[no_toc]Ne ndoshta mund ta zgjeronim këtë titull duke e quajtur «Kombet johebrease, Izraeli dhe Kisha». Arsyeja për të cilën e themi këtë është se Dhiata e Re e ndan të gjithë njerëzimin në tre kategori. Për shembull, Pali thotë në 1 e Korintasve 10:32, «Mos u bëni shkak skandali as për judenjtë, as për johebrenjtë, as për kishën e Perëndisë».
Në Veprat e Apostujve 15:14-17 këto tre ndarje të njerëzimit janë përmendur përsëri:
Kisha
… i ka vizituar për herë të parë Perëndia, johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e Tij (v. 14).
Izraeli
Pas këtyre gjërave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t’i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë (v. 16).
Kombet johebrease
Që mbetja e njerëzve dhe të gjithë johebrenjtë mbi të cilët thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto (v. 17).
Apostulli Pal bëri gjithashtu dallimin midis
- judenjve—rrethprerja e bërë me duar (Efesianeve 2:11).
- johebrenjve—mosrrethprerjen (Efesianeve 2:11).
- Kishës—rrethprerjen e bërë pa duar (Kolosianeve 2:11).
Në përgjithësi, studentët e Biblës nuk i ngatërrojnë johebrenjtë me Izraelin ose me Kishën; kjo nuk ka qenë problem. Kështu në këtë mësim do të merremi vetëm në dallimin midis Izraelit dhe Kishës. Kjo është e një rëndësie të madhe. Po të arrijmë të shohim se këta dy grupe janë të ndarë dhe të dallueshëm, atëherë kjo do të na ndihmojë në interpretimin e Biblës, veçanërisht në fushën e të vërtetës dhe profecisë së Kishës.
Që të tregojmë pse kjo temë është e rëndësishme, ne duhet të përmendim se disa njerëz mësojnë se Kisha është thjeshtë një zgjatje ose një shtojcë e Izraelit. Ata thonë: «Perëndia ka pasur një Kishë në vazhdimësi nëpër shekuj. Izraeli ishte Kisha në Dhiatën e Vjetër, por kur ky popull e hodhi poshtë Mesinë, Perëndia i hodhi poshtë ata përgjithmonë. Nuk ka të ardhme për Izraelin në mënyrë kombëtare. Kisha e Dhiatës së Re është bërë tani Izraeli i Perëndisë dhe të gjitha premtimet që i janë bërë Izraelit në mënyrë kombëtare tani kanë një përmbushje shpirtërore për Kishën».
Ne besojmë se Shkrimet na mësojnë ndryshe—se Izraeli dhe Kisha janë të ndryshme në origjinë, karakter, përgjegjësi dhe paracaktim.
Kur Izraeli e hodhi poshtë Zotin Jezus si Mesinë e tij, Perëndia e la mënjanë kombin për ca kohë. Pastaj Ai paraqiti diçka krejt të re—Kishën. Kur programi i Tij me Kishën të përfundojë në tokë, Ai do të vazhdojë me trajtimet e Tij me Izraelin në rang kombëtar. Kështu Kisha ka hyrë gjatë ndërprerjes së marrëdhënieve të Perëndisë me Izraelin, popullin e Tij të lashtë.
Dallimi midis Kishës dhe Izraelit mund të shihet më mirë nëpërmjet kontrasteve të mëposhtme.
Kisha |
Izraeli |
1. Pali flet për kishën si një mister “që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës” (Efesianeve 3:5). Ai thotë se ky mister ishte fshehur në Perëndinë që nga fillimi i botës (Efesianeve 3:9) dhe ishte mbajtur sekret qëkur bota filloi, por që tani është manifestuar me anë të Shkrimeve profetike (Rom. 16:25, 26). (Shihni gjithashtu Kolosianeve 1:25, 26). 2. Kisha filloi në Ditën e Rrëshajave kur Fryma e Shenjtë u dha (Veprat 2). Ne e nxjerrim këtë nga seria e fakteve të mëposhtme. a. Kisha ishte akoma në të ardhmen kur Krishti ishte mbi tokë, sepse Ai tha: “Unë do ta ndërtoj kishën Time” (Mt. 16:18). b. Kur Pali e shkroi Letrën e tij të Parë Korintasve, Kisha në atë kohë ishte formuar. Ai flet për besimtarët, të pagëzuar nga Fryma në trupin e Krishtit (1 e Korintasve 12:13). c. Ne e dimë se pagëzimi i premtuar nga Fryma ngjau Ditën e Rrëshajave. Kështu ajo ishte datëlindja e Kishës. 3. Krishti është Kreu i Kishës. 4. Anëtarësia në Kishë është nëpërmjet lindjes prej Frymës. 5. Kisha është populli qiellor i Perëndisë. Bekimet e Kishës janë bekime të Frymës në vende qiellore. Qytetaria e të krishterëve është qiellore. Shpresa e Kishës është të jetë me Krishtin në qiell. 6. Në Kishë, judenjtë që besojnë dhe johebrenjtë që besojnë bëhen një në Krishtin. Ata bëhen bashkëtrashëgimtarë, bashkëanëtarë të trupit, dhe bashkëpjesëmarrës të premtimit të Krishtit nëpërmjet ungjillit. Në Krishtin, muri i ndërmjetëm ndarës midis judeut dhe johebreut është rrëzuar dhe të dy janë bërë një (Efesianeve 2:13-17; 3:6). 7. Në Kishë, të gjithë besimtarët janë priftërinj—priftërinj të shenjtë dhe priftërinj mbretërorë. Si të tillë ata kanë pjesë në praninë e Perëndisë nëpërmjet besimit në çdo kohë (1 Pjetrit 2:1-9; Heb. 10:19-22). 8. Kisha do të rrëmbehet për në shtëpi në qiell në Rrëmbimin, pastaj do të kthehet me Krishtin dhe do të sundojë me Atë mbi tokën gjatë Mijëvjeçarit. |
