[no_toc]Ekziston një dallim midis Hadesit dhe Gehenës. Këto fjalë janë të ndryshme dhe kanë kuptime të ndryshme në gjuhën origjinale të Dhiatës së Re. Ato nuk mund të përdoren për të zëvendësuar njëra-tjetrën{{1}}. Hadesi është i përkohshëm, ndërsa Gehena është e përjetshme. Hadesi është i njëjtë si ferri dhe Sheoli në Dhiatën e Vjetër, ndërsa Gehena është i njëjtë si liqeni i zjarrtë. Hadesi është përshkruar si një qytet burg, ku të burgosurit presin gjyqin e tyre. Është një vendqëndrim. Gehena është burgu kombëtar ku kryhet dënimi.
Hadesi
Së pari, le të diskutojmë për Hadesin. Disa herë përdoret si referim për një vend vuajtjesh, disa herë i referohet varrit dhe herë të tjera një gjendjeje të mungesës së trupit. Po të jetë një vend, nuk ekziston ndonjë referim për lokalitetin ku gjendet. Shpjegimi më i plotë i Hadesit gjendet në Luka 16:19-31, ku lexojmë se një i pasur, që nuk besoi, shikoi lart. Sigurisht që trupi i këtij njeriu ishte në varr, ndërsa shpirti në Hades. Por në atë gjendje të vetëdijshme, ai kishte intelekt, ishte i vetëdijshëm dhe kishte pushtet të shikonte përtej asaj gjendjeje dhe të shihte qiellin ose parajsën. Ai po vuante nga nxehtësia dhe nga etja. Ai kishte zell ungjillor, saqë donte që dikush t’u dëshmonte për Zotin pesë vëllezërve, që ata të mos përfundonin në këtë vend mundimi. Këtu Hadesi është një vend mundimi. Nuk ka asnjë rrugëdalje nga ai.
Por në Veprat e Apostujve 2:27, ai nuk është kaq shumë një vend, por është një gjendje. Pjetri citon nga Psalmi 16:10 dhe ia referon atë ringjalljes së Krishtit.
Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti Yt të shohë kalbjen.
Këtu Hadesi nuk mund të jetë një vend, sepse kur Zoti Jezus vdiq, fryma dhe shpirti i Tij shkuan në parajsë{{2}}, e cila është e njëjtë si qielli i tretë{{3}}, vendbanimi i Perëndisë. Por kjo mund t’i referohet gjendjes pa trup. Perëndia nuk e lejoi shpirtin e Tij të mbetej në atë gjendje dhe nuk e la të Shenjtin, d.m.th. trupin e Shpëtimtarit, të kalbej. Shprehja «i Shenjti yt» duhet t’i referohet trupit, ngaqë trupi është pjesa e njeriut që kalbëzohet pas vdekjes. Pjetri deklaron me guxim se shpirti i Zotit nuk ishte lënë në Hades (Veprat e Apostujve 2:31). Ditën e tretë shpirti dhe fryma e Tij u ribashkuan me trupin e Tij të përlëvduar.
Një pjesë tjetër e Shkrimeve të Shenjta, që përshkruan Hadesin si një gjendje pa trup, është Zbulesa 20:13-14:
Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta. Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë.
Kjo skenë është gjykimi i fundit i mëkatarëve. Zoti Jezus Krisht është Gjykuesi, Ai që ka çelësat e Vdekjes dhe të Hadesit (Zbulesa 1:18). Këtu vdekja përdoret si referim për trupin e tyre dhe Hadesi si referim për frymën dhe shpirtin e tyre. Fryma dhe shpirti i të gjithë jobesimtarëve ribashkohet me trupin në gjykimin para Fronit të Madh të Bardhë dhe kështu i tërë personi hidhet në liqenin e zjarrit.
Një pjesë tjetër e Shkrimeve të Shenjta, në të cilën Hadesi përdoret si referim të gjendjes në mungesë të trupit, gjendet në 1 e Korintasve 15:55:
O vdekje, ku është gjëmba jote? O Hades, ku është fitorja jote?
Kjo është një këngë që besimtarët do të këndojë në ardhjen e Krishtit. Ndërsa trupi i tyre ngrihet nga të vdekurit, ata do t’i kujtojnë vdekjes, se në të vërtetë i mbajti ata për një farë kohe, por nuk mundi t’i mbante ata përgjithmonë! Dhe megjithëse Hadesi pati sukses në mbajtjen e frymës dhe shpirtit të tyre të ndarë nga trupi, fitorja e tij ishte e përkohshme.
Në Zbulesa 6:8, flitet për një kalues mbi një kalë të zbehtë të quajtur Vdekje dhe Hadesin që e ndiqte nga pas. Pjesa tjetër e vargut shpjegon se Vdekja dhe Hadesi kishin pushtet të vrisnin një të katërtën e popullsisë së tokës. Përsëri këtu, Vdekja dhe Hadesi në mënyrë figurative përshkruajnë ndarjen e frymës dhe shpirtit nga trupi, që është vdekja.
