Ungjijtë janë frytet e para të të gjitha Shkrimeve. Origeni
I. Ungjijtë tanë të lavdishëm
Kushdo që ka studiuar letërsi njeh tregimin, novelën, dramën, poemën, biografinë si dhe trajta të tjera letrare, por kur Zoti ynë Jezus Krisht erdhi në tokë u nevojit një kategori krejt e re letërsie – Ungjilli. Ungjijtë nuk janë biografi, megjithëse ato kanë mjaft material biografik. Ata nuk janë tregime, megjithëse përmbajnë shëmbëlltyra të tilla si «Djali plëngprishës» dhe «Samaritani i mirë» që janë aq interesante sa ç’është çdo histori në të gjithë letërsinë. Madje disa shëmbëlltyra kanë qenë përshtatur e bërë novela ose tregime të shkurtra. Ungjijtë nuk janë raporte në trajtë dokumentacioni, por megjithatë përmbajnë përshkrime të përpikta, ndonëse sigurisht të ngjeshura, të shumë bisedave dhe fjalimeve të Zotit tonë. «Ungjilli» nuk është vetëm një kategori e paparë letrare, por është gjithashtu e përfunduar. Pasi që të katër ungjilltarët, Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, i shkruan ata, Ungjijtë u përfunduan. Katër Ungjij dhe vetëm këta katër kanë qenë njohur nga të krishterët për rreth dy mijë vjet. Heretikë të ndryshëm shkruan libra që ata i quajtën ungjij, por këto ishin mjete të ulta për të nxjerrë ca herezi, siç ishte gnosticizmi [shih 1 Gjonit]. Po pse katër Ungjij? Pse jo pesë për t’u harmonizuar me pesë librat e Moisiut për të formuar një Pentateuk të krishterë [Pentateuku është 5 librat e parë të Biblës]? Ose pse të mos ketë vetëm një Ungjill të gjatë, duke lënë jashtë të gjitha përsëritjet për të patur vend për më shumë mrekulli dhe shëmbëlltyra? Në të vërtetë, përpjekja për «t’i harmonizuar» ose për t’i bërë bashkë të katërt e ka fillimin në shekullin e dytë me Diatessaron-in (greqisht «përmes të katërve») e Tatianit. Irenaeus ngriti hipotezën se kishte katër Ungjij për t’iu përgjigjur katër anëve të botës dhe katër erërave, duke qenë numri katër ai i universalizimit.II. Katër Simbolet
Shumë vetë, sidomos njerëz të artit, vlerësojnë krahasimin e propozuar midis katër Ungjijve dhe katër simboleve të Ezekielit dhe të Zbulesës: luani, kau (ose viçi), njeriu dhe shqiponja. Megjithatë ato janë çiftuar në mënyra krejt të ndryshme me Ungjijtë nga të krishterë të ndryshëm. Në qoftë se këto atribute, siç quhen në art, janë të vlefshme, luani përputhet më mirë me Mateun, Ungjillin mbretëror të Luanit të Judës. Kau, si kafshë barre, përshtatet mirë me Markun, Ungjillin e Shërbëtorit. Njeriu është padyshim figura kyçe e Lukës, Ungjilli i Birit të Njeriut. Edhe Standard Handbook of Synonyms, Antonyms & Prepositions thotë se «shqiponja është atributi i Shën Gjonit si një emblemë e vizionit të lartë frymëror» {{1}}.III. Katër rrethet e lexuesve
Ndoshta shpjegimi më i mirë për faktin se ka katër Ungjij është që Fryma e Shenjtë po përpiqet të arrijë katër grupe të ndryshme njerëzish, katër lloje të lashta që ende kanë ekuivalentë të qartë bashkëkohor. Kushdo është i një mendjeje që Mateu është Ungjilli më judaik. Citimet e DhV, fjalimet e detajuara, gjenealogjia e Zotit tonë dhe toni i përgjithshëm semitik vihen re edhe nga një lexues i ri. Marku, ndoshta duke shkruar nga vetë kryeqyteti perandorak, e ka synimin te romakët dhe gjithashtu te miliona njerëz të ngjashëm të cilëve u pëlqen veprimi më shumë se sa të menduarit. Kështu Ungjilli i tij është i gjatë në mrekulli dhe i