Falja e mëkateve


Apostulli Pal tha, “për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri”. (Filipianeve 3:1). Sa shpesh ne, që mendojmë se jemi të pjekur, humbasim durimin me një predikues të ri kur e dëgjojmë atë duke folur për gjëra të thjeshta dhe themelore të besimit? Ndoshta ne i themi vetes, “Oh, kur do të mbarojë ky që të vazhdojmë me gjëra më të thella?” Por Pali nuk i përbuzte mësimet e përsëritura. Në fakt, ai tha që kjo është një siguri për ne. Sa e vërtetë është kjo, sidomos me gjënë më themelore të Ungjillit – Si falen mëkatet e njeriut?

Ndoshta ti mendon që të gjithë predikuesit dhe misionarët (duke përfshirë ata nga kisha biblike) janë shumë të fortë në doktrinën e Ungjillit, por realiteti i vërtetë është që shumë nuk i kuptojnë mirë gjërat themelore të Ungjillit. Prandaj, predikimi i tyre ka konfuzion dhe nuk është i qartë. Më kujtohet që më erdhi një misionar ungjillor një ditë dhe ma hapi zemrën e tij duke thënë që nuk ishte i sigurt nëse një besimtar i vërtetë mund të humbasë shpëtimin e tij apo jo. A je i habitur? Edhe unë isha i habitur. Një misionar ungjillor që duhet të ishte shumë i pjekur në doktrinat e Biblës, por në realitet dyshonte sigurinë e shpëtimit për një besimtar! Kjo situatë ishte shumë e trishtueshme, por ishte e vërtetë dhe jo e rrallë.

Pali vet kërkonte qartësi në predikimin e tij e Ungjillit. Ai tha, “…dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas me guxim për ta bërë të njohur misterin e ungjillit” (Efesianeve 6:19). Nëse apostulli kishte nevojë për ndihmë të tillë, sa më shumë kemi nevojë ne për ndihmë? Prandaj, le të kemi një përsëritje rreth temës “Si falen mëkatet e njeriut?”

Baza e Faljes

Ekzistojnë shumë konfuzione dhe shumë mendime të gabuara rreth faljes së mëkateve. Për shembull, Myslimanët besojnë që agjërimi gjatë muajit të Ramazanit i fal mëkatet e tyre.

Sidoqoftë, baza e vetme për faljen e vërtetë është nëpërmjet gjakut të Jezu Krishtit, “në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurive së hirit të tij” (Efesianeve 1:7). Si mund të pajtohet një mëkatar fajtor me Perëndinë? Falja vjen, jo nga agjërimi, por vetëm nëpërmjet gjakut të Krishtit.

Bibla na mëson, “paga e mëkatit është vdekja” (Rom. 6:23). Megjithëse, ne meritonim të vdisnim, Krishti mori vendin tonë dhe vdiq mbi kryq për mëkatet tona. Të gjitha mëkatet tona ishin lënë mbi Të kur u gozhdua mbi kryq, “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 e Korintasve 5:21). Ai vdiq, derdhi gjakun e Tij, që të na çonte tek Perëndia, “sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma” (1 Pjetrit 3:18).

Kjo falje e mëkateve nuk është një proces i vazhdueshëm, por ndodh menjëherë kur një mëkatar i humbur beson në Krishtin, “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Rom. 10:13). Menjëherë, në atë çast, kur një mëkatar thërret emrin e Zotit, ndodh një vepër hyjnore: një shpirt kalon nga vdekja në jetë dhe merr faljen e mëkateve nga dënimi i liqenit të zjarrit.

A ka ndonjë gjë kaq të bukur dhe kaq të thjeshtë sa kjo? Sidoqoftë, në Krishterimin konfuzioni tepron kur është fjala se cilat mëkate janë falur në këtë moment të çmuar. Realiteti i vërtetë është që shumica e njerëzve besojnë që falja është vetëm për mëkatet e tyre “të kaluara”.

