Periudha ndërtestamentare (midis dy dhiatave)

Kur Perëndia shqiptoi mesazhin e Tij të fundit përmes Malakias, Ai i reshti komunikimet e Tij përmes njeriut për afërsisht katërqind vjet. Rrjedhoi një heshtje shurdhuese në zbulimin hyjnor. Pa dyshim heshtja e Perëndisë çoi në daljen e teorive rreth natyrës së Tij. Disa mund të kenë pyetur nëse Ai vepron ashtu siç ka vepruar më parë. Të tjerë mund të kenë hamendësuar se njeriu ishte shumë mëkatar për të dëgjuar nga Perëndia (kjo është gjithmonë një absurditet, meqë çdo mëkat është një fyerje ndaj Perëndisë dhe pa hirin Ai nuk mund të komunikonte me ndonjë njeri apo brez para kohës së Malakias edhe pas Malakias). Të tjerë mund të kenë hedhur idenë, dhe duke e mbështetur mjaft fort, se mungesa e besimit të njeriut ishte shkaku i heshtjes dhe i pasivitetit në dukje të Perëndisë. Asnjë prej këtyre teorive nuk mund të marrë parasysh gjithëdijen dhe sovranitetin e Perëndisë Jahve. Dashuria e Tij e vendosur dhe sipas besëlidhjes (hebraisht hesed) e ka caktuar tashmë drejtimin e saj. Ai kishte folur në shumë raste dhe përmes njerëzve të ndryshëm, por Ai po përgatitej tani për të shprehur Fjalën e Tij më të madhe dhe më të fuqishme drejtuar njerëzve: me anë të Jezusit. Një heshtje, një heshtje e gjatë dhe e veçantë, do t’i shtonte theksin atij zbulimi madhështor. Rrugët e Perëndisë janë pa dyshim përtej kuptimit të plotë të njeriut. “Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja” (Isaia 55:9). Por Arkitekti i kësaj gjithësie nuk është pa rend e simetri në veprën e Tij, qoftë edhe në marrëveshjet e Tij me qeniet e kufizuara dhe të brishta njerëzore. Rastësisht ai rend mund të dallohet. Një përmbledhje e shkurtër e mënyrës se si Perëndia i drejtohet njeriut gjatë viteve e ruajtur në Dhiatën e Vjetër është shumë udhëzuese. Një element domethënës i veprimit del nga rrëfimet e shkruara përmes frymëzimit të Frymës së Shenjtë. Një pajtueshmëri e tillë në të shkuarën hedh dritë mbi veprat e Perëndisë gjatë asaj që mund të quhet Periudha Ndërtestamentare [midis dy dhiatave]. Duhen pasur parasysh dy gjëra. Së pari, Perëndia planifikon apo lejon përgjithësisht që të dalë një situatë e dëshpëruar para se ta paraqesë mesazhin e Tij, apo para se të parashikojë çlirimin e Tij. Së dyti, Ai gjithmonë ka thirrur një shërbëtor besnik për t’i dalë “për zot vendit”, duke bërë ndërmjetësim me Të në emër të popullit (Eze. 22:30) dhe për të qenë lajmëtari i Tij, përmes të cilit Ai do të kryejë veprën e Tij. Merr parasysh gjendjen e tmerrshme që mbizotëronte në shoqërinë e paspërmbytjes. Madje Perëndia shprehu keqardhje që e kishte krijuar njeriun (Zanafilla 6:6). Kundër mjedisit të kësaj skene të errët e të zymtë Bibla shpall: “Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit” (Zanafilla 6:8). Kështu kemi një situatë të dëshpëruar dhe shërbëtorin besnik të Perëndisë. Ky element u përsërit me Abrahamin në thirrjen e Perëndisë të një populli të zgjedhur nga raca njerëzore të përfshirë në krenari dhe idhujtari. Ai shfaqet përsëri me Jozefin, duke e kursyer Izraelin nga uria. Moisiu ishte një çlirimtar tjetër, që erdhi në kohë për të shpëtuar popullin e Perëndisë nga rrethanat në dukje të pamundura. E njëjta temë përsëritet në Librin e Gjyqtarëve dhe vazhdon të shfaqet në jetët e Esterit dhe Nehemias. Në secilin prej këtyre shembujve dhe të tjerë si këto, përpjekjet e njeriut duhej të dështonin para ndërhyrjes hyjnore. Historia e shkruar e Periudhës Ndërtestamentare çon në një përvojë të ngjashme. Duket se Perëndia e lejoi popullin e Tij që të shteronte forcat e tij dhe të binte në një situatë tjetër të dëshpëruar, para se të sillte në skenë Shërbëtorin e Tij më besnik dhe të vetmin të përsosur, Birin e Tij, Jezu Krisht.