shkurtër në shëmbëlltyra. Ky Ungjill nuk ka nevojë për gjenealogji, sepse cili romak do të interesohej në lidhje me gjenealogjitë judaike për një Shërbëtor veprimtar? Luka dallohet qartë se është Ungjilli për grekët dhe për ata romakë të shumtë që pëlqenin dhe imitonin letërsinë dhe artin grek. Njerëz të tillë pëlqejnë hijeshinë, humanitetin, stilin kulturor dhe cilësinë e shkëlqyer letrare. Doktor Luka i parashikon të gjitha këto. Bashkë me grekët modernë, personat më qartë të ngjashëm janë francezët. Nuk është befasi që ishte një francez ai që tha se Luka është «libri më i mrekullueshëm në botë» (shih Hyrje te Luka). Çfarë ka mbetur për Gjonin? Gjoni është Ungjilli universal, që ka diçka për këdo. Është ungjillëzues (Gjoni 20:30-31) e megjithatë aq i dashur nga mendimtarë të thellë të krishterë. Ndoshta ky është çelësi: Gjoni është për «racën e tretë,» një emër që u është dhënë nga paganët të krishterëve të hershëm duke mos qenë as judenj e as johebrenj.IV. Motive të tjera të katërfishta
Ka disa motive të tjera të katërfishta në DhV që përputhen në mënyrë të shkëlqyer me thekset e të katër Ungjijve.- «Filizi,» si një titull i Zotit tonë, ndeshet në kontekstet vijuese:
- «…nga Davidi një filiz… mbret» (Jer. 23:5-6)
- «…shërbëtorin tim, Filizin» (Zakaria 3:8)
- «…burri… Filiz» (Zakaria 6:12)
- «…filizi i Zotit (Jehovah) (Isa. 4:2)
- «Ja, mbreti yt» (Zakaria 9:9)
- «Ja shërbëtori im» (Isa. 42:1)
- «Ja burri» (Zakaria 6:12)
- «Ja (Ky është) Perëndia juaj» (Isa. 40:9)
- E purpurta është një zgjedhje e qartë për Mateun, Ungjillin e Mbretit. Gjyqtaret 8:26 tregon natyrën mbretërore të ngjyrës së saj.
- Ngjyra alle, në kohët e lashta, përftohej nga shtypja e krimbit të mollëkuqes. Kjo të sjell ndër mend Markun, Ungjillin e shërbëtorit, «një krimb dhe jo një njeri» (Psa. 22:6).
- E bardha flet për veprat e drejta të shenjtorëve (Zbulesa 19:8). Luka thekson njerëzinë e përsosur të Krishtit.
- Ngjyra blu simbolizon kupën qiellore prej safiri që ne e quajmë qiell (Eksodi 24:10), një simbol tërheqës i Hyjnisë së Krishtit, një ide kryesore te Gjoni.
V. Rendi dhe theksi
Tek Ungjijtë ne shohim se ngjarjet nuk janë gjithmonë të renditura sipas radhës në të cilën ndodhën. Është e mirë të dimë në fillim se shpesh Fryma e Perëndisë i grumbullon ngjarjet sipas mësimit moral të tyre. Kelly thotë:Do të vërtetohet, ndërkohë që vazhdojmë, se rendi i Lukës është kryesisht një rend moral dhe që ai i klasifikon faktet, bisedat, pyetjet, përgjigjet dhe fjalimet e Zotit tonë sipas lidhjes së tyre të brendshme e jo thjesht ecuria e jashtme e ngjarjeve, që në të vërtetë është trajta më e papërpunuar dhe më fillestare e dokumentit. T’i grumbullosh ngjarjet bashkë me shkaqet dhe rrjedhojat e tyre, sipas rendit moral të tyre, është një detyrë shumë më e vështirë për historianin, që dallohet nga kronisti i thjeshtë. Perëndia mund të përdorë Lukën për ta bërë atë në mënyrë të përkryer.Këto thekse dhe afrime të ndryshme ndihmojnë shpjegimin e ndryshimeve tek Ungjijtë. Ndërsa tre Ungjijtë e parë, të ashtuquajturit «sinoptik» (që do të thotë «të kesh një pikëpamje të përbashkët»), janë të ngjashëm në mënyrën se si i afrohen jetës së Krishtit, Gjoni ndryshon. Ai shkroi më vonë dhe nuk deshi të përsëriste atë që tashmë ishte zbuluar mirë. Ai përbën një paraqitje më reflektuese dhe teologjike të jetës dhe të fjalëve të Zotit tonë.
