Ne lexojmë në Bibël [te Diodati e Ri], te Veprat e Apostujve 13:48: “…dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur [e përjetshme] besuan”.
Ky tekst, siç qëndron kështu, është një prej bastioneve të doktrinës kalviniste që asnjë nuk do të besojë apo nuk mund të besojë për jetë të përjetshme, përveç atyre të cilët janë paracaktuar për të përmes dekretit të paracaktimit të Perëndisë. Dhe pa dyshim, e përkthyer kështu, teksti patjetër që duket se është një argument i fortë për këtë doktrinë. Por ne e mohojmë që të jetë kjo domethënia e duhur. Përse?
Së pari, një shqyrtim nga afër zbulon se nuk ka asnjë justifikim për ta përkthyer fjalën greke “tasso” (me numër të Strongut 5021) si “paracaktuar”. Le të përmenden disa fakte historike se përse “paracaktuar për jetën e pasosur” gjendet në shumë përkthime të Biblës. Për t’u kthyer në fillimet, Dhiata e Re u përkthye së pari nga greqishtja në anglisht (dhe përkthimet shqipe janë ndikuar shumë nga përkthimet në anglisht) nga Uilliam Tindejli (William Tyndale), më 1525. Tindejli ishte një dishepull i Martin Luterit në doktrinë. Luteri ishte një kalvinist, edhe pse do të ishte më e saktë të themi që Kalvini ishte një luterian, sepse Luteri ishte përpara tij. Megjithëkëtë, autori i vërtetë i doktrinës kalviniste nuk ishte as Kalvini, as Luteri, por Agustini dhe janë disa njerëz të mirinformuar që nuk e quajnë këtë kalvinizëm, por agustinianizëm. Luteri kishte qenë një murg agustinian dhe e konsideroi gjithmonë Agustinin si më të mirin nga etërit e kishës. “Agustini ishte më i afti dhe më i pastri nga të gjithë doktorët”, thotë ai dhe përsëri, “Shën Agustini më pëlqen më shumë se gjithë të tjerët. Ai ka mësuar një doktrinë të pastër”. Ishte pikërisht debati midis Agustinit dhe Pelagiusit që e bëri atë çfarë ai do të quhej tani një kalvinist. Përpara kësaj Agustini kishte shkruar në favor të vullnetit të lirë të njeriut. Sa për Luterin, polemika e tij me papët rreth meritës njerëzore e përforcoi atë në doktrinën e Agustinit dhe ai shkroi me shumë forcë kundër vullnetit të lirë të njeriut në librin e tij “Skllavëria e vullnetit”. Tindejli ishte ndikuar nga Luteri që prej fillimit dhe pikëpamja e Tindejlit ishte gjithashtu kalviniste.
Se sa shumë e ndikoi ky paragjykim kalvinist përkthimin që ai i bëri këtij vargu është e pamundur ta themi, por në çdo masë Dhiata e parë e Re e Tindejlit, e botuar më 1526, lexohej “dhe besuan madje aq sa ishin paracaktuar (ang. ordained) për jetë të përjetshme”. Kjo u pasua verbatim, pra, fjalë për fjalë, në versionet e rishikuara nga Kavërdeili (Coverdale), Methju (Matthew), Taverneri, Bibla e Madhe dhe nga Dhiata e Re e Gjenevës e vitit 1557. Bibla e Gjenevës e vitit 1560 e ndryshoi rendin e fjalëve, por i ruajti fjalët: “të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e përjetshme besuan”. Kjo u pasua nga Bibla e Bishopëve dhe nga Versioni i Mbretit Xhejms.
Përveç anësisë kalviniste të shumicës së reformatorëve të hershëm dhe përkthyesve të Biblës, edhe Vulgata Latine ushtroi një ndikim të padyshimtë në përkthimin e Biblës Angleze dhe përkthimi i Vulgatës për Veprat 13:48 është: “quotquot erant praeordinati ad vitam aeternam” (të gjithë që ishin para-caktuar për jetë të përjetshme”. Mjafton të themi se nuk ka as arsye, as justifikim për futjen e parashtesës “para” [prae, Latin] dhe patjetër që fjala greke nuk do të shfaqë një domethënie të tillë. Madje dhe Teodor Beza (Theothore Beza), një kalvinist shumë i përkushtuar, nuk mund ta pranonte këtë, por ai përdori “quotquot erant ordinati ad vitam aeternam” në përkthimin e tij latin. Fatkeqësisht, parashtesa “para” ka vazhduar të jetë në shumë përkthime duke e përfshirë Diodatin e Ri.
