit ishte gjithashtu i fortë kur ishte duke vdekur. Ai i besoi premtimit të Perëndisë se Ai do të çlironte popullin e Izraelit nga Egjipti. Besimi e bëri të aftë të sillte që më parë ndërmend eksodin. Për të ishte aq e sigurt saqë udhëzoi bijtë e tij të merrnin eshtrat e tij me vete për t’i varrosur në Kanaan. “Prandaj” – shkruan William Lincoln-i – “ndërsa ishte i rrethuar nga madhështia dhe shkëlqimi, zemra e tij nuk ndodhej fare atje, por me popullin e tij në lavdinë dhe bekimet e tyre të ardhshme” [24].

11:23 Është me të vërtetë besimi i prindërve të tij dhe jo i vetë Moisiut që paraqitet këtu. Ndërsa ata panë foshnjën e tyre, ata panë se fëmija ishte i bukur – por ishte më tepër se bukuri fizike. Ata panë se ai ishte fëmija i fatit, atë që Perëndia do ta zgjidhte për një detyrë të veçantë. Besimi i tyre se qëllimet e Perëndisë do të plotësoheshin i bëri të guximshëm për të sfiduar urdhrin e mbretit dhe të fshihnin fëmijën për tre muaj.

11:24 Me anë të besimit vetë Moisiu ishte i aftë të bënte disa mohime të fisme. Edhe pse i mbuluar nga luksi i pallatit mbretëror të Egjiptit dhe duke i pasur të gjitha gjërat për të cilat njerëzit rropaten, ai mësoi se “nuk është zotërimi i gjërave, por braktisja e tyre që sjell prehje” (J. Gregory Mantle).

Para së gjithash, ai nuk e pranoi famën e Egjiptit. Ai qe biri i birësuar i së bijës së Faraonit dhe për këtë kishte të sigurt një vend në elitën shoqërore, mbase edhe si pasuesi i faraonit. Por ai kishte lindur nga një gjak më i mirë – ishte pjesëtar i popullit tokësor të zgjedhur nga Perëndia. Nga kjo fisnikëri ai nuk mund të mbetej te mbretëria egjiptiane. Në vitet e tij burrërore ai bëri zgjedhjen e tij; ai nuk mund të fshinte kombësinë e tij për të fituar disa vjet të shkurtra famë tokësore. Rezultati? Në vend që të zinte një brez apo dy në hieroglifet e ndonjë varri të errët, ai kujtohet në Librin e përjetshëm të Perëndisë. Në vend që të gjendej në ndonjë muze si një mumje egjiptase, ai është i famshëm si një njeri i Perëndisë.

11:25 Së dyti, ai mohoi dëfrimet e Egjiptit. Shoqërimi i përulur me vuajtjet e popullit të Perëndisë kishte më tepër vlerë për të sesa kënaqësitë kalimtare të orekseve të tij. Privilegjet e marrjes së keqtrajtimeve së bashku me popullin e tij ishin një kënaqësi më e madhe për të sesa shthurja në oborrin e faraonit.

11:26 Së treti, ai u ktheu shpinën thesareve të Egjiptit. Besimi e bëri të aftë të shikonte se shtëpitë e thesarit përrallor të Egjiptit ishin të pavlera para përjetësisë. Kështu ai zgjodhi të vuante të njëjtën lloj dhune si ajo e Mesias më vonë. Besnikëria ndaj Perëndisë dhe dashuria për popullin e Tij vlerësohej nga ai më tepër se pasuria e shumtë e faraonit. Ai e dinte se këto ishin gjëra që nuk do të vlenin pasi të vdiste.

11:27 Pastaj, ai hoqi dorë gjithashtu nga monarku i Egjiptit. I mbushur me anë të besimit, ai doli nga toka e skllavërisë, pa pasur frikë mërinë e mbretit. Ajo ishte një shkëputje e qartë nga politikat e kësaj bote. Ai e kishte pak frikë Faraonin, sepse kishte shumë frikë nga Perëndia. Ai i mbajti sytë e tij drejt të “lumit e të vetmit sundimtar, Mbretit të mbretërve dhe Zotit të zotërve, ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen!” (1 Tim. 6:15,16).

11:28 Së fundi, ai mohoi fenë egjiptiane. Duke caktuar Pashkën dhe duke bërë spërkatjen e gjakut, ai ndau përgjithmonë në mënyrë të theksuar veten nga idhujtaria egjiptiane. Ai e mohoi sistemin fetar të rremë. Për të, shpëtimi ishte me anë të gjakut të qengjit, jo me anë të ujërave të Nilit. Si rezultat i kësaj, i parëlinduri i Izraelit u kursye ndërsa i parëlinduri i Egjiptit gjeti vdekjen nga shkatërrimi.

11:29 Në fillim Deti i Kuq dukej se do të sillte shkatërrim për hebrenjtë e arratisur. Me armiqtë prapa krahëve, ata dukeshin se ishin në kurth. Por ngaqë iu bindën fjalës së Perëndisë, ata vazhduan para dhe ujërat u hapën: “Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë” (Eksodi 14:21). Kur egjiptianët u përpoqën t’i ndiqnin, rrotat e qerreve të tyre ngecën, ujërat u kthyen në vendin e tyre të zakonshëm dhe ushtritë e faraonit u mbytën. Prandaj Deti i Kuq u bë një rrugë çlirimi për Izraelin, dhe një fund shkatërrimi në vdekje për egjiptianët.

11:30 Qyteti i gurtë i Jerikos ishte objektivi i parë ushtarak në pushtimin e Kanaanit. Arsyeja thoshte se një kështjellë e tillë e pamposhtur mund të merrej vetëm nga forca madhore. Por metodat e besimit janë ndryshe. Perëndia përdori strategji, që duken të marra në sytë e njerëzve, për të arritur qëllimet e Tij. Ai u dha njerëzve t’i vinin rrotull qytetit për shtatë ditë. Në ditën e shtatë ata duhej të marshonin rreth tij shtatë herë. Priftërinjtë duhej t’u binin fort borive të tyre, njerëzit duhej të bërtisnin dhe muret do të binin. Ekspertët ushtarakë do ta shihnin këtë metodë shumë qesharake. Por funksionoi! Armët e mirëqenies frymërore nuk janë të botës, por kanë fuqi hyjnore për të shkatërruar të fortët (2 Kor. 10:4).

11:31 Ne nuk e dimë kur Rahabi, që ishte një prostitutë u bë një adhuruese e Jehovait, por është e qartë se ajo është bërë. Ajo braktisi fenë e rreme të Kanaanit për t’u bërë një prozelite judease. Besimi i saj mori një provë të fortë kur zbuluesit shkuan në shtëpinë e saj. A do t’i ishte ajo besnike vendit të saj dhe bashkëqytetarëve të saj, apo do t’i qëndronte besnike Zotit? Ajo vendosi të ishte nga ana e Zotit, dhe kjo do të thoshte tradhti ndaj vendit të saj. Duke u treguar mikpritje miqësore zbuluesve ajo dhe familja e saj u kursyen, ndërsa komshinjtë e saj të pabindur humbën.

11:32 Në këtë pikë shkrimtari bën një pyetje retorike: Dhe ç’të them më? Ai ka dhënë një listë madhështore të burrave dhe grave që shfaqën besim dhe durim në kohën e DhV. Sa të tjerë duhet të paraqesë që të dalë në këtë pikë?

Nuk është se i mbarojnë shembujt, por nuk i mjafton koha. Duhet shumë kohë të futej në hollësira, kështu ai kënaq veten duke përmendur disa dhe përmbledh disa triumfe dhe prova të besimit.

Ishte Gideoni ushtria e të cilit u zvogëlua nga 32.000 në 300. Së pari, të ndrojturit u dërguan në shtëpi, pastaj ata që menduan shumë për rehatinë e tyre. Me një grusht të fortë dishepujsh të vërtetë, Gideoni mposhti midianitët.

Pastaj ishte Baraku. Kur u thirr të udhëhiqte Izraelin në betejën kundër kanaanejve, ai pranoi vetëm kushtin që Deborah të shkonte me të. Në vend të anës së tij frikacake të karakterit të tij, Perëndia pa besim të vërtetë dhe e rendit atë midis njerëzve të besimit.

