Libri 5 (Psalmet 107 – 150)

Psalmi 107: Le ta thonë të shpenguarit

Ka një shembull të përbashkët sjelljeje në jetët e popullit të Perëndisë, që mund të përmblidhet në dy seri fjalësh:

Mëkat apo Rebelim

Robëri Shpagim

Përgjërim Pendim

Shpëtim Ripërtëritje

Para së gjithash njerëzit që largohen nga Zoti, ecin në mosbindje ndaj Fjalës së Tij. Pastaj ata vuajnë pasoja të hidhura të kokëfortësisë së tyre. Kur vijnë në vete, i thërrasin Zotit duke i rrëfyer mëkatin. Pastaj Ai fal mëkatin e tyre dhe i sjell përsëri në vendin e bekimit. Kjo është historia e vjetër e djalit plangprishës dhe me siguri nuk ka histori tjetër më familjare, më të rëndësishme dhe më të vërtetë në jetë.

Dy fakte themelore dalin nga shqyrtimi i këtij cikli që përsëritet shpesh. Një është prirja e zemrës së njeriut për t’u larguar nga Perëndia i gjallë. Fakti tjetër është mëshira e pashtershme e Zotit për të ripërtërirë njerëzit e Tij kur ata shkojnë tek Ai në pendim.

Këtu në Psalmin 107 çlirimi i mëshirshëm i Zotit paraqitet në katër figura të ndryshme:

Shpëtimi për të humburit në shkretëtirë (v. 4-9)

Shpëtimi për ata në burg (v. 10-16).

Shërimi i atyre që janë seriozisht të sëmurë (v. 17-22).

Çlirimi për detarin në një stuhi të tmerrshme (v. 23-32).

Hyrje (107:1-3)

Së pari, ka një hyrje që tingëllon si tema e psalmit. Është një thirrje për të kremtuar Zotin. Jepen dy arsye – Zoti është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë. Secila prej arsyeve do të ishte më se e mjaftueshme për një mirënjohje të pareshtur.

Një kategori e veçantë njerëzish është veçuar si marrësit e veçantë të mirësisë dhe dashurisë së Tij, pra, ata që ai i ka çliruar nga përndjekja, skllavëria, shtypja e problemet dhe i çoi përsëri në vendin e tyre prej shpërndarjes nëpër botë. Ndërsa është e qartë se psalmisti ka në mendje Izraelin, ne nuk do t’i zbatonim këto vargje vetëm për atë komb, sepse edhe ne gjithashtu jemi marrë nga tregu skllavërues i mëkatit dhe si të shpenguarit prej Zotit ne duam të bashkohemi në himnin e falënderimit.

Shpëtimi i të humburve në shkretëtirë (107:4-9)

Kjo figurë e parë duket qartë se përmend tërthorazi udhëtimin dyzetvjeçar të Izraelit përmes shkretëtirës së gjerë dhe të shkretë. Njerëzit ishin të humbur. Ata ishin të uritur. Ata i kishte lëshuar zemra dhe ishin pa guxim. Por ata i thirrën Zotit. Menjëherë endjet e tyre përfunduan. Zoti i çoi në një rrugë të drejtpërdrejtë për në rrafshnaltën e Moabit. Pastaj ishte e lehtë për të hyrë në Kanaan. Dhe atje ata, më në fund, gjetën një qytet ku mund të ndiheshin si në shtëpi. Sa shumë duhet të kremtojmë vazhdimisht Zotin si ne, po ashtu edhe ata për dashurinë e Tij të pavdekshme dhe për kujdesin e mrekullueshëm që tregon ndaj njerëzve të Tij! Sepse në Tokën e Premtuar Ai ka ngopur të eturit dhe ka siguruar ushqimin më të mirë për shpirtin e uritur.

Çlirimi për ata në burg (107:10-16)

107:10-12 Portreti i dytë letrar i historisë së Izraelit ka të bëjë me robërinë babilonase. Psalmisti krahason shtatëdhjetë vitet me futjen në burg. Babilonia ishte si një burg i nëndheshëm i errët dhe i zymtë. Izraelitët ndiheshin si të burgosur të lidhur me zinxhirë, të dënuar me skllavërinë më të rëndë (megjithëse kushtet në Babiloni nuk ishin aq të ashpra sa në Egjipt). Për shkak të rebelimit të tyre kundër fjalëve të Perëndisë, refuzimit të tyre të Fjalës së Tij, ata u çuan në mërgim. Të shtypur dhe të munduar nga shqetësime, ata ranë poshtë nën barra të rënda dhe askush nuk ishte në anën e tyre.

107:13-16 Por kur ata i thirrën Zotit Ai i shpëtoi nga vendi i errësirës dhe i këputi zinxhirët e robërisë së tyre. Tashmë gjëja e vetme e hijshme për t’u bërë ishte të kremtonin Zotin për dashurinë e Tij të pandryshueshme dhe për të gjitha mrekullitë që Ai kishte bërë për ta.

Sepse ai ka shembur portat prej bronzi

dhe ka këputur shufrat prej hekuri.

Ky është vargu që na shtyn të besojmë se psalmisti po i referohet robërisë babilonase në këtë pjesë. Pika lidhëse gjendet tek Isaia 45:2 ku Zoti ka përdorur fjalë gati të njëjta për të përshkruar mënyrën se si do t’i jepte fund mërgimit. Duke folur për Kirin, Ai thotë:

Unë do të eci para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura, do të bëj copë-copë portat prej bronzi dhe do të thyej shufrat prej hekuri.

Konteksti e bën të qartë se Ai po i referohej përfundimit të mërgimit në Babilon.

Shërimi për ata që janë seriozisht të sëmurë (107:17-22)

107:17-20 Kjo pjesë e tretë mund t’i referohet kombit të Izraelit në kohën e Ardhjes së Parë të Krishtit. Kombi ishte i sëmurë në atë kohë. Ata sapo kishin kaluar ditë të vështira të Makabeut [një fis jude që drejtoi kryengritje kundër grekëve rreth 160 p.e.s.]. Disa ishin pa mend, duke vuajtur gjykimin e Perëndisë për mëkatet e tyre. Ata kishin humbur oreksin për ushqimin dhe po shkonin me shpejtësi në prag të vdekjes. Një mbetje besnike e kombit po lutej dhe po priste për shpresën e Izraelit. Perëndia dërgoi fjalën e Tij dhe i shëroi. Fjala e Tij këtu mund t’i referohet Zotit Jezu Krisht, Logosi që erdhi me një shërbesë shëruese në shtëpinë e Izraelit. Sa herë lexojmë tek ungjijtë “dhe Ai i shëroi të gjithë”! Mateu na kujton se në shërimin e Tij të të sëmurit, Shpëtimtari përmbushte atë që ishte parathënë nga Isaia: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona” (Mt. 8:17). Nëse shohim se jo të gjithë izraelitët u shëruan, duhet të kujtojmë se jo të gjithë u futën në Tokën e Premtuar dhe jo të gjithë u kthyen nga robëria në Babilon.

107:21,22 Përsëri psalmisti u bën thirrje njerëzve të lavdërojnë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij. Dhënia e Birit të Tij është një shkak i veçantë për flijimet e falënderimit dhe për përmendjen e veprave të Tij në këngë gëzimi.

Çlirimi i detarëve në një stuhi të tmerrshme (107:23-32)

107:23-27 Figura e fundit është më e ilustruar. Ajo bën fjalë për detarët që punonte në anije në det të hapur. Ata dinin diçka për fuqinë e Zotit sa herë që hasnin ndonjë stuhi në det. Së pari, era fillonte me një forcë alarmuese. Pastaj valët formonin male gjigante uji. Anija çohej mbi valë duke bërë që të kërcisnin trarët. Anija madhështore ishte si një kuti shkrepëseje në një kazan vorbullues dhe të shkumëzuar. Në një stuhi si kjo detarët më të mirë e humbin guximin. Ata vetëm mund të lëkunden si të dehur nëpër anije për të kryer detyrat e tyre. Ata ndihen shumë keq për shkak të paaftësive të tyre dhe nuk dinë më ç’të bëjnë.

107:28-30 Nuk është për t’u çuditur se detarët rebelë dhe jobesimtarë luten në një kohë si kjo. Dhe Zoti gëzohet shumë kur dëgjon këto lutje dëshpërimi. Ai e fashit furtunën dhe valët pushojnë. Çfarë lehtësimi! Njerëzit mund të lundrojnë përsëri dhe së shpejti do të futen në portin drejt të cilit po lundronin.

107:31,32 Detarët e çliruar nuk duhet të harrojnë të falënderojnë Zotin për mirësinë e Tij të papërtueshme dhe tërë përgjigjet e mrekullueshme që Ai u jep lutjeve. Ata duhet të mbajnë zotimet e tyre duke u bashkuar me njerëzit e Tij besnikë për të ngritur Atë lart, duke e lavdëruar Atë në kuvendin e popullit.

A po e zgjerojmë çështjen duke thënë se kjo përshkruan stuhinë përfundimtare të Izraelit dhe hyrjen e tij të mëtejshme në mbretërinë e paqes? Stuhia hedh idenë e Mundimit të Madh. Deti përfaqëson kombet jojudease që ziejnë përbrenda dhe që nuk pushojnë një minutë. Detarët përfaqësojnë kombin e Izraelit që vërtitet andej-këndej nga kombet e tjera gjatë Kohës së Mundimit të Jakobit. Një mbetje besimtare e kombit i drejtohet Zotit. Pastaj Ai ndërhyn personalisht, duke iu kthyer tokës për të vendosur mbretërinë e Tij të paqes dhe begatisë.

Qeverisja dhe hiri i Perëndisë (107:33-43)

107:33,34 Vargjet që mbeten të psalmit shpjegojnë se si Perëndia reagon kur populli i Tij është i pabindur dhe kur më pas bëhen të bindur. Me anë të fuqisë së Tij të madhe Ai i bën lumenjtë të thahen fare dhe bën që burimet gurgulluese të shterojnë. Atij nuk i kushton asgjë që ta shndërrojë tokën pjellore në tokë të kripur kur njerëzit i kthejnë shpinën.

107:35-38 Por Ai mund të bëjë edhe të kundërtën, dhe kjo është ajo që do të ndodhë kur Princi i Paqes do të kthehet për të sunduar tokën për një mijë vjet. Negevi do të mbushet me burime uji. Saharaja dhe Mojava do të jenë kopshte të ujitura mirë. Vendbanime do të ngrihen në vende që kanë qenë të pabanuara për shekuj me radhë. Qytetet moderne do të jenë kudo. Shkretëtira do të bëhet menjëherë pjellore. Gruri, bari, frutat e të gjitha llojeve do të rriten me bollëk. Me anë të bekimit të Tij do të ketë të korra me bollëk ngado dhe bagëtia do të jetë e mbrojtur nga sëmundjet.

107:39-43 Ana tjetër e figurës shihet në mënyrën se si Ai sillet me udhëheqësit e ligj.

Tiranët humbin forcat e tyre dhe pësojnë një seri fatkeqësish dhe brengash; Ai derdh mbi princat përbuzjen dhe bën që të enden nëpër vende të shkreta (v. 39,40, NEB).

Ky ishte fati i Faraonit, Herodit dhe Hitlerit dhe ky do të jetë fundi i triumfuesve të ligj gjatë Mundimit të Madh.

Megjithatë Perëndia ngre nevojtarin nga problemet dhe e bekon atë me familje të mëdha. Kur njerëzit e mirë e shikojnë një gjë të tillë, ata gëzohen me gëzim të madh. Kur e shikojnë këtë të paperëndishmit, mbeten pa fjalë (gjë e cila është e pazakontë për ta).

Ai që është i urtë le të shohë dorën e Perëndisë prapa fateve ndryshuese të njerëzve dhe kombeve dhe do të nxjerrë mësime nga historia dhe ngjarjet e tashme. Në mënyrë të veçantë ata do të marrin parasysh mirësinë e Zotit në marrëveshjet e Tij me ata që i binden Fjalës së Tij.

Psalmi 108: Ndihmë! Shpejt!

Nuk është për t’u çuditur nëse ky psalm ka një ton familjar. Pesë vargjet e para janë gati njësoj me Psalmin 57:7-11 dhe tetë vargjet e fundit janë gati të njëjtë me Psalmin 60:5-12. Psalmi kalon me sukses nga lavdërimi, te lutja, te premtimi, te një problem, përsëri te lutja dhe, së fundi, në një të ardhme të ndritur.

Lavdërimi (108:1-5)

108:1,2 Psalmisti është i prirur në vendosmërinë e tij për t’i kremtuar lëvdime Zotit për dashurinë dhe besnikërinë e Tij të pareshtur. Ai është gati dhe mezi pret të këndojë dhe t’i thurë melodi Shumë të Lartit. Ndërsa është ende errët ai i drejtohet shpirtit të tij që të çohet dhe të marrë harpën dhe qesten e tij nga vendi i tyre i prehjes për të pritur agimin me këngë falënderimi. Nuk është një ide e keqe – të fillosh ditën duke lavdëruar!

108:3 Ai nuk do ta kufizojë këngën e tij vetëm për shtëpinë e tij apo vetëm për komshiun e tij të vogël. Kudo që do të shkojë, popujt do ta dëgjojnë duke adhuruar Zotin, kombet do të jehojnë këngën e tij të lavdërimit. Kjo vendosmëri duhet të jetë edhe e jona gjithashtu.

108:4,5 Pse ishte Davidi kaq entuziast për Zotin? Sepse mirësia e Tij shtrihet në tërë madhësinë e saj mbi qiejt dhe e vërteta e Tij është më e lartë se retë. Lavdërimi i Tij duhet t’i përgjigjet madhështisë së Tij, që Ai të mund të përlëvdohet përmbi qiejt dhe që lavdia e Tij të jetë mbi gjithë tokën.

Ndërsa dëgjojmë këngën euforike të Davidit, kuptojmë më mirë pse dikush ka shkruar në këtë mënyrë:

Lavdërimi është më hyjnor sesa lutja;

Lutja tregon rrugën e lumtur për në qiell.

Lavdërimi tashmë ndodhet atje.

Lutja (108:6)

Tani ai kthehet te kërkesa. Vendi ishte në sulm e sipër nga forcat armike; pamja ishte ogurzezë. Koha e shkurtër e mbinatyrshme e suksesit që Izraeli kishte përjetuar shumë shpesh çuditërisht po mungonte, prandaj ai i përgjërohet Zotit që të çlirojë të dashurit e Tij duke i ndihmuar të kthenin nga kishin ardhur pushtuesit.

Premtimi (108:7-9)

108:7,8 I pashqetësuar dhe madhështor në shenjtëroren e Tij, Perëndia shpall të drejtat e Tij sovrane mbi Izraelin dhe kombet jojudease gjithashtu. Ai premton se sundimi i Mesias do të përfshijë zonën e Sikemit, atje ku ndodhet pusi i Jakobit; luginën e Sukothit, atje ku Jakobi ndërtoi kasolle për bagëtinë e tij (Zanafilla 33:17); pjesën e lartë të Galaadit, tepër e njohur për balsamin aromatik dhe mjekësor dhe Manasin, me territoret në të dyja anët e Jordanit. Efraimi do të jetë forca e kokës së Tij, duke i drejtuar fiset për të mbrojtur mbretërinë. Juda do të jetë ligjvënësi i Tij, selia e qeverisjes, ashtu siç është premtuar te Zanafilla 49:10.

108:9 Përmenden tre kombe jojudease – Moabi, Edomi dhe Filistia – si përfaqësues të territorit të huaj që do të përfshihet gjithashtu në mbretëri. Moabi do të jetë legeni i Tij, një figurë që shpreh përbuzje dhe kontroll. Ai do të hedhë sandalen e Tij mbi Edomin, duke nënkuptuar pronësi, skllavëri dhe tallje. Ndërsa Moabi dhe Edomi do të jetë enë balte për nderim, Filistia do të shtypet. “Mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi.

Problemi (108:10,11)

Premtimi i fitores mbi Edomin bën që Davidi mezi të presë përmbushjen e tij. Sela, kryeqyteti (i njohur gjithashtu si Petra), shquhej se ishte i papërshkueshëm dhe i papushtueshëm. Ai mezi pret për dikë që ta çojë në Edom, që të triumfojë mbi të. Por ka një problem – Perëndia ka fshehur fytyrën e Tij ndaj Izraelit. Ndihma e Tij mungonte duke sjellë pasoja shkatërruese. Armiqtë e Izraelit kishin përparuar në luftë – dhe u shpartalluan, sepse Zoti nuk ishte më me ta.

Lutja (108:12)

Pa Zotin situata është e pashpresë, askush tjetër nuk mund të ndihmojë. Davidi kishte jetuar shumë dhe kishte mësuar se ndihma e njeriut është e kotë. Ai i kërkon Perëndisë së madhërishëm të vihet në anën e Izraelit, duke u dhënë ndihmë në fushën e betejës.

E ardhmja (108:13)

Menjëherë sapo lë vendin e lutjes, psalmisti këndon një notë triumfi. “Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t’i shtypë” kundërshtarët dhe do t’u japë fitore të dashurve të Tij. Ky është besimi, besimi i lindur, që Pol Gerhardi (Paul Gerhardt) e shpreh kaq rrjedhshëm:

A është Perëndia me mua? Nuk do të kem frikë,

edhe sikur të gjithë të ngrihen kundër meje.

Kur i drejtohem Krishtit, Shpëtimtarit tim,

të këqijat e shumta fluturojnë tutje.

Miku im, Zot i Madhërishëm

dhe Ai që më do mua, o Perëndi!

Çfarë armiku mund të më shkaktojë dëm

edhe sikur të vijë si furtunë?

Bota mund të kalojë dhe të humbasë,

Ti, o Perëndi, nuk do të tundesh.

Asnjë urrejtje e tërë djajve

nuk mund të më ndajë nga dashuria Jote.

As uria, as etja,

as varfëria, as shqetësimet,

as zemërimi i princërve të mëdhenj

nuk mund të mbërrijnë te streha ime atje.

Zemra ime do të shpërthejë në gëzim,

trishtimi nuk mund të qëndrojë aty,

ajo këndon lart në lavdi,

në mes të së shkëlqyeshmes bukuri.

Dielli që ndriçon sipër meje

është Jezusi dhe dashuria e Tij.

Burimi i këngës sime

është i thellë lart në qiell.

Psalmi 109: Fati i armiqve të Perëndisë

Nga tërë psalmet që shprehin mallkime, ky zë vendin e parë. Asnjë tjetër nuk kërkon gjykimin e Perëndisë me një sarkazëm të zgjedhur apo me hollësi të tilla të kuptueshme. Lexuesi nuk mund të rrijë pa u joshur dhe pa u mrekulluar nga naiviteti i pastër i psalmistit në larminë e ndëshkimeve që ai kërkon për armiqtë e tij!

109:1-3 Psalmi hapet me një butësi çarmatuese. Davidi kërkon ndihmë nga Perëndia i lëvdimit të tij, pra, nga Perëndia që ai lëvdon. Armiqtë e tij kishin organizuar një sulm të mbrapshtë verbal [me fjalë] ndaj tij, duke përdorur kundër tij çdo lloj gënjeshtre. Fjalët e urrejtjes binin mbi të nga çdo drejtim i mundshëm. Ajo që e bën më të vështirë çështjen është se sulmet ishin plotësisht të papërligjshme.

109:4,5 Davidi kishte treguar dashuri dhe mirësi ndaj sulmuesve të tij dhe çfarë kishte marrë nga ata? Një mori padish të rreme. Dhe megjithatë ai po lutet për ta. Për çdo mirësi ata ia kishin kthyer me fyerje dhe për dashurinë ata e kishin shpërblyer me urrejtje.

109:6,7 Në këtë pikë duket se ai fut penën e tij në acid. Tani mallkime të zjarrta dalin nga shpirti i tij i plagosur. Nga armiqtë e shumtë të vargjeve 1-5 tashmë ai kthehet për t’u përqendruar në diçka të veçantë.

Nga çfarë është përshkruar në psalm ky njeri do të kapet dhe do të çohet në gjyq. Kur kjo të ndodhë, le të rregullojë Zoti rrethanat në mënyrë që njeriu i keq të jetë akuzuesi i tij, njeriu i djallëzuar ankuesi. Në përfundim të gjyqit le të shpallet vendimi “Fajtor!“. Dhe nëse ai kërkon të rishqyrtohet përsëri çështja, le të konsiderohet kërkesa e tij si fyerje ndaj trupit gjykues dhe t’i rritet ndëshkimi.

109:8-10 Për sa i përket jetës së tij, le të jetë një jetë e shkurtër dhe një tjetër zëntë vendin e tij. Ky mallkim i veçantë citohet për Judën dhe vendin e tij si mbajtësi i qeses së parave të dishepujve te Veprat e Apostujve 1:20:

Në fakt, në Librin e Psalmeve, është shkruar: “Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!”, dhe: “Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!”.

Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë seriozitetin e këtij psalmi nëse kujtojmë se i referohet jo vetëm Davidit e armiqve të tij, por edhe Mesias e tradhtarit të Tij, dhe gjithashtu edhe Izraelit dhe Antikrishtit në një ditë të ardhshme.

Për sa i përket familjes së armikut, bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve. U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij, të dëbuar nga rrënojat që ishin shtëpia e tyre.

109:11-13 Për sa i përket pasurisë së tij, fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe gjithçka ka fituar t’ia marrin të huajt.

Meqë ai nuk ka treguar mëshirë, askush mos pastë mëshirë për të, asnjë mëshirë për jetimët e tij. Le t’i harrohet mbiemri familjes para se të kalojnë brezat (Sipas të dhënave nga Lindja, ky është një ndër ndëshkimet më të turpshme që mund të të zërë).

109:14,15 Edhe pararendësit e tij nuk janë pa faj. Le të kujtohet para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë. Natyra e saktë e krimeve të tyre nuk jepet, por faji i tyre është rënduar meqë psalmisti vazhdon të kërkojë që mëkatet e tyre të mos harrohen nga Zoti dhe që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.

109:16-20 Në vargun 16 lexojmë padinë thumbuese të njeriu të lig. Ishte stili i tij i jetës të mos tregonte mirësi. Në vend të kësaj ai në mënyrë aktive dhe agresive nuk tregoi mirësi ndaj të varfrit dhe nevojtarit dhe bëri që zemërthyerit t’i shkaktonte vdekjen. Nuk është e vështirë ta gjejmë Judën në këtë varg, duke e çuar me ligësi Shpëtimtarin e pamëkat në kryq.

Por ka një ligj të pamëshirshëm të shpagimit në botën morale. Atë që mbjell njeriu, atë korr. E korra është e pashmangshme. Me mëkatin nuk mund të hiqesh sikur nuk ekziston. Këtu psalmisti kërkon që ligji i shkakut dhe i pasojës të çohet deri në fund. Ky njeri kënaqej të mallkonte të tjerët; tani mallkimi i tij le të bjerë mbi të. Ai kurrë nuk donte që të tjerët të gëzonin bekimet; tani bekimi u largoftë prej tij. Ai është krekosur duke mallkuar si me një rrobe; tani ato mallkime le të ndërfuten në jetën e tij si uji ndërfutet në sfungjer; le të lagin çdo pjesë të trupit të tij, deri edhe në palcën e kockave të tij. Mallkimi e mbuloftë si rrobat që vesh, “të ngjiten pas tij si një brez që nuk mund ta heqë kurrë” (Knox).

Kjo, pra, është dëshira e Davidit për kundërshtarët dhe akuzuesit e tij. Ai mezi ka vështruar një hollësi në katalogun e gjykimit. Ashtu siç ka thënë dikush: “Aq mallkime i janë drejtuar të ligut, sa nuk kanë ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot.”

109:21-25 Psalmisti e mbyll psalmin me dy lutje dhe një shpërthim lavdërimi. Së pari, ai lutet për çlirimin nga problemet e tij. Ai dëshiron që Zoti të ketë rolin e Tij për hir të emrit të Tij, pra, në mënyrë që të përlëvdojë Veten si Perëndia i fuqisë dhe i drejtësisë. Duke parë anën e Davidit, Zoti do të tregojë edhe një herë tjetër se mirësia [mëshira] e Tij është e mirë.

Kërkesa e Davidit është serioze. Ai jo vetëm është i varfër dhe nevojtar, por zemra e tij është plagosur brenda tij. Jeta e tij po dobësohet si një hije e zgjatur. Ai është i tronditur nga jeta aq tepër, sa duket si një karkalec në dorën e njeriut. Nga të pangrënët e zgjatur gjunjët e tij lëkunden dhe trupi i tij është bërë kockë e lëkurë. Armiqtë e tij qeshin me të, me gjendjen e tij të mjerueshme; ata duke u tallur, tundin kokën me të.

109:26-29 Në lutjen e tij të dytë i kërkon Zotit që të hakmerret për të para armiqve të tij. Kur Jehovahu do të vijë ta ndihmojë dhe ta shpëtojë, atëherë sulmuesit e tij do të dinë që ishte një vepër e ndërhyrjes hyjnore – dora e Zotit. Çfarë ndryshimi do të ketë nëse ata mallkojnë, kur Zoti bekon. Armiqtë do të mbeten të hutuar, por psalmisti do të gëzohet në atë kohë. U mbulofshin me turp dhe pështjellim, por të mbështjellë me turp si me mantel.

109:30,31 Së fundi, ne dëgjojmë Davidin të lavdërojë Zotin kur merr përgjigje për lutjet e tij. Nuk do të jetë një lavdërim i zakontë, por një kremtim i madh. Nuk do të jetë privat, por në mes të një turme të madhe. Dhe tema do të jetë që Jehovahu do të qëndrojë në të djathtë të të varfrit, për ta çliruar nga ata që e kanë vënë në shënjestër për ta ekzekutuar. Të jep besim të madh të kesh Zotin si mbrojtës. Ashtu siç thotë Mejeri (F. B. Meyer):

Sa i guximshëm është i padituri nëse futet në oborr duke u mbajtur në krahun e fisnikut të vendit. Sa i kotë është të dënohet kur Gjykatësi i të gjithëve del për të dhënë shpagimin? [71].

PSALMET MALLKUESE

Një nga këto psalme është Psalmi 109. Por nuk do të ishte e ndershme nga ana intelektuale të largohemi pa u përballur me problemin që është i nënkuptuar në psalmet mallkuese. Problemi, sigurisht, është se si ta pajtojmë frymën hakmarrëse, gjykuese të këtyre psalmeve me frymën e faljes dhe të dashurisë që kudo shijohet nga populli i Perëndisë. Meqë Psalmi 109 është mbreti i psalmeve mallkuese, mendoj se ky është vendi për t’u përballur me problemin.

Së pari, do të rendit disa nga shpjegimet që kanë dalë për këtë problem, por që nuk më duken bindës në mënyrë të plotë. Pastaj do të paraqes atë që unë kuptoj se është shpjegimi i vërtetë, megjithëse edhe ky nuk është pa vështirësitë e veta.

Është treguar se këto mallkime nuk janë thirrje për hakmarrje apo ndëshkime ndaj të ligjve, por parathënie e asaj që do t’u ndodhë armiqve të Perëndisë. Prandaj Angëri (Unger) thotë:

Mallkimet nga njerëzit e shenjtë kundër individëve nuk janë shprehje e hakmarrjes, pasionit apo padurimit; ato janë parashikime dhe për këtë arsye jo siç dënon Perëndia [72].

Shumë prej këtyre pjesëve mund të përkthehen saktësisht si në kohën e ardhme po ashtu edhe në mënyrën urdhërore.

Një shpjegim i dytë është se Davidi po fliste si i vajosuri i Perëndisë. Për shkak të pozitës së tij, ai ishte përfaqësuesi i Perëndisë. Prandaj atij i lejohej të shpallte këto gjykime të rrepta (këtu duhet vënë re se jo të gjitha psalmet mallkuese janë shkruar nga Davidi).

Pastaj përsëri disa i shohin këto pjesë si një regjistrim historik se si u ndien këta njerëz, pa miratimin e egërsisë së tyre. Rreth kësaj pikëpamjeje Barnsi (Barnes) shkruan:

Këto shprehje janë një regjistrim i thjeshtë i asaj që ka ndodhur në atë çast në mendjen e psalmistit dhe janë ruajtur për ne si një ilustrim i natyrës njerëzore pjesërisht e shenjtëruar. Sipas kësaj pikëpamjeje Fryma e frymëzimit nuk është më përgjegjëse për këto ndjenja nga ana e psalmistit njësoj sa ç’është Ai për veprat e Davidit, Abrahamit, Jakobit apo Pjetrit… Nocioni i duhur i frymëzimit nuk na kërkon të mendojmë se njerëzit që ishin të frymëzuar ishin absolutisht të pamëkatë… Sipas kësaj pikëpamjeje shprehjet që janë përdorur në këtë regjistrim nuk janë paraqitur për imitimin tonë [73].

Dhe ka edhe shpjegime të tjera. Psalmet mallkuese mbrohen duke na kujtuar se për shkak se Izraeli ishte kombi i zgjedhur i Perëndisë, atëherë armiqtë e tij ishin armiqtë e Perëndisë. Ngaqë ka diçka në secilin prej nesh që me të drejtë miraton ndëshkimin e duhur për krimet. Psalmisti përshkruan atë që mëkatarët meritojnë dhe nuk shpreh ndonjë dëshirë vetjake për hakmarrje.

Siç e thashë më parë, nuk i shoh këto shpjegime plotësisht të kënaqshme. Shpjegimi që më duket mua më i duhuri është se psalmet mallkuese shprehin një frymë që ishte e duhur për një jude që jetonte sipas ligjit, por jo i duhur për një të krishterë që jeton sipas hirit. Arsyeja pse këto psalme na duken të egra është se ne i shohim ato në dritën e zbulimit të Dhiatës së Re. Davidi dhe psalmistët e tjerë nuk e kishin Dhiatën e Re. Ashtu siç tregon Skroxhi (Scroggie):

. . . do të ishte mirë të pranonim menjëherë faktin se epoka e ligjit ishte më e ulët se kjo e tashmja; se ndërsa Ligji nuk është në kundërshtim me Ungjillin, nuk është as i barabartë me të; se ndërsa Krishti erdhi të përmbushte Ligjin, Ai erdhi gjithashtu të ngrejë një standard më të lartë se Ligji. Ne duhet të kemi kujdes të mos i gjykojmë shprehjet në psalmet, të cilat duken si hakmarrje duke u nisur prej standardeve të letrave të Palit [74].

Ndërsa përfshirja e familjes së dikujt në gjykim duket e tepërt për ne, kjo përligjej për psalmistin nga fakti se Perëndia kishte kërcënuar të vizitonte paudhësinë e etërve mbi bijtë deri në brezin e tretë e të katërt (Eks. 20:5; 34:7; Num. 14:18; LiP. 5:9). Na pëlqen apo jo, ka ligje në botën frymërore sipas të cilave mëkatet kanë një mënyrë të ndikuari edhe në familjen e njeriut. Asnjë njeri nuk është i veçuar; pasojat e veprave të tij ndikojnë te të tjerët, po ashtu edhe te vetvetja.

Ne jetojmë sot në vitin e pranueshëm të Zotit. Kur të kalojë ky brez dhe të fillojë dita e hakmarrjes së Perëndisë, një gjuhë e tillë si ajo e psalmeve mallkuese do të jetë përsëri në buzët e popullit të Perëndisë. Për shembull, dëshmorët e Mundimit të Madh do të thonë: “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?” (Zbulesa 6:10).

Një vlerësim përfundimtar! Serioziteti i mallkimeve te psalmet përgatit zemrat tona në një mënyrë të dobët, me qëllim që ta vlerësojmë Atë që mori çdo mallkim në Trupin e Tij në kryq, në mënyrë që ne të jemi të çliruar përjetësisht nga mallkimi dhe të mallkuarit. Jo të gjitha mallkimet e përshkruara në psalme së bashku janë një pasqyrim i dobët i ortekut të gjykimit që Ai duroi si Zëvendësi ynë.

Psalmi 110: Biri i Davidit dhe Zoti i Davidit

Ky psalm i Davidit ‘shijon’ dallimin e të qenurit i cituar apo i marrë si referim në DhR më tepër se pjesët e tjera në DhV. Është dukshëm një psalm i Mesias – së pari, si i përlëvduari në të djathtën e Perëndisë, pastaj si Mbret i lavdisë, që do të kthehet në tokë për të marrë skeptrin e qeverisjes universale dhe gjithashtu si Prift i përjetshëm sipas rendit të Melkisedekut.

110:1 Në vargun e parë Davidi përmend Zotin duke i thënë Zotit të tij:

Ulu në të djathtën time derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua“.

Çelësi për të kuptuar varet nga njëjtësimi i dy personave të veçantë që iu drejtohet me emrin “Zot”. Përdorimi i parë i fjalës i referohet në mënyrë të pagabueshme Jehovahut [75]. Fjala tjetër “Zot” është fjala hebraike adon që do të thotë “pronar” apo “sundues”. Kjo fjalë ndonjëherë përdorej si emër i Perëndisë dhe ndonjëherë përfaqësonte një pronar njerëzor. Megjithëse vetë fjala nuk tregon gjithmonë një person hyjnor, fjalët që vijojnë tregojnë që Zoti (Adon) i Davidit ishte i barabartë me Perëndinë.

Një ditë kur Jezusi po u fliste farisenjve në Jerusalem, Ai i pyeti se çfarë besonin ata rreth identitetit të Mesias. Nga kush do të rridhte sipas gjakut i Premtuari? Ata iu përgjigjen saktë se Ai do të ishte biri i Davidit. Por Jezusi u tregoi atyre se sipas Psalmit 110 (të cilin ata e pranonin se ishte mesianik) Mesia do të ishte gjithashtu Zoti i Davidit. Si mund të ishte Ai bir i Davidit dhe Zoti i Davidit në të njëjtën kohë? Dhe si mund të kishte Davidi, mbreti, dikë që ishte Zoti i tij në tokë?

Përgjigjja, sigurisht, ishte se Mesia do të ishte edhe Perëndi, edhe njeri. Si Perëndi, Ai do të ishte Zoti i Davidit. Si njeri, Ai do të ishte biri i Davidit. Dhe Vetë Jezusi, duke gërshetuar në Personin e Tij si anën hyjnore ashtu edhe atë njerëzore, ishte Zot dhe bir i Davidit.

Ky ishte çasti i së vërtetës për farisenjtë. Megjithatë, pavarësisht nga tërë provat, ata nuk deshën ta pranonin Jezusin si Mesian e shumëpritur. Kështu që lexojmë:

Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më (Mt. 22:41-46; kr. Marku 12:35-37; Luka 20:41-44).

Shkrimtarët e DhR shpallin pa dyshuar se Ai që është ulur në të djathtën e Perëndisë nuk është tjetër njeri veç Jezusit nga Nazareti (Mt. 26:64; Mark. 14:62; 16:19; Lluk. 22:69; Veprat e Apostujve 2:34,35; 5:31; 7:55,56; Rom. 8:34; 1 Kor. 15:24; Efesianeve 1:20; Kol. 3:1; Hebr. 1:3,13; 8:1; 10:12,13; 12:2; 1 Pjetrit 3:22; Zbulesa 3:21). Prandaj vargu 1 na thotë se çfarë i thotë Jehovahu Zotit Jezus në ditën e fundit të ngjitjes kur Ai u ul në të djathtën e Perëndisë. Por Ai është atje, derisa armiqtë e Tij të bëhen stol të këmbëve të Tij.