Së dyti, megjithëse disa përkthime e kanë korrigjuar vargun duke hequr parashtesën “para” dhe e kanë përkthyer vargun si “ishin të caktuar” (Bibla ABS në gjuhën shqipe), “ishin caktuar” (NIV), dhe “kanë qenë caktuar” (NASB), interpretimi i pasaktë me një anësi të panevojshme kalviniste vazhdon edhe sot nga shumë mësues. Por nuk ka asgjë në fjalën greke (tasso, 5021) që të sugjerojë një koncept kalvinist të paracaktimit. Kuptimi i saj i zakonshëm është synoj, caktoj, rregulloj ose vendos, pra, të caktosh, ose të vendosësh. Kjo fjalë është përdorur disa herë në Dhiatën e Re në greqishte, por është përdorur shpesh në Dhiatën e Vjetër në greqishte (Septuaginta), prej nga nxjerr disa shembuj që do të tregojnë se kuptimi normal nuk ka të bëjë me paracaktimin.
Ajo është përdorur në 2 Mbretërve 12:17, “pastaj Hazaeli u përgatit [Diodati i Ri] të sulmonte Jeruzalemin”. Është e qartë që kjo nuk ka të bëjë me një dekret të përjetshëm në të kaluarën e përjetshme. Hazaeli kishte bindje të forta në zemër të tij për të sulmuar Jerusalemin. Mund të thuhet që ai ishte “i vendosur” ose “synonte” të vepronte kështu.
Dhe në Isaia 38:1, “Kështu flet ZOTI. Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe jo për t’u shëruar”. Përsëri, kjo nuk ka të bëjë me një dekret të përjetshëm të vendosur në të kaluarën e përjetshme. Ezekias iu dha një urdhër për t’u përgatitur për vdekjen dhe për të vënë në vend punët e jetës së tij.
Dhe në Danieli 11:17, “Pastaj do të vendosë të vijë me forcat e gjithë mbretërisë së tij”. Sikurse dhe duket, një mbret është duke marrë një vendim ushtarak. Kjo nuk ka të bëjë me paracaktim nga e kaluara e përjetshme.
Në të njëjtën mënyrë, ne gjejmë kuptime të ngjashme në Dhiatën e Re.
Përdorimi normal i kësaj fjalë është ilustruar në Mateu 28:16, “Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar [5021] Jezusi”. Kjo nuk ka të bëjë me një dekret të përjetshëm nga e kaluara e përjetshme. Shumë thjesht Jezusi mori një vendim dhe u tha dishepujve të shkonin në një mal të caktuar. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Ta interpretosh këtë si “që u kishte paracaktuar Jezusi” vetëm sa do të shtonte një anësi të panevojshme kalviniste.
Kujt do t’i kishte shkuar mendja për paracaktim kur centurioni i thotë Zotit, “unë jam [5021] një njeri nën autoritetin (Luka 7:8)? Me të vërtetë, përkthimi më i saktë duhet të jetë “unë jam një njeri i caktuar [ose i vendosur] nën autoritetin.” Centurioni thjesht po i referohej pozicionit që kishte në ushtrinë romake. Ta interpretosh këtë si “unë jam paracaktuar një njeri nën urdhrin”, vetëm sa do të shtonte një anësi të panevojshme kalviniste.
Kush do të mendojë që paracaktimi gjendet në Romakëve 13:1, ku na thuhet, “pushtetet që janë, janë caktuar [5021] nga Perëndia”? Madje dhe hiper-kalvinisti Xhon Gilli (John Gill) nuk e gjen paracaktimin në këtë varg. Ai thotë: “Format e ndryshme të qeverisjes janë prej pëlqimit dhe vullnetit të njeriut; por qeverisja vetë është një rend i Perëndisë”. Perëndia e caktoi qeverisjen njerëzore për të mirën e shoqërisë. Në çdo shoqëri të rregullt duhet të ketë autoritet dhe nënshtrim ndaj atij autoriteti. Në të kundërt do të kishte një shtet anarkie dhe s’mund të mbijetohet në anarki. Çdo qeveri është më mirë sesa pa qeveri. Kështu Perëndia ka caktuar qeveri njerëzore. Ky është interpretimi i këtij vargut.