Sansoni ishte një burrë tjetër tejet i dobët. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, Perëndia nxori në shesh besimin që e forcoi atë të vriste një luan të ri me duart e veta, të shkatërronte tridhjetë filistej në Ashkelon, të vriste një mijë filistej me nofullën e një gomari, të pushtonte portat e Gazës dhe, së fundi, të rrëzonte tempullit e Dagonit dhe të vriste më tepër filistej me vdekjen e tij sesa kur ishte gjallë.

Edhe pse një fëmijë i paligjshëm, Jefti doli për të qenë çlirimtari i popullit të tij nga amonitët. Ai ilustron të vërtetën se besimi i jep forcë, pavarësisht nga lindja apo mjedisi i tij dhe të bëjë historinë e Perëndisë.

Besimi i Davidit shndrit në kontekstin e tij me Goliathin, në sjelljen e tij ndaj Saulit, në zaptimin e tij në Sion dhe në raste të tjera të panumërta. Në psalmet e tij ne gjejmë besimin e tij të kristalizuar në pendim, lavdërim dhe profeci.

Samueli ishte gjyqtari i fundit i Izraelit dhe profeti i tij i parë. Ai qe njeriu i Perëndisë për kombin në kohën kur priftëria shquhej për dështimin frymëror. Ai qe një ndër udhëheqësit më të mëdhenj në historinë e Izraelit.

I shtohen kësaj liste profetët, një grup i fisëm zëdhënësish të Perëndisë, njerëz me ndërgjegje, që parapëlqenin të vdisnin sesa të gënjenin, që parapëlqenin të shkonin në qiell me një ndërgjegje të pastër sesa të qëndronin në tokë me një ndërgjegje të keqe.

11:33 Shkrimtari tani kthehet nga përmendja e emrave të njerëzve të besimit te përmendja e veprave të tyre.

Ata nënshtruan mbretërira. Këtu mendjet tona shkojnë te Jozueu, te gjyqtarët (që ishin udhëheqës të mirëfilltë ushtarakë), te Davidi dhe te të tjerët.

Ata realizuan drejtësinë. Mbretërit si Salomoni, Asa, Jehozafati, Joasi, Ezekieli dhe Josia kujtohen për mbretëri të cilat, edhe pse jo të përsosura, u karakterizuan nga drejtësia.

Ata arritën ato që u premtuan. Kjo mund të nënkuptojë se Perëndia bëri besëlidhje me ta, ashtu si në rastin e Abrahamit, Moisiut, Davidit dhe Salomonit; ose mund të nënkuptojë se ata morën përmbushjen e premtimeve, duke treguar të vërtetën e fjalës që Perëndisë.

Ata ua zunë grykën luanëve. Këtu mund të përmendim shembullin e jashtëzakonshëm të Danielit (Dan. 6:22), por duhet të kujtojmë gjithashtu Sansonin (Gjyqtaret 14:5,6) dhe Davidin (1 Sam. 17:34,35).

11:34 Ata fikën fuqinë e zjarrit. Turra e zjarrtë ia doli mbanë të digjte vetëm litarët e tre të rinjve hebrenj duke i çliruar ata (Dan. 3:25). Kjo tregoi se qe një bekim në provë.

Ata shpëtuan nga tehu i shpatës. Davidi shpëtoi nga sulmet keqdashase të Saulit (1 Sam. 19:9,10), Elia shpëtoi nga urrejtja vdekjeprurëse e Jezebelit (1 Mbr. 19:1-3) dhe Eliseu shpëtoi nga mbreti i Sirisë (2 Mbr. 6:15-19).

Nga të dobët u shndërruan në të fuqishëm. Shumë simbole të të dobtëve gjenden në kronikat e besimit. Ehudi, për shembull, ishte mëngjerash; megjithatë vrau mbretin e Moabit (Gjyqtaret 3:12-22). Jaela, pjesëtare e “gjinisë më të dobët”, vrau Siserën me një kunj të çadrës (Gjyqtaret 4:21). Gideoni përdori enë të dobëta balte për të mposhtur midianitët (Gjyqtaret 7:20). Sansoni përdori nofullën e një gomari për të vrarë një mijë filistej (Gjyqtaret 15:15). Të gjithë këta ilustrojnë të vërtetën se Perëndia zgjodhi gjërat e dobëta të botës për të turpëruar më të fortët (1 e Korintasve 1:27).

Ata u bënë të fortë në betejë. Besimi pajis njerëzit me fuqi përtej asaj që është e natyrshme dhe i fuqizon ata të dalin fitimtarë në raste të pakapërcyeshme.

Ata thyen ushtritë e huaja. Edhe pse zakonisht të paarmatosur dhe të paktë në numër, ushtritë e Izraelit fituan lehtësisht me habinë e armiqve dhe çuditjen e gjithë të tjerëve.

11:35 Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes. E veja e Sareptas (1 Mbr. 17:22) dhe gruaja e Shumenit (2 Mbr. 4:34) janë raste që flasin për këtë pikë.

Por besimi ka një anë tjetër. Si shtesë ndaj atyre që kryen vepra të mëdha, kishte nga ata që duruan vuajtje të ashpra. Perëndia i vlerëson këta të fundit po aq sa edhe të parët.

Për shkak të besimit të tyre në Zotin, disa qenë objekt i torturave mizore. Nëse ata do të kishin mohuar Jehovain, ata do të ishin lëshuar; por për ta ishte më mirë të vdisnin dhe të ringjalleshin përsëri në lavdinë qiellore sesa të vazhdonin këtë jetë si tradhtarë të Perëndisë. Në kohën e Makabeut [afërsisht 165 para Krishtit] një nënë dhe shtatë djemtë e saj u vranë, njëri pas tjetrit nga Antioki Epifan. Ata refuzuan të pranonin lëshimin për të fituar një ringjallje më të mirë, që do të thotë, më të mirë sesa një vazhdimësi e thjeshtë e jetës në tokë. Morrison-i komenton:

Po kështu është edhe rezultati i besimit, jo se ai sjell çlirim njeriut, por se ndonjëherë, kur ofrohet çlirimi, i jep atij një guxim të madh për ta refuzuar. Ka stinë kur besimi e tregon veten në marrje. Ka stinë kur është dëshmi në refuzim. Ka një çlirim që besimi përkrah. Ka një çlirim që besimi refuzon. Ata u torturuan se nuk pranuan çlirimin – ajo ishte shenja dhe vula se ata ishin besnikë. Ka çaste kur prova më e fortë e besimit është refuzimi i menjëhershëm i pjesës më të mirë [25].

11:36 Të tjerë u tallën, u goditën dhe u futën në burgje. Për shkak të besnikërisë ndaj Perëndisë Jeremia duroi të gjitha këto forma ndëshkimi (Jer. 20:1-6; 37:15). Jozefi gjithashtu u burgos sepse ishte më mirë të vuante sesa të mëkatonte (Zanafilla 39:20).

11:37 Ata u vranë me gurë. Jezusi i kujtoi skribët dhe farisenjtë se etërit e tyre kishin vrarë me gurë Zakarian midis shenjtërores dhe altarit (Mt. 23:35).

Ata u vranë me sharrë. Tradita thotë se Manaseu përdori këtë metodë për të ekzekutuar Isaian.

Ata u prenë [26]. Kjo fjali mbase përshkruan shtypjen e tmerrshme që duhej të duronin besimtarët ndaj kompromisit, shantazhit, kryerjes së veprave mëkatare, apo në një farë mënyre për të mohuar Zotin e tyre.

Ata u vranë nga shpata. Profeti Uria pagoi këtë çmim për shpalljen e tij besnike të lajmit të Perëndisë ndaj mbretit Jehoiakim (Jer. 26:23); por shprehja këtu i referohet vrasjes në masë, ashtu siç ndodhi në kohët e Makabeut.

Ata u endën të mbuluar me lëkurë dhensh e dhish, nevojtarë, të pikëlluar, të keqtrajtuar. Moorehead-i komenton:

Ata mund të ishin mbështjellë me rroba të mëndafshta, të kadifejta dhe do të bënin jetë luksoze në pallatet e princërve nëse do të mohonin Perëndinë dhe të besonin gënjeshtrën e botës. Në vend të kësaj, ata u endën të mbuluar me lëkurë dhensh dhe dhish, duke e ulur veten jo më lart se dhitë apo delet, dhe jo vetëm kaq por ata u quajtën të denjë për t’u vrarë [27].