PERIUDHA NË FJALË

Nëse libri i Malakias mbaroi më 397 para K., atëherë periudha në fjalë fillon në këtë pikë dhe vazhdon deri çastin e shpalljes prej engjëllit të lindjes së Gjon Pagëzorit (Luka 1:11-17). Gjatë kësaj hapësire kohe katërqind vjeçare nuk pati profetë dhe asnjë shkrimtar të frymëzuar nga zbulimi hyjnor. Spikatin gjashtë ndarje historike. Epoka perse, që daton deri më 536 para K., por përkon me Periudhën Ndërtestamentare nga 397 deri më 336 para K.; epoka greke (336-323 para K.); epoka egjiptase (323-198 para K.); epoka sire (198-165 para K.); epoka makabease (165-63 para K.) dhe epoka romake (63-4 para K.). Ky studim do të paraqitet kronologjikisht sipas këtyre gjashtë ndarjeve. Vëmendje do t’i kushtohet situatës historike dhe zhvillimeve fetare brenda çdo segmenti.

EPOKA PERSE (397-336 para K.)

Situata historike Ashtu siç është vënë re më parë, persët ishin fuqia sunduese në Lindjen e Mesme që prej vitit 536 para K. Perëndia i përdori persët për të çliruar Izraelin nga robëria babilonase (Dan. 5:30,31). Qëndrimi pers qe tolerues ndaj mbetjes judease në Palestinë, derisa rivaliteti i brendshëm ndaj detyrës së fuqishme politike të kryepriftit çoi në shkatërrimin e pjesshëm të Jerusalemit nga qeveritari pers. Nga ana tjetër populli jude mbeti i paprekur gjatë kësaj periudhe. Zhvillimet fetare Robëria babilonase u përdor nga Perëndia për të hequr idhujtarinë nga populli i Tij. Ata u kthyen në Jerusalem me një nderim të ri për Shkrimet, sidomos për ligjin e Moisiut. Ata gjithashtu e kuptuan mirë konceptin teologjik të monoteizmit. Këto dy ndikime vazhduan në Periudhën Ndërtestamentare. Ngritja e sinagogës si një qendër vendore e adhurimit mund të haset në këtë periudhë. Skribët u bënë shumë të rëndësishëm për interpretimin e Shkrimeve në shërbesat e sinagogave. Në kohën kur lindi Jezusi sinagoga ishte zhvilluar mirë në organizim dhe ishte përhapur gjerësisht në tërë bashkësitë judaike të botës. Një zhvillim tjetër që preku përhapjen e ungjillit gjatë kohëve të Dhiatës së Re e pati origjinën e saj në fundin e sundimit pers. Një tempull u ndërtua në Samari, duke vendosur një formë adhurimi që rivalizonte judaizmin. Ajo ngjarje nxiti ndarjen përfundimtare dhe fetare midis judenjve dhe samaritanëve.

EPOKA GREKE (336-323 para K.)

