BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Himn lëvdimi Zotit për çlirimin e dhënë
116:1 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.
116:2 Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.
116:3 Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.
116:4 Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: “O Zot, të lutem, më shpëto”.
116:5 Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.
116:6 Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.
116:7 Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.
116:8 Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.
116:9 Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.
116:10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,
116:11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: “Çdo njeri është gënjeshtar”.
116:12 Ç`do t`i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?
116:13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.
116:14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.
116:15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.
116:16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.
116:17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.
116:18 Do t`i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,
116:19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.