Ata vuajtën varfërinë, privimin dhe përndjekjen.

11:38 Bota u soll me ta sikur të mos ishin të denjë për të jetuar. Por Fryma e Perëndisë shpërthen këtu me thirrjen se në të vërtetë ishte e anasjellta – bota nuk ishte e denjë për ta.

Ata u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut. Pa shtëpi, të ndarë nga familjet, të ndjekur si kafshët, të përjashtuar nga shoqëria, ata duruan të nxehtët dhe të ftohtët, shtrëngimin dhe vuajtjen, por ata nuk e mohuan Zotin e tyre.

11:39 Perëndia dha dëshmi për besimin e këtyre heronjve të DhV, megjithatë ata vdiqën pa marrë përmbushjen e premtimit. Ata nuk jetuan të shikonin Ardhjen e shumëpritur të Mesias apo të shijonin bekimet që do të rridhnin nga shërbesa e Tij.

11:40 Perëndia kishte ruajtur diçka më të mirë për ne. Ai bëri të mundur që ata të mos arrinin në përsosje pa ne. Ata kurrë nuk shijuan një ndërgjegje të përsosur për sa i përket mëkatit; dhe ata nuk do të shijojnë përsosmërinë e plotë të trupave të përlëvduar në qiell derisa ne të rrëmbehemi për të takuar Zotin në ajër (1 Thes. 4:13-18). Frymët e shenjtorëve të DhV janë tashmë të përsosur në praninë e Zotit (Heb. 12:23), por trupat e tyre nuk do të ringjallen prej së vdekurish derisa të kthehet Zoti për popullin e Tij. Atëherë ata do të shijojnë gëzimin e përsosmërisë së lavdisë së ringjalljes.

Për ta thënë ndryshe, besimtarët e DhV nuk qenë aq të privilegjuar sa ne. Megjithatë, mendoni për triumfet dhe provat e tyre të mëdha! Mendoni për bëmat dhe durimin e tyre! Ata jetuan në anën tjetër të kryqit; ne jetojmë në lavdinë e plotë të kryqit. Megjithatë, si janë jetët tona në krahasim me të tyret? Kjo është sfida e fortë e Hebrenjve 11.

C. Nxitje për shpresë në Krishtin (kap. 12)

12:1 Ne duhet të ngulitim në mendje se Letra e Hebrenjve iu shkrua njerëzve që po përndiqeshin. Ngaqë kishin braktisur judaizmin për Krishtin, ata po hiqnin kundërshtim të egër. Ekzistonte rreziku se mos ata interpretonin vuajtjet e tyre si shenjë e mospëlqimit të Krishtit. Ata mund të shkurajoheshin dhe të hiqnin dorë. Dhe më e keqja, ata mund të tundoheshin të ktheheshin te tempulli dhe ceremonitë e tij.

Ata nuk duhet të mendonin se vuajtjet e tyre ishin të përveçme. Shumë nga dëshmitarët, e përshkruar në kapitullin 11, vuajtën ashpërsisht si rrjedhojë e besnikërisë së tyre ndaj Zotit, megjithatë duruan. Nëse ata ditën të ruanin këmbënguljen të patundur me privilegjet e tyre të pakta, sa më tepër duhet të këmbëngulim ne që kemi gjërat më të mira të krishterimit.

Ata na rrethojnë ne si një re kaq e madhe dëshmitarësh. Kjo nuk do të thotë se ata ishin spektatorë të asaj që ndodhte në tokë. Por ata ishin dëshmitarët tanë me anë të jetëve të tyre të besimit dhe durimit, dhe vunë një standard të lartë për ne për ta imituar.

Ky varg në mënyrë të pashmangshme shtron pyetjen: “A mund të shohin shenjtorët në qiell jetët tona mbi tokë apo a mund të dinë atë që po ngjan?”. E vetmja gjë për të cilën jemi të sigurt se mund ta dinë është kur një mëkatar shpëtohet: “Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Luka 15:7).

Jeta e krishterë është një garë që kërkon disiplinë dhe durim. Ne duhet të zhveshim veten tonë nga çdo gjë që do të na pengojë. Peshat janë gjëra që janë të dëmshme për ne dhe pengojnë rritjen; ato mund të përfshijnë pasuritë materiale, lidhjet familjare, dashurinë për rehatinë, mungesën e lëvizshmërisë etj. Në garat olimpike nuk ka ndonjë rregull kundër mbajtjes së ndonjë çante me ushqime apo pije në kurriz, por atleti nuk do ta fitojë kurrë atë garë në këtë mënyrë.

Ne duhet gjithashtu të hedhim tej . . . mëkatin që na qarkon vazhdimisht. Kjo mund të nënkuptojë mëkatin e çdo lloji, por sidomos mëkatin e mosbesimit. Ne duhet të kemi besim të plotë në premtimet e Perëndisë dhe besim të plotë se jeta e besimit është e sigurt se do të fitojë.

Ne duhet të ruhemi nga nocioni se udha është një vrull i lehtë, se çdo gjë në jetën e krishterë është fushë me lule. Ne duhet të jemi të përgatitur të ecim me këmbëngulje përmes provave dhe tundimeve.

12:2 Gjatë garës, ne duhet të heqim vështrimin nga çdo objekt tjetër dhe t’i mbajmë sytë tanë të ngulitur te Jezusi, Vrapuesi që kemi para. A. B. Bruce komenton:

Vetëm një qëndron spikatshëm mbi gjithë të tjerët . . . Njeriu që së pari në mënyrë të përsosur ushtroi idenë e të jetuarit me besim . . . , i cili në mënyrë të guximshme duroi vuajtjet më të egra të kryqit dhe përçmoi turpërimin e tij, duke u mbajtur me anë të një besimi që gjallërisht kuptoi gëzimin dhe lavdinë e ardhshme si të fshinte vetëdijen e dhembjes dhe të turpit të tashëm [28].

Ai është kreu apo nismëtari i besimit tonë në kuptimin që Ai na ka siguruar shembullin e vetëm të përsosur se si është jeta e besimit.

Ai është gjithashtu plotësonjësi i besimit tonë. Ai jo vetëm që e filloi garën, por e përfundoi atë me sukses. Për Të gara u shtri që nga qielli në Betlehem, pastaj në Gjetsemani dhe Kalvar, pastaj jashtë që nga varri përsëri në qiell. Asnjëherë nuk ngurroi apo u kthye pas. Ai i mbajti sytë e tij të përqendruar në lavdinë e ardhshme kur të gjithë të shpenguarit do të mblidheshin me Të në përjetësi. Kjo e forcoi Atë të mos mendonte për turpin dhe të duronte vuajtjen dhe vdekjen. Sot Ai është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.

12:3 Pamja tani ndryshon nga gara te largimi ndaj mëkatit. Kapiteni ynë i patundur është Zoti Jezus; askush tjetër nuk duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve si Ai. Sa herë kemi prirjen të lodhemi dhe ligështohemi, ne duhet të mendojmë për çfarë duroi Ai. Provat tona do të duken të vogla në krahasim me to.

12:4 Ne jemi përfshirë në një luftë të pareshtur kundër mëkatit. Megjithatë ne nuk kemi qëndruar deri në gjak, që do të thotë, deri në vdekje. Ai po!

12:5 Tani po paraqitet pamja e krishterë e vuajtjes. Pse përndjekja, provat, mundimi, sëmundjet, dhimbja, brenga dhe shqetësimi vijnë në jetën e besimtarit? A janë ato një shenjë e zemërimit apo mospëlqimit të Perëndisë? A ndodhin këto gjëra rastësisht? Si duhet të reagojmë para tyre?

Këto vargje mësojnë se këto gjëra janë pjesë e proçesit ndreqës të Perëndisë për bijtë e Tij. Megjithëse ato nuk vijnë nga Perëndia, Ai i lejon ato, pastaj i mposht ato për lavdinë e Tij, për të mirën tonë dhe për bekimin e të tjerëve.

