Nëntë plagët e para (Eksodi 7:14-10:29)

A. Plaga e parë – Nili që kthehet në gjak (7:14-25)

7:14-18 Zoti i tha Moisiut të kishte një përballje vetjake me faraonin poshtë, në bregun e lumit, kur madhëria e tij do të shkonte te lumi (mbase ai po lahej te Nili «i shenjtë»). Moisiu duhej të paralajmëronte mbretin se peshqit do të ngordhin, lumi do të mbajë erë të keqe dhe do të bëhej i neveritshëm për egjiptianët, pasi do të shndërrohej në gjak me anë të dorës së Moisiut. 7:19-25 Moisiu dhe Aaroni bënë ashtu siç urdhëroi Perëndia. Ata shtrinë bastunin […] mbi ujërat e Egjiptit. Ujërat e Nilit dhe të vendit të Egjiptit u shndërruan në gjak. Dhe peshqit […] ngordhën dhe lumi u qelb. Magjistarët e bënë këtë mrekulli me ujë të marrë në anë të tjera dhe jo në Nil. Kjo mbase nxiti faraonin t’i bënte ballë kërkesave të Moisiut, duke Amos e lejuar popullin të shkonte. Për shtatë ditë kur Nili ishte i ndotur, populli siguroi ujë duke hapur puse.

B. Plaga e dytë – Bretkosat (8:1-15)

Plaga e bretkosave që pushtoi vendin e Egjiptit ishte aq shqetësuese, saqë faraoni u duk sikur u zbut. Kur i kërkoi Moisiut që të largohej plaga, Moisiu i tha: «Bëmë nderin të më thuash kur të ndërhyj për ty, për shërbëtorët e tu dhe për popullin tënd, pranë Zotit me qëllim që ai të zhdukë bretkosat që ndodhen rreth teje dhe shtëpive të tua, dhe të mbeten vetëm në lumë». Magjistarët ishin gjithashtu të aftë të prodhonin edhe bretkosa – sikur ato që kishin të mos mjaftonin! Mbase ata e bënë këtë me anë të ndonjë fuqie djallëzore, por ata nuk guxonin t’i shkatërronin bretkosat, sepse ato adhuroheshin si perëndia i pjellorisë! Kur bretkosat ngordhën ditën tjetër, pati një erë të qelbur nga kërmat e tyre. Faraoni përsëri ngurtësoi zemrën e tij.

C. Plaga e tretë – Mushkonjat (8:16-19)

Në plagën e tretë pluhuri i tokës u bë harrje apo mushkonja. Këtë herë magjistarët, të paaftë që të prodhonin mushkonja, paralajmëruan faraonin se ishte në veprim një fuqi më e madhe se e tyrja, por mbreti mbeti përsëri zemërgur. Sa më tepër ngurtësonte zemrën e tij, aq më tepër ngurtësohej nga Perëndia.

D. Plaga e katërt – Mizat (8:20-32)

8:20-24 Kështu Perëndia dërgoi plagën e katërt – një mori mizash. Ashtu siç tregon shkrimi me shkronja të pjerrëta te NKJV, hebraishtja fjalë për fjalë nënkupton mori (apo «përzierje») dhe insekti në fjalë (mizat) është shtuar nga përkthyesit. Mbase mori ishin një përzierje e shumë llojeve. Meqë pjesa më e madhe apo të tërë plagët i drejtoheshin perëndive të rreme të Egjiptit (Nili dhe pothuaj çdo krijesë ishin një hyjni në Egjipt!), është e mundur të nënkuptohen brumbujt. Ky do të ishte një sulm kundër Keprit, perëndisë së brumbullit të shenjtë{{1}}. 8:25-32 Faraoni arriti deri në atë pikë saqë lejoi izraelitët të shkonin e të bënin fli për Perëndinë në vendin e Egjiptit. Por kjo nuk shkonte, sepse ata do të flijonin kafshë që adhuroheshin nga egjiptianët dhe kjo do të shkaktonte një revoltë. Faraoni lejoi edhe diçka tjetër: judenjtë mund të shkonin në shkretëtirë të bënin flijime, por ata nuk duhej të shkonin shumë larg. Edhe kjo nuk ishte e kënaqshme, sepse Perëndia kishte urdhëruar të bënin tri ditë udhëtim. Sapo Egjipti u çlirua nga plaga, faraoni ndryshoi mendjen dhe e ndaloi popullin të shkojë.

E. Plaga e pestë – Murtaja mbi kafshët (9:1-7)

Pasi faraoni ishte paralajmëruar, Perëndia dërgoi një gjëmë të madhe, mbase antraks [në shqip plasje], që vrau tërë bagëtinë e Egjiptit nëpër fusha. Kafshët që u përkisnin izraelitëve nuk u prekën. Kështu pati një gjykim diskriminues që nuk mund të shpjegohet me anë të dukurive natyrore. Çdo përpjekje për të shpjeguar plagët mbi baza natyrore është si të rendësh pas erës. Jo të gjitha kafshët e egjiptianëve u vranë, meqë disa mbetën, siç thuhet në vargun 19, dhe të tjera u vranë natën e Pashkës (Eksodi 12:29b). Disa i larguan në shtëpi (v. 20). Kështu fjala «tërë» e vargut 6a do të thotë «të tëra kafshët në fushë» apo «nga të tëra llojet». Deshtë, dhitë dhe demat ishin kafshë të shenjta në Egjipt. Tashmë kërmat e tyre ndotnin mjedisin.