Situata historike Aleksandri i Madh, në shumë aspekte pushtuesi më i madh i tërë kohëve, ishte figura qendrore e kësaj periudhe të shkurtër. Ai pushtoi Persinë, Babiloninë, Palestinën, Sirinë, Egjiptin dhe Indinë perëndimore. Edhe pse vdiq në moshën tridhjetëvjeçare, duke mbretëruar mbi Greqinë vetëm trembëdhjetë vjet, ndikimi i tij jetoi shumë kohë pas tij. Zhvillimi fetar Dëshira e zjarrtë e Aleksandrit ishte që të ngrinte një perandori mbarëbotërore të bashkuar nga gjuha, zakoni dhe qytetërimi. Nën ndikimin e tij bota filloi të fliste dhe të studionte gjuhën greke. Ky proces që u quajt helenizim përfshinte përshtatjen e kulturës dhe të fesë greke në tërë anët e botës. Helenizmi u bë aq popullor, saqë ai qëndroi dhe u nxit edhe në kohët e Dhiatës së Re nga romakët. Beteja që u zhvillua midis judenjve dhe ndikimit helenist në kulturën dhe fenë e tyre qe e gjatë dhe e hidhur. Edhe pse gjuha greke ishte përhapur gjerësisht rreth vitit 270 para K., sa për të sjellë një përkthim në greqisht të Dhiatës së Vjetër (Septuaginta), judenj besnikë i bënë ballë në mënyrë të patundur politeizmit pagan.

EPOKA EGJIPTIANE (323-198 para K.)

Situata historike Me vdekjen e Aleksandrit më 323 para K, perandoria greke u nda në katër segmente nën katër gjeneralë: Ptolemeun, Lizimakun, Kasandrin dhe Selenin. Këta qenë “katër mbretëritë” e Danielit, që zunë vendin e “bririt të madh” (Dan. 8:21,22). Ptolemeu Soter, i pari nga dinastia e ptolemenjve, mori Egjiptin dhe shumë shpejt sundoi rrethinat e Izraelit. Ai u soll ashpër me judenjtë në fillim, por nga fundi i mbretërimit të tij dhe më pas, në sundimin e Ptoleme Filadelfit, pasuesit të tij, judenjtë u trajtuan me mirësi. Gjatë kësaj kohe u autorizua Septuaginta. Judenjtë u begatuan deri afër fundit të dinastisë së ptolemenjve kur u shkallëzuan konfliktet midis Egjiptit dhe Sirisë. Izraeli përsëri u zu në mes. Kur sirët e mposhtën Egjiptin në betejën e Panionit më 198 para K., Judeja iu dha Sirisë. Zhvillimet fetare Politika e tolerancës e ndjekur nga Ptolemeu, për shkak të të cilit judaizmi dhe helenizmi bashkekzistuan paqësisht, ishte shumë e rrezikshme për besimin judaik. Zuri vend një ndërfutje shkallë-shkallë e ndikimit grek dhe një përvetësim gati i pavënëre i mënyrës greke të të jetuarit. Theksi helenist ndaj bukurisë, formës dhe lëvizjes i nxiti judenjtë të lënë pas dore ritet e tyre judaike, që ishin estetikisht jo tërheqëse. Kështu adhurimi u ndikua duke u kthyer më tepër mishor sesa shpirtëror, një nocion që pati një ndikim të vazhdueshëm në judaizëm. Dolën dy parti politike: partia heleniste, që ishte pro sire, dhe judenjtë ortodoksë, në veçanti hazidimët apo “të perëndishmit” (pararendësit e farisenjve). Një betejë për fuqi midis këtyre dy grupeve çoi në një polarizim të judenjve midis radhëve politike, kulturore e fetare. Ishte ky konflikt që solli sulmin e Antiokut Epifan më 168 para K.

EPOKA SIRE (198-165 para K.)

