«Falas morët, falas jepni» (Mt. 10:8).
Fric Krajsleri (Fritz Kreisler), një nga violinistët më të mëdhenj në botë, tha: «Unë kam lindur me muzikë në sistemin tim. I njihja notat muzikore nga instinkti përpara se të mësoja ABC-në. Ishte një dhuratë e Providencës. Unë nuk e kam fituar atë. Kështu që nuk meritoj as falënderime për muzikën…. Muzika është tepër e shenjtë që të shitet. Dhe çmimet tepër të larta që kërkojnë personalitetet muzikore sot janë vërtet një krim kundër shoqërisë». Këto janë fjalë që cilido në shërbesën e krishterë mund t’i vërë në zemër. Shërbesa e krishterë është një shërbesë e dhënies, jo e marrjes. Pyetja nuk është: «Çfarë ka për mua në gjithë këtë?», por më tepër «Si mund ta ndaj mesazhin më së miri te sa më shumë njerëz?» Në shërbesën e Krishtit, është shumë herë më mirë që gjërat të kushtojnë në vend që ato të paguajnë. Është e vërtetë që «Punëtori e meriton shpërblimin e vet» (Luka 10:7) dhe që «Ata që shpallin ungjillin, nga ungjilli të rrojnë» (1 e Korintasve 9:14). Por kjo nuk e justifikon [veprimin] që dikush të caktojë një çmim për dhuntinë e tij. Kjo nuk është justifikim që dikush të kërkojë pagesa tepër të larta për përdorimin e himneve. Kjo nuk i justifikon tarifat zhvatëse për organizime fjalimi apo këndimi. Simon magjistari donte të blinte fuqinë e dhënies së Frymës së Shenjtë te të tjerët (Veprat e Apostujve 8:19). Nuk ka dyshim që ai e pa këtë si një mënyrë për të fituar para për veten. Me këtë veprim të tij, ai i dha emrin e tij gjuhës sonë (ang. Simony) për të përshkruar blerjen ose shitjen e privilegjeve fetare. Nuk është aspak zmadhim të themi që bota fetare sot është plot me simoni. Nëse dollari do të hiqej disi nga e ashtuquajtura punë e krishterë, një pjesë e madhe e saj do të ndalonte menjëherë. Por do të mbeten ende shërbëtorë besnikë të Zotit që do të vazhdojnë derisa të shpenzohet edhe grami i fundit i forcës së tyre. Ne kemi marrë falas; ne duhet të japim falas. Sa më shumë që japim, aq më i gjerë është bekimi dhe aq më i madh është shpërblimi – një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur dhe gufuese.