Gjerësia e faljes

Kur një njeri thërret emrin e Krishtit për shpëtim, a janë të falura vetëm mëkatet e tij të kaluara? Përgjigjja është që të gjitha mëkatet janë falur nga dënimi i ferrit, madje edhe mëkatet e ardhshme.

Si mund të vërtetohet një deklaratë kaq e çuditshme? Nga Zoti vet! Ai tha, “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë”.

Lavdi Zotit! Një mëkatar i shpëtuar “nuk vjen në gjyq”. Kjo do të thotë që ai që beson në Të nuk do të dënohet në liqenin e zjarrit. Përse? Sepse problemi i dënimit të mëkatarit në liqenin e zjarrit u zgjidh, borxhi u pagua, çështja e faljes së mëkateve të mëkatarit ka marrë fund, edhe kjo përfshin mëkatet tona të ardhshme.

Konsidero keqbërësin që vdiq me Jezusin. Kur ai thirri emrin e Zotit për shpëtim, çfarë tha Zoti? “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43). Në atë çast, keqbërësi i penduar u deklarua i përshtatshëm (i kualifikuar) për parajsën. Por, a nuk do të kalonte një kohë prej disa orësh përpara se të vdiste ai? A ka mundësi që gjatë kësaj kohe keqbërësi mëkatoi me një mendim të lig ose me një fjalë të zemëruar kundër atyre tallësve që e rrethuan? Me të vërtetë, keqbërësi do të ishte më shumë sesa një njeri nëse nuk do të kishte mëkatuar gjatë kësaj kohe. Sidoqoftë, kur deklaroi Krishti që keqbërësi ishte i kualifikuar për parajsën? A ishte gjatë marrjes së frymëmarrjes së fundit kur ai nuk kishte mundësi të mëkatonte më shumë? Jo! Ishte disa orë përpara kur Ai tha, “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë”. Që nga ai moment nuk kishte asnjë dënim ndaj atij mëkatari. Ishte në atë sekondë të saktë që dënimi i mëkatit u zgjidh një herë e përgjithmonë. Të gjitha mëkatet e tij u falën menjëherë. Dënimi i të hedhurit në liqenin e zjarrit u anulua përfundimisht dhe përgjithmonë.

Dy lloje të faljes

Ndoshta dikush do të ngrejë një kundërvënie ndaj asaj të mësipërmes duke cituar një varg si 1 Gjonit 1:9, “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” dhe thotë që falja nuk ndodh një herë e përgjithmonë, por është e varur mbi rrëfimin e vazhdueshëm të mëkatarit.

Që t’i përgjigjesh kësaj kundërvënieje duhet të dallosh që në Shkrimet e Shenjta gjenden dy lloj faljesh. Studenti i kujdesshëm i Fjalës duhet të mësojë t’i dallojë ato ndryshe ai do të mbetet në detin doktrinor të konfuzionit dhe dyshimit.

Shkurt, ato quhen falje “juridike” dhe “prindërore”. Megjithëse këto emra nuk përdoren në Bibël, konceptet e tyre janë. Falja juridike është vepra që ndodh një herë dhe përgjithmonë ku Perëndia fal mëkatarin e penduar nga dënimi i mëkateve të tij (vdekja e përjetshme) në atë moment që ai beson në Krishtin (Gjoni 5:24, Efesianeve 1:7, Kolosianeve 2:13). Mëkatari i falur tani hyn në një marrëdhënie të re: Perëndia nuk është më Gjykatësi i tij; tani Ai është Ati i tij. Në momentin e papritur, fëmija i Perëndisë bën mëkat. Pastaj çfarë ndodh? A e dënon Perëndia fëmijën që të vdesë në ferr për mëkatin? A hidhet jashtë ai nga familja e Perëndisë? Lavdi Zotit, jo. Një përfitim i madh i besëlidhjes së re është që Perëndia vet premton ta vërë në punë atë pavarësisht nga ana e njeriut. Për sa i përket mëkatit, thuhet qartë për ata që i përkasin Atij, “Dhe nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre” (Heb. 10:17). Atëherë, çfarë ndodh kur një fëmijë i Perëndisë mëkaton? Bashkësimi (jo marrëdhënia) në familje është prishur. Ai merr falje “prindërore” sapo rrëfen mëkatin e tij. Pra, falja prindërore rindërton bashkësimin e prishur me Atin (1 Gjonit 1:6; 1:9, Psa. 32:5).

