Ndoshta, këto janë vargjet më kundërshtuese në letrën e Jakobit. Madje edhe një njeri i admirueshëm i kishës si Luteri mendonte që kishte një konflikt kontradiktor midis mësimit të Jakobit për shfajësimin me anë të veprave dhe këmbënguljes së Palit për shfajësimin me anë të besimit. Shpesh, këto vargje keqpërdoren për të mbështetur herezinë që ne jemi të shpëtuar me anë të besimit duke i shtuar veprat, që quhet “sinergjizëm”. D.m.th, ne duhet t’i besojmë Zotit Jezus si Shpëtimtarin tonë, por kjo nuk mjafton. Gjithashtu ne duhet t’i shtojmë veprës së Tij të shpengimit veprat tona të bamirësisë dhe përkushtimit.
Faktikisht, kjo pjesë mund të titullohet “Shfajësim (ose drejtësim) me anë të veprave”, sepse në një farë mënyre jemi të shfajësuar (drejtësuar) me anë të veprave. Në fakt, për ta kuptuar të vërtetën e plotë të shfajësimit (drejtësimit), ne duhet të kuptojmë qartë që janë gjashtë aspekte të shfajësimit. Ne jemi të shfajësuar me anë të hirit (Rom. 3:24). Thjesht, kjo do të thotë që ne nuk e meritojmë të jemi të shfajësuar; në fakt, ne meritojmë të kundërtën. Ne jemi të shfajësuar me anë të besimit (Rom. 5:1). Besimi është përgjigjja njerëzore ndaj hirit të Perëndisë. Me anë të besimit ne e pranojmë dhuratën e falur. Besimi përvetëson atë që Perëndia ka bërë për ne. Ne jemi të shfajësuar (drejtësuar) me anë të gjakut (Rom 5:9). Këtu gjaku është çmimi që duhej paguar për të siguruar shfajësimin (drejtësimin) tonë. Borxhi i mëkatit u pagua nga gjaku i çmuar i Krishtit, dhe tani Perëndia mund t’i shfajësojë (drejtësojë) mëkatarët e paperëndishëm sepse është bërë një shlyerje e drejtë. Ne jemi të shfajësuar me anë të Perëndisë (Rom. 8:33). Në këtë pjesë e vërteta është që Perëndia është personi që shfajëson. Ne jemi të shfajësuar me anë të fuqisë (Rom. 4:25). Shfajësimi (drejtësimi) ynë është i lidhur me fuqinë që ringjalli Krishtin prej së vdekurish. Ringjallja e Tij provon që Perëndia është i kënaqur. Edhe ne jemi të shfajësuar (drejtësuar) me anë të veprave (Jak. 2:24). Veprat janë prova e jashtme e realitetit të besimit tonë. Ato japin një shfaqje të dukshme për atë që përndryshe do të jetë e padukshme. Prej kësaj, ne shohim që dikush shfajësohet (drejtësohet) me anë të hirit, me anë të besimit, me anë të gjakut, me anë të Perëndisë, me anë të fuqisë dhe me anë të veprave. Sidoqoftë, nuk ka asnjë kundërshtim. Thjesht, këto thënie paraqesin aspekte të ndryshme të së njëjtës të vërtetë. Hiri është parimi mbi të cilin Perëndia shfajëson; njeriu e merr shfajësimin me anë të besimit; gjaku është çmimi që Shpëtimtari duhet të paguante për shfajësimin; Perëndia është vepruesi aktiv në shfajësim; fuqia është prova e shfajësimit dhe veprat janë rrjedhoja.
2:14 Jakobi këmbëngul se një besim, i cili nuk përfundon në vepra të mira, nuk mund të shpëtojë. Dy çelësa ndihmojnë shumë për ta kuptuar këtë varg. Së pari, Jakobi nuk thotë: “ç’dobi ka . . . nëse dikush ka besim . . . .”, por ai thotë: “Ç’dobi ka . . . nëse dikush thotë se ka besim. . .”. D.m.th., nuk bëhet fjalë për një njeri që vërtetë ka besim, por nuk është i shpëtuar. Jakobi po përshkruan një njeri që nuk ka asgjë veçse një rrëfim besimi. Ai thotë që ka besim, por nuk ka asnjë gjë në jetën e tij që e tregon. Çelësi tjetër që na ndihmon shihet në një përkthim që quhet “NASB”. Në këtë përkthim vargu mbyllet me pyetjen “A mund ta shpëtojë atë [5] besimi?”, d.m.th. a mund të shpëtojë ky lloj besimi? Nëse bëhet pyetja kujt lloj besimi Jakobi po i referohet, mund ta gjejmë përgjigjen në pjesën e parë të vargut. Ai po flet për një besim me fjalë që nuk është mbështetur në veprat e mira. Një besim i tillë nuk ka vlerë. Është vetëm fjalë dhe asgjë tjetër.