Paracaktimi nga e kaluara e përjetshme me siguri që nuk gjendet në Veprat 15:2, “u dha urdhër [5021] [Diodati i ri] që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem”. Në përkthimin nga Bibla ABS lexohet “u caktua”. Ideja është që vëllezërit vendorë morën një vendim në atë çast në kohë për të dërguar Barnabën dhe Palin në Jerusalem. Ta interpretosh këtë si “u paracaktua që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jerusalem” do të ishte jo vetëm për të qeshur, por edhe do të shtonte një anësi të panevojshme kalviniste.
Në Veprat 22:10 lexojmë: “Çohu dhe shko në Damask! Atje do të të thuhet çfarë të është urdhëruar [5021] të bësh”. Kjo mund të përkthehet me lehtësi si “të është caktuar të bësh” ose “është vendosur të bësh”. Kjo nuk ka të bëjë me një dekret të përjetshëm nga e kaluara e përjetshme. Shumë thjesht Perëndia deshi që Pali të bënte disa gjëra specifike në atë çast në kohë. Në fakt, në vargun 14 lexojmë, “Perëndia i etërve tanë të ka paracaktuar të njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin dhe të dëgjosh një zë nga goja e tij” [Diodati i ri]. Por fjala “ka paracaktuar” në vargun 14 nuk është fjala greke “tasso” [5021] por një fjalë greke tjetër. Përkthimi më i saktë gjendet në Biblën ABS ku lexohet “të caktoi.” Megjithatë, është qartë që Perëndia deshi që Pali të njihte vullnetin e tij, ta shihte të Drejtin, të dëgjonte një zë, të dëshmonte (v15), dhe te pagëzohej (v16). Ta interpretosh këtë varg në mënyrë të panevojshme si “të është paracaktuar të bësh”, vetëm sa do të shtonte një anësi kalviniste.
Fjala greke “tasso” gjendet edhe në Veprat 28:23, ku lexojmë: “Dhe, mbasi i caktuan [5021] një ditë, erdhën shumë veta tek ai në banesën e tij”. Shumë thjesht, pasi kishin dëgjuar apostullin Pal, krerët judenj vendosën për një ditë ku njerëzit të vinin për të dëgjuar Palin. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Ta interpretosh këtë si “Dhe, mbasi i paracaktuan një ditë”, vetëm sa do të shtonte një anësi kalviniste.
Në 1 Korintasve 16:15, lexojmë, “ju e njihni familjen e Stefanas që është fryti i parë i Akaisë dhe që i janë kushtuar [5021] shërbesës së shenjtorëve”. Është e qartë që u mor një vendim në zemrat e anëtarëve të familjes së Stefanas për t’ia kushtuar veten shërbimit të shenjtorëve. Dikush mund të thotë që ata synuan ose vendosën në zemrat e tyre për t’u shërbyer shenjtorëve dhe rregulluan gjërat në mënyrën e tyre të jetës për të kryer këtë detyrë. Përkthimi i Mbretit Xhejms përdor “të dhënë pas”, që me siguri jep kuptimin që familja e Stefanas kishte bindje të forta prej zemre për t’u shërbyer shenjtorëve. Interpretimi i saktë është që Stefani dhe familja e tij kishin marrë vendime të përzemërta, të thella për t’u shërbyer të tjerëve. Asnjë person nuk do ta interpretojë këtë varg si “që i janë paracaktuar shërbesës së shenjtorëve”.
Së fundi, le të kthehemi te teksti ynë kryesore i këtij artikulli, Veprat 13:48. Në kontekst (vargjet 44-48), lexojmë [Diodati i ri]:
Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. Por Judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar. Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: “Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t’ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve. Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: “Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut”’’ Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar [caktuar, Bibla ABS] [5021] për jetën e pasosur besuan.
Kjo është e gjitha mjaft e qartë. Judenjtë e refuzuan fjalën e Perëndisë. Johebrenjtë e lëvduan fjalën e Zotit. Judenjtë nuk e çmuan veten të denjë për jetën e përjetshme. Edhe pse, pa dyshim, kjo ishte thënë me sarkazëm, është pikërisht për këtë pohim që Fryma e Shenjtë nxjerr kontrastin duke pohuar se gatishmëria e johebrenjve ndaj fjalës së Perëndisë ishte krejt ndryshe nga gatishmëria e judenjve, ngaqë e hidhnin atë poshtë. Nuk kemi as aludimin më të vogël në këtë tekst lidhur me diçka përtej gjendjes dhe gatishmërisë së tyre aktuale.
