A. Fuqi Mbi Një Frymë të Papastër (4:31-37)
4:31-34 Humbja e Nazaretit ishte fitim për Kapernaumin. Njerëzit e këtij të fundit e vunë re që mësimet e Tij ishin me autoritet. Fjalët e Tij ishin bindëse dhe nxitëse. Vargjet 31-41 përshkruajnë një ditë tipike Shabati në jetën e Zotit. Ato e zbulojnë Atë si Zot mbi demonët dhe sëmundjet. Së pari Ai shkoi në sinagogë dhe aty takoi një njeri me një demon të ndyrë. Mbiemri “i ndyrë” shpesh është përdorur për të përshkruar frymërat e këqija; ai do të thotë që ato vetë janë të papastra dhe prodhojnë papastërti në jetët e viktimave të tyre. Realiteti i pushtimit demoniak shihet në këtë paragraf. Së pari një thirrje terrori – “Na lër” Më pas fryma pohoi qartë që Jezusi ishte i Shenjti i Perëndisë që do të shkatërronte ushtritë e Satanit.
4:35 Jezusi i dërgoi një urdhëresë të dyfishtë demonit, “Hesht dhe dil prej tij!”Demoni bëri këtë, pasi e hodhi njeriun në tokë, por pa e dëmtuar.
4:36, 37 Njerëzit u habitën! Çfarë të veçantë kishin fjalët e Jezusit që iu bindën frymërat e ndyra? Cila ishte fuqia dhe autoriteti i papërcaktueshëm me të cilin Ai foli? Pa dyshim që fama përreth Tij u përhap në çdo vend të krahinës përreth.
Të gjitha mrekullitë fizike të Jezusit janë piktura të mrekullive të ngjashme që ai kryen në fushën shpirtërore. Për shembull, mrekullitë e mëpasshme që janë paraqitur tek Luka përçojnë këto mësime shpirtërore:
Dëbimi i frymërave të ndyra (4:31-37) – çlirim nga korruptimi dhe ndotja e mëkatit.
Shërimi i vjehrrës së Pjetrit nga ethet (4:38-39) – çlirim nga shqetësimi dhe dobësia që shkaktohen nga mëkati.
Shërimi i lebrozit (5:12-16) – restaurim nga neveritja dhe gjendja e pashpresë e mëkatit (shiko gjithashtu 17:11-19).
Burri i paralizuar (5:17-26) – liri nga paraliza e mëkatit dhe mundësimi për t’i shërbyer Perëndisë.
Kthimi në jetë i djalit të së vesë (7:11-17) – mëkatarët janë të vdekur në faje dhe mëkate dhe kanë nevojë për jetë (shiko gjithashtu 8:49-56).
Qetësimi i stuhisë (8:22-25) – Krishti mund të kontrollojë stuhitë që ngrihen në jetët e dishepujve të Tij.
Legjioni, demonizimi (8:26-39) – mëkati prodhon dhunë dhe marrëzi dhe e shkëput njeriun nga shoqëria e civilizuar. Zoti sjell dinjitet dhe sjellje të njerëzishme dhe bashkësi me Veten e Tij.
Gruaja që preku cepin e mantelit të Tij (8:43-48) – varfërimi dhe depresioni i krijuar nga mëkati.
Të ushqyerit e 5000 vetave (9:10-17) – një botë e mëkatshme që vdes urie për bukën e Perëndisë. Krishti plotëson nevojën nëpërmjet dishepujve të Tij.
Djali i pushtuar nga demoni (9:37-43a) – dhuna dhe mizoria e mëkatit, dhe fuqia shëruese e Krishtit.
Gruaja me një frymë paralizuese (13:10-17) – mëkati deformon dhe sakaton, por prekja e Jezusit sjell një restaurim të përsosur.
Njeriu me hidropizi (14:1-6) – mëkati prodhon parehati, stres dhe rrezik.
Lypësi i verbër (18:35-43) – mëkati e verbon njeriun për sa i përket vërtetësive që i takojnë përjetësisë. Rilindja rezulton në hapjen e syve.