110:2 Midis vargjeve 1 dhe 2 kemi atë që Ajronsajdi (H. A. Ironside) e quan “parantezën e madhe” [76] – Epokën e Kishës, që përfshin uljen e Krishtit në fron deri në ardhjen e Tij të Dytë. Në vargun 2 shohim Jehovahun që përhap skeptrin mbretëror të Mesias nga Sioni; me fjalë të tjera, Zoti ka e vendosur Krishtin si Mbret, me Jerusalemin si kryeqytetin e Tij. Ky skeptër është simbol i pushtetit mbretëror. Krishtit i është dhënë pushtet për të mbretëruar mbi tërë botën në mes të armiqve të Tij. “Ai sundon në mes të armiqve të tu“. Para se të ndodhë kjo, Zoti Jezus do të ketë shkatërruar armiqtë e Tij të panënshtruar. Këtu nuk kemi të bëjmë me shkatërrimin e armiqve të Tij, por me sundimin mbi ata armiq që janë kthyer miqtë e Tij dhe që me gëzim pranojnë të sundojë mbi ta.

110:3 Kjo gjë miratohet nga vargu 3. Populli i Tij e dhuron veten me dëshirë ditën që Ai do ta çojë ushtrinë e Tij në Malin e Shenjtë. Apo ashtu siç pohon NKJV-ja:

Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë.

Këtu një popull vullnetar përshëndet Mbretin në një rreshtim të shenjtë. “Në jetët dhe sjelljet e tyre” – shkruan Barnsi (Barnes) – “do të shfaqin tërë bukurinë apo nurin që atje është një karakter i shenjtë dhe i pastër”.

Pjesa e fundit e vargut 3 ka qenë tortura e përkthyesve dhe komentuesve. Skroxhi (Scroggie) parafrazon si vijon: “…ashtu si vesa që lind nga e ëma në mëngjes, po kështu ushtria Jote do të vijë para Teje e shumtë, e freskët, e shkëlqyer dhe e fuqishme” [77].

110:4 Një nga cilësitë e jashtëzakonshme të Mbretërisë është se Zoti Jezus do të ndërthurë në personin e Tij të dyja detyrat: mbret dhe prift. Është një ndërthurje që është tejet e rrezikshme në rastin e sunduesve të thjeshtë njerëzorë; thirrja e lartë dhe e zgjatur për ndarje të kishës nga shteti nuk ka qenë pa një shkak të vlefshëm. Por ndërthurja është ideale kur Jezusi është Sunduesi. Mbretërimi i pakorruptuar dhe priftëria frymërore do t’i japë botës një administrim që e ka dëshiruar shumë, por që kurrë nuk e ka njohur.

Në vargun 4 mësojmë katër gjëra rreth priftërisë së Mesias:

Ai u bë një prift me anë të betimit të Jehovahut.

Caktimi i tij në detyrë është i pakthyeshëm.

Priftëria e Tij është e përjetshme.

Është sipas urdhrit të Melkisedekut.

Shprehja, “sipas urdhrit të Melkisedekut“, është interpretuar tek Hebrenjve 5-7. Atje priftëria e Melkisedekut krahasohet dhe vihet në dallim me priftërinë e Aaronit apo me atë levitike.

Sipas ligjit Perëndia caktoi burrat e fisit të Levit dhe familjen e Aaronit që të ishin priftërinj. Priftëria e tyre ishte një çështje origjine dhe mbaronte me vdekjen e tyre.

Priftëria e atij personazhi të mistershëm, Melkisedekut, u caktua në mënyrë sovrane nga Perëndia. Ajo nuk u trashëgua nga prindërit e tij (“pa atë, pa nënë, pa gjenealogji”, Heb. 7:3a) dhe nuk përmendet priftëria e tij, qoftë për fillimin apo për mbarimin (“pa pasur as fillim ditësh, as fund jete” Heb. 7:b). Në këtë mënyrë dhe në të tjera, priftëria e Melkisedekut ishte më e lartë se ajo e Levit. Melkisedeku ishte një prototip i Zotit Jezus. Priftëria e Zotit tonë nuk ishte një çështje origjine; Ai ishte nga fisi i Judës, jo i Levit. Priftëria e Tij u caktua nga dekreti sovran dhe i përjetshëm i Perëndisë dhe, meqë Ai jeton në fuqinë e një jetë të pafund, priftëria e Tij nuk do të përfundojë kurrë.

Një tjetër arsye, sipas së cilës Melkisedeku ishte një hije pararendëse e Mesias, është se ai ishte edhe mbret, edhe prift. Emri dhe titulli i tij nënkuptojnë se ai ishte mbret i drejtësisë dhe mbret i paqes (Heb. 7:2). Ai ishte gjithashtu prift i Perëndisë Shumë të Lartë (Zanafilla 14:18).

110:5 Tri vargjet e fundit të psalmit paraqesin Zotin Jezus si një Pushtues të madh, duke vënë nën vete tërë paudhësinë dhe rebelimin para përurimit të mbretërisë së Tij. Problemi i njëjtësimit të personazheve në këto vargje zgjidhet mirë nëse i mendojmë se i drejtohen Jehovahut dhe Mesias Mbret. Prandaj vargu 5 mund të paraqitet:

Zoti (Adonai – këtu Zoti Jezus) është në të djathtën tënde (Jehovahut). Ai (Mesia) ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të Tij.

110:6 Është Zoti Jezus që triumfon kundër kombeve jojudease, ashtu siç parathuhet te Joeli 3:9-17; Zakaria 14:3 dhe Zbulesa 19:11-21. Ai kryen gjykimin e kombeve, duke e mbushur vendin me kufoma. Shprehja e mëtejshme do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës” mund të përkthehet gjithashtu: “do të godasë në krerët e gjithë vendit”. Kjo mund të jetë një referencë për shkatërrimin e Njeriut të Mëkatit, “të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij” (2 Thes. 2:8).

110:7 Ndërsa Ai do të përparojë ndaj armiqve të Tij, mbreti do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrejë kokën. Meqë uji është një figurë e Frymës së Shenjtë (Gjon. 7:38,39), kjo hedh idenë se Zoti është i freskët dhe i ripërtërirë nga shërbesa e Frymës dhe kjo shpjegon pse ngre kokën e Tij në fitore.

Psalmi 111: Veprat e mrekullueshme të Zotit

Ka tri linja që e përshkojnë Psalmin 111:

Veprat e Jehovahut (v. 2-4, 6-7).

Fjalët e Jehovahut me anë të sinonimeve të tilla si besëlidhja (v. 5,9), urdhërimet (v. 7).

Karakteri i përjetshëm i gjithçkaje që Ai është dhe bën (v. 3,5,8-10).

Në hebraisht ky është një psalm akrostik. Çdonjëri nga tetë vargjet e para ka dy rreshta. Dy vargjet e fundit kanë tri rreshta secili. Secila prej tridhjetë e dy rreshtave fillon me një shkronjë të alfabetit hebraik sipas rendit të duhur.

Tema e psalmit është shkëlqimet e Krishtit të ulur në fron. Izraeli po këndon lavdërimet e Atij që i thirri nga errësira e Egjiptit dhe robëria babilonase në dritën e Tij të mrekullueshme.

111:1 Kënga hapet me një thirrje drejtuar besnikëve për të lavdëruar Zotin (Haleluja hebraisht do të thotë lëvdoni Zotin) dhe me vendosmërinë e psalmistit për të lavdëruar pa ngurrim apo shpërqendrim. Ai do ta bëjë një gjë të tillë në asambletë e vogla të besimtarëve dhe në mbledhjet e mëdha të popullit, ose mund të themi si në veçanti, ashtu edhe në publik.

111:2,3 Katër përshkrimet e veprave të Zotit këtu janë të vërteta në çdo gjë që bën, por “kulmi” i tërë veprave të Perëndisë ndaj judenjve të DhV ishte çlirimi nga Egjipti. Të mëdha janë veprat e Zotit; ato përbëjnë një kërkim të frytshëm nga të gjithë ata që kënaqen me to. Ato janë shfaqje të mrekullueshme të lavdisë e madhështisë së Tij dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

111:4,5 Ai caktoi Pashkën si një kujtim të përjetshëm të shpëtimit të Izraelit me anë të gjakut të qengjit, një kujtim i përjetshëm i hirit dhe mëshirës së Tij. Në Darkën e Zotit Ai ka një përkujtim të shpëtimit tonë me anë të gjakut të një Qengji më të mirë, një kujtesë të paharrueshme se Ai është i dhembshur dhe plot mëshirë. Mbase vargu 5 i referohet në mënyrë të veçantë përkujdesjes së mrekullueshme të Perëndisë me anë të ushqimit (fjalë për fjalë “preh”) për izraelitët gjatë udhëtimeve të tyre në shkretëtirë. Ai kurrë nuk harroi se ata ishin populli i besëlidhjes së Tij. Por është gjithmonë e vërtetë se Ai është besnik ndaj premtimeve që ka bërë.

111:6 Ai i dha popullit të Tij një shfaqje tjetër të veprave të Tij të mëdha duke i shpopulluar kombet kanaanite dhe duke e çuar popullin e Tij të sigurt në Tokën e Premtuar, të cilën psalmisti këtu e quan “trashëgiminë e kombeve“.

111:7-9 Tërë veprat e Perëndisë tregojnë se Ai është gjithmonë besnik dhe i drejtë. Tërë urdhërimet e tij janë plotësisht të besueshme. Ai i mban gjithmonë premtimet e Tij dhe i përmbush ato në mënyrë besnike dhe me ndershmëri. Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin në kohën e daljes nga Egjipti, pastaj më vonë kur i ktheu nga robëria në Babilon. Ai do ta bëjë këtë përsëri kur do të kthejë dymbëdhjetë fiset në tokën e Izraelit para mbretërimit të Tij të lavdishëm. Është gjithçka pjesë e besëlidhjes së Tij dhe kjo nuk mund të dështojë kurrë. Emri i tij është i shenjtë dhe i tmerrshëm apo i denjë, dhe ashtu si emri i Tij është edhe Ai!

111:10 Vetëm njeriu që e nderon Atë ka nisur udhëtimin në rrugën e diturisë. Sa më tepër i bindemi Atij, aq më tepër dritë na jep Ai. “Bindja është organi i njohjes frymërore”.

Ai është i denjë për t’u lavdëruar në përjetësi!

Psalmi 112: Shpërblimi i të drejtëve

112:1 Ka një lidhje të ngushtë midis këtij psalmi dhe atij të mëparshëm, si në formën e tij akrostike, po ashtu edhe në mësimin e tij frymëror. Ky fillon atje ku mbaron Psalmi 111 – me njeriun që ka frikë nga Zoti dhe që praktikon diturinë. Disa nga gjërat që janë thënë për Zotin në psalmin e parë vlejnë për njeriun e perëndishëm në të dytin. Ne shohim Diellin e Drejtësisë që ndriçon me tërë lavdinë e Tij në Psalmin 111; këtu shohim besimtarin, si hëna, që pasqyron atë lavdi. Duke përcjellë bukurinë e Zotit, besimtari kalon në të njëjtën bukuri me anë të Frymës së Shenjtë (2 Kor. 3:18).

Haleluja“. Kjo fjalë shpreh vazhdimisht ndjenjat e psalmistit dhe ai ka lënë një shembull të mirë për tërë ne.

Cili është njeriu i lumtur? Është ai që nderon dhe i nënshtrohet Zotit dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij, dhe e vërteton këtë duke iu bindur atyre. Ai korr përfitimet që rrjedhin nga një jetë me një perëndishmëri praktike. Si për shembull –

112:2 Pasardhje e veçantë. Pasardhësit e tij do të zënë vende fuqie dhe prestigji; ata do të nderohen për shkak të trashëgimisë së tyre të perëndishme (duke i interpretuar këto bekime për Epokën e Kishës, tregohemi të mençur t’i kalojmë ato nga domethënia e tyre e mëparshme dhe materiale në anën tjetër frymërore).

112:3 Begatia. Është përgjithësisht e vërtetë se bindja ndaj Fjalës së Perëndisë i shpëton njerëzit nga harxhimi i kotë dhe varfëria. Rezultatet e drejtësisë së tij, pra, e ndershmërisë, zellit dhe kursimit të tij vazhdojnë të zgjasin me breza të tërë.

112:4 Ndriçimi i siguruar. Nuk ka garanci imuniteti nga errësira, por kemi premtimin se drita do të dalë në terr. Në tërë kohët e errëta të jetës Zoti e tregon Veten se është i dhembshur, i mëshirshëm dhe i drejtë.

112:5,6 Bujaria. Gjërat shkojnë më mirë për njeriun që është bujar dhe që nuk refuzon t’u japë hua të tjerëve që kanë me të vërtetë nevojë. Ky njeri i drejton punët e tij me drejtësi dhe ndershmëri. Jeta e tij ndërtohet mbi një themel të qëndrueshëm dhe ai do të kujtohet shumë kohë pasi të mos jetë më.

112:7 Liri nga frika. Ai nuk ka pse të jetojë me frikë të vazhdueshme nga lajmet e këqija, ndryshimit për keq të punës dhe fatkeqësive natyrore. Ai ka besim te Zoti dhe e di se asgjë nuk mund t’i ndodhë atij pa qenë në vullnetin e Perëndisë.

112:8 Besim nën sulm. Madje edhe armiqtë e tij nuk e shqetësojnë rehatinë apo qetësinë e tij. Ai ka besim se edhe pse ata duken më të fuqishëm se ai, rënia e tyre është e sigurt dhe se ai është nga ana e atyre që do të fitojnë.

112:9 Frytshmëri dhe nderim të vazhdueshëm. Ngaqë ai ka qenë bujar, rezultatet e mirësisë së tij ndaj nevojtarëve nuk do të reshtin së kujtuari. Nuk ka pse të bjerë fuqia e tij. Por më tepër koka e tij do të kurorëzohet me duartrokitje. Pali e citon këtë varg te 2 Korintasve 9:9 për të treguar përfitimet e vazhdueshme të bujarisë.

112:10 Zilia e të pabesit. Kur i pabesishohë vërtetimin dhe nderin e qëndrueshëm të të perëndishmit, do të hidhërohet dhe do të bëhet ziliqar. Ata [të pabesët] do të kërcëllijnë dhëmbët me inat, do të treten dhe do të avullojnë. Gjithçka për të cilën jetonin do të konsumohet bashkë me ta. Barnsi (Barnes) shënon:

Kjo është një përqasje e fortë me atë që thuhet në psalm se do të ndodhë me të drejtin. Ata do të jenë të begatshëm dhe të lumtur; ata do të jetë të zotë të realizojnë planet e tyre; ata do të respektohen ndërsa do të jenë në jetë dhe do të kujtohen kur të vdesin; ata do të kenë Perëndinë që vihet në anën e tyre në çastet më të errëta; ata do të jenë të qëndrueshëm dhe të qetë në ditën e rrezikut dhe shqetësimit; ata do ta vënë besimin e tyre në Zotin dhe gjithçka do të shkojë mirë. Me siguri ka një përparësi… të jesh mik i Perëndisë [78].

Psalmi 113: Shumë i madh, por edhe shumë i dhembshur

113:1-6 Pesë vargjet e para e paraqesin Perëndinë si Ai që është pafundësisht i lartë, katër të fundit si Atë që është mjaft afër.

Perëndia ynë është pafundësisht i lartë. Si i tillë Ai është i denjë për t’u lavdëruar.

Nga cilët? Nga tërë shërbëtorët e Tij (v. 1).

Në ç’mënyrë? Duke bekuar emrin e Tij, që do të thotë duke e falënderuar Atë për gjithçka që është (v. 2a).

Sa herë? Vazhdimisht – tani dhe përjetë (v. 2b).

Ku? Në çdo vend – nga në lindja deri në perëndim (v. 3a).

Për çfarë? Për madhështinë e Tij. Ai shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejt (v. 4).

Për pangjashmërinë e Tij. Askush nuk mund të krahasohet me Të, që ulet në fronin e Tij në vende shumë të larta (v. 5).

Për vizionin e Tij të pakufi. Nuk ka asgjë në qiell apo në tokë që Ai nuk e shikon (v. 6). Teksti hedh idenë se Atij madje i është dashur të përulë Veten për të parë gjërat në qiell!

Por, lavdi emrit të Tij, Ai që është pafundësisht i lartë është gjithashtu mjaft afër.

113:7-9 I mjeri mund të dijë këtë! Ai e ngre ata nga pluhuri.

Nevojtari mund ta dijë këtë! Ai i ngre ata nga gjendja e tyre e ulët dhe i ul me princat, me ajkën e tokës.

Gruaja shterpë mund ta dijë këtë! Ai e bën të banojë në familje dhe e bën atë si nënë të lumtur fëmijëve. Shterpësia ishte një qortim i frikshëm midis grave judease. Të çliroheshe nga ky mallkim përbënte çastin e një gëzimi më të tepruar, sipas Komentarit të Librit të Lutjeve.

Zbatimi

Unë isha i varfër, por me anë të besimit në Krishtin jam bërë i shëndetshëm në mënyrë të mrekullueshme në gjërat frymërore.

Unë isha nevojtar, por Zoti Jezus e mori këtë lypsar nga kodra dhe i dha atij motra dhe vëllezër të mrekullueshëm të krishterë, një përbashkësi që ia kalon çdo gjëje që mund të ofrojë bota.

Unë isha shterpë, pa dhënë asnjë fryt për Perëndinë në jetën time. Por Ai më ka çliruar nga ekzistenca e zbrazët, e kotë, për jetën domethënëse dhe frytdhënëse.

Pa dyshim që mund të këndoj me psalmistin Haleluja!

Ai ulet në fron, në fronin atje lart,

Ai ulet në të duke qenë pa gabim;

Ai është objekti i dashurisë së Atit,

Tema e këngës së timit shpengim.

Edhe pse i lartë, Ai e pranon lavdërimin

Që njerëzit e Tij i ofrojnë këtu;

Thirrja më e brishtë, më e dobët që ata I ngrenë

Do të mbërrijë në veshin e Shpëtimtarit.

Thomas Kelly

Psalmi 114: Prania e fuqishme e Zotit

114:1 Saga e shpengimit të Izraelit nga Egjipti, përvojat e tij në shkretëtirë dhe mbërritja e tij në Tokën e Premtuar ishin një shfaqje e mrekullueshme e fuqisë së Perëndisë nga fillimi në fund. Në fakt, për mendjen judease ishte shfaqja më e madhe e fuqisë hyjnore që kishte ndodhur ndonjëherë.

Çfarë kohe historike qe ajo kur Izraeli doli nga Egjipti, kur mbaruan vitet e gjata të robërisë dhe shtypjes! Cili mund të masë ekstazën e popullit që shpëtoi nga egjiptianët? Tashmë ata nuk do të përkuleshin nën kërcënimet dhe mallkimet e shprehura ndaj tyre me një gjuhë të huaj!

114:2 Dikur territori caktuar fisit të Judës u bë shenjtorja e Perëndisë. Tempulli ishte ngritur në Jerusalem. Dhe tërë vendi i Izraelit u bë zotërimi i tij – një zonë për të cilën tregoi kujdes të palodhur. Ajo që ishte e vërtetë në kuptim gjeografik për Judën dhe Izraelin atëherë është e vërtetë në një kuptim frymëror për kishën sot.

114:3 Kur populli izraelit shkoi në Detin e Kuq, ujërat hodhën vështrimin dhe u tërhoqën në panik. Por jini të sigurt se nuk ishte për shkak të pamjes së turmës së çrregullt të të larguarve. Deti ngriti sytë dhe pa Krijuesin e tij, pastaj menjëherë u kthye prapa në mënyrë që Izraeli të mund të kalonte nga ana tjetër pa u lagur këmbët.

Ishte e njëjta gjë dyzet vjet më vonë kur ata u futën në Tokën e Premtuar. Lumi Jordan ndali rrjedhën e tij para qytetit të Adamit dhe pengesa e fundit për t’u futur në vend u bë rrugë e shtruar.

Kalimet e Detit të Kuq dhe të lumit Jordan janë dy pjesë të këtij kapitulli epik në historinë e kombit. Kalimi i Detit të Kuq simbolizon shpengimin tonë nga bota me anë të fuqisë së Perëndisë përmes njëjtësimit tonë me Krishtin në vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Tij. Kalimi i Jordanit flet për çlirimin nga endja në shkretëtirë dhe futja në trashëgiminë tonë frymërore, përsëri përmes vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Krishtit.

114:4 Midis këtyre dy ngjarjeve kishte shembuj të tjerë të mrekullueshëm të fuqisë së Perëndisë. Një ndër shembujt më spektakolarë ishte dhënia e ligjit në malin Sinai. Natyra ishte aq e tronditur saqë malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja. Duket se lavdia e Perëndisë ishte aq mbisunduese saqë e tërë zona po tronditej si prej një kataklizmi. Aq e frikshme ishte pamja sa Moisiu, njeriu i Perëndisë, tha: “Unë jam i frikësuar dhe po dridhem i tëri” (Heb. 12:21). Shkrimtari i Letrës Drejtuar Hebrenjve na kujton se ne nuk kemi shkuar tek ai mal i frikshëm i ligjit, por te froni i hirit.

Tmerret e ligjit dhe Perëndisë

Nuk kanë të bëjnë fare me mua;

Bindja dhe gjaku i Shpëtimtarit tim

Fsheh nga sytë e Tij tërë shkeljet e mia.

Augustus M. Toplady

114:5,6 Psalmisti është aq i gëzuar nga këto shfaqje të fuqisë së Perëndisë saqë shtyn detin, Jordanin, malet dhe kodrat për të shpjeguar pse vepruan në atë mënyrë.

114:7,8 Argumenti vijon që e tërë toka duhet të tregojë nderimin dhe respektin më të thellë për një Perëndi të tillë. Ai është më i madhi UNË JAM-i dhe në të njëjtën kohë është Perëndia i Jakobit, i denji. Ai e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji. Kjo ndodhi dy herë (Eks. 17:6; Num. 20:11). Populli i Izraelit ishte plotësisht pa ujë. Ata u ankuan dhe madje dëshiruan të ktheheshin në Egjipt. Perëndia në mënyrë të mrekullueshme siguroi një burim uji nga një shkëmb, në fillim në Horeb, pastaj në Meriba. Pali na thotë se shkëmbi ishte një figurë e Krishtit, i ngjitur për ne në Kalvar dhe që u jep ujë jetëdhënës të gjithëve atyre që shkojnë tek Ai me besim (1 Kor. 10:4).

Psalmi 115: Refuzimi i idhujve nga Izraeli

Judenjtë tashmë ishin kthyer nga mërgimi i tyre në Babilon. Ata ndodhen tashmë në tokën e tyre. Por këtë kthim ata nuk ia kushtojnë vetes së tyre. Ripërtëritja e tyre është falë Jehovahut. Ai e bëri një gjë të tillë për shkak të dashurisë së padështueshme për popullin e Tij dhe për shkak të besnikërisë ndaj premtimit të Tij.

115:1,2 Për një kohë të gjatë paganët ishin tallur me izraelitët: “Ku është tani Perëndia juaj? Nuk duket se i intereson për ju kur ju lë të lëngoni në robëri për shtatëdhjetë vjet!”. Por ata nuk mund ta thonë më këtë. Tallja dhe përqeshja e tyre kanë reshtur. Perëndia e ka çuar në vend emrin e Tij.

115:3 Duhet të jetë e dukshme tani për tërë botën se Perëndia i vërtetë është i jashtëzakonshëm – “Perëndia ynë është në qiejt” dhe Ai është sovran – “Ai bën tërë atë që i pëlqen“. Transcendenca e Perëndisë do të thotë se Ai përlëvdohet përmbi tërë gjithësinë dhe se është i veçuar nga ajo. Sovraniteti i Perëndisë do të thotë se Ai është i lirë të bëjë atë që i pëlqen dhe ajo që i pëlqen Atij është gjithmonë e mirë, e drejtë dhe e zgjuar.

115:4-7 Për shkak të idhujtarisë së tyre, Perëndia lejoi që judenjtë të çoheshin në mërgim nga babilonasit. Por tani që kishin mësuar rëndësinë dhe kotësinë e idhujve, ata i tallnin paganët për shëmbëlltyrat e tyre të skalitura.

Idhujt bëhen prej argjendi dhe ari dhe për këtë arsye vlera e tyre përcaktohet nga kushtet e tregut. Ata punohen nga njerëzit dhe për këtë arsye janë më poshtë se ata që i adhurojnë. Kanë gojë, por nuk mësojnë, apo parathonë të ardhmen. Kanë sy, por nuk shohin problemet e popullit të tyre. Kanë veshë, por nuk kanë fuqi të dëgjojnë lutjen. Kanë hundë, por nuk nuhasin temjanin që u ofrohet. Kanë duar, por nuk kanë fuqi të ndiejnë. Kanë këmbë, por nuk lëvizin nga vendi ku vihen. Me grykën e tyre nuk arrijnë të nxjerrin asnjë zë.

115:8 Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë. Ekziston një parim i caktuar në botën frymërore se njerëzit bëhen si ajo që adhurojnë. Standardet e tyre morale formohen nga perëndia i tyre. Tërë ata që u besojnë shëmbëlltyrave bëhen të papastër, të dobët, të topitur dhe që nuk kuptojnë.

115:9 Vetëm Jehovahu është i denjë për besim. Kështu tani një solist del para dhe i bën thirrje Izraelit për një jetë me besim të palëkundshëm tek Zoti. Kori përgjigjet në rrëfim – Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

115:10,11 Pastaj shtëpia priftërore e Aaronit nxitet ta vërë besimin e saj pa ngurruar në Zotin; kori përsëri përgjigjet me pranimin se Ai është ndihma dhe Mbrojtësi i provuar dhe i vërtetuar. Herën e tretë drejtuesi i korit e drejton thirrjen e tij ndaj tërë atyre që kanë frikë nga Zoti, mbase duke përfshirë edhe johebrenjtë e kthyer gjithashtu. Ata gjithashtu e dinë se Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

115:12-15 Duket sikur janë priftërinjtë ata që pasojnë këngën, duke e siguruar popullin se i njëjti Zot që e kujtoi kombin për të mëkëmbur fatet e tyre do t’i bekojë ata – popullin, priftërinjtë, prozelitët, njerëzit e çdo moshe, radhe, klase dhe gjendjeje. Ata luten që Perëndia të bekojë popullin e Tij dhe pasardhësit e tyre të vegjël e të mëdhenj – mbase duke menduar për rritjen numerike për një komb radhët e të cilit ishin sosur. Por lutja mund të përfshijë gjithashtu begatinë frymërore dhe materiale. Përveç të tjerash ata kërkuan bekimin e përgjithshëm të Zotit, Atij që ka bërë qiejt dhe tokën.

115:16 Perëndia bëri qiejt si vendbanimin e Tij, por Ai e caktoi tokën si vendin ku do të banonin njerëzit. Dhe në këtë vend njeriu mund të adhurojë dhe mund t’i shërbejë Atij.

115:17,18 Vargu 17 pasqyron pikëpamjen e përgjithshme të shenjtorëve të DhV se vdekja bën që të reshtë aftësia e njeriut për të lavdëruar Zotin. Me aq sa dinë ata, të vdekurit janë në një gjendje heshtjeje varri. Ne tani dimë se ata që vdesin në besim kalojnë menjëherë në praninë e Zotit. Edhe pse trupat e tyre prehen të qetë në varr, frymët e tyre janë të lira të adhurojnë dhe të kremtojnë Zotin. Por pika më e lartë e argumentit të tyre është e vlefshme për ne – pra, ne duhet ta bekojmë Zotin ndërsa jemi gjallë. Dhe ky është zotimi me të cilin e mbyll psalmisti:

Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Haleluja.

Psalmi 116: Unë e dua Zotin!

Gëzimi dhe hareja e mëngjesit të parë të Pashkës po këndojnë në tërë psalmin. Varri i kopshtit është bosh. Krishti është ringjallur prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit të Tij. Dhe tashmë Ai shpërthen në një këngë falënderimi drejtuar Perëndisë për lutjen që ka marrë përgjigje në lidhje me ringjalljen e Tij.

116:1-4 Vini re se si fillon: “Unë e dua Zotin“. Një shprehje e shkurtër, megjithatë kemi adhurimin më të pastër. Për shpirtin e ndrojtur që mendon gabimisht se Perëndisë mund t’i afrohesh me gjuhë madhështore, duhet të jetë një nxitje e madhe të dish se pohimi më i thjeshtë i dashurisë për Zotin është adhurimi i vërtetë.

Por nuk duhet të ndalemi këtu. Ashtu si Shpëtimtari, ne mund të vazhdojmë të shpallim gjërat e mëdha që Perëndia ka bërë për ne. Edhe ky është adhurim. Zoti Jezus teproi me falënderime të pareshtura, sepse Ati i Tij dëgjoi lutjet e Tij plot ankth nga Gjetsemani dhe Golgota. Kur vdekja po shtrëngonte litarët e saj rreth Tij dhe ankthet e tretjes fizike e kishin pushtuar, kur Ai po duronte agoninë që nuk mund të përshkruhet, atëherë Ai i drejtohet Zotit që ta shpëtojë. Dhe Zoti e bëri. Megjithëse Ai nuk e shpëtoi nga vdekja fizike, Ai e shpëtoi nga përfundimi i varrit kur e ringjalli prej së vdekurish.

116:5,6 Një element i tretë adhurimi gjendet duke treguar shkëlqimet e Zotit. Krishti i ngjallur këtu rendit disa nga virtytet e Perëndisë që u shfaqën në ringjalljen e Tij. Perëndia është i dhembshur, pra, i mirë dhe i dashur. Perëndia është i drejtë; gjithçka që Ai bën është e drejtë dhe e ndershme. Perëndia ynë është i mëshirshëm; Ai ka një dhembshuri të madhe. Zoti mbron njerëzit e thjeshtë, që në rastin e Zotit Jezus në kryq nënkuptonte se Ai ruajti të sinqertin, të padjallëzuarin apo të pashpresin. Perëndia i shpëton njerëzit e Tij kur ata janë në rrezik.

116:7 Së fundi, Perëndia mbush me të mira ata që besojnë në Të – Ai nuk është dorështrënguar në ato që jep. Dhe po kështu Zoti Jezus thotë: “Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde“. Shqetësimi, ankthi, agonia e Tij kanë përfunduar. Perëndia e ka dëgjuar dhe e ka çliruar Atë. Tashmë Ai futet në prehjen e merituar.

116:8-11 Tani Zoti ynë bën një përmbledhje të asaj që Ati i Tij ka bërë për Të. Mësojmë nga kjo se nuk ka pse të kemi frikë ta shtyjmë veten në mënyrë të vazhdueshme në adhurim. Perëndia nuk lodhet kurrë të dëgjojë bijtë e Tij në lavdërim. Dhe kjo temë është e denjë për përsëritje të pafundme. Zemra e Krishtit ishte plot me mirënjohje ndaj Atit për çlirimin e Tij të trefishtë: Jeta e Tij ishte çliruar nga vdekja; sytë e Tij ishin çliruar nga lotët; dhe këmbët e Tij nga rrëzimi apo shkatërrimi. Tashmë Ai ecte në prani të Zotit në tokën e të gjallëve – një fitore mbi mëkatin, vdekjen, varrin dhe Sheolin.

Vazhdimësia e mendimit në vargjet 10 e 11 është tepër e vështirë. Mbase versioni TEV paraqet domethënien e përgjithshme:

E ruajta besimin edhe kur thashë: “Jam plotësisht i dërrmuar”, madje kur isha i frikësuar thashë: “Nuk mund të kesh besim tek askush”.

Besimi i Tij nuk u lëkund, qoftë edhe në çastet e agonisë më të thellë, apo kur njerëzit vërtetuan se sa të pabesueshëm ishin. Ajo që Ai tha nuk doli nga mosbesimi, por nga bindja e thellë.

116:12,13 Dhe këtu kemi një element të fundit adhurimi, ashtu siç shprehet nga pyetja: “Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?“. Në rastin tonë as që mendohet të mund t’ia shpërblejmë Atij; çdo shpagim që mund të ndërmarrim do të ishte një fyerje ndaj hirit të Tij. Por është një dëshirë e brendshme t’i përgjigjemi hirit të Tij në ndonjë mënyrë të duhur. Mënyra është të ngresh kupën e shpëtimit dhe të thërrasësh emrin e Zotit. Të ngresh kupën e shpëtimit do të thotë të shprehësh falënderim ndaj Zotit që na ka shpëtuar. Të thërrasësh emrin e Zotit do të thotë të kryesh një vepër të veçantë përkushtimi duke pranuar madhështinë e shpëtimit të Tij.

116:14 Shpëtimtari i ringjallur ishte i vendosur të plotësonte zotimet e Tij ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij. Këto ishin zotime lavdërimi, adhurimi dhe falënderimi që Ai i bëri para dhe gjatë vuajtjeve në Kalvar. Tashmë Ai përmbush ato zotime.

116:15 Përsëri rrjedha e mendimit duket se ndërpritet menjëherë nga vëzhgimi i Zotit: “Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij“. Edhe sikur të kemi vështirësi për ta përshtatur me kontekstin, përsëri mund ta shijojmë atë si një tekst të veçuar. Është e vërtetë për tërë të shenjtët – vdekja e tyre është e çmueshme para Perëndisë sonë, sepse do të thotë se ata janë me Të në lavdi. Por nuk ishte më e vërtetë në rastin e Zotit Jezus. Vdekja e Tij ishte e çmueshme para Atit të Tij, sepse siguronte një bazë të drejtë mbi të cilën Ai mund të shfajësonte mëkatarët e pabesë.

116:16,17 Në vargun 16, Jezusi, i Ringjalluri, është ende “Shërbëtori i Jehovahut”. Është njëlloj sikur të kishte thënë: “Unë e dua zotërinë time… nuk dua të shkoj i lirë” (Eks. 21:5). Kështu që Ai betohet si një shërbëtor përgjithmonë. Si Bir i shërbëtores së Perëndisë, Ai betohet t’i shërbejë Perëndisë ashtu siç bëri nëna e Tij Mari, sepse Jehovahu kishte këputur lidhjet e Tij.

116:18,19 Përsëri Ai betohet të ofrojë një flijim falënderimi dhe do të përmendë emrin e Zotit. Në mbledhjen e popullit të Perëndisë, mbledhur në tempull në Jerusalem, Zoti Jezus do t’i plotësojë zotimet e Tij ndërsa i drejton ata në një kor tingullplot lavdërimi ndaj Zotit. Kjo do të ndodhë kur Ai, Emanueli i madh, do të kthehet në tokë për të marrë skeptrin e gjithësisë në dorën e Tij të shpuar nga gozhdët.

Psalmi 117: Johebrenjtë lavdërojnë Perëndinë

Në këtë kapitull të shkurtër të Biblës, kombet jojudease thirren të lëvdojnë Zotin…, sepse e madhe është dhembshuria dhe besnikëria e tij e përjetshme. Apostulli Pal e kishte kuptuar domethënien dhe citon vargun 1 te Romakëve 15:11 për të treguar se kombet jojudease kanë të përbashkët me Izraelin të njëjtën mëshirë të Mesias. Ai nuk erdhi vetëm për të konfirmuar premtimet e dhëna patriarkëve, por gjithashtu që “johebrenjtë të lavdërojnë Perëndinë për mëshirën e Tij”.

Parafraza madhështore na jep mesazhin e psalmit në rreshtat e një bukurie të pazakontë:

Nga gjithçka që banon poshtë qiejve,

Le të ngrihen lavdërime drejt Krijuesit;

Në çdo vend, nga çdo gjuhë,

Le t’i këndohet emrit të Shpenguesit.

Të përjetshme janë mëshirat e Tua, o Zot;

E vërtetë e përjetshme është fjala Jote;

Lavdërimet e Tua nga çdo anë do të zhurmojnë,

Derisa dielli të mos lindë dhe perëndojë.

Isaac Watts

Psalmi 118: Ja Mbreti yt!

Rasti i këtij kori të madhërishëm lavdërimi është Ardhja e Dytë e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht. Skena është Jerusalemi ku janë mbledhur turmat për të kremtuar ngjarjen e shumëpritur të Mesias. Në hijen e tempullit, një solist zë vend në mikrofon dhe kori qëndron pas tij. Një heshtje mbulon tërë turmën.

118:1 SOLISTI: Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë!

KORI: sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

(Në tërë turmën mendjet e tyre po pohojnë në zemër).