Tani ti mund të mendosh që gjëja e mësipërme është shumë themelore dhe të gjithë e dinë, por shumë besimtarë, madje misionarë ungjillorë, nuk kuptojnë këto dallime. P.sh. një misionar më tha këtë rreth 1 Gjonit 1:9:

“Ne mund të themi vetëm çfarë Shkrimet mësojnë qartë dhe në shumë vende që një i Krishterë I VËRTETË (një dele) i braktis, i rrëfen dhe duhet t’i braktisë vazhdimisht dhe duhet t’i rrëfejë vazhdimisht të gjitha mëkatet e njohura në jetën e tij. E para e Gjonit nuk flet për faljen “prindërore” por për faljen REALE“. (theksi në origjinal) [1]

Ky interpretim është krejtësisht i gabuar dhe është një formë e shpëtimit nëpërmjet veprave. Falja “reale” (d.m.th. falja juridike) nuk varet nga nëse unë braktis dhe rrëfej “të gjitha mëkatet e njohura” në jetën time. Nëse kjo do të ishte e domosdoshme, atëherë kush mund të shpëtohet? Pa tjetër, një besimtar do të rrëfejë dhe do të braktisë mëkatin si fryti i shpëtimit. Por rrëfimi i vazhdueshëm dhe braktisja e të gjitha mëkateve të njohura nuk janë kushtet për falje “reale” (nga dënimi i ferrit). Kushti i domosdoshëm dhe i mjaftueshëm për këtë është të besosh në Zotin Jezu Krisht.

Aspektet e shpëtimit

Pa dyshim, konfuzioni rreth këtyre dy llojeve të faljes do të shkaktojë konfuzion rreth aspekteve të shpëtimit: jemi të shpëtuar nga dënimi i mëkatit (p.sh. Efesianeve 2:8 dhe Titit 3:5); shpëtohemi nga fuqia e mëkatit (p.sh. Filipianeve 2:12 dhe Rom. 5:10); dhe do të shpëtohemi nga prezenca e mëkatit në të ardhmen (p.sh. Rom. 13:11 dhe Heb. 9:28). Më kujtohet një bisedë me një dishepull, i cili për disa vjet mësonte nga një predikues që nuk dallonte mirë këto aspekte të shpëtimit. Një ditë ky dishepull u përpoq të shpjegonte Filipianeve 2:12, “Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje”. Shpjegimi i tij ishte krejtësisht i turpshëm dhe i dobët. Ai shkoi rreth e qark për afërsisht pesë minuta, dhe në fund u dorëzua. Ai nuk kishte asnjë ide si të shpjegonte këtë varg. Sidoqoftë, nga çfarë tha ai, theksi i tij ishte mbi mbajtjen e shpëtimit nëpërmjet veprave. Mos u çudit. Kur predikuesi ka konfuzion, dishepujt e tij rrinë në mjegull. Pastaj çfarë ndodhi? Një djalë 15 vjeç, i shpëtuar për afërsisht një vit, ngriti dorën dhe tha, “Më fal, por Filipianeve 2:12 nuk flet për shpëtim nga dënimi i mëkatit. Ky ndodh menjëherë në momentin e shpëtimit. Përkundrazi, ky varg flet për shpëtimin nga fuqia e mëkatit, d.m.th. ne duhet të kemi kujdes në ecjen tonë të përditshme duke ditur që mund të shkatërrojmë dëshminë tonë dhe të turpërojmë emrin e Zotit. Për këto arsye duhet të kemi frikë dhe dridhje, jo frikë që mund të humbasim shpëtimin tonë”. Oh sikur sa më shumë njerëz t’i kuptonin Shkrimet si ai djalë!