1. Kurrë nuk flitet për Izraelin si mister. Asnjë nga përshkrimet në kolonën tjetër nuk janë të vërteta për Izraelin. 2. Kombi i Izraelit filloi me thirrjen e Abrahamit (Zanafilla 12). 3. Abrahami ishte kreu i Izraelit. 4. Anëtarësia në komb ishte nga lindja natyrore. 5. Izraeli ishte populli tokësor i zgjedhur i Perëndisë. Bekimet e Izraelit ishin kryesisht, megjithëse jo eksklusivisht, bekime materiale në vende tokësore. Qytetaria e izraelitëve ishte tokësore. Shpresa kryesore e mbajtur para Izraelit ishte sundimi tokësor i Mesias në tokë. (Kjo nuk mohon se izraelitët besimtarë nuk shkuan në qiell kur ata kanë vdekur, ose që ata nuk kishin shpresën e qiellit. Por ai nuk ishte theksi që ishte vënë para tyre). 6. Asnjë prej këtyre nuk është e vërtetë për Izraelin. Për sa i përket Izraelit, johebrenjtë janë “pa Krishtin, duke qenë të huaj në qytetarinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjet e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qenë pa Perëndi në botë (Efesianeve 2:12). 7. Në Izrael, priftërinjtë zgjidheshin nga fisi i Levit dhe nga familja e Aaronit. Vetëm kryeprifti mund të hynte në praninë e Perëndisë; dhe vetëm një ditë të vitit (Heb. 7:5, 11; 9:7). 8. Izraeli i shpenguar do të jetë çështja tokësore e Krishtit kur Ai të sundojë. |
Edhe shumë kontraste të tjera midis Kishës dhe Izraelit mund të jepeshin. Në Teologjinë Sistematike të tij, Chafer numëron njëzet e katër dallime të pagabueshme. Por ato që ne kemi dhënë duhet të jenë të mjaftueshme për të treguar se Kisha zë një vend të veçantë në planet e në qëllimet e Perëndisë dhe se nuk duhet të ngatërrohet me Izraelin.
Një nga pjesët e Shkrimit, në të cilin Izraeli dhe Kisha ngatërrohen, është Predikimi Profetik, që gjendet në Mateu 23:37-25:46. Kjo pjesë flet për Izraelin—jo për Kishën. Ai përshkruan gjendjen para dhe gjatë ardhjes së Krishtit për të sunduar si Mbret. Vini re çfarë thuhet në Mt. 24:16: «Atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male»—lokalizimi është qartësisht judaik. Dhe në vargun 20 lexojmë: «Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë … të shtunën». Shabati (e shtuna) kurrë nuk u dha për Kishën—vetëm për Izraelin. Të zgjedhurit e përmendur në vargun 22 janë të zgjedhurit judenj të Perëndisë. Ardhja e Krishtit e përshkruar në vargun 30 nuk është ardhja e Tij në ajër për Kishën, por ardhja e Tij në tokë si Mbreti i Izraelit.
Kështu një student i Biblës duhet të dallojë nëse një pjesë i referohet Izraelit apo Kishës. Po qe se ai po lexon rreth Ditës së Zotit, ai mund të jetë i sigurt se pjesa i referohet kryesisht Izraelit. Në anën tjetër, po qe se ka referime për Ditën e Krishtit, ai mund të jetë i sigurt se është vënë në dukje Kisha. Kështu trumbeta e shtatë e Zbulesës 11 ka të bëjë me Izraelin, sepse ajo është pjesë e Ditës së Zotit. Por «boria e fundit» e 1 e Korintasve 15:52 ka të bëjë me Kishën, sepse tema është Rrëmbimi dhe Rrëmbimi është i lidhur me Ditën e Krishtit.
Në mbyllje, ne duhet të kemi parasysh dy nga argumentet më shpesh të përdorur për të provuar se Kisha nuk është e ndarë nga Izraeli.
- Në Veprat e Apostujve 7:38 Izraeli thirret «kisha është në shkretëtirë». Por ne duhet të kuptojmë se fjala «kishë» thjeshtë do të thotë një asamble ose bashkësi njerëzish. E njëjta fjalë përdoret për të përshkruar një grup nëpunësish aziatikë paganë në Efes (Veprat e Apostujve 19:32). Kisha e Dhiatës së Re identifikohet si e lidhur me Perëndinë Atin dhe Zotin Jezus Krisht.
- Në Galatasve 6:16 Pali thotë: «Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë». Shprehja «Izraeli i Perëndisë» përdoret për të deklaruar se sot të gjithë besimtarët përbëjnë «Izraelin e Perëndisë». Por ne besojmë se ky është një keqkuptim. Kur Pali thotë: «Paqja qoftë mbi ta», ai u referohet të gjithë besimtarëve. Por me fjalët «Izraeli i Perëndisë», Pali tregon për këta besimtarë të lindur judenj, të cilët ecin sipas rregullit të krijimit të ri (v. 15) dhe jo sipas rregullit të Ligjit.