118:2 SOLISTI: Po, Izraeli le të thotë tani:

KORI: “Dhembshuria e tij vazhdon përjetë”.

118:3 SOLISTI: Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë:

KORI: “Dhembshuria e tij vazhdon përjetë”.

(“Amenët” e shqiptuar me forcë ngrihen nga priftërinjtë që qëndrojnë te dera e tempullit).

118:4 SOLISTI: Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti:

KORI: “Dhembshuria e tij vazhdon përjetë”.

(Në këtë çast, një grup johebrenjsh, që kanë frikë nga Perëndia, kafshojnë buzët dhe fshijnë lotët e mirënjohjes për hirin që u ka bërë të mundur të shijojnë në këto çaste këtë lavdi).

118:5-9 SOLISTI: Në ankth kërkova Zotin,

dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.

Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë;

Çfarë mund të më bëjë njeriu?

Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë,

Dhe unë do ta shikoj triumfues mbi armiqtë e mi.

Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti

sesa t’i kesh besim njeriut.

Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti

sesa t’u kesh besim princave.

(Turma e kupton se kjo është gjuha e pjesës së mbetur të Izraelit, e ruajtur në mënyrë të mrekullueshme nga Perëndia gjatë Periudhës së Mundimit të Madh. Ata kanë mësuar të besojnë vetëm në Perëndinë dhe u ka ikur frika nga njerëzit. Në fund ata kuptojnë se është më mirë të gjesh strehë te Zoti sesa t’u kesh besim princave, pra, njerëzve më të mirë).

118:10 SOLISTI: Tërë kombet më kishin rrethuar,

KORI: por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.

118:11 SOLISTI: Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar,

KORI: por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

118:12 SOLISTI: Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash;

(Ferrishtat bëjnë një zjarr spektakolar, por digjen shpejt).

KORI: Në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

118:13,14 SOLISTI: Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi. Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.

(Solisti po i referohet Antikrishtit te vargu 13 dhe trajtimit të tij kafshëror ndaj pjesës së mbetur për shkak të refuzimit të tyre për t’iu nënshtruar kërkesave të tij. Në kohën e duhur Zoti ndërhyri dhe e hodhi mesian e rremë në liqenin e zjarrit [Zbulesa 19:19,20]).

118:15,16 SOLISTI: Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve;

(Në tërë Izraelin ka festë të pareshtur për triumfin e Mesias. Në çdo shtëpi njerëzit po këndojnë këtë këngë fitoreje).

KORI: Dora e djathtë e Zotit bën çudi. E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.

118:17,18 SOLISTI: Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit. Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.

(Duke folur si pjesa e mbetur, solisti kujton masakrat e shumta të ndërmarra kundër judenjve dhe qëllimet e tyre për shfarosje. Por Zoti në mënyrë të mrekullueshme i shpëtoi ata nga goja e luanit dhe tashmë ata e shohin të ardhmen me besim dhe siguri).

118:19,20 SOLISTI: Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.

(Izraeli i shpenguar kërkon të futet në oborrin e tempullit që t’i ofrojë flijime falënderimi Zotit. Sistemi i flijimeve do të rivendoset pjesërisht gjatë mbretërimit të Krishtit me flijimet që kujtojnë Kalvarin, pra, ato do të jenë si përkujtimore).

KORI: Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.

(Këto janë fjalët e atyre levitëve që janë derëtarët e tempullit. Ata shpjegojnë se kjo portë i përket Jehovahut dhe është për përdorimin e atyre të perëndishmëve që dëshirojnë t’i afrohen Atij).

118:21,22 SOLISTI: Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.

(Izraeli e pranon Zotin Jezus Krisht si Shpëtimtarin e tij).

KORI: Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.

(Zoti Jezus është guri. Ndërtuesit ishin judenjtë dhe sidomos udhëheqësit e tyre fetarë, që e refuzuan Atë në Ardhjen e Tij të parë. Tashmë populli i Izraelit rrëfen atë që Parkeri e quan “marrëzinë e specialistëve” ndërsa ata shohin nazaretasin e përçmuar të kurorëzuar me lavdi dhe nder. Guri i refuzuar është bërë Guri i qoshes [ASV]. Ka disa pyetje se kujt i referohet guri i qoshes: 1. gurit të qoshes së një ndërtese; 2. gurit qendror të qemerit; 3. gurit të majës së një piramide. Cilado qoftë pikëpamja e saktë, konteksti kërkon nderin më të lartë).

118:23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë.

(Kori përfaqëson Izraelin duke pranuar se është Jehovahu që i ka dhënë Zotit Jezus vendin e duhur në zemrat dhe dashuritë e popullit të Tij. Dita e kurorëzimit erdhi më në fund!).

118:24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.

(Barnsi {Barnes} shkruan: “Sikur të ishte një ditë e re, bërë enkas për këtë rast, një ditë të cilën populli nuk priste ta shikonte dhe që dukej se ishte krijuar jashtë rrjedhës së zakontë dhe që i shtohej ditëve të tjera” [79]).

118:25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.

(Ky është vargu që populli i Jerusalemit e citonte në kohën e hyrjes së ashtuquajtur triumfuese të Krishtit; “Hosana” është fjala origjinale që përkthehet “Shpëto tani” [Mt. 21:9]. Por ata shumë shpejt e ndryshuan mirëpritjen e tyre në një thirrje për ekzekutimin e Tij. Tani, megjithatë, Izraeli po mirëpret Zotin në ditën e fuqisë së Tij dhe ndjenjat e tyre janë si të sinqerta, po ashtu edhe të përjetshme).

118:26 SOLISTI: I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit;

(Ndërsa Zoti i afrohet zonës së tempullit, kryekëngëtari këndon bekimet e popullit në zëra kushtrimi. Ky është një çast historik. Shekuj më parë Jezusi e kishte paralajmëruar popullin e Izraelit se ata nuk do ta shikonin më derisa të thoshin: “I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!” [Mt. 23:39]. Tani të paktën ata e pranojnë me gëzim Atë si Mesi dhe Mbret).

KORI: Ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

(Mbase ky është bekimi i priftërinjve që qëndrojnë para derës së tempullit).

118:27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.

(Populli i Izraelit adhuron Jezusin si Perëndi dhe si Atë, që ka hedhur dritë në zemrat e tyre të errëta. Ndërsa turma i drejtohet altarit të bronztë, me Të në ballë, ata kërkojnë litarët për të lidhur viktimën e flijimit).

118:28,29 SOLISTI: Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.

(Zoti Jezus Krisht rrëfehet si Perëndi nga një popull që më parë e përdorte emrin e tij për nam të keq).

KORI: Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

(Kënga është ngritur me një kreshendo lavdërimi dhe adhurimi tepër të thellë. Muzika ushton nëpër rrugët përqark Jerusalemit të vjetër. Pastaj sikur të fashitet gjithçka, populli kthehet në banesat e tij për të shijuar mbretërinë e mrekullueshme njëmijëvjeçare të Zotit të lavdishëm që ka të drejtën të mbretërojë).

Psalmi 119: Gjithçka rreth Biblës

Ky është quajtur alfabeti i artë i Biblës. Arsyeja është se psalmi ndahet në njëzet e dy pjesë, një për secilën shkronjë të alfabetit hebraik. Çdo pjesë ka tetë vargje dhe çdo varg në një pjesë fillon me shkronjën gjegjëse hebraike. Prandaj në hebraisht çdo varg në pjesën e parë fillon me Alef; në pjesën e dytë çdo varg fillon me Beth, e kështu me radhë.

Në versionin NKJV të gjitha vargjet, veç katër prej tyre në psalmin më të gjatë, përmbajnë ndonjë titull apo përshkrim të Fjalës së Perëndisë. Katër përjashtimet janë vargjet 84, 121, 122 dhe 132. Emrat për të përshkruar Fjalën e Perëndisë janë: ligji, dëshmitë, rrugët, dekretet, statutet, urdhërimet, rregullat, fjala (fjalët), premtimet, gjykimet, besnikëritë, detyrat, drejtësia dhe urdhrat.

Duke përdorur alfabetin në këtë formë akrostike, Ridout-i mendon se shkrimtari mund të ketë hedhur idenë se “tërë mundësitë e gjuhës njerëzore nuk mjaftojnë për të caktuar plotësinë dhe përsosmërinë e Fjalës së Perëndisë” [80]. Ne e kemi të njëjtën ide edhe nga DhR. Zoti ynë flet për Veten si Alfa dhe Omega (Zbulesa 1:8). Këto janë, sigurisht, shkronjat e para dhe të fundit të alfabetit grek. Ideja është se Ai është gjithçka e mirësisë dhe përsosmërisë që mund të shprehet me çdo shkronjë të alfabetit, rregulluar në çdo ndërthurje të mundshme.

Nuk gjen dy vargje në psalm që shprehin të njëjtën gjë. Ka një hije të ndryshme kuptimi në secilin prej tyre.

Rreth Psalmit 119, Ljuizi (C. S. Lewis) ka thënë:

Poema nuk është dhe nuk mëton të jetë një shpërthim i menjëhershëm i zemrës, thotë Psalmi 18. Por është një shembull, diçka e bërë si qëndisja, syth pa sythi, përmes orëve të gjata e të qeta, për dashurinë e njeriut dhe për gëzimin në zejtarinë e shtruar dhe të disiplinuar [81].

Titujt e temave të mëposhtme për ndarjet e ndryshme të psalmit mbështeten pikësëpari në shënimet e Grentit (F.W. Grant):

v. 1-8 Bekimi që vjen nga bindja ndaj Fjalës.

v. 9-16 Pastrimi me anë të Fjalës.

v. 17-24 Dallimi me anë të Fjalës.

v. 25-32 Kuptimi i pamjaftueshmërisë vetjake përmes Fjalës.

v. 33-40 Fuqia e Fjalës.

v. 41-48 Fitorja me anë të Fjalës.

v. 49-56 Prehja dhe ngushëllimi përmes Fjalës.

v. 57-64 Këmbëngulja në Fjalë.

v. 65-72 Vlera e pamasë e Fjalës në kohë të mira dhe të këqija.

v. 73-80 Mprehtësia përmes Fjalës.

v. 81-88 I pikëlluari i mbështetur me anë të Fjalës.

v. 89-96 Përjetësia e Fjalës.

v. 97-104 Dituria me anë të Fjalës.

v. 105-112 Fjala një llambë dhe dritë në çdo rast.

v. 113-120 Të pabesët dhe Fjala.

v. 121-128 Ndarja dhe çlirimi përmes Fjalës.

v. 129-136 Gëzimi dhe përbashkësia përmes Fjalës.

v. 137-144 Zelli për Fjalën.

v. 145-152 Përvoja përmes Fjalës.

v. 153-160 Shpëtimi përmes Fjalës.

v. 161-168 Përsosuria përmes Fjalës.

v. 169-176 Lutja dhe lavdërimi përmes Fjalës.

Në një kuptim të thellë, psalmi shpreh dashurinë për Fjalën e Perëndisë, që Shpëtimtari ynë e përjetoi si një Njeri këtu në tokë. Gjithashtu Belleti (Bellet) hedh idenë se “në karakterin e tij profetik [ky psalm] do të jetë gjuha e Izraelit të vërtetë në kthimin e tij te Perëndia dhe orakujt e Tij të lëna pas dore me kohë” [82].

119:1 I lumi apo i lumturi është ai, jeta e të cilit është sipas Fjalës së Zotit. Edhe nëse ai mëkaton apo dështon, në Fjalë ka vend për rrëfim dhe ripërtëritje, dhe kjo e ruan atë në një gjendje të panjollë.

119:2 Është bindja ndaj mësimeve të Tij ajo që vlen – nuk është një bindje pa dëshirë, me gjysmë zemre, këmbëzvarrë, por një dëshirë e thellë dhe e madhe për ta kënaqur Atë me gjithë zemër.

119:3 Në mënyrë mohuese, lumturia gjendet në veçimin nga çdo formë e së keqes. Në mënyrë pohuese është ndjekja e rrugës që Ai ka paraqitur për ne në Shkrim. Mënyra më e sigurt për të qëndruar larg nga e keqja është të merresh plotësisht me të mirën, duke e bërë atë.

119:4 Urdhërimet e Perëndisë nuk janë zgjedhje, por urdhërime, dhe ato nuk duhen zbatuar në mënyrë të rastësishme, por me kujdes.

119:5 Psalmisti tani ndryshon pozicion: nga ajo që është e vërtetë në përgjithësi, në atë që ai do të jetë e vërtetë në vetë jetën e tij. Duke lëvizur pa e kuptuar nga urdhërimet te lutja, ai pranon se dëshira, po ashtu edhe fuqia për të qenë i qëndrueshëm në bindje, duhet të vijë plotësisht nga Perëndia.

119:6 Për aq kohë sa zbaton statutet e Zotit, ai do të kursehet nga turpi që torturon mendjen, të skuq faqen dhe ndonjëherë e bën trupin të përpëlitet.

119:7 “Nga lutja në lavdërim nuk është një udhëtim i gjatë apo i vështirë”. Ata që mësojnë t’u binden urdhërimeve të drejta të Perëndisë kanë gëzim me bollëk dhe kjo çon në një adhurim të vetvetishëm.

119:8 Vendimi i qëndrueshëm dyfishohet me varësi të përulur. Psalmisti është i vendosur të ndjekë fort Zotin. Por ai kupton paaftësinë e tij. Lutja “mos më braktis plotësisht” nuk është më tepër një e tashme e mundshme, sesa një pohim i asaj që shkrimtari ndien se meriton.

119:9 Një ndër problemet më vendimtare në jetë për çdo të ri është si të ruhet i pastër. Përgjigjja është – me anë të bindjes praktike ndaj fjalëve të Biblës.

119:10 Në çështjen e shenjtërisë ka një shkrirje kureshtare të dëshirës njerëzore (Të kam kërkuar me gjithë zemër) me frymëzimin hyjnor (Mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua).

119:11 Ai nuk na bën të shenjtë pa dashur ne të bëhemi të tillë apo pa bashkëpunimin tonë. Dikush ka thënë me mençuri: “Libri më i mirë në botë është Bibla. Vendi më i mirë për ta vënë atë është në zemër. Arsyeja më e mirë për ta vënë këtë atje është se ai na shpëton nga të mëkatuarit ndaj Perëndisë”.

119:12 Ngaqë Perëndia është shumë i madh dhe i dhembshur, natyra e ripërtërirë dëshiron të mësojë statutet e Tij dhe të përpihet prej tyre. Dashuria për Krishtin na shtrëngon!

119:13 Gëzimi i thellë në thesaret e Fjalës çon në mënyrë të pashmangshme në dëshirën për t’i ndarë ato me të tjerët. Është një ligj jete që kur ne besojmë me të vërtetë diçka, ne dëshirojnë t’ua përcjellim të tjerëve.

119:14 Asnjë kërkues mineralesh nuk do të kënaqej më tepër me copat e tij të papunuara të metalit të arit, sesa ai që kërkon pasurinë e fshehur të Shkrimit.

119:15 Fjala e Perëndisë siguron burim të pafund materiali për përsiatjen më të kënaqshme, por kjo nuk duhet ndarë kurrë nga përcaktimi për të qenë bërës të Fjalës.

119:16 “Urdhërimet e tij nuk janë të rënda” (1 Gjon. 5:3). Cilido që ka lindur nga Perëndia do të kënaqet me statutet e Zotit dhe do të vendosë t’i zbatojë ato në përkujtim të vazhdueshëm.

119:17 Pa Të ne nuk mund të bëjmë dot asgjë. Ne kemi nevojë për hirin e Tij për të jetuar dhe gjithashtu për t’iu bindur fjalës së Tij. Le të kërkojmë hir me bollëk, meqë nevoja jonë është shumë e madhe.

119:18 Bibla është e mbushur plot me mrekulli, thesare frymërore, që janë fshehur ndaj një shikimi sipërfaqësor. Sytë tanë duhet të hapen për t’i parë.

119:19 Bibla është një hartë rrugore që e drejton shtegtarin që të mos humbasë vendmbërritjen e tij.

119:20 Është mirë kur etja jonë për Shkrimin është e madhe dhe e pareshtur. Shpirti i psalmistit ishte përpirë nga etja për Fjalën dhe ai kishte dëshirë të zjarrtë, të madhe në çdo kohë.

119:21 Historia gëlon me shembuj se si kryelartët dhe të pacipët kanë sfiduar urdhërimet e Zotit dhe shumë shpejt u rrëzuan nga dora e fuqishme e Perëndisë.

119:22 Besimtari tallet dhe përqeshet nga bota. “Prandaj iu duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju” (1 Pjetrit 4:4). Por ndershmëria do të shpërblehet, dhe kur Ai të thotë “të lumtë”, do të kompensojë turpin dhe përbuzjen.

119:23 Edhe kur ata që janë në pozicione pushteti bashkëpunojnë për të shpifur ndaj të krishterit, ai mund të gjejë forcë dhe ngushëllim duke përsiatur mbi Biblën dhe “t’i përgjigjet shpifësve të vet duke mos iu përgjigjur fare”.

119:24 Methju Henri (Matthew Henry) komenton:

A ishte në hall Davidi se çfarë duhet të bënte kur princat flisnin kundër tij? Statutet e Perëndisë ishin ngushëlluesit e tij dhe ato e ngushëllonin për t’i kaluar këto sprova me durim dhe ia dorëzonte çështjen e tij Perëndisë [83].

119:25 Jeta kalon nëpër lugina, po ashtu edhe nëpër maja të larta. Edhe kur jemi të mbushur me brenga, ne mund t’i drejtohemi Zotit për t’u ringjallur me anë të fuqisë ripërtëritëse të fjalës.

119:26 Kur ne tregojmë rrugët tona, pra, bëjmë një rrëfim të hapur të mëkateve tona, Zoti na përgjigjet duke na falur. Kjo na çon në një dëshirë të ripërtërirë për shenjtëri, siç shprehet në lutjen: “Më mëso statutet e tua“.

119:27 Ne duhet të kuptojmë domethënien e urdhërimeve të Perëndisë dhe t’i zbatojmë ato në jetën tonë praktike. Kjo do të na çojë në përsiatje mbi mrekullitë e Perëndisë.

119:28 Në çastet e errëta të jetës, kur jeta tretet në lot, Perëndia i çdo ngushëllimi përkulet dhe zakonisht me një varg të vetëm të Shkrimit na ngre dhe na forcon për të vazhduar para.

119:29 Me anë të Frymës së Perëndisë dhe përmes Fjalës së Perëndisë ne mund të bëjmë dallimin midis së vërtetës dhe gabimit. Bibla mbështet një urrejtje të shenjtë për çdo formë gënjeshtre. Ajo gjithashtu na mëson se çfarë thotë Perëndia për diçka është e vërtetë (Gjon. 17:17).

119:30 Askush nuk shkon vetvetiu pas shenjtërisë. Kjo kërkon një zgjedhje serioze të rrugës së besnikërisë ashtu siç është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë. Spërxhëni (Spurgeon) ka thënë: “Urdhërimet e Perëndisë duhet të jenë para nesh si një shënjestër për t’u goditur, si një shembull për t’u ndjekur dhe si një rrugë për të ecur”.

119:31 Psalmisti ishte lidhur me porositë e Perëndisë sikur të ishte ngjitur me to. Por ai ende kupton prirjen e tij për t’u shmangur dhe i thërret Zotit në një varësi të vetëdijshme.

119:32 Kur Perëndia na jep zemra të mëdha, jo koka të mëdha, atëherë ne shpejtojmë të zbatojmë urdhërimet e Tij. Është më tepër çështje dashurie sesa intelekti.

119:33 Ne duhet të lutemi për të marrë mësim. Si studentë në shkollën e Perëndisë, ne duhet të dëshirojmë me zjarr të mësojmë si t’i vëmë parimet në praktikë dhe të vendosim t’i bindemi Fjalës së Tij deri në fund të jetëve tona.

119:34 Ne duhet të lutemi për të marrë mençuri. Është e rëndësishme të kemi pikëpamjet e duhura të Shkrimit, të domethënies dhe detyrave të tij. Si mund ta ndjekim ndryshe Atë me përkushtim të pandarë?

119:35 Ne duhet të lutemi për drejtim. Fryma është gati, por mishi është i dobët. Kështu që duhet Zoti që të drejtojë këmbët tona në rrugën e vullnetit të Tij, sepse kjo është mënyra e vetme me anë të së cilës mund të jemi me të vërtetë të lumtur.

119:36 Ne duhet të lutemi për pasurimin frymëror në vend të atij material. “Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe kur njeriu kënaqet me aq sa ka” (1 Tim. 6:6). Është një mrekulli e hirit që heq dashurinë për para nga një njeri dhe e zëvendëson atë me dashurinë për Biblën.

119:37 Ne duhet të lutemi për realitete hyjnore, jo për hije hyjnore. Këtu është komenti i Perëndisë për televizionin: “Largoji sytë e mi nga gjërat e kota“. Televizioni paraqet një vend jo real, një botë që nuk ekziston. Fjala e Perëndisë merret me jetën, ashtu siç është në të vërtetë.

119:38 Ne duhet t’i lutemi Perëndisë që të mbajë premtimin e Tij. “Unë thërras tërë lumenjtë e hirit Tënd; në çdo premtim shkruaj emrin tim”. Thirrja jonë për premtimet e Tij mbështetet në faktin se ne kemi frikë nga Ai.

119:39 Ne duhet të lutemi që të ruhemi nga fyerjet, nga çdo gjë që i sjell turp dhe çnderim emrit të Zotit Jezus. Dekretet e Tij janë të mira; ne duhet t’i ndjekim ato me besnikëri.

119:40 Ne duhet të lutemi për gjallërim vetjak. “Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash” (Is. 35:7). Ndërsa ne digjemi dhe dëshirojmë me zjarr urdhërimet e Tij, Ai do të na gjallërojë në drejtësinë e Tij.

119:41 Ne nuk duhet ta marrim si aksiomë shpirtmadhësinë dhe shpëtimin e Perëndisë. Ne jemi të varur nga dhembshuria dhe mbrojtja e Tij njësoj siç qemë kur u shpëtuam. Kështu ne përmendim premtimin e Tij për t’u kujdesur për ne dhe për të na ruajtur ditë pas dite.

119:42 Provat e pamohueshme të përgjigjeve të Zotit ndaj lutjes shërbejnë për t’ua mbyllur gojën fyerjeve të jobesimtarëve. Besimi ynë mbështetet në fjalën e Perëndisë, që nuk mund të dështojë kurrë.

119:43 Kurrë mos paçim frikë apo turp të flasim fjalën e së vërtetës. Nëse ne kemi shpresë te dekretet e Perëndisë, Ai do të sigurojë mundësi të vazhdueshme për të dëshmuar për Të.

119:44 Përgjigjja jonë ndaj dashurisë dhe hirit të Tij duhet të jetë një vendim i pandryshuar për të respektuar Fjalën e Tij për aq kohë sa jetojmë. “Si mund të rri pa i dhënë Atij më të mirën time dhe të jetoj për Të plotësisht pas gjithë asaj që Ai ka bërë për mua?”.

119:45 Ata që janë çliruar nga Biri i Perëndisë janë me të vërtetë të lirë (Gjon. 8:36). Bota mendon për jetën e krishterë si një sistem robërie. Por ata që kërkojnë urdhërimet e Tij janë ata që gëzojnë lirinë e përsosur.

119:46 Besimi shton guximin për të folur për Jezusin në prani të mbretërve. Sa shumë pushtetarë e kanë dëgjuar Lajmin e Mirë nga njerëz të përulur dhe zakonisht të përçmuar!

119:47 Ata që e duan Biblën gjejnë gëzim të thellë vetjak në faqet e saj. Ajo është një burim kënaqjeje, një lumë gëzimi, një burim i pashtershëm kënaqësie.

119:48 Ne e nderojmë Biblën në kuptimin se qëndrojmë me ndrojtje për shkak të fushës së veprimit, thellësisë, fuqisë, thesarit dhe pafundësisë së saj. Ne e duam për atë që është dhe për atë që ka bërë. Dhe ne mendohemi mbi të ditë e natë.

119:49 Nuk është e mundur që Perëndia të harrojë ndonjëherë premtimin e Tij, por në mes të pikëllimit, kur besimi bie, na lejohet të lutemi: “O Zot, mbaje mend…”. “Ai nuk mund të na ketë mësuar të besojmë në emrin e Tij dhe më pas të bëjë që të turpërohemi”.

119:50 Ata që kanë përjetuar fuqitë e menjëhershme të fjalës e kanë atë si një burim të padështueshëm përdëllimi. Fjalët e njerëzve të ditur janë zakonisht boshe dhe të padobishme, por Fjala e Perëndisë është gjithmonë e gjallë, e rëndësishme dhe e frytshme.

119:51 Nëse i qëndrojmë besnikë Zotit, mund të presim të marrim pjesën tonë të përqeshjeve dhe të talljeve therëse, por, kur kemi gjetur parimet hyjnore, duhet t’i ngjitemi atyre.

119:52 Ne jemi të nxitur nga të kujtuarit e rrugëve se si Zoti ka ndërhyrë për ne në të shkuarën. E njëjta mëshirë që na ka çuar kaq larg do të na marrë me siguri për rrugën që ka mbetur. “Dashuria e Tij në të shkuarën na ka penguar të mendojmë se Ai do të na lërë në fund në errësirë për t’u zhytur në të”.

119:53 Kur shikon ligjin e Perëndisë të çnderohet dhe të mos marrë bindje, kjo gjë bën që besimtarit t’i shkaktohet indinjatë. Kjo ishte e vërtetë edhe për Zotin Jezus: “Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua” (Rom. 15:3). Çdo çnderim ndaj Atit është marrë si një fyerje për Birin.

119:54 Falë Fjalës së mrekullueshme të Perëndisë, shtegtari mund të këndojë në shtëpinë e shtegtimit të tij, ose, ashtu siç e përkthen Knoksi (Knox): “në vendin e mërgimit”. Rruga mund të jetë e ashpër, por nuk mund të jetë e gjatë. Nata mund të jetë e errët, por Perëndia jep një këngë.

119:55 Orët, në pamje të parë të pambarueshme të natës së pagjumë, mund të shpengohen duke menduar thellë për Zotin ndërsa Ai është zbuluar në Fjalë. Sa më tepër përpiqemi ta njohim Atë, aq më tepër do ta duam dhe, duke dashur Atë, do të duam të respektojmë ligjin e Tij.

119:56 Bindja është një bekim. “Perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë” (1 Tim. 4:8).

119:57 Kuptimi i thesarit të pakrahasueshëm që kemi në Zotin duhet të na shtyjë të betohemi që të respektojmë fjalët e Tij. Ai është i Vetëmjaftueshmi. Të kesh Atë do të thotë të jesh tejet i pasur.

119:58 Edhe pse Ai është i vetëmjaftueshëm, ne nuk jemi të tillë. “Aftësia jonë vjen nga Perëndia” (2 Kor. 3:5). Kështu ne duhet të jemi njerëz të lutjes, duke kërkuar me ngulm favorin e Perëndisë dhe duke kërkuar premtimin e Tij për mëshirë.

119:59 Drejtimi është një problem i përhershëm. Cilën rrugë duhet të ndjekim? Ta themi hapur, ne nuk kemi dituri në vetvete për ta ditur. Mirë, atëherë. Le t’i kthejmë hapat tona drejt shtigjeve të caktuara nga Shkrimi.

119:60 Ne jetojmë në një kohë ushqimesh të çastit, shërbimesh të çastit dhe shumë gjërash të tjera të çastit. Bindja e menjëhershme ndaj vullnetit të zbuluar të Perëndisë është diçka mbi të cilën duhet të mendojmë dhe duhet ta bëjmë.

119:61 Të pabesët mund të ngrenë kurthe ndaj besimtarëve të pafajshëm, por kjo është një arsye më tepër për të kujtuar Fjalën për drejtim dhe mbrojtje.

119:62 “Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë” (Veprat e Apostujve 16:25). Ata po trajtoheshin padrejtësisht nga njerëzit, por ata mund të këndonin për dekretet e drejta të Perëndisë.

119:63 Ata që e duan Perëndinë e duan popullin e Tij. Dhe ata që duan Biblën duan tërë ata që e duan atë. Është një përbashkësi mbarëbotërore që tejkalon dallimet kombëtare, shoqërore dhe racore.

119:64 Dashuria e qëndrueshme e Perëndisë mund të gjendet kudo në botë, por më tepër se kaq, toka është e mbushur me të. Zemrat tona mirënjohëse përgjigjen duke thënë: “O Zot, na bëj të aftë të mësojmë me anë të Frymës Sate të Shenjtë”.

119:65 Sa kohë ka që kur kam falënderuar Zotin për mënyrën e mrekullueshme me të cilën më ka trajtuar sipas premtimit të fjalës së Tij? “Numëro bekimet / merri një nga një / është një mrekulli sa Zoti të ka dhënë!”.

119:66 Të gjithë kemi nevojë të lutemi që të gjykojmë drejt, po ashtu edhe për njohje. Është e mundur të kemi njohje pa dallim dhe pa baraspeshim. Nga Fjala dhe nga disiplina e jetës ne mësojmë gjykimin e shëndoshë.

119:67 Disiplina e Perëndisë “u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të saj” (Heb. 12:11). Të kujtuarit e çfarë na kanë kushtuar endjet shërben si një përmbajtje, maturi e shëndetshme kundër përsëritjes së tyre.

119:68 Fjalët në anglisht “Perëndi” dhe “i mirë” mund të kenë të njëjtën prejardhje. Perëndia është i mirë dhe çdo gjë që Ai bën është e mirë. Për t’u bërë i mirë, duhet të marrim zgjedhën e Tij mbi supe dhe të mësojmë prej Tij.

119:69 Kur të pabesët përpiqen të shkatërrojnë reputacionin tonë me gënjeshtra, mund të gjejmë mbrojtje në bindjen besnike dhe të pandryshueshme ndaj Biblës.

119:70 Ata që ecin sipas botës le të zhgërryhen në luks e kënaqësi. Ne gjejmë kënaqësinë tonë në mësimin frymëror më tepër sesa në përmbushjen e dëshirave sensuale [shqisore].

119:71 Vuajtjet janë vetëm për një kohë, por përfitimet e vuajtjes mbeten përgjithmonë. Njerëzit ndërmarrin përndjekje ndaj nesh për të na dëmtuar; Perëndia e përdor atë për mirë.

119:72 Bibla është mjeti material më i vlefshëm që kemi në botë. Një kompjuter mund të bëjë llogaritje të vështira në mënyrë të mrekullueshme, por nuk mund të regjistrojë vlerën e Shkrimit.

119:73 Meqë Perëndia na ka bërë me aftësi të mrekullueshme, çfarë ka më tepër të arsyeshme se sa që Ai të jetë gjithashtu edhe Mësuesi ynë! Ne duhet të zbulojmë qëllimet e Tij në krijimin tonë dhe t’i përmbushim ato tërësisht.

119:74 Provojmë një freski të fortë frymërore nëse takojmë një të krishterë që digjet për Zotin Jezus. Ata që kanë shpresë në Fjalën e Perëndisë bëhen radioaktivë me Frymën e Shenjtë.

119:75 Sëmundja, vuajtja dhe pikëllimi nuk vijnë drejtpërdrejt nga Perëndia, por Ai i lejon ato nën disa rrethana dhe pastaj i shfrytëzon për qëllimet e Tij. Është një shenjë pjekurie frymërore kur nuk i hakërrohemi Atij për drejtësinë dhe besnikërinë e Tij në tërë këto gjëra.

119:76 Dhe, megjithatë, ne jemi të dobët si pluhuri dhe kemi nevojë për dashurinë e Tij të dhembshur për të na mbajtur. “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Heb. 4:16).

119:77 Çdo shfaqje e dhembshurive të Perëndisë është si një transfuzion i freskët i jetës te shenjtori i shtypur. Ata që e kanë kënaqësinë e tyre në ligjin e Tij mund të kenë besim se Ai vjen afër për t’i ndihmuar.

119:78 Gelinoja (Gelineau) e përkthen kështu vargun 78: “Turpëro mendjemëdhenjtë që më dëmtojnë me gënjeshtra, ndërsa unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua“. Perëndia lejon që mëkati të kryejë punën e vet dhe psalmisti thjesht po i lutet Perëndisë të bëjë atë që ka thënë se do të bënte.

119:79 Është një instinkt frymëror të ndjekësh përbashkësinë me ata që njohin dhe duan Fjalën e Perëndisë. Por sa shpesh i kërkojmë Zotit të na çojë tek ata që kanë frikë nga Perëndia përgjatë shtegut tonë?

119:80 Ka shumë arsye pse duhet të dëshirojmë të jemi të paqortueshëm në bindjen ndaj statuteve të Zotit. Njëra që citohet nga psalmisti këtu është që të mund të shmangim turpin parashikues dhe thumbues të rënies në mëkat.

119:81 Besimtari mund të pikëllohet, por nuk mund të shtypet; mund të dyshojë, por nuk shtyhet në dëshpërim; mund të përndiqet, por jo të braktiset; mund të rrëzohet, por jo të shkatërrohet (2 Kor. 4:8,9). Këtu ai kërkon me ngulm ndihmën shpëtuese të Perëndisë duke shpresuar në Fjalën.

119:82 Edhe pse sytë e tij veniten duke pritur përmbushjen e premtimit të Perëndisë për çlirim, ai nuk lutet: “A do të më ngushëllosh?”, por: “Kur do të më ngushëllosh?“.

119:83 Një calik në tym fishket dhe nxihet. Krahasimi shpjegon gjithçka. Besimtari i shqetësuar është i fishkur, i tharë dhe i pakëndshëm për syrin nga shkaku i pritjes, por ai nuk është i pashpresë sa kohë që ka Fjalën e Tij që duhet të realizohet.

119:84 Jeta është shumë e shkurtër. Ditët e pikëllimit duken se zënë një pjesë tepër të madhe. Është koha që Zoti duhet të hyjë në veprim duke ndëshkuar shtypësit.

119:85 Keqbërësit e këtij vargu janë të paperëndishmit dhe të pabesët; këto dy cilësi shkojnë bashkërisht. Ata komplotojnë rrëzimin e të drejtit dhe të pafajshmit – kjo është një provë se ata nuk pranojnë të jenë sipas ligjit të Perëndisë.

119:86 Nuk ka gjë më të besueshme sesa Fjala e Perëndisë. Ai ka premtuar ta shpëtojë popullin e Tij të përndjekur. Kështu kur sulmohemi nga paditësit gënjeshtarë, ne mund të përdorim me besim “lutjen e artë”: “Ndihmomë!“.

119:87 Spërxhëni (Spurgeon) ka thënë: “Nëse ngjitemi pas urdhërimeve, do të shpëtohemi nga premtimet”. Edhe sikur të mbërrijmë në pikën ku dëshpërohemi për jetën, ne nuk duhet të tundemi kurrë në bindjen tonë. Ndihma do të vijë. Vetëm beso!

119:88 Lutja më e mirë vjen nga një nevojë e fortë dhe e brendshme. Këtu psalmisti lutet që Zoti të kursejë jetën e tij, në mënyrë që ai të vazhdojë të lavdërojë Perëndinë duke iu bindur Fjalës së Tij.

119:89 Besimi nuk është një hap i pasigurt. Ai mbështetet mbi gjënë më të sigurt në gjithësi – Biblën. Nuk ka rrezik nëse besojmë një fjalë që shprehet me vendosmëri dhe është e qëndrueshme në qiejt.

119:90 Besnikëria e Perëndisë shfaqet jo vetëm në Fjalën e Tij, por edhe në veprat e Tij. Ajo vlen për tërë brezat dhe shihet në rendin dhe saktësinë e natyrës.

119:91 Qielli dhe toka u binden ligjeve të Tij. Koha e mbjelljes dhe korrjes, i ftohti dhe i nxehti, vera dhe dimri, dita dhe nata janë në shërbimin e Perëndisë. Dhe gjithçka rregullohet dhe mbahet me anë të fjalës së Tij të fuqishme.