Gabimi i faljes së pjesshme

Kur një njeri nuk kupton qartë bazën e faljes, gjerësinë e faljes, llojet e faljes, dhe aspektet biblike të shpëtimit, atëherë rezultati i pashmangshëm do të jetë se ai do të besojë që vetëm një falje e “pjesshme” ndodh në momentin e shpëtimit. D.m.th. që vetëm mëkatet e kaluara janë të falura.

Duke cituar një predikues Menonit të njohur ne shohim këtë konfuzion (theksi nga unë):

“Kur ne kërkojmë Zotin me pendim të vërtetë … dhe besojmë premtimet e Perëndisë, ne jemi falur nga mëkatet tona të kaluara …. Është vullneti i Perëndisë që duhet të rritemi në hir dhe në njohjen e së vërtetës … Prandaj duhet të ruajmë vetveten nga mosbindja dhe neglizhimi ose ata që kanë qenë të shpëtuar me një dëshmi të shkëlqyeshme mund të bëhen të dënuar pa shpresë dhe në errësirë (Heb. 6:4-6) … Është gabim i madh që disa mësojnë që nëse jemi një herë në hir pa tjetër që do të shpëtohemi në fund, që pozita jote ose pranimi yt nuk mund të hidhet poshtë, dhe që nuk është e domosdoshme për shpëtimin që ne të mbetemi besnikë ndaj Fjalës …. ‘Një herë bir, përgjithmonë bir’ është një doktrinë e rremë [2]

Kjo e mësipërmja mohon qartë që falja është e përfunduar (nga dënimi i ferrit) në atë moment që një mëkatar thërret emrin e Zotit. Sipas atij mësuesi, ai mohon të vërtetën e shpëtimit të përjetshëm, beson që vetëm mëkatet e kaluara janë të falura, dhe falja është kushtëzuar mbi këmbënguljen e mëkatarit. Për sa i përket të qenët këmbëngulës si një kusht për shpëtim, William MacDonald tha (duke komentuar mbi Marku 13:12-13 që thotë “…por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet”) që një ungjill i tillë është i rremë:

Kjo nuk do të thotë që ata do të marrin shpëtimin e amshuar për shkakun e këmbënguljes sepse kjo do të thotë një ungjilli i rremë”. [3]

Vini re sa konfuzion ka një predikues tjetër “ungjillor”. Duke cituar atë, lexojmë: (theksi nga unë):

Tani, këtu kemi 1 Gjonit 1:9. Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. Pra, ne marrim falje nga Perëndia dhe dënimi, dënimi i përjetshëm, ose dënimi i ferrit anulohet. N.q.s. lejojmë që mëkatet tona të akumulohen në jetën tonë, mëkatet tona do të na dënojnë, mëkatet tona do të na gjykojnë në ditën e fundit. Por kur i rrëfejmë ato, lista pastrohet, marrim falje,…. Ai do të na pranojë përsëri në krahët e tij, në familjen e tij. … Rrëfimi i mëkatit e vë në punë (në anglisht “applies”) gjakun. Gjaku u derdh për mëkatet e gjithë botës, apo jo? … Për sa i përket Perëndisë ato janë larë, por për sa i përket njeriut, ato janë ende atje derisa të pendohet dhe t’i rrëfejë, atëherë vihet në punë gjaku. Me sa kuptoj unë, gjaku nuk vihet në punë për të gjitha mëkatet, para se ato të rrëfehen. Ato do të qëndrojnë para teje, ato do të shfaqen si hije, ato do të të gjykojnë ty në ditën e madhe kur të qëndrosh para Perëndisë vetëm nëse ti i rrëfen ato. [4]

Pa dyshim, ky predikues nuk beson që një mëkatar është falur një herë përgjithmonë nga dënimi i ferrit, por ai beson në faljen e pjesshme. Imagjino një mëkatar të dëshpëruar që e dëgjon mësimin e këtij predikuesi. A nuk do të besojë ai që falja nga dënimi i ferrit është një proces i vazhdueshëm që varet mbi rrëfimin e vazhdueshëm? Si mund të flejë ai gjatë natës? Ndoshta ai ka harruar të rrëfejë diçka!