F. Plaga e gjashtë – Ulcera (9:8-12)

Kur faraoni ngurtësoi edhe më veten e tij, Perëndia e bëri hirin ulcerë te burrat dhe te kafshët e Egjiptit. Edhe magjistarët u prekën nga ato. Sa më tepër ngurtësonte faraoni zemrën e tij, aq më tepër ngurtësohej juridikisht [nga dora e Perëndisë] nga Perëndia.

G. Plaga e shtatë – Breshëri dhe zjarri (9:13-35)

Shprehja «tërë plagët e Mia» mbase tregon forcën e plotë të plagëve të Perëndisë. Zoti e kujton faraonin se Ai mund ta kishte shkatërruar atë dhe egjiptianët me gjëmën e mëparshme, por në vend të kësaj ai nuk i bëri gjë faraonit që të tregonte fuqinë e Tij dhe të përhapte famën e Tij. Në vargun 16 nuk kemi të bëjmë me një paracaktim se faraoni do të mallkohej në ferr. Mallkimi i tillë (d.m.th. mallkimi i paracaktuar) nuk është një doktrinë biblike. Zoti e përdori faraonin si një shembull të asaj që i ndodhi një njeriu që ishte i vendosur t’i bënte ballë fuqisë së Perëndisë (shikoni gjithashtu Rom. 9:16,17). Plaga tjetër kishte të bënte me breshrin dhe vetëtimat e zjarrit, shoqëruar me bubullima. Ato shkatërruan njerëz, kafshë, lirin dhe elbin, që ishin gati për korrje (kr. v. 31,32); por gruri dhe gruri i fortë nuk u prekën, sepse janë të vonshëm. Izraelitët, që banonin në Goshen, nuk u prekën. Si përgjigje ndaj kërkesës së faraonit, Moisiu u lut dhe plaga reshti. Por, ashtu siç e priste Moisiu, faraoni u bë edhe më i papërkulur në moslejimin e hebrenjve që të shkonin.

H. Plaga e tetë – Karkalecat (10:1-20)

Moisiu dhe Aaroni paralajmëruan faraonin për një plagë të ardhshme karkalecash, por ai pranoi të linte vetëm burrat të shkonin për të kremtuar Zotin. Gratë dhe fëmijët duhej të qëndronin pas. Por Perëndia nuk do të lejonte burrat në shkretëtirë, ndërsa familjet e tyre do të ishin në Egjipt. Plaga do të ishte tepër e ashpër, karkaleca në tërë territorin e tyre, që do të hanin çdo gjë të ngrënshme. Kjo tregonte se perëndia Serapis ishte i pafuqishëm t’i mbronte nga karkalecat. Faraoni u duk sikur u dorëzua, por nuk i la bijtë e Izraelit të ikin.

I. Plaga e nëntë – Tri ditët e errësirës (10:21-29)

10:21-28 Plaga e nëntë ishte tri ditë errësirë mund të preket. Vetëm te të gjithë bijtë e Izraelit kishte dritë në banesat e tyre, një mrekulli e dukshme. Perëndisë së diellit egjiptian Ra iu hoq çdo fuqi, si i pafuqishëm. Faraoni i tha Moisiut që të shkojë në shkretëtirë me gratë dhe fëmijët, por të linin pas kopetë dhe bagëtinë e imët dhe të trashë. Ai mendoi se kjo mund të siguronte kthimin e tyre (mbase ai donte të dëmshpërblinte kopetë e tij). Por në atë rast nuk do të mbetej asgjë për t’ia flijuar Jehovait dhe flija ishte arsyeja e largimit të tyre nga Egjipti. Kur Moisiu nuk qe i gatshëm të bënte marrëveshjen e kërkuar, faraoni e urdhëroi të largohej përgjithmonë nga prania e tij. 10:29 Pohimi i fortë i Moisiut: «Mirë e the; unë nuk do të të dal më përpara» duket sikur bie në kundërshtim me Eksodi 11:8, ku thuhet se «Moisiu u largua nga Faraoni tërë zemërim». Methju Henri (Matthew Henry) hedh idenë se «nuk do të të dal më përpara» do të thotë: «pas kësaj here» dhe Eksodi 11:8 përfshihet në të njëjtin «takim». Ai shkruan:
Kështu, pas kësaj interviste, Moisiu nuk i doli më para, derisa u dërgua për atë qëllim. Vini re, kur njerëzit largojnë fjalën e Perëndisë nga vetja e tyre, Ai me të drejtë lejon zhgënjimet e tyre dhe u përgjigjet sipas morisë së idhujve të tyre. Kur gadarenasit donin që Krishti të largohej, Ai u largua prej tyre{{2}}.
[[1]] (8:20-24) Versioni Septuagint, që u prodhua në Egjipt e që mund të pasqyrojë njohjen vendase dhe traditën judaike, përkthen zagal (kynomuia), një mizë kali me një pickim të fortë. Shikoni Cole, Exodus, f. 93-94, për hollësi të mëtejshme.[[1]] [[2]] (10:29) Matthew Henry, »Exodus», te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, I:314.[[2]]
[previous][next]