Parathënie për librat profetikë

Pjesa e DhV nga Isaia te Malakia quhet zakonisht “Profetët”. Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe Danieli njihen si Profetët e Mëdhenj, thjesht ngaqë librat e tyre janë më të gjatë se të tjerët. Dymbëdhjetë profetët [librat] më të shkurtër njihen si Profetët e Vegjël.

I. Shërbesa e profetëve

Në kuptimin e vërtetë biblik një profet është dikush që flet për Perëndinë. Këta njerëz [1] kanë dalë në periudhat e mëkatit dhe të rënies për të paditur popullin për mëkatin e tyre dhe për të parathënë gjykimin e Perëndisë nëse ata nuk pendoheshin.

DhV periudha profetike filloi në kohën e Samuelit (rreth 1100 para K.), kur kishte dështuar priftëria. Profetët vazhduan shërbesën e tyre deri në fund të historisë së DhV (rreth 400 para K.), duke përfshirë kthimin nga robëria dhe rindërtimin e Jerusalemit dhe të tempullit.

Megjithatë, shkrimet e profetëve të DhV nuk dolën në skenë deri në kohën e mbretërisë së ndarë (rreth 930 para K.). Kështu, ato përputhen me ngjarjet e treguara tek 1 dhe 2 Mbretërve dhe 1 dhe 2 Kronikave, dhe gjithashtu shtrihen deri tek Esdra dhe Nehemia.

II. Metodat e profetëve

Është treguar zakonisht se mesazhi i profetëve ka të bëjë si me parathënien, ashtu edhe me parashikimin.

Me parathënie kuptojmë se ata profetë thanë Fjalën e Perëndisë. Ata ishin të vetëdijshëm se po e bënin një gjë të tillë. Ata përdorën shprehje, si: “Kështu thotë Zoti” apo “Fjala e Zotit m’u drejtua” (shikoni Jer. 1:9 dhe Eze. 2:7).

Si parashikues ata panë në të ardhmen dhe u thanë njerëzve se cilat do të ishin pasojat nëse do të bindeshin apo nuk do të bindeshin. Vetë profetët nuk e kuptuan gjithmonë mesazhin (Dan. 7:28; 8:15-27; 10:7-15; Zbulesa 7:13,14; 17:6). Ata kishin vështirësi të veçanta kur bënë profeci rreth ardhjes së Mesias. Kur profetizuan për vuajtjet e Krishtit dhe lavditë që do të vijonin (1 Pjetrit 1:10-13), ata nuk mund ta kuptonin se si do të vinte Mesia si Shërbëtor i përvuajtur i Jehovahut dhe në të njëjtën kohë do të mbretëronte si Mbret mbi tërë tokën. Ata nuk e kuptuan se kishte dy ardhje të veçanta: ardhja e Tij në Betlehem dhe kthimi i Tij përsëri në Malin e Ullinjve. Ata nuk e kuptuan se do të kalonte një interval kohe midis këtyre dy ardhjeve.

III. Temat e profetëve

Temat e trajtuara nga profetët e DhV mund të përmblidhen si vijon:

  1. Shenjtëria e Perëndisë
  2. Mëkati dhe dështimi i popullit të zgjedhur të Perëndisë
  3. Thirrje për pendim
  4. Gjykimi i Perëndisë mbi ta nëse nuk do të pendoheshin
  5. Gjykimi i Perëndisë ndaj kombeve kufitare
  6. Kthimi i pjesës së kombit nga robëria
  7. Ardhja e Mesias dhe kundërshtimi i Tij
  8. Ardhja e Mesias në fuqi dhe lavdi të madhe
  9. Përtëritja e popullit të zgjedhur të Perëndisë
  10. Mbretërimi i përbotshëm i Krishtit

Duhet të vihet re në këtë pikë se kisha nuk është temë e profecisë së DhV. Ne nuk duhet të presim që kisha të haset këtu, meqë na thuhet shprehimisht në DhR se është një mister që ishte fshehur në Perëndinë që nga themelimi i botës (Efesianeve 3:4-6).

Ligji i referimit të dyfishtë është një çelës i dobishëm për të kuptuar disa pjesë të DhV. Ligji i referimit të dyfishtë do të thotë thjesht se disa nga profecitë e DhV patën njëherësh një përmbushje të menjëhershme e të pjesshme, dhe, megjithatë, do të kenë një ditë përmbushje të plotë. Për shembull, profecia te Joeli 2:28-32 pati një përmbushje të pjesshme në ditën e Rrëshajave (Veprat e Apostujve 2:7-21), por do të ketë një përmbushje të plotë kur Zoti Jezus do të kthehet për të vendosur mbretërinë e Tij në tokë në fund të periudhës së Mundimit të Madh.

Mirë është të kujtohet se ndërsa disa profeci janë shumë të qarta që në fillim, ka të tjera që nuk do të jenë të qarta, derisa të ndodhin plotësisht.