119:92 Barnsi (Barnes) komenton:

“Do të isha zhytur një mijë herë” – ka thënë një njeri i famshëm, por që ka qenë për mua një njeri shumë i pikëlluar – “nëse nuk do të ekzistonte në Fjalën e Perëndisë një deklaratë: ‘Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm'” [84].

119:93 Ata që kanë përjetuar fuqinë e Shkrimit në jetët e tyre nuk kanë gjasa që ta harrojnë atë. Ne jemi “ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë” (1 Pjetrit 1:23).

119:94 Edhe kur jemi shpëtuar nga ndëshkimi i mëkatit, ne ende kemi nevojë të shpëtohemi ditë pas dite nga ndotja dhe dëmtimi. Njohja me urdhërimet e Perëndisë dhe me vetë zemrat tona na bën të vetëdijshëm për nevojën e këtij shpëtimi të tashëm.

119:95 Mënyra e vetme për të shmangur sulmet e të pabesëve është të bësh një jetë të parëndësishme dhe të paqëndrueshme. Për aq kohë sa jeta jonë do të jetë e frytshme për Të, ne duhet të presim kundërshtime. Por ne gjejmë forcë dhe ngushëllim kur mbështetemi në parimet e Perëndisë.

119:96 Gjërat më të mira në këtë botë janë të mangëta në përsosuri dhe kanë një fund, por Fjala e Perëndisë është e përsosur dhe e pafund. Sa më tepër e njohim Biblën, aq më tepër kuptojmë se sa të vegjël jemi.

119:97 Ata që e duan Zotin, me siguri do të duan Fjalën e Tij në të njëjtën kohë. Dhe dashuria e Tij do të shfaqet në përsiatjen e Biblës në çdo mundësi që del para. Në çastet e përsiatjes zbulojmë papritur bukuri dhe mrekulli të reja në Shkrim.

119:98 Besimtari i përulur, i pajisur me diturinë e Fjalës, mund të shohë më tepër nga gjunjët e tij, sesa mund të shohin armiqtë e tij në majë të gishtave.

119:99 Nëse mësuesi bëhet i vetëkënaqur dhe fle mbi dafina, ai shumë shpejt do të kalohet nga i riu që vazhdimisht përsiat mbi Fjalën.

119:100 Kjo mund të duket si një mburrje e papërgjegjshme, por nuk është ashtu. Nuk ka rëndësi mosha apo zgjuarsia e dikujt, por bindja e tij. Kështu i riu mund të lërë prapa të moshuarin nëse ai ka një NB (nivel të bindjes) më të lartë.

119:101 Këtu kemi bindjen në veprim. Psalmisti ndal hapat e tij nga shtegu i mëkatit, që të mund t’i bindet Atij kryekëput.

119:102 Ndikimi për shenjtërim i Biblës është i madh. Mësuar nga Zoti përmes faqeve të saj, ne rritim një urrejtje për mëkatin dhe një dashuri për shenjtërim.

119:103 Dhe pastaj, me siguri, Bibla është një burim i gëzimit të hareshëm. Asnjë libër tjetër në botë nuk është më i pëlqyeshëm. Mjalti është i ëmbël, por Fjala e Perëndisë është më e ëmbël.

119:104 Që të zbulojnë paratë e falsifikuara, njerëzit duhet të studiojnë kartëmonedhat e vërteta. Kështu një njohje e thellë e së vërtetës na bën të mundur të zbulojmë dhe të përçmojmë çdo shteg falsiteti.

119:105 Fjala drejton, nga njëra anë, duke ndaluar modele të caktuara të sjelljes. Dhe ajo drejton, nga ana tjetër, duke treguar rrugën e drejtë. Sa shumë i detyrohemi shkëlqimit miqësor të kësaj llambe!

119:106 Këtu kemi një vendosmëri të shenjtë për t’iu bindur Shkrimit të Shenjtë. Kjo është për lavdinë e Perëndisë, për bekimin e të tjerëve dhe për të mirën tonë gjithashtu.

119:107 Spërxhëni (Spurgeon) ka thënë:

Në vargun e mëparshëm psalmisti ishte betuar si një ushtar i Zotit dhe në këtë varg ai thirret të vuajë shumë në atë robëri. Shërbimi i Zotit nuk na shoshit nga prova, por më tepër na jep siguri [85].

119:108 Ne dalim para Zotit si priftërinj dhe nxënës. Si priftërinj ne i “ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij” (Heb. 13:15). Si nxënës, ne hapim zemrat dhe mendjet tona ndaj mësimit të Tij hyjnor.

110:109 Kur shpirti ynë është vazhdimisht në rrezik, ka siguri dhe prehje duke kujtuar ligjin e Zotit. Prirja ndaj panikut, për t’u bërë histerikë dhe për të harruar Fjalën e Perëndisë duhet të shmanget me çdo kusht.

119:110 Ata që mësohen me anë të Fjalës nuk janë të paditur ndaj planeve të Satanit. Me anë të një bindjeje të thjeshtë ndaj Biblës, ata shmangin kurthet e tij të marra.

119:111 Shkrimet duhen zgjedhur si pasuri e çmuar, si një trashëgimi me vlerë shumë të gjerë. Mendoni pak për gëzimin që përjeton një trashëgimtar kur trashëgon një pasuri të madhe. Sa më i madh duhet të jetë gëzimi ynë duke pasur në dorë Librin e librave.

119:112 Të gjithë ata që e kuptojnë vlerën e Fjalës duhet të jenë të vendosur për t’iu bindur asaj deri në fund të jetës së tyre. Nuk duhet të ketë pushime, çlodhje në shkollën e bindjes.

119:113 Mofati (Moffat) e përkthen kështu këtë varg: “Unë i urrej njerëzit që janë të përzier gjysmë për gjysmë. E dua ligjin tënd”. Ata mund të flasin me gojë të madhe dhe janë tradhtarë të ligjit të Perëndisë.

119:114 Zoti është streha jonë kur na shtypim dhe mburoja jonë kur sulmohemi drejtpërdrejt. Ata që shpresojnë në premtimin e Tij nuk do të zhgënjehen kurrë, sepse Ai nuk mund të gënjejë apo të gënjehet.

119:115 Ne nuk shoqërohemi me ata që nuk respektojnë urdhërimet e Perëndisë sonë. Por ndërsa ndahemi nga rrugët e tyre mëkatare, ne ende ruajmë lidhjet me njerëzit e botës, në mënyrë që të ndajmë Lajmin e Mirë me ta.

119:116 Argumenti i kësaj lutjeje është: “Ti më ke premtuar të më ruash. Tani vepro ashtu siç ke thënë. Përndryshe njerëzit do të thonë se Ti më ke lënë në baltë dhe unë do të dëshpërohem në shpresën time“.

119:117 Ne nuk jemi më të aftë të ruajmë veten të sigurt, po aq sa nuk ishim të aftë kur u shpëtuam. Nëse Perëndia na ruan, ne do të shpëtojmë. Por pjesa jonë është që të zbatojmë gjithnjë statutet e Tij.

119:118 Zoti hedh poshtë ata që largohen nga statutet e Tij. Mençuria e tyre një ditë do të shfaqet nën dritën e vërtetë si marrëzi.

119:119 Fjala mëson qartë se Perëndia do të zhdukë si fundërrina tërë të pabesët e tokës, ashtu si një rafinues hedh poshtë skorien që del në sipërfaqe të metalit të shkrirë. Nëse Ai nuk do ta rregullonte siç duhet çështjen e mëkatit, ne nuk do ta respektonim Fjalën e Tij të shkruar.

119:120 Kur mendojmë për dekretet e Perëndisë mbi të pabesët, ne mund të trembemi gjithashtu. Por ashtu siç thotë Barnsi (Barnes), ne jemi “të mbushur me frikë dhe me seriozitetin, anën frymërore dhe ashpërsinë e ligjit të Tij”.

119:121 Lutja e psalmistit, se ai ka bërë atë që ishte e drejtë dhe e duhur, duhet të kuptohet si një rregull i përgjithshëm dhe jo si një rregull i pandryshueshëm. Jeta e tij e drejtë ishte fryti i shpëtimit të Tij dhe prandaj një bazë e duhur për t’i kërkuar Zotit të mos e braktiste atë në duart e shtypësve të tij.

119:122 Një siguri është dikush që qëndron për një tjetër, që e përfaqëson atë. Ai që ishte siguria jonë në Kalvar mbron çështjen tonë me sukses gjatë gjithë jetës dhe ndal shtypësit arrogantë.

119:123 Këtu kemi një njeri që kërkon çlirimin e Perëndisë, derisa sytë e tij ishin dobësuar. Ai priste i rraskapitur përmbushjen e premtimit të drejtë: që Zoti do të ndërhyjë për të.

119:124 Në dallim me atë që mund të duket një lutje për drejtësi në vargun 121, këtu ai e lë veten në mirësinë apo hirin e Zotit. Një formë e mirësisë së Tij është shërbesa plot hir e mësimit. “Mësomë statutet e tua“.

119:125 Sa më tepër një shërbëtor njeh rreth të zotit, aq më shumë i dobishëm dhe i frytshëm do të jetë. Kështu ne na duhet mendje që të njohim mendjen e Perëndisë, ashtu siç është zbuluar në porositë e Tij.

119:126 Ky është një prapakthim. Shërbëtori tani po thërret në mënyrë jo të drejtpërdrejtë Zotin e tij që të veprojë, sepse ligji i Tij është shkelur. Dhe kjo është thirrja e popullit të Perëndisë në çdo kohë errësire: “Është koha, o Zot, që të veprosh“.

119:127 Një tregues se sa e çmuar është Bibla për ne është sasia e kohës që kalojmë duke e lexuar atë. Nëse e vlerësojmë atë më tepër se ari i kulluar, kapaku i saj do të jetë i grisur dhe faqet e saj të shkëputura.

119:128 Një provë tjetër e vlerësimit tonë për Librin është shkalla e bindjes ndaj tij. Nëse nuk bëjmë atë që ajo thotë dhe nuk urrejmë çdo shteg të gënjeshtrës, gënjejmë vetveten.

119:129 Fjala e Perëndisë është e mrekullueshme në pafundësinë, pastërtinë, përpikërinë, harmoninë, përkatësinë universale, fuqinë dhe vetëmjaftueshmërinë e saj. Një libër i tillë meriton të lexohet dhe t’i vihet veshi.

119:130 Zbulimi i Fjalës ndriçon, qoftë kombet, familjet apo individët. Ne e kuptojmë pak ndikimin shenjtërues që ka në tërë botën. Ajo u jep mendje atyre që pranojnë se janë njerëz të thjeshtë dhe për këtë në nevojën për ndihmë.

119:131 Një etje e thellë dhe e madhe për Fjalën e Perëndisë është ajo për të cilën të gjithë kemi nevojë. “Posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës” (1 Pjetrit 2:2).

119:132 Ne mund të lodhemi me këto lutje të përsëritura për mëshirë, por psalmisti jo, dhe as Perëndia. Ne kurrë nuk shkojmë në këtë jetë në vendin ku nuk do të kemi nevojë për hirin e Tij.

119:133 Këtu kemi dy anët e monedhës së shenjtërisë – këmbëngulja e vazhdueshme në Zotin, në përputhje me fjalën e Tij, dhe çlirimi nga fuqia e mëkatit që banon në ne.

119:134 Pjesa e parë e kësaj lutjeje nuk është e pazakontë; çdonjëri prej nesh do të dëshironte të çlirohej nga shtypja e njerëzve. Por vini re qëllimin e pazakontë: “Unë do të respektoj urdhërimet e tua“.

119:135 Në shërbimin tonë për Zotin mund t’I kërkojmë Atij ndonjë shenjë favori, pranie dhe fuqie të Tij. Ai di se si të na nxisë duke iu përgjigjur lutjeve tona. Dhe ne kurrë nuk duhet të humbasim dëshirën për të nxënë gjithnjë e më tepër.

119:136 Lotët zbresin si lumenj uji – një shprehje dramatike për ankthin dhe brengën më të thellë! Dhe për çfarë? Për padrejtësinë ndaj vetë psalmistit? Jo, për përçmimin që i bën njeriu ligjit të Perëndisë dhe për çnderimin e emrit të Tij.

Bendeti… autori i “Stabat Mater”, një ditë e gjetën duke vajtuar dhe kur e pyetën për arsyen e lotëve të tij, ai u përgjigj: “Unë vajtoj sepse Dashurisë nuk i tregohet dashuri” [86].

119:137 Autori i Librit është i drejtë, kështu që nuk është për t’u habitur që Libri gjithashtu është i drejtë. Shumë prej nesh e dinë këtë, por sa pak prej nesh lavdërojnë dhe adhurojnë duke falënderuar Zotin.

119:138 Çdo gjë që Perëndia thotë është drejtësi dhe besnikëri dhe Fjala e Tij është plotësisht e besueshme. T’i besosh Fjalës së Perëndisë nuk është një vepër merite. Është thjesht mendim i shëndoshë.

119:139 Barnsi (Barnes) komenton me mprehtësi:

Është një triumf i madh në shpirtin e njeriut kur, duke parë sjelljen e përndjekësve, shpifësve dhe përgojuesve, ai trishtohet më tepër sepse ata kanë dhunuar ligjin e Perëndisë, sesa ngaqë e fyejnë atë [87].

119:140 Bibla është e sprovuar mirë. Mijëra vetë kanë provuar premtimet e saj dhe kanë parë se janë të vërteta. “Ajo e ka kaluar urrejtjen e njerëzve, zjarret e priftërisë së dyshimtë, ngërdheshjet e besimmohuesve dhe diturinë mishore të kritikëve modernë” (Bashkimi i Shkrimit).

119:141 Në vlerësimin e armiqve të tij psalmisti ishte i vogël dhe i përbuzur. Por tallja e njeriut nuk e frikësonte atë që të largohej nga Bibla.

119:142 Drejtësia e Perëndisë nuk është një gjendje shpirtërore kalimtare, por një virtyt i përjetshëm. Nuk mjafton të thuash se Bibla përmban të vërtetën, Bibla është e vërteta. Çdo shpallje e Perëndisë është e vërtetë.

119:143 Shkrimtari kishte një thes ankthi dhe shqetësimi, por me Fjalën e Perëndisë, ai mund të shihte ylberin përtej lotëve të tij.

119:144 Nuk është vetëm se porositë e Perëndisë janë të drejta tani; ato kanë qenë gjithmonë. Sa më tepër i kuptojmë ato, aq më e madhe është aftësia jonë për një jetë të gëzueshme, si tani ashtu edhe në qiell.

119:145 Fjala “bërtas” është çelësi i kësaj pjese [88]. Këtu kemi një thirrje për ndihmë nga një zemër që beson. Perëndia i gjithëfuqishëm nuk mund t’u bëjë dot ballë lutjeve që dalin nga një zemër e mbushur dhe që shpreh një dëshirë sipas vullnetit të Tij.

119:146 Kur, ashtu si Pjetri, do të fillonim të fundoseshim brenda valëve, mund ta çojmë lart lutjen e shkurtër: “Shpëtomë“. Zoti atëherë na ngre lart për të vazhduar dhe për të jetuar përsëri për Të.

119:147 Uiglli (Weigle) shkruan: “Ky është një përshkrim i zakoneve të përkushtuara të një njeriu të përshpirtshëm që çohet para se të agojë për ta filluar ditën e tij me meditim dhe lutje”. Motoja jonë duhet të jetë: “Nëse nuk kemi lexuar Biblën, nuk duhet të hamë mëngjes”.

119:148 Edhe orët pa gjumë të natës mund të përdoren për meditimin e Fjalës. Jo rastësisht kjo ndodh kur Zoti na jep “thesaret e errësirës”.

119:149 Ne kurrë nuk duhet të heqim dorë nga fakti i mrekullueshëm që kemi liri hyrjeje në praninë e Perëndisë në lutje. Ashtu si psalmisti, ne mund t’i kërkojmë mirësisë dhe dekretit të Perëndisë për të ruajtur jetët tona.

119:150 Armiku është afër. Ata kanë qëllim të dëmtojnë shërbëtorët e Perëndisë. Pasi kanë hedhur poshtë pushtetin e ligjit të Perëndisë nga jetët e tyre, ata në dukje nuk do të ndalen nga asgjë.

119:151 Por Zoti është afër dhe ai që është me Perëndinë është më i madhi. “Asnjë armik nuk mund të na bëjë të keqe, asnjë frikë nuk mund të na alarmojë, në anën e fitores”. Fjala e Perëndisë është e vërtetë dhe Ai kurrë nuk do t’i braktisë të Tijtë.

119:152 Është një ngushëllim i mrekullueshëm të dish se Fjala e Perëndisë mbetet përjetë. “Të mbështetesh në premtimet që nuk mund të dështojnë, kur stuhitë ulëritëse të dyshimit dhe frikës sulmojnë; me anë të Fjalës së Perëndisë ne do të mbijetojmë; duke u mbështetur në premtimet e Perëndisë”.

119:153 Zoti me të vërtetë shikon në pikëllimin tonë. “Në çdo sëmbim që pushton zemrën, Njeriu i Brengave ka pjesën e tij”. Dhe Ai vjen për të çliruar ata që kapen pas Tij dhe Fjalës së Tij.

119:154 Shkrimtari i kërkon Perëndisë të shërbejë si avokati dhe jetëdhënësi i Tij. Padi ankuese janë bërë kundër tij; ai ka nevojë për një mbrojtës. Ai është përndjekur deri në sfilitje; ai ka nevojë për një gjallërim të ri të jetës.

119:155 Perëndia nuk i shpëton njerëzit kundër vullnetit të tyre. Ai nuk do ta popullojë qiellin me njerëz që nuk duan të jenë atje. Nuk ka shpëtim për ata që nuk pranojnë të dëgjojnë Fjalën.

119:156 Asnjë gjuhë njerëzore nuk do të mund të përshkruajë mëshirën e Perëndisë. Dhembshuritë e Tij nuk mund të shterojnë kurrë nga kërkesat tona. Psalmisti i përndjekur kërkon mëshirë në jetë, pra, çlirim nga vrasësit e tij.

119:157 Shumë prej këtyre vargjeve gjejnë përmbushjen e tyre të vërtetë në Zotin Jezus. Edhe pse i rrethuar nga përndjekësit dhe armiqtë, Ai megjithatë mbeti besnik ndaj porosive të Atit të Tij.

119:158 Është shenjë e një pjekurie frymërore të trishtohesh më tepër me fyerjet ndaj Perëndisë sesa me të këqijat ndaj vetes. Oh, sikur të digjemi nga një zell i tillë për Zotin!

119:159 Në vargun 153 psalmisti ka shkruar: “Merr parasysh pikëllimin tim”. Këtu, ashtu siç vë në dukje edhe Spërxhëni (Spurgeon), ai thotë në fakt: “Merr parasysh dashurinë time”, pra, dashuri për urdhërimet. Ai kërkon gjithashtu, për herë të tretë në këtë pjesë, ruajtjen e jetës së tij (v. 154,156).

119:160 Shuma e fjalës së Perëndisë është e vërteta. Çdo premtim është i sigurt për përmbushje. “Derisa qielli dhe toka të kalojnë, asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë para se të plotësohet gjithçka” (Mt. 5:18).

119:161 Njerëzit në vende pushteti kanë shtypur shpesh shërbëtorët e Perëndisë. Por një respekt i thellë dhe frikë për fjalën e Perëndisë e ruajnë besnikun nga tradhtari i Zotit.

119:162 Dridhma e zbulimit të një vendi të fshehtë plaçke përjetohet nga ana e atij që gërmon në Bibël dhe gjen pasuri të mrekullueshme frymërore.

119:163 Njohja me Fjalën na mëson të duam atë që do Perëndia (ligjin) dhe të urrejmë atë që urren Ai (gënjeshtrën). Ne do të arrijmë të mendojmë atë që mendon Perëndia.

119:164 Meqë shtata është numri i përsosmërisë apo plotësisë, ne mendojmë se psalmisti nënkupton se ai e lavdëron Zotin vazhdimisht dhe me tërë zemër për urdhrat e Tij të drejta.

119:165 Fjala [Shkrimi i Shenjtë] jep paqe në një botë të zhurmshme dhe siguri nga fuqia e tundimit. Vargu nuk do të thotë se besimtarët janë të paprekshëm nga brenga apo shqetësimi, por më tepër se duke iu bindur ligjit, ata do të shmangin kurthin e mëkatit.

119:166 Psalmi 37:3 thotë: “Ki besim te Zoti dhe bëj të mira”. Këtu psalmisti thotë se duhet të ndjekë atë këshillë. Besimi është i pari, pastaj veprat janë fryti i besimit.

119:167 Njerëzit në kohën e Malakias provuan se bindja ishte një stërmundim (Mal. 1:13). Por nuk është kështu për shkrimtarin. Ai i bindej Fjalës dhe e donte atë gjithnjë e më tepër.

119:168 Këto tri vargjet e fundit në këtë pjesë flasin për bindjen praktike në Bibël. Nëse duket se po parashtrojnë një pikëpamje për t’ia atribuuar ato besimtarit mesatar, vetëm mendoni për to si Fjalët e Shpëtimtarit tonë dhe problemi do të zhduket.

119:169 Ndërsa psalmi shkon drejt fundit, duket se ngrihet me një kreshendo kërkese të zjarrtë. Fjala “le” haset shtatë herë. Së pari, kemi thirrjen e ngutshme për të dëgjuar dhe pastaj mendjen e vërtetë frymërore.

119:170 Armiku nuk duket kurrë larg në këto vargje dhe kështu kemi lutjen e përsëritur për çlirim sipas premtimit të fjalës.

119:171 Njohja më e madhe e statuteve të Perëndisë nuk duhet të na çojë në krenari dhe vetëvlerësim të tepruar, por në lavde dhe adhurim ndaj Zotit.

119:172 Në vend që të flasim për vogëlsira dhe çështje pa rëndësi, ne duhet ta disiplinojmë veten për të folur rreth çështjeve frymërore. Tërë urdhërimet e Perëndisë janë të drejta dhe tejet të vlefshme.

119:173 Është një figurë e dashur – dora e të Gjithëpushtetshmit e shpuar nga gozhdët duke u ulur nga qielli për të shpëtuar një njeri të thjeshtë, dikë që ka zgjedhur me dashje urdhërimet e Zotit si rregull të tij të jetës.

119:174 Ndërsa shijojmë gëzimin e shpëtimit të shpirtrave tanë si një fakt tashmë i ndodhur, presim me zjarr shpëtimin nga prania e mëkatit kur Jezusi të vijë përsëri. Ndërkohë gjejmë gëzim të madh duke lexuar dhe duke iu bindur Biblës.

119:175 Ne nuk jemi shpëtuar vetëm për të shërbyer, por edhe më drejtpërdrejt për të lëvduar. Çdo çlirim nga sëmundjet apo aksidentet duhet të na japë çaste të reja të adhurimit tonë dhe ngutje të re të lutjeve tona për ndihmë.

119:176 Ky është një ndër rrëfimet e mëkatit në psalm. “Fluturimet më të larta të rrëmbimit të shenjtë duhet të nisen nga një rrëfim i ulët i mëkatit dhe padenjësisë”.

Psalmi 120: Viktima pa ndihmë e shpifësit

Një ndër përvojat më të hidhura të jetës së besimtarit është të jetë viktimë e gënjeshtrave dhe shpifjeve. Atëherë ai kupton pa shpresë të vërtetën e vëzhgimit të Spërxhënit (Spurgeon) se “një gënjeshtër mund të endet nëpër botë ndërsa e vërteta sapo ka veshur çizmet”. Ai mund të bëhet lehtë një masë e ndrydhur e përulësisë dhe mundimit.

120:1,2 Ky ishte lloji i ankthit që e shtyu psalmistin t’i drejtohej Zotit në “Këngën e tij të parë të shtegtimeve” [89]. Kërkesa e tij qe e shkurtër, e thjeshtë dhe e veçantë. Ai donte të çlirohej nga buzët gënjeshtare të armiqve të tij dhe nga gjuha mashtruese e paganëve.

120:3,4 Dhe menjëherë ai kthehet te një keqbërës i veçantë dhe parathotë ndëshkime të ashpra për të. Çfarë dënimi do të jepet për të? Shigjeta të mprehta gjuajtur nga harku i Mjeshtrit të Harqeve. Dhe çfarë do të bëhet me atë gjuhë mashtruese? A do të lahet me sapun? Jo, do të digjet në sipërfaqe me qymyr të nxehtë dëllinje! Rrënja e kësaj shkurreje shkretëtire përdoret për të prodhuar qymyr të nxehtë druri, i njohur për ngrohjen e tij të madhe.

120:5 Në një çast vetëmëshirimi, psalmisti paqedashës qahet për qëndrimin e tij të detyruar midis fiseve të Meshekut dhe Kedarit. Mesheku ishte një bir i Jafetit (Zanafilla 10:2) dhe pasardhësit e tij u bënë të njohur si njerëz të egër dhe të paqytetëruar. Kedari ishte biri i dytë i Ismaelit (Zanafilla 25:13) dhe begatia e tij ishte gjithashtu mizore dhe e pamëshirshme. Sipas Enciklopedisë Biblike Standarde Ndërkombëtare: “përmes Kedarit gjenealogjistët myslimanë zbulojnë prejardhjen e Muhamedit nga Ismaeli”.

120:6,7 Mërgimi i detyruar i psalmistit midis barbarëve që urrenin paqen kishte qenë i tepërt për t’u duruar nga ai. Përpjekjet e tij për të jetuar në paqe me ta ishin kundërshtuar nga nxitjet e reja për luftë.

Nëse ai do të kishte jetuar në kohët e DhR, do të ishte më i përgatitur për të pritur përgojimin dhe grindjet dhe do të kishte qenë më i aftë për t’i kaluar ato. Ai do të kishte shembullin e Zotit Jezus:

Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht (1 Pjetrit 2:23).

Ai do të kishte mësimin e Pjetrit:

Po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë (1 Pjetrit 2:20b).

Pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin (1 Pjetrit 3:9).

Dhe së fundi ai do të kishte fjalën e Zotit Jezus:

Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush (Mt. 5:11,12).

Psalmi 121: Të ruajtur!

121:1,2 Në versionin KJV ky psalm fillon në këtë mënyrë:

Unë do t’i ngre sytë e mi nga malet; nga do të më vijë ndihma ime.

Ndihma ime vjen nga Zoti, që ka bërë qiejt dhe tokën.

Më vonë përkthyesit menduan se zbuluan një herezi pagane këtu, pra, ideja se ndihma vjen më tepër nga malet sesa nga Zoti (Jer. 3:23). Kështu që ata i vunë shenjën e pikëpyetjes pjesës së dytë të vargut të parë. Versioni NKJV, për shembull, e përkthen:

Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?

Ndihma ime vjen nga Zoti, që ka bërë qiejt dhe tokën.

Unë do të pëlqeja këtu përkthimin e versionit KJV dhe do t’ju them arsyen pse. Tempulli në Jerusalem ishte vendbanimi i Perëndisë në tokë. Reja e lavdisë në Vendin Shumë të Shenjtë dëftonte praninë e Zotit midis popullit të Tij. Qyteti i Jerusalemit ndodhet mbi një mal dhe rrethohet nga malet. Kështu kur një jude në pjesët e tjera të Izraelit kishte nevojë për ndihmë hyjnore, ai shikonte përmes maleve. Për të kjo ishte njëlloj sikur t’i drejtohej Zotit. Meqë banimi i Krijuesit ishte në malet e Jerusalemit, kjo kishte një kuptim poetik sipas të cilit ndihma vinte nga malet.

Në dy vargjet e para folësi është psalmisti, duke shprehur besimin e tij të plotë te Krijuesi i qiejve dhe tokës.

121:3 Duke filluar që nga vargu 3, kemi një ndërrim të folësit. Në vargjet që mbeten, dëgjojmë Frymën e Shenjtë që garanton sigurinë e përjetshme të atyre besimi i të cilëve është në Zotin. Është garancia e qëndrueshmërisë së palëkundshme. Këmbët e besimtarit do të ruhen nga të marrit. Meqë këmbët flasin për themelin apo qëndrimin, do të thotë se Perëndia do ta ruajë birin e Tij besimtar nga rrëshqitja apo dështimi.

121:4 Këtu kemi garancinë e Ruajtësit që nuk dremit dhe nuk fle. Aleksandri i Madh u tha ushtarëve të tij: “Unë çohem që të mund të flini” [90]. Gjatë orëve të natës, kur nuk jemi më të vetëdijshëm për botën rreth nesh, është dikush më i madh se Aleksandri që na shikon me kujdes të vazhdueshëm dhe të palodhshëm.

121:5,6 Këtu kemi garancinë se ai që na mbron nuk është tjetër njeri veç Zotit Vetë. Sovrani i madh i gjithësisë është përfshirë Vetë në sigurinë e shenjtorit më të vogël.

Këtu kemi garancinë se Ai do ta mbrojë nga çdo ndikim i keq. Kur thuhet se Ai është “hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde“, do të thotë se Ai rri afër si një truprojë për të mbrojtur të Tijtë nga dëmtimi ditën apo natën. Dielli nuk ka për të të goditur ditën interpretohet zakonisht nga studiuesit e sotëm modernë të fjalëve si pika e diellit [91]. Hamendësimi për hënën zakonisht trajtohet [nga ata që nuk janë besimtarë] si një përshtatje biblike e supersticionit dhe folklorit të lashtë. Megjithatë, për ata që janë çliruar nga demonët dhe që kuptojnë rolin e rëndësishëm të diellit dhe të hënës në botën e spiritizmit, këto vargje premtojnë mbrojtje dhe liri mikpritëse nga zinxhirët e pushtimit të demonëve.

121:7,8 Këtu kemi garancinë e çlirimit nga çdo e keqe. Është një fakt i fortë se asgjë nuk mund të ndodhë në jetën e besimtarit pa qenë në vullnetin e Perëndisë. Nuk ka rrethana të rastësishme, as aksidente të paqëllimta, as tragjedi fatale. Edhe pse Ai nuk është autori i sëmundjes, vuajtjes apo vdekjes, ai i përdor dhe i shfrytëzon ato për plotësimin e qëllimeve të Tij. Ndërkohë bijtë e Tij besues mund të dinë se Perëndia po bën që çdo gjë të bashkëveprojë për të mirën e atyre që e duan Atë, që janë thirrur sipas qëllimit të Tij (Rom. 8:28).

Së fundi, kemi garancinë e kujdesit të vëmendshëm të Perëndisë mbi tërë lëvizjet tona tani dhe për tërë përjetësinë. Ai do të ruajë daljet dhe hyrjet tona, tani dhe përjetë.

Fjalët “ruaj” dhe “ruajtës” haset tri herë në hapësirat e këtyre tetë vargjeve. Ruaj haset tri herë [92]. Ato së bashku shpallin se askush nuk është më i sigurt sesa ai që ka pranuar Zotin si shpresën e tij të vetme.

Shpirti që në Jezusin ka vendosur çlodhjen e tij,

Ai kurrë, kurrë nuk do ta lërë në duart e armiqve të tij.

Ai shpirt, edhe sikur tërë ferri të përpiqet ta shkundë,

Ai nuk do ta braktisë kurrë, kurrë, kurrë!

Richard Keen (1787)

Psalmi 122: Qyteti i paqes

Oh, gëzim i pastër i një ore të vetme

që para fronit Tënd kaloj,

kur gjunjëzohem në lutje dhe me Ty, o Perëndia im,

unë flas si shoku me shokun!

Fanny J. Crosby

122:1 Davidi ndjeu aromën e atij gëzimi të pastër kur judenjtë që kishin frikë nga Perëndia e kujtuan se ishte koha të shkonin në festën në Jerusalem. Ai u gëzua. Nuk ishte një detyrë e vështirë apo një rutinë e mërzitshme. Në ardhjen në tempull për të adhuruar ai gjeti kënaqësi dhe gëzim.

122:2 Dhe tani shtegtarët e besimit u ndalën brenda qytetit. “Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jerusalem“. Ashtu si prej një instinkti ndjekës hyjnor, ata ishin kthyer te vendi ku Perëndia i kishte zgjedhur. Ishte diçka e mrekullueshme të ndodheshe atje!

122:3,4 Ata ndalen për të admiruar qytetin ngjyrë okre, që është ndërtuar plotësisht i bashkuar: Brenda mureve të tij që i zë plotësisht drita e diellit, një kilometër e gjysmë katror, ishin shtëpitë me kube e me çati të sheshta dhe rrugët e ngushta gjithë zhurmë. Por ndërtesa për të cilën njerëzit kishin një tërheqje të fortë emocionale ishte tempulli i Zotit. Në të vërtetë, ishte tempulli që bënte që qyteti të kishte kuptim për ta.

Ai ishte vendi ku fiset e Zotit bënin pelegrinazhin e tyre. Ishte vendi i vetëm në tokë ku Perëndia kishte caktuar që populli i Tij të bashkohej dhe të kremtonte emrin e Tij.

122:5 Jerusalemi ishte sigurisht gjithashtu kryeqyteti politik i Izraelit. Ai ishte selia e shtëpisë mbretërore të Davidit dhe për këtë ishte vendi i caktuar për administrimin e drejtësisë.

122:6 Edhe pse emri i tij do të thotë “qyteti i paqes”, emri i vënë nuk i shkon përshtat. Vetëm pak qytete si ai kanë parë grindjet, vuajtjet, masakrat që ka parë ky qytet:

Gurët e Jerusalemit mbajnë shenjat e shenjtërimit dhe muret e tij krimet e kryera brenda tyre në emër të fesë. Davidi dhe faraoni, Senasheribi dhe Nebukadnetsari, Ptolemeu dhe Herodi, Titi dhe kryqëzatat e Godfrej të Buijonit (Godefrey de Bouillon), Tamerlani dhe saracenët e Saladinit, kanë luftuar dhe kanë vrarë atje [93].

Në profeci, po ashtu edhe në histori, ka një mal me domethënie në lutjen tronditëse: “Lutuni për paqen e Jerusalemit“. Ditët e errëta dalin përpara. Rrugët e ngushta të qytetit do të jehojnë nga marshimi i pushtuesve johebrenj, derisa Princi i Paqes, Mesia i Izraelit të kthehet për të marrë mbretërimin e qeverisjes (Lluk. 21:24).

Mejeri (F. B. Meyer) vë re se ka një aliteracion [përsëritje e qëllimshme tingujsh] këtu në vargun 6:

Paqe në Qytetin e Paqes.

Le të jetojnë në paqe ata që e duan atë.

Bekimi i paqes qëndron mbi tërë ata që e duan qytetin e Mbretit të Madh.

122:7-9 Kjo dashuri shprehet duke u lutur dhe duke nxitur qetësinë brenda mureve dhe sigurinë brenda kullave të tij. Atë që judenjtë e perëndishëm dëshirojnë për Jerusalemin, ne duhet ta dëshirojmë për kishën. Sa më shumë duhet të përpiqemi të ruajmë unitetin e Frymës në lidhjen e paqes (Efesianeve 4:3)! Me anë të paqes dhe begatisë së kishës bekimet do të rrjedhin për te bota.

Kjo është ideja e vargut 8. Për hir të të afërmve dhe miqve ne duhet të dëshirojmë me zjarr t’i shohim të shëruara plagët e brendshme të kishës, zënkat dhe ndasitë të përfunduara. Barnsi (Barnes) shpjegon:

Kjo shpreh ndjenjën e vërtetë të mëshirës mbi tërë botën; kjo është një ndër bazat e dashurisë së vërtetë që miqtë e Perëndisë kanë për Kishën – sepse ata shpresojnë dhe dëshirojnë që përmes Kishës ata që janë më afër zemrës së tyre të gjejnë shpëtim [94].

