Psalmi 11

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


I drejti kërkon strehë te Perëndia

11:1 Unë gjej strehë te Zoti; si mund t`i thoni shpirtit tim: “Ik në malin tënd, si një zog i vogël”?

11:2 Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t`i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.

11:3 Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?

11:4 Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,

11:5 Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.

11:6 Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.

11:7 Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.

[previous][next]