Libri 4 (Psalmet 90 – 106)

Psalmi 90: Rënia e kambanës së vdekjes

Më lejoni të përdor pak imagjinatë të shenjtëruar për të shpjeguar këtë psalm. Skena është shkretëtira e Sinait. Kishin kaluar vite që kur zbuluesit ishin kthyer në Kadesh-Barnea me informacionin e tyre të keq. Tani njerëzit ende po enden nëpër shkretëtirë, por nuk po përparojnë asgjëkund. Ky është një ushtrim në kotësi.

Çdo mëngjes një lajmëtar shkonte te çadra e Moisiut duke i raportuar të rejat e fundit. Vdekje, vdekje, vdekje dhe gjithnjë e më shumë vdekje. Nekrologjitë janë pjesa më e zakontë e lajmit dhe shkretëtira duket se është një varrezë e gjerë. Sa herë që njerëzit fushonin diku, ata linin një fushë tjetër varresh nga pas.

Në këtë ditë të veçantë, Moisiu, njeriu i Perëndisë pësoi ato që mund të mbante. I dërrmuar nga kambana e vdekjes, ai tërhiqet në çadrën e tij, bie përmbys në tokë dhe i drejton lutjen e tij Perëndisë.

90:1,2 Në mes të kësaj rastësie dhe vdekshmërie të madhe, ai së pari gjen lehtësim në përjetësinë e Zotit. Ndërsa çdo gjë tjetër erret dhe përhimet, Perëndia është i pandryshueshëm, duke qenë një shtëpi dhe strehë për popullin e Tij. Që nga përjetësia në përjetësi, Ai është Perëndia “i pafund, i përjetshëm dhe i pandryshueshëm në qenien e Tij, dituri, fuqi, shenjtëri, drejtësi, mirësi dhe të vërtetë”.

90:3,4 Ka një dallim të madh mes përjetësisë së Perëndisë dhe shkurtësisë së jetës njerëzore. Duket se Perëndia përsërit gjithmonë rendin: “Kthehuni në pluhur” dhe një varg i pafund përfundojnë në varr. Për Atë që është i përjetshëm, jetëgjatësia e rreth një mijë viteve e njeriut origjinar të rënë nuk është më tepër se një kujtesë e kaluar apo kalimi i një nate.

90:5,6 Madje edhe Moisiut jeta njerëzore i duket aq kalimtare sa edhe gjumi. Ju flini, ëndërroni, çoheni dhe jeni të pavetëdijshëm për kalimin e kohës. Ose për ta ndryshuar shembullin, jeta është si bari – i njomë dhe i gjelbër në mëngjes, pastaj vyshket dhe thahet në mbrëmje. Ashtu siç ka thënë Spërxhëni, “mbillet, rritet, lulëzon, kositet, nuk është më”.

90:7-10 Ndërsa vdekja është pasojë e futjes së mëkatit, Moisiu kupton se ajo që po ndodh në shkretëtirë është një vizitë e veçantë nga Perëndia. Tërë ushtarët që ishin njëzet vjeç apo më të moshuar kur u larguan nga Egjipti vdiqën para se të arrinin në Kanaan. Rënia e kambanës së vdekjes është një shenjë se Perëndia është i zemëruar me popullin e Tij, sepse ata u vunë përkrah zbuluesve mosbesues në vend që të ecnin para drejt Kanaanit ashtu siç jepnin zemër Kalebi dhe Jozueu. Fajet e tyre dhe mëkatet e tyre të fshehta janë në dritën e fytyrës së Tij, një zemërim dhe brejtje e vazhdueshme. Si rezultat, izraelitët po jetojnë nën renë e errët të mërisë së Tij dhe janë të sunduar nga valët rrahëse të zemërimit të Tij. Disa, është e vërtetë, jetojnë për një periudhë të caktuar prej shtatëdhjetë vjetësh dhe të tjerë e shumta deri në tetëdhjetë. Por edhe në rastin e tyre, jeta është një rraskapitje. Një sëmundje ndjek një tjetër. Detyrat më të vogla janë një stërmundim. Dhe së shpejti rrahja e pulsit resht dhe dikush tjetër bëhet “fytyrë e harruar”.

90:11,12 Njeriu i Perëndisë qëndron me frikë para fuqisë së Perëndisë që është kapur në mëri. Cili mund të nderojë Atë ashtu siç duhet, pyet ai, kur dikush sheh madhështinë e zemërimit të Tij? Kjo është e sigurt: duhet të na bëjë që të vlerësojmë çdo ditë të jetëve tona dhe të kalojmë secilën prej tyre në bindje ndaj Tij dhe në mënyrë të atillë që të vlejë për tërë përjetësinë.

90:13,14 Moisiu i lutet Zotit që të kthehet te populli i Tij në mëshirë. A do të zgjasë përgjithnjë zemërimi i Tij? A nuk do të ketë Ai mëshirë për ta dhe t’i ngopë ata në mëngjes me mirësinë e Tij që ata të mund të jetojnë ditët e tyre të mbetura në qetësi dhe lumturi?

90:15,16 Tani Moisiu lutet për “shpagimin e të këqijave”, pra, ai kërkon aq vite gëzimi për Izraelin sa ka parë vite pikëllimi dhe problemesh. Ata tashmë e kishin parë fuqinë e Tij të shfaqur në veprat e gjykimit; tashmë ai kërkon që Zoti të tregojë anën tjetër të monedhës; pra, veprat e hirit.

90:17 Së fundi, ndërmjetësi i kërkon Zotit që të shohë me favor drejt njerëzve të Tij të zgjedhur tokësorë dhe t’i bëjë ata të frytshëm në tërë angazhimet e tyre: “Po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona“.

Tradicionalisht Psalmi 90 ka qenë një lexim i parapëlqyer gjatë funeraleve të krishtera. Dhe jo pa arsye, sepse na kujton për shkurtësinë e jetës dhe nevojën për ta shpenguar kohën apo për të përfituar nga mundësitë. Por psalmi nuk përfshin rehatinë dhe sigurinë e epokës së DhR. Krishti ka nxjerrë “jetën dhe pavdekësinë në dritë përmes ungjillit”. Ne e dimë se të vdesësh është fitim; do të thotë të mos jesh më në trup dhe të jesh në shtëpi me Zotin. Dhe kështu paraqitja e errët dhe e mugët e psalmit duhet të zëvendësohet me gëzimin dhe triumfin e shpresës së besimtarit në Krishtin, sepse tashmë vdekja ka humbur kthetrat e saj dhe varri nuk është më fitimtar. Besimtari mund të këndojë:

Vdekja është zhdukur! Thuaje me gëzim, o besnik!

Ku është tashmë fitorja, o varr mburravec?

Jezusi jeton! Dyert e tua nuk janë më pa gëzim;

Jezusi jeton, i madhërishëm dhe i fortë për të shpëtuar.

Fanny J. Crosby

Psalmi 91: Psalmi im

Më 1922, në Uestern Hibrajds (Western Hebrides, një ishull i Skocisë), një djalosh pesëvjeçar po vdiste nga difteria. Një membranë mukoze po formohej përgjatë fytit të tij dhe frymëmarrja sa vinte e i bëhej më e vështirë. Nëna e tij e krishterë ktheu kurrizin për të mos e parë frymëmarrjen e tij të fundit. Në atë çast u dëgjua një trokitje në derë. Ishte kunati i saj nga një fshat fqinj. Ai tha: “Kam ardhur t’ju them se nuk kemi pse të shqetësoheni për fëmijën. Ai do të shërohet dhe një ditë Perëndia do ta shpëtojë shpirtin e tij”. Ajo u habit dhe nuk po besonte: “Çfarë të shtyn ta thuash një gjë të tillë?”. Atëherë ai shpjegoi se ishte ulur pranë zjarrit dhe po lexonte Psalmin 91 kur Perëndia në mënyrë të veçantë i kishte folur atij përmes tri vargjeve të fundit:

Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij,

unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt,

sepse ai njeh emrin tim.

Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem;

do të jem me të në fatkeqësi;

do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj.

Do ta ngop me jetë të gjatë

dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.

– nga The Scottish Psalms In Meter.

Unë isha ai djalë. Perëndia më çliroi nga vdekja atë natë; Ai e shpëtoi shpirtin tim trembëdhjetë vjet më vonë dhe Ai më ngopi me jetë të gjatë. Kështu, do të kuptoni pse më pëlqen më tepër Psalmi 91 duke e quajtur Psalmi im. Zakonisht shtoj, me shaka, jam gati që ta ndaj me të tjerët – por, përfundimisht, është Psalmi im!

Shumë teologë nuk janë në një mendje me mua. Ata thonë se ky është një psalm mesianik. Dhe sigurisht kanë të drejtë. Interpretimi i tij parësor paraqet Zotin tonë Jezus Krisht. Dhe ne do ta studiojmë duke u nisur nga kjo pikëpamje, por ndërkohë të kujtojmë se në një kuptim dytësor mund të vlerësojmë premtimet e tij të çmueshme ndaj vetes tonë:

Në tërë lumenjtë e hirit Tënd, unë shpall:

se në çdo premtim ke shkruar emrin tim.

91:1,2 Jezusi është Ai që me epërsi banon në strehën e Shumë të Lartit dhe banon në hijen e të Plotfuqishmit. Askush nuk ka jetuar një jetë si të Tijën. Ai jetoi në përbashkësi absolute dhe të paprishur me Perëndinë, Atin e Tij. Ai kurrë nuk veproi sipas dëshirës së vet, por bëri vetëm ato gjëra që Ati i porositi. Edhe pse ishte Perëndi i përsosur, Ai ishte gjithashtu Njeriu i përsosur dhe jetoi në tokë në varësi të plotë dhe të përsosur të Perëndisë. Pa dyshim, ai mund të ngrejë sytë lart dhe të thotë: “Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj“.

91:3 Duket se zëri i Frymës së Shenjtë dëgjohet në vargjet 3-13, duke e siguruar Zotin Jezus për sigurinë e madhe që ishte e Tija për shkak të jetës së Tij të një besimi të përsosur. Cilat janë garancitë e sigurisë? Janë nëntë:

Çlirim nga rreziqet e fshehura. Laku i çarkut të zogjve flet për komplotin e lig të armikut për të zënë në kurth të shkujdesurit.

Imuniteti nga sëmundjet fatale. Në rastin e Zotit tonë, nuk ka asnjë arsye të besojmë se Ai nuk ka qenë kurrë i sëmurë.

91:4 Mburojë dhe strehë te Shumë i Larti. Kujdesi i dashur dhe vetjak i Perëndisë është i ngjashëm me kujdesin e një shpendi femër ndaj më të voglit të saj.

Mbrojtje në besnikërinë e Perëndisë. Premtimet e Tij janë të sigurta. Atë që Ai ka thënë ajo do të bëhet. Kjo është mburoja dhe parzmorja e besimtarit.

91:5 Çlirim nga frika. Janë përmendur katër lloj rreziqesh që shkaktojnë zakonisht frikë:

Sulmet e bëra nga një armik kur bie nata janë shumë të tmerrshme, sepse burimi është i vështirë për t’u zbuluar.

Shigjeta që fluturon ditën mund të kuptohet si një predhë e fjalëpërfjalshme apo si një figurë për “komplotet e liga dhe shpifjet e të ligjve” (Bibla Përforcuese, AB).

91:6 Murtaja që endet në terr mund të merret fjalë për fjalë apo në mënyrë të figurshme. Sëmundja fizike përparon atje ku është e mbrojtur nga rrezet e diellit dhe e liga morale gjithashtu zhvillohet në errësirë.

Shfarosja që bën kërdinë në mesditë është e paspecifikuar dhe mbase është më mirë ta lësh siç është, në mënyrë që premtimi të ketë një zbatim më të gjerë.

91:7,8 Siguri edhe në mes të masakrës. Edhe atje ku ka masakra në bazat e një tregtie me shumicë, i Dashuri i Zotit është plotësisht i sigurt. Kur të ligjtë ndëshkohen, Ai do të jetë vetëm një spektator, i lirë nga rreziku për të pësuar ndonjë dëm.

91:9,10 Siguri kundër fatkeqësisë. Duke qenë se Shpëtimtari e bëri Shumë të Lartin strehën e Tij dhe vendin e Tij të banimit, asnjë shkatërrim nuk do ta prekë Atë, asnjë fatkeqësi nuk do t’i afrohet.

91:11,12 I garantuar nga truprojat engjëllore. Kjo është një pjesë që Satani ia citoi Zotit Jezus kur e tundoi Atë që të hidhej nga maja e tempullit (Lluk. 4:10,11). Jezusi nuk e mohoi se vargjet gjenin zbatim në Të, por Ai mohoi se mund të përdoreshin si pretekst për të tunduar Perëndinë. Perëndia nuk i kishte thënë Atij të hidhej poshtë nga tempulli. Nëse Shpëtimtari do të hidhej, Ai do të kishte vepruar jashtë vullnetit hyjnor dhe atëherë premtimi i mbrojtjes nuk do të kishte qenë i vlefshëm.

91:13 Fitore mbi luanin dhe gjarprin helmues. Është interesante pse Satani ndaloi para se të mbërrinte në këtë varg. Nëse ai do ta kishte cituar, ai do të kishte përshkruar shkatërrimin e tij! Djalli paraqitet në Shkrim si një luan vrumbullues (1 Pjetrit 5:8) dhe si gjarpri i lashtë (Zbulesa 12:9). Si një luan, ai është përndjekësi i zhurmshëm dhe i tmerrshëm duke përdorur dhunë fizike. Si gjarpër, ai përdor dredhi dinake për të mashtruar dhe shkatërruar.

Dhe kështu Fryma e Shenjtë ka dhënë nëntë garanci të sigurisë së Birit të Njeriut gjatë jetës së Tij të besimit dhe të bindjes së përsosur në tokë. Në këtë pikë, Perëndia Atë i konfirmon garancitë me anë të gjashtë shprehjeve të mrekullueshme “Unë do të”. Në këto mbase kemi një sugjerim të tërë karrierës së njeriut Jezu Krisht:

91:14 Jeta e tij e panjollë në tokë. “Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim“.

91:15 Vuajtja e Tij për mëkatet. “Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi“.

Ringjallja dhe ngjitja e Tij në qiell. “Do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj“.

91:16 Vepra e Tij e tashme në të djathtën e Perëndisë dhe mbretëria e Tij e ardhshme. “Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim“.

Kaq shumë shpreh për Atë një psalm! Por prit pak! Mbase po mendoni për atë që nuk po thotë, për pyetjet e rëndësishme që nuk marrin përgjigje. Për shembull, si mund t’i pajtojmë këto premtime të ruajtjes së sigurt të Mesias me faktin se njerëzit kohët e fundit e vranë? Dhe nëse ia zbatojmë këtë psalm besimtarëve sot, si mund të përputhet me faktin se disa prej tyre bien në sëmundje, bien në betejë, apo vdesin në përplasje avionësh?

