Eksodi nga Egjipti (Eksodi 12:31-15:21)

A. Udhëtimi drejt Detit (12:31-13:22)

12:31-37 Vargu 31 nuk do të thotë patjetër që Moisiu takoi faraonin ballë për ballë (shikoni 10:29). Ajo që thotë apo bën shërbëtori zakonisht quhet sikur e ka bërë i zoti i tij. Moisiu kishte parathënë se shërbëtorët e faraonit do t’i lusnin izraelitët të shkonin (Eksodi 11:8). Izraelitët u nisën […] për në Sukoth, një zonë e Egjiptit që nuk duhet ngatërruar me qytetin me të njëjtin emër në Palestinë (Zanafilla 33:17). Egjiptianët ishin shumë të gëzuar që po u jepnin pasurinë e tyre izraelitëve dhe po i hiqnin qafe. Për hebrenjtë ishte shpërblimi i drejtë për tërë punën që u kishte dhënë faraoni. U pajisën me mjete për udhëtimin dhe materiale për shërbimin e Perëndisë. Rreth gjashtëqind mijë njerëz u larguan nga Egjipti, përveç grave dhe fëmijëve. Numri i saktë i burrave ishte 603 550 (Eksodi 38:26). Numri i plotë i izraelitëve ishte rreth dy milion. 12:38,39 Ka një diskutim të madh rreth datës së Eksodit. Një datë e pranuar gjerësisht është rreth vitit 1440 para K. Studiues të tjerë mendojnë se ka ndodhur më 1290 para K, ose edhe më vonë (shikoni hyrjen). Një përzierje e madhe njerëzish (pra, duke përfshirë edhe të huajt) iu shtua izraelitëve kur u larguan nga Egjipti. Ata marrin emrin «fundërrinë» te Numrat 11:4, ku shihen se ankohen kundër Zotit, pavarësisht se sa i mirë është treguar Ai ndaj tyre. 12:40-42 Për sa i përket kronologjisë në vargun 40, shikoni komentimin te Zanafilla 15:13,14. Katërqind e tridhjetë vitet e përmendura këtu përfshijnë tërë kohën që izraelitët kaluan në Egjipt. Është një figurë e saktë, deri në atë ditë. Gjëja e rëndësishme për t’u parë është se Zoti nuk e harroi premtimin që kishte bërë shekuj më parë. Duke nxjerrë popullin e Tij jashtë vendit, Ai përmbushi Fjalën e Tij. Perëndia nuk është i plogësht gjithashtu ndaj premtimeve të shpengimit tonë (2 Pjetrit 3:9). Në një ditë të ardhshme, «simboli» i Moisiut, Zoti Jezus, do të nxjerrë popullin e Tij jashtë nga bota për në të përjetshmen Tokë të Premtuar. 12:43-51 Simboli i Pashkës së përhershme nënkuptonte që vetëm burrat e rrethprerë lejoheshin të merrnin pjesë, qoftë të huaj, fqinjë (të afërm) apo shërbëtorë. Asnjë i huaj nuk do të hajë […] të ardhurit dhe mercenarët nuk do të hanë. 13:1-15 Perëndia kishte shpëtuar çdo të parëlindur të izraelitëve nga vdekja në Egjipt; prandaj, çdo i parëlindur nga njerëzit dhe kafshët duhej t’i shenjtërohej Perëndisë, duke i takuar Atij. Bijtë e parëlindur bëheshin priftërinj të Perëndisë, derisa fisi i Levit më vonë të veçohej për këtë shërbim. I parëlinduri i kafshëve të pastra duhej të shenjtërohej për Perëndinë brenda vitit. I parëlinduri i një kafshe të papastër, si për shembull i gomarit, nuk do t’i shenjtërohej Zotit; prandaj duhej të shpengohej nga vdekja e një qengji; pra, një qengj që vdiste në vend të tij. Nëse gomari nuk shpengohej, atëherë qafa e tij duhej të thyhej. Ishte një zgjidhje midis shpengimit dhe shkatërrimit. Më vonë u caktua që shpengimi i gomarit të bëhej me para (Lev. 27:27; Num. 18:15). Fëmija i parëlindur, lindur në mëkat, gjithashtu duhej të shpengohej, pagesa e të cilit ishte pesë sikla (Num. 18:16). Kjo ishte një kujtesë solemne e gjendjes morale të papastër të njeriut para Perëndisë. Ashtu siç fliste shenjtërimi i të parëlindurit për përkushtim ndaj Perëndisë, po kështu Festa e Bukëve pa maja fliste për pastërtinë morale që pritej nga populli i shpenguar. Për shtatë ditë populli duhej të hante bukë pa maja dhe në shtëpitë e tyre nuk duhej të kishte maja. Si shenjtërimi i të parëlindurit, ashtu dhe Festa e Bukëve pa maja duhet të ishin mësim pamor i brezave të ardhshëm, se si Zoti e kishte çliruar popullin e Tij nga Egjipti. 13:16 Judenjtë më vonë e zbatuan vargun 9 dhe 16 fjalë për fjalë, duke bërë filateri apo çanta të vogla lëkure që përmbanin pjesë nga Fjala e Perëndisë dhe i lidhnin në ballë dhe kyçe. Por domethënia frymërore është se gjithçka që bëjmë (me dorën) dhe dëshirojmë (me anë të syve) duhet të jetë në përputhje me Fjalën e Perëndisë. 13:17-20 Rruga më e drejtë nga Egjipti për në Kanaan do të kryhej përmes vendit të Palestinës, një udhëtim rreth dy javë përgjatë rrugës bregdetare e njohur si «Udha e Horusit». Por kjo qe një rrugë kryesore e ngarkuar, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të ushtrisë egjiptiane. Për të shpëtuar popullin e tij nga sulmi dhe nga zemërlëshimi i mëpasshëm, Perëndia i çoi ata nëpër një rrugë më në jug përmes gadishullit të Sinait. Bijtë e Izraelit dolën të armatosur. Ata gjithashtu morën eshtrat e Jozefit për në vendin e tij të lindjes Kanaan, sipas betimit solemn bërë prej paraardhësve të tyre (bijve të Izraelit) për ta bërë një gjë të tillë. Pfaiferi (C. F. Pfeiffer) shkruan:
Termi biblik për detin që u hap para izraelitëve është «Yam Suph», fjalë për fjalë «Deti i Kallamave» (Eksodi 13:18). Zona e njohur tashmë si Liqenet e Hidhura mund të ketë qenë e lidhur me Detin e Kuq në kohët e lashta. Ndoshta kjo shpjegon përse «Deti i Kallamave» është përkthyer si «Deti i Kuq» në KJV. Ka teori të shumta për vendin e saktë të kalimit, por askush nuk është pranuar si i saktë{{1}}.
13:21,22 Prania e Zotit me popullin e Tij tregohej nga një kolonë resh […] ditën dhe në një kolonë zjarri […] natën. «Këta qenë» – ashtu siç ka thënë (Methju Henri) Matthew Henry – «mrekulli të vazhdueshme»{{2}}. Kjo re lavdie njihet si Shekinahu, nga fjala hebraike të banosh. Kolona flet për drejtimin e Perëndisë ndaj popullit të Tij dhe mbrojtjen e Tij nga armiqtë e tyre (Eksodi 14:19,20). Në të dyja rastet është një simbol i Zotit Jezu Krisht.