VI. Çështja sinoptike
Çështja se pse ekzistojnë aq shumë ngjashmëri, madje pothuajse shprehje identike të pjesëve relativisht të gjata e megjithatë edhe aq shumë ndryshmëri midis tre Ungjijve të parë përgjithësisht është quajtur «problemi sinoptik.» Është shumë më tepër një problem për ata që mohojnë frymëzimin sesa për të krishterët konservatorë. Shumë teori të ndërlikuara janë formuluar, shpesh duke përfshirë teorikisht dokumente të humbura që nuk kanë lënë gjurmë në trajtë dorëshkrimore. Disa nga këto ide përshtaten me Luka 1:1 dhe janë të paktën të mundshme nga një këndvështrim biblik. Megjithatë, disa nga këto teori kanë mbërritur pikën ku ato pohojnë se Kisha e shekullit të parë bashkoi disa «mite» rreth Jezus Krishtit. Përveç mohimit të të gjitha Shkrimeve të krishtera dhe të historisë së Kishës që këto teori «trajtë-kritikuese» pretenduese përfaqësojnë, duhet treguar se nuk ekziston asnjë provë dokumentuese për secilën prej tyre. Gjithashtu, as edhe dy studiues nuk janë të një mendjeje mbi mënyrën se si ata i kategorizojnë dhe i ndajnë Ungjijtë sinoptik. Një zgjidhje më e mirë e kësaj çështjeje të lartë përmendur gjendet në fjalët e Zotit tonë te Gjoni 14:26 – «Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.» Pra, ndihma e Frymës së Shenjtë shpjegon kujtimet sypamëse [të shikuara me sytë e tyre] të Mateut dhe të Gjonit dhe ka mundësi të përfshijë edhe Markun, duke pandehur se ai shënon kujtimet e Pjetrit, siç thotë historia e Kishës. Shtoji kësaj ndihme të drejtpërdrejtë nga Fryma e Shenjtë besnikërinë e dokumenteve të shkruara të përmendura te Luka 1:1, dhe traditën e folur gojore të shquar për përpikmëri të popujve semitik, atëherë çështja sinoptike merr përgjigjen e vet [pra, një ndryshmëri nuk do të thotë që Bibla ka gabim]. Çdo e vërtetë, hollësi apo përkthim i nevojshëm përtej këtyre burimeve mund të jetë zbuluar drejtpërdrejt «(në fjalë) të mësuara nga Fryma e Shenjtë» (1 e Korintasve 2:13). Kështu, kur gjejmë një kontradiktë apo një ndryshmëri në dukje në hollësira, ne bëjmë të pyesim: «Pse e lë jashtë, e përfshin apo e thekson këtë ngjarje ose këtë fjalim ky Ungjill?» Për shembull, dy herë Mateu paraqet dy njerëz që shërohen (nga verbëria dhe nga një demon), ndërsa Marku dhe Luka përmendin vetëm një. Disa e shohin këtë si kontradiktë. Më mirë të shohësh Mateun, Ungjillin judaik, duke i përmendur të dy njerëzit, meqenëse ligji kërkonte «dy ose tre dëshmitarë» dhe të tjerët duke e përmendur, për shembull, personin spikatës me emër (Bartimeu i verbër). Përzgjedhjet vijuese ilustrojnë se disa nga ato që duken si përsëritje tek Ungjijtë, në të vërtetë nënvizojnë ndryshmëri me vlerë: Luka 6:20-23 duket sikur përsërit Predikimin në Mal, por i pari është një Predikim në rrafshinë (Luka 6:17). Lumturitë përshkruajnë karakterin e qytetarit ideal të mbretërisë, ndërsa Luka