Pjesa e përgjigjes, të paktën, varet nga kjo: Ai që beson në Jehovahun është i pavdekshëm derisa të ketë mbaruar puna e tij. Jezusi ua tha këtë dishepujve të Tij. Kur Ai u tha të ktheheshin në Jude, dishepujt i thanë:

“‘Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?’. Jezusi u përgjigj: ‘Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote, por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të'” (Gjon. 11:7-10).

Zoti e dinte se judenjtë nuk mund ta preknin Atë derisa të kishte përfunduar veprën e Tij. Dhe kjo është e vërtetë për çdo besimtar; ai ruhet nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit.

Atëherë Zoti mund t’i flasë një besimtari në një mënyrë të veçantë dhe vetjake përmes disa vargjeve të këtij psalmi. Nëse po, personi mund ta përmendë premtimin dhe të mbështetet në të. Historia ime në fillim e ilustron një gjë të tillë.

Dhe së fundi, është e vërtetë në një kuptim të përgjithshëm se ata që besojnë në Zotin janë të sigurt për mbrojtjen e Tij. Ne mund të priremi të mbitheksojmë përjashtimet. Rregulli i përgjithshëm mbetet ende i vërtetë: ka siguri në Zotin.

Psalmi 92: Një mësim në botanikën frymërore

92:1-5 Askush nuk mund ta mohojë faktin se është fort bukur të kremtosh Zotin. Është bukur në kuptimin se Zoti e meriton një mirënjohje të tillë dhe është bukur gjithashtu për atë që ofron kremtime dhe për ata që i dëgjojnë ato. T’i këndosh lavde emrit Shumë Lartit është një veprimtari që dikush mund të ndërmarrë krejtësisht. Dhe nuk mungojnë arsyet për të lavdëruar. Mirësia e Tij është një temë e pafundme për mëngjesin dhe besnikëria e Tij është e mjaftueshme për të zënë orët e natës – dhe këtu çdo natë me radhë. Rritet bukuria e këngës me një harpë me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes. Asnjë pjesë muzikore e ëmbël nuk është e mjaftueshme për të lavdëruar Zotin për veprat e Tij të mrekullueshme të krijimit, sigurimit dhe shpengimit. Vetëm të mendosh për gjithçka që ka bërë bën që zemra të këndojë me gëzim. Planet e mrekullueshme dhe të ndërthurura të Perëndisë, programet e Tij të thella dhe planet e zgjuara ndezin gjithnjë e më tepër lavdërimin.

92:6-9 Por mos prisni që njeriu natyror të njohë gjërat e thella të Perëndisë. Ai nuk mund t’i kuptojë ato, “sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Kor. 2:14). Për sa i përket realiteteve hyjnore ai është i topitur dhe i marrë, edhe pse mund të jetë një gjigant intelektual para botës. Ai kurrë nuk ndeshet me faktin se ligjet e ngulitura morale në gjithësi paracaktojnë shkatërrimin e të ligjve. Edhe pse mund të duket se ai mund të përparojë për pak kohë, suksesi i tij është i shkurtër si bari. Ashtu siç është e vërtetë se Zoti është i kurorëzuar përjetë, po kështu është e sigurt se armiqtë e Tij do të vdesin dhe do të shpërndahen.

92:10,11 Ana tjetër e monedhës është se Perëndia ngre lart forcën e të drejtit si forcën e buallit, pra, Ai i jep fuqi dhe nder popullit të Tij. Dhe Ai e vajos besnikun me vaj të freskët, që simbolizon shërbesën e hirshme të Frymës së Shenjtë. Kur të shkruhet kapitulli i fundit, shenjtorët e Perëndisë do të kenë dëshmuar vdekjen e ligjshme të armiqve të tyre dhe do të kenë dëgjuar vajtimin e gjatë dhe të rëndomtë të shkatërrimit të tyre.

92:12-15 Begatia e të drejtit krahasohet me atë të një palme dhe të cedrit Libanit. Palma simbolizon bukurinë dhe frytshmërinë, ndërsa cedri është një emblemë e fuqisë dhe e qëndrueshmërisë. Arsyeja e rritjes luksoze të besimtarëve është se ata janë mbjellë në shtëpinë e Zotit dhe do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë sonë. Me fjalë të tjera, ata jetojnë në një përbashkësi të përditshme me Zotin, duke marrë fuqi dhe mbështetje nga Ai. Vitet nuk i dobësojnë aftësitë e tyre për të dhënë fryt. Ata vazhdojnë të rriten frymërisht dhe dëshmia e tyre mbetet gjithmonë e blertë. Begatia e tyre është një provë që Zoti është i drejtë në përmbushjen e premtimeve të Tij. Ai është Kështjella ku mund të mbështetemi dhe nuk ka asgjë të pabesueshme tek Ai.

Të ligjtë krahasohen me barin (v. 7), të drejtët me gjelbërimin e përhershëm (v. 14). Të ligjtë vyshken dhe thahen, por të drejtët bëhen edhe më të fuqishëm. Ky është rendi në botanikën frymërore.

Psalmi 93: Mbreti i përjetshëm dhe froni i Tij i përjetshëm

93:1,2 Këngët që do të këndohen kur Jezusi do të kurorëzohet si Zot janë gati – dhe kjo është një ndër to. Ky psalm pararend ditën e lavdishme kur Mesia i Izraelit do ta shpallë Veten Mbret. Ai do të jetë i veshur me madhështi, në dallim nga hiri i ulët që e karakterizoi Atë në Ardhjen e Tij të parë. Ai haptazi do ta veshë Veten e Tij me forcën e duhur për të mbretëruar mbi botë. Dhe gjendja e botës atëherë do të vendoset në një bazë të qëndrueshme dhe të sigurt, pa qenë më pjesë e tronditjeve morale dhe politike.

Sigurisht, froni i Jehovahut ka ekzistuar gjithmonë, por nuk ka qenë shfaqur aq qartë si gjatë Mijëvjeçarit. Vetë Mbreti është i përjetshëm dhe ashtu siç nuk ka fillim pushteti i Tij, po kështu nuk do të ketë as mbarim.

93:3,4 Kur psalmisti flet për lumenj dhe batica deti, duket qartë se ai po mendon për kombet jojudease që kanë shtypur popullin e Tij gjatë viteve dhe që do t’i kundërvihen kur Ai do të vijë për të mbretëruar. Por përpjekjet e tyre do të jenë të kota dhe afatshkurtra. Edhe pse ata do të ngrenë zërat e tyre me kërcënime të tmerrshme dhe mburrje të mëdha, ata do të mësojnë se Jehovahu që rri mbi fron është më i fuqishëm se federatat e tyre, se tërë turmat e armatosura që mund të mbledhin.

93:5 Dhe kështu do të shihet se mbi të gjitha Fjala e Perëndisë është e vërtetë dhe tërë premtimet që Ai ka bërë rreth shpartallimit të armiqve të Tij dhe vendosjes së mbretërimit të Tij të drejtë do të përmbushen. Tempulli në Jerusalem do të pastrohet nga ligësia, një pastërti që i shkon përshtat Atij, shtëpia e të cilit është.

Gjithçka do të jetë e shenjtë kur Ai do të mbretërojë; dhe çdo gjë do të karakterizohet nga shenjtëria, ashtu siç parathuhet tek Isaia 23:18; Zakaria 14:20,21; Zbulesa 4:8 [62].

Psalmi 94: Perëndia i hakmarrjes

Në veprën e tij të shkëlqyer Cilësitë e Perëndisë (Attributes of God), Pinku (A. W. Pink) shkruan:

Është e trishtueshme kur gjen kaq shumë të krishterë të rremë, të cilët e shohin zemërimin e Perëndisë si diçka për të cilën ata duhet të bëjnë një shfajësim, apo të paktën ata dëshirojnë të mos ekzistonte diçka e tillë… Të tjerë zhgënjehen se zemërimi i Perëndisë nuk është në përputhje me mirësinë e Tij dhe kështu përpiqen ta përjashtojnë nga mendimet e tyre… Por Perëndia nuk ka turp që ta bëjë të ditur se hakmarrja dhe zemërimi i përkasin Atij… Zemërimi i Perëndisë është përsosmëri Hyjnore po aq sa edhe besnikëria, fuqia apo mëshira e Tij… Natyra e Perëndisë e bën Ferrin me të vërtetë domosdoshmëri po aq sa dhe Qiellin [63].

94:1-3 Në Psalmin 94 dëgjojmë pjesën e mbetur besnike të Izraelit në ditët e fundit duke iu drejtuar Perëndisë së hakmarrjes që të shfaqë Vetveten në urrejtjen e Tij ndaj së keqes. Ka ardhur koha për gjykatësin e drejtë të tokës që të marrë hak për krimet e udhëheqësve të ligj kundër popullit të Tij të dashur. Thirrja “Deri kur?” duhet të reshtë. Kënaqja e të pabesëve do të përfundojë së shpejti.

94:4-7 Dënimi i përndjekësve krenarë jepet me hollësi. “Dëgjo pafytyrësinë e tyre! Shiko arrogancën e tyre! Sa mburren këta njerëz të ligj” (LB). Ata shtypin me punë të rënda popullin e Jehovahut nën këmbët e tyre; ata nuk lodhen të ngacmojnë trashëgiminë e Tij besnike. Ata bëjnë viktimë gruan e ve që është pa mbrojtje, mysafirët jo të dyshimtë, jetimët e pashpresë. Dhe qëndrimi i tyre është se Perëndia i Jakobit nuk kupton, apo nuk i intereson ajo që po ndodh.

94:8-11 Sa të pamend janë që mendojnë se Perëndia nuk di gjë! Nëse Ai ka pasur aftësinë për të krijuar veshin në trupin e njeriut, a nuk ka Ai fuqinë gjithashtu të dëgjojë atë që thonë të pabesët? A mund të jetë i verbër Krijuesi i syrit dhe nuk shikon çfarë po ndodh? Nëse Ai ka fuqi që të ndëshkojë kombet, siç provon historia, a është i pafuqishëm që të ndëshkojë mafien që sulmon të dashurit e Tij? A mund të ketë Ai më pak dije sesa çfarë i dha Ai njeriut? Fakti është që Ai di gjithçka. Ai di çfarë mendojnë ata njerëz të çoroditur dhe Ai di që mendimet e tyre janë vetëm avull.

94:12-15 Besimi e ndihmon psalmistin e mërzitur që të kuptojë se problemet e tij janë një pjesë e edukimit të Perëndisë për të. Është një gjë e mrekullueshme kur Zoti të mëson dhe të ndreq sipas ligjit të Tij. Perëndia i jep atij prehje në ditët e fatkeqësisë, derisa t’i hapet gropa të pabesit. Ai mund të ketë besim se Jehovahu nuk do ta braktisë kurrë popullin e Tij, apo nuk do ta braktisë kurrë trashëgiminë që Ai do. Drejtësia e pashmangshme do të vihet në vendin e duhur dhe njerëzit e ndershëm do t’ua tregojnë të tjerëve dhe do ta marrin si shpërblim.

94:16-19 Shumë herë ka qenë kur psalmisti kërkonte se kush do ta mbronte atë kundër fuqisë marramendëse të atyre që kryejnë paudhësi. Por ai kurrë nuk mbeti vetëm. Zoti gjithmonë shkoi për ta ndihmuar; përndryshe ai do të përcillej shumë shpejt në heshtjen e varrezave. Sa herë që ai mendonte se do të binte para sulmeve të tërbuara të njerëzve, ai e pa veten të mbështetur mrekullisht nga mëshira e Zotit. Kur shqetësimet dhe dyshimet filluan të shfaqeshin në mendjen e tij, Zoti qetësonte dhe kujdesej për shpirtin e tij me tërë ngushëllimet.

94:20-23 A mund të ketë ndonjë miqësi midis Jehovahut dhe këtyre udhëheqësve të ligj? A mund të ketë bashkëpunim midis Krishtit dhe Antikrishtit? A mund të miratojë Zoti njerëzit që ndërmarrin veprime për të ligjësuar mëkatin? Të bësh këtë pyetje do të thotë t’i jesh përgjigjur asaj. Udhëheqësit e fuqishëm vrasin të drejtin dhe dënojnë të pafajshmin. Por Zoti është një kështjellë për të Tijtë dhe kala në të cilën ata mund të strehohen. Ai do t’i shpaguajë të padrejtët në masën më të plotë. Ai do t’i zhdukë ata nga faqja e dheut për tërë paudhësitë e tyre. Po, zotëri, Ai do t’i zhdukë nga faqja e dheut.

Sic semper tyrannis!

(Përgjithmonë tiranët!)

Psalmi 95: Adhurimi dhe paralajmërimi

Psalmi hapet me një thirrje të fortë për të adhuruar dhe është e vështirë ta lexosh këtë pa u kapur nga entuziazmi i shkrimtarit (Te Hebrenjve 4:7 psalmi tregohet se është i Davidit, por shprehja “me gojën e Davidit” [Diodati i ri] përkthehet “në Davidin” nga J.N. Darby [JND] dhe mund të nënkuptojë thjesht në Librin e Psalmeve, meqë shumë prej tyre u shkruan nga Davidi).

95:1,2 Pa dyshim që dëgjojmë zërin e Frymës së Shenjtë në këto vargje duke e thirrur përsëri Izraelin që të adhurojë Jehovahun në mbyllje të ditëve të tij të errëta të mundimit. Por ne nuk duhet të harrojmë zërin e Tij që na thërret gjithashtu “nga çdo idhull që na mban larg Tij”.

Është interesante të vëmë re larminë e shprehjeve të përdorura për të përshkruar adhurimin e vërtetë. Do të thotë t’I këndosh Zotit. Do të thotë t’i lëshosh britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë, pra, Kalasë së fortë të Kohërave, në të cilën gjejmë strehim të përjetshëm. Do të thotë të shkosh në praninë e Tij duke rrëfyer me falënderim të gjitha gjërat që Ai ka bërë për ne. Do të thotë të thurësh kurora me lavde për të kremtuar Atë.

95:3-5 Dhe ashtu siç ka një larmi të madhe në mënyrën e lavdërimit tonë, po kështu ka një fushë veprimi të pafundme në këtë çështje. Zoti duhet të lavdërohet, sepse Ai është një Perëndi i madh (heb., El, d.m.th. i Gjithëfuqishmi). Ai është një Mbret i madh mbi gjithë perënditë idhujtare të paganëve. Thellësitë e tokës janë në duart e tij në kuptimin se i takojnë Atij. Majat e maleve janë gjithashtu të Tijat, sepse Ai i ka formuar. Ai ka krijuar oqeanet e mëdhenj dhe ishin duart e Tij që i dhanë formë kontinenteve dhe ishujve.

