Gjërat që janë: Letrat nga Zoti ynë (Zbulesa 2-3)

GJËRAT QË JANË: LETRAT NGA ZOTI YNË (ZBULESA 2-3)

Në kapitujt 2 dhe 3 kemi shtatë letra, të cilat u janë drejtuar shtatë kishave të Azisë. Letrat mund të zbatohen në të paktën tri mënyra. E para, ato përshkruajnë gjendjet që ekzistonin në shtatë kishat lokale në kohën që Gjoni shkroi Zbulesën. E dyta, ato japin një pikëpamje të krishterimit në çdo kohë gjatë historisë së tij. Gjendjet frymërore të kishave të këtyre letrave kanë ekzistuar pjesërisht (të paktën) në çdo shekull që nga Dita e Rrëshajave. Në lidhje më këtë, letrat u ngjajnë shumë shtatë shëmbëlltyrave te Mateu 13. Së fundi, letrat japin një parashikim pasues të historisë së krishterimit, ku secila kishë përfaqëson një epokë të ndryshme. Me kalimin e epokave drejtimi i përgjithshëm i gjendjes frymërore është poshtë. Shumë besojnë që të tri letrat e para përfaqësojnë epoka pasuese [të kishës], kurse katër të fundit përfaqësojnë epokën e fundit që ndodh përpara kohës së Rrëmbimit.

Sipas kësaj pikëpamjeje epokat e historisë së kishës janë kështu:

  • Efesi: Kisha e shekullit I ishte në përgjithësi e lavdishme, por tashmë e kishte lënë dashurinë e parë.
  • Smirna: Që nga shekulli I deri te shekulli IV kisha përndiqej nga perandorët romakë.
  • Pergami: Gjatë shekujve IV dhe V krishterimi u miratua si një fe zyrtare me anë të Konstandinit.
  • Tiatira: Që nga shekulli VI deri në shekullin XV kisha katolike kishte një ndikim tepër të madh në perandorinë perëndimore derisa u godit nga lëvizja reformatore. Kurse në perandorinë lindore ishte kisha ortodokse ajo që kishte pushtet.
  • Sarda: Gjatë shekujve XVI dhe XVII drita e lëvizjes reformatore u errësua.
  • Filadelfia: Gjatë shekujve XVIII dhe XIX ndodhën përtëritje të fuqishme dhe lëvizje misionare të mëdha.
  • Laodicea: Kisha e ditëve të fundit është pikturuar si kishë e vakët dhe e femohuesve. Ajo është kisha e liberalizmit dhe e ekumenizmit.

Letrat i ngjajnë njëra-tjetrës. Për shembull, secila fillon me një përshëndetje, secila e paraqet Zotin Jezus në një rol që i përshtatet asaj kishe, secila e përshkruan dijen e Tij për veprat e kësaj kishe duke përdorur frazën “I njoh”. Fjalë ngushëlluese u janë drejtuar të gjitha kishave përveçse asaj të Laodicesë. Të gjitha janë qortuar përveçse asaj të Smirnës dhe Filadelfisë. Secilës kishë i jepet një nxitje e veçantë për të dëgjuar atë çfarë thotë Fryma. Gjithashtu secilës kishë i jepet një premtim i veçantë për ata që fitojnë.

Secila kishë ka karakterin e vet. Filipsi (Philips) ka dhënë këta tituj duke përshkruar karakteristikat mbizotëruese: Efesi – kisha pa dashuri; Smirna – kisha e përndjekur; Pergami – kisha që toleron me tepricë; Tiatira – kisha që bën kompromis; Sarda – kisha që fle; Filadelfia – kisha me një derë të hapur; Laodicea – kisha e vakët. Uolvurdi (Walvoord) i përshkruan problemet e tyre kështu: 1) duke e lënë dashurinë e parë; 2) frika nga vuajtjet; 3) largimi doktrinor; 4) largimi moral; 5) vdekja frymërore; 6) duke mos mbajtur fort [të vërtetën]; 7) vakësia [1].

A. Drejtuar kishës së Efesit (2:1-7)

2:1 Zoti ia paraqet vetveten kishës në Efes si ai që mban të shtatë yjet në të djathtën e tij dhe që ecën në mes të shtatë shandanëve prej ari. Shumë nga përshkrimet e Zotit që gjenden në këto letra u ngjajnë përshkrimeve të kapitullit të parë.