B. Fuqi mbi ethet (4:38, 39)
Më pas Jezusin e thirrën për një vizitë tek një e sëmurë në shtëpinë e Simonit, aty vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta. Sapo Zoti i qortoi ethet, ato e lëshuan. Kura jo vetëm që ishte e menjëhershme, por edhe e plotë, përderisa ajo ishte në gjendje të ngrihej dhe t’u shërbente. Zakonisht ethet e forta e lënë një person të dobët dhe të plogët. (Përkrahësit e një priftërimi beqar gjejnë pak ngushëllim në këtë paragraf. Pjetri ishte një burrë i martuar!)
C. Fuqi Mbi Sëmundjet dhe Demonët (4:40-41)
4:40 Ndërkohë që Shabati kalonte, njerëzit ishin të lirë nga pasiviteti i imponuar; ata sollën një numër të madh invalidësh dhe të demonizuarish tek Ai. Askush nuk vinte kot. Ai shëroi secilin prej atyre që ishin të sëmurë, dhe dëboi demonët. Shumë nga ata që shpallin se janë shërues sot i kufizojnë mrekullitë e tyre në kandidatë të parazgjedhur. Jezusi shëroi secilin prej tyre.
4:41 Demonët që dëboheshin e dinin që Jezusi ishte Krishti, Biri i Perëndisë. Por Ai nuk pranonte dëshmi prej tyre. Ata duhet të heshtnin. Ata e dinin që Ai ishte Mesia, por Perëndia kishte mjete të tjera më të mira për ta shpallur këtë të vërtetë.
D. Fuqi Nëpërmjet Predikimit Shëtitës (4:42-44)
Ditën tjetër Jezusi u tërhoq në një vend të pabanuar afër Kapernaumit. Turma kërkoi derisa e gjeti. Ata iu lutën Atij të mos largohej. Por Ai u kujtoi atyre që Ai kishte ende punë për të bërë në qytete të tjera të Galilesë. Kështu nga sinagoga në sinagogë, Ai shkoi duke predikuar lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë. Vetë Jezusi ishte Mbreti. Ai kishte dëshirë të mbretëronte mbi ta. Por së pari ata duhet të pendoheshin. Ai nuk do të mbretëronte mbi një popull që kapej pas mëkatit. Kjo ishte pengesa. Ata dëshironin të shpëtonin nga problemet politike por jo prej mëkateve të tyre.
E. Fuqi Nëpërmjet Trajnimit të të Tjerëve: Thirrja e Dishepujve (5:1-11)
Një sërë mësimesh të rëndësishme dalin nga kjo thirrje e thjeshtë e Pjetrit.
- Zoti përdori varkën e Pjetrit si një katedër për të mësuar turmat. Nëse ne ia dorëzojmë çdo pronë dhe zotërim Shpëtimtarit, është e mrekullueshme të shohim se si Ai i përdor ato dhe se si na shpërblen ne gjithashtu.
- Ai i tha Pjetrit saktësisht ku të gjente plot peshq – pasi Pjetri dhe të tjerët ishin lodhur gjithë natën pa patur sukses. Zoti i gjithëdijshëm e di se ku janë peshqit. Shërbesa që bëhet nëpërmjet dijes dhe forcës sonë është e kotë. Sekreti i suksesit në punën e krishtere është të qenit i drejtuar prej Tij.
-
Megjithëse vetë Pjetri ishte një peshkatar plot eksperiencë, ai pranoi këshillën e Marangozit dhe si përfundim, rrjetat ishin mbushur. “.. për fjalën tënde do ta hedh rrjetën.” Kjo tregon vlerën e përulësisë, të aftësisë për të qenë i mësuar dhe bindjes së padyshimtë.
-
Ishte në ujërat e thella që rrjetat u mbushën deri sa po shqyheshin. Kështu ne duhet të heqim dorë nga përqafimi i bregut dhe të lëshohemi në rrjedhën e të qenurit komplet të dorëzuar. Besimi ka ujërat e tij të thella, po kështu edhe vuajtja, trishtimi dhe humbja. Janë pikërisht këto që i mbushin rrjetat me fryte.
-
Rrjeta e tyre filloi të shqyhej dhe varkat filluan të fundoseshin (v 6, 7). Shërbesa e drejtuar nga Krishti sjell probleme – por sa probleme të këndshme që janë. Ato janë nga ato lloj problemesh që kënaqin zemrën e një peshkatari të vërtetë.