Fatkeqësisht, në vargun 48 paraqitet një anësi kalviniste kur futet “paracaktuar”, qoftë në përkthim, qoftë në interpretim. Kjo jo vetëm që është e panevojshme, por është e gabuar. Përse të mos e përkthejmë si “ishin kushtuar” si në 1 Korintasve 16:15? Sigurisht që kjo ka domethënie të përsosur në dritën e kontekstit.
Çdo mësues i mirë i Biblës e di që kuptimi i një fjale duhet të përcaktohet nga konteksti. Judenjtë e kishin gjykuar veten të padenjë për jetën e përjetshme, ndërsa johebrenjtë, të gjithë sa ishin kushtuar për jetën e pasosur, besuan. Në kontrast me judenjtë, johebrenjtë e kishin dëgjuar fjalën e Perëndisë të predikuar nga Pali lidhur me jetën e përjetshme dhe, sikurse familja e Stefanas, hiri i Perëndisë kishte bërë një punë të mrekullueshme në zemrat e tyre. Ata ishin plotësisht të bindur, kishin vendosur me përkushtim të plotë dhe ata besuan.
Si përfundim, të gjesh paracaktimin kalvinist në këtë tekst është po aq kundër arsyetimit të shëndoshë, sa është kundër kuptimit dhe përdorimit të zakonshëm të fjalës greke të përdorur këtu. Interpretimi i mësipërm është krejtësisht në përputhje me kuptimin e fjalës greke, me kontekstin dhe, siç e besoj me siguri, me doktrinën e pjesë tjetër të Biblës.
–nga një vëlla në Krishtin
Comments 4
E lexova kete shkrime, dukesh qarte se personi qe e ka shkruar ishte kundershtar i Kalvinizmit, nje pyetje , vullneti i Perendise eshte qe te gjithe njerzit te shpetohen, po dime qe shume njerez nuk kane besuar dhe nuk kane per te besuar se egziston Ferri edhe Parajsa, nuk ma mbushe shume mendjen ky arsyetim qe ti ke dhene. Bekime
Po, është e vërtetë që ne shohim diçka që nuk shkon me kalvinizmin (dhe prandaj shkruajmë atë që shkruajmë).
Ju thoni që do bëni një pyetje, por nuk e bëni.
Logjika që jepni për arsyen përse të gjithë njerëzit nuk besojnë, dështon. Ideja tënde është se shkaku përse njerëz nuk besojnë dhe nuk kanë për të besuar është për shkakun e ekzistencës së ferrit dhe parajsës. Çfarë llogjike është kjo? Njerëzit shkojnë në ferr për shkakun e mosbesimit dhe shkojnë në parajsë përmes besimit në Krishtin, jo e kundërta!
Besoi se nuk me keni kuptuar, une po te pyes a’eshte vullneti i Perendise qe te gjithe njerzit te shpetohen ,gjon 3;16 , po jo te gjith do shpetohen kete gje e dime, si mendon ti a humbet shpetimi gjoni 10: 28 -29, cfare thua per romaket 8:29 Efesjanve 1;4-5
Po, Juli, vullneti i Perëndisë është që të gjithë njerëzit të shpëtohen; por nuk shpëtohen të gjithë; për këtë nuk duhet fajësuar Perëndia, por mosbesimi i njeriut. Një besimtar në Krishtin nuk e humbet e shpëtimin e vet, sepse Krishti është ai që i mbron dhe shpëtimi që Ai siguroi në kryqin është i përsososur (një herë e përgjithmonë). Ndërsa për sa i përket zgjedhjes dhe paracaktimit të Perëndisë këto janë tema të tjera që nuk kanë të bëjmë me shpëtimin e dikujt, por flasim për bekime të mëtejshme për ata që janë në Krishtin! Bekime!
Ju sugjerojmë edhe artikuj nga libri JA DALLIMI, ku trajtohen disa prej këtyre temave: http://krishterimi.al/libra/ja-dallimi/