Bekim i bukur (Juda 24-25)

V24 Juda mbaron me një bekim të bukur. Ai i jep lavdi dhe adhurim atij që mund . . . . Ai mund të shpëtojë (Heb 7:25), mund të forcojë (Rom 16:25), mund të ndihmojë (Heb 2:18), mund të nënshtrojë (Fil 3:21), dhe këtu, mund të ruajë. Ai mund të na ruajë në paqe të përsosur (Isa 26:3). Mund të ruajë atë që i kemi besuar Atij deri në atë ditë (2Tim 1:12). Ai mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë (Efesianeve 3:20). Edhe Ai mund të na ruajë nga çdo rrëzim.[12] Ky premtim është shumë i veçantë sidomos në ditët e apostazisë të cilave Juda u referohet.

Por premtimi nuk mbaron këtu. Ai mund të na nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim. Kjo është me të vërtetë e mrekullueshme! Kur mendojmë se kush ishim ne – të vdekur nëpërmjet mëkateve dhe shkeljeve tona; kur mendojmë se kush jemi ne – të varfër, të dobët shërbëtorë; dhe pastaj të mendojmë që një ditë me gëzim do të qëndrojmë të paqortueshëm para Perëndisë të gjithësisë – çfarë hiri është ky!

V25 Ai nuk është vetëm Ai që na mban dhe na përsos, por Ai është edhe Perëndia, Shpëtimtari ynë [13]. Është një mrekulli që Perëndia të interesohet kaq shumë për ne, aq sa që Ai u bë Shpëtimtari ynë. Ai krijoi planin me anë të të cilit ne shpëtohemi dhe dha Birin e Tij të pamëkatshëm si Qengjin sakrifikues. Vetëm Ai është i ditur. Gjithë dituria vjen nga Perëndia (shih Jak 1:5). Dituria jonë vjen nga burimi i diturisë, të vetmit Perëndi të ditur.

Nëse fjala “adhurim” do të thotë “t’i japësh Perëndisë atë që i takon”, atëherë këto gjëra janë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet. Lavdia do të thotë nderi më i madh që Ai meriton për gjithçka që Ai është dhe gjithçka që Ai ka bërë. Madhështia do të thotë dinjiteti që Ai meriton si Mbreti Suprem i gjithësisë. Sundimi do të thotë që e drejta sovrane i takon vetëm Atij pa asnjë pretendues tjetër. Pushteti ose autoriteti do të thotë që Ai ka të drejtë dhe fuqi të qeverisë gjithçka që duart e Tij kanë bërë.

Ai ishte i denjë të merrte lavdi të tillë në të kaluarën. Ai është i denjë ta marrë atë edhe tani. Edhe ai do të jetë i denjë ta marrë atë në përjetësi. Femohuesit dhe mësuesit e rremë përpiqen të vjedhin lavdi nga Ai, të tërheqin vëmendjen e njerëzve nga madhështia e Tij, të murmuritin kundër sundimit të Tij, dhe të sfidojnë pushtetin e Tij. Por të gjithë besimtarët e vërtetë gjejnë kënaqësinë e tyre të plotë duke lavdëruar dhe duke u kënaqur në Të tani dhe përjetë. Amen.

SHËNIME
[1] (v1) Në vendin e “të shenjtëruar” (hegiasmenois) teksti kritik (NU) lexohet “të dashur” (egapemenois). Për shkak të dënimit të fortë të letrës kundër imoralitetit ndoshta “të shenjtëruar” është më e përshtatshme.

[2] (v4) Fjala “Perëndi” nuk është në NU. Dy fjalë për “Zot” janë fjalë të ndryshme në origjinalin. Në shprehjen “Zoti Jezus,” fjala e zakonshme “kurios” është përdorur. Kurse në shprehjen “Zot Perëndi,” një sinonim “despotes” përdoret. Megjithëse fjala “despot” në gjuhën tonë ka një kuptim të keq, në Bibël të dy fjalët për “Zot” kanë kuptimin “Zot”, “Zotërues”, ose “Pronar.”

[3] (v4) “Liberal” do të thotë “i lirë.” Por në fe kjo u referohet atyre që mohojnë doktrina themelore të besimit, p.sh. frymëzimin, lindjen virgjërore, hyjninë e Krishtit, dhe faljen me anë të gjakut. Njerëzit liberalë shumë shpesh pranojnë me shumë tolerancë ndonjë fe ose doktrinë përveç besimit të krishterë të vërtetë.

[4] “Të rinjtë” nuk janë të shëndoshë në besim. Ata pranojnë ca mësime nga Bibla, por përdorin gjuhë biblike që të fshejnë gabimet jobiblike të tyre. P.sh. Bibla nuk është Fjala e Perëndisë, por “bëhet” Fjala e Perëndisë nëse ajo “flet me zemrën e lexuesit.” Për besimtarin biblik, Bibla është Fjala e Perëndisë.

[5] (v11) C.A. Coates, An Outline of Mark’s Gospel and other Ministry, fq. 125.

[6] (v12) Ata e quanin festën një agape, d.m.th., dashuri.

[7] (v12) Përkthimi më i mirë është “janë shtyrë” siç gjenden në dorëshkrimet më të vjetra dhe më të shumta (M).

[8] (v14) William Kelly, “Lectures on the Epistle of Jude,” The Serious Christian, 1:123.

[9] (v14) “Erdhi” përkthehet nga folja aoriste “elthe.” Megjithëse ngjarja akoma është në të ardhmen, ajo është aq e sigurt sa që folja shprehet në të kaluarën.

[10] (v22) Fjala “dallim” është vetëm një fjalë e mundshme për përkthimin e fjalës greke që edhe mund të thotë “dyshim” ose “duke bërë dallim.” Shih NKJV, vargjet 22-23.

[11] (v23) J.B. Mayor, The Epistle of St. Jude and the Second Epistle of St. Peter, fq 51.

[12] (v24) Teksti Majority (M) ka “ata” në vend të “ju” që do të thotë “ata që mëkatonin” në vargun 23 të cilët të krishterët frymërorë përpiqeshin për t’i shpëtuar.

[13] (v25) Në përgjithësi, teksti NU përkthen në mënyrë më të shkurtë se teksti Majority (M). Prandaj kur NU shton diçka, zakonisht kjo shtesë është interesante. Në vargun 25, tri gjëra janë shtuar.

të vetmit Perëndi, Shpëtimtarit tonë,

nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,

i qoftë lavdi, madhështi,

sundim dhe pushtet,

përpara fillimit të kohës, tani dhe përjetë. Amen.

Sidoqoftë, NU nuk përdor “të ditur.” Ndoshta bekimi popullor i Judës ishte përdorur në këtë formë më të gjatë në kishat egjiptiane.

BIBLIOGRAFI

Bigg, Charles. The Epistles of St. Peter and St. Jude. Edinburgh: T. & T. Clark Ltd., 1901

Coder, S. Maxwell. Jude: The Acts of the Apostates. Chicago: Moody Press, 1958

Green, Michael. The Second Epistle of General of Peter and the General Epistle of Jude. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1968

Ironside, H.A. Epistles of John and Jude. New York: Loizeaux Bros., Inc., 1931

Kelly, William. “Lectures on the Epistle of Jude,” The Serious Christian, Vol. I. Charlotte, N.C.: Books for Christians, 1970

J.B. Mayor, The Epistle of St. Jude and the Second Epistle of St. Peter. Grand Rapids: Baker Book House, 1965