2:15, 16 Tani, kotësia e fjalëve pa vepra ilustrohet në këtë mënyrë. Na paraqesin dy njerëz. Njëri nuk ka as bukën e përditshme dhe as rroba. Tjetri i ka të dyja, por nuk është i gatshëm t’i ndajë. Duke shpallur që është shumë bujar, i dyti i thotë vëllait të varfër: “Shko, vishu dhe ha një drekë të mirë!”. Mirëpo, ai nuk lëviz asnjë gisht për ta bërë të mundur këtë gjë. Çfarë vlere kanë fjalë të tilla? Ato s’kanë fare vlerë! Ato nuk e kënaqin oreksin, as nuk ngrohin trupin.
2:17 Po kështu është edhe besimi: në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete. Një besim pa vepra nuk është një besim i vërtetë. Janë vetëm fjalë të kota. Jakobi nuk po thotë që ne jemi të shpëtuar me anë të besimit duke i shtuar veprat. Duke pasur një pikëpamje të tillë do të turpëronte veprën e kryer të Zotit Jezus Krisht. Nëse ne u shpëtuam me anë të besimit shto veprat, atëherë do të ishin dy shpëtimtarë – Jezusi dhe ne. Mirëpo, Dhiata e Re e bën të qartë që Krishti është i vetmi Shpëtimtar. Jakobi nuk po thekson që ne jemi të shpëtuar me anë të një besimi vetëm me fjalë por me anë të një lloj besimi që shfaqet me një jetë me vepra të mira. D.m.th., veprat nuk janë burimi i shpëtimit por fryti; ato nuk janë shkaku por rrjedhoja. Kalvini shpjegoi shkurtimisht: “Ne jemi të shpëtuar vetëm me anë të besimit, por jo me anë të një besimi të vetmuar [d.m.th. një rrëfim bosh pa vepra].”
2:18 Besimi i vërtetë dhe veprat e mira nuk mund të ndahen. Jakobi na e tregon këtë duke na dhënë një pjesë të një debati midis dy njerëzve. Njeriu i parë, që është vërtetë i shpëtuar, është folësi. I dyti thotë që ka besimin, por ai nuk e vërteton atë besim me anë të veprave. I pari dëgjohet duke i dhënë tjetrit një sfidë që s’ka përgjigje. Ne mund të parafrazojmë bisedën kështu: “Po”, thotë i pari drejtësisht dhe korrektësisht: “Ti thua që ke besimin, por ti nuk i ke veprat ta vërtetojnë. Unë shpall që besimi duhet mbështetur me një jetë me vepra. Më trego mua që ti ke besimin pa një jetë me vepra të mira. Është e pamundur. Besimi është i padukshëm. E vetmja mënyrë që të tjerët mund të dinë që ti ke besimin është nëse ti e tregon këtë me jetën tënde. Unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.”. Çelësi i këtij vargu është në foljen tregoj: Të tregosh besimin pa veprat është e pamundur.
2:19,20 Debati vazhdon. I pari ende po flet. Besimi i shpallur i një njeriu mund mos jetë asgjë veç një pëlqim intelektual ndaj një fakti të njohur. Një “besim intelektual” i tillë nuk përfshin zotimin e dikujt, dhe nuk prodhon një jetë të shndërruar. Nuk mjafton vetëm të besosh që Perëndia ekziston. Po, kjo është e domosdoshme, por nuk është e mjaftueshme. Edhe demonët besojnë që Perëndia ekziston dhe ata dridhen duke menduar për dënimin e tyre përfundimtar prej Perëndisë. Demonët besojnë faktin, por ata nuk i nënshtrohen Personit. Ky nuk është besimi që shpëton. Kur dikush beson me të vërtetë në Zotin, rrjedhon një përfshirje e frymës, shpirtit dhe trupit. Kjo përfshirje shfaqet me një jetë të shndërruar. Besim pa vepra është vetëm një “besim intelektual”, dhe si pasojë besim i vdekur [6].
2:21 Tani jepen dy shembuj të besimit që kanë vepra në Dhiatën e Vjetër. Këto shembuj përfshijnë Abrahamin – një çifut, dhe Rahabin – një pagane. Abrahami u shfajësua me anë të veprave duke ofruar birin e vet, Isakun mbi altar. Për të kuptuar këtë të vërtetë në perspektivën e përshtatshme, le të shohim Zanafillën 15:6. Ne lexojmë që Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi. Në këtë pjesë Abrahami u shfajësua duke besuar, d.m.th., ai u shfajësua me anë të besimit. Kur vijmë te Zanafilla 22 gjejmë Abrahamin duke ofruar birin e tij. Në atë çast ai u shfajësua me anë të veprave. Kur Abrahami i besoi Zotit, ai u shfajësua në sytë e Perëndisë. Por shtatë kapituj më pas, Perëndia e vuri në provë besimin e Abrahamit. Abrahami provoi që ishte një besim i vërtetë duke u bindur dhe duke ofruar Isakun. Bindja e tij tregoi që besimi i tij nuk ishte vetëm një “besim intelektual”, por një zotim në zemër.