Asgjë nuk ndodh rastësisht për të krishterin. Tragjeditë janë bekime të fshehura dhe zhgënjimet na çojnë tek Ai. Perëndia mbreh rrethanat kundërshtuese të jetës për të na ngushëlluar sipas shëmbëllimit të Krishtit.

Kështu besimtarët e hershëm hebrenj nxiteshin të kujtonin Fja. 3:11,12, ku Perëndia u drejtohet atyre si bij. Këtu Ai i paralajmëron ata kundër përçmimit të disiplinës së Tij apo rënies së guximit nën qortimet e Tij. Nëse ata ngrenë krye apo heqin dorë, ata humbin përfitimin e disiplinë së Tij dhe nuk nxënë mësimet e Tij.

12:6 Kur lexojmë fjalët fshikullon, apo fshikullim, priremi të mendojmë për një rrahje me kamzhik. Por këtu fjala nënkupton përgatitjen apo ndreqjen e fëmijës. Ai përfshin mësimdhënien, disiplinën, ndreqjen dhe paralajmërimin. Të gjitha këto janë dhënë për të kultivuar virtytet e krishtera dhe të largojnë të keqen. Në këtë pjesë, fshikullimi nuk ishte ndëshkimi për vepra të këqija, por përgatitja përmes përndjekjes.

Pjesa te Fjalët e Urta pohon qartë se disiplina e Perëndisë është një provë e dashurisë së Tij dhe asnjë bir i Tij nuk i shpëton fshikullimit.

12:7 Duke iu nënshtruar qortimit Perëndisë, ne lejojmë disiplinën e Tij të na modelojë sipas shëmbëllimit të Tij. Nëse përpiqemi t’i bëjmë ballë disiplinës së Tij ndaj nesh, Atij i duhet të na mësojë për një periudhë kohe më të gjatë, duke përdorur metoda më tepër nxënëse dhe, për rrjedhojë, më të vështira. Ka klasa në shkollën e Perëndisë dhe kalimi i klasës vjen vetëm kur nxëmë mësimet tona.

Kështu, kur vijnë provat, ne duhet të kuptojmë se Perëndia po na provon si bij. Në çdo marrëdhënie normale at-bir, babai e ndreq të birin, sepse e do dhe dëshiron më të mirën për të. Perëndia na do aq shumë saqë Ai nuk na lejon të zhvillohemi pa disiplinë.

12:8 Në botën frymërore, ata që nuk përjetojnë disiplinën e Perëndisë janë fëmijë kopila, jo bij të vërtetë. Mbi të gjitha, një kopshtar nuk krasit gjëmbaçin, por hardhinë. Ashtu siç ndodh në botën natyrale, ashtu ndodh edhe në atë frymërore.

12:9 Shumë prej nesh kanë përjetuar disiplinën nga etërit tanë njerëzorë. Ne nuk e interpretojmë këtë si shenjë se ata na kanë urryer. Ne kuptojmë se ata ishin të interesuar për mirëqenien tonë dhe ne i nderonim ata.

Aq më tepër duhet të nderojmë mësimin e Atit të shpirtrave për të jetuar! Perëndia është Ati (apo burimi) i çdo qenieje që është frymë apo që ka një frymë. Njeriu është një frymë që banon në një trup njerëzor. Duke iu nënshtruar Perëndisë ne shijojmë jetë në kuptimin më të vërtetë.

12:10 Disiplina e etërve tokësore nuk është e përsosur. Ajo zgjat vetëm për një kohë, që do të thotë, gjatë fëmijërisë dhe rinisë. Nëse deri në atë pikë nuk ia ka arritur qëllimit, nuk mund të bëjë më tepër. Dhe u dukej më mirë atyre, sipas asaj që mendonin se ishte e drejtë. Ndonjëherë disiplina e etërve mund të jetë jo e drejtë.

Por disiplina e Perëndisë është gjithmonë e përsosur. Dashuria e Tij është e pafundme dhe dituria e Tij e padështueshme. Qortimet e Tij nuk janë kurrë rrjedhojë e tekave, por gjithmonë për dobinë tonë. Qëllimi i Tij është që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij. Dhe perëndishmëria nuk mund të prodhohet kurrë jashtë shkollës së Perëndisë. Jowett-i shpjegon:

Qëllimi i qortimit të Perëndisë nuk është ndëshkues, po krijues. Ai qorton “që mund të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së Tij”. Shprehja “që të bëhemi pjesëtarë” ka një drejtim dhe ky drejtim synon drejt jetës së pastruar dhe të mrekullueshme. Zjarri që merr flakë menjëherë nuk është një flakadan, që ndizet i shkujdesur dhe rastësisht dhe djeg gjëra të çmuara. Zjarri i Perëndisë është një zjarr rafinues dhe Rafinuesi mbështetet tek ai dhe Ai është i qëndrueshëm dhe i durueshëm dhe në mënyrë të sjellshme nxjerr shenjtërinë nga shkujdesja dhe qëndrueshmërinë nga dobësia. Perëndia është gjithmonë në krijim, madje edhe kur përdor mjetet e brishta të hirit. Ai po prodhon frytet dhe lulet e Frymës. Dashuria e Tij është gjithmonë në kërkim të gjërave të dashura [29].

12:11 Ndërkohë, çdo disiplinë duket e dhimbshme. Por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij. Ja, pra, pse ndeshemi me një dëshmi të tillë, si ajo e Leslie Weatherland-it:

Ashtu si tërë njerëzit edhe unë dua dhe pëlqej të kem një kohë me diell që shkëlqen në përvojat e mia, ku tepron shëndeti, lumturia dhe suksesi, por kam mësuar më tepër për Perëndinë dhe jetën dhe veten, në errësirën e frikës dhe dështimit, kam mësuar gjëra që nuk do t’i mësoja në kohë me diell. Ekzistojnë gjëra të tilla si thesaret e errësirës. Errësira, lavdi Perëndisë, kalon. Por atë që e mëson në errësirë mbetet pasuri përgjithmonë. “Gjërat e mërzitshme” – thotë peshkopi Fenelon – “që përfytyron midis teje dhe Perëndisë do të jenë mjete bashkimi me Të, nëse i mban me përulësi. Ato gjëra që na sundojnë dhe shtypin krenarinë tonë, bëjmë më tepër mirë nga çdo gjë që sjell gëzim dhe na frymëzon” [30].

Ose merr në konsideratë dëshminë e C. H. Spurgeon-it:

Kam frikë se tërë hirin që kam marrë nga kohët e mia të rehatshme e të lehta dhe orët e lumtura mund të vlejnë sa një qindarkë. Por e mira që kam marrë nga brengat, dhimbjet dhe trishtimet e mia është e pallogaritshme. Çfarë i detyrohem çekiçit dhe kudhrës, zjarrit dhe limës? Pikëllimi është presa më e mirë e pajisjeve në shtëpinë time [31].

12:12 Besimtarët nuk duhet të lëshojnë pe nën rrethanat e vështira të jetës; mungesa e tyre e besimit mund të ketë një ndikim jo të favorshëm te të tjerët. Kapitja e duarve të tyre duhet të përforcohet për t’i shërbyer Krishtit të gjallë. Gjunjët e këputur duhet të përforcohen për lutje këmbëngulëse.

12:13 Këmbët që çapiten duhet të drejtohen në shtigjet e drejta të dishepullimit të krishterë. William-i shkruan:

Të gjithë ata që e ndjekin Zotin plotësisht sheshojnë shtegun e besimit për vëllezërit e dobët; por ata që nuk e ndjekin plotësisht, ashpërsojnë shtegun për këmbët e të tjerëve dhe krijojnë të çara frymërore [32].

G. H. Lang-u jep një ilustrim të këndshëm:

Një udhëtar i kapitur, i lodhur nga rruga dhe i rrahur nga stuhia, qëndronte i dëshpëruar dhe zemërlëshuar. Me shpatullat e rënduara, me duart e varura, gjunjët e rëna dhe që i dridheshin, ishte gati të hiqte dorë dhe të binte përtokë. I tillë mund të bëhet shtegtari i Perëndisë, siç është përshkruar nga shkrimtari ynë.