95:6,7a Por tani del në pah një ftesë e dytë për të adhuruar, dhe bëhet edhe më vetjake e intime. Ne duhet të adhurojmë dhe të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë, sepse Ai është Perëndia ynë. Ai është Perëndia ynë, sepse na ka krijuar dhe se më pas na ka shpenguar. Ai është Bariu i Mirë që ka dhënë jetën e Tij për ne. Tani ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja që drejtohemi, udhëhiqemi dhe mbrohemi nga dora e Tij e shpuar nga gozhdët.

95:7b-9 Në mes të vargut 7 ka një ndryshim të menjëhershëm: nga adhurimi te paralajmërimi. Është psherëtima e zgjatur dhe e rrjedhshme e Frymës së Shenjtë:

Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij...

Në vargjet që mbeten dëgjojmë zërin e Vetë Jehovahut, që paralajmëron popullin e Tij kundër një zemre të ligë mosbesimi. Në Meriba afër Refidimit izraelitët nxitën zemërimin e Perëndisë me anë të ankimeve të tyre rreth mungesës së ujit (ky qe i njëjti vend si Masa – Eks. 17:7). Në një Meriba tjetër afër Kadeshit, Moisiu fyeu Perëndinë duke goditur shkëmbin në vend që t’i fliste atij (Num. 20:10-12). Të dyja ngjarjet, një në fillim të udhëtimit në shkretëtirë dhe tjetra afër fundit, bashkojnë terma kuptimplotë të shprehur nga vetë emrat e tyre (Meriba = rebelim; Masa = provë) – pabesinë e njerëzve gjatë asaj kohe. Edhe pse e kishin parë veprën e mrekullueshme të Perëndisë, duke i çliruar ata nga Egjipti, ata e tunduan dhe e vunë në provë Atë.

95:10,11 Kjo sjellje provokuese zgjati për dyzet vjet. Së fundi, Perëndia tha: “U lodha. Ky popull i mërzitshëm ka zemër që është përzier me të folur përçart. Ata janë të vendosur në përçmimin e shtegut që kam përgatitur për ta. Kështu kam bërë një betim solemn: që ata nuk do të hyjnë në prehjen time, që kam përgatitur për ta në Kanaan”.

Kjo thirrje therëse, një herë e një kohë drejtuar Izraelit, citohet tek Hebrenjve 3:7-11 dhe i drejtohet çdokujt që mund të tundohet të braktisë Krishtin që t’i kthehet ligjit. Dhe do të jetë një paralajmërim për Izraelin në ditët e fundit, që mosbesimi do t’i mbajë ata larg prehjes mijëvjeçare të Perëndisë.

Mosbesimi i përjashton njerëzit nga prehja e Perëndisë në çdo epokë.

Psalmi 96: Mbreti po vjen

Të paktën shtatëmbëdhjetë mënyra të ndryshme lavdërimi për Zotin, paraqitur në formën e urdhërimeve të gjalla për nga stili, gjenden në Psalmin 96. Vini re përsëritjen e fjalëve “këndojini” (v. 1,2), “jepini” (v, 7,8) dhe “le të” (v. 11,12).

96:1,2 Kënga e re është himni që do të tingëllojë kur të kthehet Zoti Jezus në tokë për të filluar mbretërimin e Tij të lavdishëm. Nuk do të jetë vetëm një këngë e re, por gjithashtu një këngë universale; njerëz nga tërë toka do të bashkojnë zërat e tyre në të. Njerëzit do të bekojnë emrin e Zotit dhe vazhdimisht do t’i japin dëshmi fuqisë së Tij për të shpëtuar. “Përditë ata do t’i tregojnë dikujt se Ai shpëton” (LB).

96:3-6 Atë që ata do ta bëjnë në të ardhmen, ne duhet ta bëjmë tani, pra, të shpallim lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve. Zoti është i madh, pafundësisht më i lartë se gjithë perënditë. Perënditë e rreme, bërë prej druri apo guri, janë të pafuqishme; Perëndia i vërtetë është Jehovahu, i cili ka bërë qiejt. Cilësitë e Tij janë si shoqëruese të pandashme, duke e përcjellë Atë kudo. Prandaj shkëlqimi dhe madhështia qëndrojnë para Tij dhe forca dhe bukuria presin Atë në shenjtëroren e tij. “Nderi dhe bukuria janë shoqëruesit e tij; adhurimi dhe madhështia shërbëtorët e altarit të tij” (Knox).

96:7-9 Nëse ne vlerësojmë me të vërtetë madhështinë dhe mirësinë e Zotit, do të duam që edhe të tjerët ta madhështojnë gjithashtu emrin e Tij. Prandaj psalmisti fton familjet e popujve të bashkohen për të shpallur Zotin se sa madhështor është Ai. Ata duhet t’i atribuojnë Atij lavdinë që i takon emrit të tij. Ata duhet t’i çojnë oferta në këmbët e Tij. Ata duhet ta adhurojnë Atë në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, apo në veshjet e shenjta (NASB). Tërë bota duhet ta nderojë Atë.

Përmendja e rrobave të shenjta na kujton se edhe rrobat që veshim kur adhurojmë Zotin duhet të jenë sipas rastit. Ndërsa është e vërtetë se nderimi është së pari një çështje zemre, është gjithashtu e vërtetë se ne shprehim nderimin tonë me anë të veshjes sonë. Rrobat lloshe që hasen në shërbesë nëpër takime, për shembull, zor se hasen nëpër ceremoni martesore apo funerale.

96:10 Ky varg njëjtëson rastin e këngës së re si shpalljen e Mesias-Mbret. Zoti ka filluar mbretërimin e Tij! Sistemi i botës është vendosur mbi një bazë të shëndoshë në mënyrë që mos luajë nga vendi prej luftërave, shtypjeve, varfërive, padrejtësive, katastrofave apo krizave të tjera. Fjalia “nuk do të luajë nga vendi” duhet nënkuptuar se shpreh “kurrë në mbretërimin mijëvjeçar të Krishtit”. Ne e dimë se në fund të botës, qiejt dhe toka do të shkatërrohen nga zjarri (2 Pje. 3:7-12). Çështja këtu është se Zoti do të sundojë mbi popujt me drejtësi dhe do t’i mbrojë ata nga ndikimet e lëkundshme.

96:11-13 Tërë krijimi ftohet të bashkohet në gëzim feste ndërsa mbërrin Zoti (Jahveh apo Jehovah) [64] për të sunduar mbi botën. Qiejt do të jenë të lumtur. Toka do të gëzohet. “Deti dhe gjithçka që gjendet në të do të lavdërojnë” (Gelineau). Asnjë fushë nuk do të rrijë e heshtur dhe “asnjë pemë në pyll, por do të gëzohen duke përshëndetur ardhjen e Zotit të tyre” (Knox). Sepse ai vjen për të sunduar mbi botën. Ai do të sundojë me drejtësi të përsosur dhe në ndershmëri absolute.

“Dhe tani pse nuk flisni për kthimin e mbretit?” (2 Sam. 19:10).

Psalmi 97: Drita ka dalë për të drejtin!

97:1 Ashtu siç hapet psalmi, Zoti, Jezus Krishti, ka zënë vend në fronin e Tij. Dita e kurorëzimit ka ardhur. Dhe ka një gëzim mbarëbotëror. Ishujt e largët dhe brigjet nuk kanë njohur kurrë një gëzim të tillë.

97:2 Ardhja e Mbretit përshkruhet me terma simbolikë, që nxisin ndrojtjen më të thellë plot respekt. Së pari, Ai mbështillet në re dhe terr – një kujtesë që tregon se Zoti ynë fshihet shpesh në mënyrë të mistershme nga sytë e njerëzve dhe është madhërisht i pashqyrtueshëm për sa u përket rrugëve të Tij. Sa pak që e njohim Atë! Pastaj drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij. Qeverisja e Tij është qeverisja ideale – një monarki mirëbërëse – ku nuk ka gabime drejtësie, asnjë shthurje të së vërtetës.

97:3-5 Flakët e mëdha të zjarrit i shkojnë përpara, duke djegur ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden ungjillit të Zotit Jezus (2 Thes. 1:8). Vetëtimat e gjykimit të Tij ndriçojnë tërë vendin. Njerëzit shohin me frikë. Kjo është koha kur “çdo mal dhe kodër do të jenë sheshuar” (Is. 40:4), me fjalë të tjera, kur çdo gjë që ngre krye kundër njohjes së Perëndisë do të përulet.

97:6a Qiejt shpallin drejtësinë e tij. Ndërsa Ai vjen në retë e qiellit (Zbulesa 1:7), me tërë shenjtorët e Tij të blerë me gjakun e Tij (1 Thes. 3:13), bota do të shohë se mbi të gjitha Ai ishte i drejtë, duke ripërtërirë Izraelin ashtu siç e ka premtuar. Gjithashtu, ashtu siç shpjegon Gebëleini (Gaebelein):

Bijtë e shumtë që Ai merr me Vete në lavdi bëjnë të ditur drejtësinë e Tij, atë vepër të madhe të drejtësisë në kryqin e Kalvarit me anë të së cilës u shpëtuan të shpenguarit dhe tashmë janë të përlëvduar [65].

97: 6b Tërë popujt shohin lavdinë e tij.

Atëherë Mbreti në bukurinë e Tij

do të shihet pa vel.

Ishte një udhëtim që kaloi mirë

edhe pse u bë midis shtatë vdekjeve.

Qengji me ushtrinë e Tij të ndershme

do të qëndrojë në malin Sinai;

dhe lavdia, lavdia do të banojë

në tokën e Emanuelit.

Anne Ross Cousin

97:7 Çfarë do të mendojnë idhujtarët? Ata do të jenë plotësisht të hutuar kur të kuptojnë se kanë adhuruar gjëra boshe.

Rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë“. Te versioni Septuagint shkruhet: “Le ta adhurojnë Atë tërë engjëjt e Perëndisë” dhe po kështu citohet tek Hebrenjve 1:6. Fjala hebraike këtu (Elohim) zakonisht do të thotë Perëndi, por mund t’u referohet gjithashtu engjëjve, gjyqtarëve, sunduesve madje edhe perëndive apo hyjnive pagane.

97:8,9 Qyteti i Sionit ka dëgjuar lajmin e fitoreve të Mbretit kundër rebelëve dhe idhujtarëve dhe është gëzuar për to. Fshatrat e vegjël të Judës bashkohen në festim. “Lajm i gëzueshëm për Sionin, gëzim për rrethinat e Judës, kur gjykimet e tua, o Zot, do të bëhen të ditura” (Knox). Në fund Zoti shihet siç ka qenë gjithmonë – Shumë i Larti mbi tërë tokën dhe i përlëvduar mbi gjithë pushtetet – të vërteta apo të shpikura.

97:10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen. Që të dyja kanë lidhje morale – dashuria për Jehovahun dhe urrejtja për gjithçka që i kundërvihet Atij. Ata që e kalojnë këtë provë janë objekte të veçanta të kujdesit të Tij ruajtës.

97:11 Drita ka dalë si farë për të drejtin, pra, ardhja e Krishtit do të thotë përhapje e dritës për njeriun që bën atë që është e drejtë dhe gëzim i patregueshëm për tërë ata, zemrat e të cilëve janë të ndershme dhe të sinqerta.

97:12 Kështu thirrjet e lumtura u drejtohen tërë njerëzve të drejtë të Perëndisë për t’u bashkuar në gëzimin dhe lëvdimin në kujtim të shenjtërisë së Tij (shënimet anësore të NKJV). Ky është një fund i papritur i psalmit. Ne do të kishim pritur të thoshte: “lëvdimit në kujtim të dashurisë apo mëshirës, apo hirit, apo lavdisë së Tij”. Por jo, është shenjtëria e Tij. Njëherë e një kohë shenjtëria e Tij na përjashtoi nga prania e Tij. Por tani, me anë të shpengimit të kryer nga Zoti Jezus, shenjtëria e Tij është në anën tonë, në vend që të jetë kundër nesh, dhe ne mund të gëzohemi kur e kujtojmë atë.

Psalmi 98: Simfonia e re e krijimit

98:1,2 Ardhja e dytë e Krishtit nënkupton çlirimin përfundimtar të Izraelit nga shtypja e kombeve johebrenj. Ai emancipim [çlirim] i lavdishëm bën që të ngrihet ky himn i ri duke festuar fitoren e Mesias mbi armiqtë e Tij. “Mrekulli” është fjala për gjithçka që Zoti ka bërë me dorën e Tij të djathtë të fuqishme dhe me krahun e Tij të shenjtë.

Psalmi paraqet Mbretërinë sikur të kishte ardhur tashmë. Fitorja e Tij njihet që tani. Kombet kanë parë përmbushjen besnike të besëlidhjes së Tij me Izraelin.

Kur Jezusi erdhi për herë të parë, Maria këndoi: “Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke e kujtuar për mëshirën e tij, ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë…” (Lluk. 1:54,55). Dhe Zakaria profetizoi se Ai ka “për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë” (Lluk. 1:72).

98:3 Kur Ai të vijë për herë të dytë, Izraeli do të këndojë:

Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë sonë.

Ishte mirësia e Zotit që e shtyu Atë t’i bënte premtimet Izraelit dhe është besnikëria e Tij që i përmbush tani.

98:4-6 Në pamje të parë duket se tërë bota jojudease thirret për t’u gëzuar me Izraelin në vargjet 4-6. Por toka në vargun 4 mbase do të thotë “vendi” i Izraelit, ashtu siç e ka përkthyer Grenti (F.W. Grant) [66]. Izraelitët e shpëtuar nxiten të shpërthejnë në një këngë ngazëlluese. Levitët shtyhen të bashkohen me shoqërimin e harpës. Dhe në vargun 6 priftërinjtë plotësojnë harmoninë me boritë dhe me zërin e tyre të bririt.

98:7-9 Atëherë natyra dhe kombet do të jenë të mirëpritur për t’u bashkuar me simfoninë. Deti dhe qeniet e tij të pafundme paraqiten në mënyrë imagjinare duke bërtitur me gëzim të madh. Bota dhe banorët e saj janë gjithashtu tepër të ngazëllyer. Lumenjtë rrahin duart ndërsa vërshojnë drejt shkëmbinjve. Malet ngrenë duart lart si në një himn ekstaze. Tërë krijimi do të reagojë me veprime të vetvetishme kur Mbreti do të vijë për të sunduar (gjykuar) tokën – për t’i dhënë kësaj bote të mjerë, të sëmurë dhe që rënkon një mbretërim drejtësie dhe barazie. Cili nuk do të ishte i lumtur?