2:2 Kjo kishë ishte e njohur për veprat e saj të bollshme, mundimin e palodhshëm dhe durimin e madh. Ajo nuk i duroi njerëzit e këqij në mesin e saj. Ajo ishte e aftë t’i vinte në provë apostujt e rremë dhe të sillej me ta në mënyrë të përshtatshme.

2:3-4 Për hirin e emrit të Krishtit, ajo kishte duruar, kishte qëndrueshmëri dhe ishte munduar pa u lodhur. Por tragjedia e Efesit ishte se ajo e kishte lënë dashurinë e saj të parë. Zjarri i dashurisë u fik. Entuziazmi i ditëve të para u zhduk. Të krishterët i ka marrë malli për ditët më të mira kur dashuria e parë për Krishtin rridhte lirisht, pa pengesë dhe me ngrohtësi. Ata vërtet ishin akoma të fortë në doktrinë dhe shumë aktivë në shërbesë, por motivi i vërtetë i gjithë adhurimit mungonte.

2:5 Ata duhet të kujtojnë ditët e ëmbla të besimit të parë, të pendohen nga rënia prej dashurisë së parë dhe të përsërisin shërbesën e përkushtuar që e karakterizonte fillimin e jetës së tyre të krishterë. Përndryshe Ai do ta largojë shandanin nga vendi i vet, d.m.th. kisha nuk do të jetë më. Dëshmia do të fiket.

2:6 Një fjalë tjetër lavdërimi ka lidhje me urrejtjen e tyre ndaj veprave të Nikolaitëve. Ne s’mund të jemi të sigurt se kush ishin këta njerëz. Disa mendojnë se ata ishin pasues të një udhëheqësi fetar të quajtur Nikola. Të tjerë nxjerrin në pah se ky emër do të thotë “sundim mbi popullin” dhe këtë ata e shohin si një referencë për ngritjen e sistemit klerikal.

2:7 Ata që kanë veshë për të dëgjuar fjalën e Perëndisë nxiten të dëgjojnë atë që u thotë Fryma kishave.

Më pas fituesit i është ofruar një premtim. Në përgjithësi, një fitues në DhR është ai që beson se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë (1 Gjonit 5:5), me fjalë të tjera, një besimtar i vërtetë. Besimi i tij i jep atij mundësinë që të mundë botën me të gjitha tundimet dhe tërheqjet e saj. Ndoshta në çdo letër fjala ka një mendim plotësues, të lidhur me gjendjen në atë kishë përkatëse. Kështu një fitues në Efes mund të jetë ai i cili tregon vërtetësinë e besimit të tij, duke u penduar, kur ai është tërhequr nga dashuria e tij e parë. Njerëz të tillë do të …hanë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë. Kjo nuk lë të kuptosh se ata shpëtohen me anë të fitores, por që fitorja e tyre provon realitetin e përvojës së tyre të kthimit në besim. E vetmja mënyrë që njerëzit shpëtohen është me anë të hirit nëpërmjet besimit në Krishtin. Të gjithë ata që janë të shpëtuar do të hanë nga pema e jetës, d.m.th. ata do të hyjnë në jetën e përjetshme në plotësinë e saj në qiell.

Efesi është përdorur shpesh për të përshkruar gjendjen e kishës mbas vdekjes së apostujve.

B. Drejtuar kishës së Smirnës (2:8-11)

2:8 Smirna do të thotë mirrë ose hidhërim. Krishti e paraqet Vetveten këtu si I Pari dhe I Fundit, që qe i vdekur dhe kthehej në jetë. Ky përshkrim do të ishte ngushëllues, sidomos për ata të cilët përballuan kërcënimin e vdekjes çdo ditë.

2:9 Me një butësi të veçantë Zoti iu thotë shenjtorëve të Tij të përvuajtur se Ai e njeh plotësisht shtrëngimin e tyre. Nga pamja e jashtme ata mund të jenë shumë të varfër, por, sa i përket gjërave frymërore, ata ishin të pasur. Çarls Stenleji (Charles Stanley) tha: “Ekziston një nder i veçantë kur një person është afër Krishtit dhe i ngjan Atij, i cili s’kishte ku të vendoste kokën e Tij. Kam mësuar këtë: Jezusi është në mënyrë të veçantë partneri i shërbëtorëve të Tij të varfër”.

