Vendosmëria e Perëndisë për të shkatërruar qytetin (Nahumi 2:13-3:19)

2:13Zoti i ushtrive ka shpallur shkatërrimin e plotë të Ninives. Meqë Zoti e ka bërë Veten armikun e tij, qytetit nuk i mbetet asnjë mundësi shpëtimi. Qerret e tij do të digjen dhe luanëte tij të vegjël (luftëtarët) do të gllabërohen nga shpata. Zëri i armiqve të tij nuk do të dëgjohet më dhe ai nuk do të ketë më viktima.

3:1-3 Kapitulli 3 vazhdon figurën e rënies së Ninives dhe jep arsyet përkatëse: Ai është një qytet gjakatar e plot me hile dhe me dhunë, duke marrë plaçkën nga shumë të tjerë. Tashmë kalorësit babilonas po sulmojnë me shpata flakëruese dhe rrugët janë plot me kufoma pa fund.

3:4-7 Kombi do të gjykohet për kurvërimet dhe artet magjike, duke i prishur të tjerët me idhujtarinë dhe tregtinë e vet. Jehovahu do të zbulojë mëkatet dhe do ta mbulojë me turp, ndëshkimi që i shkon përshtat prostitutës joshëse.

3:8-10 Ai nuk do të shpëtojë më, ashtu si No-Amoni (Teba) [3], ai qytet i madh që simbolizonte fuqinë e përqendruar të Etiopisë dhe Egjiptit.

Si aleatë apo ndihmës, Teba besoi gjithashtu te Puti dhe Lubimi për siguri. Këto janë territore të lidhura kryesisht me Libinë [4], por nuk mund të jemi dogmatikë. Puti mund të ketë qenë aq në jug sa edhe vendi i Somalisë sot [5].

3:11-13 Ninive, gjithashtu, do të dehet në kupën e zemërimit të Perëndisë. Ashtu si fiqtë e parë, ajo ishte gati për gjykim. Mbrojtjet e saj do të dështojnë kur portat e vendit të tyre do të jenë krejt të hapura përpara armiqve të tyre.

3:14-17 Pavarësisht nga përgatitjet e mëdha e të imëta të Ninives për rrethimin, duke siguruar ujë të mjaftueshëm dhe duke forcuar fortifikimet e saj me tulla të reja argjile, ajo do të bjerë. Edhe pse tregjet, princat dhe oficerët ishin aq të shumtë, sa edhe yjet e qiellit, ata do ta shkretojnë qytetin si mizëri karkalecash që fluturojnë me lindjen e diellit.

3:18,19Barinjtë (udhëheqësit) e Asirisë tashmë flenë në vdekje. Kombi ka vuajtur një plagë vdekjeprurëse. Lajmi për rënien e saj do të shkaktojë gëzim të madh, sepse shumë kanë vuajtur nga ajo. Ninive ra më 612 para K.

Aq me përpikmëri u përmbush profecia e Nahumit, saqë në kohët e mëvonshme armiqtë, siç ishin Ksenofoni dhe Aleksandri i Madh, nuk e dinin fare se po marshonin afër apo mbi rrënojat e Ninives së madhe.

Deri në shekullin XIX vendi i lashtë i Ninives nuk ishte zbuluar përfundimisht [6].

SHËNIME
[2] (2:2) Walter A. Maier, The Book of Nahum, A Commentary, f. 228.

[3] (3:8-10) Targumi dhe Vulgata shkruajnë këtu: “Aleksandria e populluar”.

[4] (3:8-10) Fjala jonë “Libi” mbase lidhet me “Lubim”.

[5] (3:8-10) “Puti” mund të jetë “Punti” egjiptian, një vend në bregun e Detit të Kuq, po aq në jug sa edhe Somalia. Shikoni Maier, Nahum, f. 321,322.

[6] (3:18,19) Paul Emile Botta, Austen Henry Layard dhe George Smith ishin arkeologë pionerë midis rrënojave të famshme të Ninives (1840 deri 1870).

BIBLIOGRAFI

Feinberg, Charles Lee. The Minor Prophets. Çikago: Moody Press, 1976.

Keil, C. F. “Nahum”, te Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 25. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1971.

Maier, Walter A. The Book of Nahum. A Commentary. Ribotim, Minneapolis: James Family, 1977.

Tatford, Frederick A. The Minor Prophets. Vëll. 1, ribotim (3 vëll.) Minneapolis: Klock & Klock Christian Publishers, 1982.

[previous][next]