Ne duhet të shmangim interpretime të zbukuruara të profecisë. Një dëm i madh është bërë duke pohuar se disa individë dhe ngjarje janë përmbushje, kur më vonë bëhet e qartë se nuk ka qenë kështu.

IV. Terminologjia e profetëve

Disa terma të tjerë të mëtejshëm për të na ndihmuar për të kuptuar Profetët janë:

  1. Emri Izrael i referohet kryesisht Mbretërisë Veriore, dhjetë fiseve. Por ndonjëherë i referohet tërë kombit: të gjithë ata që janë pasardhës të Abrahamit.
  2. Juda, nga ana tjetër, i referohet zakonisht Mbretërisë Jugore: dy fiseve të Judës dhe Beniaminit.
  3. Efraimi përdoret, sidomos tek Osea, për të përshkruar dhjetë fiset apo Mbretërinë Veriore. Shtëpia e Jozefit i referohet gjithashtu Mbretërisë Veriore.
  4. Samaria ishte kryeqyteti i Mbretërisë Veriore dhe përmendet shpesh.
  5. Jerusalemi, nga ana tjetër, ishte kryeqyteti i Mbretërisë Jugore.
  6. Ninive ishte kryeqyteti i Asirisë.
  7. Qyteti i Babilonit ishte kryeqyteti i kombit të Babilonit (quajtur gjithashtu Babilonia).
  8. Damasku ishte kryeqytet-shteti i Sirisë.

Në padinë e tyre për idhujtari profetët përdorën zakonisht fjalë që lidhen me idhujtarinë, si: “shëmbëlltyra prej druri”, “vendet e larta”, “druri i bafrës” apo “i lisit” dhe “kopshte”.

“Gjykimi” përdoret zakonisht nga profetët për të nënkuptuar drejtësinë. Ata paditën shthurjen e “gjykimit”, duke nënkuptuar se ata dënuan gjyqtarët që merrnin ryshfete dhe kështu nuk ushtronin drejtësinë.

Mendimi i një mbetjeje të kombit të Izraelit spikat te Profetët. Këta libra parathonë kthimin e një mbetjeje besnike të kombit në ditët e fundit, ashtu si mbetja e kthyer pas robërisë në Babiloni.

V. Klasifikimi i profetëve

Librat e profetëve mund të klasifikohen në disa mënyra. Tashmë kemi parë se ata ndahen në Profetët e Mëdhenj dhe të Vegjël. Ata mund të klasifikohen gjithashtu sipas kohës në të cilën kanë jetuar:

  • Para mërgimit: Isaia, Jeremia, Osea, Joeli, Amosi, Abdia, Jona, Mikea, Nahumi, Habakuku, Sofonia.
  • Gjatë mërgimit: Ezekieli, Danieli.
  • Pas mërgimit: Hagai, Zakaria, Malakia.

Profetët para mërgimit ishin ata që shërbyen para se kombi të çohej në robëri. Profetët gjatë mërgimit ishin ata që folën për Perëndinë gjatë kohës së robërisë babilonase. Profetët pas mërgimit u kthyen me popullin pas robërisë dhe i nxitën ata të rindërtonin qytetin dhe tempullin, dhe të riformonin moralet e tyre.

Gjithashtu profetët mund të klasifikohen sipas popujve ndaj të cilëve u drejtua pikësëpari mesazhi:

  • Izraeli: Osea, Amosi, Jona.
  • Juda: Isaia, Jeremia, Joeli, Mikea, Habakuku, Malakia, Sofonia, Ezekieli, Danieli, Hagai, Zakaria.
  • Kombet: Nahumi, Abdia.

Disa nga këta profetë shërbyen në më shumë se një prej këtyre grupeve. Për shembull, Jona mund të renditet gjithashtu si një profet për kombet. Mikea profetizoi ndaj Izraelit, po ashtu edhe ndaj Judës. Nahumi i foli Judës (Nah. 1:15), po ashtu edhe Ninives. Habakuku tha shumë gjëra për kombet.

Në disa raste emri i profetit fshihet në tekstin e profecisë së tij. Për shembull, emri Isaia do të thotë Jehovahu është shpëtim. Tek Isaia 12:2 lexojmë: “YAH është shpëtimi im”.

  • Jeremia – Jehovahu vendos apo i lartësuari i Jehovahut – 52:31
  • Ezekieli – Perëndia forcon – 34:16
  • Joeli – Jehovahu është Perëndi – 2:13
  • Mikea – kush është si Jehovahu? – 7:18
  • Sofonia – i fshehur nga Jehovahu – 2:3
  • Malakia – lajmëtari im – 3:1

VI. Kronologjia e profetëve

Kronologjia që vijon do ta ndihmojë lexuesin për të kuptuar referencat e ndryshme në librat e profetëve.