Ashtu siç është përmendur më parë, lavdia më e madhe e qytetit është se shtëpia e Zotit është atje. Jo vendndodhja e qytetit, jo forma e keqe e ndërtesave apo historia e tij e hidhur – jo, fakti qendror është se Perëndia e ka zgjedhur këtë qytet si vend për tempullin. Prania e Zotit lëshon një kurorë lavdie rreth tërë asaj që prek në hir.

Shekuj më vonë Jezusit iu desh t’i kujtonte farisenjtë dhe skribët për këtë të vërtetë. Ata vlerësonin arin e tempullit më tepër sesa vetë tempullin, dhuratën në altar më tepër se vetë altarin. Jezusi tregoi se është tempulli që e bën arin të shenjtë dhe altari që shenjtëron dhuratën (Mt. 23:16-22). Dhe kështu është Zoti që e veçoi Jerusalemin nga qytetet e tjera të botës.

Psalmi 123: Sytë që kërkojnë mëshirë

Ka dy fjalë kyçe në këtë Këngë të shtegtimeve, “sytë” dhe “mëshirë”. E para haset katër herë, e dytë tri herë. Skena është vendi i robërisë – një vend shumë familjar për popullin e shtypur të Izraelit. Ata u vendosën në Egjipt, në Babilon, në Gjermaninë Naziste, në Poloni dhe, kohët e fundit, në fushat e punës skllavëruese të Siberisë. Edhe pse nuk përmendet emri, vendi këtu është mbase Babiloni.

123:1 Me sytë e drejtuar nga qiejt dhe duke kërkuar mëshirën hyjnore, robërit i luten Zotit që t’i japë fund natës së tyre të gjatë e të errët të përndjekjes.

123:2 Ata e krahasojnë veten me shërbëtorët që drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe me një shërbëtore që i drejtohet dorës së zonjës së saj. Ky imazh zakonisht interpretohet si një gatishmëri për të kuptuar dhe për t’iu bindur vullnetit të zotërinjve. Por nuk paraqitet kjo figurë këtu. Për më tepër, tregon vëmendjen dhe shpresën e judenjve kah Jehovahu, që të tregojë mëshirë ndaj tyre. Dhe mëshira e veçantë që ata kishin në mendje ishte një fund i shpejtë i mërgimit të tyre dhe një kthim në vendin e dëshirës së zemrës. Ata po i drejtohen dorës së Tij për shpëtimin nga shtypësit e tyre.

123:3,4 Dy herë lutja e ngutshme për mëshirë i drejtohet fronit të Perëndisë nga një popull që kishte qenë më tepër i mbushur me përçmim. Ditë pas dite kishin pasur një dietë talljeje dhe urrejtjeje, të përgatitur nga sovranët e tyre paganë. Për një kohë të gjatë ata kishin duruar përçmimin e atyre që jetonin në mirëqenie (Zak. 1:15). Për një kohë të gjatë kishin vuajtur arrogancën e sunduesve të tyre krenarë babilonas (Jer. 50:31,32). Tani për ta është mbushur kupa. Mjaft më! Ata mendojnë se koha për të hequr dorë nga këto ka ardhur.

Dhe kështu ata i paraqesin lutjen e tyre detyruese Atij që është streha dhe siguria e tyre e vetme në një botë antisemitësh dhe diskriminimesh – Mikut të të shtypurve dhe të marrëve nëpër këmbë.

Psalmi 124: “Në qoftë se” – tejet e rëndësishme

124:1Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë…”.

Gjithçka varet nga kjo në qoftë se. Ajo bën dallimin midis çlirimit dhe shkatërrimit. Por Zoti ishte atje dhe ky ishte i tërë ndryshimi.

Mbase asnjë popull nuk ka pasur një shpëtim kaq të vështirë sa judenjtë. Sipas tërë ligjeve të natyrës ata do të ishin zhdukur me kohë. Kur mendojmë për kurthet, masakrat, kasaphanat e organizuara, dhomat me gaz, furrat, bombat, është një mrekulli që ata kanë mbijetuar. Por ata kanë mbijetuar, dhe kjo për një arsye të fortë – sepse Zoti mbajti anën e tyre.

Fatkeqësisht kombi nuk ka dashur ta pranojë këtë fakt. Shumë shpesh ata ia kanë atribuuar fitoret zgjuarsisë dhe fuqisë së tyre. Por gjithmonë ka pasur judenj të perëndishëm që kanë kuptuar se pa Zotin ata do të ishin shfarosur.

124:2-5 Psalmisti mendon për kohët kur armiqtë u ngritën kundër Izraelit me një numër të madh njerëzish dhe me pajisje më të mira. Rezervat ushqimore po binin në nivele të pasigurta. Rezerva mjekësore nuk kishte. Komunikimi ishte ndërprerë plotësisht. Nevojat duhej të plotësoheshin në mënyra rrethanore. Ata ishin plotësisht të rrethuar. Armiqtë po kërcënonin t’i hidhnin në det. Gjendja dukej e zymtë.

124:6,7 Si bishë e egër armiku ishte gati t’i gllabëronte të gjallë. Ose për të ndryshuar figurën, ata po gëlltiteshin nga një valë e madhe e rrjedhës së forcës ushtarake johebrease.

Por ndodhi e papritura. Zoti bëri që armiku të zihej brenda vetes për sa i përket strategjisë. Mbase bëri që të merrnin njoftime spiunazhi të rreme rreth judenjve. Mbase me anë të panikut prej vdekjes së një udhëheqësi. Mbase pranimi i armëpushimit kur fitorja ishte në duart e tyre.

Nga ana tjetër, Zoti do t’u ketë siguruar judenjve rezerva të papritura ushqimi. Mbase i ka ruajtur nga goditja e armëve. Mbase ka siguruar ndihmë të jashtme nga ndonjë burim i papritur. Sido që të jetë, përputhja e rrethanave ishte aq e mrekullueshme sa mund të ndodhte vetëm nga dora e Perëndisë.

Ata që kanë zgjuarsi frymërore ia japin tërë lavdinë Zotit për çlirimin e tyre misterioz dhe të mrekullueshëm. Bishat mishngrënëse johebrease nuk ia dolën mbanë për të shqyer Izraelin e vogël. Populli i Perëndisë shpëtoi nga kurthi që ishte ngritur për ta nga marrëveshjet diplomatike të johebrenjve. Laku u këput, hallka e çeliktë që mbërthente judenjtë u këput dhe përsëri ata shpëtuan.

124:8 Rrëfimi i tyre i përulur dhe mirënjohës është:

Ndihma jonë është tek emri i Zotit,

që ka krijuar qiejt dhe tokën.

Megjithatë, Izraeli nuk është i vetmi që ka parë mrekullitë e Perëndisë. Kisha mund t’i bëjë të sajat fjalët e këtij psalmi duke kremtuar çlirimet në kohën e duhur prej Perëndisë. Dhe besimtarët e dinë se nëse Zoti nuk do të kishte qenë në anën e tyre, ata do të ndrydheshin plotësisht nga bota, mishi dhe djalli.

Psalmi 125: Udha e paqes

125:1 Mali i Sionit është një ndër kepat në qytetin e Jerusalemit dhe shumë herë përdoret si një figurë për vetë qytetin. Këtu nënkupton themelin e qëndrueshmërisë dhe forcës, një kala që nuk mund të lëvizë.

Njeriu i besimit është i tillë. Jeta e tij është e ndërtuar në një shkëmb të fortë. Kur bie shiu, vjen furtuna, fryn era dhe përplaset në shtëpinë e tij, ai nuk bie, sepse është ndërtuar në shkëmb (Mt. 7:25).

Psalmisti thotë se mali Sion qëndron përjetë. Nga një anë, ky qytet tokësor nuk do të qëndrojë përjetë sepse DhR thotë se toka një ditë do të shkatërrohet nga zjarri (2 Pje. 3:7,10,12). Por për besimtarët në atë kohë, përshtypja e tyre ishte që qyteti do të qëndronte përjetë. Ky është kuptimi këtë. Edhe sot, ne përdorim shprehje të tilla. P.sh. ne flasim për kodra dhe qytet të përjetshme (Roma).

Pika e rëndësishme është se megjithëse mali Sion do të shkatërrohet një ditë, besimtari në Krishtin nuk do të humbasë kurrë. Ngaqë është i vendosur pozicionalisht në Krishtin, ai është i sigurt, sepse Perëndia e bën të tillë.

125:2 Psalmisti pa edhe një të vërtetë tjetër frymërore në topografinë e Jerusalemit. Ai rrethohet nga male me të cilat ushtria e tij mund të ruajë çdo qasje ndaj qytetit. Kësisoj Vetë Zoti formon një unazë mbrojtëse rreth bijve të Tij “tani dhe përjetë“. Kjo është mbrojtja që rrethonte Jobin, për të cilën fliste Satani.

A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? (Job. 1:10).

Kjo do të thotë, sigurisht, se asgjë nuk mund t’i prekë shenjtorët që besojnë përveçse me anë të vullnetit që lejon Perëndia.

125:3 Në vargun 3 kemi një thirrje tjetër madhështore:

Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.

Disa mund ta veçojnë pjesën e parë të vargut për të treguar se vendi i Izraelit shpesh është pushtuar dhe zotëruar nga njerëz të ligj. Kjo është e vërtetë. Por vargu duhet të interpretohet në kontekstin e tij. Psalmi flet për njerëzit që besojnë në Zotin; premtimet e tij janë vetëm për këta njerëz. Vetëm kur Izraeli largohej nga Zoti kufijtë e tij shkeleshin dhe muret e tij shkatërroheshin. Për aq kohë sa ata i bindeshin Zotit dhe i besonin Atij skeptri i të pabesëve, pra, sundimi i monarkëve johebrenj, nuk lejohej t’i afrohej atyre.

Një arsye interesante jepet pse Perëndia i mbante pas armiqtë kërcënues të Izraelit gjatë kohëve kur populli ecte me Të. Arsyeja ishte se izraelitët e drejtë mund të tundoheshin të shtynin duart për të bërë të keqen. Perëndia na shpëton jo vetëm nga armiqtë e jashtëm, por edhe nga vetja jonë e brendshme dhe prirja e saj për të mëkatuar kur trajtohet jo mirë.

125:4 Edhe vargu i katërt duhet të kuptohet në kontekst: “O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme“. Njerëzit e mirë këtu janë ata që janë shpëtuar me anë të besimit dhe që ecin në bindje ndaj Zotit. Drejtësia e tyre nuk është baza e shpëtimit të tyre, por është fryti i besimit dhe bindjes së tyre.

125:5 Këtu shfaqen të tjerë që rrëfejnë se janë pjesëtarë të popullit të Perëndisë, por që ndjekin rrugë dredha-dredha. Zoti do t’i bëjë që të ecin në robëri dhe mërgim me ata që bëjnë paudhësi.

Paqja qoftë mbi Izraelin! Vetë psalmi jep formulën e paqes, si për Izraelin ashtu edhe për çdokënd. Ajo gjendet përmes besimit në Zotin Jezus. Kur Izraeli të kthehet tek Ai që tejshpoi dhe të mbajë zi për Të si për Birin e vetëm, atëherë paqja që u ka bërë bisht shekuj me radhë do të jetë e tyrja më në fund.

Shalom, shalom!

Psalmi 126: Mbjellja me lot, korrja me gëzim

126:1 Kur lajmi shkoi te bashkësitë judease në mërgim, njerëzit morën krahë dhe u përdëllyen. Mbreti pers Kiri kishte shpallur që robërit të ktheheshin në vendin e tyre. Dukej gati e pamundur për t’u besuar. Gjatë viteve të gjata në mërgim, shumë prej tyre kishin pyetur veten nëse do ta kishin përsëri mundësinë që të shihnin Jerusalemin. Por tashmë lajmi kishte mbërritur. Ndërsa ata mblodhën ato pak gjëra jo me tepër vlerë që u takonin, ishin si një popull në dalldi.

126:2 Zhumra nga turma ishte më e lartë se zakonisht. Për herë të parë në shtatëdhjetë vjet pati diçka që do t’u sillte atyre kënaqësinë më të madhe. Diçka që do t’i bënte ata gazmorë. Ata po ktheheshin në shtëpi. Ndërsa po bëheshin gati me një shpejtësi të pabesueshme, qeshnin dhe këndonin – diçka e re për ta.

126:3 Ishte një dëshmi mahnitëse për popullin johebre. Dukej sikur po arsyetonin se gjërat që po ndodhnin me judenjtë nuk kishin një shpjegim normal. Ata pranuan se Perëndia i hebrenjve kishte ndërhyrë për ta në mënyrë të mrekullueshme. Në krahasim me tërë vendet e tokës, Izraeli ishte objekti i veçantë i dashurisë dhe kujdesit të Jehovahut.

Dhe të mërguarit mirënjohës dhe me gëzim ishin në një mendje me johebrenjtë, duke ia atribuuar çlirimin e tyre vetëm Zotit.

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne dhe jemi tërë gëzim.

126:4 Por vetëm një mbetje e varfër po kthehej në vendin me asgjë tjetër veç rrobave që vishnin. Ata kishin nevojë për fuqi, para dhe mbrojtje. Kjo i shtynte të bënin këtë lutje:

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Jugu nënkupton (hebr. Negev) shkretëtirën në jug. Në pjesën më të madhe ishte djerrë dhe joprodhues. Por pas shiut të rëndë, shtretërit e thatë bëheshin përrenj gurgullues, që e bënin shkretëtirën të lulëzuar. Kështu që robërit e kthyer po luteshin që ai që tani ishte një grusht njerëzish të bëheshin një shumicë, derisa të dymbëdhjetë fiset të ktheheshin të tërë. Ata u lutën që Zoti t’u siguronte mjetet për të rindërtuar dhe për t’u ripërtërirë. Dhe ata kërkuan çdo gjë tjetër që ishte e nevojshme për t’i bërë një popull të lumtur dhe të frytshëm në vend.

126:5,6 Vitin e parë pas kthimit të tyre do të ishte tejet e vështirë. Nuk kishte se çfarë të korrnin nëpër fusha. Ata duhet të fillonin duke mbjellë drithërat e tyre dhe të prisnin kohën e korrjes. Do të ishte një periudhë vështirësie, duke ndarë me kursim rezervat e vogla të ushqimit, sa më pak të ishte e mundur.

Do të ekzistonte një farë brenge apo shqetësimi rreth mbjelljes së farës për herën e parë. Kemi një bujk, voza e të cilit ka pak farë gruri. Ai mund ta përdorë atë grurë për të ushqyer familjen e tij tani, apo mund të mbjellë më tepër tani me shpresën e një prodhimi të bollshëm në ditët e ardhshme. Ai vendos ta mbjellë, por ndërkohë që fut dorën në përparësen e tij dhe hedh farën në tokën e pluguar, lotët e tij bien në përparëse. Ai po mendon për gruan dhe fëmijët, për enët e cekëta me qull tërshëre, po mendon se me sa sakrifica do t’u duhej të jetonin deri në kohën e korrjes. Ai ndihet sikur u ka hequr bukën nga goja.

Por një fjalë ngazëlluese u drejtohet robërve të kthyer:

Vërtet ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet me këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

Kështu ata vazhdojnë dhe mbjellin farën. Ankthi i tyre i tashëm do të zëvendësohet nga gëzimi, duke sjellë duajt e tyre të grurit të korrur në hambar.

Ky parim vlen, patjetër, edhe për botën frymërore. Ata që jetojnë me sakrifica për përhapjen e ungjillit mund t’u mungojnë shumë gjëra, por çfarë është kjo krahasuar me gëzimin për të parë shpirtrat e shpëtuar dhe faktin që në qiell do të adhurojnë Qengjin e Perëndisë në jetë të jetëve?

Kjo është e vërtetë edhe në fitimin e shpirtrave. Dikush ka thënë me të drejtë: “Fituesit e shpirtrave janë të parët që derdhin lot duke u lutur për shpirtrat”. Kështu lutja jonë duhet të jetë:

Le ta shoh turmën ashtu siç e pa Shpëtimtari,

derisa sytë e mi me lot të errësohen.

Le të shoh me mëshirë delet e humbura

dhe t’i dua për shkak të dashurisë për Të.

Anonim

Psalmi 127: Perëndia është gjithçka

Ka një thënie: “Pak është shumë nëse Perëndia është aty”por e anasjella është po ashtu e vërtetë: “Shumë është hiç nëse Perëndia nuk është aty.” Dhe kjo është arsyeja pse ky psalm thotë: nëse veprimtaria jonë nuk rregullohet dhe nuk drejtohet nga Zoti, është vetëm një harxhim i kotë kohe dhe energjie. Ne mund të sajojmë projekte tonat edhe në shërbimin e krishterë; ne mund të ngremë perandori të gjera të organizuara; mund të mbledhim statistika për të treguar rezultate fenomenale; por nëse projektet nuk janë hardhi të mbjella nga Zoti, ato do të jenë më të pavlera sesa kotësia.

Psalmisti zgjedh katër veprimtari të zakonshme të jetës për të ilustruar këtë pikë. Ato janë ndërtimi i shtëpive, mbrojtja civile, punësimi i përgjithshëm dhe ndërtimi familjar.

127:1 Ka dy mënyra për të ndërtuar shtëpinë. Njëra është të fillosh me plane të mbështetura në njohurinë, aftësinë dhe burimet tona financiare, pastaj të kërkosh bekimet e Perëndisë në strukturën e mbaruar. Mënyra tjetër është të presësh derisa Zoti të ketë dhënë drejtim të pagabueshëm, pastaj të fillosh në varësi të vetëdijshme nga Ai. Në rastin e parë, projekti asnjëherë nuk shkon vaj. Në të dytin, ndiejmë drithërimë kur shohim Perëndinë të veprojë me anë të sigurimit të mrekullueshëm të gjërave të nevojshme, me anë të kohës së mrekullueshme dhe ndarjeve të ngjarjeve dhe me anë të përshtatjes së rrethanave që kurrë nuk do të ndodhnin sipas ligjeve të fatit. Kemi një ndryshim të plotë nëse do të ndërtojmë me Perëndinë.

Ilustrimi i dytë i kotësisë së përpjekjes njerëzore pa Perëndinë është në fushën e sigurisë: Në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruajnë rojet. Kjo nuk do të thotë se nuk duhen mbajtur forcat e rendit apo agjentë të tjerë mbrojtës. Por më tepër do të thotë se në thelb siguria jonë varet në Zotin dhe nëse ne nuk varemi me të vërtetë në Të, kujdesjet tona të zakonshme nuk do të mjaftojnë për të na ruajtur.

127:2 Në punësimin tonë të përditshëm është e kotë të punosh orë të zgjatura, të sigurosh të jetuarit me anë të sfilitjes së ankthshme, nëse nuk jemi në vendin e zgjedhur nga Perëndia. Ju lutem, mos më keqkuptoni. Në tërë Biblën na mësohet të punojmë me zell për të plotësuar nevojat tona, nevojat e familjes sonë dhe nevojat e të tjerëve. Ky psalm nuk i nxit njerëzit të rrinë ulur nëpër lokale gjithë ditën, të pinë kafe dhe të jetojnë pazarit me miqtë. Por çështja është – nëse punojmë në pavarësi nga Perëndia, në të vërtetë nuk jemi gjëkundi. Hagai e përshkruan situatën shumë mirë:

Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani, po jo aq sa të ngopeni; ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj; ju visheni, por askush nuk rri ngrohtë; ai që fiton një mëditje e fiton për ta shtënë në një qese të shpuar (Hagai 1:6).

Nga ana tjetër, nëse varemi plotësisht nga Zoti dhe jetojmë për lavdinë e Tij, Ai mund të na japë dhurata ndërsa flemë, të cilat nuk do të mund t’i merrnim prej orëve të gjata dhe rraskapitëse të punës pa Të. Kjo duket se është domethënia e kësaj fjalie: “Sepse Ai u jep pushim atyre që do“, ose ashtu siç e ka përkthyer Mofati (Moffat): “Dhuratat e Perëndisë vijnë te të dashurit e Tij ndërsa janë në gjumë”.

127:3 Ilustrimi i katërt dhe i fundit ka të bëjë me ndërtimin e një familjeje. Dhe fëmijët janë një dhuratë e Perëndisë. “Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim“.

Ajo që thuhet për fëmijët parakupton se ata janë rritur në një shtëpi ku ka nderim dhe bindje ndaj Zotit. Ata janë rritur në disiplinën dhe mësimin e Zotit.

127:4Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë“. Kur prindërit plaken, ata mund të mbështeten në fëmijë të perëndishëm, që të luftojnë për ata si një trim dhe gjithashtu të sigurojnë [përkujdesen] për ta, ashtu siç bën një gjuetar me harkun dhe shigjetën e tij.

127:5Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot!“. Në dallim nga rryma e propagandës moderne kundër familjeve të mëdha, Perëndia shpall një bekim për atë njeri që ka kukurën e tij plot fëmijë. Por përsëri mendohet që ata janë fëmijë besimtarë, pjesëtarë të shtëpisë së besimit. Përndryshe ata do të jenë më fort një dhimbje koke e madhe sesa një bekim.

Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta“. Mejeri (F. B. Meyer) na kujton se ushtritë kundërshtare të një qyteti të rrethuar takoheshin te porta. Kështu, ideja këtu është se fëmijët e një njeriu do ta mbrojnë atë në çështjet civile apo ligjore, në mënyrë që ai të mos vuajë humbjen apo dëmtimin. Ata shohin se drejtësia vihet në vendin e saj.

Psalmi është një shpalosje e mrekullueshme e fjalës së Zotit me anë të Zakarias: “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time – thotë Zoti i ushtrive” (Zak. 4:6). Ekziston rreziku që mund të mbështetemi në fuqinë e parasë apo në zgjuarsinë njerëzore. Por vullneti i Zotit nuk kryhet në këtë mënyrë. Me anë të Frymës së Tij ne mund të ndërtojmë për përjetësinë. Nuk vlen ajo që bëjmë për Perëndinë me anë të forcave tona, por ajo që Ai bën nëpërmjet nesh me anë të fuqisë së Tij të madhe. Gjithçka që mund të prodhojmë është dru, sanë dhe kallamishte. Ai mund të na përdorë që të prodhojmë ar, argjend dhe gurë të çmuar. Kur veprojmë në bazë të forcave tona, ne bëjmë një vrimë në ujë. Kur futim Perëndinë në gjithçka, jetët tona bëhen me të vërtetë të frytshme. Armët mishore prodhojnë rezultate mishore. Armët frymërore prodhojnë rezultate frymërore.

Psalmi 128: Bekimet e Zotit

128:1 Besimtari që e gëzon me të vërtetë më shumë jetën është ai që e pranon Zotin në çdo fushë të jetës dhe që ecën në bindje praktike ndaj Fjalës së Perëndisë.

Sipas ligjit të Moisiut ky njeri shpërblehej me bekime natyrale.

128:2 Jetëgjatësia. Ai nuk vdes para kohe, por jeton për të shijuar pasurinë materiale për të cilën është lodhur.

Lumturia. Ai shijon lirinë nga mosmarrëveshjet e grindjet dhe kënaqjen e gëzueshme duke pasur shprehjen e shndritshme të fytyrës së Perëndisë mbi të.

Begatia. Atij gjërat i shkojnë mirë. Ai është i mbrojtur nga fatkeqësia, thatësira, murtaja dhe mundja.

128:3 Prodhimtaria. Ashtu si një hardhi e frytshme, gruaja e tij do të lindë shumë bij. Ja ku janë, mbledhur rreth tryezës së tij, si drurë ulliri të butë – plot energji, forcë dhe gjallëri.

128:4 Në Epokën e Hirit besimtari është tashmë i bekuar me çdo bekim frymëror në vendet qiellore (Efesianeve 1:3). Por ashtu siç thotë Uilliamsi (Williams): “Besimi mund të bëjë frymërore gjërat materiale të kësaj kënge dhe t’i bëjë të vërteta dhe të pranishme”. Më e mirë se jeta e gjatë në tokë është jeta që na jep Zoti Jezus. Asnjë lumturi nuk mund të krahasohet me shpirtin që çlirohet. Begatia e shpirtit është begatia më e mirë. Dhe riprodhimi frymëror tejkalon gëzimet e shterpësisë fizike.

128:5,6 Dy vargjet e fundit të psalmit mund të lexohen si një premtim apo lutje. Duke ndjekur këtë të fundit, ata i kërkojnë Zotit t’i bekojë njerëzit që besojnë në Të nga vendbanimi i Tij në shenjtëroren në Sion apo nga froni i Tij në Jerusalem. Ata kërkojnë që të perëndishmit të shohin begatinë e Jerusalemit për aq kohë sa janë gjallë. Ata kërkojnë jetë të gjatë për të shijuar brezin e dytë të pasardhjes. Dhe ata luten për paqen mbi Izrael.

Psalmi pararend në mënyrë të gëzueshme bekimet e ardhshme të individëve dhe kombit kur Mbreti i Izraelit do të kthehet dhe do të mbretërojë në drejtësi.

Psalmi 129: E korra e antisemitizmit

Kënga e shtegtimeve rrëfen trajtimin e shkuar të Izraelit në duart e shumë armiqve, pastaj i kërkon Zotit të sigurojë një të ardhme të keqe për këta agresorë mizorë.

129:1,2 Që në ditët e para të formimit të kombit, Izraeli ishte shtypur ashpërsisht. Shtypja e tyre në Egjipt, për shembull, ishte një kapitull i paharrueshëm skllavërie dhe vuajtjeje i rinisë së kombit. Por armiku nuk ia doli kurrë mbanë të shfaroste judenjtë. Populli i Perëndisë gjithmonë u çlirua nga robëria. Mbijetesa e tyre ka qenë një ndër mrekullitë e historisë.

129:3 Vuajtjet e tyre ishin të thella dhe të zgjatura. Pronarët johebrenj i kanë shfrytëzuar si një lërues që plugon arën e tij. Brazdatkurrizet e tyre ishin të çara të gjata shkaktuar nga kamxhikët.

129:4 Por Zoti, që është i drejtë, ndërhyri në kohën e duhur duke prerë litarët apo zinxhirët me të cilët populli i Tij ishte zënë rob nga sulmuesit e tyre të pamëshirshëm.

129:5-7 Gjithmonë u bëftë që antisemitët të çnderohen dhe të shpartallohen. Kurrë mos përjetofshin një të korrë bekimesh. Për më tepër qofshin si disa mollokë [copë e madhe, një tërësi] të veçantë bari që rriten në tarraca në Lindjen e Mesme. Ngaqë nuk kanë tokë të thellë, këto bimë nuk mund të lëshojnë mirë rrënjë dhe shumë shpejt thahen nga dielli djegës. Në të vërtetë bari thahet para se të ketë mundësinë të rritet konsiderueshëm. Një korrës nuk do ta mbushë dorën gjatë korrjes, as krahët e tij nuk do t’i mbajnë duajt.

129:8 Bari i çative kurrë nuk prodhon një skenë të lumtur korrjeje, në të cilën kalimtarët u thonë korrësve: “Bekimi i Zotit qoftë mbi ju” dhe korrësit t’ua kthejnë: “Ne ju bekojmë në emër të Zotit” (shikoni Ruthin 2:4). Kështu armiqve të Izraelit u mohofshin çdo fryt të lumtur për çdo plugim mizor që kanë bërë me kalimin e shekujve. Le të korrin atë që kanë mbjellë.

Psalmi 130: Jashtë thellësive

Dikush ka thënë se lutja më e mirë vjen nga nevoja e madhe dhe e brendshme. Në kohët e kënaqshme dhe të begata të jetës lutja domethënëse shpesh është rastësia e parë. Por kur sulmohemi nga stuhi të jetës, atëherë dimë me të vërtetë si të prekim fronin e hirit në lutje të zjarrtë dhe këmbëngulëse.

130:1,2 Zakonisht habitem me thellësinë e brengës dhe të vuajtjes që mund të durohet nga trupi njerëzor. Psalmisti është në një ndër ato kllapi të errëta të jetës. Duket sikur nuk ka rrugëdalje për të. Dhe kështu thirrja e tij e zhurmshme merr krahë nga vende të thella drejt fronit qiellor.

Ai me ngut lutet që zëri i tij i hollë dhe vetmitar të dëgjohet, që Zoti ta dëgjojë. Lutja, sigurisht, merr përgjigje. Gjithmonë!

Në mendjen e përgjëruesit problemi i tij deri diku lidhej me ndonjë mëkat. Kjo mund të ishte ose jo e vërtetë. Por sido që të jetë, është gjithmonë një ide e mirë për të hequr mëkatin e parrëfyer si shkak të mundshëm të fatkeqësive tona.

130:3,4 Nëse Zoti do të merrte parasysh fajet, në kuptimin e mbajtjes në një llogari të veçantë dhe të na vinte në rresht për t’i paguar, atëherë situata do të ishte krejtësisht e pashpresë. Por ne mund të jemi përjetësisht mirënjohës, se ka gjithmonë një mënyrë me anë të së cilës mund të falen mëkatet. Ka falje për mëkatarët fajtorë dhe ka falje për shenjtorin që ka mëkatuar.

E para është falje juridike, që do të thotë, falje nga Perëndia, Gjykatësi. Ajo merret me anë të besimit në Zotin Jezus Krisht. Ajo mbulon ndëshkimin e tërë mëkateve – të shkuarat, të tashmet dhe të ardhmes. Ajo bëhet e mundur me anë të veprës së kryer të Krishtit në Kalvar; në vdekjen e Tij Ai pagoi ndëshkimin për tërë mëkatet tona dhe Perëndia mund të na falë lirshëm, sepse tërë kërkesat e Tij të drejta janë plotësuar nga Zëvendësuesi ynë.

E dyta është falje atërore – falja e Perëndisë, Atit tonë. Ajo merret me anë të rrëfimit të mëkateve tona tek Ai. Ajo sjell një përtëritje të përbashkësisë me Perëndinë dhe me familjen e Tij. Gjithashtu ajo është blerë për ne me anë të gjakut të Jezusit, derdhur në kryq.

Një rrjedhojë e faljes së Tij është se Ai duhet pasur frikë. Kur mendoj se çfarë i kushtoi Atij për të paguar mëkatet e mia dhe kur kuptoj se falja e Tij është e plotë, falas dhe e përjetshme, shtyhem ta nderoj, ta besoj, ta dua dhe ta adhuroj Atë përjetë.

130:5,6 Edhe pse psalmisti nuk kishte kërkuar drejtpërdrejt falje, kjo nënkuptohet me siguri në vargjet 3,4. Por kur ai thotë në vargun 5: “Unë pres Zotinnuk e kishte fjalën për faljen. Kjo sigurohet menjëherë sapo bën rrëfimin. Për më tepër ai pret Zotin që ta çlironte nga thellësitë. Ndonjëherë Perëndia i përgjigjet lutjes menjëherë. Ndonjëherë Ai na mëson të presim.

Perëndia i përgjigjet lutjes; ndonjëherë kur zemrat janë të dobëta,

ai i jep dhuratat që bijtë e Tij kërkojnë,

por zakonisht besimi mëson një prehje më të thellë,

dhe i beson heshtjes së Perëndisë kur Ai nuk mund të flasë;

sepse Ai, emri i të cilit është dashuri, do të dërgojë më të mirën.

Yjet mund të shkatërrohen, muret e malit nuk mund të durojnë,

por Perëndia është i vërtetë, premtimet e Tij janë të sigurta

për ata që i kërkojnë.

Anonim

Kështu këtu ai ka mësuar të presë Zotin dhe të ketë shpresë në fjalën e Tij, pra, në premtimin e Tij për të dëgjuar dhe për të dhënë përgjigje. Më tepër se rojtari që pret për dritën e agimit, ai dëshiron me zjarr të shohë Zotin tek sjell dritë në errësirën e tij.

Por vargu 5 e 6 kanë një zbatim më të gjerë, që nuk duhet ta lëmë pa përmendur. Ato shprehin dëshirën më të vendosur të besimtarit sot ndërsa pret ardhjen e Krishtit për të marrë kishën e Tij në qiell. Kjo shpresë e bekuar nuk do të zhgënjehet kurrë.

130:7,8 Dy vargjet e fundit të psalmit mund të mendohen si dëshmia e psalmistit pasi lutja e tij për çlirim kishte marrë përgjigje. Pasi kishte vërtetuar besnikërinë e Perëndisë për veten e tij, ai kërkon që edhe të tjerët të përjetojnë të njëjtën gjë. Gjithmonë ndodh kështu: nëse një njeri beson me të vërtetë diçka, ai është plot ankth derisa t’ua bëjë të ditur të tjerëve.

Kështu Izraeli nxitet t’i mbajë shpresa tek Zoti. Jepen tri arsye. Së pari, dhembshuria e Tij është e pandryshueshme. Pastaj, shpëtimi i Tij është i plotë. Dhe, së fundi, gatishmëria e Tij për ta çliruar Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij është e sigurt.

Psalmi filloi në thellësitë e errësirës. Ai mbyllet me një thirrje drithëruese për të besuar në Perëndinë, për të cilin asnjë problem nuk është i pakalueshëm, asnjë mëdyshje shumë e ndërlikuar.

Psalmi 131: Përulja intelektuale

Ka disa probleme në jetë që e sfidojnë shpjegimin. Mistere shumë të thella për t’u hulumtuar. Rrethana të çuditshme që çoroditin intelektin më të mprehtë.

Cili, për shembull, mund të thotë fjalën e fundit mbi problemin e vuajtjes njerëzore?

Cili mund t’i përgjigjet tërë pyetjeve që prekin fushën e lutjeve që s’kanë marrë përgjigje?

Cili mund të pajtojë zgjedhjen sovrane të Perëndisë dhe vullnetin e lirë të njeriut?

131:1 Davidi nuk rrëfen se njeh të tëra përgjigjet. Zemra e tij nuk ishte kryeneçe si ajo e atij që mendon se i di të gjitha. Sytë e tij nuk ngriheshin shumë lart, sikur të ishte egoisti i mbaruar intelektual. Ai pranonte kufizimet e tij dhe nuk kishte turp të thoshte: “Nuk e di”. Ai ishte i kënaqur të dinte se çfarë mund të njihte dhe t’ia linte misteret Perëndisë. Pse të merrej me gjëra që ishin shumë të mëdha dhe tepër të larta për të? Jo, ai i linte gjërat që nuk i kuptonte në duart e Perëndisë.

131:2 Ky qëndrim për të besuar në diturinë, dashurinë dhe fuqinë e Perëndisë i solli paqe dhe qetësi shpirtit të tij. Ai ishte si një fëmijë i zvjerdhur, që është i qetësuar në prehrin e nënës së tij. Në fillim një fëmijë mund të jetë qaraman, që s’rri në një vend dhe i padurueshëm. Por më pas vjen koha e të ushqyerit dhe fëmija hesht menjëherë, qetësohet në krahët e nënës së tij. Dhe kështu mund ta futim veten në një dridhje mundimi duke u përpjekur për të kuptuar gjërat që janë tepër të larta për ne. Por sapo ia lëmë gjërat që nuk ua dimë përgjigjet Perëndisë, shpirtrave tanë u bie tensioni.

131:3 Psalmisti ua këshillon këtë qëndrim besimi në Zotin të gjithë njerëzve të Izraelit. Kështu ka bërë edhe Tozeri (A. W. Tozer). Ai ka shkruar: “Asnjëherë mos harro se është një privilegj të çuditesh, të qëndrosh në heshtje i gëzuar para Misterit më të Lartë dhe të psherëtish: ‘O Zot, Perëndi, Ti e di'”.

Psalmi 132: Lutja dhe premtimi

Ka një mospërputhje të konsiderueshme për sa i përket autorit dhe rastit për të cilin u shkrua ky psalm. Një ndër pikëpamjet e mundshme është se ishte kompozuar nga Salomoni kur solli arkën e besëlidhjes në vendin e saj të duhur, në tempullin e sapondërtuar në Jerusalem. Në këtë rast, dhjetë vargjet e para janë lutja e Salomonit që Zoti të zbresë në Shekinah (reja e lavdisë) dhe të qëndronte sipër arkës. Vargjet 11 e 12 pohojnë përsëri besëlidhjen që Perëndia bëri me Davidin. Dhe gjashtë vargjet e fundit përmbajnë premtime të veçanta nga Perëndia, që i përgjigjen kërkesave të veçanta të Perëndisë.