tregon stilin e jetës së atyre që janë dishepuj të Krishtit. Luka 6:40 duket sikur është e njëjta gjë me Mateu 10:24, por te Mateu Jezusi është Zotëria, ndërsa ne jemi dishepujt e Tij. Te Luka, dishepulluesi është mësuesi, ndërsa personi të cilin ai e mëson është dishepulli. Mateu 7:22 thekson shërbimin për Mbretin, ndërsa Luka 13:25-27 përshkruan përbashkësinë me Zotërinë. Ndërsa Luka 15:4-7 është një kallëzim therës i farisenjve, Mateu 18:12-13 ka të bëjë me fëmijët dhe dashurinë e Perëndisë për ta. Kur ishin të pranishëm vetëm besimtarë, Gjoni tha: «Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë» (Mar. 1:8; Gjoni 1:33). Kur ishte një grumbull i përzier njerëzish, sidomos duke përfshirë edhe farisenj, ai tha: «Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin,» duke folur për një pagëzim gjykimi (Mat. 3:11; Luka 3:16). Shprehja «Me atë masë që ju matni…,» te Mateu 7:2 i zbatohet qëndrimit tonë gjykues ndaj të tjerëve, te Marku 4:24 përvetësimit të Fjalës nga ana jonë, ndërsa te Luka 6:38 bujarisë sonë. Këto ndryshmëri atëherë, nuk janë kontradikta, por janë të qëllimshme dhe sugjerojnë ushqim frymëror për mendimin e besimtarit të kujdesshëm.VII. Autorësia e librave
Ndarja e dëshmive në tregues të jashtëm dhe të brendshëm është diçka standarde kur diskutohet se kush i shkroi Ungjijtë dhe në fakt të gjithë librat e Biblës. Këtë kemi ndër mend ne të bëjmë për të njëzet e shtatë librat e Dhjatës së Re. Kur flasim për tregues të jashtëm, u referohemi shkrimtarëve që jetuan më pranë kohëve të librave, në përgjithësi «etërve të Kishës» dhe disa heretikëve të shekullit të dytë e të tretë. Këta njerëz citojnë, aludojnë dhe nganjëherë na flasin në mënyrë specifike për librat dhe autorët që na interesojnë. Për shembull, në qoftë se Klementi i Romës citon 1 Korintasve aty nga fundi i shekullit të parë, sigurisht që s’mund të ketë një kopje të falsifikuar të shekullit të dytë të shkruar me emrin e Palit. Kur flasim për tregues të brendshëm, ne vërejmë stilin, fjalorin, historinë dhe përmbajtjet e një libri për të parë nëse kjo mbështet apo kundërshton atë që dokumentet dhe autorët e jashtëm pohojnë. Për shembull, stili i Lukës dhe i Veprave mbështesin pikëpamjen se autori ishte një mjek johebre i kulturuar. Në shumë libra citohet «kanuni» ose lista e librave të miratuar të heretikut të shekullit të dytë Marcion. Ai pranoi vetëm një botim të çmontuar të Lukës dhe dhjetë prej letrave të Palit, por megjithatë ai është një dëshmitar që ndihmon të dihet se cilët libra ishin standard në kohën e tij. Kanuni Muratorian (emri i kardinalit italian Muratori, që gjeti dokumentin) është një listë, megjithëse nganjëherë fragmentare, e librave të krishterë kanunor. [[1]] James C. Fernald, bot, “Emblem,” Funk & Wagnalls Standard Handbook of Synonyms, Antonyms, and Prepositions, fq 175.[[1]][previous][next]