Por dikush shkoi tek ai me shprehje plot besim, me buzëqeshje të ëmbël dhe zë të sigurt, dhe i tha: “Merr zemër, qëndro drejt, forco gjymtyrët, merr zemrën e hirit. Tashmë ke ecur shumë; mos e shko kot mundimin tënd të mëparshëm. Një shtëpi e fisme të pret në fund të udhëtimit. Shiko, ja, përpara e ke rrugën; vazhdo drejt; kërko shërimin e madh të Doktorit për të mos çaluar më . . . Pararendësi yt ka kaluar nëpër të njëjtën rrugë të vështirë për në pallatin e Perëndisë; të tjerë para teje kanë kaluar përmes saj dhe ia kanë dalë; të tjerët janë rrugës; ti nuk je vetëm; vetëm këmbëngul! Dhe ti gjithashtu do të arrish qëllimin dhe do të fitosh çmimin”.

I lumtur është ai që di se si mund ta mbajë me fjalë të lodhurin (Is. 50:4). I lumtur është ai që pranon qortimin (Heb. 13:22). Dhe shumë i lumtur është ai besimi i të cilit është i thjeshtë dhe i fortë, në mënyrë që të mos gjejë rast pengese në Zotin kur disiplina e Tij është e ashpër [33].

12:14 Të krishterët duhet të përpiqen për marrëdhënie paqësore me të gjithë dhe në çdo kohë. Por kjo nxitje është sidomos e nevojshme kur përndjekja është e madhe, kur disa largohen nga besimi dhe kur nervat janë të ngritura. Në raste të tilla është shumë e lehtë të shprehësh dufin ndaj atyre që janë më të afërt dhe më të dashur.

Ne duhet të përpiqemi gjithashtu për shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë. Për cilin shenjtërim kemi të bëjmë këtu? Për t’iu përgjigjur pyetjes ne duhet t’i kujtojmë vetes se shenjtëria përdoret për besimtarët në të paktën tri mënyra të ndryshme në DhR.

Së pari, besimtari bëhet i shenjtë për pozicion kur kthehet te Zoti; ai është veçuar për Perëndinë nga bota (1 e Korintasve 1:2; 6:11). Me anë të virtytit të bashkimit të tij me Krishtin ai shenjtërohet përgjithmonë. Kjo është ajo që nënkuptonte Martin Luteri kur tha: “Shenjtërimi im është në qiell”. Krishti është shenjtërimi ynë, që do të thotë, për sa i përket pozicionit tonë para Perëndisë.

Pastaj është shenjtërimi praktik (1 Thes. 4:3; 5:23). Kjo është ajo që duhet të jemi ditë pas dite. Ne duhet të ndajmë veten tonë nga çdo formë e së keqes. Kjo shenjtëri duhet të jetë në rritje, që do të thotë, ne duhet të rritemi gjithnjë e më tepër, vazhdimisht, ashtu si Zoti Jezus.

Së fundi, ekziston një shenjtërim i plotë apo i përsosur. Kjo ndodh kur një besimtar shkon në qiell. Atëherë ai do të jetë i çliruar përgjithmonë nga mëkati. Natyra e tij e vjetër është hequr dhe gjendja e tij përkon në mënyrë të përsosur me pozicionin e tij.

Tani, çfarë shenjtërie duhet të kërkojmë? Pa dyshim që këtu flitet për shenjtërimin praktik. Ne nuk përpiqemi për shenjtërimin pozicional; ai bëhet i yni automatikisht kur lindim sërish. Dhe ne nuk përpiqemi për shenjtërimin e përsosur që do të jetë i yni kur të shohim fytyrën e Tij. Por shenjtërimi praktik apo rritës është diçka që përfshin bindjen dhe bashkëpunimin tonë; ne duhet të kultivojmë këtë shenjtërim vazhdimisht. Fakti se duhet ta ndjekim atë është një provë që ne nuk e marrin plotësisht në këtë jetë (shikoni shënimet te 2:11 për një përshkrim më të hollësishëm të aspekteve të ndryshme të shenjtërimit).

Wuest-i shkruan:

Nxitja bëhet ndaj judenjve të rilindur që kishin lënë Tempullin, për të jetuar jetët e tyre në shenjtëri dhe për t’u kapur me guxim pas besimit të tyre të ri, që judenjtë e pashpëtuar, që kishin lënë edhe ata Tempullin dhe kishin përqafuar nga ana e jashtme të vërtetën e Dhiatës së Re, do të nxiteshin të vazhdonin në besimin në Mesian si Kryeprift, në vend që të ktheheshin te flijimet e shfuqizuara të sistemit levitik. Këta judenj të lindur me të vërtetë sërish u paralajmëruan se një jetë e krishterë e çalë do të shkaktonte që këta judenj të pashpëtuar të dilnin përsëri nga udha [34].

Por mbetet një vështirësi! A është e vërtetë se ne nuk mund ta shohim Zotin pa shenjtërimin praktik? Po, ka një anë të vërtetë; por le të kuptojmë se kjo nuk do të thotë se ne fitojmë të drejtën të shohim Perëndinë duke bërë jetë të shenjtë. Jezu Krishti është shpresa jonë e vetme në qiell. Ajo që nënkupton ky varg është se duhet të ketë shenjtërim praktik si një provë e një jete të re në një njeri. Nëse dikush nuk po bëhet më i shenjtë, ai nuk është i shpëtuar. Kur Fryma e Shenjtë banon te një njeri, Ai shfaq praninë e Tij me anë të një jete të ndarë. Është një çështje shkaku dhe pasoje; nëse Krishti është pranuar, nga ai njeri do të rrjedhin lumenj uji të gjallë.

12:15 Dy vargjet që vijojnë duken se paraqesin katër mëkate të ndara për t’u shmangur. Por ka një sugjerim të fortë në kontekst se ky është një paralajmërim tjetër kundër mëkatit të vetëm të apostazisë dhe se këto katër mëkate janë të lidhura të gjitha me të.

Para së gjithash, apostazia është dështimi për të arritur hirin e Perëndisë. Ai njeri duket si i krishterë, flet si i krishterë, rrëfen se është i krishterë, por ai nuk ka lindur kurrë sërish. Ai ka shkuar aq pranë Shpëtimtarit, por kurrë nuk e ka pranuar Atë; aq afër, por edhe aq larg.

Apostazia është një rrënjë e hidhur. Ai njeri hidhërohet kundër Zotit dhe mohon besimin e krishterë. Shkelja e tij e besimit është ndotëse. Të tjerët ndoten nga ankimet, dyshimet dhe mohimet e tij.

12:16 Apostazia është e lidhur ngushtë me imoralitetin. Një i ashtuquajtur i krishterë mund të bjerë në mëkatin e madh të moralit. Në vend që të pranojë fajin e tij, ai fajëson Zotin dhe largohet. Apostazia dhe mëkati i seksualitetit janë të lidhura te 2 Pjetrit 2:10,14,18 dhe Juda 8,16,18.

Së fundi, apostazia është një formë mosbesimi, ilustruar nga Esau. Ai nuk arriti të vlerësonte me të vërtetë të drejtën e parëbirnisë; ai me dashje e shkëmbeu atë për kënaqësinë e tij të përkohshme të oreksit.

12:17 Më vonë Esaut i erdhi keq për shkak të pjesës së dyfishtë të të vëllait, por ishte tepër vonë. Ati i tij nuk mund të kthente më bekimin.

Po kështu është edhe me një femohues. Ai nuk ka një vlerësim të vërtetë për vlerat frymërore. Ai me dashje mohon Krishtin për t’i shpëtuar qortimit, vuajtjes apo rënies dëshmor. Ai nuk mund të kthehet më në pendim. Mund të ketë brejtje të ndërgjegjes, por jo pendim të perëndishëm.

12:18 Ata që tundohen të kthehen te ligji duhet të kujtojnë rrethanat e tmerrshme që priti dhënia e ligjit dhe duhet të nxjerrin mësime frymërore nga to. Skena ishte mali Sinai, një mal me kuptimin e plotë të fjalës, i vërtetë, që digjej në zjarr. Ai u mbështoll nga një mbulesë apo vel që bëri që çdo gjë të dukej e padallueshme, e zymtë dhe e mjegullt. Një stuhi e fuqishme filloi rreth tij.