Shenjtorët në Smirna ishin duke u sulmuar në mënyrë të hidhur nga judenjtë. Për shembull, historianët na tregojnë për egërsinë me të cilën këta judenj kërkuan të ndihmonin në martirizimin e Polikarpit. Si judenj, ata pohuan se ishin populli i zgjedhur i Perëndisë, por me sjelljen e tyre blasfemuese ata treguan se ishin një sinagogë e Satanit.

2:10 Të krishterët nuk duhettë kenë frikë nga ato gjëra që së shpejti do të vuajnë. Disa nga ata do të burgosen dhe provohen me shtrëngime për dhjetë ditë. Kjo periudhë kohore mund të bëjë fjalë: për dhjetë ditë në kuptimin e parë të fjalëve; për dhjetë përndjekje të ndryshme nën sundimin e perandorëve romakë që paraprinë Konstandinin ose për dhjetë vjet përndjekje nën sundimin e Diokletianit.

Besimtarëve iu dha zemër që të ishin besnikë deri në vdekje, d.m.th. të ishin të gatshëm deri për të vdekur sesa të braktisnin besimin e tyre në Krishtin. Ata do të merrnin kurorën e jetës, një shpërblim i veçantë për dëshmorët.

2:11 Përsëri dëgjuesi i vullnetshëm nxitet që të dëgjojë zërin e Frymës. Fituesit i premtohet çlirim nga vdekja e dytë. Një fitues këtu është ai i cili e provon realitetin e besimit të tij, duke zgjedhur më mirë që të shkojë në qiell me një ndërgjegje të mirë, sesa të qëndrojë në tokë me një ndërgjegje të keqe. Ai nuk do të goditet nga vdekja e dytë, që është fati i të gjithë jobesimtarëve (Zbulesa 20:6, 14).

C. Drejtuar kishës së Pergamit (2:12-17)

2:12 Pergami (ose Pergama) do të thotë kullë e lartë ose të martuar plotësisht. Kjo letër e paraqet Zotin si Ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe. Kjo është fjala e Perëndisë (Heb. 4:12), me të cilën Ai do të gjykojë njerëzit e ligj në asamble (shih v 16).

2:13 Pergami ishte qendra kryesore aziatike për kultin e adhurimit të perandorit: prandaj është quajtur vendi i fronit të Satanit. Pavarësisht nga prania e paganizmit përqark, kisha i kishte qëndruar besnike Krishtit, megjithëse një nga anëtarët e saj, Antipa, ishte vrarë për rrëfimin e tij të Zotit Jezus. Ai ishte aziatiku i parë i njohur i cili vdiq sepse nuk pranoi të adhurojë perandorin.

2:14, 15 Por Zotit i duhet që ta qortojë kishën që lejoi njerëz me një doktrinë të keqe për të vazhduar në përbashkësinë e krishterë. Atje kishte nga ata që mbajnë mësimin e Balaamit dhe të Nikolaitëve. Doktrina e Balaamit lejonte ngrënien e gjërave që u ishin flijuar idhujve dhe imoralitet seksual. Ajo bën fjalë edhe për praktikën e predikimit për para (Num. kap. 22-25; 31).

Doktrina e Nikolaitëve nuk është përcaktuar. Shumë studiues të Biblës mendojnë se këta ishin njerëz liberalë, që mësonin se ata ishin nën hir dhe ishin të lirë të praktikonin idhujtarinë dhe mëkatet seksuale.

Megjithatë, dr. Skofildi (C.I. Scofield) e lidh këtë doktrinë me ngritjen e sistemit klerikal:

Është doktrina që Perëndia ka krijuar një rregull “kleri” apo priftërinjsh, por që dallon nga “laikët”. Fjala është e formuar nga dy fjalë greke, niko që do të thotë pushtues ose fitues, dhe laos që do të thotë populli. Dhiata e Re nuk flet fare për një “klerik”, aq më pak për një prift, përveç që të gjithë bijtë e Perëndisë në këtë epokë [epoka e kishës] janë “një priftëri mbretërore”. Në kishën apostolike kishte shërbime: pleqtë (ose peshkopët) dhe dhjakët; dhe dhunti: apostuj, profetë, ungjilltarë, barinj dhe mësues (Efesianeve 4:11). Këta [apostuj, profetë etj.] edhe mund të jenë, edhe mund të mos jenë pleqtë apo dhjakët. Por më vonë, gjatë periudhës apostolike, u shfaq një sistem që u jepte pleqve autoritet të vetëm për të administruar pagëzimin dhe Darkën e Zotit, dhe, përgjithësisht, për ta caktuar veten klasë ndërmjet Perëndisë dhe njerëzve. Ata ishin Nikolaitët. Ju do të vëreni se ato që në Efes apo në periudhën e mëvonshme apostolike ishin “zakone” do të bëheshin një “doktrinë” në Pergam, apo në periudhën e Konstandinit, dyqind vjet më vonë [2].
2:16 Besimtarëve të vërtetë u është thënë të pendohen. Nëse ata e bënin këtë gjë, me sa duket ata do të dëbonin mësuesit e ligj nga mesi i tyre. Përndryshe Vetë Zoti do të luftojë kundër këtyre njerëzve të ligj.

2:17 Shenjtorët e bindur duhet të dëgjojnë atë që Fryma u thotë kishave. Fituesit do t’i jepet nga mana që është fshehur dhe një gur i bardhë. Fituesi në Pergam mund të jetë ai fëmijë i Perëndisë i cili nuk pranon të tolerojë mësime të këqija në kishën lokale. Por çfarë janë mana që është fshehur dhe guri i bardhë?

Mana është një figurë e Vetë Krishtit. Ajo mund të shprehë ushqimin qiellor që është në kundërshtim me ushqimin që iu ofrohej idhujve (v14). Mana që është fshehur mund të jetë “pak përbashkësi e ëmbël dhe e fshehtë me Vetë [Krishtin], që në lavdi njihet si Ai i cili vuajti këtu”. Guri i bardhë është shpjeguar në shumë mënyra. Ai ishte një shenjë shfajësimi në një çështje gjyqësore. Ai ishte një simbol fitoreje në një garë atletike. Ai ishte një shprehje mirëseardhjeje, që i jepej një të ftuari nga mikpritësi. Duket qartë se ai ishte një shpërblim që i jepej fituesit nga Zoti dhe që shprehte një miratim individual nga Ai. Alfordi thotë se emri i ri tregon pranim nga Perëndia dhe titull në lavdi.

Historikisht kjo kishë ndoshta përfaqëson kohën menjëherë pas Konstandinit, kur kisha ishte “e martuar plotësisht” me shtetin. Me mijëra njerëz u bënë të krishterë sa për emër dhe kisha toleroi praktika pagane në mesin e saj.

D. Drejtuar kishës së Tiatirës (2:18-29)

2:18 Emri Tiatira do të thotë sakrificë e përhershme ose flijim i vazhdueshëm. Në këtë letër Biri i Perëndisë shihet si Ai që i ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashme me bronz të shkëlqyeshëm. Sytë flasin për shikim depërtues dhe këmbët e bronzta flasin për gjykim kërcënues.

2:19 Kjo kishë shquhej për shumë gjëra. Ajo nuk ishte e pakët në vepra të mira, dashuri, shërbim, besim dhe durim këmbëngulës. Në fakt, veprat e saj jo vetëm që nuk po mbaronin, por po shtoheshin më tepër në sasi.

2:20 Por doktrina e ndotur ishte toleruar në asamble dhe kjo kishte sjellë si pasojë atë që kurvërimi dhe idhujtaria po praktikoheshin. Kisha kishte lejuar një të vetëquajtur profeteshë të quajtur Jezabel [3] që t’i bënte shërbëtorët e Perëndisë të mëkatojnë. Ashtu si Jezabeli në DhV prishi popullin e Perëndisë me kurvërim dhe idhujtari, po ashtu kjo grua mësoi se të krishterët mund të merren me këto praktika pa mëkatuar. Ndoshta ajo i nxiti besimtarët që të bashkoheshin me shoqëritë tregtare të Tiatirës, megjithëse kjo përfshinte nderimin e perëndisë apo perëndeshës së shoqërisë dhe pjesëmarrjen në festa ku ushqimi u flijohej idhujve. Padyshim që ajo e përligji këtë kompromis me botën me atë që ajo gjoja do të përkrahte çështjen e kishës.