Psalmi 99: I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë

99:1 Shenjtëria e Mbretit është filli i trefishtë që e përshkon këtë psalm (v. 3,5,9). Psalmisti e shikon Mesian tashmë të vendosur në mbretërinë e Tij. Ai ulet i kurorëzuar “mbi kerubinët” (FWG), që mbase do të thotë se froni i Tij mbahet nga kerubinët simbolikë. Këta janë qenie engjëllore me trup njerëzor dhe kanë gjithashtu krahë. Atyre u caktohet që të ruajnë shenjtërinë e Perëndisë kundër mëkatit të njeriut. Pamja e Monarkut të kurorëzuar është aq prekëse saqë kombet mund të dridhen dhe toka të shkundet nga frika.

99:2,3 Zoti është i madh në fuqi dhe madhështi ndërsa Ai sundon nga froni i Tij në Sion. Ai është Sunduesi i përlëvduar mbi gjithë popujt në tokë. Ata duhet ta nderojnë emrin e Tij të madh dhe të tmerrshëm si mirënjohje për faktin se Ai është pagabueshmërisht i shenjtë.

99:4,5 Ky Mbret i fuqishëm është gjithashtu një dashës i drejtësisë, një ndërthurje e rrallë mes sunduesve të tokës dhe njerëzve të mëdhenj. “Madhështia dhe drejtësia janë bashkuar më në fund” (FWG). Në mbretërinë e Tij ryshfeti dhe korrupsioni janë të panjohura. E drejta gjykimi dhe drejtësia janë rregulli më tepër sesa përjashtimi. Ky popull duhet ta lëvdojë Atë duke rënë përmbys para stolit të këmbëve të Tij. Në pjesë të tjera të Shkrimit stoli i këmbëve të Perëndisë përkufizohet në mënyrë të larmishme si arka e besëlidhjes (1 i Kronikave 28:2), shenjtërorja (Psa. 132:7), Sioni (Vajt. 2:1), toka (Is. 66:1) ose madje si armiqtë e Perëndisë (Psa. 110:1). Referimi këtu mbase është për shenjtëroren në Sion.

99:6,7 Ky është i njëjti Mbret që e drejtoi besnikërisht popullin e Tij në të shkuarën. Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij dhe Samueli ndër ndërmjetësit e Tij më të mëdhenj (Teknikisht as Moisiu, as Samueli nuk kanë qenë priftërinj, por që të dy kryen funksione priftërore me anë të një detyre të posaçme hyjnore). Çështja është se kur ata iu drejtuan Zotit, Ai iu përgjigj atyre. Ai komunikoi me Moisiun dhe Aaronin në një kolonë reje, duke u dhënë atyre ligjin në malin Sinai. Ata iu bindën zërit të Tij, edhe pse jo në mënyrë të përsosur dhe respektuan ligjin, edhe pse vetëm pjesërisht.

99:8 Por Perëndia ua plotësoi lutjet dhe siguria për ne është se Ai do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë. Ai ishte Perëndia që fal, edhe pse ai nuk anashkaloi prapësitë e tyre. Edhe pse ndëshkimi u fal, pasojat mbetën në këtë jetë. Hiri i Perëndisë, për shembull, fali Moisiun për mëkatin e tij në ujërat e Meribës, por udhëheqja e Perëndisë e mbajti atë lart Tokës së Premtuar.

Nuk është pa vend që këta tre heronj përfaqësojnë pjesën besimtare të kombit të Izraelit dhe ajo që ishte e vërtetë për ta ishte e vërtetë për tërë njerëzit besnikë të besëlidhjes së Perëndisë. Ata besuan në Emrin e Zotit dhe u shpëtuan dhe cilido do ta bëjë një gjë të tillë tani do të shpëtohet në të njëjtën mënyrë.

99:9 Referimi i trefishtë ndaj shenjtërisë së Perëndisë na kujton Isaian 6:3 dhe Zbulesën 4:8. Gjithashtu na sjell ndër mend rreshtat madhështorë të Heberit:

I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë, Zot i Gjithëpushtetshëm!

Herët në mëngjes këngën sjellim te Ti.

I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë, mëshir’plot, i madh je,

Perëndia në tri persona, i bekuar Trinitet.

– Reginald Heber

Psalmi 100: I njëqindti i vjetër

I njohur me dashuri si “I njëqindti i vjetër” nga melodia e tij që u gjet në librin e këngëve “Geneva Psalter (1551)”, ky psalm është një thirrje drejtuar tërë tokës për të adhuruar Jehovahun. Thirrja e tij shkon përtej kufijve të ngushtë të Izraelit: deri te gjithë johebrenjtë e tokës. Barnsi (Barnes) shkruan:

Ideja është se lavdërimi nuk i përket vetëm një kombi; nuk ishte caktuar vetëm për një popull të thjeshtë; nuk duhej të kufizohej vetëm me popullin e hebrenjve; por ishte një terren i duhur lavdërimi për të gjithë, ishte pika e bashkimit e të gjitha kombeve, e të gjitha gjuhëve dhe kushteve. Terreni i kësaj është fakti se ata kanë të gjithë të njëjtin Krijues (v. 3) [67].

Ne mësojmë nga këto pesë vargje të shkurtër se adhurimi është i thjeshtë. Fjalët më të gjata janë falënderim, i përjetshëm dhe brezat. Gjuha nuk është as e ndërlikuar, as e zbukuruar me shprehje. Ne mësojmë gjithashtu se recitimi i thjeshtë i fakteve rreth Perëndisë është adhurim. Vetë fjalët janë të ngarkuara me mrekulli. Faktet e plota janë më fort të mrekullueshme sesa trillimi.

Ka një model të caktuar në këtë psalm, si vijon:

Thirrje për adhurim (v. 1,2).

Pse duhet të adhurohet Perëndia (v. 3).

Thirrje për adhurim (v. 4).

Pse duhet të adhurohet Perëndia (v. 5).

Këtu na jepen shtatë elemente adhurimi:

Klithma gëzimi (v. 1).

I shërbeni Zotit me gaz (v. 2a).

Ejani para tij me këngë gëzimi (2b).

Hyni në portat e tij me falënderim (v. 4a).

Hyni në oborret e tij me lavde (v. 4b).

Kremtojeni (v. 4c).

Bekoni emrin e tij (v. 4d).

Ne duhet ta lavdërojmë Atë për atë që Ai është. Ai është:

Zoti ynë (v. 1).

Perëndia ynë (v. 3a).

Krijuesi ynë (v. 3b).

Pronari ynë (v. 3c).

Bariu ynë (v. 3d).

Ne duhet ta lavdërojmë Atë për shkak të atributeve të Tij:

Ai është i mirë (v. 5a).

Mirësia e tij është e përjetshme (v. 5b).

Besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat (v. 5c).

Në tri vargjet e para Perëndia adhurohet si Krijues. Por në dy vargjet e fundit nuk është e vështirë të lexojmë Kalvarin në tekst, sepse në asnjë vend tjetër nuk shohim kaq qartë mirësinë, mëshirën dhe besnikërinë e Tij.

Tërë botët fuqia e Tij e lavdishme rrëfen,

dituria e Tij tërë veprat e Tij shpreh;

Por, oh dashurinë e Tij! – Çfarë gjuhe mund ta tregojë?

Jezusi ynë i ka bërë të gjitha gjërat mirë!

Samuel Medley

Ka një lidhje të mrekullueshme mendimesh në vargun 3, që ne nuk duhet ta lëmë të na shpëtojë. Këtu ne mësojmë se Zoti është Perëndia; kjo do të thotë se Ai është së tepërmi i lartë. Por gjithashtu lexojmë se ne jemi të tijtë; dhe kjo na tregon se Ai është tepër pranë. Për shkak se Ai është shumë afër nesh psalmi shpreh gëzim dhe këngë në vend të tmerrit dhe frikës.

Psalmi është një këngë e gëzueshme për Perëndinë e lumtur dhe mesazhi i tij është ruajtur në himnologjinë tonë në parafrazimin e mirënjohur:

Tërë njerëzit që banojnë në tokë,

t’i këndojnë Zotit me zë të gëzueshëm;

t’i shërbejnë Atij me gaz, lavdet e Tij të tregojnë!

Ejani para Tij dhe gëzohuni!

Mëso që Zoti është me të vërtetë Perëndia;

pa ndihmën tonë Ai na krijoi;

ne jemi vatha e Tij, Ai na ushqen,

dhe si delet e Tij Ai na merr.

Oh, hyni atëherë në portat e Tij me lavdërim!

Afrohuni me gëzim në oborret e Tij!

Lavdëroni, bërtisni dhe bekoni gjithmonë emrin e Tij,

sepse kështu duhet bërë.

Por pse? Zoti, Perëndia ynë është i mirë,

mëshira e Tij është përgjithmonë e sigurt.

E vërteta e Tij qëndron e palëvizur në çdo kohë

dhe do të zgjasë nga brezi në brez.

Psalmist skocez

Psalmi 101: Qëllimet mbretërore

Dëshirat e mëdha të Davidit për jetën e tij private dhe publike ishin përtej arritjeve të tij. Por qëllimet që kishte vendosur për shtëpinë dhe mbretërinë e tij do të realizohen plotësisht me anë të Zotit Jezus kur Ai të vijë për t’u ulur në fronin e Davidit. Ky psalm është shfaqja e Davidit ndërsa mori mbretërinë e tij; në të ai sheh lart.

101:1 Ai fillon duke ngritur në qiell mirësinë dhe drejtësinë, ashtu siç gjenden të dyja te Zoti dhe ashtu siç do të dëshironte ai të riprodhoheshin në të. Mbase ai po mendon së pari për anën hyjnore – për mirësinë e Perëndisë ndaj Izraelit dhe gjykimin e Tij të drejtë ndaj armiqve të Tij – ngaqë ai menjëherë shton: “Do të këndoj lavdet e tua, o Zot“.

101:2 Pastaj ai kthehet te disa nga cilësitë që dëshiron për jetën e tij vetjake. Ai vendos të bëjë një jetë që është e panjollë, pra, ta çojë veten aq afër mësimeve të Zotit, saqë nuk do të ketë arsye të përligjshme qortimi. Dëshirat e Tij janë aq të zjarrta dhe të sinqerta saqë bën thirrje të zgjatura: “Kur do të vish tek unë?“. Kjo është interpretuar në shumë mënyra, si më poshtë:

ai dëshiron me zjarr Perëndinë që të vijë dhe ta gjejë atë duke jetuar sipas kësaj rruge të drejtë;

ai mezi pret përmbushjen e besëlidhjes që Perëndia ka bërë me të (2 Samuelit 7), vendosjen përfundimtare të mbretërisë së Perëndisë në tokë;

ai “ndien se vendosmëria e tij kërkon praninë e Vetë Perëndisë për t’i plotësuar” [68].

Ai është i vendosur të ecë me ndershmëri zemre brenda shtëpisë së tij. Në jetën e tij shtëpiake ai do të veprojë me drejtësi dhe me sinqeritet. Pa mashtrime dhe pa dyfytyrësi për të!

101:3,4 Kur ai thotë nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe, kjo nënkupton se ai nuk do të miratojë çdo njeri, plan apo veprimtari të ulët.

Për sa i përket sjelljes së femohuesve [besimmohuesve], ai e urren atë dhe është i vendosur të qëndrojë larg ndotjes së tyre. Ata që dënojnë të vërtetën dhe drejtësinë nuk do të ketë miqësi me të.

Një karakteristikë tjetër nga e cila ai dëshiron të qëndrojë larg është zemra e çoroditur – e cila priret drejt së rremes dhe prishjes. Ai nuk do ta fusë veten në ligësi dhe ai nuk do që të ketë një njeri të tillë midis këshilltarëve të tij. Zgjedhja e vlefshme “nuk dua t’ia di për të keqen” mund t’i referohet gjithashtu vetë jetës së tij apo njerëzve të oborrit të tij. Prandaj versioni KJV e përkthen: “nuk dua t’ia di për të keqin”. Fjala “di” këtu nënkupton të pranosh me favor apo të nxisësh.

101:5 Çdokush që shpif tinëz kundër të afërmit do të shfaroset. Rrallë kjo nënkupton se ai do të vdesë, ashtu si në versionin RSV, por do të përjashtohet nga një pozicion në administratën e mbretit, apo do t’i mbyllet goja (shënimet anësore të versionit NASB).

E njëjta gjë vlen edhe për njeriun snob dhe zemërkrenar. Ai nuk do të ketë një post në pallatin mbretëror.

101:6 Kualifikimi i madh për shërbimin në mbretëri do të jetë drejtësia morale dhe frymërore. Besnikët e vendit do të jenë ndihmësit e mbretit dhe ata, jetët e të cilëve janë të pastra, do të jenë shërbëtorët e tij.

101:7,8 Për sa u përket të pandershmëve, mashtruesve dhe gënjeshtarëve ata nuk do të gjenden si rrogëtarë të mbretit. Ai nuk do që të ketë të bëjë me sharlatanët dhe ngatërrestarët.

Së fundi, mbreti është i vendosur të shohë se tërë format e paudhësisë trajtohen menjëherë dhe me ashpërsi. Përsëri fjala “çrrënjos” mund të nënkuptojë ndëshkim apo dëbim nga Jerusalemi, qyteti i Zotit. “Paudhësia e çdo lloji duhet të çrrënjoset nga toka dhe çdo njeri i kotë duhet të shkulet nga qyteti i Jehovahut” [69].

Psalmi 102: Trinia në Kalvar

Çelësi për të kuptuar këtë psalm mbështetet në zbulimin e ndryshimit te ligjëruesit.

Zoti Jezus, i varur në kryq, po i flet Perëndisë (v. 1-11).

Ati i përgjigjet Birit të Tij të dashur; ne e dimë këtë nga vargu 12 krahasuar me Hebrenjve 1:8 (v. 12-15).

Folësi është i panjohur, por jemi të sigurt që të pranojmë se është Fryma e Shenjtë duke përshkruar ripërtëritjen e ardhshme të Izraelit nën Mesian (v. 16-21).

Shpëtimtari dëgjohet edhe një herë ndërsa vuan në duart e Perëndisë për mëkatet tona (v. 23,24a).

Përsëri duke e krahasuar këtë pjesë me Hebrenjve 1:10-12, mësojmë se Ati po i flet Birit të Tij (v. 24b-28).