12:19 Si shtesë ndaj këtyre çrregullimeve natyrore, pati edhe dukuri të tmerrshme të mbinatyrshme. Një bori çahej me zhurmë dhe një gjëmonte aq shumë saqë njerëzit kërkonin me ngulm që të ndaleshin.

12:20 Ata ishin plotësisht të mërzitur nga shpallja hyjnore se “Nëse edhe një shtazë e prek malin, të vritet me gurë” [35]. Ata e dinin se nëse kjo përfshinte një kafshë pa gojë dhe pa arsye, aq më e sigurt do të ishte vdekja e atyre që kuptonin paralajmërimin.

12:21 E tërë skena ishte aq e llahtarshme dhe parandaluese saqë vetë Moisiu po dridhej. E gjithë kjo flet qartë për natyrën dhe shërbesën e ligjit. Ai është zbulimi i kërkesave të drejta të Perëndisë dhe të zemërimit të Tij kundër mëkatit. Qëllimi i ligjit nuk ishte të siguronte njohjen e shpëtimit, por të siguronte njohjen e mëkatit. Ai flet për largësinë midis Perëndisë dhe njeriut për shkak të mëkatit. Ai është një shërbesë ndëshkimi, errësire dhe trishtimi.

12:22 Besimtarët nuk kanë shkelur në terrenet e ndaluara të Sinait, por kanë shijuar mikpritjen e hirit:

Mali që digjet dhe veli misterioz,

me tmerret dhe fajet tona ka ikur

për shkak të Qengjit lart në fron,

ndërgjegjja jonë ka paqe që nuk mund

të dështojë.

James G. Deck

Tani çdo bir i Perëndisë i fituar përmes gjakut mund të thotë:

Tmerri i ligjit dhe i Perëndisë,

me mua nuk ka gjë të përbashkët;

Bindja dhe gjaku i Shpëtimtarit tim

Fsheh nga sytë tërë shkeljet e mia.

A. M. Toplady

“Ne tashmë kemi mbërritur në parimin ku me të vërtetë do të jemi përgjithmonë. E ardhmja është e tashmja. Që sot ne zotërojmë të nesërmen. Në tokë ne kemi Qiellin” (E zgjedhur).

Ne nuk shkojmë te një mal i prekshëm sot. Privilegji ynë është të hyjmë në shenjtëroren e qiellit. Me anë të besimit, ne i afrohemi Perëndisë në rrëfim, lavdërim dhe lutje. Ne nuk jemi kufizuar nga një ditë e vitit, por mund të hyjmë te Vendi Shumë i Shenjtë sa herë të duam, duke ditur se jemi gjithmonë të mirëpritur. Perëndia nuk thotë më: “Qëndro larg!”; Ai thotë: “Eja afër me besim!”.

Ligji ka malin e tij Sinai, por besimi ka malin e tij Sion. Ky mal qiellor simbolizon bekimet e shumta të hirit – gjithçka që është e jona përmes veprës shpenguese të Krishtit Jezus.

Ligji ka Jerusalemin e tij tokësor, por besimi ka kryeqytetin e tij qiellor atje lart. Qyteti i Perëndisë së gjallë është në qiell; qyteti ka themele, Arkitekt dhe Ndërtues i të cilave është Perëndia.

Ndërsa hyjmë në praninë e Perëndisë, ne rrethohemi nga një mantel i ngrohtë. Para së gjithash, ka një mori engjëjsh të cilët edhe pse të paprekur nga mëkati nuk mund të bashkohen me këngën tonë, sepse ata nuk e njohin “gëzimin që sjell shpëtimi ynë”.

12:23 Pastaj ne jemi pjesëtarë të kuvendit universal dhe kishës së të parëlindurve që janë shkruar në qiej. Këta janë pjesëtarë të kishës, Trupit dhe Nuses së Krishtit, që kanë vdekur që nga dita e Rrëshajave dhe që tani po shijojnë praninë e Zotit. Ata presin ditën kur trupat e tyre do të ringjallen nga varret në trupa të përlëvduar dhe do të bashkohen me shpirtrat e tyre.

Me anë të besimit ne shohim Perëndinë, gjykatësin e të gjithëve. Errësira dhe zymtësia nuk e fsheh Atë më tepër; nga vizioni i besimit lavdia e Tij është e tejbollshme.

Shenjtorët e DhV ndodheshin atje, shpirtrat e të drejtëve që u bënë të përsosur. Të shfajësuar me anë të besimit, ata qëndrojnë në pastërti të panjollë, për shkak të vlerës së veprës së Krishtit që është vënë në llogarinë e tyre. Ata gjithashtu presin kohën kur varret do të hapen dhe ata do të marrin trupat e tyre të përlëvduar.

12:24 Jezusi është atje si Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re. Ka një ndryshim midis Moisiut si ndërmjetës i Dhiatës së Vjetër dhe Jezusit si Ndërmjetës i asaj të resë. Moisiu shërbeu si ndërmjetës thjesht duke pranuar ligjin nga Perëndia për t’ia dhënë atë popullit të Izraelit. Ai ishte shkuesi, apo përfaqësuesi i popullit, duke ofruar flijime me anë të të cilave miratohej besëlidhja.

Krishti është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re në një kuptim më të lartë. Para se Perëndia të bënte me të drejtë këtë besëlidhje, Zoti Jezus duhej të vdiste. Ai duhej të vuloste besëlidhjen me gjakun e Tij dhe të jepte Vetveten si shpengim për shumë vetë (1 Tim. 2:6).

Ai siguroi bekimet e Besëlidhjes së Re për popullin e Tij me anë të vdekjes së Tij. Ai siguron këto bekime për ta me anë të jetës së Tij të pafundme. Dhe Ai e ruan popullin e Tij për të shijuar bekimet në një botë të ligë me anë të shërbesës së Tij të tashme në të djathtën e Perëndisë. E tërë kjo përfshihet në veprën e Tij ndërmjetësuese.

Duke mbartur shenjat e Kalvarit, Zoti Jezus është përlëvduar në të djathtën e Perëndisë, si Princ dhe Shpëtimtar.

Ne duam të ngremë lart shikimin dhe të vështrojmë Atë atje,

qengjin për të vrarët e Tij të zgjedhur;

dhe së shpejti shenjtorët e Tij do të ndajnë lavditë e Tij,

me Kreun dhe Zotin e tyre do të mbretërojnë.

James G. Deck

Së fundi, është gjaku i spërkatjes, që flet më mirë se gjaku i Abelit. Kur Krishti u ngjit, Ai i paraqiti Perëndisë tërë vlerën e gjakut që derdhi në kryq. Nuk mund të themi se Ai, në një mënyrë fjalë fjalë, çoi në qiell gjakun, por meritat e gjakut të Tij u bënë të njohura në shenjtërore. Përsëri, J. G. Deck e shpreh të vërtetën me vargje:

Gjaku i Tij i çmuar është spërkatur,

para dhe pas fronit;

dhe plagët e Tij në Qiell shpallin

veprën që shpëton të përfunduar.

Gjaku i Tij i çmuar krahasohet me gjakun e Abelit. Qoftë nëse e kuptojmë këtë të fundit si gjakun e flijimit të Abelit apo gjakun e tij, që u derdh nga Kaini, është e vërtetë se gjaku i Krishtit flet më tepër me hir. Gjaku i flijimit të Abelit tha: “I mbuluar përkohësisht”, gjaku i Krishtit thotë: “I falur përgjithmonë”. Gjaku i Abelit thotë: “Hakmarrje!”, gjaku i Krishtit bërtet: “Mëshirë, falje dhe paqe”.

12:25 Vargjet mbyllëse të kapitullit 12 vënë në përqasje zbulimin e Perëndisë në Sinai me zbulimin e Tij në dhe përmes Krishtit. Privilegjet dhe lavditë e pakrahasueshme të besimit të krishterë nuk duhet të merren përciptazi. Perëndia flet, fton, përpiqet të fitojë dikë. Të refuzosh Atë do të thotë të humbësh.

