Letra drejtuar Romakëve

Katedralja e Besimit të Krishterë.Frederic Godet

I. Vendi unik në Kanun

Romakëve ka qëndruar gjithmonë në krye të letrave të Palit, dhe kjo pozitë i është dhënë me të drejtë. Përderisa Veprat e Apostujve mbaron me mbërritjen e Palit në Romë, është e logjikshme që pjesa e letrave në Dh.R. fillon me letrën e apostullit drejtuar kishës së Romakëve, e shkruar përpara se ai të vizitonte të krishterët aty. Më saktë, Romakëve teologjikisht është libri më i rëndësishëm në gjithë Dh.R.. Romakët është aq afër një prezantimi sistematik të teologjisë së krishtere saqë gjendet në Fjalën e Perëndisë.

Historikisht Romakëve është libri me më shumë influencë nga librat e Biblës. Augustini u shpëtua nëpërmjet leximit të Romakeve 13:13 dhe 14 (380 e.s.). Reforma protestante filloi kur Martin Luter kuptoi përfundimisht drejtësinë e Perëndisë dhe që, “i drejti do të jetojë nëpërmjet besimit” (1517 e.s.).

John Wesley mori sigurinë e shpëtimit nëpërmjet dëgjimit të parathënies së komentit të Luterit mbi Romakëve, lexuar në kishën shtëpi të Moravive [një sekt protestant] në Rrugën Aldersgate në Londër (1738 e.s.). John Calvin shkroi, “Kur dikush kupton këtë letër, ai ka përfituar një rrugë të hapur për të kuptuar gjithë Shkrimet.”

II. Autorësia

Madje heretikët dhe kritikët radikalë negativë pranojnë pozicionin normal midis të krishterëve – që autori i Romakëve ishte apostulli i Johebrenjve. Në fakt, heretiku Marcion është shkrimtari i parë i njohur që veçanërisht e emëroi Palin si autor. Ky libër është referuar nga të krishterë si Klementi i Romës, Ignatiusi, Justin Martyr, Polycarp, Hipolytus dhe Ireneus. Kanuni Muratorian gjithashtu rendit letrën si e Palit.

Evidenca e brendshme mbi autorësinë e Palit është mjaft e fuqishme. Teologjia, fjalori dhe fryma duken qartë që janë të Palit. Sigurisht, fakti që letra thotë se është nga Pali (Rom. 1:1) nuk është e mjaftueshme për të bindur skeptikët, por kjo për më tepër vërtetohet nga referime të tjera, si në 15:15-20. Çfarë është më bindëse, ndoshta është numri i madh i koençidencave të rastësishme me librin e Veprave që siç duket nuk janë të trilluara. P.sh., referimet mbi grumbullimet e ndihmave për të shenjtët, mbi Gain, Erastin dhe një udhëtim i planifikuar për në Romë, të gjitha tregojnë që Pali është autor i saj. Terci ishte dorëshkruesi i tij (Rom. 16:22).

III. Data

Romakëve u shkrua pas 1 dhe 2 e Korintasve, sepse grumbullimi i ndihmave u bë kur letrat ishin shkruar, dhe tani ishin gati për t’iu çuar të shenjtorëve të varfër në Jeruzalem. Referimet mbi Kenkrean, qytetin detar për Korintin (Rom. 16:1), dhe detajet e tjera i bindin shumë studentë te Bibles që Korinti ishte qyteti i origjinës. Përderisa Pali ishte aty vetëm tre muaj (në fund të udhëtimit të tij të tretë misionar), përpara se të ndiqej nga komplotet kundër tij, pra duhet të ketë qenë gjatë kësaj kohe të shkurtër kur letra është shkruar. Atëherë, data është afërsisht viti 56 e.s..

IV. Përmbajtja dhe Temat

Si arriti fillimisht Krishterimi në Romë? Ne s’mund të jemi të prerë, por mund të jenë Judenjtë e Romës, të shpëtuarit në Jeruzalem në Ditën e Rrëshajëve (shih Veprat e Apostujve 2:10) që sollën lajmin e mirë. Kjo ndodhi në vitin 30 e. s..

Pali s’kishte qenë kurrë në Romë kur ai shkroi këtë letër nga Korinti rreth 26 vjet më vonë. Por ai njihte disa nga të krishterët aty, siç e shohim në kapitullin 16. Të krishterët në ato ditë ishin njerëz në lëvizje, qoftë si rezultat i persekutimit apo si lajmëtarë të Ungjillit ose në lëvizjen e zakonshme të punës së tyre. Këta të krishterë në Romë ishin me prejardhje Jude gjithashtu dhe Johebre.

Pali përfundimisht arriti në Romë në vitin 60 e. s, por jo në mënyrën që priste ai. Ai erdhi si një i burgosur i Jezus Krishtit.

Romakëve është një vepër klasike. Të pashpëtuarit i ofron një ekspozim të qartë të gjendjes së tyre të humbur dhe plot mëkate, dhe planin e drejtësisë së Perëndisë për shpëtimin e tyre. Besimtarët e rinj mësojnë për identifikimin e tyre me Krishtin dhe për fitoren nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Besimtarët më të rritur gjejnë kënaqësi të pafundme në spektrin e gjerë të së vërtetës krishtere: atë doktrinale, profetike dhe praktike.