Këtu si në asnjë vend tjetër në Bibël mund të dëgjojmë një bashkëbisedim që ka ndodhur midis të tre Personave të Trinisë kur Zoti Jezus po bënte shlyerjen e mëkateve të botës.

102:1,2 Ndërsa lexojmë lutjen e të pikëlluarit në vargjet 1 e 2, ne gjithmonë habitemi se si Biri i përjetshëm i Perëndisë do ta përulte Veten aq poshtë sa të bëhej i bindur deri në vdekje, madje deri në vdekjen e kryqit.

Jezus, Ndihmuesi, Shëruesi, Miku;

Pse, më thuaj pse ishte Ai atje?

Ne e dëgjojmë Atë duke iu lutur Zotit që të dëgjojë lutjen e Tij për të qenë afër Tij në vuajtje dhe për t’iu përgjigjur Atij me nxitim.

102:3-7 Pastaj Ai përshkruan disa nga vuajtjet të cilat është thirrur t’i durojë si Njeriu i Brengave. Ai ishte i vetëdijshëm se jeta po dobësohej; ditët e Tij po veniteshin si tymi. Trupi i Tij po digjej nga ethet. Ishte njësoj sikur organet e Tij jetësore po treteshin dhe digjeshin, aq shumë saqë nuk kishte oreks fare. Tortura e Tij kishte qenë aq e zgjatur saqë tashmë ishte bërë kockë e lëkurë. I ngjashëm me një zog në shkretëtirë apo me një buf të vendeve të shkretuara, Ai ishte një figurë e vetmisë dhe melankolisë. Pa dyshim që ai nuk mund të vinte gjumë në sy. I braktisur nga Perëndia dhe nga njeriu, Ai ishte vetëm, si harabeli majë çatisë.

102:8-11 Armiqtë e Tij ishin të palodhur në sulmet e tyre. Ata e përdornin emrin e Tij si mallkim (madje edhe sot emri hebraik Jezus, Yeshua, është shkurtuar nga armiqtë e Tij në Yeshu, një fjalë mallkuese që do të thotë “U zhduktë emri i Tij nga faqja e dheut”). Hiri i brengës ishte buka e Tij dhe ajo që pinte përzihej me lotët e trishtimit.

Në të gjitha këto Ai kuptoi se po vuante për shkak të indinjatës dhe zemërimit të Perëndisë. Jo se Perëndia ishte i zemëruar me Të personalisht, por ishte i zemëruar me mëkatet tona që po mbante Qengji i Perëndisë në trupin e Tij në drurin e kryqit. I braktisur nga Perëndia, Ai u ndje sikur të ishte ngritur dhe të ishte hedhur larg. Ditët e Tij po kalonin si hijet e mbrëmjes dhe jeta e Tij po thahej si bari.

102:12-15 Tani Perëndia i përgjigjet Zotit Jezus me fjalë sigurie dhe nxitjeje. Duke iu drejtuar Birit si Zot, Ai i kujton Atij se Ai mbetet përjetë dhe se kujtimi i Tij zgjat brez pas brezi. Edhe pse Ai do të vdiste, kjo është e vërtetë, Ai do të ngrihej megjithatë nga varri dhe do të ngjitej në qiell. Pastaj Ai do të kthehej në tokë si Luani i fisit të Judës dhe do të tregojë mëshirë për Sionin. Kjo do të jetë koha kur kombeve, tashmë të lëna mënjanë, do t’u tregohet dhembshuri përsëri. Ndërsa presin për ripërtëritjen e Tij, njerëzit e Izraelit ruajnë fort gurët e Sionit dhe u vjen keq për pluhurin e tij. Kjo shihet, për shembull, në respektin e lartë që ata kanë për Murin Perëndimor, i quajtur më parë Muri i Vajtimit dhe afrimin [ngjitjen] e tyre të madh plot ndjenjë që kanë për qytetin e vjetër të Jerusalemit. Kur Sioni do të mirëpresë përsëri Mbretin e tij, kombet jojudease do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë sunduesit e tokës do ta nderojnë Atë.

102:16-22 Në vargjet 16-22 përemrat vetorë të vetës së parë dhe të dytë nuk përdoren; përdoret vetëm veta e tretë. Dhe kështu, ashtu siç kemi sugjeruar, mund të jetë zëri i Frymës së Shenjtë që përshkruan ripërtëritjen e ardhshme të Izraelit nën mbretërinë e Krishtit. Mesia do të kthehet fuqi dhe lavdi të madhe dhe do të rindërtojë Sionin. Lutjet e njerëzve të Tij të shpërndarë do të marrin përgjigje në atë ditë. Atëherë do të shihet se përgjërimet e tyre nuk kanë qenë të kota. Brezat e ardhshëm do të jenë të aftë të lexojnë sagën e mrekullueshme se si Zoti ka parë poshtë nga qielli, se si ka dëgjuar britmat e popullit të Tij të përndjekur dhe të shpërndarë dhe se si i ka kthyer përsëri ata në tokën e Izraelit. Kur kombet do të mblidhen në Jerusalem për të adhuruar Zotin, ata do të rrëfejnë me hollësi mënyrën se si Ai i ka çliruar robërit dhe të dënuarit dhe ata do të shpallin lavdinë e Zotit për marrëveshjet e Tij të hirshme me Izraelin.

102:23-28 Tani psalmi kthehet përsëri te Zoti ndërsa Ai nxjerr frymën në kryq. Ai në atë kohë ishte një djalosh – ishte në të tridhjetat. Por tashmë fuqia e Tij u thye në lulen e moshës. Jeta e Tij po mbaronte para kohe. Dhe prandaj Ai lutet: “O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia“.

Përgjigjja vjen menjëherë nga Perëndia (v. 24b): “O Zot, Ti jeton përjetë” (TEV). Ne e dimë se është Perëndia që po flet këtu, sepse fjalët që vijojnë i shkojnë përshtat Perëndisë Atë tek Hebrenjve 1:10-12. Vini re se çfarë dëshmon Perëndia rreth Birit të Tij:

Ai ishte Agjenti Veprues në krijim: Ai ka vendosur tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të Tij.

Gjërat e krijuara do të zhduken, por Ai do të mbetet. Gjërat e krijuara do të zhduken dhe, si një rrobe, do të shkëmbehen me diçka më të mirë. Por Krishti është i pandryshueshëm dhe i përjetshëm.

Dhe jo vetëm që përjetësia e Tij është i sigurt, por gjithashtu ajo e popullit të Tij dhe begatia e tyre. Bijtë e shërbëtorëve të Tij do të banojnë në siguri dhe pasardhësit e tyre do të jetojnë nën mbrojtjen e Tij.

Psalmi 103: Thirrje për falënderim

103:1 Një ndër arsyet pse i duam aq shumë psalmet është se ato shprehin me fjalë në mënyrë të shkëlqyer atë që ne ndiejmë zakonisht, por që nuk gjejmë fjalë për ta shprehur. Në asnjë vend tjetër të Biblës nuk vërtetohet më tepër kjo sesa në Psalmin 103. Në ritmin e tij madhështor të falënderimit ne lexojmë ndjenja që pasqyrojnë emocionet tona më të thella të mirënjohjes. Këtu ne i bëjmë thirrje shpirtit tonë të bekojë Zotin – dhe me shpirt ne kuptojmë jo vetëm pjesën jomateriale të natyrës sonë, por tërë personin tonë. Frymë, shpirt dhe trup janë ngjitur për të bekuar emrin e shenjtë të Jehovahut.

103:2 Thirrja për të adhuruar shfaqet për herë të dytë, duke shtuar një kujtesë domethënëse se ne duhet të mos harrojmë asnjë nga të mirat që ka bërë. Kjo është një kujtesë e nevojshme, sepse shumë shpesh ne harrojmë. Ne harrojmë të falënderojmë për trupin e shëndetshëm, për mendjen, shikimin, dëgjimin, të folurit, oreksin e shëndoshë dhe një mori gjërash të tjera plot hir. Shumë herë i marrim ato sikur të vinin vetvetiu.

103:3 Por mbi të gjitha, ne duhet t’i jemi Atij mirënjohës sepse ka falur të gjitha paudhësitë tona. Kjo është një mrekulli e hirit hyjnor që nuk gjen fjalë për t’u shprehur, që mëkatet kuq si gjaku të bëhen më të bardha se bora. Unë bashkohem me mendimin e atij njeriu që zgjodhi një fjalë për gurin e tij të varrit – I FALUR. Dhe gjithashtu me irlandezin që tha: “Zoti Jezus ka falur tërë mëkatet e mia dhe nuk do të pushoj së falënderuari”. Të dish se mëkatet tona janë zhdukur përgjithmonë me anë të gjakut të çmuar të Krishtit, është një gjë tepër e lartë. Përfitimi i dytë që duhet kujtuar është shërimi i të gjitha sëmundjeve tona. Para se të shtjellojmë problemin që ngre kjo fjali, le të vëmë re se shërimi vjen pas faljes. Ana fizike lidhet shumë me anën frymërore. Ndërsa jo çdo sëmundje është e lidhur drejtpërdrejt me mëkatin, disa prej tyre po. Atje ku ekziston lidhja, aty falja duhet të vijë para shërimit.

Por problemi i dukshëm qëndron ende. Vargu thotë: “…dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua“. Nga përvoja praktike dimë se jo çdo sëmundje gjen shërim, që ne të gjithë do të vdesim herët a vonë nëse Zoti nuk ka ardhur ende. Pra, çfarë nënkupton vargu? Duke kërkuar një përgjigje, duhet të bëjmë vëzhgimet e mëposhtme.

Së pari, çdo shërim i vërtetë vjen nga Perëndia. Nëse ke qenë sëmurë dhe pastaj e ke marrë veten, duhet të falënderosh Perëndinë për shërimin tënd, sepse Ai është burimi i tërë shërimeve. Një ndër emrat e Perëndisë në Dhiatën e Vjetër është Jehovah Rophi – Zoti Shëruesi yt. Çdo çast i shërimit të vërtetë vjen prej Tij.

Së dyti, Zoti është i aftë të shërojë çdo lloj sëmundjeje. Nuk ekzistojnë për Të sëmundje të pashërueshme, që Ai nuk mund t’i shërojë.

Së treti, Zoti mund të shërojë me anë të përdorimit të mjeteve natyrale për një periudhë kohe, ose Ai mund të shërojë në mënyrë të mrekullueshme dhe menjëherë. Në fuqinë e Tij për të shëruar nuk mund të vihet asnjë cak.

Së katërti, kur Ai ishte në tokë, Zoti i shëroi të gjithë ata që ia çuan para (Mt. 8:16).

Së pesti, gjatë Mijëvjeçarit Ai do të shërojë çdo sëmundje (Is. 33:24; Jer. 30:17) përveç atyre që do të rebelohen kundër Tij (Is. 65:20b).

Por çfarëdolloj gjëje tjetër të nënkuptojë vargu, nuk mund të nënkuptojë se besimtari mund të marrë shërim për çdo sëmundje, sepse në vargje të tjera të psalmit na kujtohet për shkurtësinë e jetës dhe për sigurinë e ardhjes së saj në fund (shikoni v. 15,16). Ajo që vargu më thotë mua është se sa herë që shërohet një besimtar kjo është një mëshirë nga Perëndia dhe Ai duhet të falënderohet dhe të marrë mirënjohje si Shërues.

103:4 Ai jo vetëm shëron sëmundjet, por gjithashtu shpengon jetët tona nga gropa apo shkatërrimi. Sigurisht, kjo i referohet shpëtimit tonë nga ferri. Por mendoj se nënkuptimi këtu është më tepër se kaq, sepse Ai vazhdimisht na çliron nga rreziqet, aksidentet, tragjeditë dhe pastaj nga varri. Vetëm kur të shkojmë në qiell do të kuptojmë se sa shpesh jemi mbrojtur nga ndërhyrja vetjake e Perëndisë sonë prej vdekjes së parakohshme.

Përfitimi i katërt është se Ai na kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri. Është një kurorë e mrekullueshme për ata që ishin një herë e një kohë pa dashuri dhe fajtorë. Ne duhemi me dashuri të përjetshme dhe mbushemi përditë me dhembshurinë e Tij.

103:5 Përsëri Ai na ngop me të mira për sa kohë jetojmë. Hebraishtja këtu është pak e paqartë. Përkthimi i fjalëpërfjalshëm është: Ai “ngop stolinë tënde me të mira”. Prej kësaj është përkthyer “kulmin e moshës sate”, “vitet e tua” ose “për sa kohë të jetosh”. Por edhe nëse nuk pajtohemi në fjalët e sakta, e vërteta është se Zoti ngop zemrën që digjet për të dhe se Ai nuk u jep asnjë të mirë atyre që ecin në padrejtësi.

Rezultati i këtyre pesë përfitimeve – falja, shërimi, ruajtja, kurorëzimi dhe kënaqësia – është se na bëjnë të rinj si shqiponja. Sëmundja dhe dhuna mund të prekin trupin, por ato nuk mund të prekin shpirtin. “Por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë” (2 Kor. 4:16). Në tokë nuk ka asnjë burim rinie të përjetshme për sa i përket trupit, por fryma mund të shkojë nga një shkallë force në tjetrën.

Por ata që shpresojnë te Zoti

fitojnë forca të reja,

ngrihen me krahë si shqiponja,

vrapojnë pa u lodhur

dhe ecin pa u lodhur (Is. 40:31).

Për shqiponjën dihet se jeton gjatë dhe se ka një fuqi të madhe. Jeta e saj nuk ka një gjallëri të vazhdueshme dhe një rini të përtërirë; edhe ajo plaket dhe ngordh. Por ajo që psalmisti po thotë është se njeriu që mbështetet në Perëndinë gëzon ripërtëritje të vazhdueshme dhe ai kalon nga fuqia në fuqi, ashtu si shqiponja fluturon lart nga lartësia në lartësi.

103:6 Mëshira dhe mirësia e Zotit tregohen në marrëveshjet e Tij me hebrenjtë, sidomos në daljen e tyre nga Egjipti. Kjo ishte tipike për mënyrën se si Ai mori hak dhe veproi me drejtësi dhe mbrojti çështjen e të shtypurve.

103:7,8 Në udhëtimin nga Egjipti për në Tokën e Premtuar, Perëndia i zbuloi Moisiut rrugët e tij dhe popullit të Izraelit veprat e tij. Ai i bëri të njohura Moisiut këshillat e Tij të brendshme dhe i tregoi planet dhe qëllimet e Tij. Populli i Izraelit pa zbatimin praktik të këtyre planeve. Ndryshimi midis rrugëve të Tij dhe veprave të Tij është se rrugët e Tij mësohen me anë të zbulimit, ndërsa veprat e Tij janë çështje vëzhgimi.