Situata historike Nën sundimin e Antiokut të Madh dhe pasuesit të tij, Seleuk Filopaterit, judenjtë, edhe pse u trajtuan me ashpërsi, u lejuan të ruanin sundimin vendor nën kryepriftin e tyre. Gjithçka shkoi mirë derisa partia heleniste vendosi të caktonte favoritin e tyre, Jasonin, për të zëvendësuar Oniasin III, kryepriftin e përkrahur nga judenjtë ortodoksë dhe, për të realizuar këtë, i dhanë ryshfete pasuesit të Seleukut, Antiokut Epifan. Kjo nxiti një konflikt politik që së fundi e solli Antiokun në Jerusalem të tërbuar. Më 168 para K. Antioku vendosi të shkatërronte çdo karakteristikë të spikatshme të besimit të judenjve. Ai ndaloi tërë flijimet, bëri të paligjshëm ritin e rrethprerjes dhe shfuqizoi zbatimin e Shabatit dhe ditët festive. Shkrimet u gjymtuan apo u shkatërruan. Judenjtë u detyruan të hanin mish derri dhe t’u bënin flijime idhujve. Vepra e tij e fundit e sakrilegjit dhe ajo që vendosi rrënimin e tij përfundimtar ishte përdhosja e Vendit Shumë të Shenjtë, duke ndërtuar aty një altar dhe duke i kushtuar një flijim perëndisë Zeus. Shumë judenj vdiqën në përndjekjet e shumta. Përpara se të vazhdojmë me historinë e periudhës ndërtestamentare, është mirë nëse kujtojmë mënyrën se si Perëndia merret me njeriun. Shumë shpesh Ai krijon (ose lejon të ndodhë) një situatë të dëshpëruar dhe pastaj i bën thirrje një shërbëtori besnik. Fatkeqësisht, prirja e njeriut është të përpiqet ta shpëtojë vetveten nga kriza. Duke e bërë këtë, shumë shpesh duket se ai pothuaj ka arritur te çlirimi, por pastaj e gjen vetveten në një situatë edhe më të keqe. Kjo dukuri ishte gati për të ndodhur me judenjtë. Perëndia ishte duke përgatitur të gjitha rrethanat për ardhjen e Çlirimtarit të vërtetë.

EPOKA E MAKABEUT (165-63 para K.)

