[no_toc]Kur studiojmë Biblën, është e rëndësishme të kuptojmë se gjenden disa gjykime të ndryshme dhe se duhet të kemi parasysh njerëzit, kohën dhe vendin ku ndodhin dhe bazën e gjykimit dhe rezultatet. Për shembull, shumë njerëz mendojnë se Gjykimi i kombeve është i njëjtë me Gjykimin para Fronit të Bardhë. Një studim i hollësishëm i tyre na tregon se ato nuk janë të njëjta.
Me siguri që studiuesi i kujdesshëm e di se nuk ekziston diçka e tillë e quajtur «gjykim i përgjithshëm», ku besimtarët dhe jo besimtarët të qëndrojnë para Perëndisë dhe të marrin dënimin e tyre.
Këtu do të diskutojmë për shtatë nga gjykimet më të rëndësishme që gjenden në fjalën e Perëndisë.
Gjykimi i mëkatit të njeriut
Në Kalvar, Perëndia e gjykoi mëkatin kur Jezus Krishti mori mbi vete dënimin në Kryq. Shpëtimtari vdiq për mëkatet e botës.
Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur; dhe se Ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, por për atë që vdiq për ta dhe u ringjall (2 e Korintasve 5:14, 15, theksi është shtuar).
Ai është shlyesi për mëkatet tona dhe jo vetëm tonat por për të të gjithë botës. (1 Gjonit 2:2, theksi është shtuar).
Kur Ai vdiq, ai pagoi plotësisht dënimin për mëkatin. Gjaku i Tij i derdhur i plotësoi të gjitha kërkesat e Perëndisë kundrejt mëkatit. Ai siguroi një rrugë nëpërmjet të cilës, Perëndia shpëton mëkatarët e paperëndishëm pa e miratuar mëkatin dhe pa komprometuar shenjtërinë e Tij. Vepra e Tij shpengimtare pati efekt të pafund dhe i dha fund mëkatit.
Sidoqoftë, vepra e Tij në kryq nuk e shpëton automatikisht gjithkënd. Vepra e Tij zëvendësuese është e mjaftueshme të mbulojë mëkatet e gjithë botës, por vetëm ata që pendohen dhe besojnë në Zotin Jezu Krisht përfitojnë nga vepra e Tij.
Kur një person e pranon Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar, ai është përgjithmonë i lirë nga faji dhe dënimi i mëkatit. Ai nuk do të dënohet përjetësisht për mëkatet e tij, për arsye se Jezusi e ka përjetuar gjykimin e tyre dhe se Perëndia nuk kërkon dy herë shpagim. Besimtari merr njëherë e përgjithmonë falje juridike nëpërmjet besimit.
Vet-gjykimi i besimtarit
Kur njeriu shpëtohet, ai duhet të mbartë një farë vet-gjykimi në jetën e tij. Kjo do të thotë se ai duhet të gjykojë dhe të braktisë mëkatet sa më shpejt që ai kupton që ka kryer një mëkat. Pali po i referohej kësaj në 1 e Korintasve 11:27-32:
Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit. Por secili të shqyrtojë vetveten e kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, sepse ai që ha e pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët e të sëmurë dhe shumë vdesin. Sepse po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos gjykohemi bashkë me botën.
Ne e gjykojmë mëkatin në jetën tonë atëherë kur e pranojmë praninë e mëkatit dhe e rrëfejmë duke e braktisur atë. Ky gjykim duhet të vazhdojë gjatë gjithë jetës. Përndryshe, ne përjetojmë disiplinimin nga Ati ashtu siç është përshkruar në Hebrenjve 12:3-15.
Apostulli Pal e kuptoi se po të mos e dënonte mëkatin në jetën e tij, ai atëherë nuk do të ishte i denjë për shërbimin ndaj Zotit.
Madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem i padenjë (1 e Korintasve 9:27).
Gjykimi nga Krishti
Kur flasim për gjykimin nga Krishti, ne nuk duhet të mendojmë për një gjykim për krime, por si një garë atletike. Zoti nuk është atje për të bindur dhe dënuar fajtorët. Ai është atje për të dhënë shpërblimet! Nuk është një skenë gjyqi, por një kohë për rishikim dhe shpërblim.
Të gjithë besimtarët do të paraqiten para këtij gjykimi, i cili është quajtur Gjykimi Bema (nga fjala greke).
Të gjithë, pra, do të dalin përpara gjykatës së Krishtit (Rom. 14:10c).