Në tërë marrëveshjet e Tij me popullin e Tij Zoti kishte treguar se Ai ishte i mëshirshëm dhe zemërbutë. Ai i drejton, mbron dhe përkujdeset në çdo hap të rrugës. Populli i Tij është kokëfortë, qaraman, rebel dhe i pabindur, megjithatë Ai shfaqet me një marrëveshje të madhe para se të shpërthejë zemërimi i Tij. Mëshira e Tij është e qëndrueshme pavarësisht nga mosmirënjohja që merr.

Sa i padenjë që jam, o Zot i dashur, para Teje,

megjithatë Ti gjithmonë derdh dashurinë Tënde të mrekullueshme mbi mua.

Edhe pse shpesh endem sa andej-këndej dhe dështoj të bëj vullnetin Tënd,

dashuria Jote e hirshme në mënyrë të vazhdueshme më mban afër Teje.

Autor anonim

103:9,10 Vjen koha kur Zoti duhet të ndëshkojë bijtë e Tij, por edhe atëherë disiplina e Tij nuk zgjat pafundësisht. Gjykimi është vepra e Tij e çuditshme. Mëshira e Tij ngazëllen kundër gjykimit. Nëse ne marrim atë që meritojmë të marrim, do të ishim në ferr përgjithmonë. Por mëshira e Perëndisë tregohet në atë që Ai nuk na jep atë që meritojmë. Dënimi i mëkateve tona u pagua nga një tjetër në kryqin e Kalvarit. Kur ne i besojmë Shpëtimtarit, Perëndia mund të na falë me të drejtë. Dhe nuk mund të ketë rrezik të dyfishtë; Krishti ka paguar borxhin një herë e përgjithmonë dhe kështu ne nuk do të na kërkohet ta paguajmë përsëri.

103:11,12 Dashuria e Perëndisë që siguron këtë plan të mrekullueshëm shpëtimi është e pamasë. Ajo e tejkalon imagjinatën njerëzore. Nëse do të mund të matnim largësinë e qiejve nga toka, do të arrinim të kuptonim disi madhësinë e dashurisë së Tij. Por nuk mundemi. Ne as nuk mund ta përcaktojmë madhësinë e gjithësisë ku jetojmë. Dhe të flasësh për largësi të pafundme, do të thotë të flasësh saktësisht se sa larg Ai i ka larguar nga ne fajet tona. Ashtu si “lindja është lindje, perëndimi perëndim dhe kurrë këto të dy pika nuk do të takohen bashkë”, po kështu edhe besimtari dhe mëkatet e tij nuk do të takohen kurrë. Ato mëkate janë hequr nga sytë e Perëndisë përgjithmonë me anë të mrekullisë së dashurisë.

103:13,14 Dikush ka thënë se “dobësia e njeriut është aq e madhe sa dhembshuria e Perëndisë”. Ashtu si një baba njerëzor arrin të kuptojë më së miri djalin e tij të vogël ndërsa ndeshet me ndonjë barrë njerëzore, kështu Zoti na drejtohet me mëshirë në dobësinë tonë. Ai e di se çfarë jemi – që ne jemi të formuar nga pluhuri – që jemi të brishtë dhe pa ndihmë. Shumë shpesh e harrojmë atë që Perëndia e kujton– që ne jemi pluhur. Kjo çon në krenari, vetëbesim, pavarësi dhe shkatërrim.

103:15,16 Njeriu jo vetëm që është pluhur, por ai shumë shpejt kthehet në pluhur. Thënia e hershme: “Ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh” gjen përmbushjen e saj të plotë. Njeriu lindet për një ditë të shkurtër, pastaj kalon si lulja e fushës dhe vendet e vjetra që ka vizituar nuk do ta shohin më kurrë.

103:17,18 Me mirësinë Perëndisë ka një dallim të dukshëm. Ajo zgjat nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij. Zgjatja, si vëllim, është pa kufi. Dhe drejtësia e tij shtrihet për bijtë e bijve. Kemi një ngushëllim të madh në këtë. Prindërit e krishterë zakonisht shqetësohen për rritjen e fëmijëve dhe nipërve të tyre në një botë me ligësi të shumta. Por ne mund t’ia besojmë të sigurt fëmijët tanë të vegjël Atij, dashuria e të cilit është e pafund dhe drejtësia e të cilit është e mjaftueshme jo vetëm për ne, por gjithashtu dhe për brezat e ardhshëm. Sigurisht, premtimet me domosdoshmëri kanë të bashkëngjitur një kusht. Ato janë të vlefshme për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë. Por kjo është vetëm e arsyeshme.

103:19-22 Zoti është Mbret. Froni i tij është qiejt. Dhe pushteti i Tij është universal. Si i tillë Ai duhet të jetë objekti i lavdërimit nga gjithsecili dhe nga çdo gjë; kështu Davidi fillon që nga fillimet e gjithësisë për ta drejtuar korin e mbledhur të krijimit në një diapazon madhështor adhurimi. Së pari, ai përmend engjëjt, madhështorë dhe të bindur, për të filluar himnin e shpalosur. Pastaj ai u drejtohet tërë qenieve të krijuara që i shërbejnë Zotit që të afrohen me harmonitë e tyre të lavdërimit. Më pas ai u bën shenjë gjithë veprave të Perëndisë për t’u bashkuar me kreshendon (crescendo) e lavdishme. Dhe ndërsa kjo haleluja e madhe e korit po kumbon në tërë sundimin e Perëndisë, vetë drejtuesi i korit shton zërin e Tij për të bekuar Zotin. Dikush e ka imagjinuar Davidin se ka thënë kështu:

“Në mes të lavdërimeve të krijimit, le të këndojë zëri im lavdërimin e Tij”.

Psalmi 104: Krijuesi dhe mbajtësi

Mendoni se çfarë duhet për të qeverisur qytete si Nju Jorku, Londra apo Tokioja që kanë miliona banorë. Organizata komplekse administrojnë departamentin e ujit, të strehimit, nevojën për ushqim dhe tërë shërbimet e tjera thelbësore.

Por pastaj mendoni se sa më tepër e ndërlikuar është detyra e Perëndisë për të drejtuar botën në të cilën jetojmë. Ekziston problemi i furnizimit me ujë për tërë krijesat e Tij. Ekziston detyra e madhe logjistike për të siguruar ushqim për njerëzit, bishat, zogjtë dhe peshqit. Ekziston çështja e strehimit dhe vendbanimit. Kjo na bën të mendojmë së tepërmi për Perëndinë si Krijues dhe Mbajtës i kësaj bote të gjerë natyrore.

104:1-3 Pasi i ka bërë thirrje çdo pjese të qenies së tij për të ngritur lart Zotin, psalmisti anonim jep një ndër këto përshkrime të mëdha të Perëndisë që duhet të ketë frymëzuar Mikelanxhelon. Kjo duhet të kuptohet si gjuhë figurative, sepse si mund ta përshkruani ndryshe Perëndinë e padukshëm, apo të rrokni madhështinë e Tij të pafund me fjalë të kufizuara?

Ndërsa ai rri e vështron dhe çuditet, psalmisti shpall: “O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh“. Pastaj paraqet hollësitë e teofanisë (shfaqja e Perëndisë). Perëndia është veshur me stoli të një shkëlqimi dhe madhështie të pashprehur. Ai e ka mbuluar Veten me dritë si të ishte një mantel, një simbol i pastërtisë dhe drejtësisë së Tij absolute. Ai i shpalos qiejt yjorë dhe atmosferikë mbi tokë si një çadër – një vepër që të trullos mendjen për nga madhështia. Mbulesa ujore sipër tokës formon themelin ku mbështeten kolonat e qiejve. Duke lëvizur nëpër qiell, retë janë si qerret e Jehovahut, vendosur më parë mbi krahët erës.

104:4 I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij. Hebraishtja përdor të njëjtën fjalë si për erën ashtu edhe për frymën, dhe fjala tjetër nënkupton si engjëll ashtu edhe lajmëtar. Duket që “erën” dhe “lajmëtar” shkojnë shumë mirë me kontekstin, por citimi i këtij vargu në kontekstin e Hebrenjve 1:7 kërkon përkthimin tjetër, “Engjëjt e vet ai i bën erëra, dhe shërbenjësit e tij flakë zjarri”. (Gjuha greke ka të njëjtën vendosje të fjalëve duke shprehur domethënie të dyfishtë, kështu që shfaqet në të dyja Dhiatat).

104:5-9 Bëhet e qartë ndërsa lexojmë më poshtë psalmin se ne po rijetojmë ditët e krijimit te Zanafilla 1, megjithëse disa prej ditëve nuk u referohet aq qartë sa të tjerave. Psalmisti mrekullohet me mbarështimin përkujdesës [sigurues] të Perëndisë për krijesat e Tij dhe sidomos për njeriun.

Së pari, ai kujton se si Perëndia ka formuar tokën mbi themele të padukshme në mënyrë që të siguronte një sipërfaqe të qëndrueshme, të palëkundshme për banim. Që në fillim, e tërë toka ishte e mbuluar nga ujërat aq thellë, saqë malet ishin të zhytura në të. Në ditën e tretë Perëndia tha: “Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera” (Zanafilla 1:9). Menjëherë ujërat pësuan një tërheqje të madhe. Malet dhe luginat u shfaqën në vendet që Perëndia kishte caktuar më parë për to. Detet dhe oqeanet u formuan me kufij të caktuar mirë, në mënyrë që ata të mos vërshonin në tokën e thatë.

104:10-13 Pastaj sistemi i mrekullueshëm ujor i Perëndisë filloi nga puna. Burimet filluan të nxirrnin ujë me tepri. Burimet gjetën rrugën e tyre duke zbritur drejt luginave dhe në ultësira, pastaj në det. Që prej atëherë kafshët e egra kanë shuar etjen e tyre në këto burime, lumenj dhe liqene. Dhe shpendët e qiellit kanë gjetur vendstrehim nëpër pemë që rriten pranë këtyre rrjedhave të ujit. Një pjesë tjetër e departamentit të ujit është shiu. Ashtu siç tregon Elihu, Perëndia “tërheq atje lart pikat e ujit në formë avulli, i cili dendësohet pastaj në shiun që retë e zbrazin dhe e lëshojnë mbi njeriun në sasi të madhe” (Jobi 36:27,28). Dhe ashtu si sistemi i madh ujor i lagies së maleve, toka ngopet me rezultatin e programit ujitës të Perëndisë.

104:14,15 Pastaj është departamenti i shërbimit. Ai bën që të rritet bari me bollëk dhe siguron një larmi ushqimi për bagëtinë dhe grurë për njeriun për ta korrur – për vete dhe tagji për gjënë e tij të gjallë. Me anë të një mrekullie të ngadaltë dhe të heshtur ushqimi del nga toka. Lëngu i rrushit kthehet në verë me anë të një procesi të mrekullueshëm kimik dhe njeriu gëzohet ndërsa e pi. Ullinjtë japin vajin e tyre të artë me një larmi të gjerë përdorimesh, si të shëndetshme ashtu edhe të shijshme. Dhe nga gruri vjen buka, baza e jetës, për t’i dhënë njeriut forcë për punët e tij.

104:16-18 Drurët e mëdhenj të pyllit nxjerrin tonelata ujë nga toka; cedrat e Libanit rriten natyrshëm pa i mbjellë njeriu. Këto sipas stinës sigurojnë mjete strehimi për zogjtë. Lejleku, për shembull, bën folenë e tij nëpër selvi. Malet e larta sigurojnë një shenjtërore ideale për dhitë e egra dhe shkëmbinjtë një strehë për lepujt.

104:19-23 Meqë jeta përparon në cikle dhe periudha, duhet të ketë një mënyrë për të matur kohën. Kështu Perëndia vendosi hënën për të matur muajt dhe diellin. Sikur të ishte i vetëdijshëm, ai di kur të perëndojë dhe shënon fillimin e një dite tjetër. Alternimi i rregullt i ditës dhe natës u vjen në ndihmë njerëzve dhe kafshëve. Nën petkun e territ kafshët e pyllit sillen rrotull për prenë e tyre. Kur vjen mëngjesi, ato tërhiqen në sigurinë e strofkave të tyre. Por njeriu del në atë kohë për të punuar dhe përdor orët e ditës për punë frytdhënëse.

104:24-26 Larmia e veprave të Perëndisë është marramendëse. “Cila dituri i ka planifikuar të gjitha?” (Knox). Toka është plot me krijesat e Tij dhe Ai kujdeset për secilën me vëmendje të veçantë deri në hollësinë më të vogël. Deti, i madh dhe i gjerë, është i mbushur me gjallesa të shumta, duke filluar nga gjallesat më të vogla deri te balenat.

Përmendja e anijeve në vargun 26 duket deri diku pa vend në një temë ku flitet për krijesat e gjalla. Disa mendojnë se nënkupton përbindëshat e detit (Zanafilla 1:21), por anijet është fjala e saktë. Leviathani (në të njëjtin varg) mund t’u referohet balenave apo disa kafshëve më të vogla të ngjashme me to, që gjejnë në det një mjedis ideal për lëvizjet e tyre sportive (Por shikoni komentimin dhe shënimet te Jobi 41).

104:27-30 Edhe pse nuk mund të jenë të vetëdijshëm, tërë gjallesat varen nga Perëndia për ushqimin e tyre. Ndërsa Ai e siguron atë, ata e mbledhin. Ai hap dorën e Tij dhe ata ngopen me të mira me bollëk. Në vargun 13 toka ngopet me rezultatet e veprës së Perëndisë duke dërguar shiun. Në vargun 16 pemët janë plot me lëng. Dhe tani të gjitha krijesat ngopen.

Një fakt, që s’mund të na shpëtojë, i ekonomisë së Perëndisë është se vdekja bën të harrohet një brez dhe një i ri del për t’i zënë vendin. Kur kafshët ngordhin, qoftë nga dhuna apo nga mosha, është njësoj sikur Perëndia të ketë fshehur fytyrën e Tij. Por në të njëjtën kohë që këto bien duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre, Perëndia dërgon frymën e Tij dhe ripopullon tokën, duke u dukur si një krijim i ri. Nga njëra anë ka një humbje të vazhdueshme, ndërsa nga ana tjetër një ripërtëritje të vazhdueshme të faqes së dheut.

104:31,32 Ashtu siç u hap psalmi me krijimin origjinar, kështu ai mbyllet me një lutje të zjarrtë për epokën e artë kur rrënimi i mëkatit do të shtypet dhe kur Zoti do të nderohet dhe do të përlëvdohet për madhështinë dhe mirësinë e Tij:

Ai (psalmisti) dëshiron me zjarr të shohë në vendin e tyre të gjitha gjërat, të ripërtërira; të gjejë veten dhe tërë krijesat e Perëndisë si pjesë e harmonisë së madhërishme, që një e shtunë e re e krijimit të nisë si një prehje e Perëndisë, në të cilën Ai mund të gëzohet me veprat e Tij dhe ato në Të dhe gjithësia të bëhet një tempull i mbushur me himnin e lavdërimit [70].