2:21-23 Meqë ajo nuk pranoi të pendohej, Zoti do t’i jepte asaj një shtrat vuajtjesh nga shtrëngimi, në vend të shtratit të saj të epshit. Ata që kurvëruan me të do të flakeshin në një shtrat shtrëngimi të madh dhe vdekjeje po të mos braktisnin atë dhe të largoheshin nga veprat e saj. Atëherë të gjitha kishat do të njohin se Zoti është duke parë dhe se Ai shpaguan sipas veprave të njerëzve. Ndoshta atje në Tiatirë ndodhej një profeteshë në kuptimin e plotë të fjalës që quhej Jezebel. Por studiuesit e Biblës kanë parë këtu gjithashtu një referencë për ngritjen e një sistemi të rremë të kishës me adhurimin e saj të figurave [ikonave], shitjen e faljeve, dhe falje nga ana e priftit për mëkate të tilla si kurvërimi.

2:24, 25 Ndodhej një mbetje besnike në Tiatirë (të tjerëve . . . që nuk kanë këtë doktrinë), e cila nuk kishte marrë pjesë në ritet dhe doktrinat e fshehta të Jezabelit, të njohura ndryshe si thellësirat e Satanit. Nuk u vu asnjë barrë tjetër përgjegjësie mbi ta, por të mbanin fort të vërtetën deri në ardhjen e Krishtit.

2:26-28 Fituesi në Tiatira ishte ai besimtar i vërtetë i cili i ruante në mënyrë të patundur veprat e krishterimit të vërtetë. Shpërblimi i tij do të jetë mbretërimi me Krishtin gjatë Mijëvjeçarit. Ai do të ketë autoritet mbi kombet dhe do t’i qeverisë ata me një shufër hekuri. Çdo mëkat dhe rebelim do të ndëshkohet në vend dhe ashpër. Zoti i premtoi se do t’i japë fituesit yllin e mëngjesit. Zoti Jezus është Ylli i Ndritshëm i Mëngjesit (Zbulesa 22:16). Ashtu si ylli i mëngjesit shfaqet në qiell përpara se të lindë dielli, po ashtu Krishti do të shfaqet si Ylli i Mëngjesit që të rrëmbejë kishën e Tij për në qiell përpara se Ai të shfaqet si Dielli i Drejtësisë për të mbretëruar mbi tokë (1 Thes. 4:13-18; Mal. 4:2). Kështu fituesit i është premtuar një vend në Rrëmbimin. Ai nuk e fiton këtë me anë të veprave të tij, por veprat e tij vërtetojnë realitetin e besimit të tij. Ngaqë ai është kthyer me të vërtetë në besim, atij do t’i jepet ylli i mëngjesit.

2:29 Në këtë letër dhe në ato tri pasueset formula “Kush ka veshë, le të dëgjojë . . .” nuk e paraprin premtimin e fituesit, por e pason atë. Kjo mund të thotë se nga kjo pikë e në vazhdim vetëm ata që fitojnë hamendësohen të kenë veshë për të dëgjuar atë që Fryma u thotë kishave”.

E. Drejtuar kishës së Sardës (3:1-6)

3:1 Sarda do të thotë ata që largohen ose ripërtëritje. Zoti zbulon Vetveten si Ai që ka të shtatë Frymërat e Perëndisë dhe të shtatë yjet. Është në fuqinë e Frymës së Shenjtë që Ai kontrollon kishat dhe lajmëtarët e tyre. Sarda ishte një kishë e një dëshmie të vdekur. Ajo kishte një emër si të një asambleje të krishterë, por në shumicën e rasteve, ajo kalonte përmes një rutine formale dhe të mërzitshme. Ajo nuk mbushej plot e përplot me jetë frymërore. Ajo nuk shkëlqente me mbinatyroren.

3:2, 3 Zoti e ftoi atë për një zell të ri dhe një përpjekje të re për të forcuar atë pak gjë që kishte mbetur për Atë, se madje edhe ajo po tregonte shenja vdekjeje. Shpesh njerëzit kanë filluar projekte për Perëndinë, por nuk i kanë shpënë kurrë deri në fund. Krishti i paralajmëroi ata që të ruanin depozitën e shenjtë të së vërtetës dhe të pendoheshin për pagjallërinë e tyre. Nëse nuk rrinin zgjuar, Ai do të vijë pandehur dhe do të nisë një proces gjykimi me ta.

3:4 Kishte një mbetje edhe në Sardë, të cilët nuk e kishin humbur dëshminë e tyre të krishterë. Këta besimtarë që nuk i ndotën petkat e tyre me botën dhe me materializmin do të ecin me Krishtin të veshur në të bardha.