Është e qartë se kjo ngjarje e rëndësishme ndodh në përjetësi, pas ringjalljes së shenjtorëve. Atëherë besimtarët do të kenë trup të përlëvduar.
Shërbimi i njerëzve të Perëndisë do të vlerësohet:
Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen (2 e Korintasve 5:10).
Disa do të shpërblehen dhe disa do të pësojnë humbje:
…vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç‘lloji është. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje (1 e Korintasve 3:13-15a).
Dhe pjesa e fundit e vargut 15 e bën të qartë se shpëtimi i personit nuk vihet kurrë në rrezik nga ky gjykim:
por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit.
Gjykimi i Izraelit
Asnjë komb nuk ka përjetuar urrejtje, keqtrajtim dhe persekutim si populli Izraelit. Holokousti është një kapitull tjetër në histori me një rekord trishtimi, vuajtjesh dhe vdekjeje.
Por, për fatkeq, fundi nuk ka ardhur akoma. Pas Rrëmbimit të Kishës, Izraeli dhe kombet e tjerë do të përfshihen në një periudhë shtatëvjeçare mundimesh, gjysma e së cilës do të ketë trazira të papërshkrueshme. Jeremia e quan atë «kohë ankthi për Jakobin» (Jer. 30:7) dhe Zoti përdor shprehjen «Mundimi i madh».
Sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot dhe as nuk do të ketë më kurrë (Mt. 24:21).
Në fund të kësaj kohe, do të vijë Mesia. Kombi do të rimblidhet dhe Zoti do të takohet ballë për ballë në një vend që Ai e quan «shkretëtira e njerëzve» (Eze. 20:33-44).
Një nga krimet më të mëdha me të cilën Zoti do të merret është adhurimi i Antikrishtit gjatë periudhës së Mundimit të madh. Zoti Jezus parashikoi se shumica e këtij kombi do të jetë në formën më të keqe të idhujtarisë:
Unë kam ardhur në emrin e Atit dhe ju nuk më pranoni; në qoftë se dikush tjetër vjen në emrin e tij, ju e pranoni (Gjoni 5:43).
Malakia jep një listë të gjatë të mëkateve që do të trajtohen nga Mbreti (Mal.2:1-3:5).
Është e qartë se të gjithë ata që rebelohen kundër Mbretit-Mesia do të shkatërrohen para inagurimit të mbretërisë, ndërsa të gjithë ata që i nënshtrohen sundimit të Tij do të hyjnë në mbretërinë e lavdishme të Tij dhe do të përjetojnë sundimin e Tij në paqe dhe begati për 1000 vjet:
Dhe kështu mbarë Izraeli (që beson) do të shpëtohet, sikurse është shkruar: «Nga Sioni do të vijë çlirimtari dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi. Dhe kjo do të jetë besëlidhja Ime me ta, kur Unë t’ju heq mëkatet e tyre» (Rom. 11:26-27).
Gjykimi i kombeve
Pjesa kryesore e Shkrimeve të Shenjta, që trajton gjykimin e kombeve, gjendet në Mateu 25:31-46. Ky gjyq bëhet në Ardhjen e Dytë të Zotit. Gjykatësi është Biri i Njeriut, d.m.th. vetë Jezusi.
Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e Tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së Vet (v. 31).
Profeti Joel e bën të qartë se trajtimi i Izraelit nga kombet e tjerë është një karakteristikë kryesore e këtij gjykimi (Joeli 3:2). Në Mateun 25 ata kombe, që i ndihmojnë vëllezërit judenj të Krishtit gjatë Mundimit të Madh, quhen dele. Ata që e kufizojnë ushqimin, ujin, veshmbathjen, mikpritjen dhe që refuzojnë të kenë ndonjë kontakt shoqëror me të sëmurët dhe të burgosurit janë quajtur kombet dhi.
Kombet dele do të «trashëgojnë mbretërinë e përgatitur… që nga themeli i botës» (v. 34). Kombet dhi do ta dëgjojnë dënimin e tyre, «Largohuni nga Unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij» (v. 41).
Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm dhe të drejtët në jetën e përjetshme (v. 46).
Disa njerëz e kanë të vështirë të pranojnë idenë e kombeve{{1}} të shpëtuar apo të humbur. Ata mendojnë se shpëtimi është një çështje që ka të bëjë krejtësisht vetëm me personin. Kjo nuk duhet të përbëjë ndonjë problem. Gjatë gjithë historisë, Perëndia ka komunikuar me kombe dhe me individë gjithashtu. Në qoftë se shumica e njerëzve në një vend rebelojnë ndaj Perëndisë, Ai në mënyrë karakteristike së pari shpëton popullin e Tij, pastaj hedh zemërimin e Tij mbi gjithë popullsinë. Sodoma është një shembull i kësaj. Dhe e tillë ishte edhe përmbytja, por në një shkallë më të lartë.