Ata që nuk iu bindën zërit të Perëndisë sipas ligjit u ndëshkuan sipas tij. Kur privilegji është më i madh, përgjegjësia është më e madhe gjithashtu. Në Krishtin Perëndia ka dhënë zbulimin e Tij më të mirë dhe përfundimtar. Ata që e refuzojnë zërin e Atij që flet prej qiellit në ungjill janë më tepër përgjegjës se ata që shkelën ligjin. Shpëtimi është i pamundur.

12:26 Në Sinai zëri i Perëndisë shkaktoi një tërmet të tokës. Por kur Ai të flasë në të ardhmen zëri i Tij gjithashtu do të shkaktojë një “tërmet të qiellit”. Kjo, në thelb, u paratha nga profeti Hagai (2:6): “Edhe një herë, pas pak, unë do t’i bëj të dridhen qiejt dhe dheun, detin dhe sterën”.

Kjo dridhje do të ndodhë gjatë periudhës duke filluar nga Rrëmbimi deri në fund të mbretërisë së Krishtit. Pak para ardhjes së Krishtit për të mbretëruar do të ketë turbullira të dhunshme të natyrës si në tokë ashtu edhe në qiej. Planetet do të dalin nga orbitat përkatëse duke shkaktuar valë të mëdha dhe zhurmë detare. Pastaj në fund të Mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit, toka, qiejt yjorë dhe qiejt atmosferikë do të shkatërrohen nga një nxehtësi e lartë (2 Pje. 3:10-12).

12:27 Kur Perëndia tha “edhe një herë”, Ai shpalli para kohe heqjen e plotë dhe përfundimtare të qiejve dhe tokës. Kjo ndodhi do të heqë mitin se ajo që mund të shohim, prekim dhe përdorim është e vërtetë dhe se gjërat e padukshme janë të pavërteta. Kur Perëndia të përfundojë procesin e ngjeshjes dhe dridhjes, vetëm ajo që është e vërtetë do të mbetet.

12:28 Ata që ishin të zënë me ritualizmin e prekshëm dhe të dukshëm të judaizmit prireshin nga gjëra që do të tundeshin. Besimtarët e vërtetë kanë mbretërinë e patundur. Kjo do të frymëzojë adhurimin dhe lavdërimin më të zjarrtë. Ne duhet ta lavdërojmë pa pushuar Atë me nderim e me frikë.

12:29 Perëndia ynë është një zjarr që konsumon ndaj të gjithë atyre që nuk pranojnë ta dëgjojnë. Por ndaj të Tijve, shenjtëria dhe drejtësia e Tij është kaq e madhe saqë ata duhet të tregojnë nderim dhe respekt të thellë.

D. Nxitje ndaj hireve të ndryshme të krishtera (13:1-17)

13:1 Pjesa praktike e Letrës së Hebrenjve vazhdon me gjashtë nxitje rreth hireve që duhet të zhvillohen. Së pari është dashuria vëllazërore. Duhet të ketë një ndjenjë marrëdhënieje familjare ndaj tërë të krishterëve të vërtetë dhe një njohje e kësaj farefisnie me fjalë dhe veprime të dashura (1 Gjonit 3:18).

13:2 Lexuesit nxiten të tregojnë mikpritje ndaj të huajve. Kjo mund t’i referohet së pari besimtarëve që po shpëtonin nga përndjekja dhe e kishin të vështirë të siguronin ushqim dhe fjetje; t’i bujtje ata do të thoshte rrezik për mikpritësit. Ky varg mund të kuptohet gjithashtu si një nxitje e përgjithshme për t’i treguar mikpritje çdo besimtari që ishte në nevojë.

Ekziston gjithashtu mundësia rrënqethëse se duke bërë këtë ne mund të presim pa ditur engjëj! Kjo, sigurisht, sjell ndërmend përvojën e Abrahamit me tre burrat, që ishin qenie engjëllore (Zanafilla 18:1-15) [36]. Edhe nëse nuk presim qenie të vërteta engjëllore në shtëpitë tona, mund të presim burra dhe gra prania e të cilëve është një bekim dhe ndikimi i tyre i perëndishëm në familjen tonë mund t’i marrë frytet në përjetësi.

13:3 Nxitja e tretë ka të bëjë me kujdesin për besimtarët e burgosur. Kjo sigurisht nënkupton ata që ishin burgosur për shkak të dëshmisë së tyre për Krishtin. Ata mund të kishin nevojë për ushqim, veshmbathje, gjëra për të lexuar dhe inkurajim. Besimtarët mund të ishin të tunduar për të mos rrezikuar vetveten duke shmangur shoqërim me të burgosurit. Ata duhet të kujtojnë se duke vizituar të burgosurit, ata po vizitonin Krishtin.

Mëshira duhet të tregohet edhe për ata që keqtrajtohen; përsëri pa dyshim, kjo nënkupton të krishterët e përndjekur. Lexuesit duhet t’i bëjnë ballë çdo prirjeje për të mbrojtur veten nga rreziku i shfaqjes së një mëshire të tillë. Për veten tonë, ne mund të zgjerojmë zbatimin e vargut për të përfshirë përkrahjen për tërë shenjtorët që vuajnë. Ne duhet të kujtojmë se ne jemi në trup dhe për këtë arsye të prirur ndaj të njëjtave mundime.

13:4 Martesa duhet të nderohet nga të gjithë. Ne duhet të kujtojmë se ajo u caktua nga Perëndia para se mëkati të futej në botë dhe ky është vullneti i Tij i shenjtë për njerëzimin. Ta trajtosh atë si të papastër, ashtu siç bëjnë skeptikët, apo madje të tallesh me të, ashtu siç bëjnë të krishterët ndonjëherë, gjithashtu ndalohet nga Shkrimi.

Ata që janë të martuar duhet t’u qëndrojnë besnik bashkëshorteve të tyre dhe kjo e mban martesën të papërlyer. Në dallim me shthurjen vetëkënaqëse të njeriut modern në këtë fushë, fakti mbetet se çdo marrëdhënie seksuale jashtëmartesore është mëkat. Tradhtia bashkëshortore nuk është sëmundje; është mëkat. Dhe është një mëkat të cilin Perëndia do ta gjykojë patjetër. Asnjë formë imoraliteti nuk do të shpëtojë. Ai e gjykon atë në këtë jetë – përmes sëmundjeve trupore, familjeve të prishura, mundimeve mendore dhe nervore, shformimeve të personalitetit. Nëse imoraliteti nuk falet me gjakun e Krishtit, Ai do ta gjykojë atë edhe në zjarrin e përjetshëm.

Reformatori peshkop Latimer e kujtonte Mbretin imoral Henri VIII në një mënyrë sa bindëse aq edhe të guximshme. Ai u paraqit para mbretit me një Bibël të mbështjellë këndshëm. Në mbështjellëse ishin shkruar fjalët: “Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe shkelësit e kurorës”.

13:5 Virtyti i gjashtë për t’u ushtruar është kënaqja. Kujtoni se ithtarët e judaizmit thoshin vazhdimisht: “Ne kemi tabernakullin. Ne kemi priftërinë. Ne kemi ofertat. Ne kemi ritet e bukura. Çfarë keni ju?”. Këtu shkrimtari u thotë qetësisht të krishterëve: Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni. Duhet të them kështu! Ajo që të krishterët kanë është pafundësisht më e lartë se më e mira e judaizmit – pse nuk duhet të kënaqet? Ai ka Krishtin; kjo i mjafton.

Dashuria për paranë mund të jetë një pengesë e tmerrshme për besimtarin. Ashtu si një monedhë e vogël që e mbajmë midis syrit tonë dhe diellit, ashtu edhe lakmia për para thyen marrëdhënien me Perëndinë dhe pengon rritjen frymërore.

Pasuritë më të mëdha që mund të ketë një njeri mbështeten në zotërimin e Atij që premton: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis”. Në greqisht, mohimi i fortë shprehet duke përdorur dy ose më tepër mohime. Në këtë varg përbërja është shumë e theksuar: përfshin pesë mohime për të treguar pamundësinë e Krishtit për të braktisur të Tijtë!

13:6 Fjalët e Psalmit 118:6 janë rrëfimi me besim i atij që ka Krishtin: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?” Fakti është se në Krishtin ne kemi siguri, mbrojtje dhe paqe të përsosur.