B. Kalimi i Detit të Kuq (Kapitulli 14)

14:1-9 Kapitulli 14 është një ndër kapitujt më dinamikë në tërë Biblën. Zoti i drejtoi bijtë e Izraelit drejt jugut drejt Pi-Hahirothit, diku në perëndim të Detit të Kuq. Kjo bënte që largimi të dukej i pamundur, por e bëri mrekullinë që vijon më të mahnitshme. Faraoni mendoi se ata kishin ngecur dhe dërgoi pas tyre ushtrinë e tij prej gjashtëqind qerresh të zgjedhura dhe tërë qerret e Egjiptit, me luftëtarë në secilën prej tyre. Në sulmin e faraonit ndaj dy milion izraelitëve, në dukje të pashpresë, që kishin fushuar pranë detit dhe gjendeshin midis faraonit dhe detit mbase gjendet origjina e shprehjes frazeologjike për dilemën e tmerrshme: «Midis djallit (faraonit) dhe detit (të Kuq!) blu të thellë». 14:10-14 Kur bijtë e Izraelit ngritën sytë e tyre dhe panë ushtrinë egjiptiane që po marshonte prapa tyre natyrshëm u frikësuan, por me mençuri i klithën Zotit. Megjithatë, menjëherë iu qanë udhëheqësit të Zotit, Moisiut, ashtu siç kishin bërë më parë (Eksodi 5:21), duke thënë: «Për ne do të qe më mirë t’u shërbenim egjiptasve sesa të vdesim në shkretëtirë». Ky qe mosbesim i pastër nga ana e tyre dhe në asnjë mënyrë fjalia e fundit. Duke mos qenë më i ndrojtur, Moisiu u tha atyre: «Qëndroni dhe çlirimi do të vijë nga Zoti». 14:15-18 Një ndër mrekullitë më të mëdha në tërë historinë do të ndodhte:
Zoti udhëzoi Moisiun: «…U thuaj bijve të Izraelit të shkojnë përpara. Dhe ti ço lart bastunin tënd, shtrije dorën mbi det dhe ndaje atë, në mënyrë që bijtë e Izraelit të mund të kalojnë në mes të detit në të thatë».
Rreth ngurtësimit nga ana e Perëndisë e zemrës së egjiptasve dhe sigurimi i lavdisë nga Faraoni dhe nga tërë forca e tij ushtarake, (Methju Henri) Matthew Henry shkruan:
Është një gjë e drejtë që Perëndia t’i vinte nën shtypjen e zemërimit të Tij ata që për një kohë të gjatë u kanë bërë ballë ndikimeve të tij të hirit. Flitet në mënyrë triumfi mbi këtë rebel kryeneç dhe fodull{{3}}.
14:19-28 Engjëlli i Perëndisë (Krishti, shikoni Gjyqtarët 6 për një shtjellim të mëtejshëm) zuri vendin e Tij si një kolonë reje në fund të ushtrisë së Izraelit, duke i mbrojtur nga egjiptianët. Kolona e resë siguronte dritë për izraelitët dhe errësirë për egjiptianët. Me goditjen e Moisiut Deti i Kuq u hap, duke formuar dy mure uji me një shteg toke të thatë midis. Izraelitët kaluan tutje të sigurt, por kur ushtria e faraonit u përpoq t’i ndiqte, Zoti […] i dha dërrmën dhe prishi qerret e tyre duke e bërë të vështirë përparimin e tyre. Para se të tërhiqeshin, deti u mbyll me urdhrin e Moisiut. Nuk shpëtoi asnjë prej tyre. I njëjti besim që hapi Detin e Kuq na bën të zotë të bëjmë të pamundurën kur ecim përpara sipas vullnetit të Perëndisë. 14:29-31 Kalimi i Detit të Kuq është shfaqja më e madhe e fuqisë së Perëndisë DhV, por fuqia më e madhe e tërë kohërave është ajo që ringjalli Krishtin nga të vdekurit.