Gjykimi i engjëjve
Pa e plotësuar krejtësisht kuriozitetin tonë, Bibla na tregon për disa engjëj që mëkatuan, të cilët po presin gjykimin e tyre të fundit:
Sepse, në qoftë se Perëndia nuk i kurseu engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në tartar të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq… (2 Pjetrit 2:4).
Ai i ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe, edhe engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, po e lanë banimin e tyre (Juda 1:6).
Ne e dimë shumë mirë se ekzistojnë edhe engjëj të tjerë të liq (zakonisht të barazuar me djajtë), të cilët janë me shumicë. Atëherë kur do të ndodhë gjyqi i engjëjve mëkatarë?
Mesia-Mbret, gjatë sundimit të Tij në tokë, do «t’i japë fund sundimit dhe pushtetit dhe fuqisë» dhe «do t’i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e veta» (1 e Korintasve 15:24-25). Pa dyshim, kjo përfshin nënshtrimin e fuqive, sundimeve dhe ligësisë frymërore në vende qiellore.
Meqë besimtarët do të sundojnë me Të, do të marrin pjesë në dënimin e engjëjve. Ndoshta kjo shpjegon pyetjen enigmatike të Palit në 1 e Korintasve 6:3: «A nuk e dini se ne të gjithë do të gjykojmë engjëjt»?
Gjykimi përfundimtar i Satanit ndodh në fund të Mijëvjeçarit dhe përpara Gjykimit të Fronit të Bardhë:
Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve (Zbulesa 20:10).
Meqë engjëjt, që mëkatuan, e pranojnë Satanin si drejtuesin e tyre, është e arsyeshme të besojmë se ata do të dënohen për pjesëmarrjen në rebelimin kundër Perëndisë (Isa. 14:12-17; Eze. 28:12-19) dhe do të marrin pjesën e tyre në shkatërrimin e Satanit në liqenin e zjarrit.
Gjykimi para Fronit të Madh të Bardhë
Gjoni «pa një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli» (Zbulesa 20:11). Froni është i madh për arsye të Atij që ulet mbi të dhe për arsye të gjërave që gjykohen. Bardhësia e tij bën fjalë për kullueshmërinë e këtij gjykimi. Ky gjykim ndodh në përjetësi, pasi bota siç e dimë do të jetë shkatërruar nga zjarri (2 Pjetrit 3:10).
«Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë» (Zbulesa 20:12a). Këta janë të vdekurit e liq të të gjitha kohërave. Arsyeja pse ata po qëndrojnë në këmbë këtu, është se ata nuk besuan në Zotin. Mosbesimi është mëkati i madh, që sjell dënim.
Ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë (Gjoni 3:18b).
Kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të (Gjoni 3:36b).
Dy libra hapen për të përcaktuar shkallën e këtij gjykimi:
…dhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre (Zbulesa 20:12b).
Fundi i tyre është vulosur nga fakti se emrat e tyre nuk janë në Librin e Jetës, që do të thotë se ata nuk janë penduar dhe nuk kanë besuar në Krishtin si Shpëtimtari i tyre. Dhe kështu do të ketë shkallë gjykimi në ferr, ashtu siç do të ketë shkallë gjykimi të shpërblimit në parajsë. Veprat e tyre përcaktojnë masën e fajit të tyre. Për shembull, një përdhunues do të vuajë më shumë se një komshi, i cili ka jetuar një jetë të zakonshme (i cili, për të të ardhur keq, nuk e pranoi Zotin).
Trupi, këtu i simbolizuar si «Vdekje», dhe shpirti dhe fryma, të simbolizuara nga «Hadesi»—me fjalë të tjera, i tërë personi, do të hidhet në liqenin e zjarrit:
Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë (Zbulesa 20:14).
Asnjë besimtar nuk do të marrë pjesë në gjykimin para Fronit të Madh të Bardhë. Ky gjykim është vetëm për ata që e kanë hedhur poshtë ofertën e Perëndisë dhe kështu nuk janë në Librin e Jetës të Qengjit.
[[1]]Krahas kësaj, duhet të kesh parasysh se fjala e përkthyer «kombe» (ethnë) mund të përkthehet në të njëjtën kohë «paganët ose joçifutët» dhe kështu është përdorur shpesh.[[1]]