Shpeshherë fjala Hades përdoret si metaforë për të përshkruar thellësinë e përuljes. Për shembull, në mënyrë figurative qyteti i Kapernaumit u ngrit në qiell për privilegj. Por nuk e pëlqeu praninë e Birit të Perëndisë dhe kështu do të fundosej deri në Hades në turp dhe shkatërrim (Mt. 11:23; Luka 10:15).
I vetmi referim tjetër e Hadesit gjendet në Mateu 16:18, ku Jezusi garantoi se portat e Hadesit nuk do të kishin sukses ndaj Kishës, që Ai do të themelonte. Asnjë sulm mbi Kishën nuk do të kishte sukses përfundimisht, kurse sigurohet suksesi i Kishës mbi Hadesin.
Gehena
Nga dymbëdhjetë përdorimet e fjalës Gehena në Dhiatën e Re, njëmbëdhjetë nga ato janë përdorur nga vetë Zoti Jezus, i cili është më i mëshirshmi i të gjithë njerëzve. Jakobi, gjysmëvëllai i Jezusit e përdori herën tjetër.
Çfarë duhet të dimë për këtë vend të tmerrshëm? Ky vend nuk është përgatitur për njeriun, por për djallin dhe engjëjt e tij (Mt. 25:41). Perëndia nuk cakton ndokënd për këtë gjykim; por duke e hedhur poshtë hirin e Perëndisë, njerëzit zgjedhin Gehenën. Ky është një vend ku ka vajtim, të qara dhe kërcëllim të dhëmbëve (Mt. 8:12; 22:13; 24:51; 25:30; Luka 13:28). Thuhet se vuajtjet dhe zjarri nuk marrin fund për ata që shkojnë në Gehenë (Marku 9:46). Tymi i vuajtjeve të tyre vazhdon në shekuj të shekujve (Zbulesa 14:11).
Herë pas here, Jezusi ka thënë se është më mirë të hyjsh në jetë pa disa pjesë të trupit, sesa të shkosh në Gehenë në vuajtje (Mt. 5:29-30; 18:9; Marku 9:43, 45, 47). Sigurisht, kjo nuk do të thotë se do të ketë të gjymtuar në parajsë. Për më tepër, kjo do të thotë se është më mirë të përjetosh disiplinim të rreptë mbi orekset e trupit në këtë jetë, sesa të plotësosh epshet e tij dhe të mallkohesh përjetësisht.
Besimtarët nuk duhet të kenë frikë nga ata që shkatërrojnë{{4}} trupin, por të kenë frikë nga Ai që mund të shkatërrojë edhe frymën edhe shpirtin në Gehenë (Mt. 10:28; Luka 12:5).
Gjithkush që zemërohet pa shkak ndaj vëllait të tij duke e quajtur atë budalla, është në rrezikun e zjarrit të Gehenës (Mt. 5:22). Të folurit e lig i përket Gehenës në karakterin e tij (Jakobit 3:6). Mëkatet e Farisenjve i bënë ata t’i përkisnin Gehenës (Mt. 23:15,33).
Tartarus
Fjala greke tartarus{{5}}, e përkthyer “tartar” në 2 Pjetrit 2:4, duket se ka një kuptim të veçantë në lidhje me engjëjt mëkatues. Në tartarus, ata janë në zinxhirët e errësirës duke pritur të gjykohen.
Purgatori
Sipas Kishës Katolike Romake, «purgatori» është një gjendje ose një vend dënimi pas vdekjes, ku njeriu që vdes në hirin e Perëndisë mund të bëjë shlyerje për «dënimin e përkohshëm» për mëkatin dhe kështu të hyjë në parajsë. Zjarri i purgatorit supozohet të ketë një efekt rafinerimi për shpirtin e personit. Gjithashtu thonë se koha në purgator mund të shkurtohet nga lutjet e të gjallëve dhe nga meshat e ofruara në sajë të tyre.
Bibla nuk flet aspak për një gjendje të tillë ose një vend të tillë të quajtur purgator. Kjo fjalë nuk është përdorur në Bibël dhe kjo doktrinë është krejtësisht në kundërshtim me të vërtetën e shpëtimit me anë të hirit nëpërmjet besimit në Zotin Jezu Krishtin.
[[1]]Fjala greke “Hades” është përkthyer «Hades» apo « ferr» në të gjitha përdorimet e saj përveç në 1 e Korintasve 15:55, ku është përkthyer varr. Gehena vjen nga fjala greke (geenna). Zoti e përdori këtë fjalë për të bërë një përshkrim të gjallë të dënimit të përjetshëm si një vend zjarri të përjetshëm.[[1]] [[2]]Luka 23:43.[[2]] [[3]]2 e Korintasve 12:2, krahasojeni me v. 4.[[3]] [[4]]Fjala shkatërrim nuk do të thotë zhdukje ose mungesë ekzistence, por për më tepër do të thotë mungesë e të qenurit mirë, mospërmbushje të qëllimit për të cilin njeriu ose një gjë është krijuar. Për shembull, enët e verës që shpërthyen në Mt. 9:1 nuk u shkatërruan, por u dëmtuan dhe nuk mund t’i shërbenin qëllimit për të cilin ishin bërë.[[4]] [[5]]Gjithashtu në latinisht shkruhet Tartarus.[[5]]