132:1-5 Kërkesa hyrëse, që Zoti mbajë mend në të mirë të Davidit të gjitha mundimet që hiqte, nuk i referohet ashpërsisë së përgjithshme që hasnin hapat e tij gjatë jetës, por më tepër përvojave të thella emocionale e fizike që kalonte për të ngritur tempullin si vendbanimin e Perëndisë në tokë. Kjo shpjegohet në tri vargjet që vijojnë. Në një rast, jo të regjistruar në Shkrim, Davidi ka bërë një kontratë solemne me Jehovahun, se nuk do të hynte në shtëpinë e tij, nuk do të shtrihej në shtratin e tij, apo nuk do të shkonte të flinte, derisa të rregullonte një shtëpi për Zotin, një banesë ku të banonte i Fuqishmi i Jakobit. Betimi nuk duhet kuptuar fjalë për fjalë. Është mënyra figurative e gjuhës së Davidit, se ai nuk do të gjente prehje derisa të caktonte një vend të përhershëm për arkën e Perëndisë. Ne e dimë se Davidi nuk u lejua të ndërtonte tempullin, sepse ishte një njeri lufte, por iu dha mundësia që të jepte një ndihmë të rëndësishme për materialet që iu deshën Salomonit dhe Perëndia e shpërbleu për dëshirën e tij.

132:6 Këto vargje duket se janë një kujtesë e vendit të arkës në Kirjath dhe vendosmëria e shprehur e njerëzve të Davidit për ta çuar në Jerusalem. Vargu 6 është tepër i vështirë, sepse duket se e lidh arkën me Efratahun (Betlehemin), megjithatë nuk kemi ndonjë të dhënë nëse arka ka qenë ose jo atje. Më poshtë paraqiten disa përpjekje të zakonshme për të zgjidhur vështirësinë.

1. Mbreti dhe njerëzit e tij dëgjuan për vendndodhjen e arkës kur ishin në Betlehem, por ata në fund e çuan në Jaar, që është Kirjath-Jearimi.

2. Efratahu mund të jetë për Efraimin dhe i referohet vendbanimit të arkës në Shiloah.

3. Efratah mund të nënkuptojë Kaleb Efratahun (shikoni 1 i Kronikave 2:24) dhe jo Betlehemin. Sipas kësaj pikëpamjeje, Kaleb Efratahu është i njëjti me Jaarin (dru) e Kirjath-Jearimit, që do të thotë: “qyteti i druve”. Nëse është kështu, atëherë dy fjalitë e vargut 6 formojnë një paralelizëm në të cilin domethënia e të dyjave është e njëjtë.

Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.

132:7 Ndërsa karvani lëviz me arkën e shenjtë drejt Jerusalemit, njerëzit gëzohen se po shkojnë në banesën e Perëndisë për ta adhuruar përpara fronit të këmbëve të tij. Vetë arka paraqitet si froni i këmbëve të Perëndisë, meqë prania e Tij ishte në renë e lavdishme mbi të.

132:8-10 Më pas dëgjojmë lutjen e Salomonit kur po ndërtonte tempullin (v. 8-10; kr. 2 i Kronikave 6:41,42). Ai po i kërkon Perëndisë që të vijë të banojë në Shenjtërore dhe kjo e bën të vërtetë simbolizmin e arkës. Gjithashtu ai kërkon një pasardhje të perëndishme priftërinjsh për një popull që është i pushtuar nga gëzimi dhe për favorin vijues të Perëndisë mbi mbretin. Shprehja “të vajosurit Tënd” mund të kuptohet se i referohet vetë Salomonit, por gjithashtu edhe Mesias.

132:11-13 Zoti i përgjigjet lutjes, së pari, duke përmendur shkurtimisht besëlidhjen bërë me Davidin. Kjo besëlidhje ishte pa kushte për sa i përket Davidit; ajo i premtonte atij një fron që do të zgjaste përjetë dhe një pasardhje që do të ulej përgjithmonë në të. Por ishte me kushte për sa i përket pasardhjes së Davidit; ajo varej nga bindja e tyre. Prandaj edhe pse Zoti Jezus është një pasardhës i Davidit, Ai nuk është fizikisht pasardhës i Salomonit, por i një biri tjetër të Davidit, Nathanit (Lluk. 3:31).

132:14-18 Më pas u jepen përgjigje të veçanta kërkesave të veçanta të Salomonit. Kjo mund të shihet nga krahasimet e mëposhtme:

Çohu, o Zot, dhe eja në vendi ku pushon Ti dhe arka e forcës sate (v. 8).Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur (v. 14).
Priftërinjtë e Tu le të vishen me drejtësi (v. 9a).Do t’i vesh priftërinjtë e tij me shpëtim (v. 16a).
Dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu (v. 9b).Do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi (v. 16b).
Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd (v. 10).Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim …, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij (v. 17,18b).

Zoti iu përgjigj plotësisht tërë kërkesave të mësipërme të Salomonit. Kemi gjithashtu premtimin tjetër për përkujdesje të bollshme dhe bukë për të varfrit (v. 15). Kemi premtimin se priftërinjtë do të vishen me shpëtim, jo vetëm me drejtësi (v. 16a). Kemi premtimin se shenjtorët do të ngazëllojnë me britma gëzimi (v. 16b). Kemi premtimin që armiqtë do të vishen me turp (v. 18a).

Domethënia e vargut 17 është se në Jerusalem Perëndia do të vërë një Mbret të fuqishëm, që do të dalë nga Davidi (shikoni Llukën 1:69), dhe ka përgatitur një llambë apo një Bir (shikoni 1 i Mbreterve 15:4) për Davidin, të vajosurin e Tij. Këto premtime për një dinasti të përjetshme janë përmbushur në Zotin Jezus Krisht.

Armiqtë e Krishtit do të mbulohen me turp, por koka e Tij do të kurorëzohet me lavdi dhe nder.

Koka që një herë e një kohë u mbulua me gjemba

tani është kurorëzuar me lavdi!

Diadema mbretërore qiellore stolit

ballin e Fitimtarit madhështor!

Thomas Kelly

Psalmi 133: Në lëvdim të unitetit

Gjërat e vogla janë më të çmuarat. Ky psalm është i shkurtër, por është një margaritar në kuptimin material dhe frymërore, që e zëvendëson me cilësi atë që i mungon për nga sasia.

Psalmisti paraqet katër çështje kryesore. E para, është e mirë dhe e pëlqyeshme kur vëllezërit banojnë të bashku në unitet. E dyta, është e këndshme. E treta, është freskuese. Së fundi, është garancia e sigurt e bekimit të Perëndisë.

133:1 Uniteti midis vëllezërve është diçka që duhet dëftuar. Megjithatë, uniteti nuk kërkon që të shohin njëri-tjetrin majë më majë për gjithçka. Në çështjet e një rëndësie themelore ata bien dakord. Në çështjet e dorës së dytë ka liri për pikëpamje të ndryshme. Në të gjitha gjërat duhet të ketë një frymë dashurie. Mund të ketë unitet pa uniformitet; të gjithë jemi ndryshe, por kjo nuk parandalon të vepruarit së bashku. Tërë gjymtyrët e trupit njerëzor janë të ndryshme, por nëse funksionojnë në bindje ndaj kokës, ka një unitet të lavdishëm. Mund të ketë unitet pa unanimitet; Perëndia nuk ka pasur kurrë qëllim që gjithsecili duhet të jetë dakord mbi çështjet e një rëndësie të pakët. Është e mjaftueshme të biesh dakord në gjërat thelbësore. Në çdo gjë tjetër mund të mos jemi dakord për aq kohë sa mund ta bëjmë pa mospëlqim. Armiqtë e vërtetë të unitetit janë xhelozia, thashethemet, përgojimet, kritikat dhe urrejtja.

133:2 Uniteti është si parfumi erëmirë që u përdor për të vajosur priftin Aaron (Eks. 30:22-30). Ai derdhet në kryet e tij, pastaj zbret mbi mjekrën e tij dhe prej andej në cep të rrobave të tij. Aroma e pëlqyeshme nuk shijohej vetëm nga prifti, por edhe nga gjithsecili që rrinte afër. Vaji i shenjtë paraqet shërbesën e Frymës së Shenjtë, që zbret si një aromë me erë të mirë në njerëzit e Perëndisë kur ata jetojnë të lumtur së bashku dhe përhap aromën e dëshmisë së tyre në zonat përreth.

133:3 Pastaj përsëri uniteti sjell freski. “Është si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi“. Psalmisti e shikon malin e Hermonit si burimin e freskisë ripërtëritëse për malet e largëta. Përsëri vesa simbolizon Frymën e Shenjtë, duke sjellë freski nga vëllezërit e bashkuar deri në fund të botës. Askush nuk mund të masë se sa larg shkon ndikimi i besimtarëve që ecin në përbashkësi me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin.

Çështja e fundit është se Zoti jep bekimin atje ku vëllezërit dhe motrat jetojnë së bashku në unitet. Merrni Rrëshajat si ilustrim. Dishepujt jetonin në harmoni dhe paqe, të bashkuar në lutje dhe në pritjen e Frymës së Shenjtë të premtuar. Menjëherë Fryma e Perëndisë zbriti mbi ta në tërë plotësinë e Tij dhe shkuan me aromën dhe freskinë e ungjillit në Jerusalem, Jude, Samari dhe deri në skajet e tokës.

Bekimi shpjegohet si jeta në përjetësi. Kjo mund të kuptohet në dy mënyra. Kur ka unitet midis njerëzve të Perëndisë, ata shijojnë jetën në kuptimin më të vërtetë. Dhe jo vetëm kaq, ata bëhen kanale nëpërmjet të cilave rrjedh jeta te të tjerët.

Psalmi 134: Eja, o i bekuar i Zotit!

134:1,2 Pas morisë së veprimtarive të zakonshme të përditshme në tempull në Jerusalem, njerëzit ktheheshin në shtëpitë e tyre, por kishte priftërinj dhe levitë që qëndronin për të ruajtur gjatë natës (1 i Kronikave 9:33), digjnin temjan, ngrinin falënderime dhe lavdëronin Zotin (2 i Kronikave 29:11; 31:2).

Mund të ketë ndodhur që ndërsa njerëzit tërhiqeshin ua këndonin dy vargjet e para të kësaj kënge priftërinjve. Është tepër e qartë se vargjet i drejtohen shërbëtorëve të Zotit me detyrë natën në tempull dhe se shërbesa e këtyre burrave ishte të bekonin Zotin dhe të ngrinin duart drejt shenjtërores në një qëndrim lutjeje.

134:3 Përgjigjja e vargut 3 është bekimi i priftërinjve që kërkojnë bekimin e Perëndisë mbi njerëzit në veçanti. Vini re katër gjëra rreth bekimit.

Bekuesi – Zoti, Jehovahu, Perëndia që i qëndron besnik besëlidhjes.

Madhështia e Tij – Ai… ka krijuar qiejt dhe tokën.

I Bekuari – Të bekoftë Zoti….

Vendi i Bekuesit – Sioni, vendi i shenjtërores.

Psalmi 135: Arsyeja e lëvdimit

135:1,2 Dy vargjet e para tingëllojnë më tepër si një thirrje e përgjithshme: “Lëvdoni emrin e Zotit“. Në mënyrë të qartë u drejtohet priftërinjve dhe levitëve, por mbase edhe të gjithë njerëzve të Izraelit dhe të gjithëve atyre që kanë frikë Zotin (shikoni v. 19,20).

135:3 Vini re arsyet e tepërta që parashtrohen për të lëvduar emrin e Tij. Ai është i mirë. Asnjë gjuhë e krijuar, tani apo në përjetësi, nuk do të mund të tregojë se sa i mirë është Ai. Gjithçka që mund të bëjmë është të pohojmë faktin dhe ta adhurojmë.

Emri i Tij është i këndshëm apo i dashur. Emri i Tij është hir i mahnitshëm që shpëton mëkatarin më të lig dhe e çon atë në lavdinë e përjetshme.

135:4 Zoti ka zgjedhur Izraelin si zotërimin e Tij. Zgjedhja sovrane e Perëndisë e çon shpirtin endacak të bëjë pyetjen e përhershme: “Pse mua?”. Kjo na bën adhurues!

135:5 Zoti është i madh. Kur e soditim Atë si Krijues, Mbajtës dhe Shpengues, këndojmë me vlerësim të thellë: “Sa i madh që je!”.

Zoti ynë është më i lartë se të gjitha perënditë, që do të thotë, përmbi tërë sunduesit, pushtetet dhe tërë idhujt. “Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE” (Zbulesa 19:16).

135:6 Ai është Sovrani universal (v. 6). Ai bën ç’të dojë në çdo fushë të imagjinueshme. Ashtu siç ka shkruar Arthër Pinku (Arthur Pink):

Sovraniteti hyjnor do të thotë se Perëndia është Perëndi . . .; se Ai është në Fronin e Gjithësisë duke drejtuar çdo gjë, duke vepruar çdo gjë “sipas këshillës së vullnetit të Tij” [95].

135:7 Ai ka fuqi absolute mbi natyrën. Retë, vetëtimat dhe era – të tmerrshme siç janë – drejtohen nga dora e Tij e fuqishme. Stefën Qarnoku (Stephen Charnock) thotë: “Fuqia e Perëndisë është si Vetë Ai: e pafundme, e përjetshme, e pakuptueshme; as nuk mund të kontrollohet, të ndalet apo të zotërohet nga krijesa”.

135:8,9 Ai e çliroi Izraelin nga Egjipti. Shfaqja më e madhe e fuqisë në historinë e Izraelit ishte shtypja e faraonit nëpërmjet plagëve (që arriti kulmin me vdekjen e të parëlindurit të çdo gjëje) dhe me anë të ndarjes më dysh të Detit të Kuq.

135:10,11 Ai shpartalloi armiqtë e Izraelit. Perëndia në mënyrë të hirshme i dha fitoren popullit të Tij mbi Sionin, Ogun dhe kombet pagane që banonin në Kanaan.

135:12 Ai i dha Kanaanin Izraelit. Toka e Kanaanit iu dha si trashëgimi të arratisurve nga Egjipti.

135:13 Ai është i përjetshëm. Emri i Tij rron përjetë dhe emri i Tij, sigurisht, paraqet gjithçka që Ai është.

Ai ka kujtim të përjetshëm. Ai do të kujtohet përjetë në gjithë përjetësinë.

135:14 Ai është i drejtë dhe i dhembshur. Ne mund të varemi në këtë – që Perëndia do të hakmerret për popullin e Tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e Tij. Moisiu e këndoi më parë te Ligji i Përtërirë 32:26, por kënga nuk do të reshtë kurrë.

135:15-18 Ai është më i lartë se idhujt. Përshkrimi i thjeshtë i këtyre perëndive të rreme është i mjaftueshëm për të nxjerrë në pah kotësinë e tyre. Ato janë prej argjendi dhe ari, gjëra që prishen. Ato janë krijuar nga njerëzit, prandaj janë më poshtë se njeriu. Ato janë të shurdhëta, të verbra, memece dhe pa jetë. Dhe më e trishtuara gjë për t’u përmendur është se të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë – të verbër, të shurdhët dhe të vdekur frymërisht.

135:19,20 Një vlerësim i tillë i madhështisë së Perëndisë na çon në dëshirën për ta bekuar Atë, pra, ta mbushim me nder, lëvdim, respekt, adhurim dhe falënderim. Gjithë shtëpia e Izraelit duhet ta bekojë Atë. Të gjithë ata që shërbejnë si priftërinj (shtëpia e Aaronit) duhet ta bekojnë Atë. Ata që shërbejnë si levitë duhet ta bekojnë Atë. Të gjithë ata që kanë frikë nga Zoti duhet ta bekojnë Atë, që është një mënyrë tjetër për të thënë se çdo kategori njerëzish duhet ta lëvdojë Atë. Kjo është ajo çfarë do të këndojë Izraeli kur të kthehet Mesia në Sion dhe të mbretërojë nga Jerusalemi.

135:21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jerusalem. Haleluja!

Kjo është çfarë duhet të themi dhe të bëjnë tani.

Psalmi 136: Haleli i Madh

Ajo që e bën këtë psalm unik është se pjesa e dytë e secilit prej njëzet e gjashtë vargjeve është e njëjta përgjigje antifone: “sepse mirësia e tij vazhdon përjetë”. “Nëse një ‘përjetësi’ nuk mjafton” – ka shkruar Tomas Guduini (Thomas Goodwin) – “kemi njëzet e gjashtë të tilla vetëm në këtë psalm”.

Njihet si Haleli i Madh, të kënduarit e të cilit ishte një pjesë e rregullt e kremtimit si të Pesach-ut, ashtu edhe të Rosh Hashanah-ut, të Pashkës judaike dhe të festimit të Vitit të Ri. Gjithashtu përdorej në adhurimin e përditshëm të judenjve.

Përsëritja e temës nuk është e mërzitshme; ajo na flet se dashuria e qëndrueshme e Zotit duhet të qëndrojë gjithnjë para nesh dhe se tema nuk mund të shteret kurrë. Mirësia, mbajtja e fjalës dhe besnikëria e Tij nuk dështojnë kurrë.

Thirrje për adhurim (136:1-3)

Hyrja na bën thirrje të kremtojmë Zotin, për shkak të asaj që Ai është dhe për shkak të mirësisë së Tij të qenësishme. Ai është Jehovahu – Zoti që i qëndron besnik besëlidhjes. Ai është Perëndia i perëndive – përmbi tërë sunduesit më të mëdhenj në gjithësi. Ai është Zoti i zotëve – sovrani përmbi tërë ata që kanë pozita udhëheqëse, qoftë engjëllore, qoftë njerëzore. Por Ai nuk është vetëm i madh; Ai është i mirë në të njëjtën kohë – i mirë si Krijues, Shpengues, Drejtues, Kampion dhe Sigurues për popullin e Tij.

Krijues (136:4-9)

Mirësia dhe mëshira e Tij shihen së pari në mrekullitë e mëdha të krijimit. Me anë të diturisë së Tij ka bërë hapësirën e mrekullueshme të qiejve. Ai i nxori kontinentet sikur të ishin ishuj të mëdhenj lundrues. Ai vendosi burime të mëdhenj dritë në qiell – diellin për të dhënë dritën gjatë ditës dhe hënën dhe yjet si drita dytësore për orët e gjumit të njeriut.

Shpengues (136:10-15)

Krijuesi i Madh është gjithashtu Shpenguesi i Madh. Që të shpëtonte popullin e Tij nga tirania egjiptase, Ai preu lulen e burrërisë së Egjiptit, pastaj e mori popullin e Tij me dorë të fuqishme dhe u dha atyre lirinë. Për të bërë këtë, Atij iu desh të ndante Detin e Kuqdy pjesë me një rrugë të thatë midis. Izraeli kaloi në mes të tij shëndoshë e mirë, por ushtarët e faraonit u përpinë kur ujërat u kthyen në vendin e tyre. Kjo ishte një shfaqje për të mos u harruar kurrë e dashurisë së qëndrueshme të Jehovahut ndaj popullit të Tij.

Drejtues (136:16)

Për dyzet vjet Perëndia i çoi izraelitët nëpër shkretëtirën e thatë dhe të frikshme. Atje nuk kishte rrugë të shtruara, shenja rrugore, harta, por Zoti ishte gjithçka që kishin nevojë – Drejtuesi i Pakrahasueshëm.

Kampion (136:17-22)

Ai gjithashtu luftoi për ta. Kur mbreti Sihon dhe Og u dolën para duke u zënë rrugën, Ai menjëherë i shkatërroi dhe u dha atyre, si pjesë e sundimit të Izraelit, vendin e tyre.

Ndihmës, Shpëtimtar dhe Përkujdesës (136:23-25)

Si një lloj përmbledhjeje, psalmisti ngre lart Jehovahun, ngaqë kishte qenë Ndihmësi, Shpëtimtari dhe Siguruesi i mrekullueshëm. Ai u kujtua për Izraelin kur njerëzit ishin të pakët në numër, pa mbrojtje dhe të shtypur. Ai i çliroi nga kthetrat e armiqve të tyre. Ai siguron pa dështuar ushqim për çdo gjallesë.

Perëndia i qiellit (136:26)

Shumë shpesh Ai harrohet. Kujdesi i vazhdueshëm i mëshirës së Tij të madhe dhe mirësisë së Tij të pareshtur do të bëjë që ne ta kremtojmë Atë gjithnjë e më tepër.

Psalmi 137: Në rast se të harroj ty, o Jerusalem!

Më prill 1948 pjesa judaike e Jerusalemit ishte praktikisht në një gjendje rrethimi. Rezervat ushqimore gati kishin mbaruar. Njerëzit mbijetonin vetëm me një racion javor, që kishte gjashtëdhjetë gram gjalpë, njëqind e trembëdhjetë gram patate dhe po aq mish të thatë. Pastaj doli lajmi se një karvan kamionësh me ushqime po vinte nga Tel Avivi. Qindra njerëz dolën me vrap për të mirëpritur duzinat e kamionëve. Ata kurrë nuk do ta harrojnë çastin kur panë për herë të parë karvanin. Në kutinë e parë të Fordit blu që printe karvanin dikush kishte shkruar me shkronja të mëdha:

Në rast se të harroj ty, o Jerusalem…

Dhe kështu fjalët e Psalmit 137, vargu 5, janë bërë një thirrje përtëritëse për judenjtë gjatë historisë së tyre të trazuar të robërisë dhe shpërndarjes.

137:1 Shkruar pas kthimit të robërisë babilonase, psalmi kujton hidhësinë e mërgimit larg Sionit.

Sa herë që kishin kohë të lirë, mbase të shtunën, ata mblidheshin pranë lumenjve të Babilonisë për t’u lutur. Kujtimet u vinin ndërmend dhe lotët u rridhnin nga faqet. Ata kujtonin Sionin. Për ta ai ishte qendra frymërore e tërë tokës dhe qendra e jetëve të tyre. Ata kujtonin gëzimin dhe gjallërimin frymëror të të qenit atje gjatë takimeve të shenjta. Dhe tani ata nuk mund të shkonin më atje për të adhuruar dhe vendet e shenjta ishin në duart e papastra të paganëve të parrethprerë. Ndërsa ata vështronin lumenjtë e Babilonisë, shikonin në ta një shëmbëlltyrë të lumenjve të tyre të lotëve dhe ankthit, ashtu siç ishte lutur Jeremia: “Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim” (Vajt. 3:48). Dhe përsëri:

Oh, sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh, në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë të vrarët e bijës së popullit tim! (Jer. 9:1).

137:2 Ata kishin varur qestet e tyre mbi shelgjet, ose siç mund të themi ne, i kishin mbyllur në sirtar. Dhe pse jo? Nuk kishte pse t’i përdornin. Nga pikëpamja njerëzore, të paktën, nuk kishte se çfarë të këndonin. Dhe pa pasur këngë për të kënduar, nuk ishin të nevojshme veglat muzikore.

137:3 Ndodhte shpesh që robëruesit babilonas u kërkonin të këndonin këngët popullore izraelite. Sikur t’u hapnin plagët e vjetra, ata thoshin: “Na këndoni një nga ato këngët që këndonit në vendlindjen tuaj!”.

137:4 Qesharake! Judenjtë nuk këndonin. Jo vetëm ngaqë zemrat e tyre ishin të thyera, por, edhe më fort, se do të ishte plotësisht e papërshtatshme të këndonin këngët e Zotit në vendin e idhujtarëve paganë. Do të ishte njëlloj sikur të harronin Jerusalemin. Ata panë një papërshtatshmëri morale rreth përzierjes së gjërave të Zotit dhe atyre të botës. “Vendi i të huajit dhe kënga e Zotit nuk mund të bashkohen kurrë” – ka shkruar Mejeri (F. B. Meyer).

137:5,6 Tani që është kthyer në vendin e tij psalmisti shpreh vendosmërinë e madhe të popullit të tij për ta pasur Jerusalemin në qendër të jetës së tij – dhe ne kujtojmë këtu se Jerusalemi përfaqëson Zotin që banon atje. Do të vijë koha kur ai nuk do të ketë më atë afrim të pashpjegueshëm dhe instinktiv ndaj Sionit, pastaj një shpagim i drejtë do të ishte që dora e tij e djathtë të thahej dhe të mos ishte kurrë e aftë t’u bjerë telave të harpës. Po, nëse do të ndodhë që Jerusalemi të mos ketë vendin e parë në zemrën e tij, atëherë ai pranon që gjuha e tij t’i lidhet me qiellzën, në mënyrë që të mos këndojë më të ëmblat këngë të vjetra të Sionit.

137:7 Duke shpallur së pari këto mallkime mbi veten e tij, gjen një kohë të përshtatshme për të menduar më pas për ata që kanë pasur dorë në shkatërrimin e Qytetit të Shenjtë.

Merr, për shembull, bijtë e Edomit. Ata përbënin një lloj skuadre brohoritëse që i nxisnin pushtuesit për ta prishur atë plotësisht. “Shkatërrojini, rrëzojini përtokë!” – bërtisnin ata – “Shkatërrojini që nga themelet”. Zoti kujtoftë kënaqjen e tyre të ligë duke parë qytetin të rrëzohej!

137:8 Ishte edhe Babilonia, sigurisht, pushtuesi mizor. Edhe pse ky komb ishte mjeti në duart e Perëndisë për të ndëshkuar popullin e Tij, Ai nuk i përligj babilonasit për veprat e tyre të mëdha të pamëshirshme.

Jam zemëruar me popullin tim, kam përdhosur trashëgiminë time dhe i kam dhënë në pushtetin tënd, por ti nuk ke përdorur për ta kurrfarë mëshire; zgjedhën tënde e ushtrove sidomos mbi të moshuarit (Is. 47:6).

Por jam zemëruar shumë me kombet që jetojnë në mirëqenie, sepse, kur isha zemëruar pak, ata luajtën rol për ta shtuar të keqen (Zak. 1:15).

Nuk kishte pikëpyetje në mendjen e psalmistit për sa i përket shkatërrimit të Babilonisë. Kjo ishte parathënë nga profetët (Is. 13:1-22; Jer. 50:15,28; 51:6,36). Ata që do të kryenin shkatërrimin do të kishin kënaqësinë të përdoreshin nga Perëndia si mjete të gjykimit të Tij.

137:9 Vargu i fundit i psalmit është më i vështiri:

Lum ai që merr foshnjat e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!

Për ata që i kanë marrë mësimet kundër dhunës së DhR duket si një egërsi, hakmarrje dhe urrejtje e pazakontë. Pse, fëmijët e pafajshëm, të pambrojtur, duhet të trajtohen në mënyrë kaq çnjerëzore? Për t’iu përgjigjur pyetjes, duam t’ju sugjerojmë idetë e mëposhtme:

Së pari, duam ta fillojmë me hyrjen se ky varg është pjesë e Fjalës së Perëndisë, e frymëzuar fjalë për fjalë dhe plotësisht. Prandaj problemet varen nga të kuptuarit tonë më tepër sesa nga vetë Fjala. Së dyti, shkatërrimi i të vegjëlve të Babilonisë ishte parathënë qartësisht nga Isaia:

Fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë para syve të tyre, shtëpitë e tyre do të plaçkiten dhe gratë e tyre do të dhunohen (Is. 13:16).

Kështu psalmisti po thotë vetëm atë që Perëndia ka parathënë më parë (përjashto pjesën rreth lumturisë së atyre që ekzekutojnë vendimin e Perëndisë).

Pastaj, përsëri, dimë se fëmijët e pafajshëm zakonisht përfshihen në pasojat e mëkatit të prindërve të tyre (shikoni Eks. 20:5; 34:7; Num. 14:18; LiP. 5:9). Askush nuk është i veçuar nga të tjerët. Ajo që ai bën ndikon te të tjerët, qoftë për mirë, qoftë për keq. Pjesë e hidhësisë së mëkatit është se, duke e lënë të zhvillohet, ai gëlltit të tjerë në shpagimin e tij tragjik.

Në këto pjesë mallkimi po i afrohemi faktit se sjelljet dhe qëndrimet që janë të përshtatshme për të jetuarit e dikujt sipas ligjit të Moisiut nuk janë me domosdoshmëri të përshtatshme për të jetuarit e krishterë nën hir. Zoti Jezus e shprehu këtë në Predikimin e Tij në Mal (shikoni Mt. 5:21-48).

Nuk ka rëndësi se si e interpretoni vargun, zbatimi frymëror është i qartë. Duhet të merremi rrënjësisht me mëkatet e vogla në jetët tona. Dashuritë tona të vogla [gjërat për të cilat kemi dobësi] duhen shkatërruan ose ato do të na shkatërrojnë ne. Ljuizi (C. S. Lewis) thotë në lidhje me këtë fakt:

Njoh gjëra në botën e brendshme që janë si bebet; fillimet e vogla të përmbushjeve të dëshirave të vogla, fyerjet e vogla, të cilat një ditë mund të bëhen urrejtje e madhe, por të cilat përpiqen të na vijnë rrotull dhe na marrin me lajka e me lutje të veçanta dhe duken shumë të vogla, aq të brishta sa që u reziston, ndihemi sikur jemi treguar mizorë me kafshët. Ato fillojnë të na psherëtijnë: “Nuk të kërkoj shumë, por”, ose: “të paktën të kisha shpresuar”, ose: “duhet të kujdesesh më tepër për veten”. Kundër tërë këtyre vogëlsirave të bukura (gjërat e dashura kanë mënyra të shumta për të na bërë për vete) këshilla e psalmit është më e mira. Hiqi këto. Dhe “lum” ai që mund, sepse është më e lehtë të thuash sesa të bësh [96].

Psalmi 138: Fjala besnike e Perëndisë

Davidi ishte tejet mirënjohës për disa përgjigje të mëdha të lutjeve. Në këtë shprehje të mirënjohjes së tij ai na ka lënë një shembull të denjë se si duhet t’u përgjigjemi çlirimeve të mrekullueshme të Perëndisë. Pa dyshim, ky psalm do të realizojë zbatimin e tij më të plotë kur Izraeli të përtërihet më në fund nën mbrojtjen e Jezusit, Mesias.

138:1 Nuk ka asgjë me gjysmë zemre në falënderimet e Davidit. Tërë fuqitë e Tij janë përfshirë për të bekuar Jehovahun.

Dhe nuk ka asgjë të ndrojtur apo private në adhurimin e tij. Ai këndon pa turp përpara perëndive, që do të thotë para mbretërve të tokës. Fjala “perëndive” këtu mund të nënkuptojë gjithashtu engjëjt apo idhujt, por konteksti duket se e kufizon vetëm për sunduesit përqark [fqinjë].

138:2 Sipas zakonit të judenjve të perëndishëm, Davidi binte përmbys i kthyer nga tabernakulli i shenjtë kur adhuronte (tempulli nuk ishte ndërtuar ende) [97]. Ai ngrinte lart emrin e Jehovahut për dashurinë dhe besnikërinë e Tij të qëndrueshme. Është dashuria e Tij që e shtyn Atë të na japë “premtimet e Tij të çmuara dhe shumë të mëdha” dhe është besnikëria e Tij që siguron se do të përmbushet secila prej tyre.

Sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër“. Konteksti ka të bëjë me besnikërinë e Perëndisë duke e mbajtur fjalën e Tij dhe domethënia duket se është që Ai jo vetëm ka bërë atë që ka thënë se do të bëhet, por ka bërë edhe më tepër. Gjithashtu mund të hidhet ideja se “në përmbushjen e tepërt të premtimit të Tij (ndaj Davidit) Perëndia ka tejkaluar tërë zbulimet e mëparshme të Vetvetes” [98]. Nëse vargu nënkupton Fjalën e Mishëruar, atëherë do të thotë, sigurisht, se Perëndia ka ngritur Zotin Jezus përmbi çdo shfaqje tjetër të Vetvetes.

138:3 Vargu 3 zbulon rastin e menjëhershëm për shpërthimin e psalmistit në lutje. Në ditën e nevojës së madhe ai e kishte kërkuar Zotin dhe përgjigjja erdhi menjëherë. Një sasi e madhe fuqie vërshoi mbi shpirtin e tij, duke e larguar frikën dhe duke e bërë të aftë të përballej me rrezikun.

138:4-6 Besnikëria e Perëndisë në përgjigjen e lutjes së Davidit është një dëshmi e fuqishme për mbretërit e tokës. Ata e dinë se çfarë ka premtuar Perëndia dhe tani shohin se si është përmbushur profecia. Kështu ata pranojnë se sa e madhe është lavdia e Jehovahut. Ata kuptojnë se edhe pse Perëndia është i përlëvduari, interesohet në mënyrë të veçantë për njerëzit e thjeshtë (si Davidi) dhe mban largësi ndaj mendjemadhit (si armiqtë e Davidit).

138:7 Është një figurë e mrekullueshme – Davidi rrethohet nga çdo lloj armiqsh, çdo lloj rreziqesh, çdo lloj problemi, megjithatë Zoti e bën të aftë të ecë i sigurt përtej tyre sikur të mos ekzistonin. E njëjta dorë që ngrihet ndaj kundërshtarëve të tij do ta shpëtojë atë nga shkatërrimi.

138:8 Me besim të drejtë Davidi pohon: “Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë”. Është i njëjti besim që Pali shpreh te Filipianëve 1:6: “Duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit”.

Veprën që filloi mirësia e Tij,

krahu i forcës së Tij do ta përfundojë;

Premtimi i Tij është PO dhe AMEN,

dhe këtë cilësi nuk do ta humbë kurrë:

Gjërat e ardhshme, jo gjërat që janë tani,

as gjërat poshtë, as ato sipër

nuk mund të bëjnë që qëllimi i Tij të anulohet,

a të ndajnë shpirtrat tanë nga dashuria e Tij.

Augustus M. Toplady

Po, dashuria e Tij e qëndrueshme zgjat përgjithmonë dhe, megjithëse lejohemi të lutemi me Davidin: “Mos i braktis veprat e duarve të tua“, fakti është se Ai kurrë nuk do të mund t’i braktisë ato.

Psalmi 139: Perëndia është shumë i madh!

Perëndia është shumë i madh!

Nuk ka asgjë që Ai nuk e di.

Nuk ekziston asnjë vend ku Ai të mos jetë i pranishëm.

Nuk ka asgjë që nuk mund ta bëjë.

Nëse njerëzit ngulin këmbë duke qenë armiq të një Perëndie kaq të madh, ata e meritojnë plotësisht atë që iu takon. {që i gjen}

Ky, me pak fjalë, është meditimi i shkurtër i Davidit në këtë psalm të mrekullueshëm.

139:1,2 Së pari, ai fillon me gjithëditshmërinë e Perëndisë. Perëndia njeh çdo gjë.

Nuk ka asgjë që Ai nuk e di.

Edhe pse e pakufi gjithësia dhe tejet e lavdishme,

Ai njeh historinë e përjetshme të çdo kokrre rëre.

Por këtu kemi të bëjmë me njohjen e jetës individuale. Më 1988 është llogaritur se në botë kishte 5 miliardë banorë. Megjithatë Perëndia njeh në intimitet secilin prej tyre. Ai njeh çdonjërin prej nesh.

Ai na ka hetuar dhe na njeh! Fjalët dhe veprat, mendimet dhe shtysat: Ai na njeh nga brenda. Ai e di kur ulemi për të pushuar dhe kur ngrihemi për t’u marrë me veprimtaritë e ndryshme të jetës. Ai mund të thotë çfarë mendojmë dhe madje mund të paraprijë mendimet tona.

139:3 Ai na shikon kur ecim dhe kur shtrihemi për pushim; me fjalë të tjera, Ai na ruan vazhdimisht. Asnjë nga rrugët tona nuk është e fshehur para Tij.

