Përsëri Salomoni përpiqet ta bëjë për vete vajzën, por ajo nuk u dorëzohet magjepsjeve të tij (Kantiku i Kantikëve 4:1-6)

4:1-5 Ky është një dallim opinioni midis atyre që mbështesin interpretimin e dytë [shih Sfondin dhe Temën] të Kantikut të Kantikëve nëse folësi në këto vargje është Salomoni apo bariu. Ne do të hamendësojmë se është i shumëmartuari Salomon, i cili sapo është kthyer në Jerusalem dhe po bën një përpjekje tjetër për ta bërë për vete shulamiten. Ai zhytet në një përshkrim të hollësishëm të bukurisë së saj. Sytë e saj, duke parë nga prapa velit i kujtojnë sytë e pëllumbeshave. Shkëlqimi i valëzuar i flokëve të saj i ngjet me një kope dhish, që shkojnë tok në malin Galaad, nën rrezet e diellit. Dhëmbët e saj borë të bardhë e shtyjnë të mendojë për delet, të sapoqethura dhe të pastruara. Dhëmbët janë si qengja binjakë, duke i pasur të sipërmit njësoj me të poshtmit, pa i munguar asnjë. Buzët e saj janë si një fije e kuqe flakë dhe simetria e gojës së saj është e përsosur. Tëmthat e saj prapa velit janë të rrethuar si një thelë shege. Qafa e saj, si kulla e Davidit, flet për forcë dhe dinjitet. Të dy sisët e saj, si dy kaproj të vegjël, hedhin idenë e bukurisë së hollë dhe të butë. 4:6 Shulamitja e ndërpret [13] për t’i bërë të ditur Salomonit se ajo është e pandikueshme nga joshjet e tij dhe se ajo mezi po pret bashkimin e saj me të dashurin. Kur dita freskohet dhe hijet ikin, ajo do të shkojë në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit, pra, te i dashuri i saj.
[previous][next]