Për sa i përket Zotit, psalmisti lutet që lavdia e tij të rrojë përjetë, që Ai të gëzohet me veprat e tij – ky Perëndi i madh që në çast shkakton një tërmet, që shkakton gërryerje vullkanike.

104:33-35 Sa për veten e tij, shkrimtari i shenjtë është i vendosur të këndojë shkëlqimet e Perëndisë së Tij derisa të jetojë. Ai lutet që mendimi i tij të jetë i pëlqyer për Jehovahun, në të cilin ai gjen gëzim të vërtetë.

Për sa u përket mëkatarëve që ndotin krijimin e Perëndisë, ai gjen një përshtatshmëri morale në dëbimin e tyre nga toka. Perëndia tashmë ka shpallur se duhej të ndodhte kështu dhe kështu lutja e tij është në përputhje me vullnetin hyjnor.

Sa për veten tonë, ne mund të bashkohemi me të në shpërthimin e tij përfundimtar entuziast:

Shpirti im, bekoje Zotin! Haleluja!

Psalmi 105: Besëlidhja me Abrahamin

Në besëlidhjen e Tij me Abrahamin Perëndia i premtoi pasardhësve të tij tokën nga lumi i Egjiptit deri në lumin Eufrat (Zanafilla 15:18-21; Eks. 23:31; LiP. 1:7,8; Joz. 1:4). Ky ishte një premtim pa kushte, një besëlidhje prej hiri të vërtetë. Gjithçka varet në Perëndinë, asgjë në njeriun.

Ky psalm tregon me hollësi plot entuziazëm të madh të gjitha gjërat që Perëndia bëri që nga dhënia e besëlidhjes deri në kohën kur Ai i çoi bijtë e Izraelit në Tokën e Premtuar. I tërë theksi vihet në atë që bëri Perëndia. Asgjë nuk thuhet për mëkatet dhe kokëfortësitë e Izraelit, ashtu siç ndodh në pjesën më të madhe të psalmeve historike.

Aktualisht Izraeli nuk ka e zënë plotësisht tërë territorin që qe premtuar. Gjatë mbretërimit të Salomonit gati e zuri tërë territorin. Edhe pse ai mbretëroi në tërë mbretëritë nga Eufrati deri në kufijtë e Egjiptit, populli i Judës dhe Izraelit banonte në tokën nga Dani deri në Beersheba (1 i Mbreterve 4:21-25). Por kur Mesia i Tij do të kthehet në fuqi dhe lavdi, kufijtë e Izraelit do të shtrihen për të përfshirë tërë tokën që Perëndia i shpalli Abrahamit. Kur të vijë ajo ditë, Izraeli besues do të këndojë këtë këngë me një frymë dhe kuptim të ri.

Falënderimi dhe lavdërimi (105:1-6)

Shumë nga psalmet fillojnë me një notë të ulët, pastaj vazhdojnë me një kreshendo (crescendo) [rritje force] adhurimi. Por ky psalm fillon me një shpërthim të vërtetë lavdërimi që e përfshin lexuesin në thirrjen e tij të rrjedhshme. Vini re larminë e foljeve urdhërore që përdoren për të nxitur adhurimin:

Kremtoni Zotin,

Lutjuni për ndihmë emrit të Tij,

Bëni të njohura veprat e Tij midis popujve.

Këndojini Atij, këndojini lavde Atij,

Mendoni thellë tërë mrekullitë e Tij.

Mburruni me emrin e Tij të shenjtë;

Le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.

Kërkoni Zotin dhe forcën e Tij;

Kërkoni vazhdimisht fytyrën e Tij.

Mbani mend çuditë që Ai ka bërë,

Mrekullitë dhe gjykimet e gojës së Tij,

Ju, o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të Tij,

O bij të Jakobit, të zgjedhur të Tij.

Besëlidhja e Tij me Abrahamin (105:7-11)

105:7,8 Shkaku i menjëhershëm i ngazëllimit të psalmistit është besëlidhja bërë me Abrahamin (Zanafilla 12:7; 13:14-17; 15:7,18-21; 17:8; 22:17,18; Eks. 32:13). Ajo u bë nga Zoti, Perëndia ynë, veprat e drejta të të cilit shihen në tërë tokën. Ai kurrë nuk do ta harrojë premtimin e Tij, edhe sikur përmbushja e Tij të vonojë për një mijë breza. Çfarëdolloj gjëje të premtojë Ai është njësoj sikur të ketë ndodhur tashmë.

105:9-11 Besëlidhja u lidh në fillim me Abrahamin (Zanafilla 12:1-20), më vonë iu përsërit Isakut (Zanafilla 26:3,4) dhe më pas ia konfirmoi Jakobit (Zanafilla 28:13-15). Ishte fjala e Perëndisë, që nuk mund të gënjejë, që garantonte vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë së popullit të Tij tokësor.

Në historinë vijuese të Izraelit shohim se si Perëndia i hoqi pengesat dhe i pushtoi armiqtë për të çuar në vend fjalën e Tij.

Fëmijëria e kombit (105:12-15)

Kur ata shkuan së pari në Kanaan nga Mesopotamia, ishin një grusht emigrantësh të pambrojtur. Ato ditë të para shtyheshin nga një lëvizje e konsiderueshme, qoftë brenda vendit qoftë në vende të tjera (Zanafilla 12:1-13; 20:1-18; 28:1-29:35). Por Perëndia i mbrojti ata nga rreziku e shtypja dhe ndëshkoi njerëz si faraoni (Zanafilla 12:17-20) dhe Abimeleku (Zanafilla 20:1-18; 26:6-11), duke u thënë, në fakt, këtyre mbretërve paganë: “Mos guxoni të prekni të zgjedhurit e mi, ose mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi – këtyre patriarkëve të cilëve u kam dhënë zbulime të drejtpërdrejta”.

Ngritja në fuqi e Jozefit në Egjipt (105:16-22)

Me kalimin e kohës një zi buke e ashpër ra në vendin e Kanaanit. Nevoja për ushqim ishte e madhe; mbështetja kryesore për jetën nuk ekzistonte më. Ishte Perëndia që bëri të bjerë uria dhe që shkatërroi çdo burim ushqimesh, por vetëm në kuptimin se Ai lejoi që të ndodhnin këto gjëra. Perëndia nuk është kurrë burim i së keqes, por Ai e lejon atë herë pas here dhe pastaj e largon atë për lavdinë e Tij dhe për të mirën e popullit të Tij. Njeriu i Perëndisë për këtë krizë qe Jozefi. I urryer nga vëllezërit e tij ai u shit në Egjipt si skllav. Atje u padit me të padrejtë nga një grua joshëse dhe e futën në burg (Zanafilla 39:20). Në vargun 18, na jepen disa hollësi të patreguara më parë rreth burgosjes së tij: “I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri“. Gjatë dy vjetëve të qëndrimit të tij në burg fjala e Zotit vuri në provë aftësitë e tij të interpretimit të ëndrrave dhe të parathënies së të ardhmes. Së fundi, aftësia e tij tërhoqi vëmendjen e faraonit dhe ai jo vetëm dërgoi ta zgjidhnin, por e vuri atë të dytin në qeverisje. Ai kishte pushtet të lidhte princat egjiptianë, nëse ishte e nevojshme, dhe kishte diturinë për të mësuar njerëzit që ishin më të vjetër se ai.

Migrimi i Jakobit dhe familjes së tij (105:23-25)

Familja e Jozefit u shpërngul në Egjipt dhe me kalimin e viteve ata u bënë të shumtë, të begatshëm dhe të fortë ushtarakisht. Por në përkujdesjen e Perëndisë, egjiptianët u lejuan të bëheshin antisemitë në mënyrë të papërmbajtshme, të shtypnin dhe të mashtronin judenjtë.

Moisiu dhe plagët në Egjipt (105:26-31)

105:26,27 Këtë herë Perëndia nxori Moisiun dhe zëvendësin e tij, Aaronin, për të dalë para Faraonit dhe për të kërkuar çlirimin e popullit të Tij të skllavëruar. Kërkesat e tyre u shoqëruan me një seri plagësh të caktuara për të hedhur poshtë qëndresën e monarkut.

Këtu tregohen plagët, por jo në rendin e tyre kronologjik dhe me dy plagë të papërmendura – e pesta dhe e gjashta.

105:28 Perëndia dërgoi terrin mbi tërë vendin (plaga 9). Psalmisti shton komentin enigmatik: “Dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij“. Për shkak të vështirësisë së dukshme, përkthyesit e versionit RSV e kanë ndryshuar në këtë mënyrë: “ata u rebeluan kundër fjalës së Tij”, por ata nuk kishin asnjë provë nga dorëshkrimet që ta bënin këtë ndryshim. Barnsi (Barnes) shpjegon se Moisiu dhe Aaroni nuk kundërshtuan fjalët e Zotit, por bënë ashtu siç u kishte thënë Ai. Ose mund të nënkuptojë se errësira ishte aq e thellë, saqë egjiptianët kishin frikë t’I bënin ballë.

105:29-31 Perëndia i ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe shfarosi peshkun në to (plaga 1). Kjo ishte ndotja më e keqe që kishte ndodhur.

Pastaj përmendet plaga e bretkosave (plaga 2). Kishte bretkosa ngado – bretkosa në soba dhe në shtretër. Madje dhomat mbretërore nuk u përjashtuan nga këto krijesave që hidhen sa andej-këndej, që bëjnë koak-koak dhe janë jargëzore!

Një fjalë nga Zoti dhe toka u shkatërrua nga mori insektesh (plaga 4) dhe nga re mushkonjash apo harrje pickuese (plaga 3).

105:32-36 Në vend të shiut Ai dërgoi breshër dhe vetëtima shkatërruese (plaga 7). Ndërsa lëmshet e zjarrit binin në vendin e tyre, vreshtat, drurët e fikut dhe drurët e tjerë u shkatërruan. Kjo plagë solli dëme dhe vdekje gjithashtu edhe në njerëz (Eks. 9:25).

Pastaj erdhën karkalecat, si një ushtri pushtuese, duke ngrënë tërë bimësinë ndërsa përparonin, duke lënë tokën e shkretë nga pas (plaga 8).

Kur asnjë nga këto plagë nuk e çoi në vend qëllimin, Perëndia goditi edhe të gjithë të parëlindurit e egjiptianëve, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve (plaga 10). Ajo qe një ditë për t’u kujtuar – kur u mposht krenaria e çdo shtëpie egjiptiane.

Eksodi (105:37,38)

Judenjtë u larguan nga Egjipti me më shumë argjend dhe ar sesa kur kishin arritur atje; egjiptianët ishin të gëzuar t’u jepnin atyre çdo gjë që donin vetëm që t’i hiqnin qafe (Eks. 12:33-36). Dhe pavarësisht nga shkretimi që plagët shkaktuan te egjiptianët, izraelitët nuk u prekën nga to. Ata të gjithë ishin në gjendje të mirë për të udhëtuar. Askush nuk çaloi apo askush nuk mbeti pas.

Ishte një çlirim i madh për egjiptianët nga ikja e tyre; ata kishin pësuar një tmerr të vërtetë nga ta.

Udhëtimi në shkretëtirë (105:39-42)

Përkujdesja e Perëndisë për popullin e Tij në shkretëtirë ishte fantastike. Një re jo vetëm që u tregonte rrugën (Eks. 13:21), por shërbente edhe si një lloj ekrani tymi për t’u fshehur nga armiku (Eks. 14:19,20). Ajo u bë një kolonë zjarri natën për të siguruar ndriçim për udhëtimin. Kur ata donin ushqim, Ai u dha atyre më të mirën – shkurta me bollëk dhe mana, buka e mrekullueshme nga qielli. Ata kishin nevojë për ujë, Ai çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra. Pasi kishin përdorur çfarë deshën, teproi sa të bënin një lumë në shkretëtirë. Pse gjithë këto përkujdesje të kujdesshme nga Jehovahu? Sepse Ai nuk mund të harronte premtimin e shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të Tij.

Më në fund në Tokën e Premtuar (105:43-45)

Ishte një çlirim i madh, shoqëruar me gëzim dhe këngë të papërshkrueshme. Jehovahu i çoi ata në vendin e Kanaanit dhe shporri që andej kombet jojudease. Çdo gjë ishte përgatitur për ta; ata korrën frytin e mundit të popujve.

Dhe, sigurisht, qëllimi hyjnor ishte që ata t’i bindeshin Atij dhe të respektonin statutet e Tij. Zotërimi prej tyre i vendit varej nga bindja e tyre (Lev. 26:27-33; LiP. 28:63-68; 30:19,20).

Vargu i fundit i psalmit përbën pikën kulmore të dëshiruar. Kjo është ajo për të cilën Perëndia është përpjekur gjatë gjithë kohërave.

Dhe për ne është gjithashtu e vërtetë. Perëndia na quan popullin e Tij në mënyrë që ne të jetojmë sipas këtij vargu të fundit:

Me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të Tij. Haleluja!

Psalmi 106: Mësime për historinë

Kromuelli (Cromwell) ka pyetur: “Çfarë është historia veçse shfaqja e Perëndisë në çdo gjë?”. Psalmisti do të kishte miratuar menjëherë, sepse në historinë e popullit të tij ai ka parë Jehovahun të shfaqet si një Perëndi mirësie, durimi dhe dashurie të qëndrueshme.

Megjithëse ne nuk mund ta dimë emrin e psalmistit, ne e dimë se ai ka qenë një jude i perëndishëm, që ka shkruar ndërsa populli i tij ishte në robëri (v. 47). Psalmi, së pari, është një rrëfim i mëkatit të kombit (v. 6-46), por ai përmban gjithashtu elemente lavdërimi (v. 1-3,48) dhe lutjeje (v. 4,5,47).

Lavdërimi (106:1-3)

106:1 Në afrimin e tij drejt Perëndisë, ai fillon me adhurim; ai futet në portat hyjnore me falënderim dhe në oborret e shenjta me lavdërim. “Haleluja“, që në hebraisht do të thotë “Lavdi Zotit”, është nota e parë dhe e fundit e këngës.

Falënderimi i pareshtur duhet të ngrihet drejt Zotit, sepse Ai ka qenë aq i mirë ndaj çdonjërit prej nesh. Mirësia e tij vazhdon përjetë – ekzistenca jonë është provë e kësaj. Nëse do të merrnim atë që meritonim do të kishin humbur përgjithnjë.

