Jona

Libri është i përveçëm, sepse merret më tepër me vetë profetin sesa me profecinë e tij. Gjendja e shpirtit të tij dhe disiplina e Perëndisë së dashur ndaj tij udhëzojnë dhe e përulin lexuesin. George Williams

I. Vendi unik në Kanun

Jona (hebraisht pëllumb) është i vetmi midis profetëve profecia e të cilit nuk ka të bëjë me atë që ka thënë ai, por me jetën dhe përvojën e tij. Përvoja e tij paraqet të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kombit të Izraelit, si vijon:

  1. I menduar të ishte dëshmi për Perëndinë tek johebrenjtë.
  2. Xheloz se një mesazh hiri do të shkonte tek johebrenjtë.
  3. I hedhur në det (bota pagane) dhe i përpirë nga kombet, megjithatë nuk u asimilua nga to.
  4. I hedhur në vend të thatë (vendosur përsëri në vendin e Izraelit) dhe u bë një bekim për kombet.

Pjesa e vetme e përvojës së tij, që nuk duket se përputhet me këtë pikëpamje, gjendet në kapitullin 4. Asgjëkund në Bibël nuk thuhet se Izraeli do të mërzitet dhe do të varë buzët kur bekimet e mijëvjeçarit do të rrjedhin për johebrenjtë!

II. Autorësia

Vetëm kapitulli 2, “psalmi” shumë vetjak i Jonës nga barku i peshkut të madh, është në vetën e parë (unë, mua, imja). Megjithatë fakti se tre kapitujt e tjerë flasin rreth Jonës dhe përdorin vetën e tretë (ai, atë, e tij) nuk e përjashtojnë shkrimin prej tij të të tërë librit (pikëpamja tradicionale). Shkrimtarë të tjerë të Biblës, duke përfshirë Moisiun, kanë bërë të njëjtën gjë herë pas here. Megjithatë, autorësia e këtij libri nuk duhet të bëhet një provë për ortodoksinë [nëse ke doktrinë të shëndoshë apo jo], meqë teknikisht është anonim.

III. Data

Misioni i Jonës për në Ninive ndodhi në mbretërimin e monarkut më të madh të Mbretërisë Veriore, Jeroboamit III (2 i Mbreterve 14:25), që kryesoi rreth viteve 793 deri 753 para K. Ndërsa mbishkrimet asire nuk përmendin ndonjë gjallërim të madh gjatë kësaj epoke, një numër ngjarjesh përputhen me Jonën. Njihet shumë mirë se paganët e lashtë e shikonin zinë dhe eklipset si shenja paralajmëruese të fatkeqësisë së ardhshme. Zoti mund ta ketë përdorur shumë mirë zinë asire të viteve 765 dhe 759 para K. dhe eklipsin e plotë të 15 qershorit 763 para K. për të përgatitur zemrat e niniveasve për mision ungjillor të Jonës. Një lëvizje e shkurtër drejt monoteizmit nën mbretërimin e mbretëreshës Semiramis dhe nën bashkëmbretërimin e saj me të birin Adad-Nirarin III (810-782 para K.) mund të kenë qenë një përgatitje për shërbesën e Jonës.

IV. Sfondi dhe tema

Jona ishte biri i Amitait (besnik “ndaj Perëndisë”). Tek 2 i Mbreterve 14:25 mësojmë se shtëpia e tij ishte në Gath Hefer, në Galile.

Ai profetizoi gjatë ditëve kur Asiria po kërcënonte Mbretërinë Veriore, Izraelin. Perëndia e dërgoi atë të predikonte pendimin në Ninive, kryeqytetin e Asirisë. Ai ngurroi ta bënte këtë, duke pasur frikë se qyteti do të pendohej dhe do të shpëtonte. Asiria ishte një komb tejet mizor. Nëse duhen besuar mbishkrimet e tyre [gjetje arkeologjike], ata i rripnin të gjallë armiqtë e tyre, i bënin grumbull kafkat e tyre dhe bënin edhe vepra të tjera të tmerrshme. Fjalët arrogante dhe blasfemuese të Rabshakehut, zëdhënësit asir të Senasheribit, ruhen tek 2 i Mbreterve 18:19 e në vazhdim.

Prandaj Jona u largua për të shkuar në Tarshish dhe u gëlltit nga një peshk i madh rrugës. Pas lëshimit të tij ai iu bind detyrës së Zotit duke predikuar në Ninive. Qyteti u pendua dhe nuk pësoi gjë të keqe, gjë që solli pakënaqësinë e Jonës!

Zoti Jezus e përdori Jonën si një shenjë të vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Tij (Mt. 12:40; 16:4).

Libri është një koment mbi Romakeve 3:29:

A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.

Libri është gjithashtu një ilustrim i Romakëve 11:12,15. Kur Jona u hodh në det, erdhi me anë të kësaj shpëtimi i ekuipazhit të johebrenjve. Por kur u hodh në tokë të thatë, erdhi me anë të kësaj shpëtimi i një qyteti. Kështu rënia e Izraelit solli pasurimin e botës pagane, por sa shumë bekime do të vijnë në botë përmes përtëritjes së Izraelit!

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. MOSBINDJA E PROFETIT (kapitulli 1)
A. Thirrja misionare e Jonës (1:1,2)
B. Udhëtimi i Jonës për në Tarshish (1:3)
C. Stuhia në det (1:4-10)
D. Hedhja e Jonës në det dhe gëlltitja nga një peshk i madh (1:11-16 – 2:1)
II. ÇLIRIMI I PROFETIT (kapitulli 2)
A. Lutja e Jonës (2:2-10)
B. Përgjigjja e Perëndisë (2:11)
III. SHPALLJA E MESAZHIT TË PERËNDISË PËRMES PROFETIT (kapitulli 3)
A. Kërcënimi i gjykimit (3:1-4)
B. Pendimi mbarëqytetar (3:5-9)
C. Parandalimi i gjykimit (3:10)
IV. PAKËNAQËSIA E PROFETIT (kapitulli 4)
A. Lutja zemërake e Jonës (4:1-3)
B. Pyetja kërkuese e Perëndisë (4:4)
C. Varja e buzëve të Jonës jashtë qytetit (4:5)
D. Mësimi i tërthortë i mëshirës sovrane të Perëndisë (4:6-11)

[previous][next]