Situata historike Një prift i vjetër i quajtur Matatia, nga shtëpia e Hasmonit, jetoi me pesë bijtë e tij në fshatin e Modeinit, në veriperëndim të Jerusalemit. Kur një zyrtar sir u përpoq të detyronte flijimin pagan në Modein, Matatia ngriti krye, vrau një jude atdhemohues që ofroi flijimin, theri zyrtarin sir dhe u arratis në male bashkë me familjen e tij. Mijëra judenj besnikë u bashkuan me të dhe historia rrëfen një prej shfaqjeve më fisnike të xhelozisë së shenjtë për nderin e Perëndisë. Pas vdekjes së Matatias, tre nga bijtë e tij e vazhduan revoltën si vijon: Juda, i mbiquajtur Makabeu (166-160 para K.), Jonathani (160-142 para K.) dhe Simoni (143-134 para K.). Këta njerëz patën një sukses aq të madh, saqë deri më 25 dhjetor të vitit 165 para K. kishin rimarrë Jerusalemin, kishin pastruar tempullin dhe kishin rivendosur adhurimin. Kjo ngjarje përkujtohet edhe sot si festa e Hanukahut (Përkushtimi). Beteja vazhdoi në zonat rrethuese të Judesë me disa përpjekje të kota nga Siria për të mundur Makabenjtë. Së fundi, nën udhëheqjen e Simonit, judenjtë fituan pavarësinë e tyre (142 para K.). Ata përjetuan gati shtatëdhjetë vjet pavarësi nën mbretërimin e dinastisë së Hasmonit, udhëheqësit më fisnikë prej të cilëve ishin Gjon Hirkanu (134-104 para K.) dhe Aleksandër Janaeu (102-76 para K.). Zhvillimet fetare Zhvillimi më kuptimplotë fetar i kësaj periudhe erdhi si shkak i një ndryshimi të fortë të mendësisë rreth mbretërimit dhe kryepriftërisë së Judesë. Për qindra vjet pozita e kryepriftit kishte marrë shumë ngjyrime të dukshme politike. Theks nuk vihej mbi pasardhjen e Aaronit, por mbi forcën politike. Judenjtë ortodoksë u zemëruan dhe e kundërshtuan këtë zhvillim. Kur Gjon Hirkanu u bë qeveritar dhe kryeprift i Izraelit, ai pushtoi Transjordaninë dhe Idumenë dhe shkatërroi tempullin samaritan. Fuqia dhe popullariteti i tij e çoi në referimin e tij si mbret. Kjo gjë nuk u pëlqeu judenjve ortodoksë, që në këtë kohë quheshin farisenj. Ata nuk pranonin asnjë mbret nëse nuk ishte nga pasardhja e Davidit dhe hasmonitët nuk ishin. Ata që kundërshtuan farisenjtë dhe mbështetën hasmonitët u quajtën saducenj. Këta emra shfaqen për herë të parë gjatë mbretërimit të Gjon Hirkanuit, i cili u bë edhe ai një saduce. Situata historike Pavarësia e judenjve përfundoi më 63 para K., kur Pompeu i Romës pushtoi Sirinë dhe u fut në Izrael. Aristobuli II, duke u shpallur mbret i Izraelit, e la jashtë Pompeun nga Jerusalemi. Udhëheqësi romak i zemëruar e mori qytetin me forcë dhe zvogëloi madhësinë e Judesë. Përpjekja e Izraelit për liri nga shtypja ishte shpërblyer për pak kohë, por tani tërë shpresat dukej se kishin humbur. Antipateri, idumeasi, u caktua prokuror i Judesë nga Jul Cezari më 47 para K. Herodi, biri i Antipaterit, u bë mbret i judenjve rreth vitit 40 para K. Edhe pse Herodi i Madh, ashtu siç quhej, planifikoi dhe çoi në fund ndërtimin e një tempulli të ri në Jerusalem, ai ishte një helenist i përkushtuar dhe e urrente familjen hasmonite. Ai vrau çdo pasardhës të hasmonitëve, edhe gruan e tij, Marianën, mbesën e Gjon Hirkanuit. Më pas ai vazhdoi duke vrarë dy bijtë e vet me Marianën, Aristobulin dhe Aleksandrin. Ky ishte njeriu në fron kur lindi Jezusi në Betlehem. Çfarë situate e zymtë dhe e dëshpëruar për popullin e Perëndisë! Zhvillimet fetare Shfaqja e farisenjve dhe e saducenjve është përmendur tashmë. Para se të vazhdojmë me një diskutim për tri parti të tjera të rëndësishme, duhet kushtuar pak vëmendja te këto dy grupe të mëdha.
  1. Farisenjtë e kanë marrë këtë emër herët në mbretërimin e Gjon Hirkanuit. Emri do të thotë “Veçuesit”. Ata vareshin kryesisht nga skribët dhe ishin besnikë ndaj ligjit dhe fesë së Jehovahut. Theksi i tyre mbi zbatimin e fortë ndaj Shkrimeve çoi në një përqasje të fortë ndaj “ligjit gojor” apo Mishnahut, i cili përpiqej të zbatonte ligjin e shkruar të jetës së përditshme.