3:5 Ata ishin fituesit, veprat e drejta të të cilëve i vulosën ata si besimtarë të vërtetë. Petkat e tyre të bardha flasin për drejtësinë e jetëve të tyre. Ngaqë ata ishin dukshëm të krishterë të vërtetë, emrat e tyre nuk do të fshiheshin nga Libri i Jetës.

Disa mendojnë se Libri i Jetës përmban emrat e të gjithë atyre njerëzve që u është dhënë jetë fizike. Sipas kësaj pikëpamjeje, ata që me anë të jetëve të tyre tregojnë se kanë rilindur me të vërtetë nuk do të hiqen nga libri, ndërsa me nënkuptim, të tjerët do të hiqen.

Të tjerë e shohin librin si një regjistër të atyre që kanë jetë frymërore. Atyre u është premtuar se emrat nuk do t’u fshihen, d.m.th. ata nuk do ta humbasin kurrë shpëtimin e tyre. Sipas kësaj pikëpamjeje, fakti që disa emra nuk do të fshihen nuk do të thotë se të tjerë emra do të fshihen.

Për arsye të mësimit të qëndrueshëm të Shkrimeve se shpëtimi është me anë të hirit, jo nëpërmjet veprave, dhe për arsye të pjesëve të qarta se besimtari i vërtetë është përjetësisht i sigurt (Gjoni 3:16; 5:24; 10:27-29), vargu 5 nuk mund të përfshijë mundësinë që një fëmijë i Perëndisë të humbasë ndonjëherë.

Zoti ynë shton premtimin se Ai do të rrëfejëemrat e fituesve përpara Atit të tij dhe engjëjve të qiellit.

3:6 Prapë njerëzve u bëhet thirrje të dëgjojnë këtë paralajmërim solemn kundër të pasurit të një dëshmie fetare [rrëfim fetar], pa qenë rilindur kurrë.

Asambleja në Sardë është përdorur shpesh si një pikturë e periudhës pas-reformatore, kohë kur kisha u bë formale, ritualiste, e kësaj bote dhe politike. Kishat protestante shtetërore të Evropës dhe kolonitë amerikane ishin udhëheqëse në këtë drejtim.

F. Drejtuar kishës së Filadelfisë (3:7-13)

3:7 Filadelfia do të thotë dashuri për vëllezërit. Kësaj kishe Zoti i shfaqet si Ai që është i shenjtë, Ai që është i vërtetë, Ai që ka çelësin e Davidit, Ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.

Me fjalë të tjera, Ai ka pushtet administrativ dhe kontroll të padiskutueshëm:

Dera e hapur për të cilën sinagogat judease dhe kultet pagane ishin pa forcë për ta mbyllur është mundësia e dhënë nga Perëndia për të predikuar Krishtin te të gjithë ata që do të dëgjojnë. Çelësi i Davidit është një aludim [fjalë e hedhur, nënkuptim] nga DhV për sovranitetin absolut të Perëndisë në hapjen e dyerve dhe mbylljen e gojëve. Shih Isaia 22:22 [4].
3:8 Asambleja në Filadelfi mori vetëm fjalë lavdërimi nga Zoti. Shenjtorët kishin qenë besnikë. Ata kishin qenë të zellshëm për vepra të mira. Në vetë dobësinë e tyre njerëzore, ata i kishin besuar Zotit. Si rrjedhojë e kësaj ata kishin qenë në gjendje që ta ruanin të vërtetën, duke e jetuar atë në jetët e tyre. Ata nuk e kishin mohuar emrin e Krishtit. Prandaj, Ai do të vinte përpara tyre një derë të hapur mundësie që asnjëri nuk do të jetë në gjendje ta mbyllë.

3:9 Ata të vetëquajtur judenj, të cilët i kishin kundërshtuar ata kaq hidhur, do të përuleshin para këtyre besimtarëve të thjeshtë. Ata që pohonin se ishin populli i zgjedhur i Perëndisë, megjithëse në të vërtetë ishin një sinagogë e Satanit, do të detyroheshin të pranonin se të krishterët e përbuzur ishin në të vërtetë tufa e zgjedhur.