139:4 Ai e di çfarë do të themi edhe para se ta themi. Si e ardhmja, e shkuara dhe e tashmja janë plotësisht të hapura ndaj Tij.

139:5 “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari” (Heb. 4:13). Dhe ngaqë njohja e Tij ndaj nesh është absolute në mënyrë të paimagjinueshme, Ai mund të na ruajë nga pas dhe përpara. Gjithmonë dora e Tij vihet mbi ne për të na mbrojtur.

139:6 Njohja e pafund e Perëndisë çorodit mendjen. Truri ynë njerëzor shtanget vetëm duke e menduar. Është shumë e lartë për ne për ta kuptuar. Por kur mbërrijmë në skajin e kapacitetit tonë për të kuptuar dhe nuk mund të shkojmë më tutje, mund të biem në adhurim para madhështisë së njohjes së Perëndisë!

139:7,8 Perëndia jo vetëm që është i gjithëdijshëm, por Ai është gjithashtu i gjithëpranishëm. Ai ndodhet në çdo vend në të njëjtën kohë. Megjithatë, gjithëprania e Perëndisë nuk është e njëjtë me panteizmin. Ky i fundit mëson se krijimi është Perëndia. Bibla mëson se Perëndia është një Person që është i ndarë dhe i veçuar nga krijimi i Tij. A ka ndonjë vend ku njeriu mund të largohet nga Fryma e Shenjtë e Perëndisë? A ka ndonjë vend ku ai mund të fshihet nga prania e Zotit? Hamendësoni sikur njeriu të ngjitet në qiell, a do t’i shpëtojë Perëndisë atje? Sigurisht që jo, qielli është froni i Perëndisë (Mt. 5:34). Edhe sikur ta bëjë shtratin e tij në Sheol, duke qenë pa trup, ai do ta gjejë Zotin edhe aty.

139:9,10Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë“. Krahët e agimit janë një figurë për rrezet e diellit të agimit, që lëvizin në qiell nga lindja në perëndim me një shpejtësi prej 300 000 km në sekondë. Edhe sikur të udhëtonim në ndonjë skaj të largët të gjithësisë me shpejtësinë e dritës, do ta gjejmë Zotin atje, duke pritur për të na drejtuar dhe ruajtur.

Rastësisht vargjet 9 e 10 përshtaten, në mënyrë të mrekullueshme, me kohën e udhëtimeve me motor reaktiv, kohë në të cilën jetojmë. Kurrë nuk do ta harroj se si Zoti më ka folur me anë të këtij premtimi të çmuar ndërsa po bëhesha gati të nisesha në një udhëtim shërbese të gjerë më 1969. Avionët e shumë reaktivë me të cilët kam udhëtuar ishin si krahët e agimit, duke më çuar fjalë për fjalë në skajin e tokës. Por gjithmonë atje ishte ndjenja e pranisë dhe mbrojtjes së Zotit, pavarësisht nga shpejtësia apo largësia. Kështu përdore këtë premtim për veten tënde dhe ndaje me miq të krishterë që udhëtojnë me avion.

139:11,12 Nëse një njeri pret terrin që ta fshehë nga Perëndia, do t’i besojë një strehe të rreme. Nata nuk mund ta zhdukë praninë e Zotit. Terri nuk është i errët për Të. “Madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty“.

Perëndisë nuk mund t’i shpëtosh absolutisht. Ashtu siç ka thënë Paskali: “Qendra e Tij është gjithandej; perimetri i Tij nuk dallohet asgjëkund”.

139:13,14 Davidi ka folur shumë për gjithëpraninë e Perëndisë. Tani ai fillon të shohë fuqinë dhe aftësinë e Tij. Dhe faza e veçantë e gjithëfuqisë hyjnore që zgjedh është zhvillimi i mrekullueshëm i një fëmije në barkun e nënës së vet. Në një lëndë ujore shumë të vogël, më e vogël se pika mbi i, janë programuar tërë karakteristikat e një fëmije – ngjyra e lëkurës, e syve dhe e flokëve, forma e shqisave të fytyrës, aftësitë natyrore që do të ketë. Ajo që fëmija do të jetë nga ana fizike dhe mendore përfshihet në një formë embrionale në vezën e fertilizuar [pllenuar]. Nga ajo zhvillohen:

. . . 60 mijë miliardë qeliza, 160 mijë km fibra nervore, 96 mijë km enë që mbajnë gjak në tërë trupin, 250 kocka, për të mos thënë gjë për kyçet, gilcat dhe muskujt [99].

Davidi përshkruan formimin e fetusit me delikatesë dhe bukuri të veçantë. “Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënës sime“. Po, Perëndia ka formuar të përbrendshmet tona; secila prej tyre është një inxhinieri hyjnore. Mendoni për trurin, për shembull, me aftësinë e tij për të kujtuar faktet, tingujt, aromat, pamjet, prekjet, dhimbjet; me aftësinë e tij për të sjellë ndërmend; me fuqinë e tij për të bërë llogaritje; me prirjen e tij në dukje të pafund për të marrë vendime dhe për të zgjidhur probleme.

Dhe Perëndia na lidh në barkun e nënës. Kjo përshkruan më së miri endjen e mrekullueshme të muskujve, gilcave, tejzave, nervave, enëve të gjakut dhe kockave të skeletit njerëzor.

Davidi shpërthen në kremtim ndaj Zotit. Ndërsa mendon për njeriun, kurorën e krijimit të Perëndisë, ai vetëm mund të rrëfejë se është krijuar në mënyrë të mrekulluar. Sa më tepër mendojmë për mrekullitë e trupit njerëzor, rregullin e tij, instinktet dhe faktorët e tij të trashëguar, aq më tepër çuditemi se si dikush që njeh shkencën e natyrës nuk është një besimtar në një Krijues të pafund.

139:15 Përsëri psalmisti përmend kohën kur trupi i tij po formohej në barkun e nënës së tij. Vini re këtu se ai përdor përemrin pronor e mia duke iu referuar embrionit apo fetusit. Pikëpamja e Shkrimit është se personaliteti njerëzor ekziston para lindjes dhe se aborti, përjashto rastet e një domosdoshmërie të madhe mjekësore, është vrasje.

Davidi ishte i vetëdijshëm se Perëndia e njihte atë në thellësi që nga fillimi. Kockat e tij, pra, struktura e tij e skeletit nuk ishin një e fshehtë për Perëndinë kur Davidi u formua në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës. Nuk mund të nënkuptojë poshtë sipërfaqes së tokës; askush nuk formohet atje. Në kontekst do të thotë vetëm “brenda barkut të nënës”. Një shprehje e ngjashme gjendet tek Efesianëve 4:9, që flet për Krishtin që ka zbritur në pjesët më të ulta të dheut. Përsëri në kontekst i referohet ardhjes së Tij në botë nëpërmjet ‘paradhomës’ së barkut të virgjëreshës. Këtu bëhet fjalë për Mishërimin e Tij.

139:16 Kur psalmisti flet për masën pa trajtë të tij përdor një fjalë që nënkupton diçka të mbështjellë apo të mbuluar. Barnsi dhe të tjerë mendojnë se fjala tregon patjetër embrionin apo fetusin, “ku tërë gjymtyrët e trupit janë si të mbledhura apo të pazhvilluara; që do të thotë para se të marrin formën dhe masën e tyre të duhur”. Edhe në atë fazë parapërgatitore të ekzistencës së tij, sytë e Perëndisë ruajnë këngëtarin e ëmbël të Izraelit.

Dhe në librin e Perëndisë ishin shkruar ditët e jetës së Davidit nga Arkitekti hyjnor para atij çasti historik kur Davidi shpalli mbërritjen e vet me anë të asaj qarjeje të parë energjike.

139:17,18a Psalmisti mendon për planifikimin e kujdesshëm të Perëndisë në krijimin e frymës, shpirtit dhe trupit të tij. Sa të çmuara janë mendimet e Tij – vëmendja e Tij ndaj hollësisë më të vogël. Endrju Aivi (Andrew Ivy) ka thënë: “Çdo qelizë, pa përjashtim, ‘di’ rolin e vet në kryerjen e planit apo qëllimit për të mirën e trupit si një i tërë”.

139:18bKur zgjohem jam ende me ty“. Më duket sikur psalmisti këtu i referohet çastit të lindjes së tij. Në vargjet e mëparshme (13-18a) ai ka theksuar afërsinë e Perëndisë ndaj tij përgjatë nëntë muajve para se të lindte. Por edhe pasi ka lindur pamja nuk ndryshon; ai është ende me Zotin si Mbajtësi, Mbrojtësi dhe Drejtuesi i Tij. Ai flet për lindjen e tij si një zgjim, ashtu siç ne e quajmë atë: “kur pa për herë të parë dritën e diellit”.

139:19-22 Pasi ka soditur gjithëditshmërinë, gjithëpraninë dhe gjithëfuqinë e Perëndisë, psalmisti mendon për ata njerëz të dobët që guxojnë të kthehen kundër Tij dhe del në përfundimin se ndëshkimi i tyre është i merituar. Në mënyrë të pashmangshme disa do të ngrenë vetullat me lutjen e Davidit në vargjet 19-22, si diçka jo e krishterë për sa i përket tonit të tij. Ata do të protestojnë se ndjenjat e psalmistit janë gjykuese dhe të papërputhshme me dashurinë hyjnore. Për veten time mendoj se dashuria e Perëndisë është theksuar sipas masës së shenjtërisë dhe të drejtësisë së Tij. Është e vërtetë se Perëndia është dashuri, por kjo nuk është e gjithë e vërteta. Ky është një ndër atributet e Tij. Dhe dashuria e Tij nuk mund të ushtrohet kurrë në kurriz të atributeve të tjera. Për më tepër, fakti se Perëndia është dashuri nuk do të thotë se Ai është i paaftë të urrejë; “shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën” (Psa. 11:5); Ai urren të gjithë keqbërësit (Psa. 5:5); Ai urren sytë e ligë, gjuhën gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm, zemrën që thur plane të këqija, këmbët që nxitojnë të bëjnë të keqen, dëshminë e rreme që nxjerr gënjeshtra dhe njeriun që mbjell përçarje midis vëllezërve (Fja. 6:16-19).

Eduard Jangu (Edward J. Young) na kujton:

Para se të vazhdojmë të dënojmë Davidin për lutjen e tij, është mirë të vëmë re se ne vetë lutemi për të njëjtën gjë sa herë lutemi me fjalët e lutjes së Zotit: “Ardhtë mbretëria Jote, u bëftë vullneti Yt” [100].

Ardhja e mbretërisë së Krishtit do të paraprihet nga shkatërrimi i armiqve të Tij, kështu të lutesh për ardhjen e saj do të thotë të lutesh për shkatërrimin e tyre. Davidi pa ndrojtje mezi pret kohën kur Perëndia do të vrasë të ligjtë dhe kur njerëzit gjakatarë do të përfundojnë ngacmimin e tyre përgjithmonë (v. 19). Këta janë njerëzit që sfidojnë me ligësi Zotin Perëndi dhe që ngrihen kundër Perëndisë me qëllime të këqija.

Urrejtja e Davidit ndaj këtyre njerëzve nuk ishte një çështje e pakënaqësisë së tij. Por më tepër ngaqë ata urrenin Perëndinë dhe ishin rebeluar kundër Shumë të Lartit. Ishte zelli i Tij për nderin e Zotit që e shtynte atë t’i urrente me një urrejtje të përsosur dhe t’i llogariste si armiqtë e tij. Me këtë na kujton Zotin Jezus, zelli i të cilit për shtëpinë e Atit të Vet e shtyu të përzinte këmbyesit e parave. “Telat e harpës së Davidit ishin telat e zemrës së Jezusit”. Jangu (Young) shpjegon:

Davidi urreu, por urrejtja e tij ishte si urrejtja e Perëndisë; ajo nuk dilte nga emocione të liga, por më tepër nga dëshira më e sinqertë që qëllimet e Perëndisë të qëndronin dhe që paudhësia të humbiste. Nëse Davidi nuk do të kishte urryer, ai do të dëshironte suksesin e së ligës dhe rënien e Vetë Perëndisë. Është mirë të ruajmë këto mendime në mendje kur shohim natyrën e urrejtjes së Davidit [101].

139:23,24 Psalmi mbyllet me një lutje që gjen vend për tërë popullin e Perëndisë, një lutje që nuk do të vdesë kurrë për aq kohë sa do të ketë shenjtorë në tokë që do të mëkatojnë. Ajo i kërkon Perëndisë Shumë të Lartë të hetojë dhe të njohë plotësisht zemrën, të provojë me kujdes dhe të njohë ankthet apo mendimet. Ajo i kërkon Atij të nxjerrë në dritë çdo rrugë të keqe në mënyrë që të rrëfehet dhe të braktiset. Dhe së fundi, i kërkon Atij ta udhëheqë nëpër rrugën e përjetshme.

Ajo nuk është sfida e një njeriu që ngre zërin për pafajësinë apo drejtësinë e vet. Për më tepër është rrëfimi i atij që ka qenë në praninë e Zotit dhe është i bindur për natyrën e tij mëkatare. Ai kupton se nuk i njeh tërë paudhësitë e tij dhe kërkon që Zoti t’ia bëjë të ditura në mënyrë që të trajtohen ashtu siç duhet.

Psalmi 140: Nga duart e të ligjve

140:1-3 Davidi fillon me një lutje për çlirim nga përgojimi i armikut të tij. Njerëzit e këqij po e merrnin nëpër gojë dhe njerëzit e furishëm po thurnin plane të tmerrshme kundër tij. Ata nuk do të ishin të lumtur derisa sa të fillonin luftën. Ata e kishin bërë gjuhën e tyre me majë të mprehtë dhe helmi dilte nga buzët e tyre.

140:4,5 Por psalmisti gjithashtu kishte nevojë për mbrojtje nga kurthet e armikut. Ata të pabesë ishin mjeshtra në artin e kurtheve. Ata thurnin plane për ta zënë në lak. Ata vinin kurthe qorre në shtegun e tij. Ata ngrinin një rrjetë për ta shtënë në dorë. Ata hidhnin karremat dhe joshnin gjatë tërë rrugës.

140:6-8 Ai ende kishte nevojë për mbrojtje nga skemat e tyre vrasëse. Kështu ai i afrohet Perëndisë.

Në lutje – “Ti je Perëndia im“.

Në rrëfim – “Dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia“.

Në varësi – “O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim“.

Në mirënjohje – “Ti e ke mbuluar kokën time (si me helmetë) ditën e betejës“.

Në përgjërim – “O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen“.

Ky përgjërim i fundit do të thotë: “Mos i lejo të bëjnë gjërat që duan kundër meje. Mos u bëj bashkëfajtor në përbetimet e tyre të liga edhe duke i lejuar ata”. Ne e dimë se Perëndia nuk do të ndihmojë dhe nuk do të përkrahë kurrë ndonjë paudhësi, por ideja këtu është se tolerimi më i thjeshtë ndaj tyre mund të dukej se tregonte miratimin e Tij.

140:9-11 Më pas psalmisti lutet që të kthehet pllaka e historisë mbi të ligjtë, që gjërat e tmerrshme që ata kanë planifikuar për të të binin mbi vetë kokat e tyre krenare, që qymyre të ndezur të bien mbi ta, që ata të hidhen në burgjet e nëndheshme pa mundësi arratisjeje. Ai kërkon që për njeriun gojëkeq të mos ketë vend në tokë dhe që shkatërrimi të bjerë mbi njeriun e dhunës pa vonuar.

140:12,13 Psalmi mbyllet me besimin e sigurt në Zotin e drejtë. Çfarëdolloj gjëje të ndodhë, Davidi e di se e drejta do të triumfojë – se Zoti është në anën e të pikëlluarit dhe të të varfrit. Dhe të drejtët do të kenë gjithmonë arsye për ta falënderuar Zotin për tërë ndihmën e Tij. Njerëzit e ndershëm do të banojnë në praninë e Tij përgjithmonë dhe kjo bën që vuajtjet e jetës të duken vetëm si shqetësime të vogla.

Psalmi 141: Lutja e llogaritur si temjan

141:1 Në fillim të psalmit Davidi lutet që të dëgjohet dhe pranohet. Ndërsa lutja e tij vajtuese merr krahë drejt qiellit, ai kërkon që Zoti të shkojë tek ai menjëherë dhe ta dëgjojë me vëmendje.

141:2 Ky varg është jashtëzakonisht i mrekullueshëm. Ai kërkon që lutja e tij të jetë aq e këndshme dhe erëmirë para Perëndisë, sa edhe temjani, dhe që ngritja e duarve të tij në përgjërim të ketë të njëjtin ndikim te Zoti si dhe flijimi i mbrëmjes.

141:3,4 Por më pas ai zhvendoset nga përgjithësitë në hollësi. Shqetësimi i tij kryesor është që të qëndrojë larg bashkëpunimit me të paperëndishmit qoftë me fjalë, qoftë me vepra. Ai kërkon një rojë për gojën e tij për të parandaluar nxjerrjen e ndonjë fjale të gabuar, për të ruajtur gojën e tij nga të folurit që nuk e nderon Zotin. Pastaj ai kërkon një zemër që është e pastër nga ndonjë dëshirë e fortë për të bashkëpunuar me të korruptuarit në veprat e tyre të këqija. Ai nuk do të përfitojë nga përparësitë e tyre, sado tërheqëse apo tunduese qofshin.

141:5 Sugjerimet, kritikat dhe qortimet e miqve të perëndishëm janë të mirëpritura nga njerëzit e ndjeshëm. Ne zakonisht nuk mund t’i shohim gabimet në veten tonë aq qartë sa mund t’i shohim te të tjerët. Vetëm ata që kujdesen me të vërtetë për ne janë gati të na bëjnë të ditur të metat tona dhe “njollat e errëta”. Është mirësjellje nga ana e tyre dhe duhen mirëpritur si ilaçe për ne.

Por lutja ime vazhdon të jetë kundër veprimeve të tyre të këqija.

Lidhja këtu është e menjëhershme, por domethënia duket të jetë se Davidi vazhdon të lutet që planet kriminale të të këqijve, të përmendura në vargun 4, të dështojnë. Darbi e përkthen kështu këtë fjali: “Edhe pse lutja ime është [për ta] në fatkeqësitë e tyre”. Këtu ideja është se ai lutet për njerëzit kur vijnë problemet në jetët e tyre, megjithëse ata përpara e kanë qortuar atë. A nuk është tendenca jonë të mos lutemi për njerëz të tillë? Disa mendojnë që nënkupton se ai lutet për armiqtë e tij në fatkeqësitë e tyre, por një qëndrim shpirtgjerë i tillë i krishterë duket sikur kundërshtohet nga vargu 10.

141:6 Princat e tyre i hodhën nga skërkat dhe ata do t’i dëgjojnë fjalët e mia, sepse ato janë të këndshme.

Princat e tyre këtu mbase u referohet udhëheqësve të rrjetit të Mafies së ligë. Kur ata do të pësojnë rrënimin e pashmangshëm, pjesa tjetër e mëkatarëve do të kuptojnë se fjalët e Davidit ishin të vërteta.

141:7 Kockat tona janë të përhapura në gojën e varrit, ashtu siç plugon dikush dhe çan tokën.

Këtu tema duket se ndryshon nga armiqtë e Izraelit të vetë populli jude. Përndjekjet e tyre kanë qenë si plugimi i tokës. Tani duket sikur nuk ka mbetur asgjë, veç skeleteve të tyre dhe Sheoli pret me gojë të hapur për të shqyer kockat. Kjo na bën të mendojmë për vegimin e kockave të thata të Ezekielit, duke iu referuar, sigurisht, Izraelit (Eze. 37:1-14).

141:8-10 Në tri vargjet e fundit psalmisti lutet për çlirim për veten e tij dhe shpagim për armiqtë e tij. Pritja e tij është vetëm nga Zoti dhe shpresa e tij për strehë e mbrojtje është vetëm në Perëndinë. Prandaj ai kërkon që të çlirohet nga kurthet e ngritura mirë nga të paperëndishmit dhe që ata vetë të bien në to.

Psalmi 142: Askujt nuk i bëhet vonë

I përndjekur nga armiqtë e tij, i braktisur nga miqtë e tij, i futur një shpellë – ky është vendi ku e gjejmë tani Davidin.

142:1,2 Ai po lutet me zë të lartë – edhe pse është vetëm. Thirrjet dhe përgjërimet e njeriut të braktisur kumbojnë brenda shpellës. Ai paraqet vajtimin e tij para Zotit – jo se ai është i zemëruar apo i hidhëruar, por thjesht se dëshiron t’i tregojë Zotit gjithçka rreth fatkeqësisë dhe trishtimit të tij. Është ngushëlluese për të të dijë se kur forca e tij ikën, Jehovahu e di se çfarë po heq.

142:3,4 Një faktor i rëndësishëm në tregimin e mjerimit të tij është kërcënimi i vazhdueshëm i armiqve të tij; ata gjithmonë ngrenë kurthe atje ku mendojnë se do të kalojë ai. Kur kërkon një të drejtë, pra, një avokat apo ndihmës, nuk ka asnjë. Gjithsecili duket moskokëçarës ndaj nevojës së tij të dëshpëruar. Askush nuk kujdeset për jetën e tij. Është me të vërtetë një britmë e frikshme: “Asnjeri nuk kujdeset për jetën time“, një padi e tmerrshme kundër një shoqërie egoiste dhe vetjake – dhe mbase sot kundër një kishe gjumashe.

142:5-7 Por nëse nga ana njerëzore nuk gjen strehë, ai mund të kthehet te Zoti, një strehë e padështueshme dhe një pjesë e bekuar në tokën e të gjallëve. Kështu Davidi i kërkon Zotit të shkojë tek ai për ta shpëtuar menjëherë, sepse e kanë lënë shpresat. Ata që e urrejnë duket si kanë shumë pushtet. Prandaj, ai ka nevojë për Zotin që të ndërhyjë në favor të tij. Kur Jehovahu e çliron atë nga burgu i mërgimit dhe i problemeve, Davidi do të tregojë se sa mirënjohës është.

Gjithashtu besimtarët do të mblidhen nga çdo anë për ta uruar dhe do të bashkohen në falënderime, sepse Zoti ka qenë shumë i mirë me të. Ashtu siç thotë Klarku (Clarke): “Ata që nuk mund të na mbrojnë në problemet tona le të marrin pjesë në triumfin tonë” [102].

Psalmi 143: Spektri i gjerë i lutjes

Është e mahnitshme se sa tema dhe gjendje shpirtërore të ndryshme mund të gjenden në një psalm me dymbëdhjetë vargje. Më poshtë janë të paraqitura:

143:1 Kërkesa e përgjithshme për dëgjim. “Dëgjo vëru veshin përgjigjmu“. Nuk kemi të bëjmë me varfëri të të shprehurit, por më tepër me larmi theksimi. Davidi i kërkon Perëndisë t’i përgjigjej me besnikërinë (ndaj premtimeve të Tij) dhe me drejtësinë e Tij (sepse është e drejtë për Të të mbrojë shërbëtorin e Tij të pambrojtur).

143:2 Pendesa. Ai nuk do që Perëndia t’i japë drejtësi. Kjo do të ishte shkatërrimtare. Të gjithë janë mëkatarë. Askush nuk është i aftë të prodhojë vetë drejtësinë e përsosur që kërkon Perëndia. Kështu që njeriu e lë veten në hirin e Perëndisë.

Kur shkojmë tek Ai si të penduar, që nuk meritojmë asgjë të mirë, duke pranuar mëkatet tona dhe Krishtin si Shpëtimtarin tonë nga mëkati, atëherë Perëndia na e ngarkon ne drejtësinë e Tij dhe në Krishtin bëhemi të përshtatshëm për qiellin.

143:3 Krizat e mprehta. Situata është e zymtë. Armiku është vërsulur mbi të pa mëshirë. Ai ndihet sikur ta kenë rrahur e hedhur përtokë. Torturuesit e tij e kanë detyruar të jetojë në vetmi, në vende të errëta, i fshehur, i braktisur dhe i harruar si kufomë e lashtë në varr.

143:4 Dëshpërimi. Ai ka frikë se nuk mund t’ia dalë dot mbanë. Fryma e tij është gati të heqë dorë dhe zemra e tij ka ngrirë.

143:5 Kujtesa. Ai sjell ndër mend ditët kur Perëndia kryente çlirime të mëdha për të dhe gjithashtu për kombin e Izraelit. Ku janë ato kohë tani?

143:6 Zjarrmia. Sinqeriteti dhe zjarri i lutjes së tij tregohet me anë të duarve të tij, zgjatur në mënyrë përgjëruese drejt Perëndisë.

Këmbëngulja. Ai është i etur për Perëndinë, ashtu si një tokë e thatë dhe djerrë që ka etje për shiun freskues.

143:7 Ngutja. Zoti duhet të nxitojë për ta shpëtuar ose, përndryshe, ai është i sigurt se nuk do të mbijetojë më.

Kërkesë për favor. Fshehja e fytyrës së Perëndisë, qoftë në zemërim apo në mosinteresim, për të do të jetë njëlloj si të vdesë.

143:8 Kërkesa për mirësi. Ai dëshiron të dëgjojë Perëndisë që t’i flasë shpejt me fjalë dhe tone dashurie të qëndrueshme. “… në mëngjes” do të thotë herët apo pa vonuar.

Lutje për drejtim. Dikush ka thënë se ky është një varg që gjithsecili duhet ta marrë si një moto të jetës: “Më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje“. Drejtimi hyjnor është i domosdoshëm. Ne thjesht nuk e dimë rrugën, apo çfarë do të ishte më e mira për veten tonë. Vetëm jeta e drejtuar nga Perëndia është e frytshme dhe e gëzueshme.

143:9 Kërkesë për çlirim. Kërcënimi i armiqve të tij nxiti Davidin të thërriste Zotin për shpëtim dhe çlirim. Ai nuk është varur në asnjë tjetër për mbrojtje – vetëm në Zotin dhe kjo besnikëri besimi formon tashmë bazën e lutjes së tij.

143:10 Thirrje për mësim. Psalmisti nuk deshi vetëm të njihte vullnetin e Perëndisë (v. 8b), por donte gjithashtu një zemër të mësuar për t’iu bindur atij vullneti. Perëndia, mbi të gjitha, ishte Perëndia i tij dhe çfarë mund të ishte më e përshtatshme për krijesën se sa t’i bindej Krijuesit të tij?

Lutje për një shteg të drejtë. Gjithsecili ka rrëzimet dhe ngritjet e veta në jetë, por jo gjithsecili ka një rrugë me gurë si Davidi. Dëshira e tij këtu është që Fryma e mirë e Zotit ta udhëheqë nëpër një terren të sheshtë, të çliruar nga format e ndryshme të rrezikut dhe të shkatërrimit ndaj të cilave ai ishte përballur.

143:11 Lutja për ruajtje. Duke e lidhur ruajtjen e tij të vazhdueshme me lavdinë e Perëndisë (“për hir të emrit tënd“), psalmisti përdor një ndër levat më të forta për të lëvizur dorën dhe zemrën e Gjithëpushtetshmërisë. Në të njëjtën mënyrë ai i drejtohet drejtësisë së Perëndisë si arsyes pse duhej të çlirohej nga fatkeqësia. Kjo është një lutje e fuqishme.

143:12 Shpagim mbi armiqtë. Së fundi, ai kërkon që Perëndia të kërkojë dhe të shkatërrojë armiqtë e tij, si shfaqje e mirësisë së Tij. Nëse këto gjëra – shkatërrimi dhe mirësia – tingëllojnë të papajtueshme për ne, duhet të kujtojmë se:

shkatërrimi i të pabesëve është një nder për gjithësinë; ashtu si ndalimi dhe ndëshkimi i një hajduti është një e mirë për shoqërinë, njerëzimin, po ashtu një burg është një shfaqje e mirësisë dhe e drejtësisë: – mirësi ndaj shoqërisë; drejtësi ndaj shkelësve [103].

Thirrja e fundit e Davidit mbështetet mbi faktin se është shërbëtori i Jehovahut. Ai është në anën e Zotit. Ai po i shërben Zotit. Vetëm me anë të largimit të armiqve të tij mendon se mund të vazhdojë.

Psalmi 144: Populli i lumtur

Megjithëse ky psalm është ndërtuar nga fragmente të psalmeve të tjera, nuk u është bashkëngjitur atyre rastësisht. Kemi të bëjmë me një vazhdimësi të vërtetë.

144:1,2 Së pari, Davidi e nderon Perëndinë si ndihmën e tij në betejat e jetës. Është Zoti që i jep aftësitë dhe shkathtësinë në përballjen e tij me armikun. Zoti është kështjella, hiri, fortesa, streha e tij e lartë, çliruesi, mburoja, vendi ku gjen strehë dhe fitorja e tij. Për çfarë mund të ketë nevojë apo mund të dëshirojë tjetër?

144:3,4 Në dritën e madhështisë së Perëndisë, njeriu është krejt i papërfillshëm. Është çudi që Perëndia hedh sytë nga ai. Ai është po aq kalimtar sa edhe fryma në një ditë të ftohtë, i përkohshëm si hija që kalon. Kjo është e vërtetë për tërë njerëzimin, por Davidi mbase po mendon këtu në mënyrë të veçantë për kundërshtarët e tij.

144:5-8 Kjo e nxit Davidin të lutet për çastin kur Perëndia i pathyeshëm do të sulet kundër armiqve të Tij të dobët. Por si mund ta përshkruajmë mbërritjen e Perëndisë së padukshëm? Mënyra e vetme është duke përshkruar një ndër ato teofanitë madhështore, në të cilat lëkundet tërë natyra dhe tundet gjithësia. Qiejt ulen ndërsa Perëndia zbret. Ai prek malet dhe ato bëhet vullkane që nxjerrin tym. Rrufetë çajnë tërë qiellin si shigjeta nga Shumë i Larti. Pastaj kur armiku është çorganizuar dhe zmbrapsur, Perëndia zbret dhe shpëton Davidin nga dallgët e mëdha të shqetësimeve. Ai e çliron atë nga dora e pushtuesve të huaj që janë gënjeshtarë të pandreqshëm, që ngrenë dorën e tyre të djathtë për të gënjyer në vend që të miratojnë të vërtetën.

144:9-11 Si rezultat i çlirimit të tij, psalmisti do t’i këndojë një kantik të ri Zotit. Me harpën me dhjetë tela ai do të ngrejë lart Atë që e çliroi nga shpata e kobshme e kundërshtarëve të huaj – këta njerëz që janë gënjeshtarë të vazhdueshëm edhe kur janë betuar për të treguar të vërtetën.

144:12 Kur mbreti të çlirohej nga këta elemente subversive, mbretëria e tij do të gëzonte kushtet ideale të përshkruara këtu. Këto kushte nuk do të realizohen plotësisht derisa të kthehet Zoti, të shtypë çdo rebelim dhe të vendosë Mbretërinë e Tij Mijëvjeçare.

Së pari, do të kemi bekimin e gjallërisë së familjes. Bijtë do të jenë të shëndetshëm, të shëndoshë e të pashëm, si bimë të forta dhe të qëndrueshme. Vajzat do të jenë me pamje shtatoreje dhe të bukura, si shtylla të vendosura si shtatore në një pallat.

144:13-15 Pastaj do të ketë mbushulli në agrikulturë. Hambarët dhe qilarët do të mbushen plot me grurë dhe të gjitha të mirat. Kopetë do të riprodhohen së tepërmi derisa të ketë tufa me mijëra dhe dhjetëra mijëra në fushat. Gjedhët do të tërheqin mall pa problem, pra, qetë do të ngarkohen me ngarkesa të mëdha. Shprehjet “mos pastë asnjë sulm të papritur” dhe “mos pastë dalje të papritur, as britmë në sheshet tona” mund të nënkuptojnë se vendi do të jetë i çliruar nga pushtuesit e huaj, që nuk do të ketë migrim të detyruar në mërgim dhe asnjë demonstratë të zhurmshme apo trazirë në sheshet.

Ky është një imazh i një lumturie të pashoqe, lumturi që i takon popullit që pranon Jehovahun si Perëndinë e tyre.

Psalmi 145: Shkronja “nun” që mungon

“Psalmi i lavdërimit” i Davidit është një psalm akrostik; çdo varg fillon me shkronjën vijuese të alfabetit hebraik. Megjithatë, në tekstin tradicional hebraik (masoretik), shkronja “nun”, që i përgjigjet shkronjës sonë “n”, mungon midis vargjeve 13 e 14. Versionet e lashta greke, siriake [gjuha siriane e vjetër] dhe latine shtojnë si vijon:

“Zoti është besnik në tërë fjalët e Tij dhe i hirshëm në tërë veprat e Tij”.

Në shekullin e njëzet i njëjti rresht – rreshti ku mungon shkronja “nun” – është gjetur gjithashtu në versionin hebraik te pergamenat e Detit të Vdekur.

145:1-3 Tema e psalmit është madhështia e Zotit. Psalmisti digjet nga një vendosmëri e shenjtë që të përlëvdojë, të bekojë e të lëvdojë Perëndinë dhe Mbretin e tij sot (çdo ditë) dhe në përjetësi (përjetë). Thelbi i këngës së tij të pafundme do të jetë se Perëndia është i madh, se madhështia e Tij është e denjë për lavdërim dhe se madhështia e Tij është e pacak në përmasat e saj.

145:4 Veprat dhe mrekullitë e Perëndisë do të lëvdohen nga një brez tjetrin. Kënga nuk do të vdesë kurrë.

145:5 Vetë psalmisti do të mendohet thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë së Perëndisë që janë zbuluar në veprat e Tij të mrekullueshme të çlirimit.

145:6 Njerëzit do të tregojnë me hollësi për fuqinë e veprave të tmerrshme të gjykimit të Perëndisë dhe Davidi do të vazhdojë të tregojë madhështinë e Zotit.

145:7 Njerëzit në çdo vend do të përhapin në mënyrë entuziaste famën e mirësisë së madhe të Zotit. Dhe madhështia e drejtësisë së Tij do të jetë tema e këngëve të gëzueshme.

145:8 Madhështia e Zotit shtrihet nga hiri i Tij te dhembshuria. Ai është i madh në vetëkontrollin e Tij dhe i madh në mëshirë.

145:9,10 Mirësia e Tij shtrihet ndaj të gjithëve, pa dallim dhe Ai është i dhembshur ndaj të gjitha krijesave të Tij, pa përjashtim.

Tërë veprat e Tij i japin Atij falënderime, edhe pse kjo nuk dëgjohet me zë të lartë. Vetë ekzistenca e tyre tregon diturinë dhe fuqinë e Tij. Dhe shenjtorët e Tij bashkohen duke e bekuar Atë për përsosmëritë e Tij të pafundme.

145:11-13 Pastaj kemi madhështinë e mbretërisë së Tij. Mbretëria e Tij është fuqi dhe lavdi. Vetë populli i Tij i tregon pjesës tjetër të njerëzimit madhështinë e veprave të Tij dhe përsosmëritë e ndritura të sundimit të Tij. Mbretëria është një mbretëri përjetë vazhdon brez pas brezi.

145:14 Zoti është i madh në ruajtjen e Tij ndaj atyre që rrëzohen nga barrët e jetës. Dhe Ai i ngre ata që janë dërrmuar nga shtypjet dhe problemet.

145:15,16 Përsëri Ai është i madh në përkujdesjen e Tij. Tërë krijesat shohin drejt Tij në varësi e pritje, dhe Ai u siguron atyre ushqimin kur kanë nevojë – një bëmë e mrekullueshme e organizuar rritjeje, përgatitjeje dhe shpërndarjeje. Pa ndonjë përpjekje më të madhe, veçse sa të hapë duart e Tij, Ai ushqen krijesat e Tij të panumërta në tërë gjithësinë. Sa Perëndi i madh që është!

145:17 Ai është i madh në drejtësinë dhe mirësinë e Tij. Asgjë që bën nuk është e gabuar apo e pamëshirshme. Vetëm në Perëndinë bashkohen këto virtyte në mënyrë të përsosur.

