Çlirimi i profetit (Jona 2)

A. Lutja e Jonës (2:2-10)

Lutja e Jonës drejtuar Perëndisë nga stomaku i peshkut kremton çlirimin e tij nga mbytja dhe jo shpëtimin e tij nga peshku. Shpëtimi erdhi pas lutjes së tij. Lutja e tij spikat sepse përmban pjesë nga Libri i Psalmeve. Sidlou Baksteri (J. Sidlow Baxter) e analizon lutjen si vijon: Nuk ka asnjë fjalë kërkese në lutjen e Jonës. Ajo ka të bëjë me falënderimin (vargjet 3-7), zemërthyerjen (vargjet 8,9) dhe përkushtimin (vargu 10). Është me të vërtetë një psalm lavdërimi, një “Te Deum”, një “himn cilësimi dhe lavdërimi drejtuar Perëndisë”. Njoh një njeri që ka kënduar një herë një himn me kokën e tij në fuçinë e vet të miellit që ishte e zbrazët, si shprehje e besimit se Perëndia do të dërgonte një furnizim tjetër mielli! Por risia e të kënduarit të himnit me kokën tuaj dhe tërë qenien juaj, brenda një peshku të madh në mes të oqeanit, është kryekëput e pakrahasueshme [2]! Lutja e Jonës është një hije e pendimit të ardhshëm të Izraelit. Kur kombi do ta pranojë Mesian si Shpëtimtar, do të përtërihet në një vend bekimi nën drejtimin e Tij. Përmendja e gjirit të Sheolit në vargun 2 i ka shtyrë disa të besojnë se Jona vdiq me të vërtetë te peshku dhe u ringjall. Megjithatë, fjala hebraike Sheol mund të nënkuptojë varr, jetë pas vdekjes dhe gjëra të tjera. Këtu kemi mbase një përdorim poetik me kuptimin e “thellësive”, apo siç mund ta përshkruajnë shprehjet moderne “gropat”. Megjithëse ka gjasa që Jona të ketë vdekur me të vërtetë dhe u ringjall përsëri, Vetë Zoti ynë e përdori profetin si një figurë të vdekjes dhe varrosjes së Tij për tri ditë e tri net dhe ringjalljen e Tij të lavdishme (Mt. 12:41). Kjo tregon se Krishti e pranoi Jonën si një karakter historik dhe jo thjesht si një “shëmbëlltyrë”, ashtu siç pohojnë disa predikues modernë.

B. Përgjigjja e Perëndisë (2:11)

Sapo pranoi se shpëtimi vjen nga Zoti, peshku e volli Jonën në breg.
[previous][next]