106:2,3 Asnjë gjuhë njerëzore nuk do të mund të tregojë ndërhyrjet e mrekullueshme të Perëndisë në ndihmë të popullit të Tij. Vetë përjetësia nuk do të mjaftojë për ta lavdëruar Atë ashtu siç duhet për gjithçka që Ai është dhe gjithçka që ka bërë.

O Zot, kujtomë! (106:4,5)

Lavdërimi ndiqet nga lutja vetjake. Duke parë përpara drejt ripërtëritjes së Izraelit dhe mbretërimit të lavdishëm të Mesias Mbret, shkrimtari lutet që të mund të shijojë bekimet e asaj dite kur Perëndia do të tregojë favor ndaj shenjtorëve të Tij të shpenguar. Ai dëshiron me zjarr ta shohë Izraelin që të gëzojë begati të paprishur dhe të gëzojë pas natës së tij të brengës. Ai dëshiron të prehet në lavdinë e popullit të lashtë tokësor të Perëndisë. Lutja e tij është e ngjashme me atë të hajdutit që po vdiste në kryq: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde” (Lluk. 23:42).

Rebelimi i Detit të Kuq (106:6-12)

Psalmi tani kthehet në rrëfim, duke ndjekur të njëjtin rend si lutja e Zotit. Që të dy fillojnë me adhurim, kalojnë në kërkesë (“Na jep bukën tonë të përditshme”) dhe pastaj kërkojnë falje (“Na i fal fajet tona…”).

Kemi të bëjmë me pjekuri të vërtetë frymërore kur një njeri jo vetëm rrëfen mëkatet e tij, por edhe mëkatet e popullit të tij. Sa e vështirë është të thuash nga zemra:

Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

Ndërsa mendojmë për mëkatet e izraelitëve, nuk duhet t’i shohim me përçmim se si kanë arritur të bëjnë gjëra të tilla. Jo për gjë, por ne jemi më të këqij se ata! Le të na kujtojnë shkeljet e tyre veten tonë dhe të bëjnë që të gjunjëzohemi në pendim.

Mosmirënjohja e tyre – ata nuk i vlerësuan plotësisht mrekullitë që Perëndia kreu në Egjipt për të blerë lirinë e tyre.

Harresa e tyre – shumë shpejt kujtesa e mirësive të panumërta të Perëndisë u zhduk nga mendjet e tyre.

Rebelimi i tyre – kur ata mbërritën te Deti i Kuq, u qanë se Perëndia i kishte lënë të vdisnin në shkretëtirë dhe se do të kishte qenë më mirë për ta po të kishin qëndruar në Egjipt (Eks. 14:11,12).

Por mëkati i tyre nuk e shoi dashurinë e Zotit. Ai gjeti në rebelimin e tyre një mundësi për ta shfaqur Veten si Shërbëtori dhe Shpëtimtari i tyre. Duke i qëndruar besnik emrit të Tij, Ai i çliroi ata – dhe çfarë shfaqjeje madhështore fuqie është kjo! Me anë të fjalës qortuese të Tij, ujërat e Detit të Kuq u ndanë më dysh, duke lënë një rrugë të thatë që judenjtë të kalonin. Kur ata kaluan të sigurt në anën tjetër, të çliruar nga armiku që po i ndiqte, ujërat u kthyen në vendin e tyre, duke mbytur turmat e egjiptianëve. Kur ata panë përputhjen e mrekullueshme të ngjarjeve, sa të lehtë e kishin t’i besonin Atij dhe t’i këndonin lavdisë së Tij?

Ankimet në shkretëtirë (106:13-15)

Por nuk kaloi shumë dhe filloi një cikël tjetër mëkati.

Kujtesa e tyre e shkurtërshpejt i harruan mrekullitë e Tij ndaj tyre.

Vullneti i tyre – ata nuk pritën me besim drejtimin e Tij.

Epshi i tyre – ata braktisën vetëkontrollin në lakminë e tyre për ushqim (Num. 11:1-35).

Provokimi i tyre – ata tunduan Perëndinë.

Kështu, këtë herë Perëndia u dha atyre atë që dëshironin, por dërgoi një sëmundje të neveritshme në mes tyre (Num. 11:20). Historia e tyre na mëson të jemi të kujdesshëm të lutemi gjithmonë sipas vullnetit të Perëndisë ngaqë, ashtu siç ka thënë edhe Methju Henri (Matthew Henry): “Ajo që kërkohet në pasion zakonisht jepet në zemërim”.

Rebelët Dathan dhe Abiram (106:16-18)

Refuzimi prej tyre i udhëheqësisë së PerëndisëDathani dhe Abirami, së bashku me Koreun dhe Onin, qenë drejtuesit e një rebelimi kundër Moisiut dhe Aaronit (Num. 16:1-30). Ata patën smirë këta dy njerëz të Perëndisë. Gjithashtu ata deshën të ndërfuteshin në detyrën e priftërisë. Duke u rebeluar kundër shenjtorëve të Perëndisë, pra, kundër njerëzve që ishin veçuar si përfaqësuesit e Perëndisë, ata po rebeloheshin kundër rregullit të Perëndisë. Si rrjedhojë, toka u hap dhe përpiu udhëheqësit dhe familjet e tyre. Dhe zjarri përpiu të gjallë dyqind e pesëdhjetë njerëz të tjerë që i ofruan temjan Zotit (Num. 16:31-35).

Viçi i artë (106:19-23)

Idhujtaria e tyre – Para se Moisiu të zbriste nga mali Sinai me ligjin e Perëndisë, njerëzit bënë një viç të artë dhe e adhuruan (Eks. 32:4). Ata e këmbyen lavdinë e Perëndisë me shëmbëlltyrën e një kau që ha bar. Në vend që të pranonin Perëndinë si Shpëtimtarin e tyre nga Egjipti, ata i dhanë tërë nderin një viçi të pajetë. Perëndia do t’i kishte shkatërruar në një çast nëse Moisiu nuk do të kishte ndërhyrë. Ashtu si një ushtar që mbulon një të çarë në mur me trupin e tij, po kështu Moisiu u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar zemërimin e Perëndisë.

Njoftimi i lig i zbuluesve (106:24-27)

Pabesia e tyre në Kadesh Barnea (Num. 14:2,27,28) – Perëndia u kishte premtuar atyre vendin e mrekullueshëm, një tokë që ishte ideale për vendndodhjen, klimën dhe burimet e shumta. Premtimi përmbante gjithçka që ishte e nevojshme për t’u futur dhe për ta pushtuar tokën. Por ata nuk i besuan premtimit të Tij dhe ngritën zërin lart duke e përçmuar vendin. Në vend që të ecnin përpara me besim, ata varën buzët në çadrat e tyre. Prandaj Perëndia ngriti dorën në një betim për të shkatërruar atë brez në shkretëtirë dhe për të shpërndarë pasardhësit e tyre midis kombeve të botës.

Mëkati me njerëzit e Moabit (106:28-31)

Adhurimi prej tyre mëkatar i Baal-Peorit – Njerëzit e Izraelit jo vetëm kryen kurvëri me bijat e Moabit, por gjithashtu u bashkuan në adhurimin e të vdekurve dhe në kremtimet e tjera pagane që përfshinin adhurimin e Baal-Peorit (Num. 25:3-8). Perëndia u zemërua aq shumë saqë dërgoi një murtajë duke i vrarë njerëzit me mijëra. Pastaj Finehasi pa një izraelit që mori një grua pagane në çadrën e tij dhe i ndau më dysh me heshtën e tij. Ky veprim bëri që të pushonte murtaja, por vetëm pasi kishin vdekur njëzet e katër mijë vetë. Ky veprim ishte një provë pozitive e drejtësisë së tij dhe u shpërblye me një besëlidhje paqeje. Zoti tha:

Ja, unë po lidh një aleancë paqeje me të, që do të jetë për të dhe për pasardhësit pas tij besëlidhja e një priftërie të përjetshme, sepse është treguar i zellshëm për Perëndinë e tij dhe ka kryer shlyerjen e fajit për bijtë e Izraelit (Num. 25:12,13).

Probleme në Meriba (106:32,33)

Mëkati i Moisiut (Num. 20:2-13) – Në ujërat e Meribas njerëzit ishin plotësisht mosbesues. Ata e paditën Moisiun se i kishte çuar ata në shkretëtirë për të vdekur nga etja. Në vend që t’i fliste shkëmbit, ashtu siç kishte thënë Perëndia, Moisiu e goditi atë dy herë me shkopin e tij. Ai gjithashtu e ashpërsoi frymën e tij kundër popullit për shkak të rebelimit të tyre. Si rezultat Perëndia shpalli se atij do t’i mohohej privilegji që të çonte popullin e Izraelit në Tokën e Premtuar.

Në Kanaan – Një histori e vjetër (106:34-39)

Mjedisi i ri i Kanaanit nuk e ndryshoi natyrën e izraelitëve, siç shihet nga:

106:34 Dështimi i tyre për të shfarosur banorët paganë. Kanaanitët e rënë ishin një gjymtyrë gangrenë për racën njerëzore. Pasi i kishte duruar ata për qindra vjet, Perëndia vendosi që zgjidhja e vetme do të ishte prerja e kësaj gjymtyre dhe ia dha në dorë bisturinë Izraelit. Por ata nuk iu bindën Atij (Gjyq. 1:27-36).

106:35 Përzierja e tyre me paganët. Duke u vëllazëruar dhe duke u përzier me paganët, Izraeli prishi besimin dhe moralin e tij.

106:36 Idhujtaria e tyre. Shumë shpejt judenjtë adhuruan idhujt në vend të Perëndisë së vërtetë dhe të gjallë.

106:37-39 Flijimet prej tyre të njerëzve. Një kryengritje e veçantë ndaj Zotit ishte flijimi i bijve dhe bijave të tyre për t’u pëlqyer demonëve (2 i Mbreterve 3:27; 21:6; Eze. 16:20,21). Bijtë dhe bijat e popullit të zgjedhur të Perëndisë u flijoheshin idhujve të pisët të Kanaanit dhe vendi u ndot nga vrasja.

Koha e gjyqtarëve (106:40-46)

“I fyer me popullin e Tij” – shkruan Barnsi – “Zoti u soll me ta sikur të ishin neveria e Tij”. Ai i ktheu ata në dorë të kombeve – Mesopotamisë, Midianit, Filistisë, Moabit dhe të tjerëve. Këto kombe të paperëndishme sunduan mbi judenjtë, duke i shtypur dhe duke i përndjekur ata. Pavarësisht nga ky trajtim, populli këmbënguli në mëkatin dhe rebelimin e tij kundër Jehovahut. Por sa herë që ata ktheheshin tek Ai në pendim, Ai i shikonte me mëshirë. Duke kujtuar besëlidhjen e Tij, Ai kthehej nga gjykimi për të shfaqur dashurinë e Tij të qëndrueshme. Madje edhe gjatë orëve të errëta të robërisë së tyre, Zoti bënte që ata të fitonin përkrahje para robëruesve të tyre – një shembull prekës i mëshirës që triumfon mbi gjykimin.

Shpëtimi dhe të mbledhurit e tyre nga kombet (106:47)

Psalmisti lutet për mbledhjen e popullit të tij, shpërndarë midis kombeve të botës. Kjo do të bëhet duke kremtuar në mënyrë madhështore emrin e shenjtë të Perëndisë; populli i Tij do ta lëvdojë Atë. Lutja paraprin kërkesat e pjesës së mbetur të Izraelit në kohën e ardhshme të Mundimit të Madh, pak para përurimit të mbretërisë së lavdishme të Krishtit.

Shpërthimi në lavdërim për Zotin (106:48)

Me këtë pjesë rrëmbyese ne mbërrijmë jo vetëm në fund të psalmit, por dhe në fund të librit të katërt të psalmeve. Por duke mbërritur në fund, ne duhet t’i shpëtojmë prirjes për ta vendosur këtë psalm në një kafaz pëllumbash, duke e kufizuar mesazhin e tij vetëm ndaj kombit të lig të Izraelit dhe të mos e shohim historinë tonë të pasqyruar në të. Tek 1 Korintasve 10:11 lexojmë:

Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokës.

Ai na paralajmëron kundër mosmirënjohjes. Nëse Izraeli duhet të kishte qenë mirënjohës për shpengimin me anë të fuqisë nga Egjipti, sa më tepër mirënjohës duhet të jemi ne që jemi shpenguar me anë të gjakut të Krishtit nga mëkati dhe Satani!

Ai na paralajmëron kundër harresës. Sa lehtë harrojmë vuajtjen dhe vdekjen e Zotit Jezus. Sa fajtorë jemi për “mallkimin e krishterimit të pandjeshëm”.

Ai na paralajmëron kundër ankimit. Bëhet një stil jete të ankohesh për motin, për kushtet e jetesës, për gjërat e vogla që nuk na pëlqejnë dhe madje për ushqimin.

Ai na paralajmëron kundër vullnetit tonë, kundër vënies së vullnetit tonë para atij të Perëndisë. “Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre” (v. 15).

Ai na paralajmëron kundër kritikës ndaj udhëheqësisë së Perëndisë, qoftë zyrtarëve qeveritarë, pleqve të asamblesë apo prindërve në shtëpi.

Ai na paralajmëron kundër idhujtarisë – adhurimi i parasë, shtëpisë, makinave, arsimimit, kënaqësisë apo suksesit të botës.

Ai na paralajmëron kundër mosbesimit në premtimet e Perëndisë. Ky mëkat bëri që Izraeli të endej në shkretëtirë për tridhjetë e tetë vjet dhe të linte fajtorët po u futur në Tokën e Premtuar.

Ai na paralajmëron kundër asaj që mund të duket se është mosbindje “e papërfillshme”. Moisiu goditi me shkop shkëmbin në vend që t’i fliste atij. Kjo mund të mos na duket shumë serioze, por asnjë mosbindje nuk është e papërfillshme.

Ai na paralajmëron kundër martesës me jobesimtarë. Perëndia është një Perëndi i shenjtërimit [i ndarjes]. Ai ndien urrejtje kur sheh prishjen e popullit të Tij me anë të formimit të zgjedhave të pabarabarta.

Së fundi, ai na paralajmëron kundër flijimit të fëmijëve tanë. Shumë rrallë prindërit e krishterë i nxisin fëmijët e tyre që të merren me punën e Zotit si një mënyrë e dëshirueshme për të harxhuar jetët e tyre. Shumë shpesh fëmijët tanë rriten me ambicien për të bërë emër në biznes apo në profesione. Ne i rritim ata për botën – dhe për ferrin.