3:10 Sepse filadelfianët e kishin ruajtur të vërtetën e Perëndisë duke e jetuar atë përpara njerëzve, Zoti do t’i ruante ata nga ora e sprovës, që ka për të ardhur mbi të gjithë ata që banojnë mbi dhe. Ky është një premtim i çlirimit nga periudha e Mundimit e përshkruar në kapitujt 6-19. Vini re se ata do të ruhen nga ora e sprovës, d.m.th. nga e gjithë periudha kohore. Ata do të ruhen edhe nga ajo periudhë (greq. ek), jo gjatë saj.

“Ata që banojnë mbi dhe” është një term teknik, që nënkupton ata që e bëjnë këtë tokë shtëpinë e tyre, “njerëzit e kësaj bote që bëjnë pjesë në këtë jetë” (Psa. 17:14b).

3:11 Ardhja e Krishtit është kujtuar para shenjtorëve si një motiv për durim këmbëngulës. Ata nuk duhet të lejojnë ndonjë që t’ua vjedhë atyre kurorën e fitores kur ajo është kaq afër dorës.

3:12 Fituesi do të bëhet një shtyllë në shenjtëroren e brendshme të Perëndisë. Çfarëdo gjëje tjetër që mund të nënkuptojë kjo, pa dyshim që ajo mbart idenë e fuqisë, nderit dhe sigurisë së qëndrueshme. Ai nuk do ta lërë kurrë këtë vend sigurie dhe gëzimi. Mbi fituesin do të ketë të shkruar tre emra: emrin e . . . Perëndisë, emrin e Jerusalemit të Ri, që zbret nga qielli nga . . . Perëndia, dhe emrin e ri të Zotit Jezus. Në këtë mënyrë ai do të njëjtësohet si një i cili i përket plotësisht të treve.

3:13 Kush ka veshë duhet të dëgjojë këtë mesazh nga Fryma drejtuar kishave.

Kisha e Filadelfisë është përdorur shpesh si një simbol i rizgjimit të madh ungjillor në shekullin XVIII dhe në fillim të atij XIX, rivendosja e së vërtetës për sa i përket kishës dhe ardhjes së Krishtit dhe arritjeve mbarëbotërore misionare. Megjithëse gjatë kësaj periudhe të krishterët ungjillorë gëzuan një masë të patundshme rivendosjeje, prapë Satani ndërmori një përpjekje të vendosur duke hedhur maja në kishë me legalizëm, ritualizëm dhe nacionalizëm.

G. Drejtuar kishës së Laodicesë (3:14-22)

3:14 Emri Laodicea do të thotë ose njerëzit sundojnë, ose gjykimi i njerëzve. Zoti Jezus flet për Veten si Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijimit të Perëndisë. Si Ameni, Ai është mishërimi i besnikërisë dhe i së vërtetës, dhe i Vetmi që siguron dhe përmbush premtimet e Perëndisë. Ai është gjithashtu autori i krijimit të Perëndisë, si krijimit material dhe atij frymëror. Shprehja “Fillimi i krijimit të Perëndisë” nuk do të thotë se Ai ishte Personi i parë që u krijua. Ai nuk ishte krijuar kurrë. Më saktë, ajo do të thotë se Ai filloi gjithë krijimin. Vargu nuk thotë se Ai kishte një fillim, por që Ai është Fillimi. Ai është origjina e krijimit të Perëndisë. Dhe Ai ka epërsi mbi të gjithë krijimin.

3:15-17 Kisha në Laodice nuk ishte as e ftohtë, as e ngrohtë. Ajo ishte e vakët. Zoti do të parapëlqente që ajo të ishte e skajshme në indiferencën apo zellin e saj. Por ajo ishte mjaft e vakët, aq sa për të mashtruar njerëzit që të mendonin se ajo ishte një kishë e Perëndisë, dhe aq e neveritshme në vakësi për gjërat hyjnore sa t’i vinte për të vjellë edhe Shumë të Lartit. Veç kësaj, kisha karakterizohej nga krenari, padituri, vetëbesim dhe vetëkënaqësi.

3:18 Njerëzit u këshilluan të blinin nga Zoti ar të kulluar në zjarr. Kjo mund të nënkuptojë drejtësi hyjnore, e cila blihet pa para apo çmim (Isa. 55:1), por që merret si një dhuratë nëpërmjet besimit në Zotin Jezus. Ose ajo mund të nënkuptojë besim të vërtetë, i cili kur provohet në zjarr, do të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit (1 Pjetrit 1:7).