Falja e pjesshme lidhet direkt me shpëtimin e kushtëzuar. Kjo pikëpamje e zakonshme thotë që, po, nëpërmjet besimit në Krishtin një mëkatar shpëtohet, por jo plotësisht. Vepra e parë e besimit në Krishtin vetëm i fal mëkatarit mëkatet e kaluara, por mëkatet që janë bërë në të ardhmen duhet të lahen vazhdimisht nëpërmjet veprave fetare, bindjes ndaj një standardi, ose, siç lexuam në citimin e mësipërm nëpërmjet rrëfimit të vazhdueshëm. Siç thotë Donald Norbie, një ungjill i tillë është një “ungjill i shtrembëruar” sipas Galatasve 1:7:

“Cili ishte shtrembërimi [i Ungjillit] për të cilin Pali i paralajmëroi lexuesit? A e mohuan ata hyjninë e Krishtit dhe vdekjen e Tij mbi kryqin? Jo, por ata thonë që besimi në Krishtin nuk ishte i mjaftueshëm. Në ditët e Palit ishin shumë njerëz që mësuan që besimi në Krishtin duhet të bashkohej me rrethprerjen dhe zbatimin e ligjit të Moisiut që të shpëtoheshe, që të dije që mëkatet e tua janë të falura. Krishti nuk ishte i mjaftueshëm. Duhet të ishte Krishti plus veprat e tua. Sot janë akoma shumë kisha që thonë që besimi në Krishtin nuk është i mjaftueshëm. Pagëzimi dhe këmbëngulja në vepra të mira duhet të pasojnë pendimin dhe besimin”. [5]

Bibla thotë, “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianeve 2:8-9). Kjo do të thotë që falja nga dënimi i ferrit është vetëm me anë të hirit. Nuk është varur mbi agjërim, vepra fetare, sa shpesh lutem, këmbëngulje, ose mbi sa e “shenjtë” është jeta që unë jetoj.

Mohimi i shpëtimit të përjetshëm

Kur një njeri nuk kupton mirë doktrinë e faljes, do të dalë një fryt tjetër (d.m.th. fryt i prishur) në doktrinat e tij dhe ky është mohimi i shpëtimit të përjetshëm. “Ki kujdes, ose do të kesh pasoje” është theksi i predikimit të këtyre mësuesve. Dëgjoni këtë predikues “ungjillor”:

“… Besoj që javën e kaluar e mbylla duke thënë se nuk besoj se mund ta humbasësh shpëtimin. Dhe këtë e rikonfirmoj edhe këtë mëngjes. Nuk besoj se ti mund ta humbasësh shpëtimin tënd. Shumë herë njerëzit më pyesin veçanërisht sepse kam qenë baptist. Njerëzit më pyesin shpesh: “Vëlla Denny, beson ti se mund ta humbasësh shpëtimin?” Dhe unë i them “Jo”. Kjo i qetëson menjëherë zemrat e tyre. Por gjithashtu i jep fund duke thënë: “Por unë besoj se mund ta hedhësh tutje.” [6]

Sa fjalë dinake – ti nuk mund të humbasësh shpëtimin tënd, por mund ta hedhësh tutje! Por rezultati është njëlloj – mohimi i faljes së plotë dhe shpëtimit të përjetshëm të besimtarit. Gjithashtu, ky bëhet një sistemi i shpëtimit nëpërmjet veprave.