145:18 Ai është i madh në mirësjelljen dhe gatishmërinë e Tij – gjithmonë pranë atyre që e kërkojnë me sinqeritet.

145:19 Ai është i madh në shpëtimin e Tij. Askush që i afrohet Atij në pendim dhe me besim nuk kthehet duarbosh.

145:20 Ai është i madh në ruajtjen e Tij ndaj të gjithëve atyre që e duan. Ai i fton ata të hedhin tërë shqetësimet e tyre mbi të.

Së fundi, Ai është i madh në zemërimin e Tij. Të gjithë të pabesët do të shkatërrohen.

145:21 Mendja e Davidit ishte ngritur – Ai do t’i jepte lëvdimin këtij Perëndie të madh përjetë dhe Ai do të nxiste çdo gjë tjetër për të bërë të njëjtën gjë.

Kjo më shtyn të them këto gjëra rreth shkronjës “nun” që mungon: Ndërsa tërë pjesa tjetër e gjithësisë po lëvdon Zotin, a mos je ti ai që mungon!

Psalmi 146: Lavditë e Perëndisë së Jakobit

146:1 Vargu i parë përmban dy folje në urdhërore, me anë të të cilave psalmisti i bën thirrje vetes: “Lëvdo Zotin!“.

146:2 Vargu i dytë përmban dy fjali dëftore në të cilat, në fakt, ai përgjigjet: “Unë do ta lëvdoj Zotin derisa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime. Është një dialog i dashur midis një njeriu dhe vetvetes.

146:3,4 Pjesa tjetër e psalmit shpjegon pse Perëndia dhe jo njeriu është i denjë për besimin e plotë dhe të vendosur. Nuk kalon shumë kohë dhe shumë prej nesh mësohen të mos kenë besim te ndonjë bir njeriu – as edhe te princat që mendohet të jenë më të fuqishëm. Njeriu më i mirë është vetëm një njeri. Ata nuk mund ta shpëtojnë veten, le më të tjerët. Kur zemra e njeriut resht së rrahuri, ai vdes, varroset dhe trupi i tij kthehet në pluhur. Tërë planet e tij madhështore zhduken. Po kështu mund të themi për njeriun se ai është i brishtë, i pafuqishëm, i vdekshëm dhe kalimtar.

146:5 Udha e lumturisë, e ndihmës dhe shpresës duhet të mbështetet në Perëndinë e Jakobit, që do të thotë Perëndia i atij që nuk meriton asgjë. Këtu kemi disa nga arsyet pse Ai është i denjë për tërë besimin tonë:

146:6 Krijues i gjithëfuqishëm. Ai ka krijuar qiejt, tokën, detin dhe tërë krijesat në gjithësi. Nëse Ai mund të bëjë këto gjëra, çfarë nuk mund të bëjë dot?

I besueshëm. Ai ruan besnikërinë përjetë. Është e pamundur që Ai të gënjejë, apo të mos e mbajë fjalën e Tij. Nuk ka asnjë rrezik nëse besojmë në Të. Ai nuk mund të dështojë.

146:7 Avokati i atyre që nuk kanë ndihmë. Ai shikon se të drejtët do të hakmerren, se çështja e tyre do të triumfojë. Valët mund të duket se janë kundër tyre, por fitorja në fund do të jetë e tyrja.

Sigurues. Ai u jep ushqim të uriturve, si në kuptimin fizik ashtu edhe frymëror. Ai na çon në shtëpinë e Tij të gostisë dhe çfarë tryeze na shtron!

Çlirues. Ai çliron robërit nga shtypja njerëzore, nga zinxhirët e mëkatit, nga kthetrat e botës, nga skllavëria e djallit dhe nga të jetuarit egoist.

146:8 Dritëdhënës. Zoti u hap sytë të verbërve: disa janë të verbër fizikisht, disa mendërisht dhe frymërisht, disa nga lindja, disa aksidentalisht dhe disa me vetë zgjedhjen e tyre. Asnjë nga këto raste nuk është i vështirë për të.

Forcëdhënës. Ai ngre frymët e lëshuara të atyre që janë rrëzuar nën barrët e shqetësimeve, të pikëllimeve, problemeve dhe brengave.

Që do njerëzit e mirë. Barnsi shkruan: “Është një karakteristikë e Perëndisë dhe një themel lavdërimi, që Ai do ata që i binden ligjit, që bëjnë atë që është e drejtë”.

146:9 Mbrojtës i të mërguarve. Ai interesohet për mirëqenien e të huajve, kalimtarëve dhe të mërguarve. Shtegtarët gjejnë një Ngushëllues (gr. paraklit) të vërtetë në Jehovahun.

Mik i jetimit dhe i vejushave. Ai përkrah jetimin dhe gruan e ve dhe gjithë të tjerët që nuk kanë asnjë ndihmë njerëzore.

Gjykatës i së ligës. Ai pengon planet e përgatitura mirë të njerëzve të paperëndishëm dhe bën që udha e të pabesëve të shkatërrohet.

146:10 Mbret i përjetshëm. Në dallim nga përkohshmëria e njeriut kemi përjetësinë e Perëndisë. Zoti mbretëron përjetë – brez pas brezi. Haleluja!

A nuk je i kënaqur që e njeh Atë?

Psalmi 147: Jerusalemi i përtërirë – Lavdi Perëndisë!

Përgjithësisht është menduar se kjo këngë kremton përtëritjen e Jerusalemit pas mërgimit babilonas. Nëse është e përshtatshme, do të ketë domethënie më të plotë kur Mbreti do të vijë dhe do të përtërijë më në fund fatin e qytetit dhe të kombit.

Vazhdimësia e psalmit është si vijon:

Lavdërimi i duhur (v. 1).

Për ripërtëritjen e Izraelit (v. 2-6).

Për përkujdesjen e Perëndisë në natyrë (v. 7-9).

Për gëzimin e Tij në anën frymërore si në atë fizike (v. 10,11).

Për mirësinë e Tij ndaj Jerusalemit (v. 12-14).

Për kontrollin e Tij ndaj elementeve të natyrës (v. 15-18).

Për favorin e Tij të veçantë ndaj Izraelit (v. 19,20).

147:1 Natyra e ripërtërirë e njeriut tregon në mënyrë instinktive se është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë sonë. Është e kënaqshme, po ashtu dhe tejet e përshtatshme.

147:2-4 Ai është Perëndia i ripërtëritjes. Këtu Ai lëvdohet për rindërtimin e Jerusalemit dhe mbledhjen përsëri të emigrantëve të Izraelit nga robëria e tyre. Fakti që një komb apo individ ka dështuar nuk do të thotë se Perëndia i ka mbyllur hesapet me të. Në shërbesën e Tij të hirshme të ripërtëritjes Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre. Dhe meqë Ai i numëron yjet dhe i thërret sipas emrit të tyre, kjo do të thotë se Ai i numëron njerëzit e Tij dhe njeh secilin prej tyre individualisht e në mënyrë intime.

Mënyra se si vendoset mëshira e butë e Zotit përkrah njohjes së Tij të pafundme në vargun 3 e 4 ka nxitur Arçibald Braunin (Archibald G. Brown) të shpallë:

O Frymë e Shenjtë, me nderim të pakët guxojmë të themi se kurrë më parë nuk ke bashkuar dhe vënë krah për krah dy fjali të shkëlqyera si këto: “Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe llogarit numrin e yjeve” [104].

Me dorën e Tij shëruese drejt një zemre të thyer,

dhe me tjetrën tek yjet,

Perëndia ynë i mrekullueshëm shikon kilometra larg,

dhe ato nuk duken aq shumë larg.

M. P. Ferguson

147:5,6 Ai është një Zot i madhe pamasë është fuqia e Tij dhe e pafund zgjuarsia e Tij. Ai gjallëron dhe u jep jetë të shtypurve dhe ul deri në tokë shtypësit e këqij.

147:7-9 Pastaj Perëndia duhet falënderuar dhe lavdëruar për përkujdesjen e Tij në natyrë. Ne duhet t’i këndojmë me mirënjohje Atij për retë që përhapen në qiell. Ne duhet t’i thurim melodi Atij për shiun dhe për nevojën që ka toka për të. Ne duhet ta lavdërojmë Atë për barin që mbulon kodrat. Libra të tërë mund të shkruhen për rolin thelbësor që luajnë retë, shiu dhe bari.

Edhe pse Ai është kaq i madh, interesohet të shohë nëse kafshët e egra e sigurojnë ushqimin e tyre dhe u përgjigjet krakëllimave kërkuese të zogjve të korbave të uritur.

147:10,11 Ai duhet të adhurohet për shkak të përparësisë që i jep anës frymërore mbi atë fizike. Ai nuk ka frikë nga kuajt në skuadër apo nga këmbët e forta dhe muskulore të këmbësorisë. Ose për të ndryshuar përshkrimin, Ai nuk gjen kënaqësi në kuajt ndërsa bëjnë garë, apo tek atletët ndërsa konkurrojnë në Lojërat Olimpike. Por Zoti kënaqet me ata që e nderojnë Atë dhe që shpresojnë në mirësinë e Tij.

147:12-14 Përsëri Ai duhet adhuruar për mirësinë e Tij ndaj Jerusalemit. Katër bekime të veçanta dalin në pah.

Siguria civile – Ai bën shufra horizontale të forta për të siguruar portat e qytetit kundër pushtimit.

Lumturia shtëpiake – banorët gëzojnë një jetë të lumtur e të plotë.

Qetësia kombëtare – Ai ruan paqen përgjatë kufijve.

Begatia agrikulturore – Ai kënaq njerëzit me ushqimet më të mira.

147:15-18 Kontrolli i Tij mbi dukuritë e natyrës nuk duhet harruar kur lëvdojmë Jehovahun. Kur dërgon mbi tokë urdhrat e Tij, ata japin rrjedhoja të menjëhershme dhe të mëdha. Toka mbulohet me borë, sikur të ishte një çarçaf i leshtë. Ai e mbulon dheun me brymë që duket si hi i bardhë. Kur kokrrat e breshrit bien poshtë, cili mund t’i ndalojë së rëni për të gjetur strehë? Pastaj ndryshon urdhrat e Tij dhe bora e akulli shkrijnë. Era e jugut bën që të ngrihet temperatura dhe shkrirja pranverore fillon. Po kështu ndodh edhe me punët njerëzore: dimrat e errët dhe të ftohtë pasohen nga ngrohtësia dhe gjallëria e pranverës.

147:19,20 Së fundi, Ai duhet nderuar për favorin e Tij të veçantë ndaj Izraelit. Këtij kombi Ai i dha ligjet dhe besëlidhjet e Tij. Asnjë komb tjetër nuk ka qenë kaq i favorizuar. Johebrenjtë nuk qenë marrësit e rregullave të Tij. Uilliamsi shkruan:

Zgjedhja prej Tij e Izraelit si ruajtësin e Fjalës së Tij dhe si mjetin e komunikimit të Tij me botën (v. 19,20) e shtynë si Moisiun ashtu edhe Palin të habitej dhe të adhuronte (LiP. 4:8; Rom. 3:2; 11:33) [105].

Psalmi 148: Kori i krijimit

Kam parë e dëgjuar shumë kore të ndryshme, por asnjë si ky. Ai përbëhet nga tërë krijimi: frymorë dhe jofrymorë. Gjithësia është galeria e korit, me rreshtat e pafundme të karrigeve, radhë-radhë.

148:1-6 Në pjesën më të lartë janë engjëjt, duke lavdëruar Zotin nga qiejt, engjëjt e qiellit që këndojnë lavditë e Jehovahut. Dielli, hëna dhe yjet vijnë më pas; pjesa e tyre është muzika e sferave. Qiejt më të lartë dhe retë ujëmbajtëse po këndojnë: “Lavdi Perëndisë në vendet shumë të larta…”. Gjithçka po nderon Perëndinë si Krijuesin e vet, Atë që foli dhe solli në ekzistencë botët. Ai i dha qëndrueshmëri dhe fortësi krijimit të Tij dhe e ndërtoi në bazë të disa ligjeve dhe parimeve që janë të pandryshueshme.

148:7,8 Më pas në rend zbritës qëndrojnë përbindëshat e detit dhe tërë moritë e jetës së oqeaneve. Ata gjithashtu dëshmojnë se Dora që i krijoi është hyjnore. Zjarri, breshri, bora dhe retë, era e shtrëngatës, që u binden menjëherë urdhrave të Tij, na kujtojnë se Jehovahu kontrollon stinën e motin dhe i nxit të bëjnë vullnetin e Tij.

148:9,10 Pastaj kemi malet dhe kodrat, që ngrenë duart e tyre në adhurim. Mbarë drurët ndodhen atje, ata që japin frutë dhe ata që prodhojnë lëndë drusore; ata ngrenë lart degët e tyre për emrin e Tij. Kafshët e egra dhe kafshët shtëpiake, rrëshqanorët dhe zogjtë – të gjithë magjepsen me diturinë dhe fuqinë e Zotit.

148:11,12 Ndërsa mbërrijmë në rreshtat e parë, shohim turmën e madhe të njerëzimit – mbretër, princa, mbarë zyrtarët qeveritarë dhe mbarë popullin e thjeshtë. Djem dhe vajza, pleq dhe fëmijë – të gjithë me kokat e ngritura lart dhe gojët e hapura së tepërmi në adhurim ndaj Jehovahut.

148:13,14 Kori i mbledhur po lëvdon emrin e Zotit, si emrin që është përmbi çdo emër dhe si Atë lavdia e të cilit është e pakalueshme. Dhe ka një temë të veçantë në këngën e korit – ata po madhështojnë Zotin për gjithçka që ka bërë për Izraelin. Ai ka ngritur forcën e popullit të Tij, pra, Mesian. Në Ardhjen e Dytë të Zotit Jezus Ai u ka dhënë rast të veçantë shenjtorëve Tij për ta lëvduar. Bijtë e Izraelit, në ballë të korit, qëndrojnë në një vend të veçantë afër Tij. Përmes kombit të përtërirë, bekimet rrjedhin në tërë botën. Kjo është arsyeja pse kori bashkon zërat në një Haleluja të madhe – “Haleluja!“.

Psalmi 149: Lavdet e Perëndisë

Psalmi ka dy pjesë. Në pjesën e parë (v. 1-6a) shenjtorët po këndojnë. Në pjesën e dytë (v. 6b-9) ata po mbretërojnë. Koha për të cilën po flitet është koha kur Zoti Jezus kthehet në tokë dhe shoqëron mbretërinë e Tij të shumëpritur.

149:1-3 Kënga e re që Izraeli këndon është kënga e krijimit, shpengimit dhe e mbretërimit. Ata gëzohen në Jehovahun si Autorin e krijimit të tyre natyror e frymëror dhe si Mbretin e tyre të lavdishëm.

Ata e lavdërojnë Atë jo vetëm me këngë, por edhe me valle. Çfarë do të thotë kjo? A kërcejnë besimtarët? Po, kërcejnë në gëzimin e shenjtë dhe të pastër para Zotit. Si shprehje e një gëzimi dhe adhurimi të vërtetë frymëror, vallja është e pranueshme para Perëndisë. Por ta përdorësh këtë varg për të përligjur vallëzimin ashtu siç praktikohet sot është diçka tjetër. Ka një ndryshim mes përdorimit të vallëzimit dhe keqpërdorimit të tij. Psalmisti po flet vetëm për përdorimin e tij hyjnisht të përcaktuar. E njëjta gjë vlen edhe për muzikën me vegla. Sikur dajret e qestet të kishin emocione, do të dëshironin të bënin melodi për Zotin. Shumë shpesh bien në përdorimin mishor. Përdorimi i tyre i duhur është i mirë; keqpërdorimi i tyre është i tmerrshëm.

149:4-6a Pse tërë këto zhurma, tërë kjo muzikë festive? Sepse Zoti kënaqet me popullin e Tij të ripërtërirë; Ai do t’i japë një kurorë fitoreje pjesës së mbetur besnike. Mundimi i Madh ka kaluar dhe kemi një ditë të kthjellët që ndriçon pas shiut.

Populli ka arsye të shumta për të gëzuar në lavdinë që është e tyrja ndërsa qëndrojnë me Mbretin e Lavdisë. Ata kanë çdo arsye për t’u gëzuar me këngë gëzimi ndërsa ulen në fronet e tyre ditën apo shtrihen mbi shtretërit e tyre natën (fjala “shtretërit” në vargun 5 mund t’i referohet njërës ose tjetrës). Është me të vërtetë e përshtatshme që tingujt e tyre zanorë të mbushen me lavdet e Perëndisë.

149:6b-8 Siç e shikoni, kemi të bëjmë me një ndryshim të menjëhershëm në mesin e vargut 6. Nga kjo pikë deri në fund Izraeli shihet në vendin e gjykatësve, duke vënë drejtësinë. Kjo mund t’i referohet shkatërrimit të armiqve të vet me kthimin e Mesias. Ai gjykim do të kryhet nga Zoti, por kombi, në mënyrë të figurshme, mendohet se do ta kryejë bashkë me Të. Por unë mendoj se i referohet rolit të Izraelit si kreu i kombeve gjatë Mijëvjeçarit. Zoti Jezus do të sundojë me një shkop hekuri gjatë asaj periudhe (Zbulesa 2:27). Apostujt do të ulen në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit (Mt. 19:28). Dhe vetë Izraeli do të marrë pjesë në sundimin mbi johebrenjtë (Dan. 7:22).

Kështu shenjtorët kanë shpata që presin nga të dyja anët në duart e tyre për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve, sa herë të jetë e nevojshme. Mbretërit rebelë dhe fisnikët e tyre do të lidhen me pranga hekuri. Do të jetë një mbretëri e drejtësisë absolute, e një drejtësie të paanshme.

149:9 Ky është roli i nderit i Izraelit në atë ditë – kur të shohë se tërë rebelimet dhe shkarjet ndëshkohen menjëherë.

Është gjithashtu e vërtetë se shenjtorët e DhR do të bashkohen në mbretërimin e ardhshëm të Krishtit. Ne lexojmë për këtë tek 1 Korintasve 6:2,3.

Psalmi 150: Lavdi Zotit!

Kemi mbërritur në fundin e lavdishëm. Dhe çfarë do të ishte më e përshtatshme se sa të shohim një thirrje të shkurtër dhe të mprehtë drejtuar krijimit për të gjetur fatin e tij të vërtetë në adhurimin e Perëndisë? Psalmi u përgjigjet katër pyetjeve-kyç për sa i përket temës së lëvdimit: Ku, çfarë, si dhe cili?

Lavdia e Perëndisë ishte qëllimi i krijimit. Prandaj njeriu gjen arsyen qendrore të ekzistencës së tij duke lavdëruar Zotin. Ashtu siç është pohuar qartë në Katekizmin e Shkurtër [një libër doktrinal nga lëvizja protestante]: “Qëllimi kryesor i njeriut është të lëvdojë Perëndinë dhe ta gëzojë Atë përgjithmonë”.

150:1 Por ku? Ne duhet ta lëvdojmë Atë në shenjtoren e Tij dhe në kupën qiellore, që është një mënyrë tjetër për të thënë kudo – në tokë e në qiell. Nuk ka asnjë vend ku adhurimi të mos ketë vend.

150:2 Dhe për çfarë? Për mrekullitë e Tij dhe sipas madhështisë së Tij. Me fjalë të tjera, ne duhet ta lëvdojmë Atë për gjithçka ka bërë për ne dhe për atë që është. Por jo vetëm për madhështinë e Tij të madhe – por edhe sipas madhështisë së Tij të madhe. Është mëkat të mos jesh entuziast në rrëfimin shkëlqimeve të Krijuesit dhe të Shpenguesit tonë.

150:3-5 Si? Me një orkestër me çdo lloj vegle muzikore: boria me notat e saj ushtarake dhe urdhëruese; harpa me tingujt e saj të ëmbël dhe baritorë; qestja, e butë dhe e ëmbël me telat e saj; Dajrja, festive dhe e papërmbajtur në shoqërimin e saj të valles; cimbalet tingëlluese të çdo lloji – violonçeli, viola, violina, mandolina, kitara – kapin çdo notë dhe tingull në botën e muzikës për të nderuar Mbretin e Madh. Veglat frymore – flauti, oboeja, klarineta – nuk janë më pak në këtë ekstravagancë të madhe filarmonie. Dhe veglat e perkusionit [vegla si bateria dhe timpani që japin ritmin] i bekojnë – sidomos cimbalet kumbuese, kërcitëse, veshëshpuese, duke theksuar himnin me amene të larta.

150:6 Por kjo na çon në pyetjen e fundit. Cili? Dhe përgjigjja, sigurisht, është: “Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin“. Korit të mbledhur të tërë zërave të tokës i jepet shenja [e nisjes] për t’u bashkuar në një shpërthim të lartë dhe të përjetshëm lavdërimi ndaj Perëndisë: Haleluja! Lavdi Zotit!

SHËNIME
[[1]](Hyrje) Graham Scroggie, Daily Notes of the Scripture Union.[[1]] [[2]](Hyrje) Albert Barnes, Notes on the Book of Psalms, I:xix.[[2]] [[3]](Hyrje) C. S. Lewis, Reflections on the Psalms, f. 10.[[3]] [[4]](Hyrje) F. W. Grant, “Psalms”, në The Numerical Bible, III:10.[[4]] [[5]](1:3) Fjala e përkthyer “e mbjellë” (shatul), që do të thotë fjalë për fjalë e transplantuar (Koehler-Baumgartner, Lexicon in Veteris Testamenti Libros, f. 1015) është një shëmbëlltyrë e përshtatshme e njeriut të rilindur.

[6] (1:3) D. L. Moody, Notes from My Bible, f. 64.

[7] (2: Hyrje) Te Veprat e Apostujve 4:25-28 Pjetri dhe Pali e lidhin Psalmin 2 me mospranimin e Krishtit. Është e vërtetë se ka një përmbushje të pjesshme kur Herodi, Ponc Pilati, johebrenjtë dhe populli i Izraelit u bashkuan për të vrarë Krishtin. Por përmbushja përfundimtare do të ndodhë në të ardhmen.

[8] (3:1,2) International Standard Bible Encyclopedia, III:2096.

[9] (4:1) Charles H. Spurgeon, cituar në “Choice Gleanings Calendar”.

[10] (5: Hyrje) Koehler dhe Baumgartner bien në një mendje se michtam mund të lidhet me fjalën akadiane mbuloj dhe për këtë mund të nënkuptojë “psalmin e shlyerjes”.

[11] (8:5) Në hebraisht këtu kemi Elohim; shikoni shënimet fundore të versionit NKJV.

[12] (9: Hyrje) Psalmi 10 ndërtohet mbi pjesën e dytë të alfabetit hebraik, ndërsa disa besimtarë besojnë se Psalmet 9 e 10 ishin në fillim një psalm i vetëm.

[13] (10: Hyrje) Shikoni shënimin e mësipërm.

[14] (14:1) Henry Bosch, Our Daily Bread.

[15] (14:1) Barnes, Psalms, I:114.

[16] (16:3) Të dhëna të padisponueshme.

[17] (17:15) E. Bendor Samuel, The Prophetic Character of the Psalms, f. 26.

[18] (19:3,4a) Immanuel Kant, General History of Nature, të dhëna të tjera të padisponueshme.

[19] (19:7-9) Cituar nga Wallace’s Kant, prej Alexander Wright në The Psalms of David and the Higher Criticism, Or Was David “The Sweet Psalmist of Israel”?, f. 109.

[20] (19:12) Barnes, Psalms, I:175.

[21] (23: Hyrje) J. R. Littleproud, të dhëna të tjera të padisponueshme.

[22] (24:9,10) F. B. Meyer, F. B. Meyer on the Psalms, f. 35.

[23] (25: Hyrje) Shkronja “r” (resh) shfaqet si në vargun 18 po ashtu edhe në atë 19 ndërsa pritej një “q” (qoph) në vargun 18.

[24] (26:12) J. C. Ryle, Expository Thoughts on the Gospels, Luke, II:239.

[25] (29:10,11) W. E. Vine, Isaiah, f. 205.

[26] (29:10,11) H. A. Ironside, Studies on the Psalms, f. 173.

[27] (31: Hyrje) Lewis, Reflections, f. 10.

[28] (32:8,9) Jay Adams, Competent to Counsel, f. 124.

[29] (34:8,9) G. Campbell Murdoch, From Grace to Glory, f. 66.

[30] (34:10) Disa studiues besojnë se “luanët e vegjël” duhet të lexohet “mohues të Perëndisë”, por domethënia e vargut mbetet e njëjta.

[31] (36:5) Albert Barnes, The Bible Commentary, Psalms, vëll. 1, f. 312.

[32] (36:5) Arthur W. Pink, The Attributes of God, f. 47.

[33] (36:7) John Brine, cituar në The Attributes of God, Arthur W. Pink, f. 80.

[34] (37:5,6) Barnes, Psalms, I:320.

[35] (37:28) F. W. Dixon, të dhëna të mëtejshme të padisponueshme.

[36] (50:1) E njëjta fjalë hebraike (Eretz) do të thotë si tokë po ashtu dhe vend.

[37] (50:8) Meyer, Psalms, f. 63.

[38] (52:8,9) Grant, “Psalms”, III:212.

[39] (53: Hyrje) Në Psalmin 14 emri Jehovah përdoret katër herë dhe Elohim tri herë. Këtu emri Elohim haset shtatë herë.

[40] (54:7) G. Campbell Morgan, An Exposition of the Whole Bible, f. 240.

[41] (58:8) W. Graham Scroggie, Psalms, f. 50.

[42] (58:9) A. Maclaren, cituar në Psalms nga W. Graham Scroggie, II:49.

[43] (58:10) Morgan, Exposition, f. 242.

[44] (60:9) Botuesit e versionit NKJV tregojnë se bien dakord duke botuar vargun 8 me thonjëza.

[45] (61:2) Rreth Mateut 16:18, G. Campbell thotë: “Kujtoni këtë, Ai po u fliste judenjve. Nëse marrim përdorimin figurativ të fjalës përmes Shkrimeve hebraike do të shohim se nuk është përdorur kurrë në mënyrë simbolike për njeriun, por gjithmonë për Perëndinë. Kështu në Cezare të Filipisë kisha nuk është ndërtuar mbi Pjetrin. Jezusi nuk bënte lojëra fjalësh. Ai mori një ndër ilustrimet e tyre të vjetra hebraike – shkëmbin, gjithmonë simboli i Hyjnisë dhe tha: ‘Mbi Vetë Perëndinë, Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë – do të ndërtoj kishën Time'”. Mbase një përjashtim i fjalisë së Morgan gjendet te LiP. 32:31: “Sepse shkëmbi i tyre nuk është si Shkëmbi ynë”. Por edhe këtu “shkëmb” është një simbol i hyjnisë (edhe pse një perëndi i rremë).

[46] (66:8-12) Williams, Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 67.

[47] (67:6,7) Franz Delitzsch, “Psalms”, në Biblical Commentary on the Old Testament, XII:240.

[48] (68:11-13) Fjala hebraike hamebasserot që përkthehet “ata që e shpallin” është gjinia femërore shumës.

[49] (68:24) Lewis, Reflections, f. 45.

[50] (71: Hyrje) John G. Bellett, Short Meditations on the Psalms, f. 76.

[51] (71:14-16) Williams, Commentary, f. 72.

[52] (81: Hyrje) Merrill F. Unger, Unger’s Bible Dictionary, f. 350.

[53] (81:8-10) Gaebelein, Psalms, f. 316.

[54] (83:13-18) Morgan, Exposition, f. 252.

[55] (86:17) E. W. Bullinger, The Companion Bible, shtojca 32, f. 31.

[56] (86:17) Grant, “Psalms”, III:330.

[57] (87: Hyrje) Teddy Kollek dhe Moshe Pearlam, Jerusalem, A History of Forty Centuries, f. 12.

[58] (87:6) Të dhëna të tjera të padisponueshme.

[59] (87:6) Gaebelein, Psalms, f. 332.

[60] (88:11,22) The New Bible Commentary, f. 474.

[61] (88:13-18) Cituar nga A. G. Clarke, Analytical Studies in the Psalms, f. 219.

[62] (93:5) Williams, Student’s Commentary, f. 372.

[63] (94: Hyrje) Pink, Attributes of God, f. 75.

[64] (96:11-13) Jehovah është shqiptimi tradicional i kombinimit të bashkëtingëlloreve JHWH (apo YHWH) dhe zanoreve të fjalës Adonai (Zot). Emri hebraik mbase në fillim është shqiptuar Yahweh. Nga frika e përdhosjes së Emrit të Perëndisë judenjtë thanë fjalën e tyre “Zot” (Adonai) sa herë që shfaqeshin në tekst shkronjat e shenjta YHWH. Është për t’u vënë re se shkronjat nistore të katër fjalëve hebraike në fjalinë e parë të vargut 11 shqiptojnë emrin vetjak të Perëndisë, Yahweh (YHWH). Versionet KJV dhe NKJV tregojnë emrin e Perëndisë me termin “Zot” me të mëdha, por citimet nga Bibla në përgjithësi nuk e përdorin fjalën me shkronja të mëdha.

[65] (97:6a) Gaebelein, Psalms, f. 363.

[66] (98:4-6) Shikoni F. W. Grant, “Psalms” III:363. Shikoni gjithashtu të mëparshmin mbi këtë fjalë. Kjo shprehje është gjetur gjithashtu në Pergamenat e Detit të Kuq të Ligjit të Përtërirë 32:43 dhe te versioni LXX gjithashtu. Mbase masoretët (ruajtësit e traditës judaike) e kanë fshirë, sepse të krishterët e përdornin vargun për të përkrahur hyjninë e Krishtit (ashtu si te Hebrenjve 1:6).

[67] (100: Hyrje) Barnes, Psalms, III:56.

[68] (101:2) Clarke, Psalms, f. 247.

[69] (101:7,8) Grant, “Psalms”, III:368.

[70] (104:31,32) J. J. Stewart Perowne, The Book of Psalms, II:234.

[71] (109:30,31) Meyer, Psalms, f. 133.

[72] (PSALMET MALLKUESE) Unger, Bible Dictionary, f. 231.

[73] (PSALMET MALLKUESE) Barnes, Psalms, I:xxxvii.

[74] (PSALMET MALLKUESE) Scroggie, The Psalms, f. 32.

[75] (110:1) Në versionin KJV dhe NKJV fjala “Zot” me shkronja të mëdha gjithmonë është Jehovah (Yahweh), emri vetjak dhe i besëlidhjes së Perëndisë. Shikoni shënimin 64.

[76] (110:2) Ironside e përdor këtë shprehje si titull libri: The Great Parenthesis, pra, epoka e tashme e kishës së krishterë.

[77] (110:3) Scroggie, The Psalms, f. 85.

[78] (112:10) Barnes, Psalms, III:149.

[79] (118:24) Si më lart, f. 173,174.

[80] (119: Hyrje) Samuel Ridout, How to Study the Bible, f. 73.

[81] (119: Hyrje) Lewis, Reflections, f. 52.

[82] (119: Hyrje) Bellett, Short Meditations, f. 131.

[83] (119:24) Mathew Henry, Commentary in One Volume, f. 706.

[84] (119:92) Barnes, Psalms, III:204.

[85] (119:107) Charles H. Spurgeon, The Treasury of David, VI:244.

[86] (119:136) Cituar nga Moody, Notes, f. 79.

[87] (119:139) Barnes, Psalms, III:217.

[88] (119:145) Vargjet 145-152 fillojnë me shkronjën “qof”, shkronja e parë e fjalës hebraike “qaj”.

[89] (120:1,2) Psalmet 120-134 quhen “Këngët e shtegtimeve”, sepse shtegtarët i këndonin ato ndërsa ngjiteshin në Jerusalem për festat e përvitshme të Zotit (Pashkën etj.).

[90] (121:4) Moody, Notes, f. 79.

[91] (121:5,6) Duhet kujtuar se kjo është një poezi dhe mund të jetë një mënyrë e të shprehurit që jep të dyja skajet dhe nënkupton çdo gjë midis. Kjo quhet merizëm. Një shembull tjetër është “daljet dhe hyrjet e tua” (v. 8), që do të thotë tërë stilin e jetës sate.

[92] (121:7,8) Të gjitha këto forma përkthehen nga folja hebraike shamar.

[93] (122:6) Collins and Lapierre, O Jerusalem_, f. 33.

[94] (122:7-9) Barnes, Psalms, III:238.

[95] (135:6) Pink, Attributes, f. 27.

[96] (137:9) Lewis, Reflections, f. 113,114.

[97] (138:2) Fjala e përkthyer tempull (hekal) gjithashtu nënkupton pallat apo ndonjë ndërtesë tjetër, duke përfshirë tabernakullin; duhet ditur se nuk nënkuptohet gjithnjë tempulli jude.

[98] (138:2) Clarke, Psalms, f. 337.

[99] (139:13,14) Radmacher, të dhëna të tjera të padisponueshme.

[100] (139:19-22) Edward J. Young, Psalm 139, f. 95.

[101] (139:19-22) Si më lart, f. 105.

[102] (142:5-7) Clarke, Psalms, f. 343.

[103] (143:12) Barnes, Psalms, III:314.

[104] (147:2-4) Archibald G. Brown, të dhëna të tjera të padisponueshme.

[105] (147:19,20) Williams, Student’s Commentary, f. 148.

BIBLIOGRAFI

Alexander, Joseph A. The Psalms Translated and Explained. Grand Rapids, Baker Book House, ribotuar nga 1873 Edinburgh edition, 1977.

Barnes, Albert. Notes on the Old Testament, Psalms, vëll. 3. Grand Rapids: Baker Book House, 1973.

Bellet, J. G. Short Meditations on the Psalms. Oak Park, IL: Bible Truth Publishers, 1961.

Bridges, Charles. Psalm 119. Edinburgh: The Banner of Truth Trust, ribotuar nga botimi 1827, 1961.

Clarke, A. G. Analytical Studies in the Psalms. Kilmarnock: John Ritchie, Ltd., 1949.

Delitzsch, Franz. “Psalms”, në Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 11-13. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1970.

Gaebelein, A. C. The Book of Psalms. Neptune, N. J.: Loizeaux Bros., 1939.

Grant, F. W. “Psalms”, në The Numerical Bible. New York: Loizeaux Bros., 1897.

Ironside, H. A. Studies on the Book One of the Psalms, Neptune, N. J.: Loizeaux Bros., 1952.

Kidner, Derek. Psalms 1-72. Downers grove, IL: InterVarsity Press, 1973.

Kidner, Derek. Psalms 73-150. Downers grove, IL: InterVarsity Press, 1975.

Lewis, C. S. Reflections on the Psalms. Londër: Collins, Fontana Books, 1969.

Maclaren, A. The Book of Psalms. Londër: Hodder & Stoughton, 1908.

Meyer, F. B. F. B. Meyer on the Psalms. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, n.d.

Morgan, G. Campbell. Notes on the Psalms. Westwood, N. J.: Revell Co., 1947.

Perowne, J. J. Stewart. The Book of Psalms. Vëll. 2. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, ribotuar nga botimi 1878, 1966.

Samuel, E. Bendor, The Prophetic Character of the Psalms. Londër: Pickering & Inglis, n.d.

Scroggie, W. Graham. Psalms. Vëll. 2. Londër: Pickering & Inglis, 1949.

Scroggie, W. Graham. The Psalms. Old Tappan, N. J.: Fleming H. Revell Co., 1948.

Spence, H. D. M. dhe Exell, Joseph S., Editors. Pulpit Commentary, Vëll. 8. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1950.

Spurgeon, C. H. The Treasury of David. Grand Rapids: Baker Book House, 1983.

Wright, The Psalms of David and the Higher Criticism, Or Was David “The Sweet Psalmist of Israel?”. Edinburgh dhe Londër: Oliphant Anderson & Ferrier, 1900.

Young, E. J. Psalm 139. Londër: The Banner of Truth Trust, 1965.

[previous][next]