Gjithashtu njerëzit u këshilluan të blejnë petka të bardha, d.m.th. drejtësi praktike në jetën e përditshme. Dhe ata duhet të vajosin sytë e tyre me kolir, d.m.th. të fitojnë shikim të vërtetë frymëror nëpërmjet ndriçimit të Frymës së Shenjtë. Kjo këshillë ishte veçanërisht e përshtatshme, meqenëse Laodicea ishte e njohur si një qendër për veprime bankare, tekstile dhe ilaçe – sidomos kolir.

3:19 Dashuria e Zotit për kishën duket nga fakti se Ai e qorton dhe e ndëshkon atë. Nëse Ai nuk do të kujdesej, Ai nuk do të krijonte mërzitje. Me butësi këmbëngulëse, Ai i drejtohet kësaj kishe formale që të jetë e zellshme dhe të pendohet.

3:20 Në vargjet mbyllëse ne kemi atë çfarë Skofildi (Scofield) do ta quante “vendi dhe qëndrimi i Krishtit në fund të epokës së kishës”. Ai është jashtë “kishës që ka në përgjegjësi vetëm një emër, po jo realitet” [krishterimi i sotëm përbëhet nga shumë grupe fetare që nuk janë biblike në praktikë dhe në doktrinë], duke trokitur lehtë dhe duke ftuar individë (jo më grumbullin e njerëzve) për ta braktisur kishën femohuese, që ata të kenë përbashkësi me Të.

Trenç (Trench) komenton:

Çdo njeri është zot i shtëpisë së vetë zemrës së tij; ajo është fortesa e tij; ai duhet të hapë portat e saj. Ai ka të drejtën dhe privilegjin e zymtë që të mos pranojë që t’i hapë. Por nëse ai nuk pranon, ai është verbërisht në mosmarrëveshje me vetë bekimin e tij, një pushtues i mjerë [5].
3:21 Fituesit i është premtuar se ai do të marrë pjesë në lavdinë e fronit të Krishtit dhe do të mbretërojë me Të mbi tokën mijëvjeçare. Ata që e ndjekin Atë në përulësi, mospranim dhe vuajtje do ta ndjekin Atë edhe në lavdi.

3:22 Më pas, për herën e fundit, dëgjuesi këshillohet në mënyrë solemne për të dëgjuar zërin e Frymës.

Çfarëdo interpretimi të librit të Zbulesës që të marrim, është e pamohueshme se kisha e Laodicesë paraqet një pikturë të gjallë të epokës në të cilën jetojmë. Jetesë luksi gjen me bollëk në çdo anë, në një kohë kur miliona po vdesin për mungesën e ungjillit. Të krishterët po mbajnë kurora në vend që të mbartin një kryq. Ne ndikohemi më shumë emocionalisht nga sporti, politika apo televizioni, sesa ndikohemi nga Krishti. Ekziston një ndjenjë e vogël e nevojave frymërore, një dëshirë e vogël për ringjallje të vërtetë. Ne i japim më të mirën e jetëve tona botës së biznesit e më pas ia dorëzojmë mbetjen e një karriere të fishkur Shpëtimtarit. Ne kujdesemi për trupat tanë të cilët në pak vjet do të kthehen në pluhur. Ne grumbullojmë në vend që të braktisim, mbledhim thesare mbi tokë në vend që të mbledhin në qiell. Qëndrimi i zakonshëm është: “Asnjë gjë shumë të mirë për popullin e Perëndisë. Nëse unë nuk e përkëdhel veten, kush do ta bëjë? Le të ecim përpara në botë dhe t’i japim Krishtit mbrëmjet e tepërta”. Kjo është gjendja jonë në prag të Kthimit të Krishtit.

[1] John F. Walvoord. The Revelation of Jesus Christ.Fq 50-100.[[1]]

[3] Në tekstin Majority lexohet: “bashkëshortja (gruaja) jote Jezabel.”[[3]] [4] Daily Notes of the Scripture Union.[[4]] [5] Richard Chevenix Trench. Commentary on the Epistles to the Seven Churches in Asia.Fq. 225.[[5]]


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (2:14, 15) Ella E. Pohle. Dr. C. I. Scofield’s Question Box.Fq. 89. ↵ Kthehu mbrapa
  3. ↵ Kthehu mbrapa
  4. ↵ Kthehu mbrapa
  5. ↵ Kthehu mbrapa