Një mënyrë e përsosur për të kuptuar letrën drejtuar Romakëve është vështrimi i një dialogu midis Palit dhe një lloj kundërshtari të paemërt. Ndërsa Pali shpall Ungjillin ai ndjen të dëgjojë këtë kundërshtar që ngre të gjitha llojet e argumenteve kundër Ungjillit. Apostulli u përgjigjet pyetjeve të kundërshtarit të tij njëra pas tjetrës. Kur ai mbaron, Pali i është përgjigjur çdo qëndrimi madhor që njeriu mund të marrë, përsa i përket Ungjillit të hirit të Perëndisë.

Ndonjëherë kundërshtimet janë dhënë mjaft qartë; ndonjëherë ato vetëm sa nënkuptohen. Por si të shprehura qartë apo si të nënkuptuara, ato të gjitha vërtiten rreth Ungjillit – lajmi i mirë i shpëtimit me anë të hirit nëpërmjet besimit në Zotin Jezus Krisht, jo nga veprat e ligjit.

Ne do ta mendojmë letrën drejtuar Romakëve sikur merret me 11 pyetje kryesore: (1) Cili është subjekti letrës (Rom. 1:1,9,15,16); (2) Çfarë është Ungjilli? (Rom. 1:1-17); (3) Pse njerëzit kanë nevojë për Ungjillin? (Rom. 1:18-3:20); (4) Sipas Ungjillit si mund të shfajësohen mëkatarët nga një Perëndi i Shenjtë? (Rom. 3:21-31); (5) A përputhet Ungjilli me Shkrimet e Dhjatës së Vjetër? (Rom. 4:1-25); (6) Cilat janë përfitimet e shfajësimit në jetën e besimtarit (Rom. 5:1-21); (7) A lejon apo inkurajon jetesë mëkatare mësimi për shpëtim me anë të hirit nëpërmjet besimit? (6:1-23); (8) Çfarë lidhje ka besimtari me ligjin? (Rom. 7:1-25); (9) Si i është bërë e mundur të krishterit të jetojë një jetë të shenjtë? (Rom. 8:1-39); (10) Ungjilli duke i premtuar shpëtim Judenjve dhe Johebrenjve, a nënkupton që Perëndia ka shkelur premtimet bërë popullit të Tij tokësor, Judenjve? (Rom. 9:1-11:36); (11) Si duhet të sillen çdo ditë të jetës së tyre ata që janë shfajësuar me anë të hirit? (Rom. 12:1-16:27).

Njohja me këto 11 pyetje dhe përgjigjet e tyre do na japin një njohuri mbi këtë letër të rëndësishme. Përgjigjja e pyetjes së parë, “Cili është subjekti i Romakëve?” është sigurisht “Ungjilli.” Pali nuk humb kohë, por hyn drejt në temë. Ai e përmend këtë katër herë në 16 vargjet e para. (Rom. 1:1, 9, 15, 16).

Kjo na çon në pyetjen e dytë, “çfarë është Ungjilli”? Vetë fjala do të thotë lajmi i mirë. Por në vargjet 1-17, apostulli na tregon gjashtë fakte të rëndësishme mbi lajmin e mirë: (1) Burimi i tij është Perëndia (v1); (2) Ishte premtuar nga shkrimet profetike të Dhjatës së Vjetër (v2); (3) Është lajmi i mirë në lidhje me Birin e Perëndisë, Zotin Jezu Krisht (v3); (4) Është fuqia e Perëndisë për shpëtim (v16); (5) Është për të gjithë njerëzit, si për Judenjtë ashtu dhe për Johebrenjtë (v16); (6) Është vetëm nëpërmjet besimit (v17). Duke pasur këtë si parathënie, le të shohim më në detaje këto vargje.

PËRMBLEDHJE

DOKTRINA: Ungjilli i Perëndisë. (Kapitujt 1-8)
A. Paraqitja e Ungjillit (1:1-15)
B. Përkufizimi i Ungjillit (1:16-17)
C. Nevoja universale për Ungjillin (1:18-3:20)
D. Baza dhe kushtet e Ungjillit (3:21-31)
E. Harmonia e Ungjillit me Dhjatën e Vjetër (kapitulli 4)
F. Përfitimet praktike nga Ungjilli (5:1-11)
G. Triumfi i veprës së Krishtit mbi Mëkatin e Adamit (5:12-21)
H. Rruga e Ungjillit për një jetë të shenjtë (kap. 6)
I. Vendi i Ligjit në jetën e besimtarit (kap. 7)
J. Fryma e Shenjtë; fuqia për një jetesë të shenjtë (kap. 8)
DOKTRINA: Ungjilli dhe Izraeli (kap. 9-11)
A. E kaluara e Izraelit (kap. 9)
B. E tashmja e Izraelit (kap. 10)
C. E ardhmja e Izraelit (kap. 11)
PRAKTIKA: Jeta jonë sipas Ungjillit (Kap. 12-16)
A. Në shenjtërinë personale (12:1,2)
B. Në shërbesë nëpërmjet dhuntive frymërore (12:3-8)
C. Në lidhje me shoqërinë (12:9-21)
D. Në lidhje me qeverinë (13:1-7)
E. Në lidhje me të ardhmen (13:8-14)
F. Në lidhje me besimtarët e tjerë (14:1-15:13)
G. Në lidhje me planet e Palit. (15:14-33)
H. Në vlerësimin e njohjes së të tjerëve (kap. 16)

[previous][next]