-
Ky vizion i lavdisë së Zotit Jezus prodhoi tek Pjetri një ndjenjë tepër të fuqishme të pavlefshmërisë së vetes së tij. Ishte e njëjta gjë me Isaian (6:5); është kështu me të gjithë ata që e shohim Mbretin në Bukurinë e Tij.
-
Ishte pikërisht në kohën kur Pjetri ishte duke u marrë me një punë të zakonshme kur Krishti e thirri atë për t’u bërë peshkatar njerëzish. Ndërkohë që jeni duke pritur për drejtim bëni atë çfarë dora juaj gjen për të bërë. Bëjeni me gjithë forcën tuaj. Bëjeni me zemër si për Zotin. Ashtu si një timon e drejton anijen vetëm kur ajo është në lëvizje, kështu Perëndia i drejton njerëzit kur ata vetë janë në lëvizje.
-
Krishti e thirri Pjetrin nga kapja e peshkut tek kapja e njerëzve, ose fjalë për fjalë “duke kapur gjallë njerëzit.” Ç’janë gjithë peshqit e oqeanit në krahasim me privilegjin që sjell të parit e një shpirti të fituar për Krishtin dhe për përjetësinë!
-
Pjetri, Jakobi dhe Gjoni i tërhoqën varkat në breg dhe braktisën gjithçka për të ndjekur Jezusin në një nga ditët më të mira të biznesit në jetët e tyre. Dhe sa shumë këmbëngulës ishin ata në vendimin e tyre! Ndoshta ne kurrë nuk do të kishim dëgjuar për ta nëse ata do të kishin zgjedhur për të qëndruar me varkat e tyre.
F. Fuqi Mbi Lebrën (5:12-16)
5:12 Doktor Luka e përmend në mënyrë të veçantë faktin që ky i sëmurë ishte i mbushur plot me lebër. Ishte një rast tepër i avancuar dhe i pashpresë nga ana njerëzore. Besimi i lebrozit ishte i çuditshëm. Ai tha, “Ti mund të më pastrosh.” Ai nuk mund t’ia kishte thënë këtë gjë asnjë njeriu në botë. E përsëri ai kishte besim absolut në fuqinë e Zotit. Kur ai tha, “Po të duash” ai nuk ishte duke shfaqur dyshim për sa i përket dëshirës së Krishtit. Për më tepër ai ishte duke ardhur si një përgjërues që nuk kishte të drejtë të lindur për të qenë i shëruar, por që po e hidhte vetveten në mëshirën dhe në hirin e Zotit.
5:13 Të prekje një lebroz ishte e rezikshme nga ana mjekësore, ishte fëlliqje nga ana fetare dhe një degradim shoqëror. Por Shpëtimtari nuk prekej nga ndotja. Ai ngriti mbi trupin e lebrozit një ujëvarë shërimi dhe shëndeti. Nuk ishte një kurim gradual: Menjëherë lebra iu zhduk. Mendoni çfarë do të thoshte për atë lebroz të pashpresë fakti që në një moment u bë i gjithi i pastër!
5:14 Jezusi e urdhëroi atë të mos i thoshte askujt për kurimin e tij. Shpëtimtari nuk dëshironte të tërhiqte një turmë njerëzish kuriozë, ose që të nxiste një lëvizje popullore për t’u bërë Mbret. Në vend të kësaj Zoti e urdhëroi lebrozin të paraqitej tek prifti dhe të bënte një ofertë siç ishte përshkruar nga Moisiu (Lev. 14:4). Çdo detaj i ofertës fliste për Krishtin. Ishte detyrë e priftit ta kontrollonte lebrozin dhe të përcaktonte nëse ai ishte shëruar apo jo. Prifti nuk mund të shëronte; gjithçka që ai mund të bënte ishte ta shpallte një njeri të shëruar. Ky prift nuk kishte parë kurrë më parë një lebër të pastruar. Pamja ishte unike; kjo duhet ta kishte bërë atë të kuptonte që Mesia më në fund ishte shfaqur. Duhet të kishte qenë një dëshmi për të gjithë priftërinjtë. Por zemrat e tyre ishin të verbëra nga mosbesimi.