13:7 Lexuesit mësohen të kujtojnë udhëheqësit e tyre, mësuesit e krishterë u shpallën atyre fjalën e Perëndisë. Cili qe rezultati i sjelljes së tyre? Ata nuk u kthyen te sistemi levitik, por ruajtën rrëfimin e tyre të patundur deri në fund. Mbase disa prej tyre u vranë për emrin e Krishtit. Besimi i tyre duhet imituar, besimi që varet nga Krishti dhe doktrina e krishterë dhe që mban Perëndinë në çdo veprim në jetë. Ne të gjithë nuk jemi thirrur te të njëjtat forma të shërbimit, por jemi thirrur për një jetë besimi.

13:8 Lidhja e këtij vargu me atë të mëparshëm nuk është e qartë. Mbase mënyra më e thjeshtë për ta kuptuar është si një përmbledhje e mësimit, qëllimit dhe besimit të këtyre udhëheqësve. Thelbi i besimit të tyre ishte ky: Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë. Qëllimi i jetëve të tyre ishte Krishti – i njëjtë dje, sot e përjetë. Themeli i besimit të tyre ishte se Jezusi është Krishti (Mesia), i njëjtë dje, sot e përjetë.

13:9 Tani vijon një paralajmërim kundër mësimeve të rreme të legalizmit. Pjesëtarët e judaizmit këmbëngulnin se shenjtëria lidhej, për shembull, me anën e jashtme, si adhurimin ceremonial dhe ushqimet e pastra. E vërteta është se shenjtëria prodhohet me anë të hirit, dhe jo nga ligji. Ligjet rreth ushqimeve të pastra dhe të papastra ishin dhënë për të prodhuar pastrim ritual. Por kjo nuk është e njëjta gjë me shenjtërinë e brendshme. Një njeri mund të jetë i pastruar me anë të ceremonive dhe në të njëjtën kohë të jetë i mbushur me urrejtje dhe hipokrizi. Vetëm hiri i Perëndisë mund të frymëzojë dhe shtyjë besimtarët të bëjnë jetë të shenjta. Dashuria për Shpëtimtarin tonë, që vdiq për mëkatet tona, na shtyn të “rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë” (Titi 2:12). Mbi të gjitha, rregullat e pafundme rreth ushqimeve dhe pijeve nuk qenë të dobishme për adhuruesit e tyre.

13:10 Le të mos humbim triumfin e fjalëve: “Ne kemi një altar”. Këto janë përgjigjja e besueshme e të krishterit ndaj përqeshjeve të përsëritura të pjesëtarëve të judaizmit. Altari ynë është Krishti dhe, për këtë arsye, përfshin të gjitha bekimet që gjenden në Të. Ata që lidhen me sistemin levitik nuk kanë të drejtë të marrin pjesë nga gjërat më të mira të krishterimit. Ata së pari duhet të pendohen nga mëkatet e tyre dhe të besojnë në Jezu Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e vetëm.

13:11 Sipas sistemit të flijimeve, disa kafshë vriteshin dhe gjaku i tyre çohej në Vendin Shumë të Shenjtë prej kryepriftit si një flijim për mëkatin. Trupat e atyre kafshëve çoheshin në një vend larg mjedisit të tabernakullit dhe digjeshin. Jashtë fushës do të thotë jashtë oborrit të jashtëm të rrethuar të tabernakullit.

13:12 Kafshët e djegura jashtë fushës ishin një figurë; Zoti Jezus ishte personi vetë. Ai u kryqëzua jashtë mureve të qytetit të Jerusalemit. Jashtë fushës së judaizmit të organizuar Ai shenjtëroi popullin me gjakun e vet.

13:13 Zbatimi për lexuesit e hershëm të letrës ishte ky: ata duhet të bënin një shkëputje të plotë me judaizmin. Një herë e përgjithmonë ata duhet t’i kthenin shpinën flijimeve të tempullit dhe të bënin të tyren veprën e kryer të Krishtit si flijimi i tyre i mjaftueshëm.

Zbatimi për ne është i njëjtë: fusha sot është i tërë sistemi fetar që mëson shpëtimin me anë të veprave, karakterit, riteve apo shërbesave kryesore. Është sistemi i kishës moderne me priftërinë njerëzore, mjetet materiale për të adhuruar dhe zbukurimet e tij ceremoniale. Është një krishterim i prishur, një kishë pa Krishtin. Zoti Jezus është jashtë dhe ne duhet të dalim, pra, drejt tij . . . duke bartur poshtërimin e tij.

13:14 Jerusalemi ishte i dashur për zemrat e atyre që shërbenin në tempull. Ai ishte qendra gjeografike e “fushës” së tyre. I krishteri nuk ka qytet të tillë në tokë; zemra e tij është vendosur në qytetin qiellor, Jerusalemin e ri, ku Qengji është në lavdi.

13:15DhR të gjithë besimtarët janë priftërinj. Ata janë priftërinj të shenjtë, që shkojnë në shenjtëroren e Perëndisë për të adhuruar (1 Pjetrit 2:5) dhe ata janë priftërinj mbretërorë që dalin në botë për të dëshmuar (1 Pjetrit 2:9). Ka të paktën tri flijime që ofron një prift besimtar. Së pari, është flijimi i personit të tij (Rom.12:1). Pastaj në vargun 15 është i dyti: një flijim lavdie. Ai i ofrohet Perëndisë përmes Zotit Jezus. I tërë lavdërimi dhe lutja jonë kalon përmes Tij para se të shkojë te Perëndia Atë; Kryeprifti ynë i madh heq tërë papastërtitë dhe papërsosmëritë tona dhe shton virtytin e Tij.

Tërë lutjeve dhe lavdërimeve tona

Krishti u shton aromën e Tij të këndshme;

Dhe dashuri-temjanica ngre

këto aroma për të konsumuar.

Mary B. Peters

Flijimi i lavdisë është fryti i atyre buzëve që pranojnë emrin e tij. Adhurimi i vetëm që pranon Perëndia është ai që rrjedh nga buzët e shpenguara.

13:16 Flijimi i tretë është oferta e pasurive tona. Ne duhet t’i përdorim burimet tona të të ardhurave për të bërë bamirësi dhe të ndajmë me ata që janë në nevojë. Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla të gjalla. E kundërta është kur një njeri grumbullon gjëra për vetveten.

Populli i priftërinjve të vajosur nga Perëndia

nuk do të kalojë kurrë;

Para Fytyrës së Tij të lavdishme ata qëndrojnë

dhe i shërbejnë Atij ditë e natë.

Edhe pse arsyeja shfren dhe mosbesimi

tërbohet me një stuhi të fuqishme,

ata janë dhe do të jenë, deri në fund,

priftërinjtë e fshehtë të Perëndisë.

Shpirtrat e Tij të zgjedhur, pisllëku i tyre tokësor

i djegur në zjarrin e shenjtë,

te zemra e Perëndisë zemrat e tyre ngjiten

në flakën e dëshirës së thellë;

Temjani i adhurimit të tyre mbush

Vendin më të shenjtë të Tempullit;

kënga e tyre me çudi mbush Qiejt,

kënga e re e gëzueshme e hirit.

Gerhard Tersteegen

13:17 Në vargjet 7 dhe 8 lexuesit u mësuan të kujtojnë udhëheqësit e tyre të vjetër [mësuesit, barinjtë, pleqtë etj.]. Tani ata mësohen t’u binden të parëve të tyre të tashëm. Kjo mbase i referohet së pari pleqve në kishën lokale. Këta njerëz veprojnë si përfaqësues të Perëndisë në asamble. Atyre u është dhënë autoriteti dhe besimtarët duhet t’i nënshtrohen autoritetit të tyre. Si nënbarinj, pleqtë rrinë zgjuar për shpirtrat e tufës. Atyre do t’u duhet të japin llogari para Perëndisë një ditë. Ata do ta bëjnë me gëzim apo me hidhërim, në varësi të rritjes frymërore të detyrave të tyre. Nëse do ta bëjnë me hidhërim, kjo do të thotë humbje e shpërblimit të shenjtorëve. Kështu është për dobinë e të gjithëve të respektojnë anën e autoritetit të cilën ua ka dhënë Perëndia.