Gjatë shërbesës së hershme të Jezusit, “ligji gojor” ishte aq i mbushur me shprehje legaliste, saqë kishte të bënte shumë pak me qëllimin fillestar të Shkrimit. Ajo që nisi të jetë një varësi e plotë dhe shumë e nevojshme nga Fjala e Perëndisë, u shthur në formalizëm dhe legalizëm që mohonte frymën e Fjalës.
  1. Saducenjtë e morën emrin e tyre nga fjala Sadokites, apo mbase nga fjala hebraike tsadik, që do të thotë “i drejtë”. Ndërsa farisenjtë ishin të lidhur ngushtë me skribët, saducenjtë lidheshin me kryepriftin. Priftërinjtë duket se prireshin më tepër ndaj aspekteve shoqërore, politike dhe tokësore. Ky element i të menduarit ishte tërheqës për shumë nga udhëheqësit e ngritur shoqërorë judenj.
Nga ana numerike, si një parti më e vogël se farisenjtë, saducenjtë u përkisnin kryesisht familjeve priftërore më të pasura, të cilat formonin aristokracinë shoqërore të kombit të judenjve. Ata mendonin se ligji i Perëndisë dhe politikat e kombit ishin plotësisht të ndara. Me fjalë të tjera, ata nuk shikonin ndonjë lidhje midis nevojës për shenjtërim dhe fatit të kombit të tyre. Feja ishte fe; politika ishte politikë. Prandaj ata ishin shumë skeptikë ndaj farisenjve dhe arritën në përfundimin se ata ishin jashtë mode, të parëndësishëm dhe fanatikë.
  1. Herodianët dolën gjatë epokës romake (Mt. 22:16). Kjo ishte një parti politike, qëllimi kryesor i së cilëve ishte të përkrahte çështjen e qeverisjes së Herodit. Mbase ata ishin të shtyrë nga një frikë ndaj qeverisë romake dhe mundësisë së shkatërrimit të plotë që mund të vinte nga një vepër rebelimi nga ana e judenjve. Ata ishin të prirur së tepërmi ndaj helenizmit dhe u kundërviheshin farisenjve dhe theksit të tyre të vazhdueshëm të veçimit.
  2. Zelotët (apo “kanaaneasit” [jo kanaanenjtë të cilët janë një grup etnik në DhV], nga fjala aramaike kanna’ah, “i zellshëm” – kanaanitë” në Dhiatën e Re të versionit NKJ) ishin gjithashtu një parti politike, por ishin në kundërshtim të drejtpërdrejtë me herodianët. Ata nuk u konformuan me sundimin romak dhe nuk besonin në pritjen e nënshtruar si farisenjtë derisa Mesia i Izraelit të vinte dhe të përmbyste romakët. Sipas mendimit të tyre Perëndia ndihmonte vetëm ata që ndihmonin veten. Judenjtë duhet të ishin gati për të luftuar për pavarësi.
Përballë një fanatizmi të llojit të farisenjve për shkronjën e ligjit, zelotët shtonin një frymë të egër kombëtare. Mësimet e këtij grupi theksonin më fort një lloj çlirimi ushtarak dhe të shpikur nga njeriu sesa një çlirim në ndërhyrjen hyjnore.
  1. Esenët ishin gjithashtu një prodhim i epokës romake. Ata nuk përmenden në Dhiatën e Re, por kanë marrë vëmendje të konsiderueshme me zbulimin e Pergamenave të Detit të Vdekur.
Ky grup njerëzish ishte fetar, jo politik. Ata ishin një lloj kulti pseudofrymëror, të cilët mendonin se duhet të hiqnin dorë nga një shoqëri e zakontë njerëzore dhe të praktikonin një lloj jete murgjish dhe një lloj judaizmi mistik. Me një pasion për frymën e ligjit dhe një veçim për Perëndinë, esenët humbën çdo vetëdije për misionin ungjillor të Izraelit. Ata ishin të kënaqur t’i veçoheshin botës, të injoronin problemet e saj dhe ta linin të vdiste pa shpresë.

PËRFUNDIM

Skena ishte bërë gati. Përpjekjet e kota njerëzore për t’u marrë me tehun e lëvizshëm të fuqisë politike e besimin fetar kishin sjellë pak dobi. Izraeli ishte nën një lloj skllavërie frymërore, që ishte edhe më e keqe se skllavëria e tij politike. Dalja e partive dhe e lëvizjeve të ndryshme, të shtjelluara më sipër, ishte provë e një kërkimi të sinqertë për ndonjë zgjidhje përfundimtare të problemit të tyre. Dukej se gjithçka kishte dështuar. Skena e historisë ishte e errët. Situata ishte me të vërtetë e dëshpëruar. Në mes të kësaj skene, Perëndia theu katërqind vjet heshtjeje me shpalljen e ardhjes së Krishtit, Shërbëtorit besnik të Zotit, dhe Periudhës Ndërtestamentare i erdhi fundi.
[previous][next]