Përshëndetjet (Jakobi 1:1)

Shkrimtari e paraqet vetveten si Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezus Krisht. Nëse autori ishte vëllai nga nëna i Zotit, ashtu siç ne besojmë, atëherë në jetën e tij kishte ardhur një ndryshim i mrekullueshëm. Dikur, ai nuk kishte besuar në Zotin Jezus Krisht (Gjo. 7:5). Ai mund të ketë pasur me të tjerët mendimin që Jezusi nuk ishte në vete (Mar. 3:21). Por Zoti ynë mbolli me durim farën e fjalës. Edhe pse nuk ishte i vlerësuar, Ai i mësoi parimet e mëdha të mbretërisë së Perëndisë. Më pas fara u rrënjos në jetën e Jakobit. Ndodhi një shndërrim i madh. Një mosbesues u bë një shërbëtor. Mosbesuesi nuk kishte turp të thoshte kështu!

Duke e quajtur vetveten një shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezus Krisht, Jakobi e vendos në mënyrë të drejtë Perëndinë dhe Zotin Jezus në të njëjtin nivel, si të barabartë. Ai e nderon Birin ashtu siç ai e nderon Atin (Gjo. 5:23). Jakobi e dinte që “askush nuk mund t’i shërbente dy zotërinjve” (Mt. 6:24). Tashmë ai foli për vetveten si një shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezus. Këtu nuk ka asnjë mospërputhje sepse Perëndia Atë dhe Perëndia Bir janë të barabartë.

Letra i drejtohet të dymbëdhjetë fiseve të shpërndaranëpër botë, fjalë për fjalë atyre që janë të shpërndarë (greq. diaspora). Këta njerëz ishin judenj që nga lindja dhe që i përkisnin të dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Për shkak të mëkatit të Izraelit, njerëzit ishin nxjerrë nga vendi i tyre i lindjes dhe tani ishin shpërndarë në shtetet më afër Mesdheut. Shpërndarja e parë ndodhi kur dhjetë fiset u çuan në robëri nga asirianët në vitin 721 p.K. (p.e.s.). Disa prej këtyre u kthyen në Izrael, në ditët e Esdras dhe Nehemias, por vetëm një mbetje. Në ditët e Rrëshajave, judenjtë besnikë vizituan Jeruzalemin nga çdo komb i njohur në botën e atëhershme (Veprat e Apostujve 2:4). Ata mund të quhen me të drejtë judenjtë e Shpërndarjes. Por më vonë ndodhi një shpërndarje e judenjve të krishterë. Te Veprat 8:1 ne lexojmë që të krishterët e parë (kryesisht nga origjina judease) u shpërndanë kudo në Jude dhe Samari për shkak të përndjekjeve të Saulit. Kjo shpërndarje është përmendur përsëri ku ne lexojmë që besimtarët u çuan në Feniki, Qipro dhe Antioki. Si pasojë, njerëzit të cilëve Jakobi u shkroi mund të kenë qenë judenj që ishin shpërndarë në ndonjërën prej këtyre kohërave të krizave.

Meqenëse të gjithë besimtarët e vërtetë janë të huaj dhe shtegtarë në këtë botë (Filipianeve 3:20; 1 Pjetrit 2:11), ne mund ta përdorim këtë letër për veten tonë, edhe pse nuk u shkrua drejtpërdrejt për ne.

Një çështje akoma më e vështirë është nëse Jakobi i drejtohet judenjve jo të krishterë, judenjve që ishin kthyer te Krishti, apo judenjve që besonin dhe atyre që nuk besonin së bashku. Kryesisht duket se autori po i shkruan besimtarëve të vërtetë dhe të lindur sërish (1:18). Megjithatë disa herë duket sikur ai i drejtohet jo vetëm të krishterëve që e quanin veten të tillë por edhe jobesimtarëve. Kjo është një nga dëshmitë e datës shumë të hershme të letrës: e çara ndërmjet të krishterëve hebrenj dhe judenjve që nuk besonin nuk ishte ende një fakt i përfunduar.


[previous][next]