Doktrina e shpëtimit të amshuar nuk është e hapur për diskutim dhe nënvlerësim. Çdo njeri me një kuptim të mirë rreth Ungjillit dhe faljes së plotë të mëkateve do të kuptojë që mohimi i shpëtimit të përjetshëm na çon tek një “ungjill tjetër”. Dëgjo vëllanë tonë R.E. Harlow,

“Shpëtimi i përjetshëm është një nga doktrinat më të çmuara të Shkrimeve… Pa shpëtimin e përjetshëm ti duhet të shtosh veprat që të mbash vetveten në gjendjen e shpëtuar… Në një mënyre pothuaj të padukshme, kjo ndryshon shumë Ungjillin e hirit të Perëndisë. Ti thua që vepra e Krishtit nuk ishte dhe nuk është e mjaftueshme për të shpëtuar plotësisht. Nëpërmjet kësaj njerëzit dëgjojnë një ‘ungjill tjetër’ i cili nuk është me të vërtetë një ungjill tjetër. Predikuesi, madje një apostull ose engjëll, është nën mallkimin e Perëndisë; po, nën mallkimin e Perëndisë (Gal. 1:8-9)” [7]

Thua që mohimi i shpëtimit është një ungjill i rremë, një ungjill i shtrembëruar, ose një ungjill tjetër, por pavarësisht nga përshkrimi yt, rezultati është njëlloj – ky është nën mallkimin e Perëndisë.

Një provim mbi subjektin e faljes së plotë

Përderisa kemi pasur një mësim të përsëritur mbi subjektin e faljes, le të marrim një provim. Provimi përfshin vetëm dy probleme, të cilat janë poshtë. Secili problem është një mësim nga një predikues ungjillor që (le të supozojmë) është ftuar të flasë në kishën tënde. Nota jote varet mbi faktin nëse ti mund ta dallosh gabimin apo jo. Pa tjetër, do të marrësh një katër nëse mashtrohesh. Vazhdo me problemin e parë:

“Heb. 12:14 thotë, “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë”. Vëllezër dhe motra, sonte unë dua t’ju them që pa shenjtërim ne nuk do të mbërrijmë…Janë tre faza të shpëtimit. E para është shfajësimi. Kjo është kur jemi rilindur… Pastaj vjen faza e dytë dhe kjo është shenjtërim, d.m.th. një jetë e shenjtë…Faza e tretë është përlëvdimi … Ti duhet të kesh shfajësim dhe shenjtërim që të marrësh përlëvdim … Do t’ju bëj ca llogaritje matematike dhe biblike sonte. Shfajësim plus shenjtërim baras përlëvdim. A e kupton? Shfajësim plus shenjtërim baras përlëvdim. Por, shfajësim minus shenjtërim baras dënim … Dhe ka një filozofi që qarkullon sot që shfajësim minus shenjtërim baras humbje e shpërblimeve. Por Bibla thotë që shfajësim minus shenjtërim baras humbje e shpirtit tënd”. [8]

Përgjigjja jote duhet të jetë që jo vetëm që llogaritjet e tij matematikore janë bërë shumë keq, por edhe që kjo është një doktrinë shumë e rremë. Sipas predikuesit asnjeri nuk ka në asnjë moment faljen e plotë. Gjithashtu, shpëtimi është i kushtëzuar në kuptimin që shenjtërimi bëhet një kusht për përlëvdim, jo një fryt i shpëtimit siç thotë Bibla, ” Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi” (Rom. 8:30).

Tani, le të vazhdojmë me problemin e dytë.

“Në gjakun e Krishtit kemi faljen e të gjitha mëkateve tona [të kaluara, të tanishme, të ardhshme]… Kjo është nëpërmjet hirit, vetëm gjakut i Tij, nëpërmjet besimit në të. Si dhe kur bëhet praktik gjithë hiri i Perëndisë? Tani Shkrimet edhe thanë që n.q.s. ecim në dritë … gjaku i Krishtit Jezus na pastron nga të gjitha mëkatet. N.q.s. rrëfejmë, Ai na fal. N.q.s. mëkatojmë, kemi një avokat. … Kemi nevojë për Krishtin nga fillimi deri në fund. Kemi nevojë për gjakun e Tij për të na pastruar vazhdimisht nga mëkatet tona”. (Theksi në origjinal) [9]