5:15, 16 Pavarësisht nga udhëzimet që i dha Zoti për të mos e publikuar mrekullinë, lajmi udhëtoi shpejt, dhe turma të mëdha erdhën tek Ai për shërim. Jezusi shpesh tërhiqej në vende të vetmuara për një kohë lutjeje. Shpëtimtari ynë ishte një Njeri lutjesh. Është e përshtatshme që ky Ungjill që e paraqet Atë si Biri i Njeriut, duhet të kishte më tepër për të thënë për jetën e Tij të lutjes se çdo ungjill tjetër.
G. Fuqi Mbi Paralizën (5:17-26)
5:17 Ndërkohë që lajmet e shërbesës së Jezusit përhapeshin, farisenjtë dhe mësuesit e ligjit sa vinte dhe bëheshin më tepër armiqësorë. Këtu ne shohim që ata u mblodhën në Galile me qëllimin e qartë për të gjetur disa akuza kundër Tij. Fuqia e Zotit ishte që të kryente shërime. Në të vërtetë Jezusi gjithmonë kishte fuqinë për të shëruar, por rrethanat nuk ishin gjithmonë të favorshme. Në Nazaret, për shembull, Ai nuk mundi të bënte shumë vepra të fuqishme për shkak të mosbesimit të njerëzve (Mt. 13:58).
5:18, 19 Katër burra sollën një paralitik mbi një vig në shtëpinë ku Jezusi po jepte mësim. Ata nuk mundeshin ta arrinin Atë për shkak të turmave, kështu që u ngjitën nga shkallët e jashtme për në çati. Atëherë ata e ulën burrin nga një e çarë që e krijuan duke lëvizur disa tjegulla të çatisë.
5:20, 21 Jezusi vuri re besimin që ishte aq i madh sa që kaloi shumë pengesa që t’i çonte një paralitik Jezusit. Kur Ai pa besimin e tyre, pra të atyre të katërve plus të invalidit, Ai i tha njeriut të paralizuar, “Njeri, mëkatet e tua të janë falur.” Kjo thënie e padëgjuar i ngriti peshë skribët dhe farisenjtë. Ata e dinin që askush përveç Perëndisë nuk mund t’i falte mëkatet. Duke mos dashur ta pranonin që Jezusi ishte Perëndia, ata ngritën zërin e blasfemisë.
5:22, 23 Zoti më pas vazhdoi për t’u provuar atyre që Ai në të vërtetë i kishte falur mëkatet e atij njeriu. Në fillim i pyeti ata nëse ishte më e vështirëtë thoje, “Mëkatet e tua janë falur,” apo të thoje “Çohu dhe ec!?” Në një farë mënyre është po aq e thjeshtë të thuash si njërën ashtu edhe tjetrën, por është diçka krejt tjetër t’i bësh ato, pasi të dyja janë të pamundshme nga ana njerëzore. Këtu duket se është më e thjeshtë të thuash “Mëkatet e tua të janë falur,“ sepse nuk ka mënyrë se si të mund të tregohet nëse kjo gjë ka ndodhur apo jo. Nëse thua “Çohu dhe ecë,” është e thjeshtë të shohësh nëse pacienti është shëruar apo jo.
Farisenjtë nuk mund të shihnin që mëkatet e njeriut ishin falur, kështu që ata nuk do të besonin. Prandaj Jezusi kreu një mrekulli që ata mund ta shihnin për t’u provuar atyre që Ai me të vërtetë ia kishte falur mëkatet njeriut. Ai i dha të paralizuarit forcën për të ecur.
5:24 Tani pra me qëllim që ju ta dini që Biri i Njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet” – Titulli Biri i Njeriut, thekson njerëzishmërinë e plotë të Zotit. Në një kuptim, ne të gjithë jemi bij të njeriut, por titulli “Biri i Njeriut” e veçon Jezusin nga çdo njeri tjetër që ka jetuar ndonjëherë. Ky titull e përshkruan Atë si një Njeri sipas Perëndisë, Një që është moralisht i përsosur, Një që do të vuante, derdhte gjak dhe vdiste, dhe Një të cilit i është dhënë drejtimi universal.
5:25 Duke iu bindur fjalës së Tij, i paralizuari u çua, mori vigun e tij dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë.
5:26 Turma ishte e habitur dhe edhe ata përlëvdonin Perëndinë, duke pohuar që kishin parë gjëra të pabesueshme atë ditë; që ishin shpallja e faljes dhe mrekullia që e provoi atë.