Mbretëria e Izraelit (fiset veriore)

Siria ishte armiku i huaj kryesor i Izraelit pas ndarjes së mbretërisë.

Më pas Asiria erdhi në fuqi dhe e kërcënoi Izraelin. Hapat sipas të cilëve Asiria pushtoi Izraelin janë si vijojnë:

  1. Jehu i paguante haraç Shalmaneserit, mbretit të Asirisë (842 para K.).

  2. Menahemi i paguante haraç Tiglath-Pileserit. Ky i fundit filloi të largonte nga vendi izraelitët.

  3. Në mbretërimin e Pekahiahut, Tiglath-Pileseri pushtoi qytetet e Neftalit dhe i çoi në mërgim banorët në Asiri (2 i Mbreterve 15:29). Ai gjithashtu mposhti vendin në lindje të Jordanit dhe i mërgoi dy fiset e një gjysmë në Mesopotami, më 740 para K. (1 i Kronikave 5:26). Për shkak të mbylljes së syve para gjërave të këqija, Pekahiahu u vra dhe u vu në fron Hosea.

  4. Hosea u bë shërbëtori i Shalmaneserit dhe i paguante haraçe atij, por komplotoi kundër tij duke i dërguar dhurata Egjiptit dhe duke kërkuar një aleancë, në mënyrë që zgjedha asiriane të këputej (2 i Mbreterve 17:3,4).

  5. Shalmaneseri rrethoi Samarinë. Qyteti ra në vitin e parë të mbretërimit të Sargonit, 722 apo 721 para K. Shumë prej njerëzve u çuan në Mesopotami dhe Medi (2 i Mbreterve 17:5,6,18). Pjesa tjetër u detyrua të paguante haraç.

Mbretëria e Judës (fiset jugore)

Pas pushtimit të Mbretërisë Veriore Asiria filloi të kërcënonte Judën. Perëndia i siguroi judenjtë se, edhe pse asirianët do t’i sulmonin, ata nuk do të kishin sukses, por do të shkatërroheshin. Kjo ndodhi kur Senasheribi erdhi kundër Jerusalemit gjatë mbretërisë së Ezekias.

Më pas erdhi në fuqi Babilonia dhe u bë kërcënimi i madh për Judën. Hapat politikë që çuan në pushtimin e Judës nga Babilonia janë si vijon:

  1. Jehojakimi u bë kukulla e mbretit të Egjiptit.

  2. Babilonia e pushtoi Egjiptin dhe Asirinë dhe kështu Juda u vu nën pushtetin e saj (605 para K.).

  3. Më 605 para K. (viti i tretë apo i katërt i Jehojakimit), Nebukadnetsari erdhi në Jerusalem, çoi disa nga enët e tempullit në Babiloni dhe mori disa pjesëtarë të familjes mbretërore si robër. Robërit përfshinin mbretin (Jehojakimin) dhe profetin Daniel (2 i Mbreterve 24:1-6 dhe 2 i Kronikave 36:5-8; Jer. 45:1; Dan. 1:1,2).

  4. Më 597 para K. Nebukadnetsari e mërgoi Jehojakinin (Jekoniahun apo Koniahun) dhe shumë të tjerë (2 i Mbreterve 24:10-16). Ezekieli u çua në Babiloni në këtë shpërngulje.

  5. Më 586 para K., ushtritë e Nebukadnetsarit dogjën tempullin, shkatërruan Jerusalemin dhe çuan në mërgim pjesën më të madhe të popullsisë, duke lënë vetëm disa nga njerëzit më të varfër në vend (2 i Mbreterve 25:2-21).

  6. Njerëzit që mbetën në vend udhëhiqeshin nga një qeveritar, Gedaliahu. Jeremia ishte në këtë grup. Më pas Gedaliahu u vra dhe shumë izraelitë u larguan në Egjipt, duke marrë Jeremian me vete (2 i Mbreterve 25:22-26).

Robëria shtatëdhjetëvjeçare dhe periudha pas saj

Perandoria botërore babilonase u shtri deri më 539 para K., vit kur Kiri pushtoi Babiloninë. Ishte ky që nxori dekretin me të cilin lejoheshin robërit të ktheheshin në vendin e Izraelit. Një grup nën udhëheqjen e Zorobabelit u kthye më 538 para K. dhe një tjetër nën Esdrën më 458 para K.

Dari, medi, mbretëroi nga 538 deri 536 para K.

Perandoria medo-perse vazhdoi deri më 333 para K., kur Greciani, nën Aleksandrin e Madh, fitoi sundim botëror.

Robëria shtatëdhjetëvjeçare u shtri nga rënia e Jerusalemit më 586 para K. deri në rindërtimin e tempullit më 516 para K.


Referenca    ( ↵ kthehet te teksti)

  1. Ka pasur gjithashtu edhe disa profetesha, si për shembull Huldahu (2 i Mbreterve 22:14 dhe 2 i Kronikave 34:22).