Nxitje për durim (Jakobi 5:7-12)

5:7 Tani, Jakobi u drejtohet besimtarëve që po shtypeshin, dhe ai i nxit ata të jenë të durueshëm. Motivi i durimit është ardhja e Zotit. Kjo mund t’i referohet Rrëmbimit ose Ardhjes së Krishtit për të mbretëruar. Të dyja përdoren në Dhiatën e Re si nxitje për durim.

Bujku ilustron nevojën e durimit. Ai nuk korr në të njëjtën ditë që mbjell. Por, për më tepër, ai pret një kohë të gjatë. Së pari, duhet të vijë shiu i parë, duke bërë që fara të mbijë. Pastaj, në fund të stinës është shiu i fundit, i cili nevojitet që të korrat të sjellin fryte të bëra. Disa mendojnë që ky referim, shiun e parë dhe të fundit, është një premtim që bekimet e Ditës së Rrëshajave në fillim të Epokës së Kishës do të përsëriten përpara kthimit të Zotit, por përmbajtja e përgjithshme e Shkrimeve në Dhiatën e Re duket që e kundërshton një shpresë të tillë. Megjithatë, nuk ka asgjë që të ndalojë dëshirën tonë për një mbetje të besimtarëve besnikë që të digjen për Perëndinë dhe që të jenë të prirur për të ungjillizuar botën. A ka një mënyrë më të mirë për të mirëpritur kthimin e Shpëtimtarit?

5:8 Të këqijat e tokës do të rregullohen kur Zoti do të kthehet. Prandaj, populli i Tij duhet të jetë i durueshëm si bujku. Zemrat e tyre duhet të jenë të forcuara me sigurinë e ardhjes së Tij.

5:9 Gjatë kohës së përndjekjes dhe fatkeqësive, është e zakonshme që viktimat të kthehen kundër njëri-tjetrit. Është një gërshetim i çuditshëm i natyrës njerëzore që në çaste të vështira ne zemërohemi me ata që duam më shumë. Si rrjedhim paralajmërimi është ky: Mos u ankoni nga njëri-tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni [12]. Ky varg u bën thirrje shërbëtorëve të Zotit që të bashkëpunojnë në rrethana të vështira. Ne nuk duhet të lejojmë që fyerjet të shtohen. Në fund të fundit, gjykatësi është tashmë te dera! Ai e di çfarë ne mendojmë. Shumë shpejt do të qëndrojmë përpara gjyqit të Krishtit për të dhënë llogari. Ne nuk duhet të gjykojmë, përndryshe do të gjykohemi.

5:10 Profetët e Dhiatës së Vjetër paraqiten si shembull vuajtjeje dhe durimi. Vini re që vuajtja paraprin durimin. “Shtrëngimi prodhon këmbënguljen” (Rom. 5:3). Siç u shpjegua më përpara, në DhR, durimi nënkupton guxim ose këmbëngulje. Për shkak të besnikërisë në shpalljen e fjalës së Zotit, profetët u përndoqën pa mëshirë. Mirëpo “ata qëndruan të patundur sikur të shihnin të padukshmin” (Heb. 11:27, 32-40).

5:11 Ne kujtojmë me shumë respekt Isaian, Jeremian dhe Danielin. Ne i nderojmë ata për zellin dhe për përkushtimin e tyre. Në këtë mënyrë ne i quajmë ata të lumtur (të bekuar). Ne jemi dakort që ata kishin të drejtë dhe bota ishte në gabim. Pra, ne duhet të kujtojmë që ata kaluan sprova dhe vuajtje të mëdha, dhe që ata qëndruan me durim. Nëse ne dëshirojmë të jemi të bekuar, është e arsyeshme të nxjerrim si përfundim që ne do të thirremi të bëjmë të njëjtën gjë.

Jobi është një shembull i mirë i durimit ose i guximit. Shumë pak njerëz në historinë e botës kanë pësuar kaq shumë humbje në një kohë kaq të shkurtër sa Jobi. Por ai asnjëherë nuk e mallkoi Perëndinë, as nuk i ktheu krahët Perëndisë. Në fund, ai mori një shpërblim për durimin e tij. Perëndia i shfaqi vetveten, siç bën Ai gjithmonë, që të jetë i dhembshur dhe i mëshirshëm.

Nëse nuk do të dinim se çfarë Jakobi quan fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi (çështjen përfundimtare ose rrjedhojën që Zoti sjell në shteg), mund të jemi të tunduar të kemi zili njerëzit e këqinj. Asafi ishte ziliqar kur ai pa mirëqenien e njerëzve të këqinj (Ps. 73:3-17). Sa më shumë ai mendonte për të, aq më shumë mërzitej. Pastaj ai hyri në shenjtoren e Zotit dhe e kuptoi fundin e tyre. Kjo e largoi zilinë e tij. Davidi pati të njëjtën përvojë. Në Psalmin 17:15 ai përshkruan pjesën e besimtarit në jetën që do të vijë. Duke pasur parasysh këtë, besimtarit i leverdis të jetë i durueshëm. Në rastin e Jobit, fati përfundimtar që Zoti i rezervoi ishte që Perëndia i dha atij dyfish më shumë nga ç’kishte më përpara (Jobi 42:10-15).

5:12 Padurimi në kohën e sprovës gjithashtu shfaqet në betim. Këtu nuk bëhet fjalë kryesisht për blasfemi ose për mallkim. As nuk bëhet fjalë për betim në gjyq. Praktika që ndalohet është përdorimi i pakujdesshëm i emrit të Zotit ose e ndonjë emri tjetër për të provuar vërtetësinë e të folurës së dikujt. I krishteri nuk duhet të bëjë be për askënd dhe për asgjë në qiell ose në tokë. Ata që e njohin atë duhet të varen nga fakti që “po”-ja e tij do të thotë “po dhe “jo”-ja e tij do të thotë “jo”.

Gjithashtu kjo pjesë mund të zbatohet për shprehjet e panevojshme ose betimet që përdorin kot emrin e Zotit (ose më keq, emrin e një të ashtuquajtur perëndie tjetër) si “për Zotin”, “për kokën e vëllait”, “marshalla“, “kismet” (në vend të “në dashtë Zoti”) etj.

Që të mos bini nën dënim (ose hipokrizi, NKJV në anë [13]) thotë Jakobi, mbase duke menduar për urdhërimin e tretë: “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.” (Eksodi 20:7).