Përgjegjësia e besimtarit në mesin e apostazisë (Juda 17-23)

V17 Tani Juda lë temën e femohuesve dhe fillon me përgjegjësinë e besimtarit në mesin e këtyre të ashtuquajturve barinj që janë vetëm rrogëtarë. E para, ai u kujton atyre që janë paralajmëruar për ardhjen e femohimit. Pastaj ai i inkurajon që të ndërtojnë veten e tyre mbi besimin. Së fundi, ai i këshillon që të përdorin dallimin frymëror për të ndihmuar ata që janë viktima të femohuesve.

Apostujt paralajmëruan rreth ngritjes së mësuesve të rremë. Kjo shihet në shërbesën e Palit (Vep 20:29-30; 1Ti 4:1-5; 2Ti 3:1-9), të Pjetrit (2Pje 2:1-22; 3:1-4), dhe të Gjonit (1Gjo 2:18-19).

V18-19 Theksi kryesor ishte që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë.

Kësaj dëshmie Juda i shton shpjegimin që këta tallës kanë tri karakteristika të qarta. Ata shkaktojnë përçarjet duke tërhequr pas vetes dishepuj, dhe ndoshta, duke ndarë njerëz në grupe të ndryshme sipas përparimit të tyre në femohim. Ata janë njerëz mishorë që do të thotë se ata mendojnë dhe sillen sipas njerëzve natyralë. Ata s’kanë Frymën. Ata nuk kanë qenë kurrë të rilindur nga lart. Pra, ata s’kanë asnjë aftësi që të kuptojnë gjërat e Perëndisë.

V20 Mbrojtja e besimtarit është të rrijë afër Zotit dhe të mbajë përbashkësi me Të. Por, si mund ta bësh këtë? Juda jep katër sugjerime.

E para, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, d.m.th., besimin e krishterë. Ne ndërtojmë veten duke studiuar dhe zbatuar Biblën. Lidhja e vazhdueshme me Biblën na çon pozitivisht në udhën e drejtësisë, dhe na paralajmëron për rreziqet gjatë rrugës. “Njerëzit mund të përbuzin doktrinë,” thotë H. Pickering, “por është doktrina ajo që prodhon karakter, dhe jo karakteri që prodhon doktrinë.”

E dyta, duke u lutur në Frymën e Shenjtë. Kjo do të thotë të lutesh i drejtuar nga Fryma e Shenjtë, në përputhje me vullnetin e Perëndisë siç është zbuluar në Bibël ose siç është zbuluar privatisht në zemrën e besimtarit nga Fryma e Shenjtë. Krahasoje këtë me lutjet e paracaktuara që janë bërë sipas formës ose sipas një libri fetar pa asnjë pjesëmarrje frymërore.

V21 Gjithashtu besimtarët duhet të ruajnë veten në dashurinë e Perëndisë. Dashuria e Perëndisë mund të krahasohet me rrezet e diellit. Dielli jep gjithmonë dritë, por kur diçka kalon midis nesh dhe diellit, ne nuk gëzojmë rrezet e tij. Kështu është me dashurinë e Perëndisë. Kjo gjithmonë ndriçon mbi ne. Por nëse mëkati hyn midis nesh dhe Zotit, atëherë ne nuk gëzojmë dashurinë në jetën tonë të përditshme. Para së gjithash, ne mund të ruajmë veten në dashurinë e Tij kur jetojmë me shenjtëri dhe perëndishmëri. Dhe nëse mëkati hyn në mes, atëherë duhet ta rrëfejmë dhe ta braktisim menjëherë. Sekreti i suksesit është që të mos lejosh asnjë gjë midis teje dhe Perëndisë.

Së fundi, duhet të presim mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme. ‘Mëshira e Zotit tonë’ i referohet kthimit të shpejtë që të marrë njerëzit e Tij në parajsë. Në ditët e errëta të apostazisë, ne duhet të mbajmë ndezur shpresën e lume në zemrat tona. Kjo do të jetë një shpresë që na ngushëllon dhe shenjtëron (1Thes 4:18; 1Gjo 3:3).

V22 Dallimi frymëror është i domosdoshëm kur një besimtar merret me një viktimë të femohimit. Shkrimi bën një dallim në atë se si duhet të merremi ne me ata që janë femohues aktivë dhe me ata që janë mashtruar nga femohuesit. Në rastin e atyre që janë me të vërtetë femohues, rregulli është dhënë nga e 2Gjo 10-11, “Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga.” Kurse me ata që janë mashtruar nga femohuesit, Juda bën një dallim dhe jep dy alternativa. [10]

Për disa duhet të kemi dhembshuri. D.m.th. duhet t’u tregojmë interes të dhembshur dhe të përpiqemi t’i drejtojmë nga dyshimet dhe debatet në një bindje të plotë në të vërtetën.

V23 Por janë edhe të tjerë që janë në buzën e humnerës, gati për të rënë në flakët e femohimit. Këta ne duhet t’i rrëmbejmë me anë të paralajmërimeve dhe udhëzimeve të forta, duke urryer edhe rrobën e ndotur nga mishi. Në DhV rregulli ishte t’i digjnin rrobat e ndotura të një lebrozi. Sot, duke ndihmuar njerëz që kanë rënë në mëkate seksuale, duhet të kujtojmë që objekte materiale, p.sh. rroba, shumë shpesh nxisin pasione seksuale. Ka një lidhje mendore me disa mëkate specifike kur i ndjejmë ose i shikojmë. Pra, duke ndihmuar njerëz që janë të ndotur, duhet të kujdesemi të shmangim ato gjëra që na tundojnë. Një autor i panjohur shkroi këtë:

Rrobat që i përkasin njeriut e kanë lidhjen me ligësi dhe sëmundjen e mëkatit. Çfarëdo gjë që ka lidhje me jetën mëkatare duhet të braktiset dhe të hidhet jashtë. Vetëm kështu mund të largohemi nga infeksioni i kësaj sëmundjeje që shkatërron shpirtërat.

J.B. Mayor paralajmëron, “Ndërsa besimtari ka detyrë të ndihmojë dhe të lutet për mëkatarin, ai duhet të urrejë gjithçka që ka lidhje me atë mëkat. [11]