C. Kënga e Moisiut (15:1-21)

Ashtu si Pashka flet për shpengimin me anë të gjakut, Deti i Kuq flet për shpengimin me anë të fuqisë. Kënga e Moisiut kremton këtë të fundit. Dr. Vudringu (H. C. Woodring) e përmbledh si vijon{{4}}:
Prelud (v. 1) – Triumfi i Jehovait. Strofa e parë (v. 2,3) – Ajo që është Ai: forca, kantiku, shpëtimi. Strofa e dytë (v. 4-13) – Ajo që ka bërë Ai: fitorja mbi armiqtë e shkuar, çlirimi i popullit të Tij nga Egjipti. Strofa e tretë (v. 14-18) – Ajo që do të bëjë Ai: fitorja mbi armiqtë e ardhshëm, dërgimi i popullit të Tij në rashëgiminë e tyre. Postlud (v. 19) – Ndryshimi midis mundjes së Egjiptit dhe çlirimit të Izraelit. Përgjigjja antifone [me tinguj të kundërt] nga Miriami dhe të gjitha gratë (v. 20,21).
Afërsisht tre shekuj më parë komentuesi anglez Methju Henri (Matthew Henry) ka shprehur vlerësimin dhe të kuptuarit e tij të kësaj ode të madhe frymërore si vijon:
Ne mund ta vëzhgojmë këtë këngë që është: 1. Një këngë e lashtë, më e lashta nga ato që njohim; 2. Përbërja më e admirueshme, me një stil të lartë dhe të mrekullueshëm, me një shëmbëllim të gjallë dhe të duhur dhe tepër prekës; 3. Është një këngë e shenjtë, përkushtuar nderit të Perëndisë dhe ka si qëllim përlëvdimin e emrit të tij dhe kremtimin e lavdisë së Tij, dhe vetëm të Tij, jo të madhështojë ndonjë njeri: shenjtëria ndaj Zotit është skalitur në të dhe Atij ata i thurin melodi duke i kënduar; 4. Ajo është një këngë tipike. Triumfet e kishës së ungjillit, në rënien e armiqve të saj, shprehen në këngën e Moisiut dhe në atë të Qengjit së bashku, që thuhet se duhen kënduar mbi një det xhami, ashtu siç u këndua kjo mbi Detin e Kuq, Zbulesa 15: 2,3{{5}}.
[[1]] (13:17-20) C. F. Pfeiffer, Baker’s Bible Atlas, f. 73,74.[[1]] [[2]] (13:21,22) Henry, “Exodus”, I:328.[[2]] [[3]] (14:15-18) Henry, “Exodus”, I:332.[[3]] [[4]] (15:1-21) Dr. H. C. Woodring, shënime të pabotuara, Emmaus Bible School.[[4]] [[5]] (15:1-21) Henry, “Exodus”, I:335,336.[[5]]
[previous][next]