Nganjëherë është kundërshtuar që askush nuk ishte i pranishëm kur Abrahami e ofroi Isakun, dhe kështu ai nuk mund t’ia tregonte realitetin e besimit të tij askujt. Mirëpo, shërbëtorët që e kishin shoqëruar Abrahamin nuk ishin larg, duke pritur kthimin e Abrahamit dhe Isakut nga mali. Gjithashtu Isaku ishte atje. Po ashtu gatishmëria e Abrahamit për të vrarë birin e tij, për t’iu bindur urdhërimit të Perëndisë është regjistruar në Bibël duke i treguar kështu të gjitha brezave realitetin e besimit të tij.
2:22, 23 Është e qartë pra që besimi i Abrahamit frymëzoi veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Një besim i vërtetë nuk mund jetë i ndarë nga veprat. I pari prodhon të dytën, dhe i dyti provon të parën. Në sakrificën e Isakut, ne shikojmë provën praktike të besimit të Abrahamit. Kjo provë ishte përmbushja praktike e Shkrimit që tha se Abrahami u shfajësua me anë të besimit. Veprat e tij të mira e njëjtësuan atë si mikun e Perëndisë.
2:24 Prej kësaj, ne nxjerrim si përfundim se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi. Përsëri, kjo nuk do të thotë që ai u shfajësua me anë të besimit duke shtuar veprat. Ai u shfajësua me anë të besimit në sytë e Perëndisë, dhe me anë të veprave në sytë e njerëzve. Perëndia e shfajësoi atë në çastin që ai besoi. Njeriu thotë: “Më trego realitetin e besimit tënd”. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është me anë të veprave.
2:25 Ilustrimi i dytë në Dhiatën e Vjetër përfshin Rahabin. Sigurisht që ajo nuk u shpëtua sepse kishte një karakter të mirë (ajo ishte një prostitutë!). Por ajo u shfajësua me anë të veprave sepse ajo i priti të dërguarit (ose spiunët) dhe i përcolli nga një udhë tjetër. Rahabi ishte një kananite, që jetonte në qytetin e Jerikos. Ajo dëgjoi lajme që një ushtri fituese po vinte drejt qytetit dhe që asnjë kundërshtar nuk kishte pasur sukses kundër kësaj ushtrie. Ajo arriti në përfundimin që Perëndia i hebrenjve ishte Perëndia i vërtetë dhe vendosi ta njëjtësonte veten me Të, çfarëdo çmimi do të kishte. Kur spiunët hynë në qytet, ajo i mirëpriti ata. Duke vepruar kështu ajo tregoi që kishte besuar me të vërtetë në një Perëndi të vërtetë dhe të gjallë. Ajo nuk u shpëtua duke fshehur spiunët por mikpritja e saj tregoi që ajo ishte një besimtare e vërtetë.
Disa njerëz e keqpërdorin këtë pjesë për të mësuar që shpëtimi është pjesërisht me anë të veprave. Por çfarë mendojnë ata është që veprat e mira janë të japësh lëmoshë, të paguash borxhet, të tregosh të vërtetën dhe të shkosh në kishë. A bënë Abrahami dhe Rahabi vepra të tilla? Sigurisht që jo! Në rastin e Abrahamit, vepra e tij ishte gatishmëria e tij për të vrarë të birin! Në rastin e Rahabit, ishte tradhtia! Nëse këto vepra do të bëheshin pa besim, do të ishin të këqija dhe jo të mira. “Hiqe besimin nga këto vepra dhe ato do të ishin të pamoralshme dhe të pandjeshme, por edhe vepra mëkatare.” Mackintosh-i thotë: “Kjo pjesë u referohet veprave të jetës dhe jo veprave ligjore. Nëse ju do t’i kishit hequr besimin veprave të Abrahamit dhe Rahabit ato do të ishin vepra të këqija. Shikoni këto vepra si fryte besimi dhe ato bëhen fryte jete.”.
Kështu kjo pjesë nuk mund të përdoret për të mësuar shpëtimin me anë të veprave të mira. Një njeri që beson se kjo pjesë na mëson që shpëtimi është me anë të veprave të mira, do të ishte i detyruar të pranojë që një njeri mund të shpëtohet me anë të vrasjes dhe me anë të tradhtisë!
2:26 Jakobi e mbaron këtë pjesë me këtë thënie: “Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.”. Në këtë varg, Jakobi e përmbledh çështjen shumë bukur. Ai e krahason besimin me trupin njerëzor dhe veprat me frymën. Trupi pa frymën është i vdekur, i kotë dhe i pavlerë. Po kështu besimi pa vepra është i vdekur. Patjetër, ky është një besim i rremë dhe jo një besim i vërtetë që shpëton.
Ta përmbledhim pra, Jakobi vë besimin tonë në provë me anë të përgjigjeve tona për pyetjet e mëposhtme: A jam gati si Abrahami t’i ofroj Perëndisë gjënë më të çmuar në jetën time? A jam gati si Rahabi ta tradhtoj botën për të qenë besnik ndaj Perëndisë?