Sa konfuzion! E para, gabimi themelor i predikuesit është që ai përzien thënie nga çfarë duken si Efesianeve 1:7, Kolosianeve 2:13 dhe 1 Gjonit 1:7-2:1, vargje që nuk flasin për të njëjtën aspekt të faljes. P.sh., Efesianeve 1:7 dhe Kolosianeve 2:13 flasin për faljen juridike, kurse 1 Gjonit flet për faljen prindërore. E dyta, përderisa të dyja aspektet e faljes janë përzierë bashkë, lexuesi është detyruar të përfundojë që predikuesi është duke folur njëkohësisht për të dy llojet e faljes pa bërë asnjë lloj dallimi midis të dyjave. E treta, përfundimi i predikuesit rreth faljes së mëkateve është shumë i paqartë. Në një anë, në gjakun e Krishtit kemi falje të të gjitha mëkateve, por, vini re, në anën tjetër jo akoma! Gjaku vihet në punë vetëm kur plotësojmë kushtin e rrëfimit. Atëherë, mëkatari është larë, dhe kjo larje bëhet në mënyrë të vazhdueshme, jo një vepër që ndodh një herë e përgjithmonë. Sinqerisht, kjo larje e vazhdueshme me gjakun e Krishtit i ngjan doktrinës së kishës katolike. Vine re që predikuesi cakton një kusht që të marrësh falje. Radari ynë frymëror duhet ta japë alarmin kur dëgjojmë një predikues duke folur për një kusht (përveçse besimi) që duhet të plotësohet që të marrësh faljen e mëkateve pa bërë një dallim të qartë midis të dyja llojeve të faljes. Një predikim duhet të dyshohet menjëherë kur shpëtimi dhe falja nuk janë të plotë ose të sigurt, vetëm mëkatet e kaluara janë të falura, ose falja e mëkateve ka një kusht, të cilin mëkatari duhet ta plotësojë që të sigurojë falje.

Si dole në provim? Me një katër, apo me një dhjetë?

Përfundimi

Konfuzioni rreth faljes së mëkateve nuk është diçka e re. Edhe në kohën e Dhiatës së Re, mësues të rremë u përpoqën për t’i bindur besimtarët që një njeri kishte nevojë për besimin në Krishtin, por edhe diçka më tepër që të shpëtohej plotësisht (rrethprerje dhe respektim i ligjit të Moisiut, Veprat e Apostujve 15:5). Lavdi Zotit që vëllezërit vendosën shpejt që mësime të tilla ishin duke trazuar shpirtrat tanë (Veprat e Apostujve 15:24).

Gjithashtu, ne duhet të dallojmë me shumë kujdes mësimet që dëgjojmë sot rreth Ungjillit. Zoti na ndihmoftë për të kuptuar qartë doktrinën e faljes së mëkateve.

Referenca    ( ↵ kthehet te teksti)

  1. Letër personale në dorën time.
  2. Rightly Dividing the Scriptures, George R. Brunk I, Christian Light Publications, Inc., Harrisonburg, VA, p. 46-47.
  3. Believer’s Bible Commentary, William MacDonald, Thomas Nelson Publishers, Nashville, TN, p 1355
  4. The Confession of Sin, Mose Stoltzfus, Cassette tape #1452, 1994, Charity Gospel Tape Ministry, Leola, PA, USA.
  5. A Perverted Gospel, Donald Norbie, Milk & Honey, January 1996, Vol XI
  6. Warnings from Hebrews on Perseverance (Part 2), Denny Kenaston, Cassette tape #1556, Charity Gospel Tape Ministry, Leola, PA, USA.
  7. The Right to Die, R.E. Harlow, Missions Magazine, January 1999.
  8. Without Holiness No Man Shall See God, Jerry Mawhorr, Cassette tape #2002, 1997, Charity Gospel Tape Ministry, Leola, PA, USA.
  9. Letër personale në dorën time.
Falja e mëkateve
Falja e mëkateve
Falja e mekateve (George Sturm).pdf
Versioni: © Asambleja Biblike 2004
466.4 KiB
1565 shkarkime
Hollësi